10.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Udhëtimi i fundit i Jashimit, nuk duhet humbur

“Sikur të mos ishin makthet e frikshme/ do të strukesha brenda një lëvozhge arre/dhe veten ta quaja mbret i hapësirës së paanë…”Me këtë shprehje të Hamletit, shkrimtari i njohur anglez, Jason Goodwin, nis sagën e pestë dhe të fundit të librave me personazh detektivin osman, Jashim, “Klubi i Bakllavasë”. Ai zgjedh Hamletin për të nisur një udhëtim në skutat e historisë dhe për ta bërë atë të paharrueshëm për lexuesin. Ky do të ishte udhëtimi i fundit që ai i jepte Jashimit, këtij eunuku që do të bënte për vetë miliona lexues në mbi 40 gjuhë ku është përkthyer. Një personazh që ai e krijoi për herë të parë në vitin 2006, vetëm pak kohë pasi ishte kthyer nga Stambolli. Njohës i mirë i historisë, Goodwin e dinte se askush më mirë se një eunuk nuk do të mund t’i zbulonte botës, dimensionin e vërtetë të Perandorisë Otomane në shekullin XIX.

Historitë për ta, vazhdonin të joshnin çdo vizitor që bujte në kafenetë ku pihet çaj jeshil në lagjet e vjetra të Stambollit. Çdokush do donte një eunuk për ta shoqëruar në vizitat që mund të bënin në Stambollin e sotëm. Dhe Jason Goodwin ia dha këtë eunuk përmes librave që shkroi. Më vitin 2007, ai publikoi romanin e parë të sagës që do të kthehej në një nga sagat më të lexuara jo vetëm në Britaninë e Madhe të quajtur “Pema e Jeniçerëve”. Libri do të vlerësohej menjëherë me çmimin më të rëndësishëm në kategorinë e romaneve thriller “Edgar Allan Poe”. Ashtu si Poe në çdo tregim të tij kërkon të zbulojë një vrasje, apo i çon personazhet drejt një fataliteti, ashtu dhe Goodwin e çonte eunukun e tij drejt zbulimit të një vrasjeje që kishte ndodhur në Perandorinë Otomane të asaj kohe. Goodwin luajti me historinë si një lojtar pokeri, duke na dhënë një këndvështrim krejtësisht ndryshe të asaj çfarë kishim mësuar për periudhën otomane. Eunuku i tij, nuk ishte thjesht një detektiv, ashtu siç mund ta quajmë sot, por një njeri përmes së cilit ne pamë mënyrën sesi funksiononte dhe drejtoi një nga perandoritë më të mëdha të kohës.

Çfarë nuk shkoi dhe çfarë solli fundin e saj, në një kohë të trazuar ndryshimesh…Personazhet që Goodwin na bën të takojmë përgjatë kësaj sage janë të pafund. Ti joshesh me stilin e jetës, por dhe mënyrën e të menduarit. Ndaj dhe vetë shkrimtari ashtu siç shprehet për mediat britanike e ka pasur të vështirë udhëtimin e fundit me Jashimin. Donte që t’i jepte atij përmes librit të fundit “Klubi i Bakllavasë” jo vetëm një jetë të bukur, por dhe t’i bënte të paharrueshme orët me të. Libri i cili erdhi në gjuhën shqipe në të njëjtën kohë që doli në Britaninë e Madhe, nën përkthimin e Fari Laçkës dhe shtëpisë botuese “Saras”, e zbulon teksa e lexon atë grishjen që ka udhëtimi i fundit. Shkrimtari i ka ndenjur më pranë Jashimit dhe e ka lënë atë dhe të shpenzojë orë të tëra duke menduar për Natashën ose duke u endur në shtratin e saj. Pavarësisht faktit që është një eunuk, Jashimi në këtë libër merret më shumë me zemrën. Teksa i duhet të vejë në vijë të gjitha punët që nuk shkojnë në pallat, ai humbet dhe në shtratin e atllastë. “Ajo vështroi duart e tij e pasigurt dhe pastaj ngadalë, por me vetëdije, ngriti duart e saj dhe i vuri mbi ato të tijat. Jashimi ndjeu që ajo po dridhej dhe i përkëdheli dorën me gishtin e madh. Ndenjën të dy aty, në heshtje, të kapur për dore.. – Duhet të kesh pasur shumë ëndrra. Ajo mbylli sytë dhe lëvizi më afër tij pa u ndier. – Ëndrra ime, Jashim, është të mos ëndërroj më, – tha ajo”, përshkruan Goodwin një bisedë mes tyre.

Jemi në vitin 1846 dhe teksa Perandoria Otomane po shkon drejt fundit, njohësi më i mirë i saj, eunuku Jashim kërkon pak paqe për veten, por pa i lënduar ata të cilëve u ka kushtuar jetën. Në historinë e librave me detektivë që duket që janë në modë sot, eunuku Jashim do të mbetet nga më të veçantët. Jo vetëm për faktin se ishte osman dhe vinte nga një kohë interesante plot zhvillime e historisë, por dhe për shijen e gjatë që të lë teksa je ndarë prej tij. Jashimi e vë në pikëpyetje historinë dhe na bën ta shohim ndryshe rrugëtimin e një prej perandorive më të mëdha drejt europianizmit. Ashtu si të gjitha ndryshimet, dhe kjo u shoqërua me lëkundje, dyshime dhe humbje të cilat u kushtuan atyre që besuan në të. Mediat britanike e quajnë Goodwin, një shkrimtar librat e të cilit do t’u duhen historianëve turq. Për lexuesin shqiptar, saga e Goodwin na njohu dhe me një dimension tjetër të shqiptarëve në Perandorinë Otomane. Pothuajse në të pestë librat e tij, shqiptarët janë përshkruar si njerëz të zotë, besnikë dhe me një kontribut në ndërtimin e Perandorisë Osmane. Te libri “Guri i gjarprit”, Goodwin bën personazh kryesor një shqiptar, i cili humb jetën teksa mbronte “kupën e Krishtit”. Ajo çfarë e bën interesante prozën e Goodwin është dhe stili i të rrëfyerit. Ai ka grishjen e një prozatori që imagjinatën ua vesh subjekteve që ta bëjnë të paharrueshëm udhëtimin me këta libra. Vetëm një njohës i mirë i historisë mund të gjejë subjekte të tilla, të cilat jo vetëm të bëjnë ta çosh deri në fund leximin e nisur, por dhe t’u kthehesh sërish.

Te “Klubi i Bakllavasë”, Stambolli duket më i bukur se asnjëherë. Trazirat e nisura politike për shkak të ndryshimeve që kërkohen me ngulm, intrigat që nuk mungojnë brenda pallatit të sulltanit, nuk ia heqin dot madhështinë vendit. Jashimi është aty, fillimisht për të zbuluar “rrëmbimin e princit polak”, e më pas për t’i rikthyer qetësinë e humbur oborrit. Si në të gjithë librat e fundit, ndihet padurimi i shkrimtarit për t’i thënë të gjitha. Personazhet në këtë libër janë plot mesazhe dhe kjo i bën portretet e tyre më grishëse. Jo vetëm Jashimi të befason me fjalorin që ka në këtë libër, por dhe personazhe të tjera. Lexuesi e njeh mirë Validenë, nënën e Sulltan Mahmutit e cila dobësinë e saj për librat e Jashimin, i shoqëron në këtë libër dhe me mesazhe mbi Perandorinë Otomane dhe historinë. Valideja u jep përgjigje shumë pikëpyetjeve mbi atë çfarë ndodhi me të vërtetë me Perandorinë Otomane dhe si lindi nevoja për një ridimensionim të saj. A ishte koha për europianizim, dhe kush e kërkonte me ngulm hapjen e dyerve të perandorisë?

Jason Goodwin është një historian. Ai ka studiuar histori në Kembrixh dhe nuk e ka fshehur asnjëherë se historia është ajo që njeh më mirë. Për shumë kritikë, kjo sagë kërkon një lexim të kujdesshëm nga të gjithë ata që kanë shkruar deri tani historinë. Goodwin bën ironi përmes personazhit të tij kryesor, Jashimit. Pasi atë çfarë bën ky eunuk në pesë libra nuk ka mundur ta bëjnë historianët. Ai të fton të vizitosh Turqinë e së shkuarës, duke të njohur me të vërtetat, shumë thjesht. “Klubi i Bakllavasë” është fundi i një sage librash triller me subjekt historinë, i cili do të vazhdojë të lexohet gjatë. Duket se jeta e Jashimit do të jetë po aq e gjatë sa e Perandorisë Otomane, dhe ai do të jetë gjithnjë aty si guida më e mirë për të depërtuar në të.

Më Shumë

Lajmet e Fundit