Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ua ka dhënë dritën e gjelbër subjekteve politike që brenda një muaji ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Zyrtarët e koalicionit PDK-AAK-Nisma janë shprehur të bindur se do ta bëjnë qeverinë pa asnjë problem.
Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ka siguruar mandatin e deputetes, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Ramush Haradinaj tashmë i ka nisur negociatat për këtë çështje me individë dhe subjekte politike dhe, sipas saj, shumë shpejt do të formohet qeveria e re.
Kurse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë bërë thirrje të formohet një qeveri e fortë, pasi ajo para vetes do të ketë shumë sfida.
Në praktikën kosovare të funksionimit jashtëzakonisht të dobët të sistemim gjyqësor dhe prokurorial, po ndodh thuajse vazhdimisht që shumica e aktakuzave nga më të rëndat që paraqet Prokuroria Shtetit, të hidhen poshtë nga gjykatat, si aktakuza të pabazuara dhe pa fakte të mjaftueshme. Tek njohësit e kësaj fushe dhe analistët politikë është krijuar bindja se ekziston një skenar i përgatitur, sipas të cilit qëllimisht po bëhen aktakuza të dobëta nga ana e prokurorisë, edhe kur janë faktet dhe argumentet e plota inkriminuese, por ato duke i lënë qëllimisht të pakompletuara, me “vakuume provash”dhe profesionalisht të paqëndrueshme, bëjnë që të dështojnë, në raste jo të pakta edhe për shkak të joprofesionalizmit, apo se “sekserët” po paguajnë për të pandehurit. Në këtë mënyrë në proceset gjyqësore del që aktakuzat të jenë qëllimisht të dobëta për t’u rrëzuar në gjykatat. Shikuar nga kjo praktikë, analistët dhe ekspertët konsiderojnë se Kosova po vazhdon të vuajë shumë për prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë, me etikë dhe profesionalë, të cilët nuk e shesin e nuk e trafikojnë drejtësinë për teke dhe interesa të grupeve të interesit.
Joprofesionalizmi, pengesa kryesore
Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, nuk e përjashton që kjo të ndodhë edhe për shkak të ndërhyrjeve nga jashtë, nga politika, por, sipas tij, në të shumtën e rasteve prokuroria po dështon, për shkak të joprofesionalizimit në ngritjen e aktakuzave. “Kjo mund të ndodhë për shumë arsye, e ndër to edhe për shkak të joprofesionalizmit, pra joefikasitetit, jopërgjegjësisë apo edhe për shkak të çështjeve të tjera”, u shprehu ai. “Realisht për këto gjëra nuk ka nevojë as me folë, sepse s’ka asnjë lëvizje në drejtim të reformimit të drejtë- sisë, pra duhet pritur në ndryshime reformuese për të mundur të analizohet më tutje ky pushtet gjyqësor. Tash për tash nuk ka fare ndonjë zhvillim interesant në këtë drejtim. Ka një kohë të gjatë që po shkruhet e flitet, por gjërat deri më tani problemore nuk po merren seriozisht, madje as vërejtjet serioze të thëna e të dhëna nga ekspertët e as nga bota akademike”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, tani një fije shprese është te ndryshimet eventuale në qeverisje, në të kundërtën mbetet kjo gjendje e tanishme, që është krejt e pashpresë.
Rastet serioze po dështojnë
Analisti politik, Gani Qarri, këtë problem më shumë e sheh tek ndikimi i drejtpërdrejtë i politikës në sistem sesa te mungesa e profesionalizimit në ngritjen e aktakuzave. Duke ndikuar politika, aktakuzat pastaj qëllimisht bëhen të mangëta dhe kështu rrëzohen nga gjykatat. Pra, është skenar i paramenduar dhe krejtësisht i qëllimshëm. Kjo praktikë, sipas tij, në Kosovë po vazhdon që nga paslufta e deri më sot, në shumë raste serioze. “Drejtësia dhe Prokuroria e Kosovës tash e 18 vite pas lufte, nuk kanë mundur të ngritin asnjë akuzë të vetme dhe gjykojnë qoftë edhe një nga rastet e rënda të krimit e korrupsionit, a çfarëdo lloj tjetër paligjësie, për të vendosur së paku një lloj drejtësie minimal të pranueshme dhe krijuar një formë sado të vogël besueshmërie për gjyqësinë në vend”, u shpreh ai.
“Drejtësia e kapur nga mafia dhe miliarderët e oligarkisë kriminale, as për rastet më të paprecedentë, nuk ka guxuar kurrë të japë të paktën një vlerësim të vetëm negativ, qoftë edhe për pasuritë miliardëshe të grumbulluara jashtëligjshëm nga nëntoka, dhe korporatat e inkriminuara. Kapja e shtetit nga strukturat e parapolitikës dhe oligarkia kriminale dëshmohet edhe me sjelljet e paligjshme të shumicës së prokurorëve, gjyqtarëve e deri te disa kuadro të korruptuara të policisë, nga të cilët klani “Pronto” është i lirë të shesë, blejë, huazojë a falë çfarë të dojë”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”
Kadri Veseli do të jetë kandidat i koalicionit PDK-AAK-Nisma për Kryetar të Parlamentit të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën bashkërisht kanë vendosur që Veselin ta propozojnë për këtë post.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, për Televizionin Publik të Kosovës.
“Kandidat për Kryetar të Kuvendit do të jetë sërish Kadri Veseli”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, sipas Kushtetutës, propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet më shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
E kush nuk ishte ai që nuk hapte radion para se të nisej për në punë pa dëgjuar këngët e saj? Për të marrë shkas nga ai zë, e mezipritur orën 5 të mëngjesit në Radio Tirana? Zëri i bylbylit të Shqipërisë së mesme ishte gjithnjë i pari në sfondin e artë të muzikës popullore, duke vazhduar më pas me Nahile Hoxhën, Xhevdet Hafizin, etj.
E kujt ia priste mendja që më 1933, vajza e Babë Rexhë Delisë, heroit të popullit, do të vinte në jetë e mandej do të kurorëzohej si një prej mbretëreshave të këngës popullore? Familja e saj krutane prej brezash do të ruante traditën e muzikës popullore, duke zgjuar kështu dëshirën për të kënduar tek vajza e vogël e shtëpisë.
Fitnetja do të ishte vetëm 15 vjeçe kur do të nderohej me çmim të parë në koncertin e parë që mori pjesë, duke interpretuar disa këngë popullore të Shqipërisë së mesme në vitin 1951. Ishte kjo kohë, në fakt, nga ku krijoi dhe repertorin e saj më këngë si: ‘’Po knon gjeli pika-pika’’, ‘’Kënga e unazës’’, ‘’Qenke veshur me të bardha’’, etj…
Besnike prej më shumë se 45 vitesh e këngës shqipe, duke regjistruar rreth 200 këngë dhe u përfshirë në mijëra shfaqje e koncerte. Në kuadër të ansambleve kombëtare, këndoi në 44 shtete, duke shkelur Moskën si fillim në vitin 1957, e shumë vende të Evropës dhe duke u adhurua më së shumti me këngën “Ç’u dëshirum me të pa”. Gjatë një interviste për këngën popullore shqiptare, kohëve të fundit, ajo është shprehur:
‘’E dua shumë këngën popullore shqiptare të të gjitha trevave dhe të gjithë këngëtarët i dua shumë, e këngëtarët e rinj më dhimbsen. Kur shoh se te ata askush nuk i drejton rreth drejtkëndimit të këngës shqipe, siç u veprua me ne brezin e parë të kësaj muzike. Unë them se ka pak tendeca për “huazime” në veshje e stilizimin e këngëtarëve dhe këngëve. Por do të thoja, këto janë shumë të vogla, që nuk duhet të jenë fare, se nuk është edhe e nevojshme pët të qenë. Edhe ne artistët e njohur nuk lindëm të tillë, por me ndihmën e të tjerëve, me përvojën e pasionin që na karakterizoi, ruajtëm të pastër traditën e muzikës popullore shqiptare, u bëmë të njohur, të dashur dhe të dëgjuar me këngën popullore të të gjitha trevave, ashtu siç ato buronin. Unë mendoj se të gjithë duhet të nisen nga talenti, interpretimi në skenat ku edhe vetë vlerësuesi më i madh, që është populli ynë muzikëdashës dhe i respektueshëm, të mësojnë më mirë si të këndosh dhe se si të kesh suksese.’’
Kjo grua i këndoi dashurisë një jetë të tërë. E, në fakt, folklori popullor shqiptar është tejet i pasur me këngë dhe poezi kushtuar kësaj ndjenje. Fitnete Rexha ta sillte aq pranë, aq bukur, bashkë me zërin e saj dhe fjalën e poetit : “Dashuria si rrufe ç’më goditi mu në kokë, nuk kom gjuhë që t’ju rrëfej, oh ç’më ka gjet mu mer shokë”, “Rreth e qark lule të kuqe karajfilat oh në saksi, s’të ka kush moj buzë bërbuqe sikur unë s’të don njeri’” apo “Mun aty more natën e, ku celin zymbylat vetë, aman aman aman e, ku celin zymbylat vetë, bojshin hije bojshin hije mor për dy vetë” këngë kjo ndër më të bukurat e saj.
Profesor Zadeja ka thënë se sa herë të degjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha. Ndërsa Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, Tish Daija, është shprehur për BBC-në se Fitnete Rexha ishte reformatore e muzikës së Shqipërisë së Mesme:
“Vlerësimi im për Fitnete Rexhën si këngëtare e këngës së Shqipërisë të Mesme është maksimal. Ajo është shembulli i përkryer se si mund të dashurohet kënga popullore.”
Sipas tij, ajo pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale.
Por jeta e saj u rrokullis mbi vështirësi të shumta. Nuk ishte aq e lehtë. Fitnetja do të jetonte me shumë pak. Vetëm 6000 lekë të vjetra rrogë, duke mbajtur gjallë frymën e një familje të tërë dhe duke mos bërë kurrë kompromis me Artin. Duke sakrifikuar kështu, ajo ushqehej prej këngës, gëzimi i së cilës preku çdo cep të Shqipërisë për të falur gjithë dashurinë nëpërmjet zërit unik nga katundet e varfra tek podiumet e akullta nëpër qyteza minatorësh, e deri në reparte të tëra ushtarakësh. Veshur gjithnjë me fustan basme, prej të cilit këpucët e rrjepura i vjetëroheshin çdo vit këmbëve. Por liria e saj në të jetuar i kalonte kufijtë e kohës. Ishte një grua ndryshe! Një grua që u ngulit në kujtesën e popullit përtej dritës së tingullit.
Demokracia do e gjente të lodhur dhe shëndeti i saj do t’i përkeqësohej. Ajo ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare. Ishte 14 gusht 2003 kur kënga e bylbylit do të ndërpritej tokës, për të kënduar qiejve.
Fitnete Rexha kujtohet me mjaft nostalgji, duke bërë që këngët e saj të mbeten thesare në muzikën popullore shqiptare. Artistë të këtyre niveleve duhen kujtuar e respektuar, ndaj përgjegjësia kryesore bie mbi instancat përkatëse. Nismë kjo që duhet zgjuar!
Nesër më 10 korrik, grupi legjendar ‘Blla Blla Blla’, promovojnë albumin më të ri ‘Brum për Medioferr’, shkruan KultPlus.
Albumi është i shtypur në vinly, ndërsa nesër me fillim nga ora 20:00 në Dit’ e Nat’, do të bëhet promovimi dhe dëgjimi i albumit bashkë me grupi ‘Blla Blla Blla’.
Një person është arrestuar në Rahovec, pasi që derisa ishte duke drejtuar kamionin, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një mashkull i cili ishte duke drejtuar motoçikletën, dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të rënda.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur të shtunën në fshatin Bellacërk, shkruan PrizrenPress.
“Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe sipas mjekut kujdestar gjendja e tij është e rëndë”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar. /PrizrenPress.com/
Një person i gjinisë mashkullore është arrestuar në Rahovec, pasi që i njëjti në gjendje të dehur, pas një zënke ka sulmuar fizikisht dy vëllezërit e tij.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Dejnë, ku prej të cilëve njëri ka pësuar lëndime të lehta, shkruan PrizrenPress.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti në gjendje të dehur, pas një zënke ka sulmuar fizikisht dy vëllezërit e tij, prej të cilëve njëri ka pësuar lëndime të lehta”, njofton Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/
Një person është arrestuar në Prizren, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës.
Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur në sheshin “Shatërvan”, shkruan PrizrenPress.
“Është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë pasi që i njëjti, nuk ka respektuar urdhrat dhe ka sulmuar fizikisht zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës”, njofton Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/
Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e kishte përfshirë Shpejtim Bulliqin në listën për kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit, ai nuk ndihet i zhgënjyer nga partia të cilën dikur përfaqësonte në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, Bulliqi ka thënë për Ekonomia Online se është zhgënjyer nga individët të cilët udhëheqin LDK-në, që sipas tij, kanë menaxhuar keq me këtë subjekt politik.
“Jo nuk jam zhgënjyer asnjëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, jam zhgënjyer nga individët të cilët udhëheqin Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilët mendoj se e kanë bërë punën keq dhe kanë menaxhuar keq me partinë, dhe si pasojë e këtij menaxhimi të keq me partinë që kanë bërë këta individë, sigurisht që kanë prodhuar një rezultat të cilin faktikisht ne e kemi sot, subjektin e tretë politik në nivel vendi”, ka thënë Bulliqi.
Kurse për angazhimin e tij brenda kësaj partie dhe mundësinë për t’u zhvilluar në ndonjë parti tjetër ai ka thënë se krejt kjo varet nga hapësira që i jepet për të vepruar.
“Unë faktikisht e ceka dhe më herët puna dhe angazhimi im është brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në fazën dhe momentin kur krijohet hapësirë për të punuar dhe për të vepruar. Në rast se do të mbyllen të gjitha rrugët atëherë duhet me analizuar çështjen e punës dhe angazhimit tim më tutje”, ka thënë ai.
Lidhja Demokratike e cila në zgjedhjet nacionale doli si partia e tretë, e që për këtë gjendje Bulliqi tha se fajtori është kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
“Ne e dimë kush janë udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke filluar nga kryetari, nënkryetarët dhe kryesia e Lidhjes Demokratike komplet”, ka thënë Bulliqi.
Në kuadër të bashkëpunimit me Art House, i mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës e Code Partners, formati i ‘Lo Schermo dell’Arte’ apo ‘Ekrani i artit’, ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri.
Ky festival përzgjodhi qytetin e Shkodrës për të sjell një përzgjedhje filmash, dokumentarësh, videosh që janë shfaqur ndër vite në këtë festival. Lo Schermo dell`Arte, i cili është një festival ndërkombëtar i filmit, i organizuar që nga 2008 në Firence, ka startuar me shfaqjen e dy filmave, “Takimi me Olafur Eliasson” i brazilianit Marco de Fiol dhe “Damien Hierst: Mendimet, puna, jeta” e britanikut Chris King.
Drejtuesi i Art House Adrian Paci e quan një moment të shënuar për qytetin ardhjen e filmave të këtij festivali ndërkombëtar në Shkodër.
“Është një festival shumë special që zhvillohet në Firence, sepse është një festival ku sillen filma për artin dhe filma që prodhojnë artistët”, thotë ai.
Drejtorja e festivalit, Silvia Lucchesi, e cilëson nder të dyfishtë praninë në Shkodër.
“Është një nder i dyfishte qe jemi sivjet këtu, pasi po këtë vit Schermo dell’arte feston 10 vjetorin e tij. Adriani erdhi në Firenze në 2014 për të prezantuar filmin qe kishte përgatitur, ishte një kënaqësi e madhe sepse nga ky moment jemi njohur dhe u bëmë miq. Tani për ne është kënaqësi që jemi 3 netët e festivalit në prezantimin e filmave, në qytetin e lindjes së Adrianit. Falënderojmë Institutin Italian të kulturës për mbështetjen. Përmes filmave do të mësoni disa të vërteta rreth tyre, apo protagonisteve qe i kane realizuar, por pse jo edhe do të zbaviteni”, u shpreh ajo.
Melisa Paci, koordinatore e Art House, është shprehur se ky festival ka për qëllim që këto 3 ditë të jenë festë për qytetin.
Ky festival do të jetë për 3 ditë me radhë në qytetin e Shkodrës. Projekti kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, ku në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione video, takime me artistë e kuratorë. Që nga viti 2012, projekti organizohet në të njëjtën kohë me Festivalin e Filmit. /KultPlus.com