25.9 C
Prizren
E hënë, 21 Korrik, 2025
Home Blog Page 5580

Stresi ndahet nga e dashura, shpërthen në ofendime ndaj saj

0

Postimet e Stresit në rrjetet social me dedikime të veçanta dashurie kanë vulosur thashethemet për lidhjen e tij, pak kohë më parë, por reperi asnjëherë nuk zbuloi emrin e vajzës që i rrëmbeu zemrën në atë kohë.

Megjithatë disa postime në Insta Story me nota nervozizmi, të cilat Stresi ja dedikon dikujt që e njeh mirë,tregojnë për një raport të prishur.

‘Të njoh si atleten që kam veshur, debile”, shkruan ai në njërën nga fotot, ndërsa më pas si për të konfirmuar që është ndarë ka bërë një tjetër postim në të cilën shkruan:’Kur je single , të kap budallëku”

La Zvicrën për Kosovën, Kuka fiton medalje në Itali

0

Loriana Kuka, xhudistja e re kosovare, ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 70 kilogramë në Kupën Evropiane për Juniorë në Lignano të Italisë.

Kuka, e cila më parë kishte përfaqësuar Zvicrën në xhudo dhe kishte marrë nënshtetësi kosovare vitin e kaluar, arriti këtë sukses pas katër luftërave.

Kjo është medalja e katërt këtë javë për xhudon kosovare, shkruan Gazeta Online Insajderi.
Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ditë më parë fituan të artat në Turneun në Turqi, ndërsa Flaka Loxha siguroi të bronztën në Itali në kategorinë deri 57 kilogramë.

Loriana Kuka është mbesa e trajnerit të përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Petrit Kryeziu kërkon përgjegjësi për parashkrimin e lëndëve të korrupsionit

0

“Parashkrime të rasteve të korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë nuk do duhej të mbylleshin pa dhënë përgjegjësi askush”, thotë Petrit Kryeziu, shef i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova.

Petrit Kryeziu, shef i Zyrës Ligjore të BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se lëndët e natyrës së korrupsionit, sidomos ato ku janë të përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, nuk do duhej të parashkruheshin.

Ai ka deklaruar se Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka për obligim që të hetojë rastet kur parashkruhen lëndët e korrupsionit. Sipas tij parashkrime të tilla nuk do duhej të mbylleshin pa dhënë përgjegjësi askush.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ndjekja penale ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqisë, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar për shkak të parashkrimit të veprave penale është e pamundshme.

Zvarritja e lëndës për më shumë se pesë vjet ka bërë që vepra penale ndaj Haraqisë ta humbë vlerën, pasi që është parashkruar gjatë rrugëtimit 57 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës për në Gjykatën e Apelit, të cilat i ndan vetëm një mur në mes.

Ndjekja penale për Haraqinë i cili në cilësinë e ministrit të Kulturës akuzohej për shpërdorim detyre pushoi në janar të këtij viti, pasi lënda e tij u vjetërsua.

Siç dihet bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures” dhe Armond Morina, pronar i kompanisë “Morina Films”.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën kur ishte ministër i Kulturës, në vitet 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike. Po sipas aktakuzës, dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë dhe lënda ishte kthyer në rivendosje nga Apeli. Por sërish gjykata i shpalli fajtorë në dhjetor të vitit 2016 dhe i kishte dënuar me nga një vit me burgim katër të akuzuarit.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” tregoi se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit për 5 vjet nuk arritën të nxirrnin një vendim për këtë çështje, duke lejuar kështu që lënda ndaj Haraqisë të endej herë në njërën e herë në tjetrën ndërtesë, pa një vendim përfundimtar.

Emisionin për vjetërsimin e lëndës së Astrit Haraqisë mund ta ndiqni në këtë link.

15 të vdekur pas shpërthimit pranë një kishe në Egjipt

0

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pas një shpërthimi pranë një kishe në qytetin egjiptian të Tanta-s, në veri të Kajros.

”Nga ky shpërthim ka edhe rreth 40 të plagosur”, sipas saj.

Shpërthimi ndodh në kohën kur komuniteti i krishterë feston Javën e Shenjtë para Pashkëve./ATA

Prizren: Arrest shtëpiak kërcënuesit të prokurorit Mehdi Sefa

0

“Të pandehurit për kanosje i është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, tha prokurori i rastit, Zejnulla Gashi.

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të dyshuarit H.P. për shkak të veprës penale të kanosjes ndaj prokurorit të krimeve të rënda në Prizren, Mehdi Sefa.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur prokurori i rastit Zejnulla Gashi.

“Të pandehurit për kanosje i është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, tha Gashi.

Prokurori Gashi bëri të ditur arsyen e moskërkesës për caktim të masës së paraburgimit.

“Jam tërhjekur nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, pasiqë i pandehuri në seancë për caktimin e masës ka pranuar veprën penale dhe është penduar thellë për veprimet e tij”, tha Gashi.

KALLXO.com të enjten raportoi për rastin e kanosjes ndaj prokurorit të krimeve të rënda në Prizren.

Prokurori Mehdi Sefa tha se personi i dyshuar kishte kërkuar prokurorin në recepcion dhe me të hyrë në zyrë kishte filluar ta ofendonte dhe kërcënonte.

“Ai më fajësonte për dënimin që kishte marrë djali i tij, lëndën e të cilit e kam pasë unë. Më quajti me fjalë fyese “gomar prokuror” dhe vazhdoi të më kërcënonte duke mos u larguar nga zyra ime”, tha prokurori Sefa.

Më tutje, prokurori Sefa tregoi se fjalët kërcënuese kishin vazhduar nga i dyshuari në zyrën e tij derisa ai ishte detyruar ta lëshonte zyrën dhe të intervenonte Policia në arrestimin e të dyshuarit.

Motivi i kanosjes ndaj prokurorit nga i dyshuari H.P. duket të jetë lënda e djalit të tij, të cilin prokurori e kishte akuzuar për dy vepra penale: atë të vrasjes në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Prokurori njoftoi se djali i të dyshuarit për këto dy vepra penale është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 22 muaj burg. I pakënaqur me këtë vendim, prokurori Sefa kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe dënimi ishte rritur në 3 vjet burg.

Si rezultat i kësaj, prindi i të dënuarit e kishte kërcënuar prokurorin se për fajin e tij djali i ishte dënuar me një dënim kaq të lartë.

Nait Hasani: E përkrahi çdo nismë për rrëzimin e kësaj Qeverie

0

Deputeti i PDK’së, Shukri Buja, ka thënë se do ta përkrahë rrëzimin e Qeverisë të iniciuar nga NISMA për Kosovën. Pro rrëzimit të Qeverisë është deklaruar edhe Nait Hasani. Mocionin për rrëzimin e Qeverisë e kanë përkrahur edhe AAK e Vetëvendosje. Në këtë situatë, Isa Mustafa ka deklaruar se mandati i Qeverisë do të shkojë deri në fund.
Të paktën tre deputetë të PDK’së e përkrahin idenë e NISMA’s për Kosovën për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Isa MUstafa.

Shukri Buja e Nait Hasani, deputetë të PDK’së, kanë konfirmuar për Gazetën Express, se do të përkrahin çfarëdo nisme që e çon në pension Isa Mustafën dhe e largojnë këtë Qeveri nga udhëheqja e Kosovës.

“E përkrahi çdo nismë për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Hasani, për Express, të dielën.

“Kjo Qeveri ka dështuar”, ka shtuar ai.

Mendim të njëjtë e ka edhe Shukri Buja, i cili thotë se edhe Konventa e fundit e PDK’së e ka lënë të hapur mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

“Jam pro largimit të kësaj Qeveria dhe do të mbështesë nismën për rrëzimin e saj. Edhe deputetë të tjerë të PDK’së e përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie përfshirë Nait Hasanin e Shaip Muja”, ka thënë Buja, të dielën.

Express ka provuar të kontaktojë me deputetin Muja por ai s’është përgjigjur thirrjeve në telefon.

Megjithëkëtë, Shukri Buja ka thënë se duhet kujdes që nisma për rrëzimin e Qeverisë të realizohet se nëse dështon s’mund të ketë nisma të tilla për 90 ditë të tjera.

Rrëzimin e Qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit e ka nisur NISMA për Kosovën, parti kjo e udhëhequr prej Fatmir Limajt.

Edhe Vetëvendosje dhe AAK e kanë përkrahur NISMA’n për Kosovën që të rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr prej Kryerarit të LDK’së, Isa Mustafa.

Koalicioni PDK-LDK i lidhur para dy viteve ka dështuar të marrë ndonjë vendim lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave. Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.

Sidoqoftë, Isa Mustafa ka thënë dje në Shtime se mandati i Qeverisë do të shkojë deri në fund. Ka thënë se s’bën të dorëzohet në gjysmë të rrugës pavarësisht nismave për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Idenë për zgjedhje të reja, PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli kishte numëruar dështimet e Qeverisë dhe të Isa Mustafës.

Dështimi i parë i Qeverisë, sipas Veselit, ishte gabimi që Qeveria bëri me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Dështimi i dytë, sipas tij, është pamundësia e koalicionit për të ratifikuar në Parlament, marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë situatë, Veseli ka përmendur zgjedhjet si mundësi për kthim në normalitet

Konfiskohet monedha e falsifikuar në Prizren

0

Është raportuar për një monedhë të falsikuar në sheshin “Shatërvan” në Prizren.

Ankuesi punëtorë në një lokal, raporton se i dyshuari ka paguar me një kartëmonedhë prej 100 euro e cila dyshohet se është false, transmeton Indeksonline.

Monedha e falsifikuar është konfiskuar nga forenzika.

Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Boll më me llafe boshe

0

Fahri Musliu

Kur para tre muaj pata takimin e parë me Mimozën dhe Ilirin, vendosa pa hamendje t’i bashkohem “Alternativës”, edhe pse kurrë nuk më ka shkuar mendja që të jem pjesë e ndonjë subjekti politik, veçmas jo në këtë moshën kur duhet t’i gëzoj frytet e punës 45 vjeçare, me pension/ ndihmë sociale prej 75 eurosh.

Miqtë e mi këtë vendim timin e priten me fjalët: E KE KOT, NUK MUND TË NDRYSHOHET ASGJË. Ky ishte ai skepticizmi, defetizmi, mosbesimi, humbja e shpresës dhe dorëzimi që e ka metastazuar shoqërinë kosovare. Dhe e vazhdohet avazi i përditshëm me fjalët “hajt se bëhet mirë”, duke pritur që e mira të pikë nga qielli..

Por atyre iu përgjigja: plotë katër vjet jem bashkë me ju gati çdo ditë dhe bisedat tona kryesisht nisin e mbarojnë me ankesa, mos-kënaqësi e kritika ndaj pushtetit kleptokrat, funksionimit të shtetit, arsimit të degraduar, shëndetësisë së sëmurë, korrupsionit galopan, kriminalitetit, papunësisë, moszhvillimit ekonomik, kulturës së rrënuar, qyteteve të shndërruara në beton e armaturë, mediokritetit, oportunizmit, injorancës, primitivizmit, mentalitetit fisnor..
A mundën këto pakënaqësi e ky mjerim të zgjidhen vetëm me llafe boshe, pa angazhim politik, pa aktivizëm shoqëror, pa shpresë dhe me dorëzim para të keqes?

Pra, në mua u aktivizua mllefi, ndërgjegjja, morali dhe përgjegjësia njerëzore, profesionale e intelektuale që të mundohem të jap një kontribut timin me bagazhin e takatin që kam, që të paktën të arsyetohem edhe para vetvetes edhe para fëmijëve të mi.

Sepse si mund të jemi të kënaqur me shtetin jofunksional, jo ligjor e jodemokratik, të izoluar – ku sistemi i vlerave është mosdija, injoranca, primitivizmi, hajnia, korrupsioni, krimi i organizuar; ku kritika konsiderohet tradhti e armiqësi e jo vlerë e cila të korrigjon e të shpie në rrugë të drejtë;

Kemi Qeveri më të madhe në rajon, jokompetente, jo të aftë për ta drejtuar shtetin dhe institucionet e tij, për ti zgjidhur problemet e shoqërisë e të qytetarëve; Qeveri arrogante e injorante e cila bashkë me opozitën vendin e kanë futur në krizë të thellë politike e tjetër.

Si mund të jemi të kënaqur me kuvendin Popullor ku nuk përfaqësohen interesat e popullit por të partive, grupeve apo ato personale, ku për shkak të inateve përdorët edhe forma të ndryshme të dhunës..e madje edhe ia vënë zjarrin Kuvendit sikurse Neroni që e dogji Romën. Deputet me rroga më të larta në rajon edhe pse shteti është më i varfër: jo vetëm rroga të rregullta por edhe mëditje për dy mbledhje plenare në muaj dhe mbledhje të komisioneve. Kjo nuk ndodh askund, sepse posti i deputetit është vendi i tyre i punës në kuvend prej të hënës deri të premten, si orari i punës së çdo punëtori.

Si mund të jemi të kënaqur kur shohim se skena politike është bërë arenë gladiatorësh, ku provohet forca, inatet, urrejtja e armiqësitë e jo programet e konkurrenca politike. Ku popullata është polarizuar tej mase dhe ajo qeveriset sipas modelit të vjetër “përçaj e sundo”;

Si mund të jemi të kënaqur me sistemin gjyqësor kur është i ndikuar nga politika e i korruptuar deri në palcë, dhe ligjet zbatohen në mënyrë selektive, ndonëse ato duhet të vlejnë njësoj për të gjithë;
Si mund të jemi të kënaqur me arsimin, si themel i zhvillimit të një shoqërie, kur ai as nuk arsimon as edukon….kur shkollimin fillor PISA e ka radhitur në fund të Pusit..kur kemi 7 universitete publike dhe shumë kolegje private me 120.000 studentë (vendin e parë në botë me numër në raport me numrin e banorëve) të cilët nuk japin dije e kuadro profesionale por diploma pavlerë që mund të blihen edhe në “pazarin e gjizës” , e tituj shkencor pa kurrfarë pune shkencore por me plotë plagjiaturë..

Si mund të jemi të kënaqur me shëndetësinë që është bërë biznes e jo institucion ku shërohen të sëmurit të cilët shpëtim po kërkojnë jashtë Kosovës: me qindra të tillë shkojnë për t’u shëruar në Tiranë, Shkup, Beograd, Stamboll…dhe në vit shpenzojnë një shumë prej 60 deri 100 milion euro.
Si mund të jemi të kënaqur me kulturën, si bosht kurrizor e një shoqërie, ku po mbretëron tallavaja, kiçi, shundi, primitivizmi…ku shteti nuk shfaq kujdes e nuk ndanë mjete të duhura..kur ajo mbetet në duart e personave privat që po mundohen, por afekti nuk është çfarë do të ishte sikur shteti mos ta trajtonte atë si bira e fundit e kavallit.

Rasti i Prizrenit është më drastik: për tetë festivale të sivjetme ka ndarë veç 23.000 euro, nga të cilat 10.000 Festivalit të njohur ndërkombëtar të filmit kostoja e të cilit është mbi 300.000 euro.

Si mund të jemi të kënaqur kur të gjithë shohim se si një armatë e tërë e djemve dhe vajzave pa punë, që e kalojnë kohën në rrugë, sheshe, kafene..pa perspektivë, me shpresë të vrarë, dhe me synim të vetëm me ik diku në perëndim…por nuk dinë ku?

Si mund të jemi të kënaqur me papunësinë marramendëse: 400 mijë të punësuar, 100,000 kërkojnë punë, ndërsa 700.000 ose 62% kryesisht të ri, janë të aftë për punë.

Si mund të jemi të kënaqur me diskriminimin e përbuzjen e femrës, të asaj që është bartëse edukimit, emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë, me 12 % e punësuar ;

Si mund të jemi të kënaqur me politikën sociale, e pa sigurime sociale, as me ligj pensional edhe 18 vitesh nga çlirimi;

Si mund të jemi të kënaqur me zhvillimin ekonomik kur nuk ka prodhim, nuk ka investime të huaja, kur mbi 90% të produkteve i importojmë;
Për gjithë këtë hiq më pak nuk jemi përgjegjës edhe ne qytetarët e Kosovës. Sepse edhe lirinë, edhe pavarësinë edhe demokracinë i kemi kuptuar mbrapsht…sepse me veprimet ose mos-veprimet tona jemi pjesëmarrës në korrupsion dhe krim të organizuar; sepse i kemi zgjedhur, mbështetur dhe besuar personave të paaftë që ta drejtojnë shtetin; sepse plotë 18 vjet po heshtim kurse shtetin e shoqërinë e ka kapur metastaza e kancerit vdekjeprurës; sepse 18 vjet ka munguar guximi qytetar, dhe jemi pajtuar me të keqën.

Pra, siç thotë i nderuari akademi Kreja, ku ishe ti Adem, kur të gjitha këto po ndodhin para syve ty.Ndryshimet duhet t’i nisim dhe t’i kryejmë ne vet – secili nga ne veç e veç dhe bashkërisht. Nuk ka tjerë. Nuk mund të presim as Uashingtonin, Brukselin, Berlinin, Parisin, Londrën, Romën.

Boll më me llafe boshe, me të cilat edhe fëmijëve ua kemi marre fëmijërinë, i kemi helmuar me politikë. Ata i njohin emrat e politikanëve e të kriminelëve, të këngëtareve lakuriqe, që u janë bërë idhuj, por jo edhe të shkencëtarëve, shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, aktorëve të vendit dhe botës.

Por, në fund të tunelit po duket një dritë. Atë e ka ndezur “Alternativa”, e ideuar, iniciuar e organizuar nga Mimoza Kusari- Lila e Ilir Deda. Alternativa ndoshta nuk ka emra e figura të njohura në radhët e veta, por ka njerëz të guximshëm, të vendosur, të pa komprometuar, pa-kompromis, me ide e vizion të qartë, me plotë energji dhe të etshëm e të gatshëm për NDRYSHIME RADIKALE.
URIME DHE RRUGËTIM TË MBARË ALTERNATIVË!

Fjala e mbajtur në themelimin e IQ “Alternativa”, Dega në Prizren, 08.04.2017

(Një sqarim: jam vetëm anëtar i Keshillit inicues të Alternativës, e jo drejtues).

(Facebook)

Ura e Gurit në Prizren nga Gazmend Freitag

0

Tek piktori ekziston një instinkt themelor, një vlerësim i brendshëm në vizatimin e urave

Urat kanë qenë dhe janë inspirim edhe për piktorët. Një nga figurat brilante kombëtare, që po lë gjurmë në artin e pikturës është Gazmend Freitag, i cili pikturën e dashuron shpirtërisht. Figura e tij artistike karakterizohet me këmbënguljen e përhershme për të arritur qëllimin që ai dëshiron ta hedhë në pikturë. Gazmend Freitag i inspiruar që nga koha e gjimnazit mëngjeseve në Prizren duke e hasur çdo ditë urën e përzemërt. Ura e gurit në Prizren (2012) vaj në kanavace, e ka shpalosur atë pikturë nostalgjikisht duke mbajtur gjatë në kujtesë dhe zemër. Tashmë kjo pikturë është pronë e një koleksionisti shqiptar që jeton në Vjenë.

Kushdo që sheh pikturat e Gazmendit do të provokohet patjetër nga një mendim i hollë, një kujtim apo një ide. Për shembull Ura e Prizrenit të nxit gjithë këtë meditim. Unë isha mësuar që ta shikoja këtë urë në qytetin e njohur shqiptar, por kur e shikon të realizuar në ngjyra nga Gazmendi, përjeton një mendim-provokues në kushtet formale të të bukurës, por edhe përbërjen, ritmin, manipulimin me ngjyra, e të gjitha këto kanë kontribuar në një vepër të mirërealizuar, por më së shumti “që të hap imagjinatën, që të nxit shpirtin.”

Unë mendoj se “Urat” e Gazmendit bëjnë pjesë në koleksionin e punëve të mëdha europiane të kësaj tematike, ku spikat për pos të tjerave edhe aftësia e tij për të arritur, për të realizuar një temë të përbashkët, një fije të përbashkët, një emocion të përbashkët, me bukuri të mjaftueshme për cdo qytetar të botës ku jetojmë. (Istriva Gava)

 

Gazmend Freitag në studion e tij në Linz, 2012

Koha e vendimeve të pashmangshme

0

Problemi kryesor me Qeverinë e Kosovës është deficiti i fuqisë reale politike, me gjithë votën impresive të bërë nga 86 deputetët e këtij koalicioni.

Politika kosovare nuk po arrin të stabilizohet dot, edhe pas përfundimit të periudhës që shquhej me seancat parlamentare plot me dhunë dhe me gaz lotsjellës, të cilat karakterizuan këtë politikë nga tetori 2015 deri në marsin 2016.

Në fakt, protestat e Opozitës së Bashkuar – VV, AAK dhe Nisma – patën kulminacionin e vet në ditët para zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, me 26 shkurt të vitit të kaluar.

Dështimi eventual i zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit do ta dërgonte vendin automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që edhe ishte qëllimi parësor i tri entiteteve opozitare.

Dihet që qëndrimi i të gjitha ambasadave kryesore perëndimore, veçanërisht i Ambasadës së SHBA’së, ishte që nuk bën të krijohen precedentët në politikën kosovare, kur mund të imponohet, me të gjitha mjetet e mundshme, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ato mund të organizohen vetëm në rrethana të qeta politike.

Por, sa kaloi zgjedhja e Presidentit të Kosovës, dhe si u kuptua që zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë në vend, nisi të flitet për domosdoshmërinë e informatizimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ishte bërë rreth boshtit PDK-LDK.

Arsyeja e parë për një rikompozim të Qeverisë ishte fakti që Hashim Thaçi, si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Jashtëm i Kosovës, ishte larguar nga Qeveria në drejtim të Presidencës.

Thaçi, për më shumë, ishte atëbotë edhe Kryetar i PDK’së, ndërsa tashmë kishte dhënë dorëheqje edhe nga kjo pozitë.

Ishte krijuar, pra ,një vakum i fuqisë në Qeverinë e Kosovës, me bërjen President të Hashim Thaçit, prandaj, në veçanti diplomacia amerikane, si ajo e përfaqësuar nga Ambasadori Delawie në Prishtinë, por edhe nga Victoria Nuland, Asistent Sekretarja e Shtetit dhe Hoyt Yee, Zëvendësi i saj, kishte insistuar, siç ka marrë vesh Politiko.net nga burimet diplomatike perëndimore, që të bëhet fuqizimi i Qeverisë së Kosovës me ndryshimin e përbërjes së ekzekutivit të vendit.

Në katër raste, që nga pranvera e vitit të kaluar, Washingoni ka shpresuar që partnerët në Qeverinë e koalicionit, PDK dhe LDK, do të arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët në freskimin e Qeverisë së Kosovës, në zëvendësimin e atyre ministrave që nuk kishin treguar perfomansë të duhur, dhe në ngritjen e përgjithshme të kapaciteteve të Qeverisë së Kosovës.

Kjo nuk ndodhi, me përjashtim të disa zëvendësimeve edhe ashtu obligative të Ministrave të PDK’së, të cilët u larguan për shkaqe objektive nga Qeveria (Hashim Thaçi, si ish-Ministër i Jashtëm u bë President, Hajredin Kuçi si ish-Ministër i Drejtësisë u bë Zëvendës-Kryeministër i parë, Bekim Çollaku si ish-Ministër i Integrimeve Europiane iu bashkua Thaçit në Presidencë).

Sipas burimeve diplomatike perëndimore, problemi kryesor me Qeverinë e Kosovës është deficiti i fuqisë reale politike, me gjithë votën impresive, në shikim të parë së paku, të bërë nga 86 deputetët e këtij koalicioni në Kuvendin e Kosovës.

Përjashtuar legjislaturën e parë – 2001-2004, për shkak që në atë përbërjen e parë të Kuvendit të Kosovës as që ka pasur opozitë parlamentare, asnjë përbërje tjetër e Kuvendit nuk ka pasur këtë raport të forcave në mes të Qeverisë dhe të Opozitës.

Megjithatë, ky raport i forcave nuk është reflektuar në procesin vendimmarrës në Qeverinë e Kosovës, veçmas në temat që tash e tridhjetë muaj janë aktuale, pra në Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe në krijimin e rrethanave për draftimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Diplomatët perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë nuk e kanë të qartë se si nuk ka ndodhur deri më tash funksionalizimi, në masën e duhur, i një shumice të tillë absolute parlamentare që njeh mbi dy të tretat e përbërjes së Kuvendit.

Ky, mbase, është ai momenti kryesor që vë në dyshim mundësinë e ndryshimit të potencialit vendimmarrës të politikës kosovare në të ardhmen e afërt, ose kurdo që do të mbahen zgjedhjet në Kosovë.

Për më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore, në Prishtinë, në qarqet relevante ndërkombëtare, ka shqetësime që pas zgjedhjeve të reja në Kosovë do të mund të përsëritet bllokada e vitit 2014, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, e cila zgjati plot gjashtë muaj.

Politika kosovare ka arritur në atë stad, sipas këtyre burimeve diplomatike, kur realisht nuk ka më zgjedhje të lehta, ose kur secila prej tyre, qoftë ajo e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, apo edhe kjo e vazhdimit të situatës së tanishme, bart në vete rreziqet e veta.

Por, duket që po vjen koha kur vendimet politike do të jenë të pashmangshme. /Politiko.net