Home Blog Page 5859

Matoshi beson se Haradinaj me 3 gusht në seancën konstituive do të arrij formimin e Qeverisë!

0

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Halil Matoshi pas caktimit të datës për seancën konstituive ka thënë se beson që Kosova do të ketë një Qeveri e cila do të bëjë diferencën me modelet e kaluara të qeverisjes kjo që sipas tij Ramush Haradinaj ka vullnet politik.

Ai po ashtu ka thënë se me Ramush Haradinajn në krye të Qeverisë Kosova shumë shpejt do të marrë edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave, përcjell GazetaBlic.com.“Presidenti i Kosoves Hashim Thaci ne baze te kompetencave kushtetuese ka caktue diten e 3 gushtit 2017 per seancen konstituitive e Kuvendit te Kosoves!

Besoj fort se Kosova ka me e pase nje Qeveri qe ka me e ba diferencen nga modelet e kalueme qeverisese – sepse Ramush Haradinaj – e ka vullnetin politik qe ne 100-diteshin e pare t’i adresoje per zgjidhje cashtjet me te ndieshme politike te vendit dhe t’i frenoje trendet negative si korrupsionin dhe zbrazjen e atdheut… Kosova gajte kesaj kohe duhet me e marr rekomandimin per liberalizimin e vizave dhe ka me i themolue forcat e armatosuna te Kosoves.
Me Qeverine Haradinaj Kosova mundet me u ba vend i jetueshem!!!”, janë fjalët e Matoshit në Facebook.

A do të votohet Qeveria me 3 gusht ?

0

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me anëtarët e partive të vendit, lidhur me seancën konstituive.

Në këtë takim ishin të pranishëm zyrtarë nga PDK, AAK dhe NISMA por jo edhe nga Vetëvendosja dhe LDK-ja.

Pas këtij takimi, presidenti Thaçi shpalli edhe datën e mbajtjes së seancës konstituive, e cila do të jetë 3 gusht.

Ndonëse data për seancën konstituive tashmë është caktuar, ende nuk ka ndonjë informacion zyrtarë se kur do të votohet Qeveria e re.

Burime brenda koalicionit PAN kanë thënë për Indeksonline se votimi i Qeverisë nuk do të ndodhë ditën që do të mbahet seanca konstituive.

“Ende nuk është vendosur, por nuk besoj se Qeveria do të votohet të njëjtën ditë që do të mbahet seanca konstituive”.

I pyetur se kur do të mbahet mbledhja e kryesisë, ky burim është përgjigjur se gjatë kësaj jave nuk ka më takime dhe se fillimisht duhet të bëhet konstituimi i parlamentit, e pastaj të votohet Qeveria./Indeksonline

Presidenti thërret seancën konstituive më 3 gusht

0

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 3 gusht 2017, në orën 10:00.

Kryetarin dhe Kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, presidenti Thaçi i ka udhëzuar që të përgatisin edhe propozimin e rendit të ditës.

“Këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi sot, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në nenin 66 (paragrafi 3) dhe nenin 84 (pika 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndryshe, sot presidenti Thaçi ka mbajtur një takim konsultativ me partitë politike për caktimin e seancës konstitutive.

Në takim nuk kanë marrë pjesë Vetëvendosje, LDK-AKR-Alternativa dhe Lista serbe. /Telegrafi/

Gjergj Kastrioti është ende gjallë

0

Nga Valter KOXHAJ

Së fundmi është vënë re një shpërthim histerik dhe një kakofoni e pakuptimt lidhur me figurën e shenjtirt të arbërit dhe gjithë shqipeve kudo janë, Skenderbeut.

Ky shenjt që për kundërshtarët ishte një Aleksandër I rilindur ndërsa për perendimorët një “Atlet I krishtit” është padiskutim figura më e respektuar e kohës së tij. Kjo vihet re edhe në ditët e sotme ku pothuaj në të gjithë vendet perendimore ka një emër sheshi apo një bust të këti burri të pavdekshëm.

Përse është I ”gjallë” dhe pse duhet të jetë I pavdekshëm për ne Gjergj Kastrioti?

Skenderbeu është gjallë përsa kohë shqipëria dhe shqiptarët kanë ende shumë luftë për të bërë me armiqt e tyre. Nuk do të ketë kurrë një frymëzues më të shenjt për bijët e shqipes se sa skënderbeu. Ai është heroi I pavdekshëm që mbush zemrat e luftëtarve dhe ju jepë atyre, guximin e një të pavdekshmi. Ishte ky shenjtor që frymëzoj heronjt arvanitas e të ash-quajturit “Revolucioni grek”, librin e të cilit Kolokotroni e mbante në gji kur shkonte në beteja.( pavarsisht se në fond e gjithë lufta u përdor nga kancelarit evropiane për të ndërtuar një shtet imagjinar grek). Ky shenjtor I pavdekshëm ishte frymëzuesi I rezistencës që shqiptarët bënë kundër asimilimit osman për 500 vjet. Skënderbeu ishte gjallë duke I frymëzuar shqiptarët sa herë që këta nuk pajtoheshin dhe ngrinin kokë kundër regjimit. Duke u pranuar si një nga kombet të cilët asnjëher nuk e pranuan plotësisht sundimin e osmanëve. Ky shenjtor ishte ai që frymëzoj rilindjen tonë dhe I bashkoj ata burra për të kërkuar mëvetësin dhe drejtën e një kombi që nuk ju dorzua kurrë një sundimi pes-shekullor.

Pra nëse ka një frymëzues që ka përçuar gjithmonë bashkimin dhe ka frymëzuar gjithmonë qëndresën e mos asimilimin tonë, ky njeri padyshim është Gjergj Kastrioti.

Dhe ky nuk është një mit apo një sajes e krijuar nga lajthitja e ndokujt por është një e vërtet që rron ende në zemrat dhe në vetëdijen e çdo shqiptari që e do vërtet vendin dhe të vërtetën e tij.

Ai është ende gjallë ndaj edhe sot luftohet dhe orvaten të denigrojnë figurën e tij prej shenjtori. Kjo luftë bëhet për një arsye të vetme të çbëjnë tek shqiptarët besimin dhe të zhdukë frymëzimin e tyre që I nxit për liri. Dhe këtu e kam fjalën për ata shqiptar të cilët ende po jetojnë të ndarë dhe të pushtuar në tokat dhe shtëpin e tyre. Këta shqiptar jetojnë sot në Maqedoni, Mal të zi, Preshev, Çamëri. Ata që I robëruan dhe I mbajnë nën sundim këto toka thjesht shqiptare. E dinë se nëse do që një kombë të vdes duhet ti çrrënjosësh ati të vërtetën dhe ta tjetërsosh duke I robëruar shpirtin me anë të fesë dhe dizinformimit. Gjithashtu edhe të krijosh heronj të rinjë për të zëvendësuar të vjetrit.

Kjo luftë në thelb shpirtërore duket se po I jep frytet e veta. Disa shqipfolës të tjetërsuar në shpirt dhe injorant në mendje kanë filluar të nënvlerësojnë dhe të përbuzin figurën e Gjergj Kastrit. Këta mercenar apo këta joshqiptar në gjak, shpirt, rracë. Kanë filluar të kërkojnë një identitet të ri duke tjetërsuar të vërtetën që u ngjiz me lindjen e jetës në këto troje. Këta mbetje që vërtet besojnë se do të tjetërsojne shpirtin shqiptar duke hedhur baltë mbi heroin e tyre, nuk kanë për të arritur asgjë veç poshtërimit të tyre. Kjo sepse Skenderbeu ende jeton në zemrat e çdo shqiptari dhe kur kjo histeri injorantësh të arri kulmin. Ai vetë do t’jua heq kokën nga trupi siç bëri edhe me armiqt e kohës së vet.

Këto janë dy datat e preferuara për seancën konstituive

0

Njëri nga pjesëmarrësit në takimin me presidentin e vendit, Hashim Thaçi për caktimin e seancës konstituive i ka thënë Klan Kosovës në kushte anonimiteti se dy datat e preferuara të përfaqësuesve të partive politike për caktimin e kësaj seance janë: 27 korriku dhe 4 gushti.

Sipas këtij burimi e tëra është në dorën e presidentit Hashim Thaçi, zyra e të cilit ka nisur tash e disa ditë konsultimet me Sekretaritin e Kuvendit e cila do të duhej të caktonte këtë seancë.

Kreu i shtetit sot ka mbledhur në zyrën e tij përfaqësuesit e partive politike në vend për të diskutuar datën e mbajtjes së kësaj seance.

Presidentit në takim i kanë shkuar përfaqësues nga PAN dhe minoritetet përjashtur Listën Serbe.

Pos kësaj të fundit, ftesës së Thaçit për takim i ka thënë jo edhe LAA

Numëratorja dhe Kushtetuta

0

Ditar Kabashi

1.

Numrat janë pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Qysh në vegjëlinë e hershme, pas disa fjalëve elementare, fëmijëve u mësohet të tregojnë me gishta se sa vjeçarë janë. Duke u rritur, i flakin pelenat dhe fillojnë të numërojnë së pari deri në dhjetë e më pas akoma më shumë. Fëmijët e sotëm, madje edhe në anglisht.

Më pas ata nisin të hedhin shtat dhe futen në jetën arsimore, këtë të gjatën që dikujt si puna ime filloi t’ia rrallojë flokët. Kur hyjnë në klasë të parë dhe fillon kontakti me mësuesen, shokët e shoqet. Sfida e radhës është numërimi i gjithë klasës dhe mbamendja e emrave të të gjithëve. Domethënë, përsëri kemi punë me numrat. Dikur vjen praktika me numëratore dhe këtu mësohen kryesisht mbledhja e zbritja. Më pas fillojnë detyrat më të vështira dhe nuk kursehet as kalkulatori.

2.

Matematikën s’e kam dashur kurrë. Bota e numrave sikur më zinte frymën. Sikur parandieja që atëherë se numrat janë ngulfatës. Janë problemi vetë. Pengmarrës. Dhe s’është për t’u zënë për të madhe ky konstatim. Së paku jo në përditshmërinë tonë.

3.

Vitet kalojnë dhe disa nga ata fëmijë të numëratores bëhen të famshëm. Ndoshta merren edhe me politikë. Kjo e fundit është shkollë gjithashtu por ama nga ato që s’të ofron edukim. Çamarrokët e dikurshëm, tani me kravata, përdorimin e numrave sërish e shohin si mundësi për të kaluar provimet. Ata që dikur dinin të numëronin deri në dhjetë, sot, ta zëmë në mësonjëtoren e quajtur “Kuvend”, përvetësuan të njehin deri në 61. Sipas rastit edhe gjer më 80. Është e vërtetë se përllogaritjet nuk po iu dalin përherë. Mbase diku kanë çaluar në arsimimin formal. Apo ndoshta kanë ikur nga orët e mësimit kur trajtoheshin këto njësi mësimore. Sidoqoftë, ujku qimen edhe e ndërron, por zakonin jo. Zgjidhja më oportune: kopjimi. Të tillët që janë mësuar të kalojnë testet me kopjim dhe të marrin diploma me këso manovrash nuk do ta kenë të vështirë që prapë të nxjerrin në pah aftësitë: kontrabandën me teste, rrjedhimisht me numra.

 

4.

Të kihet një rend kushtetues dhe të veprohet në bazë të tij është virtyt i rëndësishëm për një shoqëri. Nëse kushtetuta parasheh se për krijimin e institucioneve të shtetit duhen numra, atëbotë ato edhe duhet të bëhen. Por rregullat e matematikës nuk ndryshojnë për hatër të një nxënësi që medoemos dëshiron të nxjerrë një rezultat të caktuar. Fundja, në garat e diturisë marrin pjesë nxënësit e dalluar dhe jo ata që të vetmen gjë që e posedojnë është ambicia për të qenë i pari. E kësaj i thonë meritokraci. Term i përmendur shpesh mirëpo ende i pazbatueshëm në vendin tonë.

5.

Një gjë themelore duhet pasur parasysh: kushtetuta nuk përcakton kritere numrash që të bëhen pazarllëqe dhe lojëra jolojale e të pamoralshme. Saktësimi i numrave si standard kushtetues vlen për të avancuar frymën demokratike në institucionet e vendit dhe përfaqësimin sa më përfshirës të komuniteteve të ndryshme. Pra, kushtetuta nuk është numëratore.

Duke u lënë mënjanë kjo logjikë përqafohet mentaliteti i bërjes së numrave me çdo kusht, pavarësisht vullnetit të elektoratit dhe kjo dëfton për mungesë të theksuar të zhvillimit të demokracisë. Për më tepër, fillon shkarja edhe në prepotencë: bërja e numrave po cilësohet si akt burrnor. Të thuash se “unë i kam numrat”, në esencë, është njëjtë sikur të brohorasësh se “unë kam kaq hektarë tokë, kaq dyqane, kaq vetura, kaq…”. “Unë i kam numrat” është nënçmim ndaj vetë deputetëve; ata shihen jo më si subjekt aktiv që ka hyrë në Parlament me verdiktin e popullit, por si numra që duhet ta formojnë një qeveri. Parlamentarizmi si sistem qeverisjeje mëton që Parlamenti vjen nga populli e Qeveria buron dhe kontrollohet nga Parlamenti. Fatkeqësisht, kultura politike në Kosovë pothuajse vijanoz ka ndjekur trajektoren e kundërt; deputetët vazhdojnë të shihen si shifra që duhet t’i shërbejnë ekzekutivit që nga formimi i qeverisë e deri në momentin kur vendosin të shkojnë në zgjedhje të reja. Madje edhe atëherë Qeveria e përdor Parlamentin për ta shpërndarë veten.

Kjo është çoroditja e jonë, si njëra ndër prodhimet e pakta vendore që kemi. E dora në zemër, marre është bile të synohet eksportimi i saj.

Dyshime në Malishevë për parregullsi rreth shfrytëzimit të pronës publike

0

Anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës lokal të Malishevës kanë miratuar disa vendime të rëndësishme.

Ndër pikat që është shqyrtuar në këtë seancë ka qenë edhe raporti i komisionit, i cili është marrë me verifikimin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike, apo shpronësimin e saj, nga koha e Qeverisë së Përkohshme, e deri në vitin 2015, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një njoftim të Zyrës komunale të informimit thuhet se bazuar në këtë dokument ka mendime se në 19 raste mund të ketë parregullsi.

“Sipas raportit, në 19 raste, mendohet se mund të ketë parregullsi”, thuhet në komunikatën e ZI-së, në pjesën ku përshkruhet pika për raportin e komisionit, i cili është marrë me verifikimin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike, apo shpronësimin e saj, nga koha e Qeverisë së Përkohshme, e deri në vitin 2015.

Ndërkohë, ndër vendimet e miratuara të KK-së është edhe ai për emërtimin e sheshit, tek ish-tregu i vjetër, me emrat e dëshmorëve: Sadik e Ramiz Shala dhe Haxhi Kleçka…

Anita Varosi: Kthehem gjithnjë tek klasikët

0

Shkrimtarja vjen në një rrëfim për librat e zemrës

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Erasmus thoshte: kur kam pak para unë blej libra e me ato që më mbeten blej ato që më duhen për të jetuar. Unë përpiqem ta bëj këtë, ndaj librat janë kaq shumë pjesë përbërëse e jetës time. Kam për zemër?Letërsia si çdo formë tjetër e artit ka një gamë kaq të madhe stili dhe forme sa nuk mundesh të ulesh e veçosh nga të tjerat plotësisht një pjesë të saj. Mua më tërheq ajo letërsi që më bën të mendoj duke lexuar, që zbërthen anën psikologjike të personazheve, që shpjegon më parë rrethanat sesa ngjarjen dhe që më bën të ndjej se më vjenkeq që mbaroi kur mbyll faqen e fundit

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Une nuk jam kritik i letërsisë ndaj nuk mund të vlerësoj romanin më të mirë, por mund të flas për romanet që më kanë lënë mbrese mua dhe edhe këtu është e vështirë të zgjedh një si më të mirin. Ka shume romane të mirë e që më kanë lënë gjurmë përbrenda. Do radhit disa: “100 vjet vetmi” dhe “Dashuri në kohërat e kolerës”,” Njeriu që qesh”, “Lartësite e stuhishme”, “Lufta dhe paqa”, “Koncert në fund të dimrit”, “Goja e Kalit”, “Me syrin e një kllouni”, “Krim e ndëshkim”, “Zonja Bovari”, “Xhejn Er”,” Ana Karenina”, “Për kë bie Këmbana”, por edhe “Gjuetari i balonave”, “Unë jam e kuqa”,” Hija e erës”, “Ujë për elefantët”, dhe shumë e shumë të tjerë.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

 Nuk kam lexuar shumë tregime, por novelat e Cvajgut për mua janë tregimet më të mira që kam lexuar.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Mendoj që një shkrimtar i mirë do shumë vite që të vlerësohet sepse vepër e mirë është ajo që rilexohet edhe pas 100 vjetësh, ashtu si ne lexojme akoma librat e shkruar në 1800 apo më parë. Megjithatë shkrimtarë të mirë ka në çdo kohë. Disa nga të preferuarit e mi të momentit janë: Milan Kundera, Haruki Murakami, Zafon, Yalom, Coelo, Artur Perez Reverte, Elena Ferrante e shumë të tjerë.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Gjinia e preferuar është romani, por gjithashtu më pëlqejnë biografitë dhe libat historikë. Nuk lexoj asnjëherë subjekte fantastike.

 Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nga librat që do gjeni mund të mos befasoheshit por ndoshta befasoheshit nga librat që nuk janë. Nga shkrimtarët shqiptarë kam vetëm librat e Kadaresë dhe Petro Markos.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Ursula tek “100 vjet vetmi”.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Në fëmijëri nuk kam pasur ndonjë autor të preferuar. Lexoja libra që na i sygjeronin mësuesit ose punonjësja e bibliotekës. Kam lexuar Lizën në botën e çudirave, mbaj mend se nuk më pëlqeu. Lexuese e rregullt jam bërë në fillimet e adoleshencës. Atëherë mund të rrija tërë natën duke lexuar e në mëngjes të shkoja në shkollë me vetëm 2-3 orë gjumë. Shkrimtarë të preferuar ishin Izabel Allende, Remark, Hemingway, Hygo, Dostojevski, etj, dhe lexoja gjithçka që më binte në dorë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

 Po sigurisht, kam lexuar edhe nën batanije me dritë çakmaku.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Të gjithë librat e mirë na bëjnë nga pak dhe kjo nuk është diçka që dikur përfundon së ndodhuri. Ne vazhdojmë të bëhemi ata që jemi gjithnjë pavarësisht moshës. Libri që më ka bërë lexuese të përhershme të letërsisë ishte Hasta la vista e Petro Markos, kur isha 12 vjeç.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

 “Darka e fundit” që nuk ka dalë ende në librari.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

 Isamil Kadare, Stefan Cvajg dhe Gabriel Garsia Markez.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

 Librat e Daniel Still, e kam detyruar veten të lexoj të dytin për të parë mos ndryshoja përshtypjen që më la i pari, por më pas nuk lexova më asnjë. Nuk mbaj mend cilin libër nuk e kam përfunduar, duhet të ketë shumë kohë që nuk lë libra përgjysmë.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Kthehem tek klasikët, “Don Kishoti”, “Krim e ndëshkim”, “Njeriu që qesh”, “Tesi I derberfileve”, por kthehem sa herë ndihem bosh edhe “Tre shokë”, “Dashuri në kohërat e kolerës”, apo “Shtepia e shpirtrave”.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Për ata që s’kam dëgjuar ende. (Shqip.com)

Kështu duket kufiri Kosovë-Shqipëri në pesë të mëngjesit (Foto)

0

Fluksi i madh i vizitorëve nga Kosova në Shqipëri vazhdon të jetë i madh pavarësisht ngjarjeve të fundit, njofton Klan Kosova.

Madje, rreth orës pesë të mëngjesit sot është parë një kolonë e madhe veturash në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Ende s’ka ankesë ndaj vendimit të Gjykatës në rastin e Shyhrete Berishës

0

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore e Prizrenit, dega në Suharekë, i dha të drejtë Shyhrete Berishës, e cila kërkon drejtësi që shumë vjet pas luftës.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera, raporton KTV.

Për këtë vendim, nuk është parashtruar ende ankesë nga avokati i Xhelal Berishës.

Naim Qelaj, avokati i Shyhrete Berishës, ka thënë se vendimi i pritur në favor të Shyhrete Berishës, është mirëpritur në opinionin kosovar.

Ndërkaq, Xhelal Berisha përmes telefonit, nuk ka treguar nëse do të parashtrojnë ankesë, derisa ka shtuar se ende nuk e kanë marrë vendimin.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë.

Shyhrete Berisha, në vitin 2013, kishte paditur Arben e Xhelal Berishën për t’iu njohur e drejta pronësisë në shtëpinë ku kishte jetuar deri më 26 mars të vitit 1999.

Ajo është një prej të mbijetuarave të masakrës serbe ndaj familjes Berisha.