18.8 C
Prizren
E martë, 26 Gusht, 2025
Home Blog Page 5870

Prizren: I akuzuari për dëmtim të “Fruttit” do marrëveshje me Prokurorinë

0

I akuzuari për përvetësim në detyrë dëshiron marrëveshje me prokurorinë.

Arben Ramadani, avokati i Nexhmedin Bellanicës, të akuzuarit për përvetësim të 15,155 eurove nga NTP “Frutti” kërkoi në gjykatë marrëveshje për pranim fajësie me prokurorinë.

Kërkesën për negociim të kësaj marrëveshjeje Ramadani e përmendi pasi të mbrojturit të tij iu lexua aktakuza.

“Seancën e kemi orientu në mbrojtjen në drejtimin mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë. Kërkuam shtyrje të seancës pasi që është në favor të mbrojtjes dhe të ligjit që i akuzuari të negociojë një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, e cila do të negociohet në Prokurorinë e Shtetit,” tha avokati Ramadani.

Prokurori Genc Nixha u pajtua që të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij t’ u jepet mundësia që të lidhet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë.

Nexhmedin Bellanica në këtë proces gjyqësor ngarkohet për përvetësim në detyrë.

Bellanica akuzohet se si përfaqësues tregtar i NTP “Frutti” që gjendet në fshatin Reqan të Prizrenit pas shitjes dhe shpërndarjes së lëngjeve ka marrë për vete shumën prej 15 mijë e 155 euro, të cilat të holla nuk i ka deponuar në llogarinë e të dëmtuarës “Frutti”, ku ishte i obliguar t’ i dorëzonte.

Sipas aktakuzës, Bellanica këtë përvetësim e ka kryer në vazhdimësi prej vitit 2012 e deri në maj të vitit 2014.

Seanca e ardhshme e këtij gjykimi ku do të jetë e pranishme edhe pala e dëmtuar, u caktua më 24 tetor. /Kallxo.com

UÇK është organizuar dhe ka luftuar vetëm forcat e pushtuesit

0

Nga Jakup Krasniqi

Përpjekjet për të minimizuar, mohuar dhe zhvlerësuar Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës kanë qenë të kahershme, mbase ato kanë filluar menjëherë pas luftës në qershorin 1999. Edhe përpjekja, fatbardhësisht e dështuar, për t’i dënuar pjesëtarët e UÇK-së për krime lufte, bile edhe për të cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale” kanë qenë të shfaqura në dy raste edhe në Tribunalin e Hagës. Përpjekje këto që nuk kanë pushuar as sot e kësaj dite, brenda e jashtë atdheut. Për të argumentuar një pjesë të kësaj që e thash, para lexuesit të rrjeteve sociale po e sjelli një pyetje të Prokurorit dhe përgjigjen time, si dëshmitar në Gjykatën e Hagës. Nuk kam asnjë dyshim që këto përpjekje gjithsesi qëllim këqija tanimë nuk drejtohen vetëm kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, por kundër të sotshmes e të ardhmes sonë e të vendit tonë.

Prokurori:
A mund të shikoni në këtë artikull ka disa deklarata që janë bërë për z. Rugova. Kemi dëgjuar edhe në dokumente tjera për deklarata të tilla. “Një gjë duhet të bëhet e qartë po i themi president edhe pse nuk e meriton ta këtë këtë emër në shumë drejtime…”, besoj se e keni fjalën këtu për presidentin Rugova?Pastaj, në kolonën tjetër, në fund përsëri, është përgjigja juaj e fundit, thoni që “ne konsiderojmë se Ibrahim Rugova ka bërë një sërë gabimesh politike në dëm të çështjes kombëtare, duke filluar nga marrëveshja e arsimit nga e cila nuk ka dalë asgjë”. Mbas kësaj thuhet: “ai është faktori kryesor ndarës”, pastaj vazhdojmë në faqen tjetër në shqip, në fund të kolonës së parë, “Rugova është pacifist”, dhe “thuhet se ai beson në Gandizëm. Ai nuk është pacifist, por ai pranon të shkelet. Ai ka humbur identitetin e vet si individ. Ai është një person që nuk ja kthen këtij populli dinjitetin njerëzor, nuk ja kthen individëve, familjeve dhe kombit tonë. Kjo është e vërtetë për gjysmën e kombit tonë. Filozofia e UÇK-së është që të ja kthej njerëzve dinjitetin e tyre njerëzor, familjar dhe kombëtar.” Së fundi, pjesa tjetër është në kolonën e katërt ku thuhet: “UÇK-ja e respektonte atë idenë që politika paqësore e Rugovës, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të sillte rezultatet e veta. Ne kemi pritur për këtë 17 vjet. Gjatë kësaj kohe populli shqiptar ka kryer një rezistencë pasive, por asgjë nuk ndodhi. Njerëzit tani kanë marrë në dorë armët për të luftuar.” Ne kemi dëgjuar mjaft dëshmi që i keni dhënë ju për zotin Rugova. Pyetja ime e vetme është kjo: Këto deklarata, këto fjali që sapo i lexova, a e pasqyrojnë saktë pikëpamjen tuaj për politikat e zotit Rugova në atë kohë?

Krasniqi:
Të nderuar gjyqtarë, i nderuari kryetar,
Të gjitha këto që u lexuan (u than) këtu po përpiqet t’iu jepet një pasqyrë joreale e gjendjes që ka ekzistuar aso kohe në Kosovë. Është një e vërtetë e madhe se Ibrahim Rugova edhe atëherë edhe sot ka qenë kundërshtar politik i yni. Që atëherë edhe sot unë nuk jam pajtuar e as nuk pajtohem kurrë më atë politikë të nënshtrimit ndaj Beogradit që e ka pasur aso kohë ai, por dua ta sqaroj këtë gjykatë se UÇK-ja nuk është formuar për ta luftuar politikën e Rugovës. Ne edhe tani jemi kundërshtarë politikë, jemi në një kuvend që përbëhet nga pozita dhe opozita dhe nuk e kemi ndërmend që më armë ta largojmë Rugovën nga politika. UÇK-ja e ka bërë luftën kundër politikës tradicionale të pushtuesit të Beogradit në Kosovë. Ne, as serbët e Kosovës nuk i kemi parë si pengesë, por pengesë për Kosovën, pengesë për UÇK-në dhe gjithë qytetarët e saj ka qenë ushtria, policia dhe i gjithë aparati i dhunshëm i Beogradit i vendosur në Kosovë. Me këtë dua të them se, UÇK-ja në asnjë kohë nuk është armatosur për t’ia marrë pushtetin fiktiv Ibrahim Rugovës, se pushtet tjetër në Kosovë nuk ka pasur. Prandaj, tendenca për ta zbritur karakterin e luftës çlirimtare në luftë mes shqiptarëve në Kosovë, është e padrejtë, dhe kësaj tendence unë, dhe mendoj çdo qytetarë i Kosovës, nuk ka si ta pranoj dhe nuk ka si të mos protestoj ndaj kësaj tendence. E them më bindje se prokurori edhe në seancën e kaluar e ka ngritur shumë çështjen e bashkëpunëtorëve të armikut. Ne nuk kemi luftuar as kundër asaj kategorie, ani pse në Kosovë, për rrethanat që dihen, shumë njerëz kanë punuar në gjyqet serbe, kanë punuar në prokurorinë serbe, kanë punuar në administratën serbe. Kanë punuar edhe deri në qershorin e vitit ’99. Ne nuk jemi marrë me ata qytetarë. Se ata qytetarë, shumica prej tyre, ka shumë prokurorë e gjykatës që dy herë me kanë dënuar mua dhe kanë ngritur aktakuzë edhe kundër meje, që edhe sot janë në prokurorinë dhe gjyqësinë e Kosovës. Por, ata janë qytetarë të Kosovës që punojnë edhe në rrethana të reja për Kosovën Ne, me këtë kategori njerëzish që kanë qenë në shërbim të asaj politike, nuk merremi se ata janë shumë. Ne nuk jemi marrë as gjatë luftës me atë kategori. Ne në Kosovë, gjatë gjithë luftës çlirimtare, kemi luftuar aparatin e dhunshëm të regjimit të Millosheviqit dhe të gjithë ata që kanë qenë në shërbim të atij regjimi, do te thotë në shërbimin e dhunshëm të tij, policinë sekrete serbe, që ju kanë bërë dëm qytetarëve. Çdo qytetarë i Kosovës e di dëmin që ata i kanë bërë Kosovës e qytetarëve të saj.

Gjeniu i lashtësisë

0

1. Shpikës i superarmëve

Ndërkohë që jetonte në Sirakuzë, ai projektoi shumë armë për të mbrojtur qytetin nga ata që e sulmonin, duke përfshirë edhe një “rreze të vdekjes” që ishte menduar të përqëndronte rrezet e Diellit tek anijet e armikut, duke u vënë flakën. Ai zhvilloi gjithashtu katapulta të efektshme si dhe një “kthetër gjigande” që hidhej tek anijet e armikut dhe i detyronte të anoheshin e të fundoseshin.

2. Mjeshtër i levave

Arkimedi vuri në zbatim kuptimin e tij mbi gjeometrinë dhe fizikën, për të zhvilluar sisteme shumë të fuqishëm levash. Duke llogaritur gjatësinë, forcën dhe pozicionin e levës, si dhe pozicionin e pikëmbështetjes në krahasim me objektin që ngrihej, ai revolucionarizoi metodat e ndërtimit. Arkimedi kishte kaq shumë besim në potencialin e levave të tij, saqë ai shpesh thoshte: “Më jepni një vend ku të mbështetem, dhe unë do të lëviz Tokën”.

3. Përcaktoi numrin Pi

Një matematicien brilant, Arkimedi është personi që formoi matjen e saktë më të hershme të një rrethi, duke përdorur numrin joracional Pi (afërsisht 3.14). E njohur gjithashtu si Konstantja e Arkimedit, ky numër u prezantua nga matematicieni në librin e tij Matja e një Rrethi. Ndonëse që atëherë është përshkruar edhe me më shumë saktësi, numri i Arkimedit përdoret ende sot.

4. Zbuloi Hidrostatikën

Kur bënte banjë një ditë, ai zbuloi se uji i zhvendosur ishte në përpjestim me vëllimin e trupit që zhytej në të – ai ngjitej lartë në anë, ndërkohë që vetë Arkimedi zhtej brenda. Sipas legjendës, ai mbeti kaq i shastisur nga ky zbulim, saqë rendi lakuriq në rrugë duke thirrur frazën tashmë të famshme: “Eureka!”

5. Vidha e tij ndryshoi përgjithmonë botën

Ndonëse duket relativisht e thjeshtë për syrin modern, vidha e Arkimedit ishte revolucionare në kohën e tij dhe demonstroi se si uji mund të ngjitej lart në kanale apo rryma artificiale për ujitje të tokave bujqësore. Kjo shpikje do të influenconte më pas Leonardo Da Vincin në përpjekjet e tij për të zhvilluar një makinë fluturuese funksionale. /bota.al

KDI inicion ndryshimin e Rregullores për transparencë në Komunën e Prizrenit

0

Komuna e Prizrenit, që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ 05/2015, nuk ka adaptuar rregulloren komunale për transparencë me këtë udhëzimin. Me iniciativën e KDI-së, sot është mbajtur punëtori që kishte për qëllim adaptimin e Rregullores komunale për transparencë me Udhëzimin e ri Administrative 01/2015 për transparencë në komuna.

Në kuadër të këtij takimi pjesëmarrësit dhanë sugjerimet e tyre për plotësim të mëtejme të draft Rregullores, ku KDI në partneritet me organizatat do ta përpunojë draftin fillestar për të proceduar në faza tjera deri tek miratimit të saj në Kuvendin e Komunës. /PrizrenPress.com/

Policia e Suharekës bastis një shtëpi, konfiskon një kallashnikov

0

Policia e Suharekës, sot në orën 06.30 ka kryer një bastisje në një shtëpi në fshatin Krushicë e Epërme e Suharekës në kërkim të armëve ilegale.

Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kallashnikov me pesë fishekë, shkruan PrizrenPress. Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme.

Rasti do të trajtohet sipas procedurës së rregullt. /PrizrenPress.com/

Këta janë emrat e studentëve të pranuar në konvikte (Dokument)

0

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar rezultatet për pranimin e studentëve në konvikte për vitin akademik 2016-2017.

Siç bëhet e ditur nga kjo qendër në konkursin i cili ka zgjatur dhjetë ditë kanë aplikuar 7157 studentë.

“Kapaciteti për banim në konvikte është rreth 3600, kurse kapaciteti për shujta në mensë është 5000”, është bërë e ditur nga Qendra e Studentëve.

Në Ditën e Rinisë, jepen mesazhe të shumta në Malishevë

0

Në kuadër të shënimit të muajit të rinisë në Kosovë, Dita e Rinisë, po shënohet sot në Malishevë.

Në hapjen zyrtare të kësaj dite, u dhanë mesazhe për të rinjtë malishevas. Në këtë hapje zyrtare, krahas të rinjve dhe organizatave rinore, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, të cilët përveç përshëndetjeve, dhanë mesazhe të shumta, për luftimin e dukurive negative, për orientim në karrierë, për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare.

“Ne po mundohemi që ti mbështesim aktivitetet rinore dhe të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për të rinjtë, në mënyrë që ju të keni mundësi ti tregoni vlerat e vërteta. Krahas ecjes me kohën dhe zhvillimeve tjera, ju duhet ta ruani dhe ta kultivoni edhe traditën dhe kulturën tonë mijëravjeçare. Po ashtu, ju bëj thirrje, që ti luftoni dukuritë negative dhe të ecni me trenin e jetës dhe mos lejoni që ky tren të dal nga binarët. Ju jeni nismëtarët e luftimit të dukurive negative dhe brezat e ardhshëm, do të mburren me juve. Urime Dita e Rinisë dhe shumë suksese në jetë”, ka thënë Begaj.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, tha: “Për të pasur sukses në jetë, ju duhet të orientoheni që tani në karrierë. Gjithashtu, ruajtja e traditës dhe kultivimi i vlerave dhe kulturës, ju garanton suksesin tuaj në jetë. Ne e kemi për detyrë të punojmë për ju, të krijojmë kushte për ju, dhe ju këtë angazhim të shoqërisë për ju, duhet ta tregoni me suksesin tuaj. Ju jeni e ardhmja dhe perspektiva e vendit varet nga ju”, ka thënë Hoti, duke ju drejtuar të rinjve të Komunës së Malishevës.

Më pas, aktivitetet për ritën e sotme filluan me një debat me të rinjtë, pikërisht me këtë temë, për orientim në karrierë dhe arritjen e sukseseve grupore dhe jo vetëm individuale. Më pas aktivitetet do të vazhdojnë sipas agjendës së paraparë, ku parashihen shumë aktivitete, kulturore, argëtuese, sportive dhe të cilat do të përfundojnë me një pasdite muzikore në parkun e qytetit. /PrizrenPress.com/

Distria në finale siguron medalje

0

Xhudistja Distria Krasniqi (52 kg) po shkëlqen në Grand Slam në Zagreb. Ajo është në finalen e madhe. Një gjë dihet, Distria e ka në xhep medaljen e argjendtë për shtetin e Kosovës.

“Medalje për Kosovën siguron Distria e cila është në Finale të Grand Prix Zagreb, kurse Fjolla Kelmendi do luftoj për medalje të bronztë!”, ka thënë Driton Kuka, përzgjedhës i Kosovës.

Edhe FBI po heton: Brad Pitt u zu me të birin

0

Aktori i njohur, Brad Pitt, u zu me të birin, Maddox, gjatë një fluturimi për në Francë.

Duket se kjo ka qenë arsyeja që i ka vendosur kapakun vendimit të Angelina Jolie për t’u divorcuar nga i shoqi.

Më herët ishte raportuar se Pitt po hetohet nga autoritetet për dhunë fizike dhe verbale ndaj fëmijëve.

Një burim tha se aktori dhe djali i tij 15-vjeçar u zunë për arsye që ende nuk dihen.

Por burimi tha se aktori nuk e preku djalin me dorë.

Megjithatë në hetim është përfshirë edhe FBI.

Në një deklaratë për shtyp, FBI thotë se po mbledh fakte pas dyshimeve për një sherr në një avion ku udhëtonte Pitt dhe fëmijët.

Të enjten, një makinë policie u filmua tek banesa e familjes.

Çifti ka gjashtë fëmijë, tre prej tyre të adoptuar.

Divorci i Angelina Jolie me të shoqin ka pushtuar faqet e para të mediave.

Disa kritikë thonë se ky mbulim është i tepruar, në kohën kur në botë ka kaq shumë kriza e konflikte për t’i trajtuar mediatikisht. /Mapo

Bienalja e Londrës, fiton artisti shqiptar

0

Artisti shqiptar Helidon Xhixha ka fituar çmimin e publikut në Bienalen e Dizajnit në Londër, për instalacionin e tij.

“Fitoren ia kushtoj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në mënyrë të veçantë atyre që si unë kanë njohur emigracionin”. Kështu shprehet për Top Channel menjëherë pas fitores në Biennalen e Dizajnit të Londrës, artisti i njohur Helidon Xhixha, më i preferuari i publikut në këtë edicion ku ai u paraqit me veprën “Bliss”, të vendosur në Somerset House Courtyard në qendër të kryeqytetit britanik.

Skulptura e tij monumentale prej çeliku mbart pikërisht idenë e një qyteti të përkryer, ku njerëzit mund të arrijnë një bashkëjetesë të lumtur. Vizionin e tij artisti shqiptar e ka materializuar në këtë vepër që arrin të realizojë ndërveprim mes vizitorëve, të lirë të ulen e të shohin vetveten apo ata që kanë afër, të pasqyruar në çelik.

Në zemër të instalacionit, mes kolonave, ndodhet jo rastësisht edhe një hartë e Europës, Eldorado për mijëra emigrantë. Veprat monumentale të Helidon Xhixhës, i lindur në Durrës dhe i formuar në Akademinë Brera të Milanos, tanimë zënë vend në koleksionet, muzetë dhe sheshet më të rëndësishme në vende të ndryshme të botës, nga Majemi në Zvicër, nga Rusia në Emiratet e Bashkuara.

Në Bienalen e vitit të kaluar në Venecia instalacioni madhështor, një ajsberg çeliku që lundroi në Kanal Grande jo vetëm që mahniti publikun e kritikën, por përcolli edhe një mesazh të fortë mbi mbrojtjen e mjedisit. /TCH