7 C
Prizren
E enjte, 13 Shkurt, 2025

Banorët e Rogovës së Hasit në hall me hajnat

Shumë të dhëna flasin se situata aktuale e sigurisë në komunën e Gjakovës, thuajse gjatë tërë këtij viti, në përfundim të së cilit gjendemi, ka qenë dukshëm më e mirë se një vit më parë. Këtë e thonë zyrtarët policorë, këtë e thonë të dhënat statistikore, por këtë e thonë edhe qytetarët, sado që këta të fundit mendojnë se kjo nuk mjaftojnë, prandaj kanë kërkesa konkrete se si të përmirësohet situata e sigurisë akoma më shumë. Zyrtarët policorë madje edhe vrasjen e trefishtë, që në muajin gusht pati ndodh në qytetin e Gjakovës, e konsiderojnë vetëm si prishje të statistikave, por jo edhe element që ka ndikuar në nivelin e sigurisë, pasi atë e trajtojnë si rast të vetmuar. Sipas të dhënave statistikore të zyrtarëve policorë, del se gjatë vitit 2016 në të gjitha kategoritë e veprave penale është shënuar rënie e ndjeshme krahasuar me të gjitha vitet paraprake që nga përfundimi i luftës e deri më tash

Sivjet mbi 17 për qind më pak raste se vjet

Këtë e thotë edhe Krist Gjokaj, komandant i stacionit të policisë në Gjakovë, i cili e ka bë një krahasim të të dhënave që nga viti 1999 e deri më sot. “Sipas këtyre të dhënave, duke shikuar numrin e rasteve të raportuara në polici, del se në vitin 2016 në komunën e Gjakovës ka mbretëruar një ambient relativisht i qetë dhe i sigurt. Thënë edhe më troç, ky ka qenë viti më i qetë që nga përfundimi i luftës. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të vetëkënaqemi, por kjo duhet të na stimulojë që të angazhohemi për përmirësime edhe në të ardhmen në mënyrë që gjakovarët të kenë një jetë sa më të qetë”, ka thënë Gjokaj, duke dhënë edhe krahasime konkrete të vitit të kaluar dhe të këtij viti, sipas së cilave sivjet ka pasur 17,3% më pak raste ekscesive të raportuara në polici se një vit më parë.”Vitin e kaluar, duke përfshirë veprat penale dhe incidentet, kemi iniciuar 1.546 raste, ndërsa në këtë vit në përfundim të së cilit jemi, në stacionin tonë policor janë iniciuar 1.349 raste prej të cilave 146 incidente”, ka thënë Krist Gjokaj. Këtë rënie të numrit të rasteve të veprave penale dhe të incidenteve, shumëkush në Gjakovë e lidh me efektet e themelimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë që është bë para dy vitesh e që ka mundësuar edhe rritjen e numrit te efektivit policor.

Në Rogovë, për më pak se dy muaj, mbi 20 plaçkitje shtëpish

Pavarësisht këtyre të dhënave statistikore, qytetarët mendojnë se mund të bëhet edhe më mirë, prandaj kërkojnë nga policia që të mos ndalen angazhimet që kjo të arrihet. Disa prej tyre kanë edhe vërejtje dhe propozime konkrete, në ç’drejtim duhet të angazhohet më shumë policia. Kështu, Mahmut Lila është i brengosur me mungesën e parkingjeve, me parkimin e veturave vend e pa vend, gjë që pengon qarkullimin e lirë të makinave dhe të këmbësorëve.”Dukuria e parkimeve të egra të makinave më e theksuar është në afërsi të kafeneve, prandaj policia në këtë drejtim duhet të jetë më aktive, kuptohet dhe përmes dënimeve, sepse ato e kanë efektin e vet”, ka thënë Lila.

Nga ana tjetër, Ilhami Shala, nga fshati Rogovë, përmend një brengë që e ka potencuar edhe më herët.”Rogova, si një fshat i madh, ka nevojë të ketë një stacion të policisë, gjë që e kemi kërkuar shumë herë, por gjithnjë na është thënë se mungon kuadri i mjaftueshëm. Mungesa e një stacioni të tillë, si duket po e stimulon dukurinë e thyerjes dhe plaçkitjes së shtëpive në fshatin tonë, në shumicën e rasteve të shtëpive të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në Perëndim. Kjo dukuri është intensifikuar veçanërisht pas datës 25 dhjetor, pasi që nga atëherë e deri më tash janë regjistruar më shumë se 20 raste të plaçkitjeve të tilla”, ka thënë Shala. Nga ana tjetër, Pjetër Ndou, pos që nga policia ka kërkuar që të intensifikoi kontrollimet nëpër shkolla, pasi, sipas tij, ka mjaft nxënës që bartin armë si dhe të jetë më rigoroze në kontrollimin e vozitësve jo vetëm për dokumentacionin personal, por edhe për bartjen ilegale të armëve, ka pasur edhe një kërkesë tjetër drejtuar zyrtarëve policorë. “Nga Drejtoria e policisë në Gjakovë kam pritur që të qartësojë akuzat që me aq shpesh janë dëgjuar gjatë fushatës së fundit zgjedhore e që kanë të bëjnë me haraçin, fajdetë dhe gllabërimin e pasurisë publike. Kam pritur që policia të ndriçon se kush janë ata kanë marrë haraç, kush ka përfituar nga fajdetë dhe kush ka gllabëruar pasurinë publike? Për fat të keq, deri më sot kjo nuk është bërë”, ka thënë Ndou. Këto kërkesa të parashtruara, përkundër sukseseve evidente të Policisë në Gjakovë, dëshmojnë më së miri sa shumë qytetarët kanë nevojë për qetësi dhe siguri.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Një 68-vjeçare vdes pasi goditet nga vetura në Prizren, arrestohet shoferi

Një 68-vjeçare ka vdekur pasi është goditur nga vetura paraditen e sotme në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ka njoftuar Policia e Kosovës. Për rastin...

Komuna e Dragashit publikon agjendën për shënimin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Komuna e Dragashit ka njoftuar se për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës do të organizohen aktivitete të ndryshme festive përgjatë...

Lajmet e Fundit