26.6 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025
Home Blog Page 202

Qytetarët e Prizrenit ‘’të zhgënjyer’’ me rezultatin zgjedhor

0

Qyteti i Prizrenit ka pasur më së shumti qendra të votimit në Kosovë.

E për zgjedhjet që u mbajtën më 9 shkurt  kanë votuar  rreth 38% e qytetarëve të kësaj komune.

Kliko linkun:Facebook

Por si e shohin të gjithë procesin zgjedhor dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve banorët e këtushëm?

“Çdo sen ka vajt qysh duhet, në rrugën më të mirë, si zakonisht. Po definitivisht atë e kemi prit por ka qenë në pyetje përqindja sa ka me dalë edhe rezultati për mu ka dalë ajo që është prit”, ka deklaruar një banor.

Por për disa të tjerë, rezultati ishte zhgënjyes.

“Kemi prit një numër më të madh për Lëvizjen Vetëvendosje. Zhgënjimi më i madh është se populli nuk ka dalë në votim aq sa është dashtë me dalë. Por prap se prap jemi të kënaqur edhe me këtë rezultat”.

“Na nuk kemi të kënaqur. Partisë Vetëvendosje na nuk jemi të kënaqur. Na kemi pasë qejf me marrë 80-90%, që këta me i lënë kërkund hiç”.

Ndërsa besimi në kryeministrin Kurti për ta nuk mungon.

“Kemi ardhë ekstra prej Suedie masi i kemi hupë atje terminet, s’kemi mujt me votu atje, kemi ardhë këtu edhe e kemi votu Albinin edhe shumë jam krenar me Albinin. Nuk pres por e di që ka me bo ma shumë, sigurt jam”, ka deklaruar banori tjetër.

Por disa qytetarë kanë tjera mendime.

“Ka premtime shumë por nuk realizon kurgjë ai me premtimet e veta. E qekjo është një dobësi e tij. E kjo ka me i kushtu shumë, Kosovës ka me i kushtu. Ai ka punu vetëm për partinë e vet, e jo për kombin e vet, për popullin e vet”.

Madje një qytetar i Kosovës nga i cili kishte ardhur nga Cyrihu për të votuar, ka një propozim për qeverinë e re.

“Ma e mira është me bo koalicione se kërkund shtete demokratike nuk është një parti që e udhëheqë shtetin. E me pasë koalicione bashkë është ma mirë”.

Në Prizren kanë qenë plot 77 qendra të votimit.

Ndërsa nga 182,939 votues të regjistruar, të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 70 mijë qytetarë.

Partia e cila doli e para me vota në këtë komunë është Lëvizja Vetëvendosje./Tëv?1

 

Mëngjesi i ftohtë, gjatë ditës riga shiu dhe vende-vende reshje bore

0

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

IHK njofton se vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe reshje bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5°C deri -3°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 3°C deri në 6°C.

Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i jugperëndimit.

Kliko linkun:Facebook

Këngëtari që performoi natën kritke në “Kobra City”: Jemi futur në tualet dhe nga paniku kemi qëndruar aty

0

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Tafil Kurtishi, i cili natën kritike të 3 janarit 2023, si këngëtar ishte ftuar të këndojë në “Kobra City”. Ai tha se nga tollovia që kishte ndodhur atë natë, ishin futur në tualet me shoqëri dhe kanë qëndruar aty nga paniku deri erdhi policia.

“Ishte një situatë e paqartë dhe nuk isha i përqëndruar tek ngjarja sepse isha duke bisedu me muzikantin për disa çështje të muzikës. Pastaj, nga tollovia e sipër jemi futur në tualet me shoqërinë, e kemi mbyll derën nga paniku dhe kemi qëndru aty”, tha Kurtishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kliko linkun:Facebook

Në këtë rast, Dibran Hoxha i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Dëshmitari Kurtishi tha se kanë qëndruar në tualet rreth një orë e 30 minuta ose dy orë, dhe kanë dalë kur kanë ardhë Policia.

Ai tha se ishin të mbyllur kur dëgjuan krismat e armës, ndërsa shtoi se kur kanë dalë nga tualeti, lokali ka qenë i dëmtuar jashtë mase shumë.

Dëshmitari Kurtishi ka deklaruar se përveç pronarit- tani të akuzuarit Hoxha, nuk e ka njohur stafin tjetër të lokalit.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se atë natë kanë qenë edhe disa mysafirë nga Shqipëria, por se nuk e di se ku kanë qenë të ulur, por vendi ku ka ndodh incidenti ka qenë afër derës tek hyrja e lokalit.

Kurtishi ka thënë se i akuzuari Hoxha ka pasur një sjellje korrekte, ka qenë i qasshëm me punëtorët dhe mysafirët, si dhe i përgjegjshëm, por që nuk është ekspozuar shumë.

Dëshmitari Kurtishi deklaroi se i akuzuari Hoxha i ka paguar dhe iu ka thënë që të dalin në punë ditën e nesërme. Por, tha se të nesermën e ka parë rastin në lajme dhe se ka qenë e logjikshme se nuk punohet atë natë.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmia e dëshmitares E.K (ish-e dashura e tani të akuzuarit Hoxha), e cila tha se në natën kritike i akuzuari Hoxha e ka kontaktuar rreth orës 4:00 të mëngjesit dhe i ka kërkuar që të takohen në Prizren.

Ajo tha se kur ka arritur tek lokali, kanë qenë dy makina të Policisë dhe i akuzuari Hoxha ka qenë duke biseduar me Policinë.

“Më tha asgjë s’ka ndodhur, thjesht ka pasur një sherr asgjë interesant. Më prit në makinë”, ka thënë dëshmitarja, duke treguar se çfarë kishte ndodhur në lokal.

Gjithashtu, ajo tha se stafin e lokalit nuk i ka parë, por edhe nëse do t’i kishte parë, nuk do t’i kishte njohur.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Liria forcohet në krahun e djathtë me mbrojtësin Bright Umeh

0

FC Liria ka njoftuar përforcimin më të ri të skuadrës, Bright Umeh, mbrojtës i krahut të djathtë që vjen nga Greenlock FC.

Umeh është gati të japë maksimumin për ekipin dhe do të jetë një aset i rëndësishëm për ekipin në rrugëtimin drejt sukseseve të reja.

“Me shpejtësinë, forcën dhe përkushtimin e tij, ai do të jetë një aset i rëndësishëm për ekipin tonë në rrugëtimin drejt sukseseve të reja”, thuhet në njoftimin e klubit./PrizrenPress.com/

Partizani kërkon kreun, Bashkimi synon dominimin në Ligën Unike

0

Nesër, në Tiranë, zhvillohet një nga përballjet më të rëndësishme të Ligës Unike për femra, ku Partizani sfidon kryesueset e Bashkimit.

Aktualisht, Bashkimi kryeson renditjen me 13 pikë, pas shtatë fitoreve dhe një humbjeje, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e dytë me 10 pikë, duke regjistruar katër fitore dhe dy humbje. Kjo ndeshje është vendimtare për ecurinë e kampionatit, pasi një fitore e Partizanit do ta afronte ndjeshëm me kreun, ndërsa Bashkimi synon të ruajë dominimin në garë, raporton PrizrenPress.

Në ndeshjen e fundit, Partizani shënoi një fitore të rëndësishme ndaj Junior 06 Moni Bau me rezultatin 70:83, ku Sarah Mgbeike u dallua me 15 pikë, nëntë kërcime dhe tetë asistime.

Nga ana tjetër, Bashkimi vazhdoi formën e shkëlqyer, duke mposhtur Flamurtarin në Vlorë me rezultatin 55:65. Adrienne Godbold ishte lojtare kyçe për skuadrën prizrenase, duke kontribuar me 22 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime./PrizrenPress.com/

Kryeprokurori i Prizrenit flet për rastin e ministrit Damka dhe ndalimin 48 orësh

0

Kryeziu ka theksuar se rasti dyshohet se ka ndodhur të dielën me 9 shkurt.

“Në ditën e zgjedhjeve kemi pasur një rast ku rreth orës 18:30 janë paraqitur dy ankues, në cilësinë e viktimave, një grua dhe një burrë, duke pretenduar se janë viktima të një sulmi dhe të një kanosjeje për jetë”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij pas kësaj informate bashkë me hetuesit policorë janë ndërmarrë veprime në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar prova personale dhe materiale.

“Kësisoj kemi ardhur në përfundimin që në këtë rast kemi tre persona të dyshuar, ku edhe kemi vendosur që dy prej tyre të ndalohen me vendim të Prokurorit të Shtetit për 48 orë, për shkak të dy veprave penale sulm dhe kanosje serioze për jetë”, është shprehur Kryeziu.

Sipas tij viktimat në këtë rast kanë deklaruar se janë të rrezikuar ata dhe familjarët e tyre.

“Në bazë të provave materiale që i kemi siguruar në vendin e ngjarjes rezulton se kanë qenë të involvuar disa persona. Madje kjo ka ndodhur në prezencën e së paku 20 personave dhe është dashur të marrim veprime të shumta dhe kemi ardhur në përfundimin që dy persona për të cilët është pretenduar se janë të dyshuar ka prova, dhe për këtë arsye kemi lëshuar vendim për ndalim 48 orësh”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka sqaruar se rasti nuk ka të bëj me procesin zgjedhor, ndonëse mund të ketë motive politike-partiake, meqë personat e përfshirë në këtë rast edhe më parë kanë pas ngatërresa mes veti./Telegrafi/

 

Qeveria e ardhshme, qeveri e opozitës – deklarohet Bedri Hamza

0

Shumica shqiptare i ktheu shpinën Vetëvendosjes…nuk ka koalicion me Vetëvendosjen…opozita si fituese mund ta bëjë qeverinë e ardhshme..

Kështu tha përmbledhtazi Bedri Hamza, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, në konferencën e parë për media ku doli vetë pas konkludimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Hamza foli për qeveri të opozitës “në kohën e duhur” ndërsa përjashtoi koalicion të mundshëm të Vetëvendosjes, të cilët s’arritën të marrin as shumicë parlamenater e as shumicë të votës shqiptare.

 

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut. Nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në studiot e debateve”, tha Bedri Hamza.

“Ata i ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkimin dhe bashkëpunimin. Prandaj, ne e kemi detyrim dhe përgjegjësi që t’ju japim qytetarëve qeverinë që ata duan dhe që e kanë votuar”, tha Hamza.

Hamza duke lexuar votimet e djeshme tha se shumica e votuesve shqiptarë votuan që Albin Kurti të mos mund të vazhdojë të qeverisë dhe se “me vullnetin e tyre i besuan opozitës.

“Prandja në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare”.

“Kjo më obligon mua dhe PDK si partia më e madhe opozitare që të sillemi në mënyrë të përgjegjshme për ta respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim”, tha ai.

“Ne do të punojmë që t’ju japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica. Më e rëndësishmja, ne do të bashkojmë qytetarët dhe do të punojmë fort për të mbajtur premtimin tonë për ta bërë Kosovën ma t’mirë!”, tha ai.

“Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptarë duan qeveri të re.

Procedurat janë të qarta. Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve, mund ta bëj qeverinë e re”, tha ai.

Ambasada e Turqisë reagon pas arrestimit të Fikrim Damkës, kërkon unitet dhe maturi

0

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit të kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka.

Kjo ambasadë ka theksuar se me keqardhje ka mësuar lajmin se kryetari i partisë më të vjetër politike të turqve të Kosovës, KDTP, Fikrim Damka, është ndaluar në mbajtje pas një fjalosjeje.

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka uruar që Kosova ta ruaj stabilitetin e saj në kohë krizash në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë periudhë të vështirë, ku në botë po ndodhin shumë kriza, është e një rëndësie të madhe që Kosova, si një vend miqësor, të ruajë stabilitetin e saj, ndërsa komuniteti turk në Kosovë të mbajë unitetin dhe maturinë. Turqia do të vazhdojë të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, thuhet në këtë njoftim, raporton Telegrafi.

Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka dhe nipi i tij, F.D. janë arrestuar të dielën mbrëma me dyshimin për sulm dhe kanosje dhe me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) publikisht ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka për sulm fizik ndaj një kandidateje për deputete nga radhët e YTHP-së.

Sipas kësaj partie rasti ka ndodhur në parkun në lagjen Kurrillë. /Telegrafi/

KDTP-ja arrestimin e Fikrim Damkës e cilëson si provokim dhe tentativë për ti njollosur zgjedhjet

0

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) përmes një reagimi ka shprehur mbështetjen për kryetarin e këtij subjekti politik, Fikrim Damka, pas ndalimit të tij nga organet e rendit për shkak të dyshimeve për sulm dhe kanosje.

Në komunikatën e KDTP-së arrestimi i Damkës është cilësuar si provokim nga disa qarqe që synojnë të njollosin procesin zgjedhor të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

“Si partia më e vjetër e turqve të Kosovës, ne kemi mbrojtur gjithmonë të drejtat e komunitetit tonë dhe kemi qëndruar në krah të unitetit dhe kohezionit. Fatkeqësisht, arrestimi i kryetarit tonë të përgjithshëm dhe njëkohësisht Ministrit të turqve të Kosovës, z.Fikrim Damka, mbrëmë, na ka shkaktuar një trishtim dhe zhgënjim të madh. Ne besojmë se ky veprim është një provokim i disa qarqeve që synojnë ti njollosin zgjedhjet dhe shpallim me vendosmëri se do të qëndrojmë kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në reagimin e KDTP-së.

Ky subjekt politik ka theksuar se qëndron krah kryetarit të partisë.

“Si Parti Demokratike Turke e Kosovës, me mbështetjen e popullit tonë, qëndrojmë krah Kryetarit tonë të Përgjithshëm dhe Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka. Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat, ligjin dhe unitetin e turqve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Një ditë më parë, Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) publikisht pat akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka për sulm fizik ndaj një kandidateje për deputete nga radhët e YTHP-së.

 

Sipas kësaj partie rasti ka ndodhur në parkun në lagjen Kurrillë.

“Kryetari i përgjithshëm i KDTP-së, Fikrim Damka, ka sulmuar fizikisht kandidaten për deputete të YTHP-së, Arda Maloku, në Parkun e Dëshmorëve në Kurrillë. Përfaqësuesit e partisë sonë do të ndërmarrin menjëherë hapat ligjorë lidhur me këtë sulm, duke e denoncuar rastin në Drejtorinë e Policisë në Prizren dhe në Prokurorinë e Prizrenit, si dhe do të bëjnë kallëzim penal ndaj personit në fjalë”, thuhet në komunikatën e YTHP-së. Aty gjithashtu është shprehur mallkimi për “duart që ngrihen kundër grave”.

Klan Kosova

 

“Kam me ju vra, kam me ju djegë, çfarë kërkoni këtu”, kështu i kërcënoi Damka kandidatët e partisë turke

0
Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dyshohet se u përfshi në një rast të sulmit gjatë ditës së djeshme në Prizren.

 

 

Klan Kosova, ka arritur të mësojë detaje të reja lidhur me ngjarjen në fjalë.

Kreu i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), bashkë edhe me dy familjarët e tij Fuat dhe Okay Damka, i kanë sulmuar dy persona, Arda Malokun dhe Muharrem Jablen.

Arda Maloku, e cila ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit, nga radhët e Partisë Turke e Lëvizjes Novatore, ka deklaruar në polici se derisa ishte në parkun në rrugën “Hafis Ismailhaki”, në afërsi të shkollës së mesme të ulët “Motrat Qiriazi” ku ishte pikëvotimi për zgjedhjet parlamentare, aty i dyshuari Fikrim Damka, kryesues i partisë turke “Kosova Demokratik Turk Partisi”, po ashtu edhe ministër i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës, e kishte kapur nga supet viktimën dhe e kishte kërcënuar me fjalët:

“Kam me ju vra, kam me ju djegë, çfarë kërkoni këtu”.

Po ashtu edhe Fuat Damka dhe Oktay Damka, i kanë kanosur viktimat e lartcekur.

Arda Maloku dhe Muharrem Jable, janë intervistuar nga policia.

E po ashtu edhe tre të dyshuarit, në prezencën e avokatëve mbrojtës janë intervistuar dhe është njoftuar prokurori kujdestar.

Me këtë rast, me vendim të prokurorit, Fikrim Damka dhe Fuad Damkam janë ndaluar për 48 orë, derisa Oktay Damka është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu organet e rendit i kanë intervistuar edhe disa dëshmitarë që mund të kenë informacione lidhur me rastin./ Klankosova.tv