Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takohet me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme.
Takimet do të zhvillohen në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Osmani pritet të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, teksa në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ndër tjera, Osmani përveç këtyre takimeve, do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA, teksa do t’i zhvilloj dhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitin në SHBA.
Siç njofton Presidenca, përveç Osmanit, i ftuar është edhe bashkëshorti i saj.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në njoftim.
Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Bllash të Shqipërisë, ku 60-vjeçari Petrit Jaupaj në gjendje në rënduar emocionale i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fotoksinë pranë varrit të bashkëshortes së tij.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, 60 vjeçari i cili ishte mësuesi lëndës së Bio-Kimisë në shkollën 9-vjeçare “5 Shkurti” të Ballshit, nuk mund ta përballonte humbjen e gruas.
Rreth një vit e gjysmë më parë bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Trupi i 60-vjeçarit është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Fier, për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, teksa ngjarja ka tronditur familjen, nxënësit dhe të afërmit e tij.
Çmimet e derivateve të naftës u rriten për afro 10 centë në ditët e fundit. Më së keqi këtë situatë përballen bujqit, të cilët madje mendojnë që me fillimin e lëvrimit të tokave po rriten çmimet e naftës. Por, në Shoqatën e Naftëtarëve thonë se ka lëvizje të çmimeve në bursë.
Bujqit kanë filluar sezonin e lëvrimit të tokës. Ata po ankohen se vazhdimisht gjatë kësaj periudhe po i përcjell ngritja e çmimeve të derivateve.
Fermeri Valon Vehapi, thotë se çdo vit këtë periudhë po e përcjell e njëjta situatë, derisa theksoi se kostoja e shpenzimeve, si shkak i kësaj, po bëhet e lartë.
“Prej 20 gushtit deri më 20 nëntor çmimet e naftës na ngritin gjithmonë…ka qenë para pak kohe 1.42 cent litra e naftës e sot veç ish 1.53 mbi 10 cent është ngritje“, deklaroi ai.
Vehapi tregon se shpenzimet e makinerisë janë të mëdha.
Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës kërkojnë që t’u ndihmohet bujqve.
“Kjo lëvizja po ndodhë shpeshherë, ngritja dhe ulja me një masë të caktuare me 2-3 cent , 4-5 cent, por ta kenë parasysh edhe naftëtarët se edhe ata i shfrytëzojnë këto prodhime bujqësore, dhe e kanë bukën prej kësaj toke. Çdokush duhet me u angazhu në maksimum t’i ndihmojmë prodhuesve të bukës”, deklaroi Tahiri Tahiri nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë me furnizim të derivateve të bujqve duhet të gjejë zgjidhje Ministria e Bujqësisë përmes granteve.
“Te ne nafta kushton 1.49 deri 1.55 euro e benzina 1.48 deri 1.52 euro; Në Shqipëri nafta kushton 1.93 euro e benzina 1.91 euro; Në Serbi çmimi i naftës është 1.69 euro, benzina 1.76 euro; Në Mal të Zi, nafta është 1.59 euro, benzina 1.63 euro; Në Maqedoni të Veriut një litër naftë është 1.35 euro kurse benzina 1.42 euro”, tha Berjani.
Berjani e pranon se çmimi i derivateve të naftës për standardin e Kosovës është i lartë, por kur bën një krahasim me rajonin, thotë se derivatet e naftës më të lira janë vetëm në Maqedoni të Veriut.
Sot janë bërë 198 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës, shkruan KultPlus.
Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.
Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.
Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.
Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:
«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»
Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.
Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./KultPlus.com
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për ballafaqimin me Rumaninë pasi ndeshja u ndërpre për gati një orë pasi lojtarët kosovarë u larguan nga fusha në minutën e 19-të, kur tifozët rumunë filluan të thërrisnin “Serbi, Serbi” dhe u shfaq një pankartë “Kosova është Serbi”.
“Njerëzit po harrojnë që ne jemi njerëz dhe një ditë do të vdesim të gjithë. Pse të mos jetojmë të gjithë në paqe. Futbolli është diçka që na bashkon, na bën të kënaqemi, duhet të përzihet politika në futboll. Janë 20 mijë njerëzit këtu sot. Ata duan t’i shijojnë golat”, deklaroi Muriqi pasi shënoi golin e fitores për skuadrën e tij Mallorca në Spanjë e cili e mposhti Celta Vigon 1 me 0 të shtunën.
Megjithatë, shtoi se “nuk mund t’i ndalosh njerëzit apo të ua mbyllësh gojën, ata mund të thonë çfarë të duan”.
Sulmuesi kosovar nuk e ka fshehur gëzimin për golin e parë në kampionat, si dhe për fitoren e parë të skuadrës së tij.
“Jam shumë i lumtur sepse është fitorja jonë dhe gjithashtu goli im i parë pasi humba dy penallti. Shtimi i tre pikëve ishte gjëja më e rëndësishme. Një sulmues nuk mund të kërkojë më shumë, të shënojë dhe të fitojë”, theksoi ai.
Ndryshe, UEFA njoftoi hapjen e një procedure disiplinore për incidentin në ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024 kundër Federatës së Futbollit të Rumanisë pas ndërprerjes së ndeshjes me Kosovën.
Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre për rreth një orë javën e kaluar, pasi tifozët vendas bënë thirrje dhe e shpalosën një baner “Kosova është Serbi”.
Kosova ka pësuar humbje në udhëtim te Rumania me rezultat 2-0.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.Albanian Post
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare njofton se së bashku me Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren (ITP) kanë filluar të intensifikojnë përpjekjet në tërheqjen e bizneseve gjermane në vendin tonë.
Sipas njoftimit, kjo nismë do të lehtësojë promovimin e eksportit për kompanitë vendore përmes ofrimit të shërbimeve të ndërsjella.
“Shërbimi Soft-Landing, që synon të tërheqë bizneset gjermane në ITP dhe të lehtësojë integrimin e tyre dhe Shërbimi Go-Global, i cili mundëson eksportimin e bizneseve anëtare të ITP në Gjermani”, thuhet në njoftim.
Më tej, u bë e ditur që bashkëpunimi ndërmjet OEGJK dhe ITP do të marrë në konsideratë aktivitetet e përbashkëta promovuese për hulumtimin, komercializimin dhe ndërmarrësinë, pjesëmarrjen në programe dhe projekte vendore e ndërkombëtare në inovacion, teknologji, ndërmarrësi, hulumtim dhe zhvillim, shkëmbimin e njohurive, ekspertizën, mentorimin dhe trajnimet profesionale të stafit dhe ndarjes së praktikave të mira.
Reklamë
RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Fillimi i nëntorit do të shënojë përvjetorin e tretë të arrestimit të katër prej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kur kjo kohë po afrohet, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit i është vazhduar sërish paraburgimi nga Gjykata Speciale. Nacionale sjell detaje.
Më rreziku i ikjes për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, nuk ekziston. Këtë e ka konstatuar edhe trupi gjykues. Por, pavarësisht se Prokurorisë i është rrëzuar ky argument, paraburgimi si masë po vazhdon të mbetet në fuqi.
Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit së fundmi i është vazhduar sërish masa e paraburgimit. Kjo është bërë e ditur me një vendim nga Gjykata Speciale të cilin e ka parë gazeta Nacionale.
Në mesin e arsyeve që trupi gjykues e ka vlerësuar si vendimtare për t’ua vazhduar paraburgimin Krasniqit e Selimit ka qenë rreziku për dëmtimin e provave, ndikimit në dëshmitarë dhe fuqia e tyre politike në Kosovë. Kjo duke e mbështetur me faktin se ata janë njohur me 40 dëshmitarët e parë në këtë proces.
“Paneli tashmë ka përcaktuar dhe rithekson se: (i) pozitat e mëparshme dhe të tashme të ndikimit të z. Selimi në Kosovë, përfshirë si Ministër i Punëve të Brendshme dhe zgjedhjen në Kuvendin e Kosovës, do t’i mundësonin atij të ndikojë dhe mobilizojë rrjetin e tij mbështetës;23 (ii) ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së;24 dhe (iii) procedurat vazhdojnë të përparojnë dhe z. Selimi vazhdon të kuptojë provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij”, thuhet në këtë vendim, raporton Nacionale.
“Siç u përmend më herët, për shkak të natyrës së një gjyqi në vazhdim, emrat dhe të dhënat personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm i janë bërë dhe do të vazhdojnë t’i zbulohen Mbrojtjes së Selimit, dhe për këtë arsye do të bëhen të njohura për një gamë më të gjerë personash, duke përfshirë i akuzuari. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacionet sensitive që kanë të bëjnë me dëshmitarët bëhen të njohura për anëtarët e publikut përpara se dëshmitarët në fjalë të japin dëshmi. Në këtë kontekst, lirimi i një të Akuzuari me informacione të ndjeshme në posedim të tij nuk do të ndihmonte për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve që duhet të dëshmojnë ende”, bëhet e ditur më tutje.
Trupi gjykues në një pjesë të vendimit, duket të jetë i vetëdijshëm për kohën e gjatë që Selimi e Krasniqi kanë kaluar në paraburgim. Andaj, kanë theksuar se do të kërkojnë që gjykimi të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Megjithatë, Paneli thekson se z. Selimi tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore, dhe gjykimi në këtë rast ka gjasa të jetë i gjatë. Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli, si dhe të gjitha palët, të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të kësaj procedure nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim.
E trupi gjykues ia ka rrëzuar një argument Prokurorisë. Atë që ndërlidhet me rrezikun e ikjes për të dyshuarit, që sipas gjyqtaërve nuk qëndron.
“Paneli ka shqyrtuar argumentet e Prokurorisë, në dritën e fazës aktuale të procedurës, dhe nuk konsideron se vazhdimi i gjykimit përbën një faktor të ri relevant, ose se ka ndonjë faktor tjetër të ri relevant për t’u marrë parasysh. Prandaj, Paneli rikonfirmon konstatimin e tij të mëparshëm se Prokuroriaka dështuar të vërtetojë pretendimin e saj për një “mundësi mjaftueshëm reale” që i akuzuari të arratiset nëse lirohet”, thuhet në vendim.
Deri më tash në gjykimin e krerëve të UÇK-së janë dëgjuar 25 dëshmitarë.
Një aeroplan me turistë është rrëzuar në Barcelos të Brazilit, duke lënë të vdekur 14 persona.
Kryetari i bashkisë së qytetit konfirmoi aksidentin për CNN Brasil.
Aeroplani mbante 12 turistë, pilotin dhe bashkëpilotin.
Mbrojtja Civile e Brazilit, tha se nuk ka të mbijetuar. “Udhëtarët po shkonin në lokacion për të praktikuar peshkim rekreativ dhe përplasja ndodhi për shkak të motit të lig. Binte shi i madh në momentin e uljes”
Për disa shenja, një lidhje mund të zgjasë përgjithmonë.
Ato ëndërrojnë të kalojnë pjesën tjetër të jetës së tyre me partnerin e zemrës në të mirë dhe në të keqe. Dhe pavarësisht nga të metat e tyre, të cilat manifestohen në bashkëjetesën e përditshme, në planin afatgjatë ata mund të dëshmohen si shoqëruesit më të devotshëm. Nëse jeni me ta, urime, mund të keni gjetur gjysmën tjetër.
Akrepi: Pavarësisht famës së tyre për xhelozi dhe hakmarrje, nëse ka një partner që kërkon një marrëdhënie të qëndrueshme, ai është Akrepi. Nëse ai ju do, do t’ju dojë për gjithë jetën, tani nëse do t’ju jetë plotësisht besnik apo nëse do ta njollosë jetën tuaj të përditshme me aventura “jashtëmartesore”, kjo është një histori tjetër.
Gaforrja: Qoftë në të mirë apo në të keqe, kur një Gaforre gjen personin e duhur, është i gatshëm të kalojë gjithë jetën me të. Dallimi i tij nga Akrepi? Monogamia është në thelb të kësaj shenjë, ajo nuk do të luftojë çdo ditë me tundimin për të qenë jo besnik. Megjithatë, për të shmangur tensionet në marrëdhënien tuaj, nga ana tjetër, mund të bëheni tema e preferuar e bisedës me miqtë e tij.
Luani: Mbron partnerin dhe miqtë e tij me të njëjtin entuziazëm siç mbron veten. Në fakt, ai e konsideron gjysmën tjetër, një zgjatim të vetvetes dhe nuk e duron dot idenë që t’u ndodhë diçka e keqe njerëzve që do. Nëse jeni në një lidhje me një Luan, mund të mbështeteni tek ai.