17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ndërkombëtarët e izoluan Thaçin

Duke pasur parasysh agjendën njëvjeçare të vizitave jashtë vendit të presidentit Thaçi dhe takimet me homologët përkatës, vlerësimi i opozitës dhe i analistëve politikë është tejet negativ për funksionin e diplomacisë nga pozita e presidentit të shtetit. Madje fitohet një përshtypje dhe jepet një vlerësim, sipas të cilit ngjallet edhe dyshimi mjaft bindës se ka filluar me të madhe të izolohet presidenti i vendit nga faktorët relevantë ndërkombëtarë. Që prej zgjedhjes së tij president i Kosovës, e vetmja vizitë zyrtare si president në një vend të rëndësishëm është ajo në Turqi pas rrëmujës në këtë vend, duke mos e llogaritur aq me peshë vizitën në Shqipëri dhe po ashtu duke përjashtuar edhe Brukselin, që ka qenë vetëm një agjendë si pjesë e dialogut me Serbinë, përndryshe nuk ka as asnjë vizitë tjetër zyrtare nga ana e tij, e cila do të mund të vlerësohej lart për nga pesha dhe rëndësia e interesit diplomatik.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, konsideron se dëmi më i madh që ka mundur t’i shkaktojë ky koalicion qeverisës shtetit të Kosovës, veç qeverisjes jofunksionale për këto tre vjet mandat, është edhe vendimi për zgjedhjen president të një figure, e cila nuk e ka as mbështetjen e brendshme qytetare, por as atë të faktorit të jashtëm ndërkombëtar.

“Për fatin e keq të Kosovës, me ardhjen e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit, edhe në këtë fushë të funksionimit të shtetit kemi një izolim, sikur që kemi pasur izolim dhe joefikasitet edhe në pjesën e mandatit të tij, derisa ishte në pozitën e ministrit të Jashtëm”, u shpreh ai.

Presidencës i bie kredibiliteti

Sipas Berishës, faktikisht presidenti Thaçi vetëm po mundohet të bëhet paksa atraktiv me do tema dhe deklarata të pamatura. “Sido që të jetë, figura e tij nuk po arrin ta prezantojë as imazhin dhe as pasqyrën më të mirë që do të duhej ta kishte shteti i Kosovës karshi diplomacisë ndërkombëtare, me rolin e presidentit, i cili ka autoritet kushtetues dhe përgjegjësi për ta përfaqësuar me dinjitet vendin në fushën e politikës së jashtme”, tha Zafir Berisha për “Kosova Sot”.

Sipas analistit politik Florim Zeqa, për Hashim Thaçin posti i presidentit të shtetit nuk doli të jetë aq i ëmbël siç e kishte menduar më parë, sepse përveç humbjes së primatit në partinë më të madhe në vend, e ka humbur edhe primatin e të qenit figura e parë politike në vend dhe agjendat e ndërkombë- tarëve, si pasojë e izolimit ekstrem nga ana e këtyre të fundit dhe dështimet në menaxhimin e postit të presidentit, duke u shndërruar në figurën më të parëndësishme politike. “Si pasojë e dështimit në politikën e jashtme, prej zgjedhjes së tij president i vendit, Hashim Thaçi të vetmen vizitë zyrtare e ka të realizuar në Turqi, duke përjashtuar vizitën jo aq të rëndë- sishme në Shqipëri, si shtet i origjinës së njëjtë.

Përderisa vizitat e obligueshme të presidentit Thaçi në Bruksel, në dialogun e imponuar me palën serbe, nuk hyjnë në radhën e vizitave zyrtare (protokollare) si burrështetas i Kosovës. Bazuar në këto fakte, Hashim Thaçi na del të jetë presidenti më jokredibil dhe më i izoluar në rajonin e Ballkanit, si dhe presidenti më i papërfillshëm në Kosovën e pasluftës. Nëse u referohemi këtyre të dhënave, atëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, paralelisht zgjedhjes së ekzekutivit duhet të zgjidhet edhe një president i ri i vendit me kredibiletet të plotë vendor dhe ndërkombëtar, një president konsensual që përfaqëson të gjithë spektrin politik dhe shumicën absolute të elektoratit kosovar”, theksoi Zeqa.

Image

Goditja e madhe me raportin e Dik Martit

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se izolimi ndërkombëtar i Hashim Thaçit e ka zanafillën e hershme, jo si president, por si figurë e hershme e luftës në raportin e Dick Martit e tutje. “Që nga koha kur u paraqit raporti i Dick Martit në Këshillin e Evropës, ku Hashim Thaçi ishte personazhi kryesor i atakuar në raport, mbi të cilin u kërkua të formohet edhe Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, kemi një izolim të plotë të Hashim Thaçit. Për fat të keq edhe vetë Hashim Thaçi e bëri të mundur izolimin. Kjo, në njërën anë, duke pranuar dhe konstatuar Gjykatën Speciale dhe, në anën tjetër, duke u zhytur vetë thellë e më thellë në veprimtari antiligjore, të cilat e arritën piedestalin me daljen e tij si president i vendit. Me kalimin e tillë ky u izolua tërësisht. Nuk ka as edhe një vizitë dhe në ndonjë vend të nivelit presidencial. Gati të tëra vizitat janë të lidhura me çështje të tjera të detyrës zyrtare, si ato që janë në Bruksel, po nuk pati pothuajse asnjë vizitë të rëndësishme në nivel të presidentit të shtetit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo ka qenë e pritshme për disa faktorë: si detyrimet nga lufta, pasurimi i lartë dhe pa bazë ligjore, akuzat e shumta për krim dhe korrupsion, bisedimet me palën serbe pa principe, bllokimi i ndërtimit të Qeverisë në vitin 2014 dhe presionet e mëdha të tij për t’u zgjedhur president në vitin 2016. “I përmenda disa fakte për të treguar se sa i papranueshëm është jashtë vendit. Akuzat janë shumë të rënda dhe është i kuptueshëm edhe izolimi i Hashim Thaçit si person dhe si president. E keqja është jo izolimi si person, sepse nuk është me rëndësi, por dëmi qëndron te izolimi i tij si president, sepse me atë po izolohet edhe vetë shteti ynë”, theksoi Kelmendi

Më Shumë

Latifi mban mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive. Ai me drejtorët ka biseduar për ecurinë e punëve,...

Joshua: Usyk do të jetë fitimtar ndaj Furyt

Anthony Joshua ka bërë një parashikim të guximshëm se kush do ta fitojë përballjen mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk. Më 18 maj, dy...

Lajmet e Fundit