17 C
Prizren
E hënë, 11 Maj, 2026
Home Blog Page 564

Arrestohet në Vërmicë një shtetas shqiptar, i dyshuar kultivimin e një sasie të madhe narkotikësh në Klinë

0

Një shtetas i Republikës së Shqipërisë është arrestuar të shtunën në pikën kufitare në Vërmicë, si i dyshuar kryesor për kultivimin e mbi 1 ton droge të llojit kanabis në fshatin Sferkë të Klinës, rast që ishte zbuluar nga Policia e Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, deklaroi për Telegrafin se personi i ndaluar dyshohet për përfshirje direkte në kultivimin e një sasie të madhe narkotikësh në territorin e Kosovës.

“Është ndaluar një person në Vërmicë, i cili dyshohet për kultivim të narkotikëve, përkatësisht për kultivimin e mbi 3 mijë kg narkotik në fshatin Sferkë të Klinës. Është shtetas i Republikës së Shqipërisë. I njëjti është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë prokurori është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, deklaroi Nikçi.

Sipas autoriteteve, droga e konfiskuar në shtator të vitit 2024 kishte një vlerë që kapte mbi 5 milionë euro në tregun ilegal. Rasti u konsiderua ndër më të mëdhenjtë të zbuluar në territorin e Kosovës në vitet e fundit, për nga sasia dhe organizimi.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në rrjetin e kultivimit dhe shpërndarjes së drogës.

Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, kërkohet anulimi i vendimit të paralajmëruar

0

Grupi “Asnjë cent më shumë” kanë organizuar protestë sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kanë marshuar deri tek Ministria e Ekonomisë, kundër rritjes së çmimit të rrymës.

Një numër i madh i qytetarëve i është bashkuar kësaj thirrje duke protestuar kundër shtrenjtimit të çmimit të rrymës.

Të pajisur me parulla si “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re”, “KEDS-i t’i kthehet popullit” dhe “S’ka dritë me padrejtësi”, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave për 15 për qind.

Ata kërkuan nga institucionet të ndalin këtë vendim, që sipas tyre rëndon jetën e qytetarëve dhe thellon pabarazinë ekonomike.

Organizatorët e protestës në Prishtinë paralajmëruan protestë të re më 11 prill, nëse merret vendimi për rritjen e tarifave të energjisë.

Ballkani dominon derbin e qytetit, mposht Suharekën 3:1

0

Ballkani ka siguruar një fitore të rëndësishme në derbin e qytetit, duke mposhtur Suharekën me rezultatin 3:1.

Golat për skuadrën e kampionit të Kosovës u shënuan nga Almir Kryeziu, Sunday Adetunji dhe Marsel Ismajlgeci. Ndërsa, golin e nderit për Suharekën e shënoi Endrit Krasniqi.

Ballkani aktualisht renditet i dyti me 47 pikë, kurse rivalët e tyre, Suhareka, janë të pozicionuar në vendin e shtatë, me 32 pikë, vetëm dy më shumë se Llapi, që ka një ndeshje më pak dhe gjendet në zonën e rrezikut për largim nga elita futbollistike./PrizrenPress.com

Bashkimi dhe Peja 03 nisin finalen e Superligës Femrat më 8 prill në Prizren

0

Momentet e shumëpritura po vijnë!

KBF Bashkimi dhe KBF Peja 03 janë finalistet e Playoff Superliga Femrat 2025 dhe do të nisin betejën për titullin më 8 prill 2025, në Palestrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren, me fillim në 19:00, raporton PrizrenPress.

“Lumbardhi 101”: Seminar në Prizren mbi jetën në botën e lumit

0

Më 11 dhe 12 prill, në Kino Lumbardhi në Prizren do të mbahet seminari dyditor “Lumbardhi 101: Si të jetojmë në botën e lumit”, i cili vë në qendër jetën rreth lumit Lumbardhi.

Ky seminar do të mbledhë së bashku hulumtues, akademikë, artistë dhe praktikues të kulturës, për të ndarë perspektiva ndërdisiplinore dhe për të diskutuar lidhjen e qytetit me lumin. Përmes ligjëratave, prezantimeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të eksplorojnë tema që lidhen me ekologjinë, urbanizmin, artin, gjuhën dhe antropologjinë, përcjell PrizrenPress.

“Për një kohë të gjatë, lumi Lumbardh ushqeu jetën, fuqizoi ekonominë dhe formësoi praktikat shoqërore e kulturore të qytetit. Sot, ai përballet me ndotje dhe neglizhencë, i shkëputur nga shoqëria. Lumbardhi 101 është një seminar eksplorues që e adreson këtë gjendje, duke synuar ta ripërfytyrojë lumin si një hapësirë kujtese, lidhjeje dhe rigjallërimi”, thuhet në njoftimin e Kino Lumbardhit.

Seminari organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Danimarkës Jugore dhe Universitetin e Prizrenit. Ai mbështetet nga European Culture Foundation dhe programi ‘EJA Kosovë’ i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Puna e Fondacionit Lumbardhi mbështetet me përkrahje institucionale nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Rockefeller Brothers Fund.

Programi i plotë i seminarit pritet të bëhet publik së shpejti./PrizrenPress.com

Posedim i paautorizuar i armëve në Prizren, policia sekuestron armatim dhe municion

0

Policia e Kosovës, më 04 prill 2025, ka realizuar një kontroll në shtëpinë e një të dyshuari për posedim të paautorizuar të armëve. Hetimet janë zhvilluar nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren, pas informacioneve operative që tregonin se i dyshuari, N.T., mashkull kosovar, i lindur në vitin 1977, ishte në posedim të armëve pa leje, përcjell PrizrenPress.

Policia ka bërë të ditur se, pas pranimit të informacionit, është njoftuar Prokurori i Shtetit, dhe me lejen e tij, është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

“Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: Një (1) pistoletë e tipit AREX, kalibri 9×19, Një (1) pushkë gjysmë automatike e tipit Crvena Zastava, Një (1) karikator i pistoletës, Gjashtë (6) fishekë të kalibrit të panjohur, Dy (2) fishekë me gaz, Dyzet e një (41) fishekë të armëve të gjata, Një (1) karikator i pushkës gjysmë automatike, Një (1) palë dylbi të tipit ZRAK ON-M76”, njofton PK-ja.

Policia ka njoftuar se ndaj të dyshuarit do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet për këtë çështje janë në vazhdim./PrizrenPress.com

Rikthehet McKinnis i Bashkimit — gati për Pejën dhe play-offin

0

Klubi Basketbollistik Bashkimi ka bërë me dije se lojtari Jarveous McKinnis është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe do të jetë i gatshëm të rikthehet në parket, duke nisur nga ndeshja e radhës kundër Pejës, përcjell Prizre Press.

“Kemi një SUPER-lajm! Jarveous McKinnis është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe do të jetë gati, jo vetëm për fazën play-off, por që nga ndeshja me Pejën. Bisha jonë është kthyer — le ta bëjmë këtë!”, thuhet në njoftimin e klubit.

Rikthimi i McKinnis vjen në një moment të rëndësishëm për skuadrën dhe pritet të jetë një shtysë e madhe drejt objektivave të këtij sezoni./PrizrenPress.com

‘Asnjë cent ma shumë’, sot mbahet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

0

Grupi i qytetarëve “Asnjë cent ma shumë” do të organizojë sot një protestë në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të nisë nga ora 15:00 dhe është një reagim ndaj ngritjes së çmimeve të energjisë, e cila ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët dhe bizneset.

“15% nuk kalon! Monopoli privat nuk kalon!” është motoja e protestuesve, të cilët kërkojnë ndërhyrje për të siguruar energji elektrike të përballueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ju ftojmë të bashkoheni në protestën e 5 prillit kundër propozimit të ZRRE-së për shtrejtim të rrymës elektrike me 15%. Ne e konsiderojmë këtë protestë si një manifestim të mllefit të klasës punëtore kundër degradimit të mirëqenies së shumicës. Kjo protestë është shprehje e zemërimit kolektiv ndaj pasurimit dhe grumbullimit të kapitalit nga kompania private KEDS. Monopoli privat nuk kalon! 15% nuk kalon!Shihemi në Sheshin “Skënderbeu” në ora 15:00!”, thuhet në thirrjen e grupit protestues.

Derbi i Anadrinisë vendos fatet në Prizren

0

Java e 28-të e ProCredit Superligës në basketboll – dhe njëkohësisht e fundit për fazën e rregullt – nis këtë fundjavë me një përballje të zjarrtë rajonale.

Sot në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, do të zhvillohet Derbi i Anadrinisë ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit, me fillim nga ora 17:00, raporton PrizrenPress.

Prizrenasit ndodhen në vendin e fundit të renditjes me pesë fitore dhe 22 humbje, ndërsa therandasit kanë një bilanc prej 14 fitoreve dhe 13 humbjesh – po aq sa edhe skuadra e Pejës.

Kjo e bën ndeshjen vendimtare për Golden Eagle Yllin, që kërkon një pozicion më të favorshëm në “play-off”./PrizrenPress.com

Posta e Kosovës nis shpërndarjen e gjobave digjitale të trafikut

0

Posta e Kosovës ka nisur shpërndarjen e gjobave digjitale për shkeljet e trafikut, një iniciativë që synon rritjen e sigurisë dhe përgjegjësisë në rrugë.

Sipas një komunikate të Postës, “Ky hap modernizues e bën procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qytetarët, duke siguruar një menaxhim efikas të detyrimeve të tyre.”

Gjobat do të dërgohen drejtpërdrejt në adresat e qytetarëve, duke ofruar mundësi më të përshtatshme dhe më të thjeshta për të realizuar pagesat. Sipas Postës së Kosovës, qytetarët mund të paguajnë gjobat në çdo zyrë postare të Postës së Kosovës, duke siguruar fleksibilitet dhe komoditet.

“Ky shërbim mbështet angazhimet e Policisë së Kosovës dhe të komunave për një trafik më të sigurt dhe një mjedis më të rregullt. Po ashtu, ky është një hap përpara në krijimin e një infrastrukture më të sigurt dhe më të besueshme për të gjithë qytetarët”, theksohet në njoftim.