15.4 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025
Home Blog Page 5566

Konsola e “Dark Side of the Moon” shitet për 1.8 milion dollarë

0

Konsola e inçizimit në studion muzikore Abbey Road, e përdorur për krijimin e albumit legjendar të Pink Floyd, Dark Side of the Moon u shit në një ankand për 1.8 milion dollarë.

Bashkë me konsolën, vinin edhe letrat e origjinës, përfshirë një edhe nga menaxheri i studios, Ken Townsend, një manual me  udhëzime, një histori e dokumentuar nga tryeza e Abbey Road, si dhe një kopje e albumit Dark Side of the Moon.

rexfeatures_8450457a-5a052f4c-5dd2-4be2-af4e-0916f3ffe8ef

Kjo konsolë kishte qëndruar në Studio 2 të Abbey Road nga viti 1971 e deri më 1983.

Bashkë me Pink Floyd, edhe tre anëtarë nga Beatles – Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr – inçizuan projekte të tyre në këtë konsolë.

Mbappe s’e përjashton kalimin në Real

0

Adoleshenti Kylian Mbappe, nuk i ka shuar thashethemet që e lidhin atë me një kalim në Real Madrid, duke thënë se çdo gjë është e mundur.

18 vjeçari po konsiderohet se do ta thejë rekordin botëror të transferimit nëse vendosë që ta lë ligën franceze, shkruan Goal.

“Sot jam në Monaco. Në Real Madrid? Do të shohim pastaj”, u tha Mbappe reporterëve pas humbjes së Francës 2:0 nga Spanja.

“Ju duhet të shkoni në Real Madrid kur jeni në elementin tuaj më të mirë. Unë nuk jam në elementin tim më të mirë”, përfundoi Mbappe.

18 vjet nga rënia e dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Opterushë

0

Nesër bëhen 18-vjet nga rënia e dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Opterushë të Komunës së Rahovecit.

Homazhet do të mbahen me datë 30 mars 2017, me fillim në ora 12:00, tek varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Opterushë.

Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Opterushë janë vrarë nga forcat serbe 4 dëshmorë dhe 27 martirë. /PrizrenPress.com/

 

“Lexova Kantin, dhe gjithçka ndryshoi…”

0

Reflektimet e gjeniut të shkencës për Zotin, Universin, ekzistencën, “fenë kozmike”, qëllimin e tij mbi këtë tokë. Dhe përse nuk i bëhej vonë për përjetësinë

Nga Albert Ajnshtain

Shkolla më la në baltë, dhe unë e lashtë në baltë shkollën. Mësuesit silleshin si Fildvebel-a (reshterë). Unë doja të mësoja ato që doja të dija, por ata donin që unë të mësoja për provimet. Ai që urreja më shumë ishte sistemi konkurrues atje, dhe sidomos sportet. Për shkak të kësaj, unë nuk vleja për asgjë, dhe disa herë më sugjeruan të largohesha.

Kjo ishte një Shkollë Katolike në Mynih. Ndieja se etja ime për dije po mbytej prej mësuesve të mi; për ta, matësi i vetëm ishin notat. Si mundet një mësues të kuptojë të rinjtë, me një sistem si ky?

Që nga mosha 12 vjeç nisa të vë në dyshim autoritetin dhe të mos kem besim tek mësuesit. Mësoja kryesisht në shtëpi, fillimisht nga xhaxhai im dhe më pas nga një student që vinte të hante me ne, një herë në javë. Ai më jepte libra për fizikën dhe astronominë.

Sa më shumë që lexoja, aq më i mëdyshur isha për rendin e Universit dhe rrëmujën e mendjes njerëzore, me shkencëtarët që nuk binin dakord se si, apo kur, apo pse, kish ndodhur krijimi.
Më pas, një ditë, një student më solli “Kritikën e Arsyes” të Kantit. Duke lexuar Kantin, fillova të vë në dyshim gjithçka që më ishte mësuar. Nuk besoja më në Zotin e Biblës, por në Zotin misterioz të shprehur tek natyra.

Ligjet bazë të Universit janë të thjeshtë, por për shkak se shqisat tona janë të limituara, ne nuk mundemi t’i rrokim. Ka një model në të gjithë krijimin.

Nëse shohim pemën jashtë shtëpisë, rrënjët e të cilës kërkojnë nën dysheme për ujë, ose një lule e cila dërgon aromën e saj të ëmbël tek bletët që polenizojnë, apo nëse shohim edhe veten tonë dhe forcat e brendshme që na shtyjnë të veprojmë, do të vërejmë se të gjithë ne vallëzojmë me një melodi misterioze, dhe flautisti që i bie kësaj melodie nga një distancë e panjohëshme – çfarëdolloj emri që ne t’i vëmë atij – Forca Krijuese, Zoti – i shpëton gjithë librave të dijes.

Shkenca nuk përfundon asnjëherë, sepse mendja njerëzore përdor vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit të saj, dhe eksplorimi i kësaj bote nga njeriu është gjithashtu i kufizuar.

Krijimi mund të jetë spiritual në origjinë, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që është krijuar është spirituale. Si mund t’jua shpjegoj juve këto gjëra? Le të pranojmë që bota është një mister. Natyra nuk është as vetëm materiale dhe as tërësisht spirituale.

Edhe njeriu, është më shumë se sa mish dhe gjak dhe kocka; përndryshe asnjëra prej feve nuk do të ishte e mundur. Prapa çdo shkaku ka një tjetër shkak; fundi apo fillimi i të gjithë shkaqeve nuk është gjetur ende.

Megjithatë, një gjë duhet të mos e harrojmë: nuk ka pasojë pa shkak, dhe në krijimin nuk ka mungesë ligjësie.
Nëse nuk do të kisha një besim absolut në harmoninë e krijimit, nuk do të isha përpjekur për tridhjetë vite që ta shprehja në një formulë matematikore. Eshtë vetëm ndërgjegja e njeriut, për atë që bën me mendjen e tij, e cila e lartëson mbi të gjithë kafshët, dhe i mundëson të vetëdijësohet për vetveten dhe për marrëdhënien e tij me universin.

Unë besoj se kam ndjenja fetare kozmike. Nuk do ta rrokja dot asnjëherë se si mund të kënaq këto ndjenja, duke iu falur objekteve të limituar. Pema atje jashtë është jeta, një statujë është e vdekur. Tërësia e natyrës është jeta, dhe jeta ashtu si e shoh unë, e refuzon një Zot që i ngjan njeriut.

Njeriu ka dimensione të pafundme dhe e gjen Zotin në ndërgjegjen e tij. Një fe kozmike nuk ka dogmë, përveç asaj që t’i mësojë njeriut se universi është racional, dhe se fati i tij final është që ta studiojë dhe të bashkëkrijohet me ligjet e tij.
Mua më pëlqen ta eksploroj Universin si një të tërë në harmoni. Çdo qelizë ka jetë. Edhe Materia ka jetë; ajo është energjia në formë solide. Trupat tanë janë si burgje, dhe unë mezi pres të çlirohem, por nuk dua të spekuloj për atë që do të ndodhë me mua.

Unë jetoj këtu tani, dhe përgjegjësia ime është në këtë botë, tani. Unë merrem me ligjet e natyrës. Kjo është puna ime këtu në Tokë.
Bota ka nevojë për impulse të reja morale, që kam frikë se nuk do të vijnë nga kishat, aq rëndshëm të kompromentuara sa kanë qenë ato me kalimin e shekujve.
Ndoshta këto impulse duhet të vijnë nga shkencëtarë në traditën e Galileos, Keplerit dhe Njutonit. Pavarësisht dështimeve dhe persekutimeve, këta njerëz ia kushtuan jetën e tyre vërtetimit se universi është një entitet unik, ku, besoj unë, Zoti i humanizuar nuk ka vend.

Shkencëtari i mirë nuk preket prej fajësimit, ai as nuk predikon. Ai e zbulon universin dhe njerëzit vijnë me dëshirë, pa u shtyrë, për të rrokur një zbulim të ri: rendin, harmoninë, mrekullinë e krijimit!

Dhe teksa njeriu bëhet i vetëdijshëm për ligjet e mrekullueshëm që qeverisin universin në harmoni të përsosur, ai fillon të kuptojë se sa i vogël është. Ai sheh vogëlsinë e ekzistencës njerëzore, me ambiciet dhe intrigat e saj, me kredon: “Unë jam më i mirë se sa ti”.

Ky është fillimi i fesë kozmike brenda tij; miqësia dhe shërbimi ndaj tjetrit bëhen kodi i tij moral. Pa themele të tilla morale, jemi të destinuar të marrim fund.

Nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mundemi ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Konfuci, Buda, Jezusi dhe Gandi kanë bërë më shumë për njerëzimin, se sa shkenca.

Duhet të fillojmë me zemrën e njeriut – me ndërgjegjen e tij – dhe vlerat e ndërgjegjes mund të manifestohen vetëm përmes shërbimit pa egoizëm ndaj njerëzimit.

Feja dhe shkenca shkojnë bashkë. Siç e kam thënë më parë, shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër. Ato janë të ndërvarura dhe kanë një objektiv të përbashkët – kërkimin e të vërtetës.

Kështu që, është absurde për fenë që të ndalojë Galileon apo Darvinin, apo shkencëtarë të tjerë. Dhe është njësoj absurde që shkencëtarët të thonë se nuk ka Zot. Shkencëtari i vërtetë beson, gjë që nuk do të thotë se ai duhet t’i përkasë një kredoje.

Pa fenë nuk ka bamirësi. Shpirti që na është dhënë vihet në lëvizje po prej asaj fryme që lëviz universin.
Unë nuk jam një mistik. Përpjekja për të gjetur ligjet e natyrës nuk ka aspak të bëjë me misticizmin, ndonëse përballë krijimit ndihem shumë i përulur. Eshtë sikur një shpirt të manifestohet shumë më superior se sa shpirti i njeriut. Përmes përpjekjeve të mia në shkencë, kam njohur ndjenjat e fesë kozmike. Por nuk më bëhet vonë nëse më quajnë mistik.

Unë besoj se ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për atë që ndodh pas kësaj jete, sa kohë që bëjmë detyrën tonë këtu – të duam dhe të shërbejmë.

Unë kam besim tek universi, sepse ai është racional. Ligjet qëndrojnë në themel të çdo ngjarjeje. Dhe unë kam besim tek qëllimi im këtu mbi Tokë. Kam besim tek intuita ime, gjuha e ndërgjegjes sime, por nuk kam besim tek spekulimet për Ferrin apo Parajsën. Dua të merrem me këtë kohë – këtu dhe tani. Shumëkush mendon se progresi i racës njerëzore bazohet në eksperiencat e një natyre empirike e kritike, por unë them se dija e vërtetë përftohet vetëm përmes një filozofi të deduktimit. Sepse është intuita që e përmirëson botën, jo thjeshtë ndjekja verbërisht e një shtegu të mendimit.

Intuita na bën të shohim në fakte pa lidhje mes tyre dhe më pas të mendojmë për ta, deri kur të gjithë të sillen nën një ligj. Të kërkosh fakte që lidhen mes tyre do të thotë të mbahesh pas asaj që ke, në vend që të kërkosh fakte të reja. Intuita është mëma e dijeve të reja, ndërkohë që empiricizmi nuk është asgjë tjetër, veçse akumulimi i dijeve të vjetra. Intuita, jo intelekti, është “porta magjike” e vetes tënde. Në të vërtetë, nuk është intelekti, por intuita që çon përpara njerëzimin. Intuita i thotë njeriut qëllimin e tij në jetë.

Unë nuk kam nevojë për ndonjë premtim për përjetësinë, që të jem i lumtur. Përjetësia ime është tani. Kam vetëm një interes: të përmbush qëllimin tim këtu ku jam.
Ky qëllim nuk më është dhënë nga prindërit apo rrethanat. Ai më është ngulitur nga disa faktorë të panjohur. Këta faktorë më bëjnë mua një pjesë të përjetësisë. /bota.al

30 shprehje frymëzuese nga Charlie Chaplin

0

Sir Charles Spencer Chaplin (Lindur në 16 prill 1889 në Ualuorth, Londër, ndarë nga jeta në 25 dhjetor, 1977 në  Corsier-sur-Vevey, Zvicër) ishte një regjisor, kompozitor dhe aktor komik i famshëm.

Disa fakte të shkurtër për Charlie Chaplinin:

  1. Babai i tij ishte një vokalist me shumë dhunti dhe aktor.
  2. Nëna e tij ishte aktore dhe këngëtare.
  3. Babai i vdiq kur Charlie ishte 10 vjeç, për shkak të problemeve me alkoolin.
  4. Nëna u shtria në një spital psikiatrik.
  5. Fëmijëria e tij ishte tragjike, u rrit mes varfërisë dhe lagjeve të rrënuara.
  6. Nisi të nxjerë fitime që në moshën 8 vjeç.
  7. Debutimin e parë profesionist e pati në grupin e të rinjve “Tetë djemtë e Lancashire”.
  8. ishte i pari aktor që doli në kopertinën e revistës “Time”.

Ja çfarë mund të mësojmë prej jetës së Charlie Chaplinit.

  1. Qasja pozitive: Nuk ka rëndësi nëse ke burimet e duhura apo jo, nëse ke kurajon dhe talentin e duhur, sigurisht që mund të bësh dallimin. Siç ka thënë Chaplini, “Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet”.
  2. Buzëqesh shpesh: Jeta mund të të hedhë një mijë telashe, por është gjithmonë zgjedhja jote që të jesh i lumtur. E qeshura është kura për çdo situatë të vështirë. Siç ka thënë Chaplini, e qeshura është zbutësi i dhimbjes.
  3. Dështimet janë shanse: Ata që përpiqen të bëjnë diçka të re, përballen me situatat më të çuditshme në jetë. Dështimi është i parëndësishëm, thoshte Chaplini. Duhet kurajo.

Ja 30 thënie tejet frymëzuese nga Charlie Chaplin:

  1. Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.
  2. Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.
  3. Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!
  4. Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.
  5. Një lavir, një xhentëllmen, një poet, një ëndërrimtar, një vetmitar, gjithmonë shpresojnë për romancë dhe për aventurë.
  6. Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.
  7. Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.
  8. Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.
  9. Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.
  10. Unë jam për njerëzit. Nuk kam ç’i bëj.
  11. Në fund, çdo gjë është një shaka.
  12. Imagjinata nuk është asgjë, pa veprimin.
  13. Dhimbja ime mund të jetë arsyeja për të qeshurën e dikujt. Por e qeshura ime nuk duhet të jetë kurrë arsyeja për dhimbjen e dikujt.
  14. Të ndihmosh një mik në nevojë është e kollajtë, por t’i japësh atij kohën tënde nuk është gjithmonë e favorshme.
  15. Më mirë të vdesim, se sa të vazhdojmë të jetojmë kështu.
  16. Gjëja më e trishtë që mund të imagjinoj, është që të mësohem me luksin.
  17. Nuk do ta gjesh asnjëherë ylberin, nëse sheh poshtë.
  18. Unë mbetem një gjë, dhe vetëm një gjë, dhe kjo është një klloun. Më vendos në një avion shumë më të lartë, se sa çdo politikan.
  19. Nuk kam nevojë për drogëra për të qenë një gjeni, mos mendoni se një gjeni është njerëzor. Por unë kam nevojë për buzëqeshjen tuaj, që të jem i lumtur.
  20. Fjalët nuk kushtojnë. Gjëja më e madhe që mund të thuash është “elefant”.
  21. Ne të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të tilla janë qeniet njerëzore. Ne duam të jetojmë me lumturinë e njëri-tjetrit, jo me mjerimin e njëri-tjetrit.
  22. Mbaj mend, gjithmonë mund të përkulesh dhe të mos kapësh në tokë asgjë.
  23. Jeta është tragjedi kur e sheh nga shumë afër, por kur e sheh nga larg, është një komedi.
  24. Pushteti të duhet vetëm kur duhet të bësh diçka të dëmshme, përndryshe Dashuria mjafton për të bërë çdo gjë.
  25. Dështimi është i parëndësishëm. Duhet kurajë për t’u shfaqur si budalla.
  26. Për çfarë të duhet një kuptim? Jeta është një dëshirë, jo një kuptim.
  27. Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.
  28. Jeta do të ishte e mrekullueshme nëse njerëzit do të mund të të linin rehat.
  29. Aktorët kërkojnë refuzimin. Nëse nuk e marrin, ata refuzojnë vetveten.
  30. E qeshura është zbutësi i dhumbjes. /bota.al

Ja si ndodhi rrahja në ndërtesën e Komunës së Suharekës

0

Sot gjatë ditës brenda në ndërtesën e komunës së Suharekës ka pasur një përleshje fizike, e cila ka ndodhur në mes të dy drejtuesve të firmave të autobusëve që dërgojnë nxënësit e shkollave të mesme në ekskursion në Shqipëri.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka dhënë detaje në lidhje me këtë përleshje e cila ka ndodhur sot.

Ai për lajmi.net ka thënë se deri te përleshja ka ardhur gjatë kohës sa në ndërtesën e Komunës po mbahej mbledhja ku po diskutoheshin ofertuesit për dërgimin e nxënësve në Shqipëri.

“Në ndërtesën e Komunës sot ka pasur një mbledhje ku janë diskutuar ofertat e kompanive të transportuese për dërgimin e nxënsve në ekskursionin në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe dy nga drejtuesit e kompanive kanë pasur një ngatrresë e cila ka kaluar në përleshje fizike” është shprehur Berisha.

Ai ka konfirmuar se nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar, por që dy të dyshuarit janë në arrest.

“Nga rrahja nuk ka të lënduar, kurse të dyshuarit kanë mbetur në mbajtje për t’i kryer procedurat e caktuara të arrestit”, ka thënë Hazir Berisha për lajmi.net.

Përleshja ka ndodhur sot gjatë ditës.

Shqipëria humbë kundër Bosnjës

0

Kombëtarja shqiptare në futboll, ka pësuar disfatën e radhës kundër Bosnjë dhe Hercegovinës, me rezultat 1-2, të martën mbrëma në “Elbasan Arena”.

Kuqezinjtë pësuan humbjen e katërt radhazi, dhe duke se tashmë ekipi shqiptar është futur seriozisht në krize të rezultateve, raporton KosovaPress.Skuadra mike u tregua më e mirë në pjesën e parë, duke shënuar dy gola.

Fillimisht Edin Dzeko (7’) shënoi nga pika e bardhë, derisa Lulic (43’) dyfishoi avantazhin e Bosnjës në 0-2, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim. Në fraksionin e dytë të ndeshjes, futbollistët e Shqipërisë bën preson më të madh, duke kërkuar rrugën e golit të cilin e gjetën përmes Bekim Balajt (68’).

Por, kjo ishte e tera që bëri ekipi shqiptare, edhe pse vazhdimisht e kërkoi golin e barazimit deri në fund të ndeshjes, por tentimet e tyre ishin të kota, sepse më gol nuk kishte, kështu që Bosnja del fituese nga “Elbasan Arena”.

“DokuFesti” në vit sjell 4.7 milionë euro, Prizreni sivjet i ndau vetëm 10 mijë euro

0

Ndikimi vjetor i festivalit ‘DokuFest’ në ekonominë e vendit vlerësohet të jetë mbi 4.7 milionë euro, raporton KTV.

Përkundër kësaj, komuna që udhëhiqet nga PDK-ja nuk po e vlerëson aq shumë këtë festival.

Kjo komunë ka ulur buxhetin këtë vit për ‘DokuFestin’, duke ndarë vetëm 10 mijë euro.

Drejtues të këtij festivali thonë se me zvogëlimin e përkrahjes nga komuna, zhgënjimi i tyre po vazhdon të rritet çdo vit.
Edhe drejtues të organizatave tjera joqeveritare thonë se Komuna e Prizrenit përqindjen më të vogël të buxhetit e ndan për kulturë.

Zyrtarë të komunës thonë se përveç mbështetjes me 10 mijë euro, ‘DokuFesti’ do të përkrahet edhe në forma tjera. Ndërkaq, shuma që komuna ka ndarë për financimin e festivaleve është 23.500 euro, ku përfshihen organizimi i festivalit ‘Hasi Jehon’, ‘Ngom Fest’, ‘Takimet e Gjeçovit’ dhe shumë organizime të tjera kulturore.

 

Goditet me motoçikletë polici në Prizren

0

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti duke mos respektuar urdhrin e zyrtarit policor për t’u ndalur, me motoçikletë godet zyrtarin policor –viktimën mashkull, me ç’rast i shkakton lëndime trupore.

Viktima sipas policisë, dërgohet për tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Opozita në Prizren konteston përshkrimin e disa pozicioneve të prokurimit

0

Shqyrtimi i Planit të Punës së Zyrës së Prokurimit për vitin 2017 në Kuvendin e Komunës së Prizrenit është bërë shkas që këshilltarët të adresojnë kritika rreth pozicioneve të planifikuara në këtë dokument.

Madje kanë konsideruar se ka edhe projekte që ngjallin dyshime, për shkak se vlerat e tyre janë të larta, derisa përshkrimet janë të shkurtra dhe të formuluara në mënyrë të përgjithshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në seancën e fundit të KK-së edhe këshilltari i NISMA-s, Skënder Susuri, ka kritikuar përmbajtjen e Planit të Punës së Zyrës së Prokurimit për 2017, duke konsideruar se planifikimi i prokurimit për projektet si mirëmbajtja e rrugëve, furnizimi me zhavorr, pastaj blerja e një kamioni special, politikat rinore dhe menaxhimi i mbeturinave nuk ofrojnë hollësi as për këshilltarët e as për publikun, ani pse për prokurimin e tyre janë planifikuar mjete të konsiderueshme. Njëherësh ka kërkuar që Zyra e Prokurimit të prezantojë raportin e punës për 2016.

E Drita Millaku (Vetëvendosje) ka theksuar se nuk përmbushen as 80 për qind të planifikimeve në kuadër të këtij dokumenti.

Këshilltari i PDK-së, Alush Shala, ndonëse është pjesë e subjekteve që përbëjnë koalicionin qeverisës, ka shprehur kritikën që investimet e caktuara nuk janë precizuar dhe ka kërkuar sqarime për to.

Plani i Prokurimit i Komunës së Prizrenit për vitin 2017 parasheh që për kontratat për furnizim të shpenzohen 1.95 milion euro, për kontratat për shërbime afro 4.32 milionë dhe për kontratat për punë afro 9.23 milionë euro, apo në total 15.5 milionë sosh..