28.5 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 5576

PDK: Prej tash jemi të gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme

0

Partia Demokratike e Kosovës ka miratuar një deklaratë politike në Konventën e tetë, përmes së cilës kanë rikonfirmuar qëndrimin se janë të gatshëm për zgjedhje parlamentare, kurdo që ato mbahen.

“PDK është e përgatitur për zgjedhjet lokale dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me degët do të nominojë kandidatët më të mirë dhe më profesionalë, të cilët do të dalin fitues në shumicën e komunave të Kosovës. PDK është e gatshme për zgjedhjet parlamentare, qoftë në afatin e rregullt, por edhe më herët, nëse për këtë ka dakordim nga i gjithë spektri politik”, thuhet në pikat 5 dhe 6 të deklaratës.Më poshtë deklarata e plotë politike e Konventës së tetë të PDK-së.1. PDK i jep mbështetje dhe besim të plotë Kryetarit të saj, Kadri Veselit, dhe strukturave drejtuese të partisë, në avancimin e proceseve që fuqizojnë shtetin dhe forcojnë besimin në institucionet e vendit.

2. PDK e vlerëson të rëndësishëm komunikimin e lidershipit të PDK-së me qytetarët e vendit, dëgjimin e shqetësimeve, preokupimeve dhe propozimeve të tyre te vlefshme, të cilat do të inkorporohen në platformën dhe vizionin e PDK-së për të ardhmen e vendit.
3. PDK mirëpret ardhjen e kuadrove dhe profesionistëve të dëshmuar dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen vizionit të PDK-së dhe sjellin një konkurrencë cilësore dhe vlerë të shtuar demokratike.
4. PDK mbështet vizionin e lidershipit për përfaqësim dinjitoz dhe të barabartë të femrës në strukturat vendimmarrëse të partisë, por edhe në institucionet e vendit.

5. PDK është e përgatitur për zgjedhjet lokale dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me degët do të nominojë kandidatët më të mirë dhe më profesionalë, të cilët do të dalin fitues në shumicën e komunave të Kosovës.

6. PDK është e gatshme për zgjedhjet parlamentare, qoftë në afatin e rregullt, por edhe më herët, nëse për këtë ka dakordim nga i gjithë spektri politik.
7. PDK i jep mbështetje Qeverisë dhe institucioneve tjera të vendit në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.
8. PDK i jep mbështetjen e plotë Presidentit të vendit, Hashim Thaçit, në angazhimin e tij për fuqizimin të rolit dhe misionit të ri të FSK-së, edhe përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në, dhe e sheh këtë si një hap të domosdoshëm, i cili i hap rrugë ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme të sigurisë, sipas standardeve të NATO-s dhe e shpejton rrugën e integrimit të Kosovës në NATO-s.

PDK e vlerëson se formimi i ushtrisë se Republikës se Kosovës është një hap i domosdoshëm dhe në përputhje të plotë me procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, i cili është bërë me mbështetjen dhe miratimin e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-ve.
9. PDK i inkurajon përfaqësuesit e serbëve në Kosovë që të bëhen pjesë konstruktive të këtij procesi dhe të gjitha proceseve me rëndësi për vendin dhe jetën e qytetarëve. Instrumentalizimi i tyre nga Beogradi dhe bojkotimi i institucioneve, mbi të gjitha, është në dëm të interesave të qytetarëve serbë të Kosovës.
10. PDK shpreh përkushtimin e saj për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

11. PDK kërkon nga institucionet që t’i kryejnë obligimet e tyre në raport me procesin e liberalizimit të vizave dhe sa më shpejt t’u mundësohet qytetarëve lëvizja e lirë.

12. PDK shpreh vullnetin e saj që për çështjen e demarkacionit dhe çështje tjera të interesit nacional të punohet bashkërisht që të arrihet një konsensus institucional dhe të kontribuohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje e cila është më shumë se e një partie politike. Ne duhet të tregojmë që jemi të gatshëm të marrim vendime të drejta, demokratike, që mbrojnë interesin nacional, respektojnë fqinjësinë e mirë dhe ruajnë partneritetin ndërkombëtar.
13. PDK mbështet dialogun si vlerë dhe alternativë e vetme për zgjidhjen e problemeve, por kërkon nga bashkësia ndërkombëtare si ndërmjetësuese e këtij dialogu që të bëjë presionin e duhur ndaj palës serbe që të respektojë marrëveshjet e arritura deri më tash dhe të ndërpresë provokimet e vazhdueshme që e minojnë këtë proces. Provokimet si ai me murin, trenin dhe provokime tjera janë të pajustifikueshme dhe nuk i shërbejnë ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore.

14. PDK kërkon nga partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë BE dhe SHBA, që të bëjnë presion mbi Serbinë për tërheqjen e fletarresteve që kanë motive politike dhe nuk kanë bazë juridike në raport me qytetarët e vendit tonë.

15. PDK shpreh vendosmërinë dhe angazhohet fuqishëm për sundim të ligjit të luftës të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në shoqëri.
16. PDK mbështet institucionet e rendit dhe sigurisë në luftën e vazhduar kundër terrorizmit dhe çdo akti dhe veprimtarie që cenon lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të vendit.
17. PDK ka qenë dhe mbetet një parti e qendrës së djathtë, puna e së cilës ka për qëllim zhvillimin dhe promovimin e vlerave demokratike dhe kushtetuese në Republikën e Kosovës, për të ndërtuar një vend sa më stabil dhe prosperues për brezat e ardhshëm.
18. PDK angazhohet fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit në bazë të parimeve dhe vlerave kushtetuese të tregut dhe konkurrencës së lirë.
19. PDK angazhohet dhe është e vendosur në respektimin, mbrojtjen dhe afirmimin e lirive dhe të drejtave të njeriut pa dallim, si dhe respektimin, mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, në pajtim me kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare.
20. PDK është e vendosur dhe synon të ndërtojë një pluralizëm politik të bazuar në frymën e tolerancës politike dhe bashkëpunimit të gjithmbarshëm të partive politike në të mirë të Republikës së Kosovës.

21. PDK punon fuqishëm për të mbrojtur vlerat kushtetuese të lirisë, paqes, barazisë, diversiteti etnik dhe shtetit laik e sekular, me qëllim të krijimit të një shteti të sigurt për të gjithë qytetarët.

22. PDK siguron të gjithë qytetarët e Republikës se edhe më tutje do të vazhdojë dhe do të intensifikojë aktivitetin e saj politik, me qëllim të jetësimit të vlerave të lartpërmendura, krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe krijimit të një ambienti social të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pa dallim.
23. PDK falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për të qeverisur vendin.
24. PDK zotohet se do te angazhohet për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë, për sigurinë e tyre, për kohezion nacional dhe qytetar, për partneritet ndërkombëtar në ndërtimin e Republikës së Kosovës vend të dashur për qytetarët tanë dhe të respektueshëm nga bota demokratike.
25. PDK angazhohet që Diaspora të ketë së paku tre deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
26. PDK fton gjithë anëtarësinë e saj dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës për angazhim të përbashkët dhe për fuqizim të PDK-se dhe Republikës së Kosovës.

Mustafa në Prizren: Kosova po qeveriset mirë, ushtrinë do ta bëjmë

0

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i LDK-së, ka mbajtur një fjalim në Prizren, ku u shënua 27 vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Isa Mustafa tha se përkundër se në koalicion janë me Partinë Demokratike të Kosovës, Kosova është qeverisur mirë dhe se kjo qeveri është duke e zhvilluar vendin, njofton Klan Kosova.

Edhe Mustafa ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Tha se themelimi i ushtrisë duhet të bëhet, por duke iu qëndruar besnikë marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO.

Kryeministri s’e ka lënë pa e përmendur edhe Demarkacionin.

Ai pohoi se marrëveshja për vijën kufitare me Malin e Zi po shtyhet për qëllime politike – që më pas dikush ta votojë të njëjtën marrëveshje dhe t’i marrë meritat.

Ai foli edhe për çështjet identitare të kosovarëve. Deklaroi se himni i Kosovës dhe flamuri duhet të duhen e respektohen, sepse për këtë është luftuar dhe me to është shpallur pavarësia e Kosovës.

Buffon bën shqiponjën

0

Gianluigi Buffon është i adhuruar ndër shqiptarë, pasi ai është një nga portierët më të mirë në histori të futbollit – nëse jo më i miri – por, tani shqiptarët do ta kenë edhe një arsye më tepër për ta dashur italianin.

Ai, bashkë me komentatorin shqiptar të futbollit, Dritan Shakohoxha, ka bërë shqiponjën me duar – simbolin unfikues të shqiptarëve dhe veprim që futbollistët shqiptarë e bëjnë gjithandej nëpër botë.

Buffon ishte i pamposhtur mbrëmë dhe nuk lejojë lojtarët e Shqipërisë që t’ia tundin rrjetën, ndaj dhe Italia nxori rezultat pozitiv kundër kuqezinjve duke fituar 2-0.

Nesër bëhet ndërrimi i orës

0

Prej ditës së shtunë drejt së dielës me zhvendosje të akrepave të orës për një orë përpara, respektivisht prej orës 2 në orën 3 pas mesnate, fillon llogaritja verore e kohës.

Kalimi i llogaritjes prej dimërore në verore të kohës është vendosur me arsye se “vazhdohet” dita, mundësohet kursim i energjisë elektrike, rritet produktiviteti i fuqisë punëtore, përmirësohet adaptimi i njerëzve dhe dita punuese bëhet më efikase.

Që prej vitit 1981 u vendos ligji që përfshin tërë Evropën në të gjitha shtetet e saj. Norma evropiane përcakton në mënyre të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ajo shkon 1 orë pas. Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të muajit marsit dhe të dielën e fundit të tetorit.

 

Veseli: Do e bëjmë Ushtrinë

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar në Konventën e VIII të Partisë Demokratike të Kosovë se ai beson në shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit, ndërsa ka premtuar edhe se Kosova do ta formojë ushtrinë, pa i prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

“Kosova është dhe do të mbetet, një vend i shpresës për të gjithë. Shtet dhe shoqëri e mundësive të barabarta për qytetarët e saj. Para nesh ndodhen shumë sfida, të politikës së jashtme e të brendshme, por unë kam besim të plotë tek njerëzit e Kosovës. Kam besim të plotë në shtetin e Kosovës, në të ardhmen e tij të sigurt euro-atlantike”, tha Veseli.

“Të tjerët le të merren me dilema, por ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës”.

Ai u shpreh optimist se me besimin e palëkundur në forcën e popullit Kosova do t’ia del edhe sfidës së zhvillimit dhe fuqizimit të shtetit.

“Ne e çliruam Kosovën, sepse e donim lirinë më shumë se jetën tonë. Mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia e përjetshme e kësaj atdhedashurie të pashembullt. Ne do ta bëjmë Kosovën shtet të zhvilluar e të begatshëm, sepse ky është obligimi ynë ndaj qytetarëve të mrekullueshëm të kësaj toke të bekuar”, tha kryetari Veseli.

Hoxhaj pranon zyrtarisht notën e njohjes nga Bangladeshi

0

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka konfirmuar njohjen e Pavarësisë së vendit tonë nga ana e Bangladeshit më 27 shkurt 2017, ndërsa sot ka marrë notën origjinale të njohjes nga Bangladeshi.

“Kjo është nota origjinale e njohjes nga Bangladeshi e cila i është dorëzuar misionit tonë diplomatik në Washington. Nga dje është vendosur në arkivin e Ministrisë së Jashtme me 113 letrat tjera të njohjeve”, ka shkruar kryediplomati kosovar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Notën origjinale e ka pranuar edhe kryeministri Isa Mustafa në formë elektronike.

Bob Dylan, ky fans i madh i Amy Winehouse

0

Në pritje të daljes së “Triplicate”, albumit të ri, Bob Dylan ka dhënë një intervistë ekskluzive. Në një dialog të gjatë me shkrimtarin Bill Flanagan , të publikuar në sitin e tij, kantautori ka thënë se ka qenë fans i Amy Winehouse, duke e konsideruar atë si “artisten e fundit me një stil individual”.

Bob Dylan rrëfeu për gjithçka, duke nisur nga fëmijëria në Minnesota.

“Kam lindur në Duluth, qytet industrial, ku kishte porte anijesh, hekurudha. Kishte shpesh borë, marinarë, furtuna. Nëna ime tregon për ushqim me racione, elektricitet të ndërprerë, mungesë ngrohjeje. Ishte një vend me errësirë, edhe në mes të ditës, kemi jetuar deri sa u bëra 5 vjeç, deri sa mbaroi lufta”, shprehet Dylan.

Artisti ka nënvizuar se si sot ndihet më i vetmuar. “Kam humbur miq të vjetër”, konfirmon Dylan, duke nisur nga i madhi Muhammad Ali, tek Leonard Cohen, Leon Russell dhe Merle Haggard, “Ishim si vëllezër, të gjithë kemi përshkuar të njëjtën rrugë dhe të gjithë kanë lënë hapësira të pabesueshme boshe brenda meje. Ndihem vetëm pa ta”.

Ka treguar se ka edhe një fans sekret , Frank Sinatra. “Frank njihte ‘The Times They Are a-Changin’ dhe ‘Blowin’ in The Wind’. I pëlqente ‘Forever Young’, ma thoshte ai vetë. Një mbrëmje në terracën e tij më tha “Ti dhe unë kemi sytë bojëqielli dhe vijmë prej atje. Dhe tregonte yjet. Mendoja se kishte të drejtë”, tregon fituesi i Nobelit për letërsinë shkruan ATSH.

Fjalë prekëse rezervuar për atë që për disa vite, në vitet e para të ’60 u konsiderua si “shpirti binjak”, Joan Baez: “Zëri i saj ishte si i një sirenë afër ndonjë ishulli grek”.

“Triplicate” mbledh në tre CD 30 këngë standarde amerikane që datojnë në vitet ’20-’40. Secila nga tre CD është e përbërë nga 10 këngë dhe një gjatësi prej 32 minutash, për këtë veçori Dylan thotë se “është numri i plotësimit . Është numri me fat dhe numri i dritës. / KultPlus.com 

Hasan Prishtina më 1909: Shqiptarët e Kosovës mund të formojnë ushtri

0

Hasan Prishtina do të revoltohej keq ndaj ministrit të Brendshëm të Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlorës, i cili në qershorin e vitit 1909 në Parlamentin Osman do ta arsyetonte dhunën ndaj shqiptarëve dhe shtypjen e kryengritjes.

Do të reagonte edhe në parlament po nuk u ndal me kaq. Në gazetën “Tanin” të Stambollit do të botonte një artikull, me të cilin, siç shkruante, donte t’i bënte me dije “disa të vërteta që kanë të bëjnë me shqiptarët” duke trajtuar procesin e papërfunduar të reformave në Shqipëri dhe se ato nuk bëhen me “dyfekë e topa, porse vetëm me dije të përgjithshme, drejtësi dhe kulturë.”

Hasan Prishtina reagoi ashpër për mosnjohjen e kontributit të shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Por mbi të gjitha ua bënte me dije që shqiptarët në Vilajetin e Kosovës mund të formojnë një ushtri.

18 vjet nga masakrat në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë

0

Në 18-vjetorin e rënies janë përkujtuar sot dëshmorët dhe martirët e rënë në fshatrat Fortesë, Celinë dhe Brestoc të Komunës së Rahovecit, në tubimet përkujtimore ka marrë pjesë Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi me bashkëpunëtor dhe familjar të të rënëve.

Nga një fjalë rasti në tubimet e organizuara në fshatrat Fortesë dhe Celinë mbajti edhe Kryetari Vehapi, i cili ka thënë se para 18-të viteve, kishin filluar masakrat e papara në fshatrat e Anadrinisë. Këto masakra vetëm i kishte paralajmëruar krimineli Millosheviç. Këtë tërbim ai e kishte sepse ai e shihte kapitullimin e tij. Ne si popull kemi vuajtur shumë, mirëpo asnjëherë nuk jemi dorëzuar para armiqve edhe pse të kaluarën nuk kemi pasur shumë miq. Ju thërras edhe tani mos të dorëzohemi, të punojmë bashkë pa dallim.

Në tubimet e mbajtura, kanë folur edhe Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovec dhe Selajdin Zhuniqi nga fshati Fortesë dhe kryetari i fshatit Celinë.

Kryetari Vehapi dhe stafi i tij, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta lulesh edhe tek pllaka përkujtimore në fshatin Brestoc.

Kleofina Pnishi, aktorja dhe modelja shqiptare që po shënon suksese

0

Aktorja dhe modele shqiptare, Kleofina Pnishi, që po shkëlqen me talentin e saj në Francë, ishte e ftuar në programin e mëngjesit në RTK, e cila shpalosi të arriturat e saj në fushën e aktrimit dhe modelimit.

Pnishi, ka luajtur në disa filma në Francë dhe ka fituar edhe një konkurs bukurie.

”Aktrimi ka qenë një endërr e imja që nga fëmijria. Aktrimi dhe modelimi janë profesione ku mund t’i shprehesh emocionet, ndonëse secili profesion kërkon shumë punë dhe angazhim. Por, aktrimi është një profesion që asnjëherë nuk bëhesh monoton, sepse te jepet mundësia të luash role të ndryshme”, ka thënë ajo.

Aktorja dhe modele shqiptare, tha se synon që në të ardhmen ta fitojë çmimin Oskar dhe në këtë mënyrë ta bëjë krenare edhe Kosovën prej nga edhe vjen.

Së fundi ka thënë ajo, është e ftuar në një projekt në Amerikë, film ky që do të publikohet në fund të dhjetorit 2017, derisa në tetor do të jetë për xhrime në Tajland në një film tjetër me produksion amerikan.

Pnishi, e cila jeton në Francë, ka treguar se qysh në moshën 5 vjeçare ka lëshuar Kosovën, në kohën kur është zhvilluar lufta në Kosovë, por që në Kosovë vije shumë shpesh.