19.7 C
Prizren
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
Home Blog Page 5578

Celina: Nuk e merituam fitoren

0

Sulmuesi i Kosovës, Bersant Celina insiston se Kosova nuk e ka merituar fitoren ndaj Islandës, ndeshje të cilën e humbën 1:2.

“Ne kemi merituar që të shënojmë një gol dhe të barazojmë rezultatin, por jo të fitojmë krejt takimin”, tha Celina pas ndeshjes.

Anton Quni e quan Hashim Thaçin fëmijë të lazdruar (Video)

0

Anton Quni tha se nisma e Presidentit Hashim Thaçi për shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes një ligji e jo përmes ndryshimeve kushtetuese i ngjan një situatë të një fëmiu me prindin, kur fëmija sheh ndonjë armë lodër e dëshiron që prindi t’ia blejë gjithsesi.

Deputeti i LDK-së kritikoi Thaçin për iniciativën e tij, duke e krahasuar këtë me sjelljen e një fëmije. Këto deklarata ai i bëri në Rrokum TV.

“Kjo iniciativë ma kujton ndjenjën e prindit me fëmijën e lazdruar që don me ja ble një armë kur e sheh në një market dhe shkarravitet për me ja ble, ani pse prindi i thotë me pritë deri me të parin kur del rroga”, u shpreh Anton Quni.

Dy këshilltarët që braktisën shefat e tyre për Kadri Veselin

0

Ish-këshilltari i presidentit Thaçi, Adri Nurellari, vetëm pak kohë pasi njoftoi se ka braktisur ekipin e presidencës, i është bashkuar Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Nurellari nuk është i vetmi këshilltar që së fundi është “joshur” nga Veseli, i cili duket se po synon postin e kryeministrit.
Në fillim të muajit mars, Adri Nurellari, tashmë ish-këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi publikisht se e ka braktisur ekipin e presidentit për t’iu rikthyer siç ka thënë ai, në mënyrë të papenguar debateve publike.

“Pra, do përpiqem që të bëj atë që më pëlqen më shumë dhe që mendoj se e bëj më mirë”, ka thënë Nurellari, teksa falënderonte kolegët e tij të Presidencës dhe lavdëronte Thaçin.

“Jam krenar që kam shërbyer për këtë periudhë të gjatë pranë politikanit shqiptar më të suksesshëm, i cili besoj se është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për çështjen kombëtare në historinë bashkëkohore të popullit shqiptar”, shkroi ai në Facebook.

Por, vetëm pak javë më vone, Nurellari tashmë njofton se ka marrë shtetësinë e Kosovës dhe i është bashkuar Kadri Veselit në kabinetin e tij.

Thotë se aspiron që të ketë “një karrierë aktive politike partiake në Kosovë” me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Duke pasur parasysh dimensionin delikat te paanshmërisë së presidencës, e gjykova më të arsyeshme largimin prej aty dhe përfshirjen drejtpërsëdrejti në angazhim partiak. Angazhimi politik partiak është pasioni kryesor imi dhe prandaj i jam bashkuar ekipit te kryetarit Veseli duke u bërë gjithashtu këshilltar në kabinetin e tij”, i ka thënë ai Insajderit.
Në llogarinë e tij në Facebook, Nurellari javëve të fundit ka qenë aktiv duke shpërndarë ngjarje nga aktiviteti politik i Kadri Veselit, i cili së fundi ka filluar një tur dëgjimi me qytetarët e Kosovës.

Veseli, që është kryetar i partisë më të madhe në vend, kohë më parë po ashtu ka prezantuar një platformë qeverisëse, duke treguar kështu qartazi synimin që të marrë drejtimin e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme.

Njohës të çështjeve politike thonë se koalicioni PDK-LDK vështirë se mund të çojë deri në fund mandatin marrë parasysh dështimin për të votuar çështje me rëndësi në Kuvendin e Kosovës, siç është marrëveshja e demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

Në këtë kontekst, duket se Kadri Veseli ka filluar të mendojë edhe për bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm.

Kohë më parë, ekipit të tij i është bashkuar edhe Edon Miftari, ish-këshilltar për siguri i kryeministrit Isa Mustafa.

Mediat raportuan në dhjetor të vitit të kaluar se Miftari kishte udhëtuar me Veselin në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Insajderi/

Ramadan Muja injoron përvjetorin e “Gjon Buzukut”

0

Kryetari Ramadan Muja nuk ka marrë pjesë në manifestimin e përvjetorit të 76-të të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren.

Karrigia e rezervuar për Mujën, ka mbetur e zbraztë.

Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha tha se nuk ka informacione për këtë injorim të Mujës.

“Nuk e di. S’kam informacione”, tha shkurt Berisha.

Ndërkaq, burimet e PrizrenPress-it bëjnë të ditur se Muja ka refuzuar të shkojë në Ditën e “Gjon Buzukut”, për shkak përplasjeve që ka pasur me drejtorin e kësaj shkolle Shaip Buduri.

“Muja vazhdimisht ka qen kritik ndaj drejtorit Buduri”,tregon burimi për “PrizrenPress”.

EULEX-i kërkon përfundimin e rastit të Ramadan Mujës

0

Dy raste që pritet të nisin së shpejti, EULEX-i ka kërkuar t’i gjykojë, duke bërë kërkesë për këtë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në rastin e Ramadan Mujës, misioni evropian për sundim të ligjit ka kërkuar që të kryesojë trupin gjykues, ndërsa në Medicus që të kryesojë trupin gjykues, por edhe të jetë shumicë. Këtë për KTV-në e ka konfirmuar KGJK-ja.

Bazuar në këtë ligj, EULEX-i vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të kërkojë që të jetë shumicë në panele gjyqësore që janë raste të reja pas rishikimit të mandatit të tyre. Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ashtu si të akuzuarit e rastit Medicus, janë në pritje të rigjykimeve të tyre.

Avokati i Mujës ka thënë se kjo kërkesë e EULEX-it tregon për qasjen e tyre që e kanë ndaj institucioneve të drejtësisë vendore. Për mbrojtjen e Lutfi Dervishit, i akuzuar në Medicus, kjo nuk përbën problem.

Bazuar në nenin 3 të Ligjit që rregullon mandatin e EULEX-it pas 2014-ës, KGJK-ja duhet të vendosë kur gjykatësit e misionit evropian mund të jenë shumicë në raste që janë të reja

Shkatërrimi i Lidhjes së Prizrenit, përmes fotografive

0

Samir Hoxha

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, mbështetur nga Ministra e Kulturës Rinisë dhe Sporteve me rastin e 18 vjetorit të fillimit të intervenimit të NATO-së mbi agresorin serb në Kosovë, ka bërë hapjen e ekspozitës tematike: “Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Sfida e Marsit 1999”

Projekti në fjalë pasqyron Muzeun Historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe 288 eksponatet që kanë qenë të ekspozuara në Muze deri më 27 mars 1999.

Kjo ekspozitë tematike ka për qëllim ndriçimin e djegies të qëllimtë të Muzeut me të gjitha eksponatet që ndodheshin natën kritike të 27 marsit 1999 si dhe shkatërrimin e shtatoreve që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit të LSHP-së., ku të gjitha këto fakte do t’i paraqiten përmes fotografive me legjendat përkatëse.

Për Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, sot është një ditë e veçantë, sepse me rastin e 18 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, të bëj hapjen e një ekspozitë tematike, përmes së cilës po dëshmojmë një gjenocid të egër mbi vlerat kulturo- historike jo vetëm të Kosovës por të mbarë trojeve shqiptare.

Përmes fotografive të kësaj ekspozite, do të ketë mundësi për herë të parë opinioni mbarë shqiptarë të shoh se si në mënyrë sistematike kishte përjetuar dhunë Kompleksi i Lidhjes, që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, kur pikërisht në këtë kompleks do të sillen refugjatë serbë nga Kroacia me qëllim që të shkatërrohet çdo gjë shqiptare, pastaj do të vidhen e plaçkitën eksponatet unikate të Lidhjes, të cilat plaçkitje ishin mirë të orkestruara nga pushteti okupues serb.

Por, kulmin e dhunës ky kompleks do ta përjetoi në natën e 27 marsit të vitit 1999, kur pas urdhrit të prerë të kryetarit të atëhershëm të Komunës së Prizrenit do të sulmohet me predha shtëpia e lidhjes, përkatësisht do t’i vihet flaka në ora 23:00 dhe të nesërmen do të përpiqen që ta dezinformojnë opinionin e gjerë se gjoja shkatërrimi i shtëpisë së Lidhjes u bë nga sulmet e NATO-së, por përmes kësaj ekspozite siç do të shihet do të dalin në shesh të gjitha këto kamuflime..

Kriminelët serbë, nuk u ndalën vetëm me kaq ata pasi dogjën shtëpinë e lidhjes, rrafshuan, në vend të ndërtesës mbollën therra, për ta denigruar edhe më shumë rolin dhe rëndësinë historike të këtij kompleksi

Sot në kuadër të OKB-së në fushën e të drejtës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si organ i spacializuar vepron UNESCO. Programi i kësaj organizate është formuluar shumë qartë në parathënien e Konventës së Parisit të vitit 1972. Pika e parë e këtij programi shënon se zhdukja apo dëmtimi i vlerave që i përkasin trashëgimisë kulturore ( këtu përfshihen edhe muzetë) përbën një akt shkatrrimi për të gjithë trashëgiminë botërore.

Një vend të rëndësishëm në rekomandimet e UNESCO-s zënë edhe problemet e kthimit të artefakteve apo dokumenteve në vendet, që në ta kaluarën ndodheshin në pushtimin ose adminitrimin e huaj.

Në të gjitha aktet ndërkombëtare egziston koncepti se “ domunetet historike duhet ti përkasin asaj toke e cila e pa se si lindën”

Luftrat dhe kolonizimet kanë shkaktuar shkelje të rënda të të drejtave individuale dhe kolektive që janë përsëritur me vjet: gjenocidet, vrasjet, torturat dhe diskriminimet e të gjitha llojeve përfshir këtu edhe shkatërrimin e të kaluarës kulturo – hisotrike.

Kur këto krime kanë pushuar, fillon periudha e pastrimeve dhe riparimeve të pabëra që i ka bërë njeriu. Prandaj me të drejtë duhet të shtrohet çështja e dënimit të atyre që i kanë shkaktuar këto krime.

Madje pikërisht përmes këtyre fotografive që sot po ekspozohen , egziston bazë e mjaftueshme edhe për ngritjen e padisë ndaj personave që kryen këtë vepër makabër mbi trashëgiminë e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare.

18-vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe

0

Jusuf BYTYÇI
Pikërisht 18 vjet më parë, mbi territorin e Kosovës, nisën sulmet ajrore të Forcave aleate të NATO-s ndaj caqeve dhe obektivave serbe. Ky veprim, që ndodhi në kuadër të shënimit të përvjetorit të 50-të krijimit të kësaj aleance, ishte shpresa madhore, pothuaj e vetme e shpëtimit të popullit shqiptar nga zbrazja e vatrave tona!

Krahas veprimit intensiv goxha të gjatë politik të lidershipit të Kosovës që shumë vite më parë kishte paralajmëruar rrezikun që Serbia okupatore po i kanoste Kosovës dhe popullit shqiptar, si shumicë, u desht domosdoshmërisht edhe rezistenca e armatosur e UÇK-së, për më tepër se një vit luftë. Mirëpo, u desht domosdorisht edhe ndërhyrja e forcës më të madhe ushtarake në Botë-NATO-s, që të ndalë gjenocidin serb të Serbisë Milosheviqiane, ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.
E, populli shqiptar, i organizuar përmes luftëtarëve të UÇK-së, nuk ndalnin përpjekjet për arritjen e lirisë kudo e në të gjitha frontet e luftës. Shqiptarët të vetëdijshëm për gjithë arsenalin e armatimit serbo-sllav, dhe pavarësisht nga çmimi, ishin të gatshëm të sakrifikohen për lirinë dhe Pavarësinë e tyre.

I madh e i vogël në pritje të ndriçimi të hapësirës qiellore

Të vetëdijshëm për forca të pabarabarta në aspektin e armatimit, shqiptarët, Dr. Ibrahim Rugova, i zgjedhur dy herë president i Republikës së Kosovës me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve, si dhe bashkëpunëtorët kanë kërkuar nga personalitetet më të rëndësishme të Botës Demokratike, SHBA-ve dhe Evropës, që të pengojnë veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Populli i Kosovës me vullnetin e shprehur edhe në referendum gjithëpopullor 1991, po kërkonte mëvetësi nga Serbia. Kosova e Pavarur, ishte opsioni kryesor dhe i panegociueshëm i liderit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në të gjitha takimet me liderët-presidentët e SHBA-ve, më parë Gjorgj Bushin e parë e më pas Bill Klintonin, si dhe me liderët e shteteve më të fuqishme Evropiane.

Qytetarët shqiptarë, baballarë, nëna, burra, gra, të rritur, të mitur e fëmijë, 18-vjet më parë, pritnin me sy e veshë, faktet e paralajmërmimeve të liderëve më të fuqishëm të Botës Demokratike, udhëhequr nga SHBA-të, për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve e objektivave të Serbisë e të së ashtuquajturës Jugosllavi, për ndaljen e gjenocidit serb ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë.

Emocione, lotë gëzimi, por edhe dro për kundër veprimin e Serbisë Milosheviqiane

Dhe në fakt, ndodhi 24 Marsi 1999, ndodhi fushata e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-atlantike-NATO-s, kundër caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Ishte vendim i shumë pritur, moment që mezi e prisnin shqiptarët, pa dallim moshe, e më kurreshtarë ishin prindërit tanë, baballarët, nënat, të moshuarit. Të tillë ishin edhe Baba Lushë, axha im, si dhe Baba Malë, babi im. Të dy, që nga orët e vona të pas ditës së 24 Marsit, më shumë qëndronin në oborr, se sa brenda në odë, ku një vit më parë ishte vendosur një pjesë e komandës së Shtabit lokal dhe rajonal të UÇK-së. Në odën e Babës Malë e Axhës Sadik, selia e Shtabit lokal të Shkozës, pos Xhemë G., Mahir H., Isuf G., Gani P., Mensur Z., Bedrush G., Flurim G., Bedri Z., nga Shtabi Rajonal i Drenocit, pastaj ish-komandantit Seferit, Njaziut, Luanit, Ragipit, Safet M.,etj, të emëruar në pozita komanduese, frekuentonin përherë jo vetëm ushtarë të këtyre Shtabeve, por edhe eprorë e përfaqësues të SHP të UÇK-së, disa nga të cilët janë dëshmorë kombi, por edhe heronj të shpallur nga presidentët e Republikës së Kosovës.
“Athua do t’i binë bre babë dhe kur do t’ia nisin me i ra Serbisë”, më pyeste axha Alush, 82 vjeç, (i vrarë e masakruar nga barbarët serbë më 2 prill 1999). Baba Lushë, ishte më i madhi nga katër vëllezërit e tij në lagjen “Mjeku” në Shkozë, të cilin që të gjithë 48 anëtarët e familjes e thirrnim baba Lushë. Gjithnjë më pyeste, çka po thotë gjermani bre babë, e unë ia ktheja, se Gjermaninë e kemi krah të fortë, se ai është mik i Amerikës.
Që të gjithë sa ishim në odën e burrave, më 24 mars, ditë e mërkurë, ditë e thatë e fillim pranverës, dolëm jashtë të shikonim qiellin e kaltër, nëse do të mund t’i shihnim aeroplanët bombardues të NATO-s. Sidomos Baba Lushë, axha im më i madhi, ishte kureshtar nëse luftës sonë të drejtë, pos Amerikës do t’i bashkoheshin edhe shtetet Evropiane, sidomos Gjermania, sepse ai në këtë shtet kishte besim të madh. Po, i thosha, unë, krahas Britanisë, do të jetë Gjermania po se po, por edhe Italia, Franca, Turqia…E në oborr, kishi dalë edhe fëmijët, Arbani, Vlora, Besarta, Pajtimi, Ardiani, Rrezarta…

Amerika, Gjermania, Anglia…NATO-shpëtimi i popullit shqiptar

E mërkura e 24 marsit 1999, ishte ditë e shumë pritshme, ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, kudo që ishin, e sidomos për shqiptarët në Kosovë, ata që për së paku një dekadë, po përballeshin me metodat e ndryshme të dhunës sistematike të aparatit shtetëror serbo-sllav. Natën e 24 Marsit 1999, në mbrëmje pak pas orës 20:00, nisën sulmet kundër caqeve dhe makanizmit luftarak serb. Derisa Baba Lushë e Baba Malë, kishin emocione të përziera, edhe lot gëzimi e fëmijët sikur kremtonin fitoren, unë shkrepja aparatin filmik, për të bërë ndonjë foto nga lartësa e qiellit me shumë dritë.
Momenti i sulmeve të para të NATO-s, solli emocione dhe shpresë për një kthesë historike të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë.
I pritshëm ishte padyshim edhe kundërveprimi i Serbisë. Këtë dro, sikur donin të ma thoshin edhe të dy pleqtë e familjes së Sefer Nuhi Mjekut, Baba Lushë dhe Baba Malë. Droja e baballarëve tanë kudo, ishte e arsyeshme, sepse katër ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, nga Kosova ikën pothuaj që të gjithë misionarët e OSBE-së, ndërsa në Kosovë, paraprakisht patën ndodhur disa masakra të tmerrshme ndaj civilëve.
Kishte të drejtë Baba Lushë, për dronë e kundër veprimit të Milosheviqit ndaj popullatës civile shqiptare. Ai gëzimin e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe, e përjetoi vetëm 7 ditë, pasi atë dhe nunin e tij e tonin nunin Avdullah Uka, i vranë barbarët serb më 2 prill 1999, në malin jo larg fshatit Shkozë. I vranë dhe i masakruan barbarët, sepse Baba Lushë, kishte qëndrim burri e të një trimi me përjetime të shumta, por kurr i thyer. Ai, nuk e deshi ekzodin, ai nuk e pranoi as deportimin me dhunë të popullatës për në Shqipëri, Maqedoni e gjetiu jashtë Kosovës. Axha im, ndonëse kishte kaluar 82 vjet moshë, e donte shumë lirinë, donte ta përjetonte atë dhe Pavarësinë e Kosovës, po aq sa ne me moshë të mesme apo të rinjtë e fëmijët që s’dinin aq si do të ishte Liria e si Pavarësia.
Pra, Lufta e UÇK -së e viteve 1998-1999, sakrifica sublime e komandanti legjendar, Adem Jashari dhe e familjes Jashari, por ndihma e aleatëve, SHBA-ve, britanikëve, gjermanëve, francezëve, italianëve, turqëve etj., nga Evropa, ishte vendimtare që rezultoi me lirinë e popullit të Kosovës.

Fushata ajrore që solli çlirimin e Kosovës, dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave, ka zgjatur hiq më pak se 78 ditë. Ndërhyrja e NATO-s përmes bombardimeve nga ajri dhe shkelja e tokës së Kosovës nga trupat paqeruajtës të KFOR-it, nga 11 qershori 1999, ishte pothuaj i vetmi shpëtim për shqiptarët, kundrejt agresionit fashist serb.
Me këtë rast, uroj që në kuadër të shënimit të përvjetorit të Lirisë, FSK-ja, të shndërrohet në Ushtri e kompetenca adekuate, respektivisht në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).! Kjo, tashmë është domosdoshmëri, qoftë përmes projekt-ligjit, apo ndryshimeve kushtetuese. Kosova, është shtet i pavarur-sovran, dhe më nuk kemi kohë të presim e të mbetemi peng i tekeve, shantazheve dhe dëshirave të sëmura të “të zgjedhurve” të pakicës serbe!

Takim për mobilizim

0

Kryesia e Partisë  Demokratike të  Kosovës(PDK) në Prizren,  ka takuar kryetarët e nëndegëve të saj.

“Takimi kishte karakter informues dhe përgatitor për kongresin e partisë, si dhe pjesëmarrjen e anëtarëve në konventën partiake të së dielës”, njofton PDK në Prizren.

“Kryetarët e nëndegëve shprehen gatishmërinë edhe për organizimin e aktiviteteve nëpër nëndegë me qëllim të mobilizimit të gjithmbarshëm të strukturave partiake, dhe gatishmërinë për t’i informuar anëtarët dhe simpatizantët e nëndegëve për përgatitjen e tyre për zhgjedhje, pasi që viti aktual do të jetë vit zgjedhor”.

Shkolla e Mesme “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec, bëhet me laborator modern

0

Nga sot Shkolla e Mesme “Xhelal Hajda-Toni”, në qytetin e Rahovecit është bërë me pajisje laboratorike moderne për lëndët e Biologjisë, Kimisë dhe Fizikës, pajisjet laboratorike u dhanë dhuratë nga Qendra Rinore “ShL-Kosova”, në Rahovec.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të pajisjeve laboratorike të pranishëm ishin Idriz Vehapi, Kryetar i Komunës së Rahovecit, Vjollca Vuçitërna drejtoreshë e Arsimit, Enis Durguti, drejtor i Qendrës Rinore “ShL-Kosova”, Remzie Cana-Shehu drejtoreshë e Shkollës së Mesme “Xhelal Hajda-Toni” dhe mësimdhënës të shkollës.

Për dhurimin e pajisjeve laboratorike Kryetari Vehapi, e falënderoi drejtorin Durguti për vullnetin dhe gatishmërinë që ka treguar për ti dhuruar Shkollës pajisje laboratorike të cilat janë të rëndësishme për të arritur suksese nxënësit e kësaj shkolle me shumë se sa në të kaluarën dhe të dalin kuadro që t’i ndihmojnë Komunës së Rahovecit dhe shtetit të Kosovës.

Edhe drejtoresha e Shkollës së Mesme “Xhelal Hajda-Toni, Remzie Cana-Shehu falënderoi drejtorin Durguti për dhurimin e pajisjeve laboratorike për lëndët Kimi, Fizik dhe Biologji, këto pajisje me së shumti do të përfitojnë nxënësit gjatë përdorimit të tyre, pasi që deri më tani të tilla pajisje i kanë munguar shkollës sonë. Drejtoresha Cana-Shehu u shpreh e gatshme që të vazhdohet bashkëpunimi edhe në të ardhmen me Qendrën Rinore “ShL-Kosova”.

Enis Durguti, drejtor i Qendrës Rinore “ShL-Kosova”, pajisjet laboratorike kanë qenë donacion për Qendrën Rinore nga Gjermania , të cilët i kemi donator kryesor të Qendrës dhe pas bisedave me drejtoreshën e Shkollës së Mesme “Xhelal Hajda-Toni”, ne si qendër kemi vendos që këto pajisje ti dhurojmë kësaj shkolle. Sigurisht që me këto pajisje laboratorike, puna do të jetë me efektive duke i pasur këto pajisje në objektin e shkollës dhe shpresoj që ky nuk do të jetë hapi i parë dhe i fundit por sigurisht që do të bashkëpunojmë edhe më tutje.

Begaj: Do t’i përkrahim organizimet sportive në shkolla

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i arsimit Avdi Morina dhe drejtoresha për sport, Blerta Krasniqi, kanë pritur sot në një takim pune, kryetarin e Federatës së Sportit Shkollorë të Kosovës, Adrian Telaku dhe udhëheqësin e dvizionit të sportit shkollor të kësaj federate, Fikret Shatrin, me të cilët kanë biseduar për organizimin e garave sportive shkollore në Komunën e Malishevës. Me këtë rast, kryetari Begaj, ka premtuar përkrahjen e komunës, për organizimin e këtyre garave.

“Ne si komunë, mundohemi ti përkrahim këto aktivitete, brenda mundësive buxhetore të komunës, sikur edhe aktivitetet tjera sportive, si dhe investimet në sportin e Malishevës, me qëllim të zhvillimit të sportit dhe edukimit të të rinjve. Dëshiroj të kemi bashkëpunim të mirë me federatën tuaj, në të mirë të zhvillimit të sportit shkollorë”, ka thënë Begaj, duke premtuar vazhdimin e përkrahjes së komunës, në organizimin e këtyre garave.

Drejtori i arsimit, Avdi Morina, tha se “drejtoria që drejton, do të përkrahë këto aktivitete sportive, të cilat janë edhe edukative dhe i mbajnë të rinjtë larg dukurive negative”. Edhe drejtoresha e sportit, Blerta Krasniqi, tha se “ do ta kenë në dispozicion tërë infrastrukturën sportive në Malishevë, për organizimin e këtyre aktiviteteve”. “Në tri vitet e fundit, i kemi përkrahur këto aktivitete sportive, prej ku edhe kanë dalë talent në sportet e ndryshme, dhe jemi shumë të kënaqur me sukseset e treguara nga nxënësit dhe shkollat tona”, tha drejtoresha Krasniqi.

Se nga organizimi i këtyre garave, kanë dalë talent nga Komuna e Malishevës, e ka konfirmuar edhe vet kryetari i kësaj federate, Adrian Telaku. “Malisheva gjithmonë i ka përkrahur këto gara, dhe rezultatet kanë qenë të mira, pasi kanë shumë talent, të cilët përfaqësojnë denjësisht klubet ku janë angazhuar”, tha Telaku.

Ndërsa, Fikret Shatri, ka sqaruar mënyrën e organizimit të këtyre garave, ku sipas tij, garat në nivelin komunal, duhet të përkrahen nga vet komunat, kurse ato në niveleve regjionale dhe nivelit shtetërorë, organizohen dhe mbulohen nga federata.