Home Blog Page 5858

Rrufeja djeg shkollën në Nishor të Suharekës

0

Një banor i fshatit Nishor të Suharekës i ka thënë lajmi.net se shkollën e vjetër të këtij fshati e ka goditur vetëtima, ku si pasojë ka marrë flakë.

Shkolla dje ka filluar të shkatërrohet, si pjesë e planit për ndërtimin e parkut në oborrin shkollor, përveç dy klasëve të mbetura si depo, që janë përfshirë nga flaka.

Shi i furishëm edhe rryma është ndalë në këtë pjesë të Suharekës.

Më 3 gusht PAN-i teston numrat

0

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit më 3 gusht. Në këtë ditë pritet që koalicioni PAN t’i dëshmojë numrat për t’i formuar institucionet, të cilët i ka proklamuar prej zyrtarizmit të rezultatit zgjedhor.

Edhe në takimin konsultativ që pati të hënën presidenti për caktimin e datës së seancës, në të cilin nuk ka marrë pjesë LV-ja dhe koalicioni LAA, zyrtarët e koalicionit PDK-AAK-Nisma kanë siguruar presidentin se i kanë votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja, shkruan gazeta “Epoka e re”.

“Ne mendojmë se i kemi numrat e nevojshëm që ta bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Vendi ka nevojë për disa tema ndërkombëtare, siç janë: liberalizimi i vizave, demarkacioni, ushtria. Ne si subjekte politike do të dalim me një program të mirë qeverisës i një program të mirë qeverisës i PDK-ja e mbështet një vendim të tillë”, ka thënë zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Polici dhe i akuzuari përballë njëri-tjetrit në Gjykatën e Prizrenit

0

I dëmtuari Shaqir Uka, të hënën, në rastin penal ndaj Nexhmi Canollit, për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, ka deklaruar se i akuzuari nuk i është bindur urdhrave të tij, andaj edhe ai ka reaguar me forcë për ta qetësuar.

Togeri Uka, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se pasi që i akuzuari ka hyrë në stacionin policor “Alfa” në Prizren, ai e ka urdhëruar që të pret jashtë, sepse nuk ka pasur punë personalisht, por e ka shoqëruar dike tjetër për tiketë të kundërvajtjes.

Ai ka thënë se i akuzuari ka refuzuar urdhrin e tij të përsëritur disa herë dhe më pas e ka arrestuar për moszbatim të urdhrave të personit zyrtar. Uka tutje ka thënë se e ka përdorur forcën për ta arrestuar të akuzuarin, pasi që thotë se ai vazhdimisht ka rezistuar dhe ka qenë shumë agresiv, andaj sipas tij, edhe gjatë tentimit për ta arrestuar janë lënduar të dy.

Ndërsa, ky dëshmitar ka mohuar të ketë përdorur dhunë të tepruar ndaj të akuzuarit, ashtu siç ai pretendon, por se ka përdorur dhunë proporcionale vetëm për ta arrestuar dhe qetësuar situatën, pasi sipas tij, ai është bërë agresiv dhe ofendues.

Tutje, ai ka thënë se kanë kaluar 4 vite nga rasti i ndodhur dhe se nuk është i interesuar që i akuzuari të dënohet. Ai po ashtu ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe zyrtarja policore, Besire Kastrati, e cila ka thënë se në ditën kritike vetëm ka dëgjuar zhurmë në korridor dhe më pas ka intervistuar palën rreth incidentit të ndodhur.

Ajo ka mohuar që i akuzuari të jetë goditur nga i dëmtuari Shaqir Uka në prani të saj, ndërsa për shumë pyetje rreth ngjarjes është përgjigjur se nuk i kujtohej sepse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngjarja.

Po ashtu ka dëshmuar edhe zyrtari policor Adem Gjyliqi, i cili ka thënë se në ditën kritike vetëm ka dëgjuar një zhurmë nga korridori i stacionit policor, ka hapur derën e zyrës së tij për të parë nëse ka nevojë të ofrojë ndihmë. Ai ka thënë se kur e ka hapur derën e zyrës ka parë se një person i cili bënte zhurmë duke bërtitur, ishte nën kontroll nga kolegët e tij dhe më tepër nuk ishte interesuar rreth rastit. Tha se nuk i kujtohej ngjarja në detaje, me arsye se ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk është interesuar rreth rastit më tutje.

I akuzuari Canolli dhe mbrojtësi i tij, avokati Fatbardh Makolli, vazhdimisht gjatë seancës kanë pretenduar se i akuzuari është rrahur nga i dëmtuari Shaqir Uka dhe se dëshmitarët po e fshehin një fakt të tillë.

Prokurori rastit, Musli Gashi, ka qëndruar pranë dëshmitarëve të propozuar me aktakuzë, Birsen Nush, Sinan Mazreku dhe Enis Orqusha, të cilët nuk kanë prezentuar në këtë seancë.

Gjyqtari i çështjes, Gani Kastrati, në mungesë të dëshmitarëve tjerë, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 11 tetor 2017, në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 16.10.2013, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhmi Canollit, të cilin e akuzon se nuk ka zbatuar urdhrat e personit zyrtar, duke penguar punën në Stacionin Policor në Prizren.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Canolli, më 29 gusht 2013, ka hyrë në stacionin policor për të shoqëruar kolegun e tij, Rexhep Pacollin, rreth një tikete të kundërvajtjes për parkim pa leje, ndërsa më pas nuk i ka zbatuar urdhrat e togerit Shaqir Uka, për të dalë jashtë stacionit policor.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari jo vetëm që nuk e ka zbatuar urdhrin e togerit, por se ka filluar ta ofendojë atë dhe e ka kërcënuar se nuk e ka larg, sepse ka të njohshëm në nivele të larta në Policinë e Kosovës.

Po ashtu, i akzuauri Canolli, sipas aktakuzës, ka refuzuar që të arrestohet nga togeri Uka, duke e shtyrë atë që të përdorë forcë për të bërë një gjë të tillë, e me ç’rast togeri ka pësuar lëndime të lehta trupore./betimiperdrejtesi/

Emri i kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, do të dihet me 15 gusht

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, si rezultat i të cilave do të përcaktohet kandidati për kryetar të Komunës, dhe listat e kandidatëve për Kuvend Komunal.

Kryetari i VV-së në Prizren, Artan Abrashi tha se pjesë e garës mund të jenë të gjithë anëtarët e këtij subjekti politik.

“Të gjithë anëtarët e VV-së, që dëshirojnë të kandidojnë për Kuvend dhe kryetar të Prizrenit, duhet të të aplikojnë për këtëo pozicione”, tha Abrashi për TV Besa.

Sipas tij, procesi i brendshëm zgjedhor është i rregulluar me Statut.

“Çdo aktivist që i plotëson kushtet, mund të kandidojë në këtë garë zgjedhore”, tha Abrashi

Procesi zgjedhor i VV-së përfundon me 15 gusht.

“Pas këtij procesi zgjedhor do të zyrtarizohen emrat e kandidatëve për Kuvend, si dhe emri i kandidatit për kryetar të Prizrenit”, tha Abrashi/ RTV Besa/

Prizren: Veshjet kombëtare, visare që duhet ruajtur si trashëgimi e kombit

0

Nga 21 korriku e deri më 23 korrik është hapur “Panairi i veshjeve tradicionale dhe artizanaleve” nën patronazhin e Komunës së Prizrenit, gjegjësisht nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në “Sheshin e dëshmorëve”, ku ishin dhjetëra tenda të hapura anekënd trojeve shqiptare me veshje tradicionale. Në këtë event nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi ka theksuar se këto veshje janë visare të çmuara dhe këto duhet jenë si traditë e kulturës sonë, kurse drejtori i Drejtorisë së Turizmit, Haxhi Seferqaj, tha se përmes këtij panairi tradicional ruhet tradita jonë kombëtare.

Vlerat e veshjeve

Lubiana Bahoje nga Gjirokastra, lidhur me këtë panair, pohoi se ky është një panair shumë domethënës dhe ka për qëllim promovimin e veshjeve tradicionale dhe po kështu është pjesa më atraktive e trashëgimisë që është nga të gjitha pjesët e etnisë shqiptare.

Ajo tha për “Kosova Sot” se te veshja me xhubletë bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit te pjesëve të saj me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, ciklamin, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë, përfshirë edhe pjesën e Alpeve në Malin e Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen me të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare. Në këtë event ishte edhe Fondacioni “Tradita Popullore “nga Tirana, ku përfaqësuesja Edlira Sulaj tha se këto panaire janë edhe një dëshmi për të pasur përkujdesje të shtuar ndaj trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.

“Këto ishin veshje që dikur përcaktonin edhe krahinën, pastaj statusin familjar dhe statusin ekonomik të personit”, tregon ajo dhe vazhdon të flasë për veshjen me dy futa, e cila përbehej nga një këmishë e gjatë, jeleku apo mitani, brezi disangjyrësh, porse shoqërohej edhe me dy futa të gjata (përparje), njëra e ngjeshur në pjesën e përparme dhe tjetra pak më e vogël vendosej prapa. Në këtë variant (të gjatë) ishin përparjet (futat) që mbanin gratë e Postrripës (Shkodër), ato të fshatrave Baz, Vinjoll, Karrice etj., të rrethit të Matit.

Tash, mbijetohet nga kjo punë dore

Ndërkaq, Myzafere Jëlliqi nga Prizreni flet për faktin se nga kjo punë mund të jetohet disi, por kërkon shumë angazhime, punë të palodhur. Ajo na flet për veshjen me tirq. “Elementi më tipik i kësaj veshjeje janë tirqit, të cilët e kanë formën e pantallonave të ngushta prej shajaku (në të shumtën e rasteve janë me ngjyrë të bardhë dhe më rrallë të zinj ose të përhitur). Përgjithësisht, ata lidhen poshtë belit, shoqëruar edhe me një brez të leshtë me vija disangjyrëshe. Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë ta gjata, jelek pa mëngë dhe xhamadan me mëngë të gjata, të dy prej shajaku. Në stinë të ftohta mbi xhamadan vishej edhe një xhaketë me mënge të shkurta dhe me jakë marinari (prej shajaku me ngjyrë të zezë) e quajtur diku xhurdi, diku tjetër kaporane ose herkë .Tirqit zakonisht janë mbajtur në Shqipërinë Veriore, në Kosovë dhe në Shqipërinë Verilindore, duke arritur deri në rrethin e Beratit” , thotë Jëlliqi.

Ajo tregon se kjo punë është e vështirë, por tash të thuash shumëkush merret me këto punë, andaj tani nga kjo zeje është e vështirë të mbijetohet. “Ngase, dikur para lufte jetohej mirë me këtë zeje, pas lufte këto prodhohen kudo dhe e kanë humbur vlerën”, tregon ajo për “Kosova Sot”. Për këto visare flet edhe Liman Asllani, që është njëri nga organizatorët e shumë panaireve të veshjeve kombëtare. “Veshjet kombëtare duhet të jenë pjesa më fanatike që duhet ta ruajmë të gjithë shqiptarët, sepse ajo është e vërteta jonë”, tha njëri ndër organizatorët e shumë panaireve, Liman Asllani.

(Kosova Sot)

Rryma mbyt një punëtor të KEDS-it në Rahovec

0

Një punëtor i KEDS’it ka humbur jetën në vendin e tij të punës në Rahovec.

Rasti ka ndodhur në fshatin Celinë të Rahovecit.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Gazetën Express komandanti i stacionit policor të Rahovecit, Osman Ismajli.

“ Rasti ka ndodhur rreth orës 14 30 minuta në fshatin Celinë, derisa punëtori me inicialet V.S i lindur më 1968, ishte i ngjitur në shtyllën elektrike, kur edhe rryma e ka goditur atë duke e lënë të varur në shtyllë, pa shenja jete”, ka deklaruar Ismajli.

Ai ka thënë se ekipet e policisë tashmë janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.

DokuFest shpall programin e fotografisë DokuPhoto

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të shkurtër DokuFest, ka shpallur programin e fotografisë DokuPhoto, që këtë edicion me krenari do të shënohet përmes një bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër.

Sipas një njoftimi të organizatorëve, arkiva e fotografive të Marubi kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshinë fotografi fascinuese të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.

“Një përzgjedhje e fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë i muzetë prej 500.000 negativë, që përfaqëson tre breza fotografësh, do të paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen përgjatë festivalit. Programi përfshinë një ligjeratë me drejtorin e muzeut, punëtori dhe ekspozitë street art në hapësirat e qytetit, një punëtori për fanzine si dhe ekspozitë video-mapping, duke sjellë për herë të parë në Prizren një shiqim unik të këtij koleksionit fantastik”, thuhet në njoftim.

“Koalicioni me Vetëvendosjen afër, po presim dështimin e PAN-it”

0

Deputeti i ri nga AKR-ja Korab Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se bisedimet mes koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur një progres të caktuar dhe se beson që do të arrihet një koalicion mes tyre.

“Lidhur me bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur disa takime kanë qenë në nivel programor, është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni tek koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka përsëritur edhe njëherë se koalicioni në të cilin ai bën pjesë nuk do të votojë qeverinë e formuar nga PAN.

Përveç kësaj ai tha se po presin që koalicioni fitues të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do ta votojnë apo jo.

Mirëpo ai pret që kushdo që propozohet të jetë i pranueshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit.

“Në momentin që shpallet kandidatura e dikujt për kryeparlamentar, atëherë natyrisht edhe ne do të deklarohemi lidhur me personin në fjalë. Vetëm kisha shtuar që kisha pas dëshirë që çfarëdo kandidati që të kandidohet nga ana e koalicionit PAN të jetë dikush që është i pranueshëm për të gjithë ata që janë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht që të mundësoj njëfarë roli unifikues të krye parlamentarit i cili do ta ndihmojë funksionimin normal të Parlamentit”.

Në Universitetin e Prizrenit interesimi më i madh për Fakultetin e Edukimit

0

Në programet e studimit në Universitetin ”Ukshin Hoti” në Prizren, interesimi më i madh edhe këtë vit për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Juridik.

Kadri Kryeziu, prorektor thotë se në Universitetin e Prizrenit funksionojnë 6 fakultete me 16 programe, ndërsa në afatin e parë të regjistrimit interesimi më i madh ka qenë për fakultetin e Edukimit dhe për Fakultetin Juridik.

Në Drejtimin Fillor në Fakultetin e Edukimit janë pranuar 100 studentë të rinj nga 390 kandidatë që kanë konkurruar.

Në Drejtimin Parafillor janë pranuar 100 studentë të rinj nga 182 kandidatë që kanë konkurruar.

Këtë vit në Universitetin e Prizrenit pritet të studiojnë 1740 studentë të rinj.

Me numrin e studentëve që do të pranohen këtë vit, numri i përgjithshëm i studentëve në Universitetin e Prizrenit do të rritet në 18 mijë student,shkruan gazetare.

Vitin e ardhshëm ky numër pritet të rritet pasi sipas prorektorit , Senati ka marrë vendim që në vitin shkollor 2018/19 të nis edhe Fakulteti i Mjekësisë

Jeta, dashuria dhe vdekja në rrugëtim të përbashkët

0

Milazim F. KADRIU
Romani “Dy vdekjet e një jete”, të autorit Fatmir Halimi, bazuar në titull fillimisht, të jep një lloj hutie ngase çdo jetë ka një vdekje, mirëpo me leximin e romanit lexuesi do të bindet se titulli është mjaft i arsyeshëm, se protagonisti kryesor në jetën e tij përjetoi dy vdekje.

Ngjarja që zhvillohet brenda kornizave të romanit ka diçka reale, por ka edhe imagjinatë, apo janë dy-tri ngjarje të shkrira në një vend dhe të lidhura bukur mes vete ku autori i ka ndërtuar mirë, duke përdorur shprehje të zgjedhura, të cilat i përkasin një romani bashkëkohor. Çdo lexues kur ta lexon romanin do të gjen diç që e dinë se ka ndodh ashtu apo e ka dëgjuar nga dikush. Mirëpo tërë ngjarjen e romanit autori e shtjellon mjaft suksesshëm dhe lexuesi posa fillon ta lexoj nuk mund të ndahet ngase e tërheqin ngjarjet që do të vijnë në vazhdim.

Në romanin “Dy vdekjet e një jete” rrëfehet historia e dashurisë së Astritit dhe Valberës ku mishërohen të gjitha vuajtjet e dashurisë për njëri-tjetrin.

Siç e dimë dashuria është ëndrra dhe dëshira më e bukur e gjithë njerëzve, ndjenja më e bukur njerëzore që të bën njëherësh të qeshësh dhe të qashë si fëmijë. Ajo është dhe mbetet gjithmonë jo vetëm motivi kryesor për të cilin duam të jetojmë por edhe detyra themelore e çdo njeriu.

Halimi në rrëfimin e tij na ka sjellë një dashuri të sinqertë të dy të rinjve por që ajo dashuri për shkak të rrethanave të atëhershme ndërpritet në mes të rrugës.

Ndonëse tema bosht e romanit është dashuria aty rrëfehen dhe shumë ngjarje tjera nga jeta dhe nga mese të ndryshme e me personazhe tjera të përfshira në roman por që të gjitha lidhen me Astritin.
Në roman rrëfehen edhe shumë ngjarje tjera si lufta e lavdishme e UÇK-së, largimi i popullatës nga trojet e veta si dhe plaga që e rëndon edhe sot e kësaj dite shoqërinë tonë, çështja e të zhdukurve, si dhe rrëfimet për jetën e pasluftës.

Të gjitha këto ngjarje kanë lidhmëni ose sillen rreth protagonistit kryesor, Astritit dhe dashurisë së tij me Valberën, dashuri kjo që pati një fund tragjik. Astriti si i ndjekur politik kishte migruar jashtë atdheut por me fillimin e luftës çlirimtare ai u kthye dhe iu bashkëngjit
radhëve të UÇK-së. Ai në luftë erdhi që t’i sjell vendit lirinë e shumë pritur dhe ti kthehet dashurisë së tij.

Plagosja e tij në betejat e luftës në Koshare dhe konstatimi se ai aty ra dëshmor ndërruan çdo gjë në jetën e tij madje edhe në dashuri. Kthimi i tij pas tetë vitesh të mbarimit të luftës, arritja në shtëpinë e zbrazët ngase tërë familjen ia kishin ekzekutuar forcat e okupatorit, mandej ikja e njerëzve nga ai që të mos takohen me të sepse ata e dinin për të vdekur e rëndoi edhe më shumë jetën e tij. Por nga takimi me shokun e tij Drenit, Astriti filloi ti adaptohej jetës dhe rrethit të ri në vendin e tij.

Nga ana tjetër edhe pse në fillim Valbera nuk e mori si të vërtetë kur dëgjoi se Astriti është gjallë dhe është kthyer në vend, mirëpo tek ajo lindi hamendja që të vazhdoj jetën me burrin e sajë dhe fëmijët apo ti len ata dhe të shkoj tek Astriti. Astriti pasi kuptoi realitetin që kishte ndodhur,Valbera ishte martuar, kishte fëmijë, njerëzit e kishin ditur për të vdekur, njohja e tij me një vajzë tjetër dhe ndihmës që ajo i ofroi në hapjen e ekspozitës por edhe interesimi që Astritin ta ketë sa më afër, Astriti u pajtua me fatin se tashmë historia me Valberën kishte marr fund. Ai vendos që një ditë ta vizitoi atë në familje dhe ti dëshiron jetë të lumtur me burrin dhe fëmijët e ai të niset rrugës së tij, mirëpo kjo rrugë ishte e fundit dhe përjetoi vdekjen e dytë.

Fundi i romanit është mjaft tragjik ku Astriti posa fillon të adaptohet në jetë dhe të merr veten i vjen vdekja e vërtetë dhe në momentin e fundit pranë tij gjenden të gjithë ata që ai deshi ti ketë pranë. Janë shumë prekëse fjalët që ia thotë Burimit që ai të kujdeset për Valberën në këtë jetë por nëse ka jetë në atë botë Valbera do të jetë e imja. Ndërsa Valberës i thotë se unë edhe pse po i përjetojë dy vdekje të kësaj jete në botën tjetër do të jesh e imja përgjithmonë.

Në këtë roman mësojmë se jeta të dhuron mundësi dhe hapësirë të pafundme. Po ashtu na këshillon dhe na mëson të dashurojmë jetën dhe njerëzit. Autori në këtë roman lexuesve ua mbart dhimbjen e thellë të njerëzve që dinë të dashurojnë me gjithë forcën e shpirtit të tyre dhe është pasqyrë e ndjenjave më të bukura që lulëzojnë në shpirtin njerëzor.