Home Blog Page 1323

21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë – njëri i plagosur me plumb qorr

0
Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

 

Dy prej janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve, raporton KosovaPress.

Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftamologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.

Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.

Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.

Liberalizimi i vizave, Rama: Gëzuar Kosovë

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Kosovën për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave.

Rama, në një postim në Facebook, ka theksuar se ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian.

“Ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian. Gëzuar Kosovë, gëzuar, shëndet e gjithçka ju do zemra shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.

 

Liberalizimi i vizave, Kurti: Po hiqet një padrejtësie madhe

0

(E plotësuare) Kryeministri Albin Kurti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.

Kryeministri Kurti tha se ky mëngjes nuk ka pasur si të nis më mbarë, se sa me zgjerimin dhe të drejtën e mundësive për qytetarët tanë.

“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende.  Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti

Ky është grupi i parë i qytetarëve që udhëtojnë pa viza për fituesit e kuizit të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër fushatës informuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave.

Kosova i bashkohet të gjitha vendeve që udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian. Nga sot qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza, duke shmangur kështu pritjet e gjata para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.

 

Në ditën e parë pa viza, Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti do të qëndrojnë në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, për t’i përshëndetur qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza. Së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kurti do të do të mbajnë konferencë për media.

Urimi i presidentes Osmani për Vitin e Ri 2024

0

Në prag të ndërrimit të moteve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për vitin e Ri, derisa viti që po mbetet pas, sipas saj, ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave. Një falënderim i veçantë, sipas Osmanit, shkon për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të viteve kujdesen për shëndetin dhe sigurinë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.

Në vijim ndjekim të plotë urimin e presidentes Vjosa Osmani.

Të dashur qytetarë,

Në këtë ndërrim motesh, me optimizëm e shpresëplot ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta secilit prej jush!

Ky vit që po lëmë pas ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave. Viti i ri që po vjen është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm!

Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë.

Urojmë që ky vit i ri t’i sjell të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë. Sonte, një falënderim të veçantë për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të viteve kujdesen për shëndetin dhe sigurinë tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.

Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat.

Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë!

Shumë urime për vitin 2024!  

Gëzuar!

 

Kurti, qytetarëve të komuniteteve joshumicë: Punësimi është zotim dhe prioritet

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një adresim fundvitit, drejtuar qytetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Ai është shprehur se krahas investimeve në arsim për të gjithë fëmijët dhe nxënësit, sipas tij, janë krijuar mundësi veçanërisht për komunitetet joshumicë.

“Krahas investimeve në arsim për të gjithë fëmijët dhe nxënësit, kemi krijuar mundësi veçanërisht për komunitetet jo shumicë. Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që tradicionalisht kanë qenë të nënpërfaqësuara në shkollat e mesme dhe arsimin e lartë, ne kemi ofruar bursa nga të cilat kanë përfituar 498 nxënës të shkollave të mesme, së bashku me 55 studentë në fakultetet publike. Me shumë prej tyre jam takuar këtë muaj për të dëgjuar nga ata për arritjet dhe ëndrrat e tyre”.

Vritet atleti i njohur, Benjamin Kiplagat

0

Benjamin Kiplagat, që ka prezantuar Ugandën në tri edicione të Lojërave Olimpike, është gjetur i vdekur në Kenia.

Mediat lokale kanë njoftuar se ai është therur me thikë.

Atleti 34-vjeçar, arriti në gjysmëfinale në Londra 2012 në vrapimin 3000 metra me pengesa.

Sipas BBC-së, ai u gjet në një veturë me plagë të shkaktuara nga thika në gjoks dhe në qafë, në Eldoret, një vend o njohur për stërvitjen e vrapuesve.

Kur Ramiz Alia u “konvertua” në demokrat: Me zjarr mësova vargjet e Fishtës!

0

Nga: Frano Kulli

Në të vërtetë, unë nuk e kisha pasur ditë, ose ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasur porositë me e botue veprën e Fishtës.

Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist – i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës Demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës: … veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit “Migjeni”.

Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës, Ramiz Alia. Dhe, ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve. E, kronika vijon: Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur – tha shoku Ramiz. Ai ishte një artist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit. Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij. Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai. Është gabuar që nuk është botuar deri tani. Këtu kronika mbyllet … Për të mos u hapur më.

I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë. Asnjë president shqiptar më pas nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002, njëri prej tyre, z. Alfred Moisiu, i ka dekretuar titullin “Nderi i Kombit” Fishtës … (62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyllur me nder si askush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër Kulture i 33 vjetëve të pasregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër Arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmend ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo. (Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e respekt.) Gjithçka më pas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti.

Sipërmarrja e parë dhe më serioze zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve Shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provincialit të Françeskanëve në Shkodër, At Anton Harapi.

Letra fillon me: I dashuni shok. Sikurse kemi nda në mbledhjen e përgjithshme mbajtun me 21 shtatuer k.v. (të këtij viti), në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ia nisim veprimit për botim të “Opera Omnia” (vepra e plotë) të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe anëtar i Institutit tonë. Në korrespondencën e mëpasshme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: Të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue përfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet sipas planit që ka lanë vetë auktori: I. Sociologji; II. Polemikë; III. Ligjirata; IV. Miscellanea (të përziera). Në mbarim do të shtohet epistolari …

Krejt çfarë duhet të dini para udhëtimit pa viza (video)

0

Qytetarët e Kosovës, nga 1 janari i vitit 2024, do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Ky regjim, megjithatë, bart disa rregulla që duhet të ndiqen – në të kundërtën pason gjoba ose ndalesa e hyrjes, raporton rel.

 

Policia me plan operativ për festën e Vitit të Ri 

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përgatitur një plan operativ për festën e Vitit të Ri, ku parashihet edhe shtimi i forcave policore në teren.

Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se në kuadër të urdhrit operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” është paraparë angazhim shtesë i Policisë së Kosovës, shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.

“Ndërmarrja e masave preventive policore për të siguruar që festat e fundvitit të kalojnë pa ndonjë incident, do të përfshijë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i dukurive negative që shkaktojnë jo stabilitet në vend në çfarëdo mase sa rrezikon rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, ku ngritja e prezencës policore do të bëhet në gjithë Republikën e Kosovës, përfshirë edhe zonat sensitive posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier”, ka njoftuar policia.

Policia e Kosovës në kuadër të këtij plani, po ashtu ka paraparë edhe shtim të vigjilencës dhe prezencës policore në rrugë, kontrolle të rrjedhës në trafik rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe incidenteve të mundshme në trafik.

Policia po ashtu u ka bërë thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm dhe vigjilentë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët.

Mbi 287 mijë pasaporta u lëshuan për një vit

0
Pasaporta e Republikës së Kosovës që nga një janari i 2024-s do të ketë vlerë më të madhe, pasi qytetarët do të kenë mundësinë e udhëtimit edhe në zonën Schengen.

E ky lajm i shumë pritur për kosovarët ka bërë që ata të pajisen me të madhe me pasaporta.

Në të dhënat zyrtare të cilat i ka siguruar lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se mbi mbi 200 mijë qytetarë në vitin 2023 u pajisen me pasaporta.

Edhe pse procesi i pajisjes me pasaporta gjatë vitit u përcoll me probleme e me mungesë të materialit, interesimi i qytetarëve për këtë dokument udhëtimi ishte i artë.

Në përgjigjen e MPB-së thuhet se 287 mijë e 965 qytetarë në vitin që e lam pas e morën pasaportën e Kosovës.

Sipas Indeksit “Henley Passport”, e cila është një uebfaqe e specializuar e pasaportave, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza me pasaportën e vendit të tyre në 14 shtete të tjera të botës.

Në Evropë, qytetarët e Kosovës deri më tani deri më tani mund të udhëtonin vetëm drejt shteteve fqinje të saj: Maqedonisë Veriore, Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Po ashtu qytetarët mund të udhëtonin pa viza edhe në Turqi.

Por pas liberalizimit të vizave padyshim se pasaporta e Kovës do të fuqizohet dhe qytetarët do të kenë mundësinë të udhëtojnë vetëm me pasaportë edhe në zonën Schengen.

Sipas të dhënave të fundit, Singapori është në krye të listës dhe qytetarët e këtij vendi mund të udhëtojnë pa viza në 192 nga 227 vende. Gjermania, Italia dhe Spanja ndajnë vendin e dytë.

Pas tyre janë Austria, Finlanda, Franca, Japonia, Luksemburgu, Koreja Jugore dhe Suedia në vendin e tretë. Në të katërtin janë Danimarka, Irlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kurse top-pesëshen e përmbyllin këto vende: Belgjika, Republika Çeke, Malta, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia dhe Zvicra. ShBA-ja renditet e 8-ta.