13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Kosova në prag të vendimit për zgjedhje, por a do të bëhet zgjidhja!

Nue Oroshi

 

Zgjedhjet dhe zgjidhja e problemit qeverisës që nënkupton ndryshimin e mentalitetit qeverisës që është tash e gati njëzet vjet në Kosovë janë dy bota dhe një mur i madh që i ndan. A mendojnë këta liderë politikë në Kosovë se duhet të zëvendësohen ndonjëherë apo u është ngulitur thellë mentaliteti komunist se në momentin që marrin një post politik duhet të mbesin deri në vdekje aty

Përçarjet brenda koalicionit qeverisës PAN si duket dalëngadalë po vijnë në kulmin e tyre. Lufta e brendshme brenda Qeverisë së Kosovës në mesin e koalicionit qeverisës e ka arritur pikën kulmore të vlimit. Nga dita në ditë dalin në pah përçarjet politike brenda partive që po e qeverisin Kosovën.

Marrja me vetveten e partive politike në Kosovë është duke i kushtuar shumë shtrenjtë qytetarit të Kosovës. Shpeshherë e kam thënë edhe në shkrimet e mëparshme dhe po e përsërisë edhe tani se në Kosovë duhet të ndërrohet mentaliteti qeverisës. Fatkeqësisht se tash e shumë vite vetëm ndërrohen emrat e kryeministrave dhe ministrave, por mbetet i njëjti mentalitet qeverisës.

Dalja e një projekti të ri politik

Zgjedhjet mund të mbahen në mes të shtatorit dhe nëntorit të këtij viti, por mbetet një dilemë hamletiane se a do të kemi zgjidhje?! E për të pasur zgjidhje pas zgjedhjeve atëherë 80% e këtyre politikaneve në Kosovë nuk duhet të jenë as deputetë e as kryeministra dhe ministra. Me një fjalë nuk duhet bërë riciklimi i politikaneve të vjetër, përveç atyre që vërtet e kanë ruajtur vetveten dhe nuk janë korruptuar dhe kriminalizuar.

E sa do të jenë në gjendje partitë politike që të reformohen për një kohë kaq të shpejtë kjo është e pamundur në këto rrethana politike kur të tillët janë në krye të partive politike dhe kanë funksione paralele shtetërore, qoftë atë në qeverisje, qoftë të tjerët në opozitë. Dalja e një projekti të ri politik dhe shpërndarja me të shpejtë në këto rrethana kur janë të bllokuara dhe të kapura mjetet e informimit, ku partitë politike janë në gjendje të shpërndajnë miliona euro në fushata të shtrenjta elektorale dhe që ky projekt politik për disa muaj të arrijë të dalë si forcë reale politike është vërtetë e pamundur.

Edhe sistemi zgjedhor në Kosovë është shumë i mbrapshtë. Ky sistem zgjedhor i jep mundësi liderit politik që përmes listës të zgjedhë të preferuarit e tyre, kurse në anën tjetër e fut në një mjegull edhe votuesin. Më mirë do të ishte se nëse është e mundur në aspektin kohor që të bëhet ndryshimi i sistemit zgjedhor, ku Parlamenti i Kosovës nga 120 deputetë sa ka Kosova të krijohen 60 zona elektorale, ku 60 deputetë të zgjidhen drejtpërdrejt, kurse 60 të tjerë përmes listave në proporcion me përqindjen që marrin partitë politike në zgjedhje, duke i shtuar edhe faktin e heqjes së 20 vendeve të partive minoritare.

Partitë politike po merren me vetveten

Zgjedhja e drejtpërdrejtë dhe nëpër zona elektorale do ta forcojë përgjegjësinë e deputetit të zonës për faktin se është dalë nga një zonë e caktuar dhe e ka obligim që të mbrojë interesat e zonës prej nga është votuar. Minoriteve duhet t’u bëhet vetëm një lehtësim politik. Atyre duhet t’u hiqet pragu zgjedhor prej 5% që në proporcion me përqindjen e popullsisë që kanë në Kosovë duhet të jenë përafërsisht 5 apo 6 deputetë të minoriteteve në Parlamentin e Kosovës.

Edhe Diaspora e Kosovës duhet të ketë përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Kosovës. Shkuarja në zgjedhje pa një ligj të ri zgjedhor dhe pa një ligj të ri që ua ndalon rikandidimin e zgjedhjen të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me korrupsionin, kriminalitetin dhe fitimin e pasurisë në mënyrë jashtëligjore, nuk sjellë asgjë tjetër përveç ndërrimin e emrave dhe mbiemrave të kryeministrit dhe ministrave. E derisa partitë politike po merren me vetveten, në një rreth vicioz që nuk ka të ndalur tash e njëzet vjet me radhë, Kosova fatkeqësisht është duke u zbrazur nga dita në ditë.

 

Kjo është një fatkeqësi kombëtare, që askush nuk e ka pritur. Të gjithë presim që në Kosovë të ndryshohet skena politike. Por, a do të mundet që ky ndryshim të vjen vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve dhe a do të sjellin këto zgjedhje një zgjidhje është një pikëpyetje shumë e madhe. Prandaj, zgjedhjet dhe zgjidhja e problemit qeverisës që nënkupton ndryshimin e mentalitetit qeverisës, që është tash e gati njëzet vjet në Kosovë, janë dy bota dhe një mur i madh që i ndan. A mendojnë këta liderë politikë në Kosovë se duhet të zëvendësohen ndonjëherë apo u është ngulitur thellë mentaliteti komunist se në momentin që marrin një post politik duhet të mbeten deri në vdekje aty.

Më Shumë

Mira Murati, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave

Shqiptarja Mira Murati, një nga emrat më të njohur në botën e teknologjisë, do të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e...

Diplomon gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës

Sot në sallën ‘1 Tetori‘ në Prishtinë diplomoi gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës, në përbërje të komuniteteve të ndryshme. Këtë ceremoni solemne, me...

Lajmet e Fundit