14.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Koha e vendimeve të pashmangshme

Problemi kryesor me Qeverinë e Kosovës është deficiti i fuqisë reale politike, me gjithë votën impresive të bërë nga 86 deputetët e këtij koalicioni.

Politika kosovare nuk po arrin të stabilizohet dot, edhe pas përfundimit të periudhës që shquhej me seancat parlamentare plot me dhunë dhe me gaz lotsjellës, të cilat karakterizuan këtë politikë nga tetori 2015 deri në marsin 2016.

Në fakt, protestat e Opozitës së Bashkuar – VV, AAK dhe Nisma – patën kulminacionin e vet në ditët para zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, me 26 shkurt të vitit të kaluar.

Dështimi eventual i zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit do ta dërgonte vendin automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që edhe ishte qëllimi parësor i tri entiteteve opozitare.

Dihet që qëndrimi i të gjitha ambasadave kryesore perëndimore, veçanërisht i Ambasadës së SHBA’së, ishte që nuk bën të krijohen precedentët në politikën kosovare, kur mund të imponohet, me të gjitha mjetet e mundshme, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ato mund të organizohen vetëm në rrethana të qeta politike.

Por, sa kaloi zgjedhja e Presidentit të Kosovës, dhe si u kuptua që zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë në vend, nisi të flitet për domosdoshmërinë e informatizimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ishte bërë rreth boshtit PDK-LDK.

Arsyeja e parë për një rikompozim të Qeverisë ishte fakti që Hashim Thaçi, si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Jashtëm i Kosovës, ishte larguar nga Qeveria në drejtim të Presidencës.

Thaçi, për më shumë, ishte atëbotë edhe Kryetar i PDK’së, ndërsa tashmë kishte dhënë dorëheqje edhe nga kjo pozitë.

Ishte krijuar, pra ,një vakum i fuqisë në Qeverinë e Kosovës, me bërjen President të Hashim Thaçit, prandaj, në veçanti diplomacia amerikane, si ajo e përfaqësuar nga Ambasadori Delawie në Prishtinë, por edhe nga Victoria Nuland, Asistent Sekretarja e Shtetit dhe Hoyt Yee, Zëvendësi i saj, kishte insistuar, siç ka marrë vesh Politiko.net nga burimet diplomatike perëndimore, që të bëhet fuqizimi i Qeverisë së Kosovës me ndryshimin e përbërjes së ekzekutivit të vendit.

Në katër raste, që nga pranvera e vitit të kaluar, Washingoni ka shpresuar që partnerët në Qeverinë e koalicionit, PDK dhe LDK, do të arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët në freskimin e Qeverisë së Kosovës, në zëvendësimin e atyre ministrave që nuk kishin treguar perfomansë të duhur, dhe në ngritjen e përgjithshme të kapaciteteve të Qeverisë së Kosovës.

Kjo nuk ndodhi, me përjashtim të disa zëvendësimeve edhe ashtu obligative të Ministrave të PDK’së, të cilët u larguan për shkaqe objektive nga Qeveria (Hashim Thaçi, si ish-Ministër i Jashtëm u bë President, Hajredin Kuçi si ish-Ministër i Drejtësisë u bë Zëvendës-Kryeministër i parë, Bekim Çollaku si ish-Ministër i Integrimeve Europiane iu bashkua Thaçit në Presidencë).

Sipas burimeve diplomatike perëndimore, problemi kryesor me Qeverinë e Kosovës është deficiti i fuqisë reale politike, me gjithë votën impresive, në shikim të parë së paku, të bërë nga 86 deputetët e këtij koalicioni në Kuvendin e Kosovës.

Përjashtuar legjislaturën e parë – 2001-2004, për shkak që në atë përbërjen e parë të Kuvendit të Kosovës as që ka pasur opozitë parlamentare, asnjë përbërje tjetër e Kuvendit nuk ka pasur këtë raport të forcave në mes të Qeverisë dhe të Opozitës.

Megjithatë, ky raport i forcave nuk është reflektuar në procesin vendimmarrës në Qeverinë e Kosovës, veçmas në temat që tash e tridhjetë muaj janë aktuale, pra në Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe në krijimin e rrethanave për draftimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Diplomatët perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë nuk e kanë të qartë se si nuk ka ndodhur deri më tash funksionalizimi, në masën e duhur, i një shumice të tillë absolute parlamentare që njeh mbi dy të tretat e përbërjes së Kuvendit.

Ky, mbase, është ai momenti kryesor që vë në dyshim mundësinë e ndryshimit të potencialit vendimmarrës të politikës kosovare në të ardhmen e afërt, ose kurdo që do të mbahen zgjedhjet në Kosovë.

Për më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore, në Prishtinë, në qarqet relevante ndërkombëtare, ka shqetësime që pas zgjedhjeve të reja në Kosovë do të mund të përsëritet bllokada e vitit 2014, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, e cila zgjati plot gjashtë muaj.

Politika kosovare ka arritur në atë stad, sipas këtyre burimeve diplomatike, kur realisht nuk ka më zgjedhje të lehta, ose kur secila prej tyre, qoftë ajo e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, apo edhe kjo e vazhdimit të situatës së tanishme, bart në vete rreziqet e veta.

Por, duket që po vjen koha kur vendimet politike do të jenë të pashmangshme. /Politiko.net

Më Shumë

Lajmet e Fundit