6.8 C
Prizren
E premte, 2 Dhjetor, 2022

Tha shqip në KiE “Kosova është Evropë”, deputeti ukrainas javën tjetër vjen në Prishtinë

Deputeti nga Ukraina, Oleksiy Goncharenko i cili bëri bujë të madhe me fjalimin e tij në Këshillin e Evropës ku bëri thirrje për njohje të Kosovës, javën tjetër do të jetë për vizitë në Prishtinë.

Goncharenko do të arrij në Kosovë më 27 tetor, ku do t’u drejtohet deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës me një fjalim në Kuvend.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin vetë deputeti ukrainas.

“Po më 27 tetor do të jem në Kosovë ku do të flas në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu planifikoj të kem një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti”, u shpreh Goncharenko.

Ai bëri të ditur se ftesën për të vizituar Kosovën e ka marrë nga deputeti i LVV-së, Haki Abazi.Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe deputeti Haki Abazi. “Po është e vërtetë që e kam ftuar për vizitë”, ka thënë shkurt Abazi.

Ditë më parë në një intervistë për Telegrafin, deputeti ukrainas tha se shpreson që Kosova vitin e ardhshëm të pranohet si anëtare në Këshillin e Evropës.

“Po, mendoj që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është afër, dhe shpresoj vitin tjetër do të jetë e mundur që Kosova të pranohet dhe të bëhet pjesë e këtij Këshilli dhe unë do ta mbështes këtë”, u shpreh Goncharenko.

Në fjalimin e së martës në Këshill të Evropës, Goncharenko, u shpreh se Kosova duhet të njihet nga 12 vendet e Këshillit të Evropës që ende s’e kanë njohur.

“Po ju drejtohem, ju lutem ta njihni këtë vend (Kosovën) si shtet të pavarur siç luftuan ata për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre dhe duhet të ulen këtu së bashku me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë”, tha ai, derisa në gjuhën shqipe tha “Kosova është Evropë”. /Telegrafi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit