13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Zafir Berisha kujton takimin e Ukshin Hotit në Billushë

Ish-deputeti i Kosovës, Zafir Berisha, ka kujtuar një takim që veprimtari i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, kishte mbajtur në vendlindjen e tij, Billushë.

“Ukshin Hoti ishte njëra nga figurat intelektuale të kohës i cili ishte frymëzim për popullatën e veçanërisht i rinisë me idetë përparimtare dhe kombëtare”, kujton Berisha.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Berisha kujton një takim që Ukshin Hoti, ka mbajtur në vitin 1991 në fshatin Billushë .

“Në shtator të vitit 1991 në fshatin Billushë (Kushtrim) edhe pse ishim shumë të rinj me ndihmën e intelektualëve dhe aktivistëve të fshatit patëm organizuar në xhamin e fshatit, tryezën:”Kosova dje-sot dhe nesër” në të cilën mori pjesë edhe profesori dhe filozofi Ukshin Hoti”.

“Xhamia e fshatit ishte shumë e vogël për me i pranuar brenda të gjithë të interesuarit që kishin ardhur nga shumë vende të Kosovës për të dëgjuar ligjëratën dhe mendimin politik për situatën në të cilën gjendej Kosova nga Ukshin Hotit”.

“Asnjëherë deri në atë ditë shtatori, por edhe pas saj, deri në ditët e sotme nuk është mbajtur ndonjë tubim aq i madh sa që fshati ka pasur probleme me i sistemuar makinat e tyre ne hapësirat e fshatit”.

“Ukshin Hoti do ta kujton ketë tryezë edhe në librin e tij “Filozofia e çështjes shqiptare” si dhe me një prononcim një vitë pas, ku do të shprehet”

“Ndodhemi atje, ku pata thënë edhe në tryezën e organizuar në Billushë (në shtator të vitit 1991). Atëherë sa më kujtohet, u shfaq mendimi i tillë që të formohet Qeveria, të formohet policia, ushtria, mbrojtja territoriale, të legalizohet lëvizja…”, citon Berisha, fjalët e Hotit.

“Ukshin Hoti mbetet ideologu i luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit