Home Blog Page 5841

Administratori i Policisë në Prizren: Dosjet kriminale janë të qasshme

0

Administratori i bazës së të dhënave në Policinë e Kosovës, Hajrush Lenjani, të hënën, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të informatës zyrtare, rreshterit Nuredin Begolli, ka thënë se në databazë mund të fusin të dhëna vetëm personat e autorizuar, ndërsa qasje mund të kenë edhe zyrtarët tjerë policorë.

Gjatë shqyrtimit të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, dëshmitari Lenjani ka thënë se në databazë regjistrohen të dhënat për incidente, aksidente, veprat penale dhe kundërvajtëse, vendimet dhe urdhëresat e gjykatës. Ai ka shtuar se këto të dhëna mund t’i fusin në sistem ose t’i ndryshojnë vetëm personat përgjegjës, ndërsa janë zyrtarët tjerë të cilët vetëm mund t’i lexojnë të dhënat, por jo edhe t’i ndryshojnë.

Ky dëshmitar ka thënë se çdo zyrtar policor ka adresën e tij të regjistruar në sistem andaj, sipas tij, cilido që qaset në sistem e lëshon një gjurmë që tregon se është qasur dhe çfarë ka kërkuar. Po ashtu ka thënë se për periudhën e caktuar, për të cilën interesohet gjykata, mund të përpilojë një raport me të cilin tregon nëse është kyçur i akuzuari në sistem.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka propozuar që të kërkohet nga Policia e Kosovës, Drejtoria e Teknologjisë Informative, që të përpilohet një raport nëse i mbrojturi i tij është qasur në këtë sistem për të parë dosjen e të dëmtuarit.

I akuzuari, Nuredin Begolli, ka propozuar që raporti të përfshijë çfarëdo qasje të tij në sistem, jo vetëm për të dëmtuarin Deli Hoxha, por edhe për cilindo qytetar tjetër.

Prokurori Genc Nixha, ka deklaruar se eksperti mund të përpilojë një raport sa i përket aktakuzës e që përkon me muajt shtator, tetor dhe nëntor 2015, nëse i akuzuari është qasur në sistem për të parë dosjen kriminale të të dëmtuarit Hoxha.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Emira Gavazaj-Gashi, nuk është pajtuar me propozimin e prokurorit, pasi që, sipas saj, kjo çështje penale vetëm po zgjatet pa nevojë sepse nga administrimi i deritanishëm i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar aktakuza.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtarja Raime Elezi, ka aprovuar propozimet e prokurorit dhe mbrojtjes, për të kërkuar nga Policia e Kosovës një raport sa i përket qasjes së të akuzuarit në bazën e të dhënave kriminale.

Po ashtu, kryetarja e trupit gjykues, Elezi, ka thënë se seancën e radhës do ta caktojë pasi që ta pranojë raportin në fjalë nga Policia e Kosovës.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Nuredin Begolli, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se në cilësinë e zyrtarit policor, ka zbuluar informatën zyrtare për personin tjetër, duke i dhënë atij një përparësi që nuk i takon.

Sipas aktakuzës, Begolli ka njoftuar qytetaren Altina Kolukaj, për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes, të kryera nga qytetari Deli Hoxha, e i cili informacion, ka ndikuar në prishjen e raporteve në mes këtyre dy personave./betimiperdrejtesi/

Studentët e UBT-së marrin pjesë në DokuFest

0

Studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, po marrin pjesë në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”, i cili organizohet tash e gjashtëmbëdhjetë vjet në Prizren.

UBT ka marrëveshje bashkëpunimi me drejtuesit e festivalit, sipas së cilës është hartuar një projekt i përbashkët, në kuadër të të cilit studentët e Fakultetit për Media dhe Komunikim janë angazhuar në përcjelljen e ngjarjeve me shkrime dhe video-materiale.

Qëllimi i bashkëpunimit mes UBT-së dhe “DokuFest”-it është që studentët të përfitojnë përvoja profesionale si dhe të aftësohen për profesionin e tyre.

Përmes këtij projekti synohet që në kuadër të bashkëpunimit, studentët të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin në aspektin praktik, të punojnë dhe njëkohësisht të fitojnë disiplinë në punë si dhe atyre u krijohet mundësia që të punojnë me staf profesional të mediave.

Projekti ka filluar në maj të këtij viti dhe pritet të përfundojë më 14 gusht, me ç’rast për studentët pjesëmarrës do të ndahen certifikata nga UBT dhe “DokuFest”. /kp/

‘Marubi’ i Shkodrës vjen në DokuFest (Foto)

0

Përgjatë nëntë ditëve sa zgjatë Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, në shtatë nga këto ditë, pjesë e këtij festivali është edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, shkruan KultPlus.

‘Marubi’, erdhi në Prizren më datë 5 gusht, ku gjithçka nisi me street art, projekt ky i nisur në Shkodër, atje edhe ku është ky muze. Në Prizren erdhi në kuadër të programit të fotografisë DokuPhoto, duke prezantuar tre breza fotografësh përmes koleksionit të tij të gjerë prej 500.000 negativëve, që dokumentojnë ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë.

‘Marubi i Shkodrës’, jo rastësisht njihet kështu në publik, pasi që edhe sot në ligjëratën e mbajtur nga drejtori i këtij muzeu Lucjan Bedeni, krejt ajo që ai e tha mbajti titullin ‘A Museum Can Change a City’. Kështu ‘Marubi’ në njëfarë forme e ‘ka ndryshuar qytetin e bukur të Shkodrës’, e krejt kjo duke i dhënë edhe më shumë madhështi qytetit që bartë mbi supe një histori të madhe siç është ajo e Kalasë së Rozafës e jo vetëm.

Lucjan Bedeni, solli një dialog mes trashëgimisë kulturore të së shkuarës dhe Muzeut të ri të Fotografisë ‘Marubi’, duke prezantuar edhe projektet më të reja të këtij muzeu përmes programeve të ndryshme të cilat nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare, e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë ndaj rëndësisë të ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie.

“‘A Museum can change the city’, vjen si një premtim i Muzeut Marubi, duke sjellë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë që nga fillimi e deri më tani. Fotografia që unë zgjodha që ta fillojë këtë prezantim të shkurtër është momenti i inaugurimit të muzeut më datën 9 maj të viti 2016, por ajo çka do të shohim është një strategji me të cilën zhvillohen programet dhe idetë inovative. Të gjithë e dimë se uji është jeta dhe nga ajo pikë e ujit nis ky moment strategjie. Kështu që rreth programit Marubi, do të zhvillohen disa programe të ndryshme siç është programi i ekspozitave, çmimi Marubi, që tash muzeu ynë ka rënë dakord me Galerinë e Arteve që ta zbatoj vitin e ardhshëm i cili do të jetë një kompeticion për artistët bashkëkohor, e shumëçka tjetër”, nisi kështu drejtori i Marubit Bedeni, duke vazhduar ligjëratën e tij me fotografi nga ekspozitat e ndryshme që ka pas ky muze që nga hapja e duke dalë atje se çfarë do të bëjnë në një të ardhme shumë të afërt.

“Kalendari vjetorë i ekspozitave prezanton katër ekspozita të përkohshme, dy ekspozita të përmasave të mëdha dhe dy ekspozita të tjera që muzeu ynë i bënë në bashkëpunim me muzetë e tjerë”, pohoi Bedeni, duke vazhduar të flasë për arkivin e Marubit, i cili është një pasuri e virgjër me vetëm 9% të digjitalizuar, dhe kësisoj kërkon ruajtje të madhe të këtyre artefakteve.

Ai teksa foli për procesin e digjitalizimit, poashtu tregoi edhe për website-in, që ‘Marubi’, posedon dhe është i hapur online për publikun. Pas kësaj Lucjan Bedeni, u rikthye te ekspozitat e këtij muzeu, duke bërë një panoramë të shkurtër të atyre që janë hapur në ‘Marubi’.

“Po nisim me ‘Dy rrugët e Idromenos’ që i përkasin Kolë Idromeno e që është kuruar nga Adrian Paci. Për secilën ekspozitë ne realizojmë punëtori të ndryshme me grupmosha të fëmijëve dhe për të gjitha këto, muzeu ka nënshkruar kontratë me drejtorinë arsimore të Shkodrës, dhe disa institucione tjera. Muzeu krahas ekspozitave apo programit edukativ mbanë edhe një program tjetër siç është programi i bisedave, pra për secilën ekspozitë është kuratori ai që një ditë pas hapjes së saj mbanë një diskutim me audiencën”, theksoi Bedeni.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, ka qenë i selektuar për çmimin evropian “European Museum of the Year Award” ku Marubi është përzgjedhur një ndër 46 muzetë më të mirë të Evropës. Prezantimi është mbajtur në Zagreb më 6 maj.

Lucjan Bedeni, pas shumë e shumë prezantimeve që bëri për ‘Marubin’, pak u kthye edhe tek programi i DokuFest-it, duke e vlerësuar lartë, e më pastaj, foli edhe për ekspozitën e fundit ‘Manipulim’ që është hapur më 3 maj.

“Folëm për këto fotografi, por janë edhe disa fotografi tjera që inspirimin kryesorë e kanë marrë nga disa imazhe të tjera të panjohura. Ato janë manipulimet më të vjetra të historisë botërore të fotografisë. Manipulimi nuk është vetëm propaganda politike por edhe manipulim si lloj satire, humori dhe deri këto manipulimet që shohim tani me fantazmat”, tregoi ai.

Ndërkohë krejt si përfundim, ai para audiencës së DokuFest, dha disa lajme shumë interesante për këtë muze, duke paralajmëruar edhe ekspozitën e artistes Lala Meredith Vula që do të hapet më 12 tetor.

“Do të doja të ju informoja që vitin që vjen ne do shpallim thirrjet për ‘Çmimin Marubi’, dedikuar artistëve të rinj kryesisht artistëve nga Evropa Juglindore. Gjithashtu për herën e parë në Shqipëri dhe ndoshta në rajon, në muzeun tonë në vitin që vjen pritet të fillojë edhe ndërtimi konkret i laboratorit të restaurimit të xhamave , dhe kjo në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë në Francë. Pas pak ditësh po ashtu ne do të lansojmë edhe një tjetër program me shumë rëndësi në muzeun tonë. Është rrjeti kulturor i muzeut Marubi, që konsistojnë në rrjetëzimin e studios së vjetër të Marubëve, një hapësirë ku deri tani është dhënë me qera një dyqani që shiste çanta kineze”, tha Lucjan Bedeni, duke vazhduar ta jap lajmin e fundit për këtë muze, i cili do të nis projektin për ta përfshirë ‘Marubin’ në UNESCO.

“Një tjetër informatë e rëndësishme për muzeun tonë që do të fillojë në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë fillimi i projektit dhe punës për ta përfshirë Marubin në UNESCO dhe duke ju referuar kritereve besoj se do të jetë e kalueshme”, përfundoi Lucjan Bedeni. / KultPlus.com

Vazhdon aksioni për sterilizimin dhe kastrimin e qenve në Malishevë

0

Aksioni i dalë nga marrëveshja e Drejtorisë për Bujqësi dhe zhvillim Rural dhe fondacionit “STRAY COCO” për sterilizimin dhe kastrimin e qenve endacak, që nisi në qytetin e Malishevës do të vazhdon nëpër terë territorin e kësaj komune.

Aktiviteti për kapjen e qenve, më pas sterilizimin dhe kastrimin e tyre, fillon në fshatrat e Malishevës nga data 8.08.2017.

Komuna e Malishevës ka kërkuar nga qytetarët bashkëpunim në këtë aksion, që qentë e tyre shtëpiak, t’i mbajnë brenda, ose t’u vendosin nga një shenjë identifikuese, siq është qaforja.

DokuFesti, shkollë për një gjeneratë të re kineastësh vendorë

0

Dy vjet më parë regjisorit të famshëm britanik Daniel Mulloy, derisa po përgatiste videon për edicionin e 14-të të “DokuFestit”, do t’i lindte ideja për një film të shkurtër. Atë vit, Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër temë kishte migrimin.

Duke marrë për bazë historinë e Kosovës dhe përjetimet e popullit të këtij vendi me luftën e fundit, po ashtu edhe me valën e refugjatëve në botë, realizoi një film të shkurtër që prek pikërisht këtë çështje. Ky film u shfaq nëpër festivale të ndryshme dhe Kosovës ia solli çmimin e parë prestigjioz “BAFTA”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Home” është realizim mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe. E “DokuFest” është një prej mbështetësve të këtij projekti filmik, në të cilin u përfshi në realizim një ekip i madh vendor. Me këtë u dëshmuan kapaciteti dhe talenti i të rinjve kosovarë në realizimin e projekteve të tilla madhore. Po ashtu, edhe një herë u dëshmuan fuqia dhe rëndësia e një festivali siç është “DokuFesti”, që tashmë është shndërruar në shkollë për kineastë vendorë e ata të rinj që ia mësynë të merren me artin e shtatë.

Megjithatë “Home” është vetëm një prej filmave që ky festival ka mbështetur deri më tani. Kontributi i “DokuFestit” në kinematografinë kosovare kap edhe një dimension tjetër. Përveçqë sjell filma nga e gjithë bota, e kineastë me nam, prodhon filma përmes projekteve që ka dhe i mëson të rinjtë se si të kenë qasje më bashkëkohore në këtë fushë.

Mulloy në një ligjëratë që e mbajti të dielën në “KinoKlub”, në kuadër të programit të masterklasave të “DokuFestit” tregoi se si ky festival dhe tema që kishte trajtuar e kishin inspiruar për të realizuar “Home”.

Prizren: 7 vjet burgim efektiv për transport të narkotikëve

0

Erhan Rexhepi dhe Gjelbrim Arifaj, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me shtatë vjet burgim efektiv dhe 4 mijë euro gjobë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve.

Erhan Rexhepi, i cili një ditë më parë pati pranuar fajësinë, është dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa i akuzuari tjetër, Gjelbrim Arifaj, pasi që nuk ka pranuar fajësinë, është dënuar me katër vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka thënë Erhan Rexhepi dhe Gjelbrim Arifaj janë fajtor sepse secili veç e veç ka kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu është konfiskuar sasia e narkotikut prej rreth 30 kg dhe disa telefona mobil të të akuzuarve si mjete me të cilat është kryer vepra penale në fjalë.

Trupi gjykues, gjithashtu ka vendosur që të akuzuarit të qëndrojnë në liri deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren i akuzonte Erhan Rexhepin dhe Gjelbrim Arifajn se në bashkëpunim me një person nga Vlora, me emrin Selim, kanë transportuar substancë narkotike nga Shqipëria për në Kosovë. Sipas aktakuzës i akuzuari Gjelbrim Fanaj e ka sjellë substancën narkotike në sasi prej 30 kg deri në fshatin Zhur, ndërsa i akuzuari tjetër Erhan Rexhepi e ka marrë nga fshati Zhur dhe është nisur për në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Mirëpo, i akuzuari Rexhepi gjatë rrugës për në Prishtinë është ndaluar nga policia e trafikut dhe në bagazh i është gjetur narkotiku i llojit marihuanë, në sasi prej 30 kg./etimiperdrejtesi/

Iso-polifonia në dialog me jazz jehon në Kalanë e Prizrenit

0

Ekranet e kinemave të mbyllura u ndezën gjatë ditës së diel për të shfaqur filmat në programet speciale të këtij edicioni të “DokuFestit”. Ligjërata, punëtori e masterklase përcollën pjesën tjetër të ditës së tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

Kinematë e hapura, si zakonisht, u rindezën gjatë mbrëmjes. E diela u përmbyll me koncertin e “Andrras” në parkun e Marashit, ku edhe zë vend “DokuNights”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por një ditë më parë, në Kalanë e Prizrenit u mbajt koncerti i cili erdhi në bashkëpunim mes kompozitorit e jazz-muzikantit të njohur shqiptar Robert Bisha, i cili jeton në Itali dhe Korit iso-polifonik. Koncerti, i organizuar bashkë me organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, qe inaugurim i Kalasë së rinovuar.

Kori solli këngë të vjetra shqipe, ndërsa Bisha i përcolli ato në piano e kitarë. Hapësira në mes të Kalasë, aty ku zë vend edhe ekrani i madh për shfaqjen e filmave, të shtunën mblodhi rreth 400 veta në këtë koncert. Gërshetimi i tradicionales me bashkëkohoren erdhi si asnjëherë më parë në programin e “DokuFestit”. Ndonëse pikat e para të koncertit i shoqëroi perëndimi i diellit, ky bashkëpunim ishte si një dëshmi për rilindjen e muzikës ndërshekullore që shpërfaq fuqinë emocionale të zërit njerëzor.

Bisha si një jazz pianist i talentuar, me improvizimet e veta arriti që të përcjellë korin për mrekulli. Këngët si “Janinës ç’i panë sytë”, “Delja rude”, ishin vetëm dy prej këngëve të njohura për publikun kosovar. Bisha me piano interpretoi një pjesë të “Bareshës” së Rexho Mulliqit, ndërsa kori këndoi edhe në italisht. Ndërsa krejt në fund publiku iu bashkuan në një improvizim të rastit.

“Sonte po dëgjoni muzikë tradicionale e bashkëkohore të gërshetuar me erën”, ka thënë Bisha gjatë performancës. Edhe pse era që frynte krijonte pak telashe në zërim, kjo aspak nuk ia prishi hijeshinë koncertit. E Bisha u nda shumë i kënaqur.

“U ndjeva shumë mirë, publiku kishte një muzikalitet interesant, sepse të gjitha frazave të mia iu përgjigjën. Kisha ndjesi të shumta dhe flladi i verës u bë pjesë e koncertit dhe e përdorëm, ose më mirë të them e ftuam, e mirëpritëm. Është një emocion i fortë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij festivali. Të vij në Kosovë për mua është diçka e veçantë, sepse më duket se edhe origjina ime është e kësaj ane, nuk e kam vërtetuar, por kështu thoshin nga dajët”, ka thënë Bisha, i cili luajti edhe një melodi të kompozuar nga ai, derisa kori këndoi disa prej vargjeve që ai i pëlqen më së shumti. Bëhet fjalë për disa vargje të Gjergj Fishtës.

“Fjalët e Gjergj Fishtës i kam zgjedhur, sepse janë një deklaratë e dashurisë në përgjithësi, e cila nuk ka një drejtim për një person: ‘Në ty mendoj’, pra ky dimensioni i tekstit është një dimension që e kam kompozuar për kor”, ka thënë Bisha, i cili ka 17 vjet që jeton në Itali.

Nuk e pranojnë fajësinë sulmuesit e konsullatës turke në Prizren

0

I., E., B., dhe E. S. dhe B. B., të cilët akuzohen se duke hedhur koktej molotovi në konsullatën turke në Prizren, kanë shkaktuar rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe rrezikim të përgjithshëm, nuk e kanë pranuar fajësinë.

Sipas kërkesës së mbrojtjes, aktakuza është quajtur e lexuar, ndërsa më pas të akuzuarit kanë dalë jashtë sallës për t’u konsultuar me mbrojtësit e tyre dhe pasi janë kthyer në sallë kanë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën e saj hyrëse, ka thënë se gjendja faktike nga aktakuza do  të vërtetohet në tërësi gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor në këtë rast penal, ku ndër të tjera do të shikohen DVD-të nga vendi i ngjarjes.  Ajo ka thënë se aktakuza do të vërtetohet duke u bazuar në incizimet e kamerave të sigurisë së konsullatës turke, të kompanisë “Al Petrol” dhe firmës “XL Studio” në të cilat vërehen të akuzuarit duke blerë benzinën dhe duke planifikuar sulmin ndaj konsullatës turke.

Mbrojtësit e të akuzuarve, në fjalët hyrëse kanë argumentuar se aktakuza nuk mund të qëndrojë sa i përket veprës penale të rrezikimit të personave nën mbrojtjen ndërkombëtare, pasi që objekti i konsullatës është sulmuar në ora 04:20 dhe nuk ka pasur njerëz brenda. Sipas tyre, në këtë rast, të akuzuarit mund të ngarkohen vetëm me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm e për të cilën veprën kanë qenë të gatshëm të hyjnë në negociata për pranimin e fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, I. S., avokati Rexhep Kabashi, ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka ditur se ai objekt është konsullatë dhe se atë natë ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk ka menduar për pasojat e veprimeve të tij. Për më tepër, ai ka thënë se i akuzuari Saramati, nuk ka urrejtje ndaj komunitetit turk sepse edhe gruan e ka turke e që dëshmon se ai më së shumti mund të akuzohet për dëmtim të pasurisë ose zjarrvënie.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit B. B., avokati Hajrip Krasniqi ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit nuk e kanë ditur se objekti është konsullatë turke sepse e kanë sulmuar objektin nga pjesa që nuk përmban simbole shtetërore.

Më pas, përmes pajisjeve teknike janë shikuar DVD-të e natës kritike, ku shiheshin tre persona të veshur me xhaketa dhe kapela në kokë, duke ndezur gjerat që kishin në duar dhe i kanë hedhur në objekt të konsullatës turke.

Pasi që në këtë seancë mungonte dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Sefer Krasniqi, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka shtyrë shqyrtimin për 18 gusht 2017, në ora 10:30.

Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe zëvendëskonsulli turk i konsullatës në fjalë, Ismail Censen, së bashku me përfaqësuesin e tyre, avokatin Skender Morina.

Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilirijan, Egzon, Bledjan, Edon, të gjithë Saramati dhe B. B., me të cilën i akuzon se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzë në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët  hershme të mëngjesit, me automjet “Pik Up”, pasi marrin benzinë në një nga pompat e benzinës,  i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me “koktej molotovi”.

Aktakuza përshkruan se si i akuzuari E. S. ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth  konsullatës, ndërsa I. S. dhe B. B., kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë.

Të akuzuarit nëse shpallen fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen, rrezikojnë burgim prej 6 muaj deri në 10 vjet./betimiperdrejtesi/

Kapen me drogë katër persona në Prizren, një në Suharekë

0

Katër persona të gjinisë mashkullore janë arrestuar në Prizren e një në Suharekë, pasi gjatë kontrollit tek ata janë gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Policia njofton se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar, kurse rasti vazhdon në procedurë të rregullt, shkruan PrizrenPress.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Prizren 06.08.2017 -01:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.77 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 1.08 gr substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.77 gr substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.24 gram substancë narkotike e llojit ekstazi. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -02:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.72 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Rr. “Brigada 123”, Suharekë 06.08.2017 -01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Aksident në Landovicë të Prizrenit, ka të lënduar

0

Dje në fshatin Landovicë të Prizrenit një veturë dhe një autobus janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti.

Në raportin e Policisë thuhet se aksidenti ka ardhur si pasojë e vozitjes së pakujdesshme të drejtuesit të veturës, shkruan PrizrenPress.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i veturës dhe një femër pasagjere në autobus, te cilët janë dërguar në tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/