At Zef Pllumi një nga figurat e qëndresës nën diktaturë dhe mendimit të përparuar shqip, do të kujtohet me një sërë aktivitetesh në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Provinca Françeskane Shqiptare &Biblioteka Kombëtare kanë bashkërenduar një varg aktivitetesh përkujtimore, shkencore e promovuese, në nder të figurës së ndritur të njeriut që “Rrnojti për me tregue” dhe që gjatë gjithë jetës së vet dëshmoi e nuk rreshti së besuari te Zoti e te liria. “Unë tanë jeten e kam kalue në burg, por mendimtár i lír. Ta mendojmë vedin zogj të lirë e fluturojmë ku të duem…” – Kjo ishte dëshira, por edhe porosia e madhe e Át Zef Pllumit për popullin e vet, dashuria për të cilin e çoi në sakrifica të pashembullta. Veprimtaritë shtrihen gjatë dy javëve nga 16-30 shtator 2017, në Shkodër e në Tiranë.
Gjatë këtyre ditëve do të promovohet dhe veprat e plotë e At Zef Pllumit, nga “Botimet françeskane”. Ndër vëllimet e veprës botohen për herë të parë disa shkrime të panjohura të tij.Pjesë e aktiviteteve do të jetë dhe një ekspozitë me dorëshkrime dhe sende personale të Át Zef Pllumit. Do të ekspozohen gjithashtu materiale arkivore e muzeale të Át Gjergj Fishtës, të ruajtura me vetëdije e sakrifica të mëdha prej Át Zef Pllumit gjatë terrorit komunist. Ndër to spikasin: dorëshkrimi i tragjedisë “Juda Makabe”, “Lahuta e Malcis”, shkopi dhe maska mortore e Át Gjergj Fishtës. At Zef Pllumi pinjoll i një familjeje të njohur malësore nga Mali i Rencit në rrethin e Lezhës, ai qysh në moshën 5-vjeçare, në vitin 1929, u bë nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në Velipojë të Shkodrës.
Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi,kompozitorin At Martin Gjoka, At Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson gjuhë klasike e moderne. Nga mësuesi i tij At Marin Sirdani merrte edhe njohuri muzeologjie e numizmatike. Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Gjatë kohës që ishte dhjak, Padër Antoni e vuri të rendiste dhe ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty njihet me dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Në moshën 22-vjeçare, më 14 dhjetor 1946, arrestohet për herë të parë dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t'u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. Nga viti 1949 – 1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës.
Në vitin 1956 hugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për të çuar ndihma priftërinjve nëpër kampet e ndryshme, dhe, më tej, për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset më 14 shtator 1958 bashkë me At Augustin Ashikun. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. Gjatë kësaj periudhe njeh personalitete me ndikim si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi, etj. Del nga burgu me 11 prill 1989 dhe Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë deri në vitin 1997. Njeh Nënë Terezën, të cilën e shoqëron për në Shkodër, ku u zhvillua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”, e cila pas një ndërprerjeje disavjeçare rifilloi botimin në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për At Zefin.
Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Saga e fëmijnisë”. Një ndër nismat e tij me vlerë të jashtëzakonshme është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave. At Zef Pllumi ndëroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë të Italisë dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit", Presidenti Moisiu e vlerësoi At Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.
Po në vitin 2006 At Zef Pllumi merr çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Në vitin 2014 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dekoron At Zef Pllumin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Klerikut, martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit”. Në nder të tij një nga shkollat e qytetit të Tiranës mban emrin “At Zef Pllumi”.
15 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)