Home Blog Page 5828

Aksident në Malishevë (Foto)

0

Para disa minutave ka ndodhur një aksident trafiku në Malishevë- njoftojnë lexuesit e Gazetës Express nga vendi i ngjarjes.

Përveç dëmeve materiale ende nuk dihet se a ka të lënduar.

Policia e Kosovës vazhdimisht po bën thirrje për respektimin e rregullave në komunikacion. Sipas raportit policor, në vendin tonë çdo ditë ndodhin dhjetëra aksidente me të lënduar dhe shqiptohen qindra gjoba për kundërvajtësit e trafikut.

Vrasja në Ratkoc të Rahovecit: Policia arreston një person

0

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një burrë nën dyshimin se është ai që ka kryer vrasjen e një të riu në këtë fshat, më 17 maj të këtij viti, në orën 2 pas mesnatës.

“Fshati Ratkoc, Rahovec, më 17.05.2017-02:00. Në lidhej me rastin raportohet se me 16.08.017 është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar, dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, pa dhënë më shumë detaje.

Siç ishte raportuar, një 25-vjeçar qe gjetur i vdekur në fshatin Ratkoc, në një përrua, rreth 2 orë pasi që ishin dëgjuar të shtëna, mëngjesin e 17 majit.

Digjet një lokal në Dragash

0

Dje në fshatin Bellobrad të Dragashit është djegur një lokal, shkruan PrizrenPress.

Rastin në Polici e ka lajmruar pronari i lokalit, i cili ka thënë se në rrethana të panjohura nga zjarri i është përfshirë lokali i tij.

“Njësia policore dhe zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e Policisë. /PrizrenPress.com/

Në fshatin Lubizhdë të Prizrenit sekuestrohet një armë

0

Policia e Kosovës ka sekuestruar një pushkë gjuetie me shtatë copë fishekë në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Lubizhdë të Prizrenit.

Nga raporti ditor i Policisë bëhet e ditur se i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar, shkruan PrizrenPress.

“Rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport./PrizrenPress.com/

Arrestohet një person në Prizren, sulmoi fizikisht një tjetër

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prizren ka arrestuar një person të gjinisë mashkullore pasi që i njëjti, me 6 gusht të këtij viti, kishte sulmuar fizikisht një mashkull duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore

Nga raporti ditor i Policisë bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, /PrizrenPress.com/

Fjalimi historik i Albert Kamysë që i rrëzikoi jetën. Mesazhi që vazhdon të jehojë edhe sot…

0

Nga Robert Zaretsky

Gjashtëdhjetë e një vjet më parë, Albert Kamy mbajti fjalimin e jetës së tij. Në fakt qe një fjalim që gati i kushtoi jetën e tij, por dhe që dështoi në qëllimin e tij për të shpëtuar jetën e civilëve të panumërt, arabë dhe francezë, të mbërthyer në morsën e terrorizmit, të aplikuar nga të dyja palët në luftën e Algjerisë për pavarësi.

Arsyeja e këtij fjalimi, si dhe arsyet që dha vetë Kamy, hedhin një dritë të rëndësishme në “luftën kundër terrorit”, që tanimë është duke u luftuar në Perëndim.

Nga fillimi i 1956-ës, lufta ndërmjet lëvizjes nacionaliste algjeriane, Fronti Nacional Çlirimtar (FLN), dhe ushtrisë franceze ishte përshkallëzuar në masakra të ndërsjellta- nga masakra e Filipvil, ku më shumë se 100 burra, gra dhe fëmijë francezë u bënë copë-copë nga fqinjët e tyre arabë, deri tek politika e “përgjegjësisë kolektive” ose vrasja pa dallim e burrave, grave dhe fëmijëve arabë nga ushtarët francezë dhe milicët civilë.

Sipas Kamy, nuk qenë vetëm algjerianët, por edhe vetë Algjeria që ishte duke vdekur.

Për këtë arsye, pasditen e së djelës së 22 janarit 1956, pak pas orës 4, një Kamy i tendosur dhe nervoz hipi në një podium tek “Qendra e Progresit”, një ndërtesë në pronësi të një myslimani në qendër të Algjerit.

I lindur dhe rritur në një lagje të klasës punëtore në kryeqytet, Kamy bëri një ndarje dramatike të dy botëve të ndryshme. Në njërën anë ishte lidhja e tij organike me njerëzit dhe Algjerinë franceze; ndaj idealeve republikane franceze të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.

Së pari si gazetar sensacionesh, më pas si romancier dhe eseist, karriera e të cilit së shpejti do të kurorëzohej me çmimin Nobël në letërsi, Kamy luftoi për zgjerimin e këtyre idealeve në mesin e 8 milionë arabëve dhe berberëve, që jetonin nën sundimin francez. Ndryshe nga shumë piedis-noir (kolonë francezë), Kamy qe tronditur nga historia brutale e de jure dhe de facto e diskriminimit të arabëve dhe berberëve.

Me shpresë se “Algjeria franceze” mund të mbetej e tillë, ndërsa do të bëhej plotësisht demokratike, Kamy këmbënguli se francezët dhe arabët ishin “të dënuar për të jetuar së bashku”. Megjithatë duke filluar nga 1956, Kamay u tmerrua nga ideja se në vend të kësaj, ata po fillonin të vrisnin njëri-tjetrin. Prespektiva e gjakderdhjes së pafund, e nxitur nga aktet e terrorizmit kundër popullatës civile, qe një barrë gati e padurueshme.

Algjeri, i tha një miku, “është një thikë në fytin tim”.

Në doza të barabarta të guximit dhe dëshpërimit, Kamy shkroi në fund të vitit 1955 një seri editorialesh në revistën “L’Express”, duke argumentuar nevojen urgjente të një armëpushimi civil. Një traktat midis Parisit dhe Frontit Nacional Çlirimtar, pranoi Kamy, dukej i pamundur: Të dhunshmit kishin shkuar shumë larg.

Por a nuk do të binin të paktën dakord për t’u kursyer jetën civilëve? Në rastin e kundërt, shkroi ai: “Algjeria do të jetë e populluar vetëm nga vrasës dhe viktima. Vetëm të vdekurit do të jenë të pafajshëm”.

I vetëdijshëm se ishte shumë e lehtë për të stimuluar dhe ushtruar presion ndaj Parisit të largët, Kamy vendosi të flasë publikisht, duke vënë veten në rrezik të madh, me këtë iniciativë në Algjerin e tij të lindjes.

Nga ana tjetër Algjerianët qenë duke pritur një audiencë prej 1500 burrash dhe grash – francezë dhe myslimanë, intelektualë dhe pronarë dyqanesh – kishin mbushur sallën deri tek shkallët e hyrjes.

Atmosfera ishte e tensionuar dhe e ethshme, sidomos kur një turmë kërcënuese kolonistësh francezë që e kundërshtonin këtë takim, u grumbulluan masivisht jashtë ndërtesës. Kamy tha përpara të pranishmëve se qe detyra e tij, edhe si një algjerian francez dhe si shkrimtar “për të bërë një apel të thjeshtë ndaj humanizmit tuaj”.

Duke iu rikthyer inisiativës, të cilën e kishte zbuluar për herë të parë në revistën “L’Express”, Kamy propozoi që Fonti Nacional Çlirimtar dhe autoritete franceze të bien dakord për një “armëpushim civil”.

Duke hedhur vështrimin nëpër sallë, Kamy tha se ai nuk kishte ardhur për të kërkuar që dëgjuesit e tij “të heqin dorë nga ndonjë prej bindjeve të tyre”. Pavarësisht nga shkaqet ideologjike, politike dhe historike që janë në lojë, vazhdoi ai, “asnjë shkak nuk justifikon vdekjen e njerëzve të pafajshëm”.

Kamy insistoi se nuk kishte iluzione: zgjidhja e “situatës aktuale”, qe përtej mundësive të tij. Në vend të kësaj, ai nxiti dëgjuesit e tij “të heqin dorë nga ajo që e bën këtë situatë të pafalshme, domethënë, masakrimin e të pafajshmëve”.

E megjithatë, masakra ndaj këtyre të fundit vazhdoi edhe për 6 vite të tjera. Teksa Kamy fliste, turma jashtë e zemëruar ndaj “tradhëtisë” së tij ndaj Algjerisë franceze, bërtiste për linçimin e shkrimtarit.

Duke refuzuar të largohej nga salla derisa të mbaronte fjalimin, Kamy u shoqërua për siguri nga miqtë e tij. Në ditët dhe javët në vijim, Kamy zbuloi se fjalimi i tij nuk kishte ndikuar tek asnjëra palë.

Ai nuk foli më kurrë publikisht për Algjerinë – një heshtje e vulosur me vdekjen e tij në një aksident me makinë në vitin 1960 – në një kohë që terrori vazhdoi deri në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Evian, mes Francës dhe Frontit Nacional Çlirimtar në vitin 1962.

Reagimet, siç janë revolucionet, shkaktohen lehtë. Të dyja palët përbuzin kufijtë, dhe në vend të tyre përqafojnë ekstremet. Çfarë rëndësie mund të ketë fjalimi i Kamy për ne sot? Jo vetëm që ai dështoi në qëllimin e tij të menjëhershëm, por karakteri i terrorizmit nga atëherë dhe tani duket krejtësisht ndryshe.

Në një shkallë të rëndësishme, përdorimi i territorit nga FLN-ja ishte taktik: Nëpërmjet shpërthimeve dhe masakrave, lëvizja kërkoi të nxitë represioni francez dhe në këtë mënyrë të radikalizojë arabët dhe berberët.

Ata gjithashtu donin të demoralizonin komunitetin e kolonëve francezë, duke ua bërë të qartë se nuk kishin të ardhme në Algjeri. Pasi objektivat u arritën, FLN i dha fund fushatës së terrorit kundër francezëve (edhe pse fronti vazhdoi të terrorizojë qytetarët e vet).

Edhe francezët i dhanë fund praktikave të terrorizmit dhe torturës (edhe pse francezët e Algjerisë të vijës së ashpër, u përpoqën vazhdimisht për të vrarë Sharl de Golin).

Megjithatë, xhihadistët e Shtetit Islamik, që vranë 130 civilë në Paris në 13 nëntor 2015, nuk janë terroristë takticienë. Sigurisht, aktet e terrorizmit janë një mjet i fuqishëm rekrutimi për Shtetin Islamik.

Por. Për shumë prej të rinjve dhe të rejave, të lindur në periferitë e pakënaqura dhe të largëta të Parisit dhe Brukselit, mundësia për të bërë terror nuk ka të bëjë me sulmet ajrore franceze në Siri apo ëndrrat e krijimit të një kalifati që të shtrihet nga Lindja e Mesme në Ballkan.

Përkundrazi, ky mund të jetë një akt i thjesht nihilizimi dhe si i tillë, një qëllim në vetvete. Kamy sigurisht që e dinte se imperativi i tij moral – shpëtimi i jetëve të pafajshme – kishte po aq forcë tërheqëse se sa një delegacion i Vajzave Skautiste tek nihilistët. Por terroristët e veshur në të zeza të ISIS-it nuk janë audienca e tij: Jemi ne.

Kamy e pranoi, se dhuna është ngulitur në mënyrë të pazgjidhshme në strukturën e jetës së përditshme. Edhe pse një pacifist, ai gjithashtu e dinte se dhuna ishte në momente kritike, thelbësore, në rast se duam të ruajmë humanizmin tonë.

Ky ishte rasti me Gjermaninë e Hitlerit – mposhtja e tij kërkoi përdorimin e dhunës në një shkallë masive- dhe arsyeja për angazhimin e tij me rezistencën. (Deri në kohën e çlirimit të Parisit në vitin 1944, Kamy ishte redaktor i revistës klandestine më me ndikim, ‘Combat’ (Lufto), dhe fytyra jo vetëm e ekzistencializmit francez, por edhe e Rezistencës Franceze).

Duke iu drejtuar në vitin 1943 një miku imagjinar gjerman, i cili me përafrimin e nazizmit ka përqafuar edhe nihilizmin, Kamy vëren se është e lehtë “të ushtrosh dhunë kur ajo është më e natyrshme për ju sesa të menduarit”.  Gjithësesi, është një përpjekje shumë më e madhe “për të luftuar, ndërsa e përçmon atë”.

Me një qartësi të kthjellët, Kamy pa se sa lehtë ne e humbasim vetë humanizmin tonë në momente të tilla. Në esenë e tij “Rebeli”, në të cilën ai kërkoi të krijojë një dallim të rëndësishëm midis rebelimit dhe revolucionit, Kamy shkroi se ndërsa vrasja e të tjerëve është ndonjëherë e pashmangshme, ajo s’mund të bëhet kurrë legjitime.

Rebeli i vërtetë, ndërsa këmbëngul tek humanizmi i tij, nuk humbet kurrë humanizmin për të tjerët. Ai i reziston jo vetëm përpjekjeve shtypëse të tij për ta depersonalizuar, por refleksi i tij shërben për dehumanizimin e tyre. Reagimi, siç janë revolucionet, vjen lehtë. Të dyja përbuzin kufijtë, dhe në vend të saj përqafojnë ekstremet.

Nga ana tjetër, për Kamynë rebelimi nuk është “asgjë tjetër veçse një tension i pastër”. Sikurse shkroi në një editorial të “L’Express”, është e natyrsme që të shtypurit, qofshin francezët nën nazistët apo arabët algjerian nën francezët, të rrëmbejnë armët në emër të drejtësisë.

Por ashtu si “çdo njeri nuk duhet të rreshtë kurrë së kërkuari drejtësi për të shtypurin, ka disa kufinj përtej të cilave nuk mund të miratohen padrejtësitë e kryera në emër të tyre”.

Për Kamynë, rebelimi i vërtetë përfshin tension të madh. Ajo qëndron në qendër të moralit, i reziston atyre që kërkojnë ta shtypin, ndërsa i reziston dendencës së vet për të shtypur nga ana e tij. Ndërsa ky është një ekuilibër gati i pamundur për t’u ruajtur, ne duhet të angazhojmë veten, jo si Sivizi që bën për detyrën e tij, që gjitmonë dhe tashmë është bërë i yni.

Edhe pse në shikim të parë tingëllon paradoksal, rebelimi paraqet shansin tonë më të mirë për të qëndruar tek humanizmi ynë. Gjuha politike në të dyja anët e Atlantikut, në mënyrë të përsëritur dehumanizon jo vetëm kundërsharët tanë të vërtetë, por të gjithë popujt që ndajnë të njëjtën fe.

Të përshkruash valën në rritje të refugjatëve të dëshpëruar sirianë si “pushtues” apo “parazitë”, ose t’i etiketosh myslymanët që luten rrugëve të Parisit si “pushtues”, të flasësh tepër lehtë për qytetet e pushtuara nga ISIS-i  apo t’i bombardosh ato gjatë gjithë natës; të deklarosh se të gjithë emigrantët myslimanë në vendin tonë si persona ‘non grata’, apo të propozosh që ne të vrasim ata që kanë lidhje me vrasësit e Shtetit Islamik, do të thotë se kemi shkelur kufinjtë e rezistencës ndaj veprimeve çnjerëzore të përcaktuara nga Kamy.

Kamy do ta cilësonte menjëherë Shtetin Islamik, si një armik i neveritshëm dhe nihilist po aq sa dhe nazizmi, dhe që duhet luftuar me dhunë. Por në të njëjtën kohë, ai do të na paralajmëronte të mos harronim kush jemi dhe pse jemi duke luftuar.

Në fund të “Rebeli”-it, ai shkruan se logjika e tij është “t’i shërbejë drejtësisë, në mënyrë që të mos i shtohet padrejtësisë së gjendjes njerëzore dhe të këmbëngulë me një gjuhë të thjeshtë, në mënyrë që të mos rritet në një botë të gënjeshtërt”.

Sado absurd mund të tingëllojë nga njëra anë, unë mendoj se duhet të jetë ndryshe nga sa është tani. Ndërsa ky tension në fund të fundit bëri që Kamy të heshtte, ndoshta ai tani mund të nxisë ata që kërkojnë të na qeverisin, të reflektojnë mbi urdhëresat e vërteta të drejtësisë, duke marrë parasysh pasojat që kanë në jetën reale, fjalët që ata zgjedhin dhe përdorin.

Shënim: Robert Zaretsky është autor i librave “Albert Kamy: Elementet e një jete”; “Një jetë që ia vlen të jetohet: Kamy dhe kërkimi për kuptimin”. /NYT bota.al

Poeti bullgar që shkroi në greqisht poemën “Skënderbeu”…

0

Grigor Përliçev (1830/31-1893) ishte një poet bullgar i lindur në Ohër. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lindjes.

Iu kushtua gjuhës shqipe dhe luftrave të popullit shqiptar nën ushëheqjen e heroit Skënderbe. Punoi si mësues i greqishtes në qytete të ndryshme të Maqedonisë e më pas në Tiranë, ku u njoh me historinë e popullit shqiptar dhe mësoi gjuhën shqipe.

Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht poemën “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.

Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit. Aty tregon të mëdhenj edhe strategun dhe ushtarin. Këta të fundit ai i quan bij gjigandësh. Vepra përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike, shkruan Konica.al.

* * *

Valle hyjnore ngritur kanë burra
heronj, në mendjen time
Skënderbeut,
stuhi e gjëmë, dua t’i këndoj,

në krye luftëtarësh kryetrima,
që osmanllinj dërmoi miriada.
Ashtu si një tufan që vjen nga jugu,
përkul pemët e vogla të një kopshti

edhe si kallamishte i shkul nga rrënja
pemët e moçme-edhe Skënderbeu
vërsulej duke korrur majtas djathtas

ara që ngelin prapa, o nga pesha
e mishit që pengon këmbët e,
shkathta,
o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin

gjakun,
o nga një jet’ e butë reehatie.
Siç digjet një qytet i madh nga
zjarri,

që flakëron veriu i furishëm
dhe burrat qajn’ e pleqtë ulërijnë,
ndihet vajtimi içjerrë i fëmijëve
dhe gratë leshlëshuar bredhin

udhëve
duke përplasur duart-ulërinin
dhe turqit, duke ikur djersëmbytur;
dhe mjaft prej tyre, duke dhënë,

shpirt,
i përqafonin shokët që largoheshin
e qanin për fëmijët e për gratë,

duke kërkuar vdekjen sa më parë.

Në çast iu kënaq zemra
Skënderbeut,
ashtu siç e kënaq shiu që bie
arën që përcëllon flaka e diellit.

Kur ta hedh populli

0

Albin Kurti

Aktgjykimi AGJ700/2014 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i datës 26 gusht 2014, ia ka vënë kazmën Republikës Parlamentare. Ky vendim i jep përparësi absolute të parit në garë në raport me shumicën e tërësisë. Për të propozuar kryetarin e Kuvendit, në vend se ata që e formojnë shumicën pas zgjedhjeve ta kenë të drejtën, tash koalicioni parazgjedhor që del i pari në zgjedhje e ka veton.

Ky aktgjykim i ka dhënë PAN-it të drejtën ekskluzive për fuqi përbrenda Kuvendit, porse ata e përdorën këtë fuqi ekskluzivisht për padrejtësi kundër Kuvendit. E braktisën mbledhjen konstituive më 3 gusht dhe nuk u kthyen në asnjërin prej tri vazhdimeve të saj. Më 9 gusht premtuan se do të jenë gati për 17 ose 18 gusht, ndërsa sot premtuan që do të jenë gati për 24 gusht.

Nuk e dimë nëse do të vijnë që të rrinë me 24 gusht. Por, e dimë që do të bëhen plot tri javë që ulëset e kolonës së mesme në sallën e mbledhjeve plenare do të mbeten të zbrazëta. Thua se deputetët e PAN-it dëshirojnë që ulëset t’i kenë me vete kudo që ata ndodhen, prandaj ato ngelen bosh meqenëse janë karrige të palëvizshme e s’i marrin dot
me vete.

Bojkoti i PAN-it është opozitarizëm ndaj Kuvendit të Republikës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndaj kryesuesit Adem Mikullovci, deputetit më të moshuar por assesi më të vjetër, dhe, dyfishimit të forcës progresive që u bë partia më e madhe në vend. Në thelb të bojkotit të PAN-it ndodhet mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Bojkoti i PAN-it është zëvendësim taktik për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve.

Po të mund të ktheheshin në muajin maj, kurrë nuk do ta ndërmerrnin nismën për zgjedhje të parakohshme nëpërmjet mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Se PDK nuk i deshi zgjedhjet e parakohshme për ta ribërë Kadri Veselin kryeparlamentar dhe as për ta bërë Ramush Haradinajn kryeministër, apo jo? Të tjera pazare kishin në mendje veçse populli me 11 qershor ua prishi pazaret e i la pa mend. Qytetarët e befasuan regjimin i cili nuk mund t’i befasonte më qytetarët. Aq i keq që ishte bërë ai.

Disa prej tyre nuk mund të dalin nga pazari sepse pazari është i vetmi planet ku mund të ketë jetë për ta. Qëndrimin në pazar e kanë lëvizje të detyrueshme. Të tjerët, ose nuk duan ose nuk guxojnë të ikin nga pazari. Meqë u shemb pazari parazgjedhor, e s’dalin dot prej tij, ata po e zgjerojnë kornizën e pazarit. Vazhdimi i mbledhjes konstituive sipas tyre duhet të presë për dorëzimin e listave me kandidatët për zgjedhjet lokale, e, pastaj, kushedi, ndoshta vjen edhe ndonjë adresim te Gjykata Kushtetuese. Shtohen zvarritjet që të blihet kohë e qeveria të formohet në kuadër të pazarit të ri të balotazheve në fillim të nëntorit.

Mirëpo, edhe këtë zgjerim pazari qytetarët do t’ua prishin me 22 tetor. Ka nisur epoka kur populli do të mësohet të fitojë e politikanët do të mësohen të humbin. Ky është mësimi i demokracisë. Ama duke mos harruar atë që thoshte Sami Frashëri: “Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit.” Bëhuni gati për një hedhje të re. Nuk besoj që lidhja e rripave u bën punë.

Specialja shkakton “tërmet” në skenën politike

0

Akoma nuk dihet se kush mund të jetë avokat në Gjykatën Speciale, ashtu siç nuk dihet se kush do të jetë i akuzuar atje dhe sa akuza do të ketë, respektivisht sa persona do të jenë të akuzuar në Gjykatën Speciale. Kështu kanë vlerësuar njohësit dhe analistët e kësaj fushe derisa, sipas tyre, tani që një kohë është krejtë- sisht e gatshme Gjykata Speciale që t’i pranojë akuzat e para dhe se koha e përafërt do të jetë për disa javë, ose disa muaj që Gjykata do t’i pranojë akuzat e para dhe do të fillojë me arrestimet e të akuzuarve të parë. Por, sa do të ndikojnë arrestimet e para, të cilat pritet të ndodhin pas një kohe shumë të afërt, flet shkrimi në vijim.

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se absolutisht nuk dihet se kush mund të jetë avokat në Gjykatën Speciale, për shkak, siç tha, se ende nuk është e definuar se si do të shkojë çështja rreth pagesës së avokatëve, dhe se është një ligj të cilin e ka sjellë Kuvendi i Republikës së Kosovës që do t’i heqë shpenzimet për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, mirëpo nuk dihen shumat të cilat janë ndarë, veçse dihet se është ndarë një shumë prej 1.5 milion euro, gjë që është krejtësisht e pamjaftueshme.

“Ne nuk e dimë se kush do të jetë i akuzuar atje dhe sa akuza do të ketë, respektivisht sa persona do të jenë të akuzuar në Gjykatën Speciale, këtë nuk mund ta dimë deri në përfundimin apo deri në mbylljen e Gjykatës Speciale, sepse mjerisht që ne nuk kemi një datë kur do të fillojë Gjykata Speciale dhe kur do të mbyllet ajo Gjykatë, pasi ashtu nuk është përcaktuar nga ish- deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Nuk ka arsye të ketë trazira

Sipas Gashit, edhe pse është përfolur se qershori i këtij viti do të shënonte fillimin e punës së Speciales, duket se për shumë arsye, e një prej tyre ka qenë aspekti teknik për shkak se dy herë është dashur që të votohet lidhur me proceduat e provës dhe procedurën faktikisht që do të zhvillohet në Gjykatën Speciale dhe tani që një kohë është krejtësisht e gatshme Gjykata Speciale që t’i pranojë akuzat e para.

“Sido që të jetë, askush nuk mund të aludojë se kush do të jetë i akuzuar dhe koha e përafërt do të jetë për disa javë, ose disa muaj, që Gjykata do t’i pranojë akuzat e para dhe do të fillojë me arrestimet e të akuzuarve të parë. Pas ngritjes së aktakuzave, nëse fillimisht do të kemi zyrtarë të lartë të partive të caktuara politike, të partive të fuqishme që janë në Kosovë, atëherë me siguri që mund të ketë një lloj turbulence, por në asnjë variant nuk do të ketë trazira në Kosovë për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, sepse nuk ka arsye që të ndodhë një gjë e tillë”, potencoi ai. “Sido që të jetë, ne të gjithë e dimë se është një Gjykatë jashtëzakonisht e dëmshme për shtetin e Kosovës, për shqiptarët në përgjithësi dhe për ish- pjesëtarët e UÇK- së do të jetë një Gjykatë, e cila është kundër tyre, por mjerisht këtë herë është votuar nga mbi 2\3-tat e deputetëve të Kuvendit, gjë që i kanë bërë një shërbim tejet të dëmshëm vendit dhe shtetit të vet”, theksoi avokati Gashi për “Kosova Sot”.

Personalitete politike të rrezikuara nga Gjykata

Analisti Naim Kelmendi thotë se, meqë për opinionin e gjerë ende nuk dihen emrat e avokatëve vendorë apo të huaj për mbrojtjen e të akuzuarve të Gjykatës Speciale, dhe as nuk dihen emrat e të akuzuarve të kësaj Gjykate si të dyshuar, arrestimet e para në fund të shtatorit apo në tetor nëse do të ndodhnin, sigurisht se do ta trandin skenën politike në vend, pasi aludohet se të arrestuar të kësaj Gjykate do të mund të jenë njerëz potencialë të niveleve të larta politike dhe institucioneve, sikundër disa nga akëcilët, mbase dhe kanë emrat në Raportin e Dik Martit, mbi akuzat dhe bazën e të cilit raport edhe është ngritur, siç tha, kjo Gjykatë për të gjykuar kinse krimet e njerëzve të UÇK-së kundër njerëzimit në kohën e luftës në Kosovë. “Por, sa janë këto akuza të vërteta dhe sa qëndrojnë ato do të vërtetohen në gjykimet e drejtësisë në Gjykatën Speciale, por në të vërtetë disa nga personalitetet e skenës politike deri në pozitat e larta shtetërore janë potencialisht të dyshuar për t’u arrestuar nga Gjykata Speciale, pasi veç emrat e tyre gjenden në Raportin e Martit, këto arrestime të Gjykatës Speciale sigurisht se do të kenë impakt negativ në opinionin e Kosovës, ata që në Raportin e Dik Martit akuzohen me emër e mbiemër sot janë pjesë e pozitave udhëheqëse në krye të PDK-së dhe të pushtetit. Sigurisht se edhe për imazhin e Kosovës jashtë këto arrestime nuk do të jenë pa pasoja”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi

Drejtësi me dy standarde

Analisti Haki Abazi ka nënvizuar se Gjykata Speciale është institucion që gjithsesi do të shkaktojë tërmet në skenën politike kosovare. ” Mendoj që sjellja e çakorduar e të gjitha partive ka të bëjë me faktin se është futur frika dhe paranoja se kush mund të jenë të akuzuarit dhe kush të mbrojturit. Është situatë shumë delikate, por gjithsesi duhet krijuar mekanizma shtetërorë që të tejkalohet situata dhe zhvillimet që do të pasojnë akuzat e para”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Haki Abazi. Profesori universitar Muhamet Kelmendi shprehet se si dhe kur do të fillojnë arrestimet ende nuk është përmendur ndonjë datë e veçantë, porse thuhet nëpër kuloare se në këtë pjesë të vitit do të fillojnë arrestimet e para të kësaj Gjykate.

” Po ta shohim këtë.?Për mua kjo është një Gjykatë tipike antiligjore dhe ka elemente tipike raciste. Dihet se në Kosovë është bërë gjenocid nga shteti serbomadh ndaj shqiptarëve. Kush u përgjigj? Në një gjenocid që karakterizohet me disa elemente tipike raciste tregon karakterin e saj. Këtu po përmendi: 1. Vrasjet dhe masakrat e mbi 15 mijë shqiptarëve dhe varrosja e tyre nëpër varre masive duke i humbur gjurmët kriminale; 2. Shkatërrimi me djegieje dhe bombardim të mbi 150 mijë objekteve në Kosovë vetëm gjatë vitit 1998/99; 3. Dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe 4. Dëbimi i mbi 1 milion vetave jashtë vendit me dhunë dhe terror. Janë këto fakte të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve dhe për atë është e domosdoshme formimi i Gjykatës Speciale për shtetin dhe qytetarët serbë. Po, lidhur me atë, çka do bëhet në Kosovë? Këtu dua të them se shqiptaret janë vetëdijësuar. Por, pavarësisht kësaj, kur popullit tonë t’ia kapësh dhe burgosësh njerëzit e luftës, mund të pritet dhe me siguri do të kemi protesta dhe demonstrata të mëdha. Si do të zhvillohen ato lypset të pritet!? Unë nuk pres se populli shqiptar do të shkatërrojë shtetin e vet. Përkundrazi! Për shtet, liri e pavarësi luftuan, pra, do ta ruajnë. Po pakënaqësia do të rritet ndaj faktorit të jashtëm, i cili vepron ashpër ndaj shqiptarëve dhe ndaj serbëve dhe shtetit serb ka tolerime. Këtë do të kundërshtojë populli. Dhe, në këtë anë, do të ngritët urrejtja ndaj UE-së , SHBAsë dhe OKB – së, si mekanizma proserbë dhe të cilët nuk po e dënojnë gjenocidin serbomadh”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot”, Profesori universitar Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)

Aleanca e PAN-it

0

Pak ditë para seancës së 24 gushtit të Kuvendit të Kosovës, për të cilën dje ka vendosur kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, koalicioni PAN do ta lidhë aleancën me Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit për t’i formuar institucionet qendrore.

Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilave një marrëveshje e tillë pritet të ndodhë në fund të kësaj jave, apo më së largu në fillim të javës së ardhshme.

Lideri i AKR-së javën e kaluar u ka dhënë dhjetë ditë afat kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurtit nga lëvizja “Vetëvendosja” që të merren vesh për formimin e Qeverisë, në të kundërtën, siç ka deklaruar ai, nuk ka kuptim qëndrimi i tij në koalicionin LAA.

Por, kreu i LDK-së Isa Mustafa ditë më parë në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se do të kërkojnë nga “Vetëvendosja” që t’i qartësojnë qëndrimet e tyre për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme, por edhe për çështje programore.