4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Surrealizmi te Pink Floyd & Led Zeppelin

Surrealizmi te Pink Floyd & Led Zeppelin në këngët “Julia dream” & “No quarter”

Shkruan: Bujar Meholli

Definicioni i surrealizmit

Poeti frëng André Breton shkroi në vitin 1924 “Manifestin surrealist” dhe e botoi në Paris. Kohë më parë Breton shoqërohej me mikun e tij Tristan Tzara, përfaqësues i dadaizmit, si dhe me artistë të tjerë të atij drejtimi, por vendosi të shkëputej dhe të krijonte një lëvizje të re artistike, surrealizmin, (term i shpikur nga poeti Guillaume Apollinaire), që megjithatë, nuk është aq radikal sa dada dhe ndryshe nga refuzimi kategorik që proklamonte dada, surrealizmi ishte më konstruktiv. Siç do të shohim, më vonë, rreth Bretonit, u mblodhën poetë si Paul Éluard, Benjamin Péret, Antonin Artaud, Robert Desnos, etj. Ai themeloi revistën “Revolucioni surrealist” ku ishte kryeredaktor. Kështu, surrealizmi mori hov të madh në Francë dhe gjetiu për t’u bërë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, drejtimi më i fuqishëm letrar evropian që shquhej për frymën rebele, ngritjen kundër kanoneve tradicionale dhe shprehive të zakonshme konvencionale.

Surrealizmi, në gjenezën e tij, u krijua si art që kërkon dhe gjen aspektet e mbinatyrshme, dhe i adapton për të krijuar një realitet që bazohet në ëndrra dhe subkoshiencë. Sipas filozofit dhe muzikologut gjerman Theodor W. Adorno, surrealizmi ua jep njerëzve atë gjë që funksionalizmi nuk mund t’ua jap.
“Surrealizmi shpëtoi të vjetruarën, një album me idiosinkrazi, ku shteron pretendimi për lumturi, të cilin njerëzit e gjejnë të refuzuar në botën e tyre vetjake të teknizuar“, shprehet ai, kurse akademiku shqiptar Ali Aliu, teksa flet për surrealizmin thekson se “veçori kryesore e tij është shprehja e çliruar, e pafrenuar dhe e pakontrolluar”.

Surrealizmi në muzikë

Në esenë e tij të mëvonshme “Heshtja është e artë”, 1944, Breton, ndalet më gjatë tek muzika të cilën e sheh si “të pavarur nga detyrimet shoqërore dhe morale që e kufizojnë“. Duke u nisur nga kjo, shohim se për Bretonin arti vjen e shfaqet nga hiçi, nga asgjëja, dhe ai është gjithkund e i pafundmë, ndaj si i tillë, s’mund të kufizohet nga asgjë. Surrealizmi u përhap shumë edhe tek muzicientët, të cilët gjenin aty çlirimin e emocioneve përmes tingujve, dhe bënin përzierje tingullore në mënyrë fragmentare ngjashëm me montazhin, duke krijuar një unitet të ri estetik.

Surrealizmi te grupet angleze Pink Floyd & Led Zeppelin

Pink Floyd dhe Led Zeppelin, dy grupe që kishin nisur të bëheshin të njohura për muzikën eksperimentale, nuk kishin si mos të ndikoheshin nga arti surreal që dilte jashtë asaj që konsiderohet racionale me qëllim pikasjen e shtresave të ndërdijes dhe halucinacionit. Andaj, këta të rinj anglez fascinohen nga ky perceptim dhe bëjnë përpjekje për ta anuar krijimin muzikor kah ky lloj arti. Të dy grupet u formuan në Londër. Pink Floyd më 1965, Led Zeppelin më 1968. Këta artistë të rinj vizionar, rrinin tërë ditën duke eksperimentuar në tinguj muzikorë dhe tekste. Basisti Roger Waters dhe solisti David Gilmour të grupit Pink Flyd, shquhen në shkrimin e teksteve dhe pothuajse shumicën e tyre i kanë shkruar ata. Këngën “Julia dream” të cilën do ta shohim më poshtë e ka shkruar basisti Roger Waters.

Ajo u lansua në vitin 1968 si pjesë e albumit avangard “Relics”. Teksti i këngës është poezi e pastër. “Julia dream” përcillet nga tinguj të ngadalshëm, mistikë, bizarë në fund të këngës, ndërsa stili i këndimit nga David Gilmour i përshtatet ritmit të këngës; Gilmour teksa këndon të krijon përshtypjen se ka kthyer disa gota në ndonjë mejhane. Edhe videoklipi i ngjason ëndrrës. Por ëndrrën e Julia-s në realitet askush nuk mund ta dijë. Ajo mbetet mister. Në këtë atmosferë gotike, mund të hamendësohet se ëndrra e Julia-s mund të jetë ndjekja e heronjve të saj të romaneve apo një dashuri e largët që e thërret… Mund të themi që kjo këngë është metaforë e dashurisë, gjegjësisht e humbjes së dashurisë sepse Julia shfaqet e trazuar, ajo bie në gjunjë pranë një varri përbri të cilit qëndron një kryq. Çfarë ka humbur Julia vallë?

Kjo humbje dashurie, qoftë përmes vdekjes apo ndarjes tragjike simbolizon konfuzionin jetësor dhe gjërat e mjegullta që e rrethojnë atë, jetën. Julia çapitet në një botë transcendentale të krijuar në mendjen e saj, aty ajo i ikë realitetit apo më saktë, makthit që ai i krijon. Roger Waters na ka dhënë një personazh që jeton në sferat e ëndrrave…
Dy vjet më vonë, djemtë e Led Zeppelin sjellin një krijim muzikor të kësaj natyre. Kënga me titull sinjifikativ “No quarter” që mund të merret si “S’ka mëshirë”, incizohet më 1971 dhe lansohet në mars të vitit 1973 si pjesë e albumit të famshëm “Houses of the holy”. Nga të gjitha këngët e albumit, “No quarter” është e veçantë për shkak të misticizmit të saj dhe mënyrës së këndimit nga Robert Plant.

Për shkrimin e tekstit kontribuuan të gjithë anëtarët e grupit, por i pari që e dha idenë ishte basisti dhe pianisti John Paul Jones, i cili në hyrje të këngës bën një interpretim virtuoz në pianon elektrike duke nxjerrë tinguj surreal që të përgatisin për t’u futur në një udhëtim mistik. Për të arritur efektin e duhur dhe për t’i përshtatur tingujt me atmosferën e këngës, kitaristi Jimmy Page e arrin këtë përmes kompresimit të drejtpërdrejtë në kitarë. Bateristi John Bonham, i njohur për forcën e tij gjatë interpretimeve, edhe te “No quarter” shquhet për një ritëm të ngjeshur dhe të thellë që koordinohet shkëlqyeshëm me ritmin dhe i shkon për shtati këndimit halucinativ të Plant-it.
Plant, Page e Jones, që i shkruan pothuajse të gjitha këngët e grupit, kishin interesim për botën mitologjike, për këtë ndikoi mjaft poeti romantik anglez William Blake dhe pikturat e tij të kësaj fryme. Te “No quarter” na evokohen imazhe nga mitologjia e Vikingëve dhe mitologjia norvegjeze përmes vargjeve “The winds of Thor are blowing cold”…

Sipas mitologjisë norvegjeze para se të ekzistonte Toka, ishte një vend i quajtur Musepell, i përfshirë nga flakët, me roje që përdornin shpata flake në një gjithësi të pafundme boshe. Kur i ftohti i Niflheimit shoi zjarrin, atëherë u shfaq Ymiri dhe lopa vigane Auehumla nga akujt e shkrirë. Më vonë lopa lëpiu Perëndinë Bor dhe bashkëshorten e tij duke i sjellë në jetë. Ky çift solli në jetë Buri-n e më pas nga ajo erdhën djemtë Odi, Vili dhe Ve që kur u rritën vranë Ymir-in dhe krijuan tokën nga mishi i tij, malet nga kockat, nga flokët pemët dhe me gjakun rrëke krijuan lumenj, liqene dhe dete. Kurse nga kafka, perënditë krijuan qiellin dhe yjet.

Tregime të tilla mitologjike i fascinonin anëtarët e grupit. Por prapa perceptimeve surreale të Led Zeppelin, mund të qëndrojë Lufta Revolucionare e SHBA-ve (1775-1783) dhe Britania e Madhe që kërkonte strehimin e ushtarëve të vet nga amerikanët përmes politikave që zbatonte. Ata kërkonin nga amerikanët kolonialë t’u ofrojnë ushtarëve britanikëve ushqim dhe strehim gjatë stinës së dimrit por amerikanët “nuk patën mëshirë”.

Me harmoninë e tingujve dhe imazhet përfytyruese që krijojnë, Pink Floyd dhe Led Zeppelin në këto dy këngë shfaqin një sens refuzimi ndaj gjendjes reale duke e mishëruar iracionalitetin si faktor thelbësor në funksion të reagimit artistik.

Më Shumë

Biblioteka e Prizrenit shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Biblioteka e Prizrenit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit . Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se angazhimet e institucionit janë të ofrojë librin sa më afër...

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Lajmet e Fundit