17.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Gusht, 2025
Home Blog Page 5829

Ndërtime pa leje në bjeshkët e Kabashit

0

Në Parkun Nacional Bjeshkët e Kabashit,në një vend ku mund të shkohet vetëm me makina terreni,ndodhen ndërtimime të vilave pa leje.

Në këtë zonë e cila është nën mbrojtjen shtetërore disa banorë të fshatit Korishë kanë filluar ndërtimin shtëpive-vila dhe kanë arritur që të përfundojnë ato,përkundër intervenimit të zyrtarëve të inspektoratit.

Ndërtimet ilegale i bënë të ditura disa banorë tjerë të Korishës,të shqetësuar për dëmtimin e parkut.

“Jena 5 veta të gjitha lagjeve, unë jam i mahallës Guri,të cilët kemi shprehur shqetësimin tonë për dëmtimin e pronave publike në Bjeshkët e Kabashit, ose në parkun nacional. Personat që e kanë ba këtë uzurpim janë disa fshatarë tanë të cilët i kemi lajmëruar në organet përkatëse të komunës së Prizrenit,” tha Shaip Dakaj, njëri nga denoncuesit e ndërtimeve pa leje.

Në emër të banorëve të fshatit Korishë të shqetësuar nga ndërtimet pa leje në Bjeshkët e Kabashit, avokati Esat Gutaj ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Këtu sipas vlerësimeve të mia si avokat ka disa vepra penale, e para është uzurpimi i pronës së paluajtshme, e dyta është degradimi i mjedisit, e treta është vepra penale shkretimi i pyjeve dhe punimet pa kritere, kjo është sipas vlerësimit tim, por prokuroria do të bëjë vlerësimin në mënyrë më profesionale, por për katër vepra penale janë,” shpjegoi për KALLXO.com avokati Gutaj.

KALLXO.com i ka mësuar emrat e personave që ndërtuan pa leje në Bjeshkët e Kabashit, por pasi ata po hetohen nuk janë përmendur emrat e tyre.

Zyrtari për informim i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha deklaroi se inspektorët komunalë kanë dalë në terren.

“Drejtoria e Inspekcionit me inspektorët e vet ka dalë në terren, ka biseduar me qytetarët, janë në pretendim e sipër për të ndërhyrë në këtë zonë, kanë marrë vërejtjet e para. Kërkesa e komunës është që ata nuk kanë të drejtë të ndërtojnë në këtë zonë dhe normalisht bashkë me sistemin prokurorial të komunës së Prizrenit, kemi me bë më të mirën për këtë zonë,” tha Berisha.

Edhe zyrtarë të Drejtorisë së Parkut Nacional për Regjionin e Prizrenit, një institucion nën menaxhimin e Ministrisë së Mjedisit kanë dalë në vendin e ndërtimeve pa leje.

Drejtori i kësaj drejtorie Hazer Dana tha se janë vendosur shiritat e ndalimit të punimeve në Bjeshkët e Kabashit, por ata janë hequr nga ndërtuesit ilegalë.

“Ata prapë kanë filluar me ndërtu, e kemi njoftuar inspektoratin. inspektorati ka shkuar në inspektimin e dytë ka konstatuat heqjen e shiritave dhe vazhdimin e ndërtimeve,” tha Dana.

Hazer Dana tregoi se ndërtuesve ilegalë u është kërkuar të rrënojnë vilat e ndërtuara.

“Nga këto që ka konstatuar inspektorati, ka marrë vendimin për rrënimin e këtyre objekteve dhe presim që pala të bëjë rrënimin sipas vendimit të inspektoratit. Këtë ta bëjë vetë pala, nëse pala nuk e bën vetë, inspektorati i Ministrisë së Mjedisit është i obliguar që të shkojë të bëjë vetë rrënimin, ndërsa shpenzimet i bart vetë pala që e ka bërë ndërtimin,” tha Dana.

Banorët e fshatit Korishë thonë se janë të shqetësuar për degradimin e kësaj zone dhe presin nga organet shtetërore që të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur bjeshkët në të cilat vazhdojnë t’i dërgojnë bagëtitë për kullosa.

“Porosia jonë, u lutem organeve kompetente më të larta të Republikës së Kosovës që e quajmë shtet të marrin masa sa më shpejt, sa më të ashpra, që të ndalin degradimet e bjeshkëve të Kabashit dhe të parkut nacional,” apeloi Shaip Dakaj.

Ç’jemi ne?

0

Nga Petro Marko

Gjaku i himjarotëve është shqiptar, një histori me Ali Pashën dhe propaganda greke

Pra ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshët dhe gjyshet dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip?

Siç duket që nga viti 1820 e këtej, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.

Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit.
Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës.

Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve.

Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit.

Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht, tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputen lidhjet me Labërinë, me Dukatin.

Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë, janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej.

Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:

– E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhamedi ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait. Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
– Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajnë!
-Pastaj, duke qeshur: – Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!

Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje.
Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke.
Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petërsburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit. Gjikë Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë.

Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një…
Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të behej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoksë).

Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie.
Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua.
Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptarë, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia.

Krerët himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propagande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë.
Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse Labëria u bë turke?
E pse te mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe ne armiq të betuar të turkut. Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj.

Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë.
Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Airesi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë.

Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqet që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla.
Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqeve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë.
Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina.

Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”.

(Pjesë e shkëputur nga libri i “Intervistë me vetveten”/ Tirana Observer)

Njoftimi tronditës i Michael Buble

0

Këngëtari Michael Buble ka bërë një njoftim tronditës në profilin e tij në Facebook, ku mes të tjerash ka bërë të ditur se ka anuluar të gjitha angazhimet profesionale.

“Jemi të tronditur për diagnozën e fundit të djalit tonë të madh, Noah, që ka rezultuar me kancer”, ka njoftuar Buble.

Artisti kanadez ka deklaruar se, aktualisht djali i tij ndodhet për mjekim në Shtetet e Bashkuara.

“Unë dhe Luisana i kemi lënë karrierat mënjanë për t’i kushtuar gjithë kohën dhe vëmendjen tonë djalit, për ta ndihmuar të shërohet”, ka thënë Buble, i cili gjithmonë e ka shprehur rëndësinë e të qenit baba.

Përmes mesazhit të tij, ai u ka kërkuar të gjithë fansave e ndjekësve në rrjetet sociale që të luten për Noah, por edhe respektimin e privatësisë.

“Kemi një rrugë të gjatë përpara dhe shpresoj se, me mbështetjen e familjes, miqve dhe fansave në të gjithë botën do të mund ta fitojmë këtë betejë, natyrisht me vullnetin e Zotit”, ka thënë Buble.

/ Top Channel

Bisedime për koalicionin AAK – ‘Nisma’ – AKR

0

Përfaqësuesit e AAK-së dhe të “Nismës” ia kanë hapur dyert AKR-së së Behgjet Pacollit për ta përfshirë në koalicion. Madje, përfaqësuesit e këtyre partive nuk e kanë përjashtuar mundësinë e takimeve me AKR-në për të ecur bashkërisht në procesin e ardhshëm qeverisës

Aleanca Kosova e Re (AKR) mund t’i bashkohet AAK-së dhe “Nismës” në koalicionin parazgjedhor. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë, të cilët kanë thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, atëherë do të krijohet një parti me fuqi solide politike, shkruan gazeta ‘Zeri’.

E një gjë të tillë nuk e kanë mohuar asnjëra prej këtyre partive. Madje AAK-ja dhe “Nisma” kanë thënë se ka gjasa të jetë biseduar në këtë drejtim. Përfaqësues të këtyre dy partive opozitare kanë deklaruar se i kanë dyert e hapura për AKR-në dhe për partitë e tjera të vogla për të ecur bashkërisht në procesin qeverisës. Mirëpo, për një çështje të tillë nuk ka dashur të komentojë fare Aleanca Kosova e Re.

Megjithëkëtë, para pak ditësh lideri i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, tha se i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i vetmi prej opozitës që është treguar konstruktiv. Ndërkaq në një prononcim për gazetën “Zëri” ai tha se vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në dhe LDK-në/zeri/

Veteranët, nën ‘llupën’ e Prokurorisë

0

Ndonëse statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet ta gëzojnë mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës, listat e publikuara për këta veteranë tanimë janë objekt trajtimi i Prokurorisë së Shtetit. Kush me meritë dhe kush pa meritë një numër i madh i qytetarëve do të futen në skemën pensionale për përfitimin e veteranit të UÇK-së. Ndërkaq, fillimi i hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të këtyre listave ka ardhur pas publikimit të tyre nga ana e Qeverisë, ku është parë një numër enorm i personave të të cilëve do t’u njihet statusi i veteranit të UÇK-së, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Organi i ndjekjes në Kosovë, Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se prokurorët janë duke e bërë grumbullimin e informatave në lidhje me keqpërdorimin eventual të listave të veteranëve të UÇK-së. Zyrtarja për Informim e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se hetimet për këto lista janë duke vazhduar.

“…Prokuroritë janë duke marrë veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë dhe më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës. Tani në këtë fazë, ku hetimet janë duke vazhduar në prokuroritë kompetente, nuk mund të bëhen publike informatat tjera”, ka thënë Kozmaqi..

Klani ‘Pronto’ vazhdon ta kontrollojë drejtësinë

0

Drejtimi i timonit të drejtësisë po duket të jetë vështirë i mundur nga akëcili person, madje edhe nëse në këto poste do të vinin kuadro krejtësisht të reja dhe me një integritet e etikë të lartë profesionale, ngase ka dyshime të mëdha se edhe ata nuk do të mund ta ndryshonin brenda një kohe të shkurtër gjendjen shumë të rëndë, në të cilën ndodhet tani në përgjithësi sistemi i drejtësisë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kështu kanë vlerësuar të paktën njohësit dhe analistët e kësaj fushe, të cilët kanë thënë se ndërrimi i kuadrove të vjetra me ato të reja mund të sjellë kualitet të prekshëm në sistemin juridik të Kosovës, por prapëseprapë gjithçka në këtë aspekt varet nga vullneti politik, si dhe prej atyre që e kanë për detyrë që në mënyrë ligjore të tentojnë ta ndryshojnë sistemin juridik për të mirën e shtetit të Kosovës. Ndaj, është shtruar edhe çështja se a mund të përtërihet drejtësia me kuadro të reja e të afta, me etikë e integritet profesional, apo mund të ndodhë edhe e kundërta, ngase dyshohet se prurja e tyre po bëhet nga personazhet e klanit ‘PRONTO’ dhe mafio-oligarkëve politikë e ekonomiko-financiarë të bizneseve të paligjshme, të cilët po e rritin ndikimin e vet në gjykata e prokurori, derisa kësisoj edhe kapja e tyre po bëhet e plotë. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është nevojë imediate përtëritja e sistemit të drejtësisë me kuadro të reja, të afta e me etikë dhe integritet profesional e njerëzor, ngase, siç tha, kësisoj vjen deri tek zhvillimi e demokratizimi i sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

Reformimi i domosdoshëm

Tutje, Kelmendi ka nënvizuar se përgjithësisht sistemi i drejtësisë ka degraduar kaherë nga kapja dhe shtrirja e ndikimit të mafio-politikës mbi sistemin gjyqësor të drejtësisë pa lënë anash këtu as prokurorinë, e që më pastaj për rrjedhojë, sipas tij, e ka sjellë gjendjen e këtij sistemi në pikën zero, për të mos thënë se asnjë hallkë e këtij sistemi nuk është në gjendje të shëndoshë për të ndarë drejtësinë për qytetarët pa ndikime, qofshin ato të jashtme apo të brendshme, po ashtu pa selektime të lëndëve e akteve ligjore dhe drejtësisë, sikur janë gjykatat e prokuroritë.

“Sikur edhe është shpërfaqur më parë në vetë aferën e përgjimeve ‘Pronto’ me ndikimet, interferimet dhe kontrollin e njerëzve të mafio-politikës, gjyqësori dhe përgjithësisht sistemi i drejtë- sisë, janë larg demokratizimit të mirëfilltë dhe të funksionimit të tyre si të pavarura e demokratikisht të shëndosha e me përmbajtje në etikën profesionale dhe në integritetin e përgjegjshmërinë në punën dhe funksionimin e tyre”, u shpreh ai. Sipas tij, duke e zhvilluar ndikimin e vet me vite të tëra mbi të gjithë resorët e gjyqësisë dhe prokurorive, mafio-politika i ka bërë kështu shërbimin më të keq vetë- funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimit të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit. “Mbase është imperative një reformim i sistemit të drejtësisë dhe sidomos përtëritja me kuadro të reja që kanë integritetin, etikën, dhe profesionalizmin e që janë larg ndikimeve politike dhe të tjera për ta çuar dhe për ta fuqizuar kësisoj sistemin e drejtësisë dhe për ta demokratizuar gjithashtu atë deri në masën e duhur për të funksionuar si çdokund në Evropë drejtësia dhe shteti ligjor mbi baza të shëndosha, pra mbi norma dhe ligje”, theksoi Kelmendi.

Politika duhet të vetëdijesohet

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se në Kosovë nuk ka shenja të besueshme se po nis një reformë në drejtësi, madje kjo reformë nuk shihet në horizont as në sektorët e tjerë. Por, sipas tij, përveç reformës së thellë dhe rrënjësore në drejtësinë kosovare, vendi ka nevojë për një reformë të gjithanshme, e cila do të prekte edhe sistemin e brendshëm partiak dhe paralel me të edhe në sistemin qendror të zgjedhjeve, derisa, siç tha, kjo reformë mund të bëhet vetëm nëse ua pamundëson zgjedhjen dhe rizgjedhjen në parti, në pushtetin lokal e qendror të gjithë bartësve të krimit ekonomik dhe politik.

” Nëse kjo gjë do të ndodhte, do të ishte mrekullia, por para se të presim një vetëdijesim të shtresës politike, e cila tashmë është zhytur në përgjegjësi penale, shoqëria jonë, shtresa vitale e shoqërisë, pra rinia, do të duhej të ishte më aktive për të bërë trysni tek oligarkët politikë, të cilët domosdoshmërish do të duhej për t’ua besuar udhëheqjen e vendit dhe sidomos të sistemit të drejtësisë një gjenerate, e cila nuk vuan nga kompleksi i së kaluarës historike dhe as nga inferioriteti i të tashmes, në aspektin e edukimit dhe arsimimit. Kosova ka një brez të shkëlqyer edhe në planin juridik që i kanë fituar dijet e tyre nëpër universitete evropiane dhe ato amerikane. Prandaj, kësaj gjenerate duhet t’i besohet më shumë, e cila do ta bartte tërë përgjegjësinë e rindërtimit të sistemit në drejtësi”, ka vijuar më tej ai. Sipas Dibranit, kësaj gjenerate mund t’i shtohet një numër rekord i ekspertëve të rinj, të cilët mund të specializohen nëpër qendra më me ndikim, përmes kurseve profesionale, për t’iu rikthyer vendit të kompletuar në aspektin akademik dhe me këtë plotësohet nevoja me stafin juridik, të cilët do të merrnin përsipër prokurorinë, gjykatat dhe drejtësinë, e cila është hallka më e kritikuar e sistemit qeverisës në Kosovë.

” Andaj, pa një drejtësi, e cila është krejtësisht e shkëputur nga e kaluara përplot huqe dhe e tashmja përplot ndikime e hipokrizi, zor se do të dalim nga kriza e thellë në drejtësi, në të cilën përgjegjësinë kryesore e kanë klanet dhe oligarkët politikë”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani.

Askush nuk e merr seriozisht Thaçin

0

Mënyrën se si e ka marrë presidenti Thaçi iniciativën për rifillimin e procesit të reformës zgjedhore, përfaqësues të subjekteve politike e shohin si lojë mashtruese të radhës, për ta forcuar pozitën e pavolitshme dhe shumë të izoluar në krye të shtetit, qoftë edhe përmes një deformimi të sistemit zgjedhor në emër të reformimit,shkruan gazeta Kosova Sot. Ky qëllim shihet si kryesori pse Thaçi po e kërkon reformën zgjedhore pikërisht për interesa të veta personale, pasi që veten po e sheh si president të përjetshëm, duke u zgjedhur gjoja direkt nga populli, por duke llogaritur në zgjedhjen e kontrabanduar eventuale me vota të vjedhura dhe të klanit kriminal ‘Pronto’. Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, sado që e sheh të domosdoshme një reformë të mirëfilltë zgjedhore gjithëpërfshirëse, inicimin e saj nga presidenti Thaçi e sheh si shumë joserioze dhe aspak të realizueshme, ngase prapa kësaj iniciative mund fshihen qëllimet personale të Thaçit dhe rrjetit të tij, siç thotë Salihaj, kriminal.

“Çfarëdo reforme zgjedhore që kërkon Thaçi, do të jetë ‘reformë’ për interesa të tij dhe të krimit të organizuar, dhe jo për interesa të Kosovës. Unë nuk besoj aspak se ‘reforma’, që do të kërkojë ai do të jetë për ta përmirësuar sistemin zgjedhor. Ndoshta ai do të përpiqet që këtë reformë t’ia përshtatë edhe interesave të tija personale, apo që të na kthejë mbrapa në sistemin zgjedhor me lista të mbyllura, për t’i bërë deputetët servilët e partive politike për të votuar vendime, që janë në kundërshtim me interesat kombëtare. Shpresoj se Thaçi nuk do t’i arrijë këto qëllime të mbrapshta”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Opozita bojkoton tryezën e presidentit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur dje një tryezë bisedimesh me partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, për të trajtuar pikërisht çështjen e reformave. Për herë të parë, Thaçi ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të zvogëlojë numrin e ulë- seve nga 120 në 100, si dhe të sigurojë dy ulëse për komunitetet pakicë, përkatësisht për komunitetin kroat dhe atë malazez. Sipas tij, këto ndryshime duhet të ruajnë përfaqësimin aktual të partive shqiptare dhe pakicave, duke ruajtur parimet e përcaktuara me Pakon e presidentit Ahtisaari, si dokumenti gjithëpërfshirës mbi bazën e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. Për realizimin e reformave zgjedhore, presidenti Thaçi tha se do të jenë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese e ligjore. Ai tha se reformat duhet të japin një përgjigje nëse në të ardhmen presidenti do të zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejtë të popullit. Po ashtu, Thaçi tha se me anë të këtyre reformave duhet të përcaktohet se sa zona zgjedhore do të ketë Kosova dhe a do të shkohet në votime me lista të hapura apo të mbyllura. Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve lokale, në debat u tha se reformat aty janë më të lehta, pasi që kërkohet vetëm ndryshim i ligjit dhe nuk ka nevojë për amendamentime kushtetuese. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryeministër i Kosovës, tha se i mbështet reformat, por për realizimin e tyre do të nevojitet një konsensus mes partive të shumicës, si edhe pakicave, pasi që procesi do të përmbyllet me ndryshime kushtetuese.

“Do të merremi vesh t’i formojmë ekipet e përbashkëta, që do të punojnë me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë civile, por jam për atë që ne ta fillojmë këtë proces dhe t’i zëmë të gjitha afatet, sepse duhet procesi të përmbyllet gjashtë muaj para zgjedhjeve”, tha Mustafa.

Debati i thirrur nga presidenti Thaçi është bojkotuar nga partitë opozitare. Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, tha me këtë rast se pa një gjithëpërfshirje reformat nuk do të mund të realizohen. Dy parti opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë prezantuar ndaras qëndrimet e tyre, në një konferencë për media. Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka polemizuar me presidentin Thaçi rreth kërkesës së tij që të shtohen edhe dy vende në Kuvend për pakicat, duke thënë se përse një propozim i tillë nuk u dha edhe për diasporën e Kosovës

Të përfillet vullneti i qytetarëve

Deputeti i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Ismail Kurteshi, thekson se përpjekja për t’u legjitimuar përmes shfrytëzimit të situatave të caktuara vetëm sa e shton delegjitimitetin e të gjithë atyre që, përmes pazareve të pista, arrijnë në pozita, për të cilat nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve.

“Edhe përpjekja e sotme e Thaçit ka përfunduar e dështuar dhe vetëm sa e ka kontestuar edhe më shumë legjitimitetin e tij. Sa i përket idesë për reformë zgjedhore, tani kur zgjedhjen janë shumë afër, kjo ide është farsë, pasi që për përcaktimin e një sistemi të caktuar zgjedhor në Kosovë duhet një përgatitje serioze dhe një debat i gjerë me qytetarët e Republikës, madje nuk do të ishte keq që për këtë çështje të rëndësisë së veçantë të organizohet edhe referendum, ku do të merret parasysh vullneti i popullit. Nëse nuk merren parasysh sugjerimet e qytetarëve, por për sistemin zgjedhor vendosin partitë politike, Kosova nuk do të ketë kurrë sistemin zgjedhor që i duhet vendit, por do të përfundojë në një sistem që u konvenon krerëve të partive, sidomos të atyre të mëdha”, ka thënë Kurteshi për “Kosova Sot”. Në linjë gati të njëjtë është edhe deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.

“Ky është një muhabet kot. Është vetë Hashim Thaçi ai personi, i cili e ka bllokuar reformën zgjedhore më shumë se 6 vjet resht, dhe aspak nuk i dihet nëse tani e ka seriozisht apo jo këtë farë pune”, është shprehur Berisha. Se është shumë i mundur skenari i planifikuar i Hashim Thaçit, që me inicimin e reformës të mendojë edhe për vete, në kontrabandimin e një mandati të radhës për president, qoftë edhe me manipulim industrial votash, nuk e përjashton si mundësi as nënkryetari i AAK-së Ali Lajçi. Sidoqoftë, ai thotë se reforma duhet të ndodhë pa vonesë dhe në zgjedhje nuk do të duhej shkuar pa finalizimin e këtij procesi. “Kalkulimet dhe lojërat de fakto janë këto, madje edhe për t’u faktorizuar paksa presidenti, i cili nuk ka aspak autoritet në opinionin publik dhe atë politik”, tha Lajçi për “Kosova Sot”.

Propozimi i Spahiut

Spahiut Profesori i së drejtës kushtetuese, Riza Smaka, thotë se është kërkesë imediate reforma e Sistemit Zgjedhor në vendin tonë. “Në këtë drejtim ka punuar një komision nga legjislatura paraprake, madje duke vajtur në motele e hotele vendore e të jashtme, kinse për kushte pune më të mira. Në atë mënyrë pashmangshëm kanë qenë shkaktuar harxhime të mëdha edhe të parasë publike, të cilat nuk janë arsyetuar me asgjë, në atë legjislacion”, theksoi ai. Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, shprehet se pas aktiviteteve të bujshme si kryeministër, Thaçi në pozitën e presidentit duket si pensionist. “Natyrisht edhe në këtë pozitë ai do të kishte punë të shumta për t’u bërë protagonist në lojën politike të vendit, sikur të kishte këshilltar me vizion apo edhe vullnetin me u marrë me ato punë. Reforma zgjedhore është një nga këto punë, por ai paraprakisht do të duhej të dilte me një propozim konkret në interes të vendit, dhe t’i vënte liderët partiakë në pozitë që refuzimi i ftesës së tij t’i digjte ata para votuesve. P.sh. nëse ai do t’i ftonte liderët politikë që të merren vesh për amendamentimin e Kushtetutës, që përbërja e ardhshme e Parlamentit të Kosovës të ketë vetëm 60 (50+10) deputetë, atëherë Thaçi do të kishte përkrahjen e opinionit publik dhe liderët që do të refuzonin do të digjeshin . Të mos flasim për ftesën për marrëveshje mes liderëve politikë që qeveria e ardhme e Kosovës të mos ketë më shumë se 7 ministra, të hiqet krejtësisht pozita e zëvendësministrave e zëvendëskryeministrave pa resor ministror”, tha Spahiu për “Kosova Sot’

Gjykimi i zyrtarëve të Universitetit të Prizrenit nis prej fillimit

0

Gjykimi ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe dy zyrtarëve të lartë Adem Sallauka e Halim Haziraj u kthye nga fillimi për shkak të vonesave në procedura.

Gjykimi ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe dy zyrtarëve të lartë Adem Sallauka e Halim Haziraj u kthye nga fillimi për shkak të vonesave në procedura.

Trupi gjykues vendosi të enjten që ky gjykim të rifillojë për shkak se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se tre muaj që nuk është mbajtur seancë tjetër.

Një gjë të tillë e kërkon Kodi e Procedurës Penale.

Trupi gjykues i njoftoi palët, se seanca duhet të fillojë prej fillimit, për shkak se ka pasur pengesa në caktimin e seancës që tre muaj

Ish rektori i Universiteti të Prizrenit, Mazllum Baraliu, sekretari i përgjithshëm, Adem Sallauka dhe zyrtari për buxhet e financa, Halim Haziraj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre, ata nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit, Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.

Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.

Prokurori i shtetit Sefer Morina propozoi që pasi që shqyrtimet e kaluara janë mbajtur para të njëjtit trup gjykues, të bëhet vetëm leximi i provave dhe deklaratave të dëshmitarëve dhe ata të mos thirren prapë për t’u dëgjuar.

Me këtë propozim u pajtua edhe mbrojta e të akuzuarve. Trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit dhe u lexuan deklarata e dëshmitarëve të dhënë në seancat e kaluara.

Në këtë shqyrtim, mbrojtjen e tij e dha i akuzuari Halim Haziraj, i cili tha se nuk kishte pasur autorizim me shkrim për shkëputjen e vendimin të prorektorit Enver Sopjani nga rektori Mazllum Baraliu, por ai ka qenë në dijeni për këtë vendim. Ai tha se vendimin për ndërprerjen e punës e ka bërë në bazë të statutit të universiteti dhe ky vendim, sipas tij, është i drejtë.

Në seancën e ardhshme fjalën mbrojtëse do ta japë i akuzuari Adem Sallauka, ndërsa më pas pritet që të jepet fjala përfuindimtare./kallxo.com/

Konfiskohen armë ilegale në Mamushë dhe Korishë

0

Policia e Prizrenit njofton se në dy raste të ndara në Mamushë dhe në fshatin Korishë kanë konfiskuar disa armë pa leje.

Sipas Policisë rreth orës 10 e 30 minuta në fshatin Korishë në kërkim të armëve ilegale është arritur që të identifikohet i dyshuari B. D, ku ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, me prejardhje, model dhe kalibër te panjohur, me numër serik 0A2399-87 dhe një karikator të pushkës automatike dhe shtatëmbëdhjetë (17) fishekë kalibër i panjohur.

Po sipas Policisë rreth orës 19:30 minuta, në Mamushë në kërkim të armëve ilegale është arritur që të identifikohet i dyshuari H M

Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij është gjetur dhe sekuestruar dy armë (pistoleta) të tipit Ekol special 99 e kalibrit 9mm me numër serik EV 12123982,EKO e kalibrit 6mm me numër serik ET-1081069 dhe 6 fishek te kalibrit 6mm, një karikator i zbrazur dhe një këllëf i pistoletës.

Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. Rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt.

Rrahje për parking në Suharekë

0

Tre persona janë përshirë në një rrahje për mosmarrëveshje rreth një parkingu në Suharekë.

Dy të dyshuarit kanë sulmuar një tjetër, i cili me një brisk ka goditur në krah njërin prej tyre, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori, kurse rasti shkon në procedurë të rregullt.