17.9 C
Prizren
E shtunë, 18 Prill, 2026
Home Blog Page 1480

Shqiptarja konkuron në “The Voice Australia”, Rita Ora i flet shqip: Zemër si je? (video)

0

Vijojnë sukseset e shqiptarëve nëpër botë. Sihana Haxhnikaj është shqiptarja nga Kosova që performoi këtë herë në audicionin e ‘The Voice Australia’.

16-vjeçarja garoi me këngën ‘Nothing Breaks Like a Heart’ të Miley Cyrus. Ajo tërhoqi vëmendjen e të gjithë publikut, i cili e duartrokiti pafund. Mirëpo, kur bëhet fjalë për jurinë, ajo që e shtypi butonin kalues ishte pikërisht këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora.

Madje, në momentin që Rita mësohen se Sihana ishte me origjinë nga Kosova, reagon në mënyrë epike. Ajo e përshëndeti në gjuhën shqipe, duke i thënë: “Zemër si je?”. Më pas u shpreh shumë e lumtur që Sihana ishte pjesë e grupit të saj tashmë.

Mazreku: Në muajin korrik erdhën 188 mijë vetura të mërgimtarëve

0

Përderisa flusku i mërgimtarëve vazhdon të jetë i madh në Kosovë, pandemia ka ndikuar që numri i ardhjeve nga diaspora në vendlindje të rritet.

Lajmin e ka bërë me dije për “RTK”-në drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku. Përgjatë bisedës në studio ai ka konfirmuar se shifrat e hyrjeve duke u bazuar në vetura, vetëm gjatë muajit korrik, ka një rritje të dukshme.

“Korrikun nëse ne e kemi pritur që vijnë rreth 100 mijë vetura, kësaj radhe kanë ardhur 188 mijë. Nëse i marrim targat vendore që janë 490 mijë në Kosovë, edhe rreth 250 mijë që iu shtohet këta dy muaj e gjysmë normalisht është numër i madh dhe s’është trafiku i njëjtë sikur viteve të kaluara”, ka thënë drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Rashica në Stamboll: Jam i lumtur që jam këtu

0

Milot Rashica është futbollisti më i ri i skuadrës së Beshiktashit. Ylli i “dardanëve” është pritur si hero dhe me brohoritje nga disa tifozë të klubit bardhezi.

“Jam mjaft i lumtur. Jam mjaft i ngazëlluar që jam këtu”, ka thënë Rashica.

Mediet turke kanë raportuar se Beshiktashi do t’i paguajë 5 milionë euro për kartonin e futbollistit vushtrrias. Ish-anëtari i Norwich City pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me klubin turk, deri në qershor 2027, ndërsa pritet të paguhet 2 milionë euro në vit.

Finalja e UEFA Super Cup, City sfidon Sevilla

0

Sot në mbrëmje do të luhet një finale tepër e bukur, ajo mes fituesit të Champions League dhe atij të Europa League për sezonin e fundit që lam pas. Finalja e UEFA Super Cup do të startojë në orën 21:00 të ditës së mërkurë, datë 16 gusht, dhe kënaqësinë për ta pritur këtë sfidë do ta ketë stadiumi grek “Karaiskakis”.

Në letër, sigurisht që favoritë shihen anglezëte Pep Guardiolës, por Sevilla nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë nëpër finale të tilla.

City fitoi finalen e Champions League me rezultatin minimal 1-0 ndaj Interit, ndërsa Sevilla fitoi Europa League në një finale përballë Romës me anë të goditjeve të penalltive.

Guardiola do të bëjë sot pa De Bruyne, mesfushori belg i cili do të mungojë për një periudhë të gjatë.

Formacionet e mundshme:

Man City: Ortega; Walker, Akanji, Gvardiol, Aké; Rodri, Kova?i?; Foden, Álvarez, Grealish; Haaland

Sevilla: Bounou; Jesús Navas, Badé, Gudelj, Acuña; Jordán, Rakiti?; Ocampos, Suso, Óliver Torres; En-Nesyri

Madonna sot feston 65 vjetorin e lindjes

0

Madonna këngëtarja ikonë e muzikës Pop, sot feston ditëlindjen e 65-të.

Këngëtarja legjendare sot ka ditëlindjen dhe kësisoj nuk ka se si mos ta kujtojmë ikonën e popit botëror dhe këngëtaren rebele e cila ka ditur gjithmonë të provokojë publikun botëror.

Ajo ka lindur më 16 Gusht 1958 në Bay City, Michigan), është një këngëtare, kantautore dhe aktore amerikane.

Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën.

Ajo është artistja e cila ka fituar më së shumti nga një turne botëror, në vitin 1990 kur realizoi 1.31 miliardë dollarë. Dashuritë me Sean Penn dhe me Guy Ritchie i kanë ndihmuar famës së saj, por ajo gjithmonë edhe e vetme është absolutisht mbretëresha e muzikës pop.

KFOR-i njofton se do të ketë rritje të lëvizjes së trupave dhe automjeteve brenda Kosovës

0

KFOR-i ka njoftuar se ditëve në vijim do të ketë rritje të lëvizjes së trupave dhe automjeteve të saja brenda territorit të Kosovës.

KFOR ka thënë se arsye për këtë janë procedurat normale të pranim-dorëzimit të kontingjenteve, e po ashtu se do të ketë stërvitje.

“Në ditët në vijim do të ketë rritje të lëvizjeve të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës, për shkak të procedurave normale të pranim-dorëzimit të kontingjenteve. Po ashtu do të bëhen ushtrime për të testuar dhe ruajtur aftësitë operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i përgatitjes dhe gatishmërisë për të gjitha njësitë në terren”, është bërë e ditur nga KFOR-i.

Po ashtu KFOR-i ka thënë se mund të ketë ngarkesë në komunikacion dhe u ka bërë shoferëve thirrje që të kenë kujdes nëse janë afër autokolonave ushtarake.

“Derisa këto stërvitje do të mbahen në atë mënyrë që të minimizohet shqetësimi dhe ndikimi te popullata lokale, është e mundur që të ketë ngarkesa të trafikut dhe të vërehen lëvizjet e ushtarëve. Për këtë, KFOR-i këshillon gjithë shoferët që të kenë veçanërisht vëmendje nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake”, thuhet nga KFOR-i.

Si e organizoi vetëvrasjen Bekim Fehmiu dhe arsyeja përse e bëri?

0

Nga Ilir Muharremi

Aktori Bekim Fehmiu si duket sot para nëntë vjetëve e kishte ndarë mendjen ta vriste veten. Pasi gruaja e tij Branka në orën 14:00 kishte shkuar t’i rregullonte flokët, si zakonisht Bekimi e ka përcjellë te dera duke e puthur. Pas një ore ajo u kthye sërish në banesë duke thënë “Beko shih çfarë frizure kam”, asaj askush nuk i ktheu përgjigje, mbretëronte heshtje në banesë. Ajo vrap shkoi në dhomën e ditës as aty nuk ndodhej Bekimi.

U afrua te dhoma e fjetjes as aty nuk e gjente. Thërriste nëpër banesë, Bekimi nuk kthente përgjigje. Pasi kishte hyrë në dhomën e tij të punës e sheh në krevat të mbuluar me çarçaf të bardhë derisa në kokë kishte një peshqir. Ajo prapë i tha: “Beko pse nuk po flet, shihe çfarë frizure kam”? Bekimi nuk kthente përgjigje. Ju afrua ja hoqi peshqirin dhe aty e kishte parë se Bekimi ka bërë vetëvrasje.

“Nga tëmthi ku kishte shti me pistoletë i kish rrjedh mjaft gjak, kurse pistoletën e kishte shtanguar në dorë, e në tavolinën e vogël pranë kompjuterit pash dy letra të vogla lamtumirëse për mua me fëmijët  dhe për vëllëzërit në Prishtinë”, vazhdon Branka, shkruan në monografinë kushtuar Bekim Fehmiut nga autori Fahri Musliu.

Si duket Bekimi e kishte përgatitur perfekt vdekjen e tij dhe kjo në ditët e kaluara nuk ishte vërejtur nga Branka. Si duket ai person i cili parapërgatitet për vetëvrasjen gërryhet në heshtje nga krimbi e ky krimb ndodhet në shpirt. Mjafton veç të ja prishesh ose ndonjë fjali e rëndë, ai është në gjendje të vetëvritet. Ai e bën atë çfarë ja imponon ekzistenca e tij.

E kohën e fundit pak para se të vriste veten Branka rrëfen se ishte shumë i nevrikosur pasi që kishte fituar goditje në tru. Si duket Bekimi nuk mund ta duronte asnjë plogështi, asnjë sëmundje, donte të ishte i shëndoshë.  Vetëvrasjen e kishte përgatitur shumë bukur ngaqë në krevat kishte shtruar çarçafin e bardhë dhe me një tjetër ishte i mbuluar, ndërsa në fytyrë e kishte vënë peshqirin me qëllim që mos të befasohet familja e tij, donte që vdekja të ishte e bukur e bardh sikurse peshqiri i bardhë.

Më intereson të di se kur filluan krizat e Bekimit? Ato te i vetëvrari fillojnë gjithmonë nga diçka e pakontrollueshme e ku ndodhet fajtori kryesor? A kishte Bekimi ndonjë sëmundje të pashërueshme ose brenga intime? Këto mendoj janë shumë të vlefshme.  Ndoshta është shumë vështirë ta gjejmë atë çastin e saktë dhe vetëm mund të konkludojmë se arsyeja e ka zgjedhur vdekjen.

Ose ta mendojmë se Bekimi e tha në heshtje jeta nuk ja vlen të jetohet këto më duken si fjalë të zakonshme. Normal se të jetosh kurrë nuk është e lehtë dhe më kujtohet si sot kur e takova Bekim Fehmiun në kino ABC. Isha gazetar atë kohë. Bekimi më pyeti se çfarë studioj? I thash: “aktrimin”. “Dhe punon gazetar?”, vazhdoi ai.

“Duhet të fitosh me profesionin tënd atë që e do më së shumti dhe një aktor i cili nuk është fizikisht mirë, nuk mund të ecën ose të vrapon, ai  ka marr fund”, këto ishin fjalët e Bekimit. Këtë atë kohë nuk e mendova aq thellë, por kjo tregonte shumë në ekzistencën  e tij, në zakonin e tij dhe mendoj se këto mendime e veprime ishin që e shtytin drejt një rruge të pakthim, dëshira për një shëndet absolut sikurse te grekët “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.

Ai vdiq me dashje dhe kjo parakuptoj që ka zbuluar mungesën e çdo arsye të thellë për të vazhduar më tutje ose kotësinë e vuajtjes. Sido që të jetë motivi i arsyeshëm ndodhej në shpirtin e tij dhe ashtu lundron çdo ditë me hirin në Lumbardhin e Prizrenit.

Qeveria e Kosovës u tregua injorante me Bekim Fehmiun

Derisa Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë secancat e tyre të 16 dhe 17 qershorit  i nisen me një minutë heshtje në nderim të figurës së Bekim Fehmiut, Qeveria e Kosovës në krye me Jakup Krasniqin patën refuzuar të mbanin një minutë heshtje për vdekjen e aktorit të përmasave të mëdha. Një arsyetim që patën nxjerrë në atë kohë, ishte se propozimet e tilla duhet të kalojnë nëpër procedura.

Më mirë të mos kërkohej një minutë heshtje nga njerëzit të cilët kanë shkollim minimal sa i përket artit dhe janë të cunguar në lexime ose shkrime. Derisa ata pikturat i blejnë mbas ngjyrës së mobiljeve ose librat mbas ngjyrës së rafteve ose perdeve dhe i matin librat me metër sikur për t’i blerë drutë për dimër. Emri i Bekimit gjithmonë do të jetë i huaj për ta. E ata që mendojnë se nuk është kombëtar gabohen.

Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare ai u përpoq t’ishte një aktor shqiptar ta luante rolin e Skendërbeut, por kjo iu besua një aktori rus. Ai u përpoq të bëhej një aktor kosovar, të luante Hamletin në Prishtinë, por skena e Teatrit Krahinor të Kosovës u tregua e vockël për të. Ai e dinte se shoqëria shqiptare dhe serbe ishte largë botës Amerikane.

P.S.: I shkruar më 2019

MSh-ja: Shtohen rastet me meningjit, lusim qytetarët për vigjilencë të shtuar

0

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme, bazuar në raportin e IKSHPK, kërkon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.

Bazuar në raportin e ShSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.

Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijet dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

Simptomat

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.

Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.
Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.

Meningjiti trajtohet vetëm në spital.

Një poezi

0

Poezi e shkruar nga Charles Bukowski (1920-1994)

Një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…

‘Dua të shkruaj një faqe të re historie’ – Neymar prezantohet zyrtarisht tek Al-Hilal

0

Sulmuesi brazilian, Neymar, i është bashkuar skuadrës së Ligës Pro Saudite, Al-Hilal nga kampioni francez Paris St-Germain.

Marrëveshja për ish-lojtarin e Barcelonës, 31 vjeç, mendohet të jetë me vlerë rreth 90 milionë euro plus shtesa.

“Kam arritur shumë në Evropë dhe kam shijuar kohë të veçanta, por gjithmonë kam dashur të jem një lojtar global dhe të testoj veten me sfida dhe mundësi të reja në vende të reja”, tha ai gjatë prezantimit.

Neymar nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit të PSG-së, Luis Enrique për sezonin e ri.

Sulmuesi, i cili iu bashkua PSG-së për një tarifë rekord botëror prej 200 milionë paundë në 2017, u la jashtë skuadrës së tyre për barazimin e së shtunës në Ligue 1 kundër Lorient.

Largimi i tij gjithashtu i përshtatet strategjisë së PSG-së për t’u larguar nga epoka e ‘Galacticos’ të nënshkrimit të lojtarëve të profilit të lartë për tarifa të mëdha dhe paga të konsiderueshme, me Lionel Messin gjithashtu që u largua nga klubi këtë verë.

“Dua të shkruaj një histori të re sportive dhe Liga Pro Saudite ka energji të jashtëzakonshme dhe lojtarë cilësorë për momentin”, shtoi Neymar.

“Kam dëgjuar shumë dhe kam mësuar se po ndjek një listë të gjatë të lojtarëve brazilianë që kanë luajtur në Arabinë Saudite ndër vite, kështu që besoj se është vendi i dëshiruar”.

Sulmuesi mendohej se po fitonte të ardhura vjetore në rajonin prej 25 milionë euro në klubin francez.

Ai thuhet se do të paguhet 150 milionë euro në vit në Arabinë Saudite – gjashtëfishi i shumës që fitoi në PSG – pasi ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

Kryetari i Al Hilal, Fahad bin Saad, e quajti Neymar “një ikonë globale” dhe “një forcë sulmuese e pandalshme” në mirëseardhjen e tij në klub.

Braziliani bëri 173 paraqitje për PSG-në, duke e ndihmuar klubin të fitojë 13 trofe, përfshirë pesë tituj të Ligue 1, si dhe të arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve 2020.

“Është gjithmonë e vështirë t’i thuash lamtumirë një lojtari të mrekullueshëm si Neymar, një nga lojtarët më të mirë në botë, tha Nasser Al-Khelaifi, presidenti dhe shefi ekzekutiv i PSG-së.

“Nuk do ta harroj kurrë ditën kur ai mbërriti në Paris St-Germain dhe çfarë ka kontribuar për klubin tonë dhe projektin tonë gjatë gjashtë viteve të fundit”.Albanian Post