Mund të jenë zhvillime model për t’u mbajtur në mend, sikur rasti i zgjedhjeve të 11 qershorit në Republikën e Kosovës, në të cilat ndodhi befasia e madhe, kur të dy subjektet tradicionale politike, PDKLDK, rivalët e vjetër dhe partnerë të koalicionit në dy mandate, të ndëshkohen kaq rëndë sikur nga votuesit e vendit dhe të rrezikohet aq seriozisht e ardhmja e tyre në politikë. Analistët konsiderojnë se krerët e të dyja këtyre subjekteve politike do të duhej të jepnin dorëheqje, si Kadri Veseli në PDK, ashtu edhe dhe Isa Mustafa në LDK pas debaklit në zgjedhjet e fundit. Kadri Veseli është përgjegjës, sepse dështoi me mënyrën e menaxhimit të partisë, duke vazhduar të lejojë krimin dhe klanin ‘Pronto’ të udhëheqë nga nëntoka shtetin, si dhe me aderimet e njerëzve të dështuar dhe servilë në PDK. Edhe “Fillimi i Ri” i Kadri Veselit në politikë rezultoi me debakël.
Partia Demokratike e Kosovës nën drejtimin e tij ka marrë tatëpjetën, duke ia rrezikuar kështu pozitën e partisë më të madhe në vend, të cilën e ka mbajtur për hiç më pak se një dekadë. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-ja si e vetme, pa i llogaritur votat e partnerëve të koalicionit (AAK, Nisma dhe 13 parti të tjera të vogla), me shumë gjasë nuk do të dilte partia më e votuar në vend. Sipas analistëve, me moton e fushatës “Fillimi i Ri” Veseli u përpoq të shkëputet nga keqqeverisja afatgjatë e PDK-së në nivel qendror dhe lokal, nga korrupsioni i lartë, që ishte rezultat i kësaj keqqeverisjeje, nga kurdisja e tenderëve dhe e konkurseve publike, por pa sukses. Pa dyshim se votuesi kosovar ishte i vetëdijshëm se “Fillimi i Ri” në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë me politikanë të vjetër e të dyshuar për korrupsion, dhe se nuk do të mund të ketë drejtësi e as “Fillim të Ri”. Po ashtu vlerësohet të ketë dështuar edhe Isa Mustafa me krijimin e koalicionit me PDK-në në vitin 2014, por edhe me Krijimin e koalicionit parazgjedhor me AKR dhe Alternativa, të cilët do të shiten tani tek PDK-ja. Nga vendi i parë apo i dytë që e mbanin për një kohë të gjatë në garën politike, LDK-ja ra në vendin e tretë.
Ndëshkimi qytetar
Analistët politikë, duke ia faturuar të gjitha këto gabime dhe dështime, po ashtu konsiderojnë se shpëtimi i LDKsë, sikurse edhe i PDK-së është në reformimin e shpejtë dhe urgjent të këtyre partive politike. PDK- ja duhet të futet ne procesin e reformës dhe ristrukturimit, pasi udhëhiqet nga krimi i organizuar i klanit ‘Pronto’ dhe jo vetëm, ku edhe ardhjet e reja, në maksimum çka mund të bëjnë, është të luajnë rolin e asistentëve personalë të shefit, ndërkaq LDK-së po ashtu i duhet një rifreskim jo vetëm dekorativ, por edhe në vendimmarrje. Muhamet Kelmendi thotë se në kuadër të çështjeve të paraqitura, lidhur me PDK dhe Kadri Veselin kryetar, si dhe me LDK dhe Isa Mustafën po ashtu kryetar, lirisht mund të konstatohen dështime të mëdha dhe të gjithanshme për të cilat edhe njëri edhe tjetri do të duhej të jepnin llogari para qytetarëve dhe anëtarësisë së tyre, duke mos përjashtuar aktin më të lartë moral dhe etik, që është dorëheqja nga pozita e kreut partiak.
“Lidhur me PDK dhe Kadri Veselin, pavarësisht se cili është slogani, u treguan qytetarët e Kosovës shumë të vendosur dhe ia dhanë dënimin e merituar si parti dhe si kryetar i saj. Trendëve të vazhdueshme negative, afera “Pronto”, keqpërdorimet dhe vjedhjet, krimi mbi baza shtetërore dhe kapja e tërë Qeverisë, si në ekzekutiv, ashtu edhe në Gjyqësor dhe në fusha të tjera, populli iu dha përgjigje me votë, kur doli se PDK-ja ka pësuar debakël të rëndë dhe nga mbi 30 deputetë që i kishte, sigurisht ka rënë në numër shumë të vogël, madje simbolik, besohet në 17 a 18 deputetë. Kjo është një humbje e madhe, e cila duhet të pasojë jo vetëm me dorëheqje të Kadri Veselit, por edhe të tërë kryesisë, madje edhe të Këshillit të përgjithshëm të partisë, do të duhej të ishte si adresim i përgjegjë- sisë. Pra, dorëheqjet janë të domosdoshme”, tha Muhamet Kelmendi. Por, sipas tij, duke shikuar gjendjen dhe situatën, nuk po duket që ka moral, disiplinë dhe vetëdije politike e njerëzore që të jepen dorëheqje nga ana e atyre që e sollën gjendjen në parti deri në rrezik të shuarjes, por edhe e dëmtuan shtetin. Ë njëjta situatë, sipas tij, është edhe në LDK. “Po e njëjta gjendje është edhe të LDK-së. Kjo parti u tregua e ngathtë dhe aspak produktive. Gradualisht u larguan dhe u injoruan veprimtarët e kësaj partie. Turpi më i madh u bë duke u futur në koalicion me PDK në vitin 2014. Pastaj vazhdoi çështja me papunësi, me ikje jashtë vendit, me korrupsion dhe me Demarkacion e me Asociacion. Të tëra këto e dëmtuan LDK-në dhe natyrisht se pritet të japin dorëheqje shumë veta në LDK, duke prirë nga ana e të parit Isa Mustafës”, tha Muhamet Kelmendi.
Të adresohet përgjegjësia partiake
Edhe analisti Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, konstaton se tani nuk ka asnjë arsye që krerët e të dy partive politike tradicionalisht më të mëdha në vend, të cilët nuk arritën ta mbajnë si duhet timonin e partisë dhe morën ndëshkim të madh nga votuesit, do të duhet të jepnin llogari para elektoratit të tyre për dëmin që i kanë sjellë, ngase ringjallja pas këtij dështimi, gati vdekje klinike është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
“Zgjedhjet e 11 qershorit treguan që është humbës çdo lider i çdo partie, përveç ‘Vetëvendosjes’, dhe kjo në kushte normale demokratike duhet t’i vërë para përgjegjësisë partiake ku këshilli i partisë apo kushdo që me statut e udhëheq partinë, do të kërkonte llogari dhe ndëshkim për papërgjegjësi dhe paaftësi. Andaj, edhe zgjedhjet e fundit sikur partitë politike në Kosovë të ishin parti të qytetarëve të Kosovës, anëtarët dhe kryesia apo këshilli do t’i vinin para përgjegjësisë liderët partiakë, ose në të kundërtën këta do të duhej të jepnin dorëheqje vetë nga posti si satisfaksion dhe obligim moral partiak, shtetëror dhe demokratik”, u shpreh ai. “Por, partitë në Kosovë janë totalisht lideriste, klienteliste dhe jodemokratike që një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pra deri më tani Isa Mustafa, i cili si kryetar i LDK-së njeh vetëm humbje tani do të duhej të kishte dhënë dorëheqje, e me të edhe Kadri Veseli, i cili me një koalicion të madh nuk arriti ta ruajë as votën e partisë të trashëguar. E pozicionin e vet duhej ta rishikonin edhe liderët e partive të tjera, dhe kështu të lihej hapësire për shkapje dhe demokratizim të partive me një reformim të thellë, përndryshe tatëpjeta e tyre do të vazhdojë akoma”, theksoi Kuqi.