Home Blog Page 5866

Dardan Molliqaj lë postin në Vetëvendosje

0

Dardan Molliqaj sipas gjitha gjasave nuk do të ushtrojë më funksionin që ka në Lëvizjen “Vetëvendosjes”.

Indeksonline mëson se deputeti i LVV-së nga sot nuk do të jetë më sekretar i përgjithshëm i partisë të cilën e drejton Visar Ymeri.

Ndryshe, në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, ai ka marrë më shumë vota se kryetari Ymeri.

Ai ka mbledhur gjithsej: 49,033 vota ndërsa kryetari i VV-së ka marrë gjithsej: 40,981 vota, apo 8.052 vota më pak se Molliqaj. /Indeksonline/

Rrahje masive në Rahovec

0

Dy të dyshuar meshkuj shqiptarë janë arrestuar në Rahovec, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht katër viktimat meshkuj të komunitetit rom, shkruan PrizrenPress.

Në raportin e Policisë thuhet se viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

“Me urdhër të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia. /PrizrenPress.com

Suharekë: Rrah bashkëshorten dhe djalin, arrestohet

0

Një person i gjinisë mashkullore është arrestuar në Suharekë, pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij, shkruan PrizrenPress.

Në raportin e Policisë thuhet se i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Sulmon policët, arrestohet romi në Rahovec

0

Në Rahovec, dje rreth orës 19:40, është arrestuar një person i gjinisë mashkullore (rom), pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, shkruan PrizrenPress.

“Me urdhër të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njofton Policia. /PrizrenPress.com/

Librat ideal që mund t’i lexojmë para gjumit

0

Para gjumit disa preferojnë të dëgjojnë muzikë, ndërsa të tjerë zgjedhin leximin.

E ky i fundit është vërtetuar shkencërisht që ndihmon në reduktimin e stresit, për aq kohë sa cilësohet si aktiviteti më i mirë për trurin.

Për këtë arsye, më poshtë keni 10 sugjerime, për librat që mund t’i lexoni para gjumit.

“Life On Mars” – Tracy K. Smith

“The Name Of The Wind” – Patrick Rothfuss

“Persuasion”– Jane Austen

“The Enchantress Of Florence” – Salman Rushdie

“The History Of Love” – Nicole Krauss

“To The Lighthouse” – Virginia Woolf

“Our Tragic Universe”– Scarlett Thomas

“The Cities”– John Edgar Wideman

“The Collected Stories Of Eudora Welty” – Eudora Welty

“Bleak House” – Charles Dickens

Agimi i Lirisë

0

Autori: Skender Berisha

* Heroit të popullit,Agim Çelaj

Agimi i zgjuar para agimit,
Priret mendja pushka e trimit.
Qielli i zënë edhe toka kallet,
Po vjen Gimi,At – Dheut t’i falet.

Një betim ngritet prej toke te qielli,
Flakët tek ngriten deri te dielli.
Kolona shtohet me çika e djem,
Nuk ka droje se Agimi po vjen.

Ti eja këndenaj,më duhesh te Rrasat,
Trup me trup t’i zëmë edhe plasat.
Shkurret e vendit gjak po pikojnë,
Ne s’përtojmë të biem,liria s’vonon.

Edhe këtë shtek vraponi ta zëmë,
Shokët e rënë përditë na ftojnë.
Asnjë gjë mangu as jetën kursim,
Liria është kushti fillim e mbarim.

19 korrik 2017

Rrugëtimi i vështirë drejt suksesit në Austri i dy vëllezërve nga Rahoveci

0

“Me punë e përkushtim e nderojmë kujtimimin për babain dëshmor Avdullah Bugari”

Djemtë e dëshmorit të kombit Abdullah Zijajdin Bugari, Nuriu dhe Adri, babai i të cilëve ra dëshmor më 18 korrik 1998 në betejën për çlirimin e Rahovecit, janë shembull i përkushtimit, vendosmërisë dhe angazhimit personal për arritjen e suksesit në jetë. Ndershmërinë dhe vullnetin për punë e kanë trashëguar nga babai, por edhe nga e ëma Alltëna, e cila rrjedh nga familja e madhe dhe e vyeshme rahovecase Haxhijaha. Nuriu dhe Adri tashmë kanë biznesin e tyre për riparimin e automjeteve të ndryshme në Linc të Austrisë, të njohur si “AutoNuri&Adri Bugari” dhe që gëzojnë respektin e komunitetit. Ata flasin me emocione për largimin nga Kosova, vështirësitë e përshtatjes dhe mundin e madh që kanë bërë për të përmbushur synimet e tyre jetësore. Gjithnjë duke u betuar në varrin e babait të tyre dëshmor, sikur dëshirojnë të na bindin se fjalët e tyre janë të vërteta, ata rrëfejnë me krenari për arritjet e tyre dhe përmbushjen e ëndrrave djaloshare, ndonëse përpjekjet i vazhdojnë me këmbëngulje për të qenë të mirë dhe më të mirë.
– Këtë e kemi amanet nga babai ynë, thonë Nuri dhe Adri.

Borëpastruesit e vegjël të zellshëm

Fillimisht shteti austriak na strehoi në një shtëpi azilantësh në Bad Krojcen, ku qëndruam nëntë muaj. Kishim mbështetjen edhe të dajave, nipave të babait tonë dhe disa miqve e familjarëve, të cilët na ndihmuan.

Rajoni ku na dërguan ishte i futur thellë në mal dhe nuk kishte shumë lëvizje të njerëzve. Aty nuk kishim mundësi të merreshim me biçikleta, sepse ishte zonë malore dhe kishte fare pak banorë. Ishte dimër i ftohtë dhe vazhdimisht binte borë. Zgjoheshim herët në mëngjes në orën 5 e 30 dhe niseshim për në shkollë. Duke pritur kohën e mësimit në orën 8, nuk kishim çfarë të bënim, prandaj filluam ta pastrojmë borën në afërsi të stacionit. Ndërkohë pamë një plakë të vjetër që po mundohej ta pastronte borën para shtëpisë së saj. Ne i ofruam ndihmë dhe ajo pranoi. E pastruam për pak minuta hapësirën e saj. Më pas ajo na u lut që t’ia pastrojmë oborrin edhe një shoqes së saj plakë e cila jetonte e vetme dhe ne e bëmë pa përtesë. Ajo na dhuroi disa ëmbëlsira dhe ne i pranuam me kënaqësi. Mirëpo, pas kësaj puna jonë vazhdoi çdo ditë. Dhuratat u bënë të shumta dhe gjithfarësh. Dikush na jepte nga pak para e dikush ëmbëlsira e gjëra të tjera ushqimore. Më pas e blemë një automjet të vogël për pastrimin e borës dhe puna na u lehtësua shumë. Kjo na i shtoi fitimet. Sapo i kisha mbushur trembëdhjetë vjet, ndërsa Adri mbi nëntë.

Fillimi i rrugëtimit kah sukseset erdhe nga hedhurinat dhe vjetërsirat

Më pas na dërguan në një qendër tjetër strehuese në Sant Georgen. Afër shkollës tonë ishte një vend ku i hidhnin gjërat e vjetra dhe të dëmtuara. Çdo të premte pritnim makinën që sillte gjërat e vjetra dhe ne bënim përzgjedhjen tonë. Natyrisht, me lejen e punëtorëve të hekurishtes, merrnim biçikleta, video rekorderë, televizorë, radio dhe pajisje të tjetra shtëpiake. I bartnim rreth 2 km deri në qendrën e strehimit tonë. Pas një muaji e gjysmë i riparuam 38 biçikleta dhe i bëmë funksionale. Pastaj i huazonim në kundërvlerë të ndonjë shpërblimi të vogël, ndonjë dhuratë, veshmbathje apo ushqime të ndryshme. Këto ishin fillet e rrugëtimit tonë në biznes, tregon Nuriu.

Edhe pse shteti na siguronte ushqime e veshmbathje, por ato ishin të pamjaftueshme dhe rrobat e këpucët nuk na binin tamam për trupi. Nuri thotë se i kujtohet kur mbante këpucë me numër 40, ndonëse këmbën e kishte për numrin 32.
Rrugën e mbarë na e trasoi nëna

Nëna jonë rrjedh nga familja e madhe Haxhijaha në Rahovec. Ajo ishte mësuar të punonte edhe gjatë kohës sa ishte vajzë dhe i kryente të gjitha punët e fushës që i bënin edhe burrat. Ngiste traktorin dhe lavronte e bënte të gjitha punët që kërkoheshin në vreshta dhe ara. Kjo kulturë pune u bart edhe tek ne. Ndonëse ishte analfabete, ajo e dinte se çka duhet të bëjmë për të ardhmen tonë më të mirë. Më pas neve na bartën në Linc dhe na siguruan një banesë. Nuk dëshironim të shkonim në Linc, sepse ishim përshtatur dhe njerëzit na donin e vlerësonin për angazhimin tonë.

Nëna u punësua në një kompani të kompjuterëve dhe është marrë me mirëmbajtjen e hapësirës së kompanisë. Neve na pëlqente një kompjuter, por nuk kishim para për ta blerë. Atëherë, nëna vendosi që ta blejë kompjuterin dhe për dy vjet ajo punoi pa pagesë deri sa e pagoi atë. Në atë kohë nuk kemi ditur ta vlerësojmë se çfarë sakrifice po bënte ajo për ne, sepse kompjuteri ishte shumë i shtrenjtë, por tani dhe përgjithmonë i jemi mirënjohës asaj për këtë sakrificë. Kompjuterin e stolisëm me drita (LED) anash dhe e bëmë shumë të bukur. Ndonëse nuk e njihnim teknologjinë, ekzistonte rreziku që kompjuteri të digjej, por patëm fat. Me atë kompjuter vazhdimisht kërkonim pajisje dhe risi teknologjike. Pra, kompjuterin e përdorëm jo për të luajtur, por për të hulumtuar dhe mësuar gjëra të reja. Kjo na ndihmoi shumë për të ardhmen tonë.

Adrin e kishte goditur rëndë humbja e babait në luftë

Rrëfimi i Adrit është më prekës. Humbja e babait e kishte goditur rëndë në shpirt. Kishte vuajtur shumë dhe mungesën e tij e ka ndjerë vazhdimisht. Ai tregon për përjetimet e tij të rënda si fëmijë.

– Isha më i vogli në familje dhe më mungonte shumë babai, – thotë Adri. Qaja shumë dhe e thërrisja me zë të lartë emrin e tij. Kjo u bë shqetësim i madh për familjen tonë, prandaj edhe më dërguan për trajtim tek mjeku dhe terapia ka vazhduar për muaj të tërë. Mbyllesha në dhomë dhe qaja deri sa lodhesha duke qarë dhe deri sa më zinte gjumi. Fshija lotët që të mos më shihte nëna, motra e vëllai. Kaluan disa kohë dhe kjo gjendje u bë edhe më e rëndë. Vetëm familja më jepte ngushëllim. Rolin e prindit për mua e mori Nuriu, i cili më qëndronte gjithmonë afër. Më ngushëllonte dhe më mësonte si të sillem. Ne nuk merrnim pjesë as në lojërat e zakonshme të fëmijëve. Shihnim se shumë fëmijë argëtoheshin pa kufizime dhe madje disa pinin cigare e alkool. Kjo nuk ishte ajo që ne e dëshironim. U rikthyem në mënyrën tonë të jetesës dhe filluam shkollimin. Ishte shumë e vështirë, sepse kishim edhe probleme me gjuhën gjermane. Mësuesit na ndihmonin aq sa kishin mundësi, por gjendja jonë ishte e rëndë. Kishim përjetuar luftën dhe humbjen e njeriut tonë të dashur, babait – rrëfen me emocione Adri. Puna u bë terapia ime më e mirë dhe pasioni për vetura u bë mjeku im më i mirë. E tejkalova këtë situatë të vështirë vetëm me punë e përkushtim.

Nuriut iu desh ta niste shkollën nga fillimi

Edhe Nuriu ka kaluar nëpër periudha të vështira në jetë. Shumë të vështirë e pati përshtatjen me ambientin dhe shoqërinë e re. Kishte ngecje në mësime për shkak të luftës në Kosovë dhe vështrësitë gjuhësore e kulturore e kishin rënduar gjendjen e tij emocionale.

– Duke marrë për bazë ngecjet që kisha në shkollim në Kosovë, e kisha humbur hapin me bashkëmoshtarët e mi, – rrëfen Nuriu. Kisha ngecur në klasën e tretë, sepse lufta dhe rrethanat e jashtëzakonshme në vendlindje shkaktuan tronditje të mëdha në shpirtin tim. Mësuesit austriakë konstatuan se unë duhe të shkoja në shkollën për fëmijë me zhvillim të vonuar. Matematika ishte krejt e panjohur për mua. Mezi i dija numrat dhe disa llogaritje të thjeshta matematikore. Aty ju përkushtova shumë mësimit të matematikës dhe mësoja si i çmendur. Pas dy vjetësh arrita nivel të kënaqshëm dhe më pas më dërguan në shkollën profesionale për automekanik dhe autoelektricist. Të premten, të shtunën dhe të dielën shkoja në një firmë për të mësuar profesionin tim të preferuar.

Punova gjashtë muaj në kompaninë “Vehicle”, pastaj në VW dhe me orar të pjesshëm në një kompani për riparimin e automjeteve. Punoja nga mëngjesi deri në orën 16 e më pas në një garazhë tjetër deri në gjysmë të natës. Pas përfundimit të mësimit edhe Adri vinte tek unë dhe punonim bashkë. Një vit punuam pa pagesë, por pas një viti na paguante nga 5 euro në orë. Udhëtonim me biçikletë nga 12-15 km gjatë natës. Lodheshim shumë, por vullneti për të mësuar zanatin na jepte shtysë. Punonim si të çmendur, sepse gjithçka për ne ishte të mësonim profesionin. Në moshën 20 vjeçare unë e mora diplomën për automekanik dhe autoelektricist. Fillova punën në firmën “Autokreuz” dhe aty qëndrova një vit e gjysmë. Punoja edhe pas orarit të punës. Ndërkohë e gjetëm në internet një golf-3 që shitej në Salzburg. Shkuam me tren dhe e blemë. E ngamë pa targa deri në Linc. E riparonim dhe futnim gjëra të bukura në atë makinë. Kjo ishte makina e parë ku ne bënim çfarë të donim, sepse ishte e jona. Punonim shpesh deri në orën 4 të mëngjesit dhe shpesh flenim në garazhë. Zgjoheshim në orën 6 për të nisur punën për firmën.

Pasioni për veturat u bë dashuri për Nuriun dhe Adrin

– Mësova katër vjet në shkollë për riparim të veturave të dëmtuara dhe ngjyrosjen e tyre, thotë Adri. Ky u bë pasioni im i vetëm. Paratë e fituara i depononim në llogarinë e nënës, sepse ajo i ruante mirë dhe ishte nikoqire e mirë. Isha në vitin e tretë të shkollës profesionale kur shefit tim, Jozef Kramer në garazhë i ndodhi një fatkeqësi e rëndë dhe për një vit nuk mundi të dilte në punë. E vlerësoja shumë kujdesin e tij ndaj meje. Prandaj, drejtimin dhe menaxhimin e garazhës e mora përsipër unë. Ndër 23 nxënësit që e vijonin këtë kurs, unë u shpalla më i miri. Si nxënës merrja 1800 euro pagë, ndonëse isha ende praktikant. Aq shumë punoja sa që firma pati përfitime të mëdha dhe më shpërblente vazhdimisht. Shefi më çmonte shumë dhe më vlerësonte për punën me përkushtim dhe me dashuri që e bëja. Më linte dorë të lirë.

Nuri thotë se kujdesi ndaj parasë ishte çështje e veçantë e suksesit të tyre.
– Nuk shpenzonim shumë para për luks dhe gjëra të panevojshme. Mirëpo, ishim të pasionuar pas veturave. Ndërkohë e pamë në internet një veturë Golf-4 prodhim i vitit 2004, që ishte bërë me porosi, por që ishte aksidentuar. Vetëm 30 të tilla qarkullonin nëpër Austri në vitin 2007. Ne vendosëm që kjo veturë të bëhet e jona. Vuajtëm shpirtërisht e fizikisht deri sa e blemë me kursimet tona dhe e riparuam sipas dëshirës tonë. U bëmë pronarë të saj dhe u ndjemë shumë mirë. Ishte veturë e qejfit dhe e mbajtëm dy vjet.

Pas shumë sakrificash vjen shpërblimi – hapja e kompanisë “Nuri & Adri”

Ndërkohë na lindi ideja për hapjen e një garazhe personale. Nuk kishim as veglat më të thjeshta të punës, madje as çelësa dhe krik nuk kishim. Futnim goma për ta ngritur veturën dhe siguruar veten. Merrnim vegla hua dhe e kryenim punën. Kështu vazhdoi për tri vjet dhe pas kësaj kohe e rregulluam aspektin financiar e ligjor. Për të siguruar mjetet themelore të punës vendosëm ta shesim Golfin 4, që ishte aq shumë i dashur për ne. E shitëm dhe kemi qarë dy ditë si fëmijë. Nuk mund të pajtoheshim se kishim hequr dorë nga diçka e jona shumë e shtrenjtë. Golfin e kishim blerë 8700 euro dhe pas katër vitesh e shitëm për 18.000 euro. Kishim investuar shumë dashuri e kujdes në të. Ndonëse vetura ka qenë e aksidentuar, ne e kemi sjellë në gjendje të tillë teknike që ekspertët e veturave kanë konstatuar se ajo veturë nuk ka qenë e aksidentuar asnjëherë. Me ato para i blemë veglat tona dhe puna na ecte mjaft mirë. Tani e dhjetë vjet ne jemi të pavaruar dhe po punojmë intensivisht. Jemi pajisur me veglat më moderne të punës.

Garazhën e kemi ndarë në dy pjesë; një pjesë për riparim të motorëve, ndërsa pjesën tjetër për riparim dhe ngjyrosje të makinave të aksidentuara. Me çështjet e riparimeve të motorëve, mekanizmave dhe pajisjeve të tjera të makinave merret Nuri, ndërsa Adri bën riparimin dhe lyerjen e veturave të aksidentuara.
Mirëpo, vëllezërit Bugari nuk janë mjaftuar me sukseset e arritura. Ata vazhdojnë të investojnë në ngritjen e tyre profesionale dhe shpesh vijojnë kurse e trajnime të nivelit të lartë. Nuri thotë se risitë teknologjike janë sistematike dhe për të qenë në treg sa më atraktiv, vazhdimisht kërkohen njohuri të reja. Atyre nuk ju dhimbsen paratë për modernizim të teknologjisë së makinave më të reja.

– Me paratë e fituara kam vazhduar të vijoj kurse dhe trajnime për të përcjellë zhvillimet tekonologjike të makinave, thotë Nuri. Aktualisht kam fituar 67 diploma dhe certifikata profesionale. Posedojmë edhe kontrollimin teknik të makinave, që është arritje e madhe për një të huaj këtu. Me trajnime vazhdon të merret edhe Adri, i cili flet me shumë emocione për pasionin e tij; rregullimin dhe lyerjen e makinave.

Konsiderojmë se jemi ndër kompanitë më të besueshme dhe më profesionale në këtë rajon. Po punojmë shumë dhe angazhimi ynë është sistematik. Kompanitë më serioze kërkojnë bashkëpunim dhe ne ju ofrojmë ekspertizën tonë. Tashmë kemi arritur nivel të mirë profesional dhe klientët tanë çdoherë mbeten të kënaqur me shërbimet tona, rrëfejnë vëllezërit Bugari, të cilët nderin dhe përkushtimin e trashëguan nga i ati Avdullahu. Ata thonë se e kanë amanet nga babai të bëjnë punë të mira dhe të sillen ndershëm me klientët dhe bashkëpunëtorët./Qemajl Krasniqi/

Partitë, në luftë për kolltuk, i harrojnë qytetarët

0

Të gjitha partitë politike kosovare, pavarësisht dallimeve të thella dhe kundërshtive deri në armiqësi ekstreme, që i kanë paraqitur vazhdimisht dhe me të cilat mbijetojnë akoma përballë elektoratit që e mashtrojnë, në periudhat e nxehta para e paszgjedhore, kur është fjala për pushtetin, kanë një emërues të përbashkët, një prirje që të bëjnë pazare të ulëta veç për kolltukët e pozitat në qeveri, që mundësojnë zhvatjen e aseteve të shtetit , dhe përfitimet e kundërligjshme, me tenderë korruptivë e të inkriminuar, duke shkelur fillimisht mbi të ashtuquajturat parimet e tyre të forta, e të mos flasim për shkeljet që bëjnë mbi interesin e qytetarëve dhe të vendit.

Analisti politik, Ali Hertica, është i sigurt që kjo praktikë e mbrapshtë e përpjekjes për mbijetesë me interesa kriminale nga pjesa dërrmuese e partive politike do të vazhdon me këtë trend derisa qytetari nuk vetëdijesohet plotësit, për t’i ndëshkuar ato me votë, dhe për ta mbështetur një alternativë tjetër të re politike ose subjekt që reformohet dhe pastrohet nga e para, duke sjellë para votuesit vlera të reja, që shohin përtej interesit partiak e grupor, që pozicionohen në interesin e gjerë qytetar.

Plaçkitja, në rend të parë

Sipas Herticës, duke u nisur edhe nga situata aktuale dhe politike, loja që po bëhet tani për pushtet, del se ngërçi politik, i cili po troket në dyer të institucioneve të reja të Kosovës, po vjen pikërisht si produkt i këtyre njerëzve, sepse këtë situatë Kosova e ka “dhuratë” nga vetë liderët politikë.

“Tani pozicionimi i kësaj klase politike dhe pazaret që po përfliten, paramendohen e po dizajnohen, flet më së miri për një sinjal, sipas të cilit ky lidership nuk është në gjendje të shkëputët nga tradita e tij e vjetër, por është gati të bëjë pazare për gjithçka, për të arritur në pushtet, ngase është i etur për kolltuqet e buta, të cilat secili po dëshiron t’i shijojë, madje pa u interesuar fare për çështjet madhore të shtetit dhe qytetarit, i cili u ka dhënë besimin për ta përparuar e zhvilluar vendin, për ta përshpejtuar rrugën e integrimit në shoqërinë e avancuar demokratike evropiane, për të qenë pjesë e barabartë e shoqërisë evropiane dhe në të gjitha instancat euroatlantike”, theksoi Hertica.

“E gjithë kjo ego e egër për pushtet tregon se këta liderë kanë një synim të vetëm, qëllimin për përfitim dhe zhvatje pas arritjes në pushtet me politikën e grabitjes, plaçkitjes e tenderomanisë, e cila ka kapluar si sëmundje kanceroze këtë klasë politike”, vijoi më tutje ai. “Këta janë njerëz të inkriminuar që janë gati të shkelin mbi të gjitha interesat e shtetit dhe vetë qytetarëve, të cilët ua dhanë votën, duke shpresuar se angazhimi i tyre në institucione do të jetë unik për të siguruar një jetë normale zhvillimore të vendit dhe jo për interesat klienteliste e kriminale të grupeve të ngushta mafioze”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”

Vendi në anarki institucionale

Nga ana tjetër, edhe analisti Hidajet Ahmeti pohon se kjo frymë e mbrapshtë e instaluar në partitë politike kosovare, duke shkelur parimet bazike të identitetit të tyre politik ka krijuar një percepcion shumë negativ në opinionin publik.

“Pushteti, i cili sigurohet brenda kornizave të interesave personale, klienteliste, nepotike e klanore e jashtë konceptit politik të thirrur si parti politike ka sjellë vendin një gjendje të mjerueshme e ka pasuruar politikanët. Ky avaz i kësaj logjike duhet të përfundojë brenda një kulture politike të ndëshkimit përmes referendumit qytetar një herë në katër vite, në mënyrë që të disiplinohen paritë politike e në veçanti politikanët karrieristë”, ka potencuar ai. “Ky tjetërsim i aseteve publike në dëm të trupit publik ka ndërtuar një frymë, e cila çdo ditë e më shumë po ngulfat jetën institucionale dhe po varfëron substancën e shtetësisë. Ky përfundim i avazit të vjetër asocion me vetëdijen qytetarë, pasi që sa më e madhe të jetë vetëdija qytetare, aq me të tkurrur do të jenë politikanët zhvatës, të korruptuar e kontrabandës me asetet publike. Kurse rruga tjetër e ikjes nga kjo anarki institucionale është deinstrumentalizimi politik i institucioneve të pavarura publike, e veçanërisht institucioneve të drejtësisë”, është shprehur Ahmeti.

Parazitët dhe sundimtarët, e keqja e shtetit

Sipas politologut Faton Mehmeti, nisur pikërisht nga ky fakt, partitë politike në Kosovë nuk ngjajnë në parti tipike politike, por më tepër si organizata , grupe të interesit për të zhvatur çdo të mirë materiale, që shkon në funksion të interesit të tyre pasuror. “Të gjitha interesat e ngushta farefisnore, grupore, avancimet e pamerituara, pasurimi brenda natës sintetizohen në partitë politike, prandaj gjendja në vend është shumë e pakëndshme për jetën e qytetarit të Kosovës. Ky avaz vazhdon që 18 vjet pas luftës dhe do të vazhdojë derisa qytetarët nuk e përdorin votën e ndëshkimit, si një ndër format më demokratike për të ndëshkuar ata që keqqeverisin vendin. Për të ndryshuar kjo gjendje e mjerë, duhet të ngrihet vetëdija e qytetarëve, s’duhet më që në emër të luftës apo të paqes- pacifizmit, t’u besohet vetëm verbërisht atyre që nuk kanë lënë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi, duke degraduar vendin”, tha Mehmeti për “Kosova Sot”.

Sipas tij, pikërisht për shkak se ballafaqohet me këto parti politike, nga qeverisja në pushtet lokal e deri në atë qendror, Kosova mban vendin e parë për nga niveli i korrupsionit, për nga shkalla e varfërisë, sepse është si vendi i dytë pas Sirisë për nga qytetarët që kërkojnë azil janë shqiptarët e Kosovës. “Të gjitha këto dhe mijëra gjëra të tjera negative, që karakterizojnë vendin janë rezultat i sundimit të mafisë në pushtet, të oligarkëve dhe njerëzve parazitë, që pa asnjë ditë pune janë bërë milionerë. Prandaj, Kosova më nuk duhet të vazhdojë në këtë trend negativ, qytetarët duhet të mos gënjehen më nga populizmat e politikanëve, duhet të marrin fatin e vendit në duart e tyre, sepse Kosova është e jona e politikanët janë ata që shkojnë e vijnë”, theksoi Faton Mehmeti

Çka janë tre pikat e Zafir Berishës për Presidentin Thaçi?

0

Deputeti i zgjedhur i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka bërë një reagim duke iu referuar Presidentit Thaçi, pasi ky i fundit njoftoi se të hënën ka ftuar në takim të gjitha subjektet partiake për konsultim.

Në llogarinë e tij në facebook, Berisha duke përdorur tre pika që e bën deklarimin e tij të çuditshëm ndaj Presidentit Hashim Thaçi, shton po ashtu se është në dilemë të jetë pjesë e takimit të së hënës a po jo, transmeton Klan Kosova.

Për më shumë ja statusi i tij i plotë:

 

Prizren: Kqirajt ankohen se shteti s`po ua ruan pronën

0

Ankesa për mënyrën se si shteti po e menaxhon pasurinë e konfiskuar nga familja e akuzuar për fajde janë paraqitur në gjyqin ndaj Kqirajve dhe të tjerëve.

Në nisje të procesit ekspert Vehbi Imeri e Avokati Visar Haxhibeqiri nuk janë pajtuar rreth vlerës së shtëpisë së Benson Buzës.

Në vlerësimin e tij eksperti Imeri kishte ardhur në përfundimin se prona ku është e ndërtuar vila e të akuzuarit Benson Buza, kap vlerën prej 369 mijë euro.

Prej këtyre parave sipas ekspertit, 77 mijë euro janë të holla me prejardhje nga biznesi për Benson Buzën, ndërsa 299 mijë euro tha se janë të hyra pa prejardhje.

Ky vlerësim i ekspertit është kundërshtuar nga avokati i buzës Visar Haxhibeqiri, i cili pretendoi se vlera është llogaritur me vlerë më të lartë sesa ajo reale.

Pjesë tjetër e vlerësimit ishte edhe lokali “Kristal Club”, pronë e të akuzuarit Kastriot Kqira. Eksperti financiar tha se nga të dhënat e siguruara që nga hapja e këtij lokali ka të hyra në vlerë prej 65 mijë e 832 euro, ndërsa vlera e lokalit tha se arrin shifrën prej 298 mijë e 900 euro.

Në fjalën e tij i akuzuari Gjon Kqira, u ankua para trupit gjykues se pasuria e tij e sekuestruar nuk po mirëmbahet siç duhet.

Kqira sqaroi se nga punonjësit e tij ishte njoftuar se në lokalin e tij “Paradiso”, e cila është pasuri e ngrirë që 18 muaj, kanë filluar plasaritjet e gypave dhe është duke u bërë dëm.

Kqira, tha se në atë lokal nuk janë hapur fare as dyer e as dritare. Mirëpo, nga trupi gjykues u njoftua se eksperti nuk është i thirrur për vlerësimin e asaj pjese.

Në fund të procesit, Prokurorja Speciale, i propozoi gjykatës që ekspertët e njëjtë të cilët kishin bërë këtë ekspertizë financiare të bëjnë edhe vlerësimin e bodrumeve të objekteve, nën kulmeve, interierit të brendshëm dhe pjesëve tjera të cilave nuk i është bërë vlerësimi.

Prokurorja, kërkoi që në ekspertizë të vlerësohet se sa ka qenë vlera e pronave kur ato janë blerë dhe sa janë bërë tani investimet.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi./kallxo.com/