18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Boll më me llafe boshe

Fahri Musliu

Kur para tre muaj pata takimin e parë me Mimozën dhe Ilirin, vendosa pa hamendje t’i bashkohem “Alternativës”, edhe pse kurrë nuk më ka shkuar mendja që të jem pjesë e ndonjë subjekti politik, veçmas jo në këtë moshën kur duhet t’i gëzoj frytet e punës 45 vjeçare, me pension/ ndihmë sociale prej 75 eurosh.

Miqtë e mi këtë vendim timin e priten me fjalët: E KE KOT, NUK MUND TË NDRYSHOHET ASGJË. Ky ishte ai skepticizmi, defetizmi, mosbesimi, humbja e shpresës dhe dorëzimi që e ka metastazuar shoqërinë kosovare. Dhe e vazhdohet avazi i përditshëm me fjalët “hajt se bëhet mirë”, duke pritur që e mira të pikë nga qielli..

Por atyre iu përgjigja: plotë katër vjet jem bashkë me ju gati çdo ditë dhe bisedat tona kryesisht nisin e mbarojnë me ankesa, mos-kënaqësi e kritika ndaj pushtetit kleptokrat, funksionimit të shtetit, arsimit të degraduar, shëndetësisë së sëmurë, korrupsionit galopan, kriminalitetit, papunësisë, moszhvillimit ekonomik, kulturës së rrënuar, qyteteve të shndërruara në beton e armaturë, mediokritetit, oportunizmit, injorancës, primitivizmit, mentalitetit fisnor..
A mundën këto pakënaqësi e ky mjerim të zgjidhen vetëm me llafe boshe, pa angazhim politik, pa aktivizëm shoqëror, pa shpresë dhe me dorëzim para të keqes?

Pra, në mua u aktivizua mllefi, ndërgjegjja, morali dhe përgjegjësia njerëzore, profesionale e intelektuale që të mundohem të jap një kontribut timin me bagazhin e takatin që kam, që të paktën të arsyetohem edhe para vetvetes edhe para fëmijëve të mi.

Sepse si mund të jemi të kënaqur me shtetin jofunksional, jo ligjor e jodemokratik, të izoluar – ku sistemi i vlerave është mosdija, injoranca, primitivizmi, hajnia, korrupsioni, krimi i organizuar; ku kritika konsiderohet tradhti e armiqësi e jo vlerë e cila të korrigjon e të shpie në rrugë të drejtë;

Kemi Qeveri më të madhe në rajon, jokompetente, jo të aftë për ta drejtuar shtetin dhe institucionet e tij, për ti zgjidhur problemet e shoqërisë e të qytetarëve; Qeveri arrogante e injorante e cila bashkë me opozitën vendin e kanë futur në krizë të thellë politike e tjetër.

Si mund të jemi të kënaqur me kuvendin Popullor ku nuk përfaqësohen interesat e popullit por të partive, grupeve apo ato personale, ku për shkak të inateve përdorët edhe forma të ndryshme të dhunës..e madje edhe ia vënë zjarrin Kuvendit sikurse Neroni që e dogji Romën. Deputet me rroga më të larta në rajon edhe pse shteti është më i varfër: jo vetëm rroga të rregullta por edhe mëditje për dy mbledhje plenare në muaj dhe mbledhje të komisioneve. Kjo nuk ndodh askund, sepse posti i deputetit është vendi i tyre i punës në kuvend prej të hënës deri të premten, si orari i punës së çdo punëtori.

Si mund të jemi të kënaqur kur shohim se skena politike është bërë arenë gladiatorësh, ku provohet forca, inatet, urrejtja e armiqësitë e jo programet e konkurrenca politike. Ku popullata është polarizuar tej mase dhe ajo qeveriset sipas modelit të vjetër “përçaj e sundo”;

Si mund të jemi të kënaqur me sistemin gjyqësor kur është i ndikuar nga politika e i korruptuar deri në palcë, dhe ligjet zbatohen në mënyrë selektive, ndonëse ato duhet të vlejnë njësoj për të gjithë;
Si mund të jemi të kënaqur me arsimin, si themel i zhvillimit të një shoqërie, kur ai as nuk arsimon as edukon….kur shkollimin fillor PISA e ka radhitur në fund të Pusit..kur kemi 7 universitete publike dhe shumë kolegje private me 120.000 studentë (vendin e parë në botë me numër në raport me numrin e banorëve) të cilët nuk japin dije e kuadro profesionale por diploma pavlerë që mund të blihen edhe në “pazarin e gjizës” , e tituj shkencor pa kurrfarë pune shkencore por me plotë plagjiaturë..

Si mund të jemi të kënaqur me shëndetësinë që është bërë biznes e jo institucion ku shërohen të sëmurit të cilët shpëtim po kërkojnë jashtë Kosovës: me qindra të tillë shkojnë për t’u shëruar në Tiranë, Shkup, Beograd, Stamboll…dhe në vit shpenzojnë një shumë prej 60 deri 100 milion euro.
Si mund të jemi të kënaqur me kulturën, si bosht kurrizor e një shoqërie, ku po mbretëron tallavaja, kiçi, shundi, primitivizmi…ku shteti nuk shfaq kujdes e nuk ndanë mjete të duhura..kur ajo mbetet në duart e personave privat që po mundohen, por afekti nuk është çfarë do të ishte sikur shteti mos ta trajtonte atë si bira e fundit e kavallit.

Rasti i Prizrenit është më drastik: për tetë festivale të sivjetme ka ndarë veç 23.000 euro, nga të cilat 10.000 Festivalit të njohur ndërkombëtar të filmit kostoja e të cilit është mbi 300.000 euro.

Si mund të jemi të kënaqur kur të gjithë shohim se si një armatë e tërë e djemve dhe vajzave pa punë, që e kalojnë kohën në rrugë, sheshe, kafene..pa perspektivë, me shpresë të vrarë, dhe me synim të vetëm me ik diku në perëndim…por nuk dinë ku?

Si mund të jemi të kënaqur me papunësinë marramendëse: 400 mijë të punësuar, 100,000 kërkojnë punë, ndërsa 700.000 ose 62% kryesisht të ri, janë të aftë për punë.

Si mund të jemi të kënaqur me diskriminimin e përbuzjen e femrës, të asaj që është bartëse edukimit, emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë, me 12 % e punësuar ;

Si mund të jemi të kënaqur me politikën sociale, e pa sigurime sociale, as me ligj pensional edhe 18 vitesh nga çlirimi;

Si mund të jemi të kënaqur me zhvillimin ekonomik kur nuk ka prodhim, nuk ka investime të huaja, kur mbi 90% të produkteve i importojmë;
Për gjithë këtë hiq më pak nuk jemi përgjegjës edhe ne qytetarët e Kosovës. Sepse edhe lirinë, edhe pavarësinë edhe demokracinë i kemi kuptuar mbrapsht…sepse me veprimet ose mos-veprimet tona jemi pjesëmarrës në korrupsion dhe krim të organizuar; sepse i kemi zgjedhur, mbështetur dhe besuar personave të paaftë që ta drejtojnë shtetin; sepse plotë 18 vjet po heshtim kurse shtetin e shoqërinë e ka kapur metastaza e kancerit vdekjeprurës; sepse 18 vjet ka munguar guximi qytetar, dhe jemi pajtuar me të keqën.

Pra, siç thotë i nderuari akademi Kreja, ku ishe ti Adem, kur të gjitha këto po ndodhin para syve ty.Ndryshimet duhet t’i nisim dhe t’i kryejmë ne vet – secili nga ne veç e veç dhe bashkërisht. Nuk ka tjerë. Nuk mund të presim as Uashingtonin, Brukselin, Berlinin, Parisin, Londrën, Romën.

Boll më me llafe boshe, me të cilat edhe fëmijëve ua kemi marre fëmijërinë, i kemi helmuar me politikë. Ata i njohin emrat e politikanëve e të kriminelëve, të këngëtareve lakuriqe, që u janë bërë idhuj, por jo edhe të shkencëtarëve, shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, aktorëve të vendit dhe botës.

Por, në fund të tunelit po duket një dritë. Atë e ka ndezur “Alternativa”, e ideuar, iniciuar e organizuar nga Mimoza Kusari- Lila e Ilir Deda. Alternativa ndoshta nuk ka emra e figura të njohura në radhët e veta, por ka njerëz të guximshëm, të vendosur, të pa komprometuar, pa-kompromis, me ide e vizion të qartë, me plotë energji dhe të etshëm e të gatshëm për NDRYSHIME RADIKALE.
URIME DHE RRUGËTIM TË MBARË ALTERNATIVË!

Fjala e mbajtur në themelimin e IQ “Alternativa”, Dega në Prizren, 08.04.2017

(Një sqarim: jam vetëm anëtar i Keshillit inicues të Alternativës, e jo drejtues).

(Facebook)

Më Shumë

Liria shënon fitoren e dytë të sezonit

Skuadra e Lirisë ka arritur ta regjistrojë vetëm fitoren e dytë të sezonit sot, pasi që e ka mposhtur me rezultat solid 2:0 Fushë...

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit