19.7 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 5557

Ancelotti i zhgënjyer me eliminimin prej Kupës

0

Carlo Ancelotti ka folur pas eliminimit në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.

Bayer Munich nuk ia ka dal të sigurojë një biletë për në finalen e DFB Pokal duke u mposhtur prej Borussia Dortmundit me rezultat 3-2.

Trajneri italian ka pohuar se është i zhgënjyer me faktin se nuk kishin shfrytëzuar shumë raste, transmeton Telegrafi.

“Natyrisht që jam shumë i zhgënjyer me eliminimin. Kishim shumë mundësi për të shënuar dhe për ta fituar takimin, por nuk ia dolëm”, tha ndër të tjerash Ancelotti.

Theksojmë se Dormtund në finale do të takohet me Eintracht Frankfurtin, ku luan sulmuesi shqiptar Shani Tarashaj.

Ndërkombëtarët e izoluan Thaçin

0

Duke pasur parasysh agjendën njëvjeçare të vizitave jashtë vendit të presidentit Thaçi dhe takimet me homologët përkatës, vlerësimi i opozitës dhe i analistëve politikë është tejet negativ për funksionin e diplomacisë nga pozita e presidentit të shtetit. Madje fitohet një përshtypje dhe jepet një vlerësim, sipas të cilit ngjallet edhe dyshimi mjaft bindës se ka filluar me të madhe të izolohet presidenti i vendit nga faktorët relevantë ndërkombëtarë. Që prej zgjedhjes së tij president i Kosovës, e vetmja vizitë zyrtare si president në një vend të rëndësishëm është ajo në Turqi pas rrëmujës në këtë vend, duke mos e llogaritur aq me peshë vizitën në Shqipëri dhe po ashtu duke përjashtuar edhe Brukselin, që ka qenë vetëm një agjendë si pjesë e dialogut me Serbinë, përndryshe nuk ka as asnjë vizitë tjetër zyrtare nga ana e tij, e cila do të mund të vlerësohej lart për nga pesha dhe rëndësia e interesit diplomatik.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, konsideron se dëmi më i madh që ka mundur t’i shkaktojë ky koalicion qeverisës shtetit të Kosovës, veç qeverisjes jofunksionale për këto tre vjet mandat, është edhe vendimi për zgjedhjen president të një figure, e cila nuk e ka as mbështetjen e brendshme qytetare, por as atë të faktorit të jashtëm ndërkombëtar.

“Për fatin e keq të Kosovës, me ardhjen e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit, edhe në këtë fushë të funksionimit të shtetit kemi një izolim, sikur që kemi pasur izolim dhe joefikasitet edhe në pjesën e mandatit të tij, derisa ishte në pozitën e ministrit të Jashtëm”, u shpreh ai.

Presidencës i bie kredibiliteti

Sipas Berishës, faktikisht presidenti Thaçi vetëm po mundohet të bëhet paksa atraktiv me do tema dhe deklarata të pamatura. “Sido që të jetë, figura e tij nuk po arrin ta prezantojë as imazhin dhe as pasqyrën më të mirë që do të duhej ta kishte shteti i Kosovës karshi diplomacisë ndërkombëtare, me rolin e presidentit, i cili ka autoritet kushtetues dhe përgjegjësi për ta përfaqësuar me dinjitet vendin në fushën e politikës së jashtme”, tha Zafir Berisha për “Kosova Sot”.

Sipas analistit politik Florim Zeqa, për Hashim Thaçin posti i presidentit të shtetit nuk doli të jetë aq i ëmbël siç e kishte menduar më parë, sepse përveç humbjes së primatit në partinë më të madhe në vend, e ka humbur edhe primatin e të qenit figura e parë politike në vend dhe agjendat e ndërkombë- tarëve, si pasojë e izolimit ekstrem nga ana e këtyre të fundit dhe dështimet në menaxhimin e postit të presidentit, duke u shndërruar në figurën më të parëndësishme politike. “Si pasojë e dështimit në politikën e jashtme, prej zgjedhjes së tij president i vendit, Hashim Thaçi të vetmen vizitë zyrtare e ka të realizuar në Turqi, duke përjashtuar vizitën jo aq të rëndë- sishme në Shqipëri, si shtet i origjinës së njëjtë.

Përderisa vizitat e obligueshme të presidentit Thaçi në Bruksel, në dialogun e imponuar me palën serbe, nuk hyjnë në radhën e vizitave zyrtare (protokollare) si burrështetas i Kosovës. Bazuar në këto fakte, Hashim Thaçi na del të jetë presidenti më jokredibil dhe më i izoluar në rajonin e Ballkanit, si dhe presidenti më i papërfillshëm në Kosovën e pasluftës. Nëse u referohemi këtyre të dhënave, atëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, paralelisht zgjedhjes së ekzekutivit duhet të zgjidhet edhe një president i ri i vendit me kredibiletet të plotë vendor dhe ndërkombëtar, një president konsensual që përfaqëson të gjithë spektrin politik dhe shumicën absolute të elektoratit kosovar”, theksoi Zeqa.

Image

Goditja e madhe me raportin e Dik Martit

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se izolimi ndërkombëtar i Hashim Thaçit e ka zanafillën e hershme, jo si president, por si figurë e hershme e luftës në raportin e Dick Martit e tutje. “Që nga koha kur u paraqit raporti i Dick Martit në Këshillin e Evropës, ku Hashim Thaçi ishte personazhi kryesor i atakuar në raport, mbi të cilin u kërkua të formohet edhe Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, kemi një izolim të plotë të Hashim Thaçit. Për fat të keq edhe vetë Hashim Thaçi e bëri të mundur izolimin. Kjo, në njërën anë, duke pranuar dhe konstatuar Gjykatën Speciale dhe, në anën tjetër, duke u zhytur vetë thellë e më thellë në veprimtari antiligjore, të cilat e arritën piedestalin me daljen e tij si president i vendit. Me kalimin e tillë ky u izolua tërësisht. Nuk ka as edhe një vizitë dhe në ndonjë vend të nivelit presidencial. Gati të tëra vizitat janë të lidhura me çështje të tjera të detyrës zyrtare, si ato që janë në Bruksel, po nuk pati pothuajse asnjë vizitë të rëndësishme në nivel të presidentit të shtetit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo ka qenë e pritshme për disa faktorë: si detyrimet nga lufta, pasurimi i lartë dhe pa bazë ligjore, akuzat e shumta për krim dhe korrupsion, bisedimet me palën serbe pa principe, bllokimi i ndërtimit të Qeverisë në vitin 2014 dhe presionet e mëdha të tij për t’u zgjedhur president në vitin 2016. “I përmenda disa fakte për të treguar se sa i papranueshëm është jashtë vendit. Akuzat janë shumë të rënda dhe është i kuptueshëm edhe izolimi i Hashim Thaçit si person dhe si president. E keqja është jo izolimi si person, sepse nuk është me rëndësi, por dëmi qëndron te izolimi i tij si president, sepse me atë po izolohet edhe vetë shteti ynë”, theksoi Kelmendi

Përkundër përkrahjes, Labinot Tahiri humb në Dragash

0

Ka hyrë në javën e dytë protesta e banorëve të fshatit Blaç, nën dirigjimin e të cilëve as nxënësit nuk e kanë mbajtur procesin mësimor.
Ata po këmbëngulin që pozita e mirëmbajtësit të shkollës t’i trashëgohet djalit të ish-mirëmbajtësit, i cili ka vdekur ditë më parë.

Ndonëse janë ngritur të gjithë për ta përkrahur Labinot Tahirin, vendimi është marrë në favor të Nderim Ejupit, për të cilin banorët përsërisin se është miku i kryetarit të Dragashit.

E dinë që fëmijëve të tyre po u bëjnë keq por janë të vendosur t’i shkojnë çështjes deri në fund, raporton KTV.

Në drejtorinë komunale të arsimit, është mbajtur një takim me përfaqësues të shkollës dhe policisë, ku është apeluar që mësimi të fillojë nga nesër.

Këtë thirrje nuk e kanë dëgjuar prindërit, pasi askush nga ta nuk ka qenë i ftuar në takim.

Drejtori i Arsimit në Suharekë dënohet me 4 mijë euro gjobë për punësime pa konkurs

0

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Suharekës, Sherif Berisha, të mërkurën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me 4 mijë euro gjobë.

Berisha është gjetur fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale “cenimi i të drejtave të barabarta në punësim”.

Sherif Berisha fillimisht është dënuar me 5 muaj burgim efektiv, mirëpo përmes mbrojtësit të tij, avokatit Brahim Sopa, ka kërkuar që dënimi me burgim t’i zëvendësohet me dënim me gjobë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka pranuar kërkesën e të akuzuarit dhe dënimin me burgim ia kanë zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij aktgjykimi sepse ishte i pakënaqur me lartësinë e dënimit.

Sherif Berisha akuzohej se duke qenë drejtor i arsimit në Komunën e Suharekës, gjatë periudhës 2014-2016, ka punësuar në shkollat e Komunës së Suharekës, pa konkurs, nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me këto veprime ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe cenimin e të drejtave të barabarta në punësim të personave tjerë./betimiperdrejtesi/

Zyrtari i prokurimit në UPZ sërish kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tij

0

Zyrtari i lartë për prokurim në Universitetin Publik të Prizrenit (UPZ), Bajram Kolgeci, të mërkurën ka kërkuar për herë të dytë që aktakuza e cila e ngarkon atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të hudhet si e pabazuar.

I akuzuari Kolgeci përmes mbrojtësit të tij, Bestar Kolgeci, ka kërkuar që aktakuza të hudhet sepse nga vetë diapozitivi i aktakuzës nuk del asnjë element që paraqet vepër penale. Avokati Kolgeci ka thënë se klienti i tij nuk ka pasur përgjegjësi për veprimet për të cilat akuzohet sepse caktimin e aspekteve teknike, para masës dhe para llogarisë e cakton institucioni. Ai ka shtuar se edhe ekspertiza financiare thotë se autoriteti kontraktues nuk e ka caktuar masën e përafërt të artikujve, dhe poashtu thekson se nuk ka pasur dëm apo përfitim të shkaktuar në këtë rast.

Ndërsa, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës, duke argumentuar se pretendimet e mbrojtjes nuk janë të bazuara. Sipas tij, ekspertiza thotë se ka pasur shpërdorim të detyrës zyrtare edhe pse nuk ka dëm. Poashtu ai ka shtuar se nuk duhet që patjetër te ketë dëm apo përfitim për të ekzistuar vepra penale në fjalë.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka thënë se ndaj kërkesës për hudhje të aktakuzës do të vendos me shkrim.

Në këtë rast, gjatë muajit të kaluar, gjyqtari Sejrani ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës, por Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes ndaj këtij vendimi, dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur në dhjetor 2016, me të cilën e akuzon Bajram Kolgecin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kolgeci, në cilësinë e zyrtarit për prokurim publik në Universitetin e Prizrenit, ka shpallur tender publik në kundërshtim me Rregulloren për Prokurim.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se i akuzuari në fjalë, në momentin e shpallje së tenderit për furnizim dhe montim të inventarit në UPZ, nuk ka caktuar sasinë e përafërt të artikujve, të cilën e parasheh rregullorja, duke lënë hapësirë për manipulime.

Evropa luan bixhoz me politikën e saj

0

Shkruan: Nic Robertson

Dështimi për të evoluuar çon deri te shfarosja

Politika, sikurse edhe jeta, është Darwiniane: dështimi për të evoluuar çon deri te shfarosja. Zgjedhjet holandeze e vënë këtë proces në epruvetë dhe nën mikroskop. Rezultatet japin një informatë të rëndësishme rreth lulëzimit të një jete të ndryshme, e herë-herë të errët, politike. Kryeministri Mark Rutte ka arritur që, sipas fjalëve të tij, një çerek-fitoreje finale kundër populistëve antiimigrantë. Por, rezultatet tregojnë se analogjia e tij sportive nuk është e saktë. Një dekadë më parë, politika holandeze ka mundur që të përkufizohej më lehtë si një përleshje e dyanshme. Tani ka shumë më shumë ekipe në fushë. Në zgjedhje kanë marrë pjesë 28 parti, ku disa shënuan fitore të mira. Partia e Rutte-s, VVD, në anën tjetër, pësoi humbje të konsiderueshme, edhe pse jo aq të mëdha, saqë të rrëzohet nga kreu i skenës politike. Por, partneri i saj i koalicionit, Partia laburiste- PvdA, gati sa nuk është masakruar. Rutte do ta ketë vështirë ta formojë një koalicion, derisa “bete noir” i tij, Geert Wilders, përkundër asaj se ka dështuar që ta arrijë fitoren e pritur, në fakt ka bërë ca përparime. Dhe, kjo është storja e zgjedhjeve holandeze: partitë tradicionale kanë humbur vota, në të mirë të partive më të vogla, duke përfshirë edhe Të majtët e gjelbër dhe D66.

Goditja kundër globalizimit

Brexiti ishte një zgjidhje ‘binare’ ndaj ‘status quo’-s, dhe fitorja e Trump-it ishte një zgjidhje midis të njohurës dhe të panjohurës. Në të dy këto raste, sikur edhe në rastin e Holandës, u vërejt një mërzi me “gjellën e vjetër”, të shërbyer nga qeveritë e vazhdueshme gjatë gjysmë shekullit të kaluar. Megjithatë, ky apetit për diçka të re, që u dëgjua gjatë votës Brexit dhe që vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, zbulon një vartësi të thellë nga po të njëjtat struktura, të cilat votuesit duan t’i ndryshojnë. Shoferi i taksisë, i cili më çoi në shtëpi nga adresa “10 Downing Street” në orët e hershme të 24 qershorit të vitit të kaluar, derisa bëhej i qartë realiteti i Brexitit, derisa sterlina tanimë kishte filluar të lëkundej, se a do të jenë në gjendje politikanët dhe bankierët që ta rregullonin këtë. Ai kishte votuar pro Brexitit. Disa orë më vonë, duke bërë të njëjtën rrugë, një shofer tjetër ma bëri të njëjtën pyetje. Ai dëshironte një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij dhe nuk kishte ditur se kujt t’i besonte gjatë debatit të nxehtë të para referendumit. Pa marrë parasysh se çka ndodh më pas, ai më pyeti se a do të jenë ata në gjendje që t’i rregullonin gjërat. Në një qytet në Jorkshajrin verior, disa ditë para votimeve Brexit pashë logjikën të kthyer mbrapshtë, në kokë. Një njeri më tha se imigracioni ka ndikuar që ai do të votonte pro daljes nga BE-ja edhe pse në qytetin e tij nuk kishin problem me imigracionin. Disa minuta më pas, një votues tjetër më tha se ai do të votonte pro Brexitit, thjesht sa për të ndryshuar diçka. E tëra kjo ishte shpjeguar gjerësisht nga unë dhe të tjerët si goditje kundër globalizimit, derisa votuesit ishin të nervozuar që frikët e tyre ishin injoruar nga politikanët tradicionalë.

Kumari me të ardhmen, është i shëmtuar

Edhe Franca së shpejti do të gjendet përballë një zgjidhjeje ‘binare’ me rastin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Në masën më të madhe kjo do të jetë një garë midis nacionalistes Marine le Pen dhe liderit më të ri, të qendrës së majtë, Emmanuel Macron, një mundësi zgjedhjeje e cila lë nën hije partitë tradicionale franceze të majta dhe të djathta. Votuesve iu mbetet që, pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve, ekonomia franceze do të jetë në gjendje që t’i përballojë situatës. Pasi që kam kaluar mjaft kohë në zonat e luftës gjatë dekadave të fundit, kam parë se kumari me të ardhmen mund të duket dhe është i shëmtuar. Së pari siguria, pastaj ekonomia, paqja e mendjes, kujdesi shëndetësor, shkollat, elektriciteti, ushqimet, uji, kulmi mbi kokë. Të gjitha këto të çrregulluara, duke iu ikur nga duart pa vullnetin tuaj. Pa marrë parasysh se si do të jetë, evoluimi politik i Evropës, pa marrë parasysh sikletit që ndiejnë disa votues, duket se do të vijë nga një qëndrim i komfortit relativ. Ky është një testament për politikat tradicionale të majta dhe të djathta, mbi të cilat ka evoluuar demokracia, e cila sot ua mundëson votuesve që të zgjedhin dhe të mendojnë jashtë ‘kutisë’ në një masë kaq të madhe. Edhe pse evolucioni, për nga vetë definicioni i tij, nuk njeh kufij, demokracia i ka limitet e veta. Është lehtë të votosh për ndryshime vetëm për hatër të ndryshimeve. Por, është krejt çështje tjetër se sa efektiv do të jetë realiteti juaj i ri politik në largimin e kaosit ekzistues.

(Nic Robertson është redaktori ndërkombëtar i CNN-it)

Ish- femra e Didier Drogba, një bukuri ekzotike

0

Po flasim për Nita Kuzminan, e cila ka patur edhe një histori të shkurtër me futbollistin Didier Drogba.

Nita ka një trup të mrekullueshëm me forma bombastike si rezultat i një pune të lodhshme në palestër dhe operacioneve plastike.

Është bërë e njohur fare e re në një program televiziv rus, ndërsa pas flirtit me Drogba-n fama e saj mori dhenë.

 

Messi merret peng nga ISIS-i

0

Një djalë tre-vjeçar ishte kidnapuar nga ISIS-i dhe ishte mbajtur peng për dy vjet pasi babai i tij ia kishte lënë emrin e yllit të Barcelonës, Leo Messi.

Djali Yazid, tani pesëvjeçar, ishte kapur nga grupi terrorist së bashku me nënën dhe motrën e tij në vitin 2014, raporton Kurdistan 24.

Derisa po mbaheshin peng, ekstremistët e ISIS-it i bënin kërkesa për para – edhe pse ata nuk kishin asnjë cent, transmeton Koha.net.

Messi ka shpëtuar dhe po jeton në një kamp refugjatësh në Dohuk në Irak.

Babai i tij ka thënë për televizionin kurd që terroristët e kishin urdhëruar gruan e tij që emrin Messi ta ndërronin me Hassan.

Si u bë Facebook “shtëpia” e psikopatëve

0

Thënia e vjetër “kujdes se çfarë kërkon” të vjen menjëherë në mendje. Pak kohë më parë, Facebook filloi Facebook Live, një shërbim që u mundëson përdoruesve të transmetojnë video të drejtpërdrejta para botës.

Menjëherë pasi u aktivizua shërbimi, themeluesi dhe CEO i kompanisë, Mark Zuckerberg, tha se ai do të mbështeste të gjitha mënyrat “personale dhe emocionale dhe të papërpunuara” me të cilat njerëzit komunikojnë. Përdoruesit u inkurajuan të “shfaqeshin live” në mjedise të rastësishme – duke pritur bagazhin në aeroport, për shembull, ose duke ngrënë në një restorant.

Vini re frazën “të papërpunuara”. Facebook Live ka transmetuar tashmë live momentet kur një burrë me aftësi të kufizuara lidhet, rrihet dhe pritet me thikë. Në mars, dyadoleshentë në Chicago u shfaqën live duke përdhunuar një adoleshente. Dhe afro 40 përdorues të Facebook e panë videon, pa e raportuar tek Facebook apo policia.

Me sa duket ishte vetëm preludi. Të dielën në mëngjes, Robert Goduin, një 74-vjeçar po ecte në rrugë në Cleveland, Ohio, duke parë punën e vet. Atij iu afrua një 37-vjeçar me emrin Steve Stephens, që i kërkoi të thoshte emrin “Joy Lane”. Goduin e tha, dhe pas kësaj Stephens e qëlloi për vdekje. Stephens hodhi më pas tre video në Facebook, mes orës 11.09 dhe 11.22. Në të parën, shpallte qëllimin e tij për të kryer vrasje. Dy minuta më vonë, hodhi në Facebook një filmim të vrasjes. më pas në 11.22 doli “live” në Facebook duke u rrëfyer. Facebook e mori raportin e parë për vrasjen në orën 12.59 dhe e çaktivizoi llogarinë e Stephens 23 minuta më vonë. Joy Lane ishte emri i të dashurës së tij, me të cilën kish patur vështirësi kohët e fundit.

Facebook, natyrisht, është i tmerruar nga e gjithë kjo. “Ky është një krim i tmerrshëm dhe ne nuk lejojmë këtë lloj përmbajtjeje në Facebook,” tha një zëdhënëse në një deklaratë të dërguar në Uashington Post. “Ne punojmë shumë për të mbajtur një mjedis të sigurt në Facebook dhe jemi në kontakt me organet e zbatimit të ligjit në raste emergjencash, kur ka kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë fizike”.

Dakord. Por çfarë është kjo? Kompania ka një blog zyrtar të dedikuar për Facebook Live. “Që nga dalja e Facebook Live,” thotë artikulli në 18 prill – domethënë dy ditë pas vrasjes së Goduin – “kemi parë njerëz dhe botues anembanë botës që shfrytëzojnë mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, teksa ato ndodhin, sidomos gjatë momenteve të rëndësishme kulturore. Ne kemi qenë të frymëzuar nga kreativiteti që kemi parë”.

Pra, po shohim shfaqjen e një modeli: një përqindje e vogël e përdoruesve të Facebook (dhe duke qenë se janë 2 miliardë tillë, ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish) janë psikopatë, sociopatë ose të çmendur. Disa gëzojnë duke shkaktuar dhimbje ndaj të tjerëve dhe – më keq – transmetojnë veprimet e tyre për sytë e botës. Deri kohët e fundit, kjo dëshira e fundit ka qenë e vështirë për t’u plotësuar. Por tani teknologjia digjitale, në formën e aplikacioneve të tilla si Periscope dhe shërbime të tilla si Facebook Live, u ka ardhur në ndihmë. Mendojeni si kanali “Psikopatët jemi ne”.

Çdo kompani normale që do të kishte një produkt tnë gjendje për të prodhuar rezultate të tilla toksike, do ta mbyllte. Por Facebook nuk është një kompani normale: nuk i bën paratë e veta nga shitja e gjërave për ne, por nga analiza e veprimeve tona dixhitale, pëlqimeve dhe klikimeve, dhe fiton duke ua shitur ato të dhëna reklamuesve, të cilët shpresojnë që reklamat e tyre në këtë mënyrë mund të shënjestrohen më saktë.

Duket se Facebook mund të kërkojë më shumë para, për reklama që vendosen në video, kështu që shërbimi Live sjell më shumë fitime. Duke pasur parasysh këtë, problemet e PR që vjen nga abuzimet me shërbimin nga psikopatët, është thjesht kostoja e të bërit biznes. Përveç kësaj, a nuk do të ishte gabim të lejonim disa të marrë, që të frenonin kreativitetin e njerëzve që dëshirojnë të “ndajnë përvojat e tyre ashtu si ato ndodhin, veçanërisht gjatë momenteve të rëndësishme kulturore”?

“E gjithë jeta njerëzore është aty”, ka qenë dikur një slogan i “News of the World”, tashmë e mbyllur. Nuk ishte asnjëherë e vërtetë për atë organ. Por është e vërtetë për internetin, dhe këtë po mësojmë; jo vetëm nga Facebook Live, por nga media sociale në përgjithësi. Duket sikur Interneti mban një pasqyrë për natyrën njerëzore. Shumë prej atyre që shohim të reflektohen janë banale dhe të parashikueshme, por disa prej gjërave që na thotë për veten tonë janë ashtu si vrasja e Goduin, thellësisht shqetësuese.

Ndoshta kjo është arsyeja përse Facebook mendon që ne nuk duhet të vrasim korrierin. Eshtë një variant i argumentit të Shoqatës Kombëtare të Pushkatarëve: armët nuk vrasin njerëz – janë njerëzit që vrasin njerëz. Dhe është një gjepur. / The Observer – bota.al

Kosova hedh hapa drejt diktaturës-kushdo që fyen presidentin dënohet deri në 5 vjet burgim

0

Një prej iniciativave të para të Hashim Thaçit pas ardhjes në krye të shtetit, ishte ndryshimi i Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale.

Ai themeloi një komision për të nisur punën menjëherë.

Rezultatet e para tashmë kanë dalë në publik. Shpifja dhe fyerja që prej tri vjetësh nuk janë vepra penale, por sanksionohen vetëm me Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes, tashmë janë kriminalizuar.
Nëse miratohet Kodi i ri me këto ndryshime, vetë Thaçi do të jetë një prej zyrtarëve më të mbrojtur nga fyerjet dhe shpifjet.

Kushdo që do të guxojë të shpifë apo ta fyej atë, e pret burgu. Dënimet për këto dy vepra janë nga tre muaj deri në pesë vjet burgim.

Me këto ndryshime të Kodit Penal sanksionohen edhe shpifja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit. Këto sanksione janë të parapara me nenin 134.
Në pikën D të këtij neni sanksionohet shpifja ndaj organeve kushtetuese.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shteti dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet, thuhet në pikën 1.

Këto vepra parashihet të ndiqen nga Prokuroria apo nga zyrtarët, ndaj të cilëve konsiderohet se është shpifur apo janë fyer.
Dënime me burgim i preson edhe ata që guxojnë publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara të fyejnë apo me keqdashje shprehin përbuzje ndaj republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetuese duke fyer ngjyrat , flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë.

“Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bën të papërdorshëm ose palexueshme ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës, ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës së Kosovës, dënohet me burgim deri në tri vjet ose me gjobë”, thuhet më tej në këtë nen.

“Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite”, thuhet në pikën tre të nenit.

Madje të dënueshme janë edhe tentativat për t’i kryer këto vepra penale.

Aktualisht, Kosova është mes shteteve që e kanë të dekriminalizuar fyerjen dhe shpifjen. Qeveria e udhëhequr prej PDK-së kishte provuar që është në vitin 2013 t’i kriminalizonte fyerjen dhe shpifjen.

Por, pas protestave të organizuara nga gazetarët dhe shoqëria civile, ato nene ishin hequr nga Kodi Penal i Kosovës./Insajderi.com