Marketing



Ka vdekur në moshën 78 vjeçare ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar
Është ndarë nga jeta dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të rëndësishme politike të Kosovës gjatë viteve ’90-të dhe ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil. Ai po vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Dr. Bujar Bukoshi ishte mjek dhe politikan shqiptar nga Kosova. Lindi në vitin 1947 në Suharekë. Shkollën fillore e kreu në Suharekë, gjimnazin në Prizren më 1964. Studimet e mjekësisë i kreu pranë Universitetit të Beogradit në janar të vitit 1971. Specializoi nga urologjia ne Prishtinë dhe Beograd më 1977. Si bursist i DAAD-së (Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik) ishte në përsosje profesionale si mjek në Klinikën Urologjike të Spitalit Kemperhof në Koblenz, Gjermani. Më 1984 u përzgjodh bursist i Senatit të Berlinit për Familje dhe Çështje Sociale dhe nga 1984-1985 punoi si mjek në Klinikën Urologjike të Klinikës Steglitz të Freie Universität Berlin (Universiteti i Lirë i Berlinit Perëndimor), ku u mor me hulumtime dhe më 1985 mbrojti doktoraturën mbi një temë të onkologjisë urologjike (“Cistektomia radikale në kuadrin e trajtimit të karcinomës së fshikëzës së urinës dhe komplikimet e saj“).
Më pas vazhdoi të punonte si kirurg urologjik dhe docent për kirurgji në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës dhe u angazhua për shkëmbime profesionale dhe kulturore të mjekëve të rinj mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Së bashku me intelektualë të mëtejmë kosovarë, Dr. Bujar Bukoshi më 1989 themeloi Këshillin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në krye të së cilës ishte Dr. Ibrahim Rugova. Në po këtë vit, Dr. Bukoshi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe në bashkëpunim me organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si p.sh. International Helsinki Federation for Human Rights dhe Amnesty International, angazhohej për t’i bërë publike dhe për t’i eksponuar para opinionit perëndimor represionet sistematike dhe gjithnjë më të rënda të regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Për shkak të qëndrimit tij politik dhe aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, policia serbe në vitin 1990 hyri në sallë ku ai po operonte, e ndërpreu dhe e përzuri nga salla duke mos i lejuar t’i afrohej më truallit të ndërtesave të klinikës, madje as për ta vizituar pacientin.
Kur presidenti nacionalist serb Millosheviq me një akt jokushtetues anuloi autonominë e Kosovës në vitin 1991, Parlamenti i Kosovës që ishte detyruar nga forcat serbe të shpërbëhet, shpalli Republikën e Kosovës dhe emëroi Dr. Bukoshin kryeministër. Me këtë, Dr. Bukoshit iu desh të arratisej nga vendlindja së bashku me familje.
Pas një qëndrimi prej 6 muajsh ne Bled, Slloveni, Qeveria e Republikës së Kosovës në Ekzil u instalua në Gjermani. Nga Ulmi dhe Bonni, Dr. Bukoshi dhe ekipi i tij angazhoheshin që nëpërmes kontakteve me qeveritarë dhe parlamentarë evropianë të informonin shtetet perëndimore mbi dhunën dhe terrorin sistematik shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe punonin për ta sensibilizuar opinionin publik për situatën e rëndë dhe rreziqet që mund të pasonin nga eskalimi i mëtejmë.
Mes viteve 1991 dhe intervenimit të NATO-s më 1999, ai takoi një numër të madh të përfaqësuesve publikë dhe politikanë të partive më të ndryshme, parlamentarë, senatorë, kongresistë që nga më të rinjtë e deri tek përfaqësuesit më të lartë qeveritarë në gjithë botën, në një kohë kur druhej se kriza në Kosovë do të përfundonte në tragjedi shumë më të madhe.
Njëkohësisht Dr. Bukoshi organizonte diasporën shqiptare në Gjermani dhe në shtetet tjera perëndimore. Me anë të donacioneve të diasporës që njihen si “3 përqindëshi” dhe që kontribuuan në financimin e buxhetit shtetëror, Dr. Bukoshi dhe Qeveria në Ekzil mundësuan sistemin paralel shëndetësor dhe arsimor për shqiptarët në Kosovë, meqë ata më dhunë ishin përjashtuar nga jeta publike. Këto institucione paralele, përkundër rreziqeve që buronin për të gjithë ata që kontribuonin për organizimin dhe funksionimin e tyre, për një kohë të gjatë ia arritën të parandalojnë radikalizimin e shqiptarëve në Kosovë dhe të ushqejnë rezistencën paqësore.
Në vitin 1999, Dr. Bukoshi mori pjesë në negociatat e Rambujesë. Pas luftës Dr. Bukoshi priu Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), me të cilin u rindërtuan shkolla dhe shtëpi të shkatërruara nga forcat serbe në Kosovë dhe poashtu u mbështetën refugjatë dhe projekte kulturore. Pas luftës me këtë fond u realizuan mbi 150 projekte të vogla dhe të mesme, mes të cilëve ishte edhe rindërtimi i një fshati të tërë – fshatit Qabër afër Mitrovicës – të cilin armata serbe e kishte rrafshuar me buldozerë, dhe ku pas lufte me anë të fondit u ndërtuan 150 shtëpi të reja.
Më 2007, Dr. Bukoshi u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ishte bashkënënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 2009 u emërua Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës dhe inicioi reforma të rëndësishme. Nga marsi 2011 deri në tetor 2014 shërbeu si Zëvendës Kryeministër dhe në këtë detyrë mbikëqyri punën e Ministrisë për Shëndetësi, Ministrisë për Mjedis dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Si këshilltar, edhe më pas vazhdoi të merrte pjesë në jetën politike kosovare.
Bukoshi ka lënë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, vajzat Ora, Shota, Nita dhe nipërit Dardan dhe Taulant.
Marketing



Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Begaj në orën 10 pritet të takohet me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së Begajt do të kujdeset për ruajtjen e rendit.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
Marketing



Sot më 10 qershor shënohet 147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.
Ajo u themelua zyrtarisht më 10 Qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke dhe për këtë arsye shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.
Për këtë datë të rëndësishme kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, pret në takim pesidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Ata pastaj do të ecin në këmbë e të gjithë pjesëmarrësve nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Marketing



Zafir Berisha e ka bërë publike ndarjen e tij nga Nisma Socialdemokrate. Ai në Facebook ka shkruar se nga sot, aktivitetin e tij politik së bashku me bashkëpunëtorë do ta rikthej në Bashkimin Demokratik në Prizren. Ndërsa NISMA-s i ka dëshiruar suksese.
“Nga sot, aktivitetin tim politik së bashku me bashkëpunëtorë do ta rikthej në BASHKIMIN DEMOKRATIK në Prizren, ndërsa Nisma-s i dëshiroj suksese”, ka shkruar ai.
Berisha nuk i ka bërë të ditura arsyet që ka çuar deri tek ky vendim.
Marketing



Marketing



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.
“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore. Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidencës.
Thuhet se kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.
Marketing



Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren i ka bërë thirrje konsumatorëve për përdorim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të ujit të pijes.
Kjo kompani ka theksuar se uji i pijshëm është një resurs jetik dhe i kufizuar, që duhet përdorur vetëm për nevoja esenciale, siç janë konsumimi në familje, higjiena personale dhe pastrimi bazik.
“Apelojmë për vetëdijesim dhe solidaritet qytetar, në mënyrë që të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë, veçanërisht gjatë muajve të verës kur kërkesat rriten ndjeshëm”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Për të parandaluar keqpërdorimet, kompania ka paralajmëruar masa në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si shkyçja e menjëhershme nga rrjeti i ujësjellësit pa paralajmërim, inicimi i procedurave ligjore, dhe gjoba e masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, qytetarët janë inkurajuar që çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit ta raportojnë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të kompanisë. /Telegrafi/
Marketing



Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur në radhët e saj Sanie Kuqi – Rexhepaj.
Ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe asambliste e kësaj partie në Asamblenë Komunale të Suharekës.
Nga sot, i është bashkuar zyrtarisht LDK-së dhe degës së saj në Suharekë.
Në një takim të mbajtur sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e degës në Suharekë, Ardian Shala, e kanë pritur Rexhepaj, duke shprehur mirëseardhjen dhe vlerësimin për kontributin e saj të deritanishëm në jetën publike dhe institucionale të komunës.
Marketing



Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë bletarët e komunës që plotësojnë kriteret përkatëse kanë të drejtë të aplikojnë për mbështetje financiare në vlerë prej 4 euro për çdo shoqëri bletësh.
Të kenë së paku 10 shoqëri bletësh;
Bletët të jenë të vendosura brenda territorit të Komunës së Malishevës;
Aplikuesi të jetë banor i Komunës së Malishevës.
Ky program synon të mbështesë dhe inkurajojë zhvillimin e sektorit të bletarisë në komunë, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik të fermerëve lokalë dhe promovimin e prodhimit të mjaltit vendor.
Për më shumë informacion rreth dokumentacionit të nevojshëm dhe mënyrës së aplikimit, bletarët mund t’i drejtohen Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Malishevë.
Marketing


