14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Ekipi i mosbesimit

Përbërja e ekipit kosovar në Washington është dëshmia më e mirë se si funksionon koalicioni qeverisës. Më tepër se një ekip serioz negociimi është ekip që karakterizohet nga mungesa e përvojës, kompetencës dhe, mbi të gjitha, mungesa e thellë e besimit. Një ekip mentaliteti arrogant e mujshar qeverisës.

Imer Mushkolaj

Nuk mjaftoi që në kryeqytetin amerikan të udhëtojë veç Avdullah Hoti me bashkëpunëtorë të ngushtë, por u desh që delegacioni të plotësohet edhe me emra të tjerë të koalicionit qeverisës. Jo pse ishte e nevojshme, por për shkak të mentalitetit arrogant qeverisës të instaluar tash sa kohë në Kosovë.

Hotit iu bashkuan edhe dy zëvendës të tij, madje njëri nga LDK’ja. Një praktikë e re kjo, që në një takim a vizitë të nivelit të lartë të kryeministrit, atij t’i bashkohen edhe zëvendësit e tij. Po ashtu, Hotit iu bashkuan edhe një ministër i LDK’së e dy të AAK’së. Plus koordinatori Skender Hyseni. Një përbërje që tregon mënyrën se si qeveriset në Kosovë, mënyrën se si është formuar qeveria e re, mënyrën se si rezonon në masën më të madhe politika kosovare.

Nëse flasim për përvojë negociuese a përfaqësuese të anëtarëve të delegacionit, për diçka të tillë as që mund të bëhet fjalë. Se çfarë përvoje ka secili nga anëtarët e delegacionit, tashmë është e ditur.

Ramush Haradinaj nuk i beson njeriut që e udhëheq qeverinë, në të cilën bën pjesë vetë, andaj ia jep me vete dy zyrtarë të partisë. As Fatmir Limaj nuk i beson, andaj ia bashkangjet zyrtaren zëvendëskryeministre. Duket se Hotit nuk i beson as vetë LDK’ja, teksa ia dërgon atje zëvendësin e tij. Pra, ekipi kosovar më tepër se një ekip serioz negociimi, është ekip që karakterizohet nga mungesa e përvojës, kompetencës dhe, mbi të gjitha, mungesa e thellë e besimit.

Kjo gjë u vërejt edhe para se ekipi të udhëtojë drejt SHBA’së, kur Haradinaj dërgoi paraprakisht në Washington dy ministrat e tij. Në përpjekje për të treguar mujshinë e vet, ai zgjodhi që në këtë mënyrë t’ia bëjë të ditur Hotit se nuk i beson dhe se i duhen njerëz të tij të besueshëm për të marrë vesh se çfarë po ndodh në proces.

* * *

Në një qeveri normale, në një koalicon qeverisës serioz, kryeministri do të duhej të ishte personi i vetëm që përfaqëson vendin në dialog. Natyrisht, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij dhe, eventualisht, ministra të linjës, varësisht nga ajo se cilat marrëveshje pritet të arrihen. Por, qeveria e udhëhequr nga Hoti nuk është një qeveri normale, që funksionon “me një kokë”, andaj ndodhin të tilla devijime serioze dhe të dëmshme.

Një ndër arsyetimet e atyre që e rrëzuan Qeverinë Kurti ishte se ai po rrezikonte dialogun dhe nuk po merrte përgjegjësi për vendime të mëdha. Nëse një ndër vendimet e mëdha është çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në Washingon, atëherë është pak e besueshme që kjo përbërje është e duhura për të marrë përsipër një barrë të tillë.

Avdullah Hoti, i rritur politikisht nën hijen e Isa Mustafës, nuk ka fuqi politike për të vendosur për çfarëdoqoftë, pa u konsultuar me ata që ia mundësuan pozitën e të parit të qeverisë. Nuk po flas këtu për çështje kurtoazie e korrektesë politike, por për situatë reale.

Pavarësisht se si u rrëzua e vjetra dhe u krijua qeveria e re, Hoti është zgjedhur kryeministër me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë aspekt ai është në rregull dhe i takon të përfaqësojë vendin në dialog. Por, është çështje shumë serioze se çfarë fuqie politike ka ai dhe koalicioni qeverisës që udhëheq, se çfarë mund të bëjë ai në një proces të nisur e gatuar nga krejt tjetërkush, se si do të jetë ai garant i çfarëdo marrëveshjeje, kur opozita jo se jo, por nuk i besojnë as partnerët e koalicionit. Një situatë delikate, që s’garanton qëndrueshmëri qeverisëse, aq më pak fuqi për të çuar përpara procese të rëndësishme.

* * *

Natyrisht, në gjithë këtë mesele rolin e vet të rëndësishëm e ka edhe opozita. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë këtë qasje në dialog, përderisa PDK mbështet dialogun, por nuk pranon të ketë pjesëmarrës në ekip. PDK, zyrtarë të së cilës dikur i kritikonin për mungesë të qasjes shtetformuese partitë që ishin kundër dialogut siç donte ajo, është vendosur tashmë vetë në një pozitë të tillë.

Është pak e besueshme se kështu do të vepronte po që se në krye të procesit do të ishte presidenti Hashim Thaçi, ose po të ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Nuk duhet harruar se trashëgimia e deritashme e dialogimit me Serbinë në masë të madhe i takon pikërisht PDK’së, që nga viti 2011 e tutje. Andaj më tepër se parimore, abstenimi i PDK’së është qasje inatçore. Se si do t’i përkthehet kjo fiskulturë në vota, mbetet të shihet./Gazeta Express/

Më Shumë

Policia shqipton mbi dy mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2084 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Zweig pas vdekjes së Moisiut: Ai që na e solli këtë art të shenjtë, qoftë i bekuar

Nga: Stefan Zweig (fjalë lamtumire shkruar pas vdekjes së Aleksandër Moisiut më 22 mars 1935) Përktheu: Albert Vataj Kush pati fatin e lumtur ta njihte nga...

Lajmet e Fundit