20.5 C
Prizren
E martë, 26 Gusht, 2025
Home Blog Page 5830

Pse Vetëvendosje refuzoi ftesën e Thaçit?

0

Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar ftesën e presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar për reformën zgjedhore pasi konsiderojnë se vendi ka nevojë që të shkojë në zgjedhje të reja.

“Në Kosovë ka nevojë të pyetet populli për gjithçka që ka ndodh deri tash”, ka thënë Zgjim Hyseni në “Ora e Fundit” në Klan Kosova.

Hyseni ka shtuar se nuk është reforma zgjedhore se pse në vend ka kaq shumë nivel të korrupsionit.

“Kemi pasur manipulime jo për shkak të ligjit të zgjedhjeve por për shkak se janë manipuluar zgjedhjet.”

“Ne vend kemi pas vendime antikombëtare, si ‘Zajednica’ dhe Demarkacioni, kështu zgjedhja më e mirë janë zgjedhjet”, ka pohuar Hyseni.

“Arsyet se pse ka pasur manipulime është të shkelja e ligjit, duhet të bëhet pastrimi i listave zgjedhore.”

Hyseni shton se Thaçi takimin për diskutim të reformës zgjedhore e ka thirrur më shumë për interesat e tij personale.

“Nga i ashtuquajturi president, ky takim është thirrur, jo për problemet e Kosovës, por të tijat personale.”

“Ai është figura më përçarëse në Kosovë nga viti 1999. Ai ka nevojë tash që të rikonfirmohet se kinse po zgjedh probleme brenda vendit. Ai po tenton që edhe dialogu të kalojë në nivel presidentësh”, ka shtuar Hyseni nga Vetëvendosje.

Madje ai ka thënë se presidenti Thaçi është duke u bërë i papërdorshëm edhe për ndërkombëtaret.

“Ai është i zhytur në krim dhe korrupsion dhe kështu mund të përfundojë prapa grilave dhe prandaj ai po thërret kësi takimi”, ka thënë Hyseni, njofton Klan Kosova.

Opozita refuzon ftesën e Thaçit

0

Liderët e subjekteve politike në opozitë kanë refuzuar pjesëmarrjen në një takim pune të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi për të premten në orën 10:00, e në të cilin është planifikuar të diskutohet për reformën zgjedhore.

As kolegët e tyre që drejtojnë partitë në pushtet nuk dihet nëse do të marrin pjesë, shkruan sot Koha Ditore.

Ftesa është përcjellë dy ditë më parë në adresë të partive parlamentare. Ajo është bërë pak ditë pasi pasuesi i Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veseli, ka lansuar idenë për zgjedhje të parakohshme.

Kundër tyre publikisht është deklaruar vetëm kryeministri Isa Mustafa, i cili bashkëqeveris me PDK-në.

Dje jo, por sot PO

0

Arbër A. Rexhaj

(Në përkujtim të publicistit Adnan Abrashi)

Dje nuk desha të thoja asnjë fjalë të vetme, por sot patjetër që po. Këto do t’i them për herë të parë, edhe pse krejt subjektive, e personale. Ndokujt do t’i lë përshypje, ndokujt do t’i duket e zakonshme, por në fakt vdekja e tij e papritur për ne që e njihnim ishte e jashtëzakonshme, sepse prisnim që edhe më tutje ta kishim bacën Adnan me punën dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme.

Krejt ndodhi papritur. Në shtabin zgjedhor komisionerët raprtonin për rezultatet zgjedhore. Kur kthej kokën dy djemtë e tij nuk ishin aty. E kuptova se c’kishte ndodhur. Baca Adnan kishte pasur edhe një problem të njejtë muaj më pare, para se të ndërronte jetë. Por prita. Dola në oborrin e gjërë të shtabit tonë zgjedhor, pas meje me lot në sy mu afrua një kandidate për asamble, Alisa, e cila qante. Qarja e saj ishte e thëllë, dëneste dhe me zë nxirrte dhembjen. Nuk u durova, dhe thirra mikun tim më të mirë. Na la, më tha. Nuk munda t’ia ktheja asnjë fjalë të vetme. M’u duk se një ‘tull’ e rëndë më ra në kokë.

Hyra në shtab dhe i pash fytyrat e vërenjtura të gjithë aktivistëve, asnjëri nuk fliste, disa qanin, disa ishin skuqur, disa heshtnin por asnjëri nuk lëvizste. Nuk ju thash asgjë. Sigurisht që doja, por nuk dija cfarë t’u thosha, por edhe nëse do të dija, nuk kisha asnjë pikë të forcës. Hipa në veturë dhe u nisa drejtë e në shtëpinë e bacës Adnan. Në vendin kur duhej të kthehesha, pash veturën e spitalit tek sillte trupin e tij. U ndala, e ktheva rrugën dhe nuk shkova aty. Nuk munda!
Më parafytyrohej dhembja që ndienin familjarët për të, nuk mund ta paramendoja mikun tim me dhembjen e babës, të cilin e kisha përjetuar vetë si fëmijë. Ika, nuk më kujtohet nëse kisha mundur të bëj një sy gjymë atë natë…

Një njeri të urtë, dhe njëkohesisht shumë aktiv në jetën shoqërore e politike, e kishte kapur vdekja, rëndom vdekja do të na kap të gjithëve, por ai kishte ende për të dhënë e për të thënë!

Sa herë që jam takuar me të, në duar kishte libra, dhe gazetat kryesore të vendit. Dhe si zakonisht një shkrim të tij publicistik të botuar në ndonjërën prej tyre. Muhabeti ynë i përbashkët ishin shkrimtarët; Henri Miller, Herman Hesse, Albert Kamy, Ernest Heminguejdhe shkrimtar të tjerë egzistecialist. Por pikëtakimi ynë ishte “Siddharta” e Herman Hesses.

Atij i pëlqente kjo novelë apo roman, e cila ishte e diskutueshme nga kritikët letrar. Ndërsa unë kisha diplomuar me këtë vepër. Baca Adnan njejtë sikurse Siddharta e kishte mësuar gjuhën e detit, mimikën e njerëzve, maskat e tyre, gjuhën e pafolur të tyre. Shkurt e kishte njohur llojin, racën! Ai e njihte jetën në krejt dimesionet shpirtërore, njejtë sikur Siddharta, prandaj më sfidonte më personazhin e tij. Siddharta më në fund kishte ikur në qetësinë e tij, baca Adnan në paqen e tij. Ndërsa ne në jetën tonë, në luftën tonë…

 

UÇK-në duhet ta mbrojnë ata që s’kanë qenë pjesë e UÇK-së

0

Ahmet Jashari

Kosova nuk mund të mbahet as si shtet në vete, as bashkë me Shqipërinë, nëse shkatërrohet bazamenti i lirisë së saj. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke rrënuar të kaluarën.

Kjo praktikë e ka ndjekur popullin shqiptar pothuajse gjatë gjithë historisë, prandaj aq shpesh i është përsëritur historia.

Ofensiva që ka nisur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në këtë kohë paqeje është shumë më e rrezikshme sesa ofensivat që kishte përballuar në kohën e luftës. Kjo është ofensivë kundër lirisë së Kosovës, kundër atyre që kanë luftuar dhe kundër atyre që nuk kanë luftuar.

Kjo është ofensive kundër të ardhmes së Kosovës. Prandaj UÇK-ja duhet të mbrohet prej të gjithëve dhe më së shumti prej atyre që nuk kanë qenë pjesë e saj.

Ky është momenti i madh për ne që s’kemi luftuar.

Ndryshe ajo s’ka prej kujt të mbrohet tjetër. Heronjtë e saj na kanë mbrojtur në kohë lufte, ndërsa ne duhet t’i mbrojmë në kohë paqeje. Në kohën e luftës tentohej të zhbëhej fizikisht, ndërsa tash qëllimi është të zhbëhet psikikisht, të mos ekzistojë as si kujtesë, apo të paktën të kujtohet si diçka e keqe, kriminale, etj.

Tash nëse nuk e mbrojmë ne, kush do ta mbrojë atë? Të rënët nuk ngrihen edhe një herë, prej të shpëtuarve disa janë duke luftuar për ekzistencë, disa të tjerë nëpër burgje, disa të tjerë të korruptuar e disa të tjerë të akomoduar. Kushdo qoftë prej këtyre grupeve nuk ka përgjegjësi më të madhe për ta ruajtur UÇK-në sesa ne që s’kemi qenë në UÇK. Nëse atyre nuk u duhet, na duhet neve.

Instrumentet tashmë nuk janë në dorën e ushtarëve, ata e kanë kryer të veten në kohën e luftës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet jo për hatër të së shkuarës, por për hatër të së ardhmes. Ajo duhet të ndahet nga partitë politike, duhet të ndahet nga rajonet, duhet të ndahet nga emrat e përveçëm. Është e popullit shqiptar qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe kudo në botë.

Kujt i duhet dhe kujt i shërben shkatërrimi i UÇK-së? Gjatë luftës ka qenë e qartë se ka qenë Serbia ajo që ka dashur ta shkatërrojë, po tash!? Për shkak të disa çlirimtarëve të korruptuar nuk mund të pranohet lufta e udbashëve të rehabilituar.

Hoxhaj: Jemi të shqetësuar nga afrimi i Tiranës me Beogradin

0

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se është i shqetësuar me afrimin e Tiranës zyrtare me Beogradin.

“Jemi të shqetësuar për shpejtësinë e afrimitetit të Tiranës dhe Beogradit. Serbia duhet të kërkojë falje dhe pajtim me Kosovën dhe Tirana nuk duhet të vrapojë drejt takimeve në Beograd pa i dakorduar agjendat me Kosovën. Takimi fundit i Kryeministrit Edi Rama ishte i tillë”, ka thënë Hoxhaj në Top Channel.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, këtu vetëm Kosova është aktor politik, ndërsa Shqipëria besoj se e ka pasur të qartë historikisht këtë proces dhe besoj se edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global sikurse SHBA-të apo BE-ja. Prandaj, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ne natyrisht që kërkojmë mbështetjen amerikane dhe atë europiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Çdo bashkëpunim që mund të ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj kohë më parë për televizionin ART në Maqedoni. Ai thotë se i qëndron deklaratës së bërë, megjithëse shton se është “keqinterpretuar në Prishtinë dhe Tiranë”.

“Kam thënë që raportet tona janë aq komplekse saqë vetëm SHBA dhe BE kanë instrumente që ta kushtëzojnë Serbinë deri në njohjen e ndërsjellët. E kam përshëndetur bashkëpunimin Shqipëri-Serbi, por qëndrimi im ka qenë që të tregojë që SHBA dhe BE janë kushtëzues të Serbisë. Ky është një realitet gjeopolitik në raport me shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Hoxhaj thotë se shqetësimi kryesor i diplomacisë së Kosovës është fakti sesi mund të lexohet në Beograd afrimi kaq i shpejtë i Shqipërisë me Serbinë, nisur edhe nga fakti që qeveria e Serbisë bëri publik planin e ri që flet për dialog shqiptaro-serb, duke mos përmendur Kosovën.

Ministri shtoi se Shqipëria ka dhënë dhe po jep një ndihmë të vyer për Kosovën dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në të shkëlqyera.

Kujtim për veten dhe për ty

0

Shkruan: Musa Bushrani

(Adnan Abrashit)

Më the: Ç’të keqe ka shiu?
Le ta pastrojë njeriun nga mëkatet,
Le ta kthjellë, le ta drejtojë.
Mbase njeriu i qyteti tim
Më në fund do të mësohet të qëndrojë vertikalisht.
Hape çadrën dhe u zdorgje Bazhdaranës poshtë…
Binte shi si sonte.
E, ç’të keqe mund të kemi nga shiu?

Tre vjet nga vdekja e Adnan Abrashit

0

Janë bërë tre vjet nga vdekja e publicistit Adnan Abrashi. Kolegët, tre vjet pas ndarjes fizike, e vlerësojnë lartë figurën e Abrashit.

Gazetari Qazim Morina thotë se Abrashi ka qenë emblemë intelektuale e Prizrenit.

“Neve na mungon fizikisht ai, ndërsa opinionit të gjerë shkrimet e tij domethënëse”, thotë Morina.

“Pajtohem me atë se ka qene një lloj embleme intelektuale e Prizrenit”, shprehat ai..

14961408_10207129484732161_1392354972_n

Ndërkaq, opinionisti Besnik Kryeziu thotë se Adnan Abrashi ishte intelektual brilant.

“Adnani ishte njeri i mrekullushem,intelektual brilant”, thotë ai.

Shkrimtarja Drenusha Zajmi Hoxha thotë se Adnan Abrashi ka qenë një personalitet i guximshëm.

“Një njeri i mirë, i ngritur, i guximshëm dhe i gjithanshëm!”

Publicisti Adnan Abrashi, tre vjet më parë ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare. Ai u lind në Prizren në vitin 1957, ndërsa me profesion ishte jurist. Ishte bashkëpunëtor i shumë mediave në Kosovë dhe Shqipëri. /PrizrenPress.com/

Kosova s’asht aset i Shqipnisë!

0

Petrit Musolli

E vetmja gjë që e ban bashkë sot, në nji front, tanë elitën e Shqipnisë, asht kundërshtimi rreth përfaqësimit të Kosovës në botë, si entitet me identitet të vetin! Pamvarësisht tentimit me manipulue me sentimentin e patriotizmit kombëtar, shqetësimi real i tyne duket sheshit. Pa Kosovën, asnji udhëheqës i Shqipnisë nuk mundet me shpresue rolin e nji lideri me përmasa rajonale. Prandaj, të vetëdijshëm nga ky fakt, politika e elita, në përgjithësi, e Shqipnisë, trishtohet nga ideja e pamvarësimit të Kosovës nga paternalizmi i Shqipnisë. Nji paternalizmi që i kërkon Kosovës me sakrifikue gjithçka ka konsolidue deri sot si shtet.

Politikës së Shqipnisë, thuejse përsosmënisht i konvenon kjo gjendje status-quo’je në të cilën asht kurthue Kosova. Ajo nuk ka nji lidership stabil dhe të respektueshëm, rrjedhimisht asht e papërfaqësueme. Në anën tjetër, përkeqësimi i situatës në shumicën e vendeve të rajonit, ka ba që Kosova mos me qenë, njiherëpërnjiherë, tema primare për trajtim. Njashtu, paaftësia e saj me zgjidhë probleme, kanë ndikue me zbeh besimin, sidomos te partnerët, për konsolidim të shpejtë shtetnor.

Këte stagnim në afirmimin e shtetit dhe mungesën e nji përfaqësimi kredibil, asht tue e shfrytëzue ma së miri politika e elita e Shqipnisë për me e rritë ndikimin e vet në Kosovë, e nëpërmjet saj edhe në rajon. Me Kosovën ‘nën sqetull’, Shqipnia faktorizon pozitën e saj rajonale dhe ndërkombëtare, tue pas parasysh se, Kosova, megjithatë, pa nji normalizim raportesh me Serbinë, mbetet vend potencial për destabilitet rajonal. Kurse, në anën tjetër, me rolin që asht tue synue shteti shqiptar – mundëson me u ofrue si Qeveri që mban zgjidhjen e Kosovës në dorë. Kjo fuqizon rolin rajonal të Shqipnisë, por njikohësisht, damton pamasë atë të Kosovës, e sidomos avancimin e pamvarësisë së saj!

Ndoshta, marrëveshjet e fundit mes Shqipnisë e Serbisë, e demonstrojnë ma së miri. Në njërën anë Shqipnia e forcoi pozitën e vet, e në anën tjetër, eklipsoi rolin e Kosovës në vendimet rajonale. Mirëpo, reagimet që erdhën prej Prishtine, e ban koshiente se pa pajtimin e Kosovës nuk mundet me synue nji përfaqësim të tillë, e pa dakordimin e saj, ky lloj përfaqësimi nuk gëzon njohje as rajonale as ndërkombëtare. Prandaj, këto reagime, i acaruen deri në këtë shkallë.

Sa ma shumë Kosova fuqizon pamvarësinë e saj, aq ma shumë dobëson dominimin e Shqipnisë mbi të dhe rrezikon pretendimin e saj për liderizëm rajonal. Saherë Kosova arrin me u reprezentue e dëshmue pamvarësinë e saj, jo vetëm në skenën politike ndërkombëtare, por edhe në sferat tjera kulturore, presionet prej Shqipnie nuk kanë të ndalun. Në përgjithësi, asnjiherë s’janë argumentuese, pos kualifikuese!

As debati për kombëtaren kosovare s’ke nji përballje tifozërish, si u provue me u konkludue, por qe qartë nji mospërballim i elitës së Shqipnisë me u pajtue me humbjet e “aseteve” në Kosovë, që ajo beson me i përvetësue e sundue. Kuptohet, me të vetmin qëllim përfitimi e rritje të vlerës së saj në tregun rajonal, të paktën.

Për me i parandalue tana këto veprime që pamvarësojnë Kosovën prej vullnetit e interesit të Shqipnisë, u vnuen në aksion, në nji ofensivë, ndoshta ma agresiven ndonjiherë. Të parin që e shukatën qe presidenti. E shtyen me u gërdit prej qytetarëve të vet, identitetit të vet e kulturës së nanës e babës së vet! Ndërsa që, përfaqësuesit tjerë politik të Kosovës (me ndonji përjashtim), i janë nënshtrue vullnetarisht këtij trajtimi që politika e elita e Shqipnisë i’a ban Kosovës.

Ndoshta, bindja e papërmirësueshme e tyne, se bashkimi kombëtar asht veç çashtje vullneti dypalësh, e jo çashtje sanksionimi ndërkombëtar, asht tue vazhdue me i mbajt në këte jerëm politik. Shqipnia del se asht e vetmja që e ka të qartë se bashkimi kombëtar (në kuptimin klasik), asht veç nji përrallë. Asht përralla e tyne që vazhdon me na e recitue e recitue saherë provojmë me u zgjue në realitet! Sepse, realiteti na gjen te shteti i pamvarun e obligimi ynë me e forcue!

Bashkimi kombëtar e manipulimi me përkatësinë, ka mbet karta e vetme me të cilën Shqipnia mundet me vazhdue lojën e saj ndaj Kosovës. Tue e pas të njoftun faktin se shqiptarët e Kosovës kanë vuejt shumë vetëm për shkak të përkatësisë së tyne etnike. Tue pas parasysh faktin se vuejtjet e shqiptarëve të Kosovës janë të mishënueme fort me përkatësinë e tyne etnike. Prandaj, Shqipnia, saherë ndihet se po humb territor në Kosovë, shtin gishtin thellë në plagën e saj. Edhe pse kjo plagë, asht dashtë qenë e mshelun me pamvarësimin e krijimin e shtetit të Kosovës!

Berisha:Institucionet të inkriminuara

0

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka nënvizuar se ky fenomen është jashtëzakonisht i dëmshëm për perspektivën e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë dhe jorastësisht, duke pasur një drejtësi të këtij lloji që është, siç tha, ne vazhdojmë ta kemi kushtin elementar për liberalizim të vizave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Në këtë drejtim e para është drejtësia, që ka dështuar dhe që faktikisht neve na ka dhënë si shtet një pasqyrë të keqe, derisa ne jemi dëshmitar se ajo është e kapur nga parapolitika e partive në pushtet dhe ky defekt po na përcjell, duke shkuar në dëm dhe kurriz edhe të qytetarëve”, u shpreh Berisha.”

Andaj, mendoj se duhet të bëhet një ndryshim radikal brenda organeve të drejtësisë, që ajo të pastrohet së pari nga kthetrat e parapolitikës së korruptuar, por edhe nga njerëzit e degjeneruar, që u kanë shërbyer shërbimeve të huaja gjatë kohës së sundimit të Kosovës, e që, për fat të keq, një numër i tyre vazhdojnë të jenë akoma në organet e drejtësisë”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha.

(Kosova Sot)

Zhduket një vajzë në Prizren!

0

Në Prizren, ankuesja femër rome ka raportuar se vajza e saj e mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

Policia ka bërë të ditur se është duke hetuar rastin.