6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

“Zogu më 6 prill 1939: Nuk e braktis Shqipërinë”

zogu ahmetDitët e fundme të Shqipërisë mbretëri e ditët e para të pushtimit italian vijnë të rrëfyera nga ministri amerikan i kohës në Tiranë, Hugh Grant. Ilir Ikonomi ka gjetur dy dokumente në Arkivin Kombëtar Amerikan, që hedhin dritë mbi qëndrimin e mbretit dhe të shteteve europiane për pushtimin. Në një farë mënyre hedhin dritë mbi qëndrimet të pushtuarve, pushtuesve dhe atyre që asokohe bënë sehir. Zogu në 6 prill 1939, një ditë para pushtimit, i shprehej Grantit se nuk e lë Shqipërinë siç bëri me vendin e tij Presidenti çekosllovak; një ditë më vonë, mbreti mori udhët. Ilir Ikonomi rrëfen detajet e librit të tij të ri.

“PUSHTIMI. Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” është titulli i librit tuaj më të ri. Si lindi ideja për këtë libër, çfarë ju ngacmoi?

Në vitin 2010, kur bëja kërkime në Arkivin Kombëtar Amerikan në afërsi të Uashingtonit, më befasuan dy dokumente që përshkruanin me hollësi pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939. Ishin diçka më shumë se 120 faqe të daktilografuara, me të cilat ministri i SHBA-ve në Tiranë (në atë kohë marrëdhëniet e Shqipërisë ishin në rang ministrash fuqiplotë), i raportonte Sekretarit të Shtetit, Cordell Hull, se si u pushtua Shqipëria dhe se si veproi Italia për t’ua imponuar shqiptarëve regjimin e ri. Më bëri përshtypje menjëherë se me sa kujdes i kishte ndjekur ngjarjet ministri amerikan dhe pasi lexova disa faqe, mendova se raportet e tij, përveç informacionit të ri që sillnin, kishin një natyrë të paanshme dhe të sinqertë. Më lindi ideja se ato duheshin botuar. Meqenëse raportet e Grantit flasin vetëm për periudhën e pushtimit, vendosa të shkruaj një ese të gjatë për periudhën që i parapriu pushtimit dhe ta përfshij atë në libër bashkë me raportet e ministrit amerikan. Ideja ishte se kështu do të kishim një rrëfim të plotë dhe koherent, që do t’ia lehtësonte punën çdo lexuesi të interesuar për të ditur jo vetëm se si, por edhe përse Italia e pushtoi Shqipërinë. Prilli i këtij viti shënon 75-vjetorin e pushtimit dhe mendova se koha për ta botuar librin ishte tani.

Ju thoni se ministri Grant sjell informacion të ri, i cili mund të shihet si i paanshëm. Cila është risia e tij?

Risia është se për herë të parë lexuesit shqiptar i jepet një tablo e pushtimit të Shqipërisë nga këndvështrimi i një diplomati amerikan. Për pushtimin kanë shkruar edhe të tjerë. Ministri italian i asaj kohe, Francesco Jacomoni, për shembull, i kushton kësaj teme një pjesë të mirë të kujtimeve që ka botuar shumë vite më parë, por meqenëse ai vetë ishte pjesë e komplotit të pushtimit, rrëfimi i tij duhet marrë me rezervë të madhe. Përkundrazi, diplomati amerikan Hugh Grant ishte një vëzhgues i jashtëm që përfaqësonte një fuqi jo shumë të interesuar në çështjet politike të Ballkanit. Ky vëzhgues nuk kishte ndonjë interes t’i zbukuronte ose t’i dramatizonte ngjarjet, prandaj raportet e tij mund të konsiderohen si objektive dhe të paanshme. Një tjetër risi është se raportet e Grantit janë hartuar, ndërkohë që ngjarjet ishin në zhvillim e sipër, ato nuk janë kujtime të shkruara në një epokë tjetër. Kjo bën që ato të na sjellin fare pranë burimit, pra kanë një vlerë dokumentare të paçmueshme.

Çfarë thonë raportet e ministrit Grant për qëndrimin e Zogut në prag të pushtimit?

Granti ishte diplomati i fundit në Shqipëri që u takua me mbretin Zog para se ky të largohej nga Shqipëria. Takimi u bë më 6 prill pak pas mesditës, në një çast mjaft dramatik për mbretin, kur ai ishte nën trysninë e italianëve, të cilët kërkonin ta kthenin Shqipërinë në protektorat. Me fjalë të tjera, ata i kërkonin mbretit t’u dorëzonte çelësat e vendit. Mes të tjerash, Granti e pyeti Zogun nëse Shqipëria do t’i rezistonte zbarkimit të trupave italiane. Mbreti u përgjigj se do të bënte qëndresë, por kjo do të ishte simbolike. Saktësisht ai u shpreh: “Qëndresa jonë do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim përpara botës se shqiptarët mund të vdesin me trimëri dhe me nder”. Mbreti i deklaroi ministrit amerikan se sikur të kishte pasur vetëm tridhjetë avionë, gjysmën do ta kisha dërguar për të bombarduar Romën dhe gjysmën për të mbrojtur Shqipërinë. Dhe së fundi i tha se nuk do ta braktiste vendin, siç bëri Presidenti i Çekosllovakisë përballë gjermanëve. Granti, si diplomat skrupuloz që ishte, e ka mbajtur shënim me hollësi bisedën, e cila na jep një përfytyrim më të saktë të gjendjes së mbretit Zog në prag të pushtimit. Kësaj i duhet shtuar edhe gjendja e rëndë emocionale e mbretit, sepse ai sapo ishte bërë baba dhe gruaja e tij e re kishte pasur një lindje të vështirë. Është interesant të përmendet këtu konstatimi i Grantit se Zogu nuk kishte marrë ndonjë inkurajim për të rezistuar as nga Britania e as nga Franca, pa folur për vendet fqinje, Jugosllavinë dhe Greqinë. Shqipëria ishte praktikisht e vetmuar përballë forcës italiane. Këtë na thotë ministri amerikan për bisedën e fundit që pati me Zogun.

Si e analizon ministri Grant politikën e Zogut ndaj italianëve në vite?

Ministri Grant ka pasur shumë takime me Zogun dhe nga këto biseda ka nxjerrë disa përfundime interesante. Ai thotë, për shembull, se Zogu përpiqej të nxirrte sa më shumë përfitime nga fqinjët, sidomos nga Italia, por ishte paksa naiv në çështjen e nënshtrimit ekonomik të vendit. Natyrisht, Zogu donte me çdo kusht para që të mund të realizonte modernizimin e vendit dhe njëkohësisht të ruante pushtetin e të mbante familjen e tij të madhe. Ky ishte një rreth vicioz, – shkruan Granti, – dhe Zogu ishte një kumarxhi i guximshëm, që i njihte mirë kartat e veta. Në takimet me Grantin, Zogu gjithnjë parashikonte mundësinë e një lufte botërore dhe ndoshta shpresa e tij ishte që dita e likuidimit të mos vinte kurrë, si pasojë e një lufte, ku Italia të përfundonte në kampin e të mundurve. Natyrisht, lufta vërtet filloi dhe Italia vërtet u mund në atë luftë, por ishte tepër vonë, sepse Musolini e hoqi Zogun nga skena para se kjo të ndodhte.
Çfarë thotë ministri amerikan për Shqipërinë në muajt prill-korrik 1939, kohë kur u mbyll legata amerikane, si pasojë e aneksimit të Shqipërisë nga Italia?

Granti përshkruan përpjekjet që bënin italianët për të mos u dukur si pushtues në sytë e shqiptarëve. Në të gjithë rrëfimin e tij, ndihet një farë ironie e brendshme për lojërat që luanin italianët, për shembull, duke u premtuar shqiptarëve se pavarësia e vendit nuk do të prekej. Të gjitha këto farsa, duke filluar nga dorëzimi i kurorës së Shqipërisë Mbretit të Italisë, ngritja e Asamblesë Kushtetuese, e deri te hartimi i Kushtetutës shqiptare nga specialistët italianë në Romë, Granti i quan një lojë me kukulla. Në muajin maj, Italia suprimoi marrëdhëniet me jashtë të Shqipërisë, duke ia kaluar këto kompetenca Ministrisë së Jashtme në Romë. Kjo nënkuptonte se në Shqipëri nuk do të kishte më legata të huaja. Pas kësaj, Sekretari amerikan i Shtetit e udhëzoi ministrin Grant ta mbyllte legatën amerikane në Tiranë. Ministri amerikan përshkruan hidhërimin që shkaktoi te shqiptarët mbyllja e legatës, e cila kishte bërë shumë miq e dashamirës. Legata amerikane ishte një kompleks i madh dhe i bukur në ‘Rrugën e Elbasanit’, aty ku sot ndodhet ambasada e SHBA-ve. Ajo kishte përfunduar në vitin 1930 dhe me sa kam lexuar në gazetat amerikane të kohës, ishte legata e parë që Amerika ndërtonte ndonjëherë jashtë vendit. Deri në atë kohë, diplomatët amerikanë në vendet e ndryshme jetonin në ndërtesa të marra me qira, pasi politika e jashtme e SHBA-ve nuk kishte atë rëndësi që do të merrte më vonë.

Në fund të raporteve të tij, Granti shkruan: “Ndoshta një ditë këto shënime mund t’i hyjnë në punë sadopak ndonjë studiuesi të kërrusur, që gërmon në historinë e ngritjes dhe rënies së një mbretërie”. Çfarë ka dashur të thotë ai me këtë?

Ministri Grant mendonte se ndoshta askush në Departamentin amerikan të Shtetit nuk do t’i lexonte raportet e tij të hollësishme për pushtimin e Shqipërisë, sepse departamenti kishte punë më të ngutshme: Hitleri po përparonte me shpejtësi në Evropë dhe lufta ishte në prag. Amerika vërtet nuk përzihej, por i shikonte me shqetësim të madh ato që po ndodhnin. Shqipëria nuk kishte ndonjë rëndësi në skemën e madhe të gjërave, prandaj ministri mendonte se këto raporte do të shërbenin më tepër për arkivin. Ai besonte se një ditë, ato do të mund t’u hynin në punë studiuesve, atyre që do të gërmonin në historinë e ngritjes dhe rënies së mbretërisë shqiptare, siç shprehet ai. Kur i ndesha këto dokumente në arkivin amerikan para katër vjetësh, provova një emocion dhe një ndjesi respekti. Si studiues, mua më ka bërë përshtypje kjo largpamësi e Grantit dhe kjo rëndësi që ai u vinte arkivave. Tani që raportet e tij botohen në formë libri, ato më duken si një dhuratë që ministri Grant ka dashur t’u bëjë miqve të tij, shqiptarëve, një dhuratë që ata do ta merrnin 75 vjet më vonë.
Cili është mesazhi i këtij libri?

Mendoj se, si raportet e Grantit, ashtu edhe pjesa e shkruar prej meje, e ndihmojnë lexuesin të krijojë një ide më të qartë për këtë periudhë të historisë shqiptare. Është në stilin tim që lexuesve t’ua paraqes historinë në formën e fakteve të qarta, të verifikueshme dhe të balancuara, në mënyrë që ata vetë të nxjerrin përfundime. Unë përpiqem të mos ndërhyj në opinionin që ata do të formojnë nga leximi i fakteve. Pra, është krejtësisht në dorën e lexuesve nëse dëshirojnë të largohen me ndonjë mesazh pasi ta kenë mbyllur këtë libër.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më Shumë

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Vdes një grua në Rahovec, u rrëzua nga një lartësi 1.5 metra

Një grua nga Rahoveci është dërguar pa shenja jete dje në emergjencë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërkohë sipas familjarëve viktima është...

Lajmet e Fundit