11.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Ministri Mustafa zotohet të marrë masa kundër të dyshuarve për abuzim me miliona euro

Ka reflektuar ministri i ri i Bujqësisë, Besian Mustafa, në ditën kur “Koha Ditore” ka raportuar se ai është duke u mbështetur në njerëz që dyshohet se kanë abuzuar me miliona euro të buxhetit të Kosovës. Ka thënë të ketë kërkuar menjëherë konfirmimin nëse kundër zyrtarëve të Ministrisë ka ndonjë aktakuzë.

“Sot, në ditën time të pestë të punës, lidhur me rastin e raportuar në medie rreth një numri të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndaj të cilëve raportohet se është ngritur aktakuzë, menjëherë kam kërkuar nga Prokuroria e Shtetit informacion për të konfirmuar zyrtarisht nëse zyrtarëve në fjalë u është ngritur aktakuzë”, ka sqaruar ministri Mustafa në faqen e tij në Facebook. “Njëkohësisht i kam kërkuar Departamentit Ligjor të Ministrisë që kjo çështje të trajtohet me urgjencë, me përpikëri dhe në pajtueshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gazeta ka raportuar në numrin e së martës se ministri nuk i ka suspenduar Kapllan Halimin dhe Ekrem Gjokajn, dy nga autoritetet kryesore të dikasterit qeveritar të cilin e udhëheq prej një jave, ani se kundër tyre, një muaj më parë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Krahas aktakuzës, brengën për abuzime të tjera të Halimit, që është sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe të Gjokajt, që është kryeshef i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, e kanë shprehur edhe Bashkimi Evropian dhe Agjencia Kundër Korrupsionit në dy letra, kopje të të cilave i ka siguruar “Koha Ditore”. Zyra e BE-së në Kosovë ka kërcënuar se shkaku i të dyve mund ta pezullojë asistencën për bujqësi. Ndërkaq Antikorrupsioni ka kërkuar masa ndaj Gjokajt, për të cilin ka gjetur se gjatë orarit të rregullt ka punuar jashtëligjshëm edhe në dy institucione arsimore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Më Shumë

Lajmet e Fundit