7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Asamblistja ‘mori mesazh’ që të mos flasë pas debatit për qeverisjen e Mytaher Haskukës

Asamblisjta e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Dafina Alishani sot ka pranuar një telefonatë pas pyetjeve dhe çështjes së ngritur në emisionit Jeta në Komunë, ku mysafir ishte kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.

Mbrëmë në përballje me Jeta Xharrën në serinë e debateve Jeta në Komunë, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të parealizuara deri më sot.

Pas debatit, sot asamblistja Dafina Alishani ka njoftuar se ka pranuar një telefonatë lidhur me çështjet e ngritura në debat, dhe ajo ka shkruar se personi në fjalë i është drejtuar me fjalët “mos shpif dhe mos fol më për këtë temë”.

Asamblistja Alishani tutje ka shkruar se është e drejtë e saj si asambliste të kërkojë llogari se çfarë po ndodh me pronën komunale.

“Derisa është interesi i qytetit dhe barazia e grave në shoqëri, mblidhuni të gjithë burrat e thirrmëni tanë ditën në telefon se nuk mundeni me më ndal në mendimin dhe aktivizmin tim”, ka shkruar ajo.

Asamblistja e Vetëvendosjes në Komunën e Prizrenit Dafina Alishani, gjatë debatit kishte ngritur për diskutim çështjen e pronave komunale, duke kërkuar llogari nga kryetari Haskuka se kush po i mbikqyrë shfrytëzimin e lokaleve që janë pronë e Komunës, për të shikuar se a po implementohen planet e biznesit me të cilat kritere janë marrë në shfrytëzim këto lokale.

Haskuka duke folur për rastin ka thënë se lidhur me këtë çështje është edhe një aktakuzë, dhe sipas tij aktakuza është lidhur me kriteret për gra dhe numrin e punëtorëve në këto lokale, dhe sipas Haskukës për çështje administrative të vlerësimit 5 zyrtarë kanë përfunduar me aktakuzë.

Asamblistja Alishani thotë se sot e ka telefonuar bashkëshorti i gruas e cila ka në shfrytëzim lokalin që është pronë e Kuvendit Komunal dhe është marrë në shfrytëzim.

Mytaher Haskuka pretendon se aktakuza është për një lokal ku një grua është pronare e biznesit, dhe ka fituar këtë lokal në zonën Shatërvan me një çmim më të ulët se një ofertues tjetër.

Mirëpo KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë çështje dhe ngritjen e aktakuzës ku janë të përfshirë 3 ish drejtorë të Haskukës.

Aktakuza e Prokurorisë nuk e konteston çështjen e  poentimit të biznesit nga ana e komisionit vlerësues.

Për lokalin në fjalë që ndodhet në zonën e Shatërvanit,  Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj 3 ish drejtorëve, një asamblisti dhe një anëtari të shoqërisë civile, të gjithë si pjesë e komisionit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.

Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi dhe Refik Shaqiri që të gjithë tashmë ish drejtorë janë pjesë e aktakuzës, si dhe asamblisjta Ganimete Babuna nga NISMA, dhe Arest Shporta.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F. B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doqi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doqi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Në aktakuzë sqarohet se pesë të akuzuarit si pjesë e Komisionit nuk e kanë përfilluar vendimin e shkallës së dytë, që i ka dhënë të drejtë ankesës së Albert Doqit, dhe nuk e kanë rivlerësuar ofertën, por vetëm kanë qëndruar pranë njoftimit të parë.

Më Shumë

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Vedat Muriqi luan sot kundër liderit të La Ligë

Real Madridi do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit dhe do ta kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në garën për titull...

Lajmet e Fundit