24.7 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 5577

Buffon bën shqiponjën

0

Gianluigi Buffon është i adhuruar ndër shqiptarë, pasi ai është një nga portierët më të mirë në histori të futbollit – nëse jo më i miri – por, tani shqiptarët do ta kenë edhe një arsye më tepër për ta dashur italianin.

Ai, bashkë me komentatorin shqiptar të futbollit, Dritan Shakohoxha, ka bërë shqiponjën me duar – simbolin unfikues të shqiptarëve dhe veprim që futbollistët shqiptarë e bëjnë gjithandej nëpër botë.

Buffon ishte i pamposhtur mbrëmë dhe nuk lejojë lojtarët e Shqipërisë që t’ia tundin rrjetën, ndaj dhe Italia nxori rezultat pozitiv kundër kuqezinjve duke fituar 2-0.

Nesër bëhet ndërrimi i orës

0

Prej ditës së shtunë drejt së dielës me zhvendosje të akrepave të orës për një orë përpara, respektivisht prej orës 2 në orën 3 pas mesnate, fillon llogaritja verore e kohës.

Kalimi i llogaritjes prej dimërore në verore të kohës është vendosur me arsye se “vazhdohet” dita, mundësohet kursim i energjisë elektrike, rritet produktiviteti i fuqisë punëtore, përmirësohet adaptimi i njerëzve dhe dita punuese bëhet më efikase.

Që prej vitit 1981 u vendos ligji që përfshin tërë Evropën në të gjitha shtetet e saj. Norma evropiane përcakton në mënyre të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ajo shkon 1 orë pas. Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të muajit marsit dhe të dielën e fundit të tetorit.

 

Veseli: Do e bëjmë Ushtrinë

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar në Konventën e VIII të Partisë Demokratike të Kosovë se ai beson në shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit, ndërsa ka premtuar edhe se Kosova do ta formojë ushtrinë, pa i prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

“Kosova është dhe do të mbetet, një vend i shpresës për të gjithë. Shtet dhe shoqëri e mundësive të barabarta për qytetarët e saj. Para nesh ndodhen shumë sfida, të politikës së jashtme e të brendshme, por unë kam besim të plotë tek njerëzit e Kosovës. Kam besim të plotë në shtetin e Kosovës, në të ardhmen e tij të sigurt euro-atlantike”, tha Veseli.

“Të tjerët le të merren me dilema, por ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës”.

Ai u shpreh optimist se me besimin e palëkundur në forcën e popullit Kosova do t’ia del edhe sfidës së zhvillimit dhe fuqizimit të shtetit.

“Ne e çliruam Kosovën, sepse e donim lirinë më shumë se jetën tonë. Mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia e përjetshme e kësaj atdhedashurie të pashembullt. Ne do ta bëjmë Kosovën shtet të zhvilluar e të begatshëm, sepse ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve të mrekullueshëm të kësaj toke të bekuar”, tha kryetari Veseli.

Hoxhaj pranon zyrtarisht notën e njohjes nga Bangladeshi

0

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka konfirmuar njohjen e Pavarësisë së vendit tonë nga ana e Bangladeshit më 27 shkurt 2017, ndërsa sot ka marrë notën origjinale të njohjes nga Bangladeshi.

“Kjo është nota origjinale e njohjes nga Bangladeshi e cila i është dorëzuar misionit tonë diplomatik në Washington. Nga dje është vendosur në arkivin e Ministrisë së Jashtme me 113 letrat tjera të njohjeve”, ka shkruar kryediplomati kosovar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Notën origjinale e ka pranuar edhe kryeministri Isa Mustafa në formë elektronike.

Bob Dylan, ky fans i madh i Amy Winehouse

0

Në pritje të daljes së “Triplicate”, albumit të ri, Bob Dylan ka dhënë një intervistë ekskluzive. Në një dialog të gjatë me shkrimtarin Bill Flanagan , të publikuar në sitin e tij, kantautori ka thënë se ka qenë fans i Amy Winehouse, duke e konsideruar atë si “artisten e fundit me një stil individual”.

Bob Dylan rrëfeu për gjithçka, duke nisur nga fëmijëria në Minnesota.

“Kam lindur në Duluth, qytet industrial, ku kishte porte anijesh, hekurudha. Kishte shpesh borë, marinarë, furtuna. Nëna ime tregon për ushqim me racione, elektricitet të ndërprerë, mungesë ngrohjeje. Ishte një vend me errësirë, edhe në mes të ditës, kemi jetuar deri sa u bëra 5 vjeç, deri sa mbaroi lufta”, shprehet Dylan.

Artisti ka nënvizuar se si sot ndihet më i vetmuar. “Kam humbur miq të vjetër”, konfirmon Dylan, duke nisur nga i madhi Muhammad Ali, tek Leonard Cohen, Leon Russell dhe Merle Haggard, “Ishim si vëllezër, të gjithë kemi përshkuar të njëjtën rrugë dhe të gjithë kanë lënë hapësira të pabesueshme boshe brenda meje. Ndihem vetëm pa ta”.

Ka treguar se ka edhe një fans sekret , Frank Sinatra. “Frank njihte ‘The Times They Are a-Changin’ dhe ‘Blowin’ in The Wind’. I pëlqente ‘Forever Young’, ma thoshte ai vetë. Një mbrëmje në terracën e tij më tha “Ti dhe unë kemi sytë bojëqielli dhe vijmë prej atje. Dhe tregonte yjet. Mendoja se kishte të drejtë”, tregon fituesi i Nobelit për letërsinë shkruan ATSH.

Fjalë prekëse rezervuar për atë që për disa vite, në vitet e para të ’60 u konsiderua si “shpirti binjak”, Joan Baez: “Zëri i saj ishte si i një sirenë afër ndonjë ishulli grek”.

“Triplicate” mbledh në tre CD 30 këngë standarde amerikane që datojnë në vitet ’20-’40. Secila nga tre CD është e përbërë nga 10 këngë dhe një gjatësi prej 32 minutash, për këtë veçori Dylan thotë se “është numri i plotësimit . Është numri me fat dhe numri i dritës. / KultPlus.com 

Hasan Prishtina më 1909: Shqiptarët e Kosovës mund të formojnë ushtri

0

Hasan Prishtina do të revoltohej keq ndaj ministrit të Brendshëm të Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlorës, i cili në qershorin e vitit 1909 në Parlamentin Osman do ta arsyetonte dhunën ndaj shqiptarëve dhe shtypjen e kryengritjes.

Do të reagonte edhe në parlament po nuk u ndal me kaq. Në gazetën “Tanin” të Stambollit do të botonte një artikull, me të cilin, siç shkruante, donte t’i bënte me dije “disa të vërteta që kanë të bëjnë me shqiptarët” duke trajtuar procesin e papërfunduar të reformave në Shqipëri dhe se ato nuk bëhen me “dyfekë e topa, porse vetëm me dije të përgjithshme, drejtësi dhe kulturë.”

Hasan Prishtina reagoi ashpër për mosnjohjen e kontributit të shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Por mbi të gjitha ua bënte me dije që shqiptarët në Vilajetin e Kosovës mund të formojnë një ushtri.

18 vjet nga masakrat në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë

0

Në 18-vjetorin e rënies janë përkujtuar sot dëshmorët dhe martirët e rënë në fshatrat Fortesë, Celinë dhe Brestoc të Komunës së Rahovecit, në tubimet përkujtimore ka marrë pjesë Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi me bashkëpunëtor dhe familjar të të rënëve.

Nga një fjalë rasti në tubimet e organizuara në fshatrat Fortesë dhe Celinë mbajti edhe Kryetari Vehapi, i cili ka thënë se para 18-të viteve, kishin filluar masakrat e papara në fshatrat e Anadrinisë. Këto masakra vetëm i kishte paralajmëruar krimineli Millosheviç. Këtë tërbim ai e kishte sepse ai e shihte kapitullimin e tij. Ne si popull kemi vuajtur shumë, mirëpo asnjëherë nuk jemi dorëzuar para armiqve edhe pse të kaluarën nuk kemi pasur shumë miq. Ju thërras edhe tani mos të dorëzohemi, të punojmë bashkë pa dallim.

Në tubimet e mbajtura, kanë folur edhe Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovec dhe Selajdin Zhuniqi nga fshati Fortesë dhe kryetari i fshatit Celinë.

Kryetari Vehapi dhe stafi i tij, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta lulesh edhe tek pllaka përkujtimore në fshatin Brestoc.

Kleofina Pnishi, aktorja dhe modelja shqiptare që po shënon suksese

0

Aktorja dhe modele shqiptare, Kleofina Pnishi, që po shkëlqen me talentin e saj në Francë, ishte e ftuar në programin e mëngjesit në RTK, e cila shpalosi të arriturat e saj në fushën e aktrimit dhe modelimit.

Pnishi, ka luajtur në disa filma në Francë dhe ka fituar edhe një konkurs bukurie.

”Aktrimi ka qenë një endërr e imja që nga fëmijria. Aktrimi dhe modelimi janë profesione ku mund t’i shprehesh emocionet, ndonëse secili profesion kërkon shumë punë dhe angazhim. Por, aktrimi është një profesion që asnjëherë nuk bëhesh monoton, sepse te jepet mundësia të luash role të ndryshme”, ka thënë ajo.

Aktorja dhe modele shqiptare, tha se synon që në të ardhmen ta fitojë çmimin Oskar dhe në këtë mënyrë ta bëjë krenare edhe Kosovën prej nga edhe vjen.

Së fundi ka thënë ajo, është e ftuar në një projekt në Amerikë, film ky që do të publikohet në fund të dhjetorit 2017, derisa në tetor do të jetë për xhrime në Tajland në një film tjetër me produksion amerikan.

Pnishi, e cila jeton në Francë, ka treguar se qysh në moshën 5 vjeçare ka lëshuar Kosovën, në kohën kur është zhvilluar lufta në Kosovë, por që në Kosovë vije shumë shpesh.

Krusha e Madhe, fshati i shpirtrave të djegur

0

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

18 vite më parë, konkretisht më 25, 26, 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.

Për kriminelët serb masakra ishte diçka e zakontë, diçka që sipas tyre duhej të ndodhej vetëm me qëllimin të eliminimit të popullsisë shqiptare në Kosovë. Për ta populli i Kosovës duhej të zhdukej.

Aleanca NATO-UÇK, fatale për Serbinë

0

Ish-eprorët e lartë të UÇK-së kujtojnë 24 marsin e vitit 1999, kur aeroplanët e NATO-s filluan sulmet ajrore ndaj caqeve të ish-ushtrisë jugosllave. Sipas tyre, Aleanca NATO-UÇK ishte fatale për Serbinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Tetëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër caqeve të ushtrisë ish-jugosllave, duke e shënuar kështu fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën.

Fushata ajrore pasoi refuzimin e Beogradit për ta nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambuje të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

E lajmin e shpresës për Kosovën 18 vjet më parë e kishte dhënë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, shkruan “Zëri”.

Ai ndër të tjera në një konferencë të jashtëzakonshme për medie kishte thënë se kriza në Kosovë ka arritur kulminacionin, “nëse nuk veprojmë do të përkeqësohet”. Menjëherë pas asaj deklarate, NATO-ja dhe aleatët filluan bombardimin mbi caqet serbe.

Fushata e bombardimeve të NATO-s zgjati 78 ditë, kur edhe forcat serbe ngritën “flamurin e bardhë”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë mbi 10 mijë qytetarë janë vrarë nga forcat serbe, rreth 1 milion veta u depërtuan nga vendi, ndërsa 5000 shqiptarë llogariteshin si të zhdukur.

Krahas sulmeve të NATO-s nga ajri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) fitonte terren në tokë.

Ish-eprorët e UÇK-së kujtojnë momentin kur nisën sulmet e NATO-s, të cilat vinin pas një lufte njëvjeçare të tyre me forcat serbe. /Zëri/