Home Blog Page 5881

Kryeziu godet LDK’në: Kur partia që krenohet se është anëtare e PPE të ngrehë zhag

0

Njëri prej ish-udhëheqësve të LDK’së, Eqrem Kryeziu ka shkruar se në Kosovë ndodhin çudira prej më të ndryshmeve, duke përmendur një fakt që përmendet shumë prej zyrtarëve aktualë të LDK’së. Ka thënë se partia e themeluar nga Ibrahim Rugova vazhdimisht thotë se është anëtare e Partive Popullore të Europës por në të njëjtën kohë i ngreh zhag anëtarët e saj.

Shembull e ka marrë Kuvendin e fundit të LDK’së ku Donika Gërvalla nuk u lejua të merrte pjesë në Kuvend ndërsa Vjosa Osmanit iu pamundësuar gara për Kryetare të LDK’së.

“Ajo që u pa prej mbarë opinionit ishte zvarritja e Donika Gërvallës për ta penguar të marrë pjesë në një kuvend të një partie që mburret se është anëtare e PPE. Anëtare e PPE, por që shmang me metoda zhdanoviane kundërkandidatin. Ato që nuk shihen janë tepër shumë”, ka shkruar Kryeziu, duke dhënë shpjegime se pse ndodhin këto gjëra sot në Kosovë, shkruan Express.

“Tranzicioni është një nocion sa i pështirë, aq edhe i pakapshëm. Ndofta është fat që qytetarët në këtë fazë nuk janë të vetëdijshëm për të. Duhet të kalojnë vite që të hulumtohen të gjitha absurdet e tij. Mirëpo kur perëndon fenomeni, nuk jam i sigurt ç’përfitim mund të kemi nga portretizimi i tij. Në qoftë se do ta karakterizonim botën e sotme moderne me një element të vetëm, por karakteristik, do të pohonim se ka vullnet të madh të mbrohet viktima. Mirëpo ç’ndodh me vendet në tranzicion, siç është Kosova? Këtu tolerohen, madje votohen për të qeverisur njerëz që shkaktojnë viktima, jo që i mbrojnë ato”, ka shkrua ai.

“Të mos gënjehemi se të tjerët e kanë fajin”, ka shtuar ai.

Eqrem Kryeziu për një kohë ishte kryetar i Prizrenit derisa pastaj kishte marrë pozitën e Nënkryetarit të Parë në LDK, në kohën kur këtë parti e udhëhiqte Fatmir Sejdiu.

Tash, Kryeziu ka vendosur të pushojë aktivitetin në LDK dhe merret vetëm me profesionin e profesorit.

Pikë uji

0

Enver Sulaj

S’jam piktor për t’i vënë fytyrës sate
Ngjyrat e engjëllit

Ylberin mbi mal s’e arrin kush
Edhe po të fluturojë me krahët e Dedalusit

S’ka kush i trazon më fluturat
Nën hijen e petaleve të luleve
Që këtë verë u thanë
Për një pikë ujë

Korrik, 2016

(Nga Libri “Zjarrmia e stinës”, 2016

Konsulli akuzon një “person me mjekër” për incidentin në Dragash

0

Konsulli i Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj ka thënë se një “person me mjekërr” i ardhur nga Austria, ka nisur përleshjen e ndodhur dje në Vranishtë të Dragashit.

Një protestë e organitzuar dje në Vranishtë për kundërshtimin e ndërtimit të një hidrocentrali në këtë fshat, eskaloi në dhunë. Protestuesit kundërshtonin ndërtimin e këtij hidrocentrali, me pretendimet se toka ku po ndërtohet hidrocentrali është e uzurpuar.

E pikërisht në ditën e protestës, është parë me një mjet të rëndë në duar Konsulli i Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj, i cili besohet të jetë edhe aksionar në kompaninë që po e ndërton mini-hidrocentralin përgjatë lumit Brod, në Vranishtë.

Rifaj ka thënë për Insajderin se nuk ka qenë i përfshirë në protestë, por se rastësisht e mbante në duar një mjet të rëndë. Konsulli ka thënë se personi që shkaktoi incidentin është një person me mjekërr.

“Ai ka mbajtur fjalim për protestuesit dhe ka thirrur Allahu Ekberr. Ai ka sulmuar policinë dhe pastaj është larguar”, ka thënë Konsulli i Kosovës në Bullgari.

“Njëfarë Vojvoda, i cili ka ardhur prej Austrisë… është me mjekër”, ka thënë Rifaj.

E Policia e Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se njëri prej protestuesve është në kërkim nga Policia, por duke mos dhënë detaje të tjera. /Insajderi.com

Sot mbahet Kampionati i Kosovës në automobilizëm në Zym

0

Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në këtë fundjavë me garën që do të zhvillohet sot në Zym.

Bëhet fjalë për garën e dytë në disiplinën malore, pas asaj që është zhvilluar në Prevallë.

“Nuk ka dyshim se numri i pjesëmarrësve edhe kësaj radhe do të jetë i madh, pasi disiplina malore është më atraktive për garuesit. E njëjta pritet të ndodhë edhe me numrin e dashamirëve të automobilizmit”, thuhet në njoftimin e Federatës së Auto Sportit, transmeton Koha.net.

Federata e Auto Sportit e Kosovës thotë se në bashkëpunim me institucionet tjera relevante (Policinë e Kosovës, Ndihmën e Shpejtë dhe Brigadën e Zjarrfikësve) i ka ndërmarrë të gjitha masat që gara të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Paraqitja e pjesëmarrësve në garë bëhet të shtunën me fillim orën 8:30.

Më vonë, pas procedurave të zakonshme, do të zhvillohen dy vozitjet provuese, ndërsa aktiviteti për të shtunën përfundon rreth orës 16:00.

Të dielën, duke filluar në orën 10:00 bëhet renditja e garuesve, starti i vozitjes së parë është në orën 12:00, ndërsa gara pritet të mbyllet në orën 16:00 me ceremoninë e shpalljes së fituesve.

Cilat profile po kërkon tregu i punës në Kosovë?

0

Fakulteti i Edukimit, pasuar nga Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe Fakulteti i Mjekësisë, vazhdojnë të jenë profilet më të preferuarat për të rinjtë në Kosovë.
Megjithatë, kjo përzgjedhje e këtyre profileve nga ekspertët të çështjeve të arsimit dhe përfaqësues të bizneseve po kërkohet të ndryshohet dhe përzgjedhja të bëhet në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Sipas tyre, tregu i punës kërkon edhe këto profesione, por që janë të tjerat ato që kërkohen më shumë dhe më lehtë mund të vihet deri te gjetja e një vendi pune.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë do të duhej të orientohen në lëmi, për të cilat tregu i punës në Kosovë ka nevojë më shumë.

“Nxënësit, studentët që konkurrojnë në universitete kanë arritur në regjistrim pa një orientim profesional, pa një përgatitje të duhur për të konkurruar edhe me logjikën e tregut vendor, por edhe ndërkombëtar”.

“Këtu në Kosovë mungojnë politikat e zhvillimit të sistemit të arsimit dhe pranimit të studentëve, me këto politika nuk favorizohen ato vende pune, ato profile arsimore që i kërkon tregu, por bëhen në bazë të interesimit të nxënësve, të cilat kryesisht janë në shkencat humane ku edhe procesi i tyre është më i lehtë”, thekson Hyseni.

Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.
Numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës nga viti në vit ka shënuar rritje, aktualisht në këtë universitet studiojnë më shumë se 45 mijë studentë.

Ndërkohë, numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike në Kosovë për vitin akademik 2017/2018 është 15.255 studentë.

Berat Rukiqi, ekonomist në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo çka ofrohet brenda universiteteve publike dhe private, duhet të jetë e reformuar, pasi që programet aktuale nuk mundësojë që të rinjtë të pajisen me aftësitë që adresojnë nevojat e punës.

“Një proces i reformimit substancial i sistemit arsimor që mundëson një arsimim të orientuar nga nevojat e tregut të punës, duhet të ndodhë sa më shpejt, aq më mirë”.

“Ajo që po shohim tani është vazhdim i trendit të kaluar. Një numër i madh i atyre që përfundojnë shkollën e mesme domosdo shkojnë në fakultete publike dhe private, duke mos analizuar të ardhmen dhe duke mos pasur mundësinë që të kenë një vlerësim apo alternativë që në një të ardhme të afërt të sigurojnë edhe një vend pune”, thotë Rukiqi.

Ai shton se universitetet në Kosovë kanë programe që në masë të madhe janë të vjetra me dekada, derisa për një dekadë ekonomia si në vendet e tjera të botës, edhe në Kosovë ka shënuar ndryshime.

Në Kosovë, sipas përfaqësuesve të bizneseve, pritet që në të ardhmen e afërt të krijohen vende pune në sektorin e industrisë së përpunimit të ushqimit, minierave dhe minerareve, energjetikës dhe se orientimi i të rinjve do të duhej të bëhet në këto profile.

“Kemi një lëvizje drejt aftësive që janë më pak të lidhura më shkencat sociale drejt atyre që janë me vet zbatimin e pjesëve të ndryshme që lidhen me prodhim, aftësi inxhinerike, më shumë kërkojnë duar të vyeshme dhe njerëz që janë në gjendje të përcjellin teknologjitë e reja dhe zbatimin e teknologjive të reja”, shton Rukiqi.

Papunësia, ndërkaq, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia është 28.7 për qind.

Skënderbeu në gur

0

Ditëve dhe javëve të fundit, Ura e Fshejtë afër Gjakovës dhe kanioni i lumit Drini i Bardhë, u bënë kryelajm i ditës për shkak të tragjedisë që përjetoi “dallëndyshja e Gjakovës”, kampioni i 8- fishtë mbarëkombëtar i kërcimeve në ujë, Sali Riza Gërqina, i cili aty humbi jetën. Mirëpo, kjo urë dhe ky kanion kanë edhe shumë legjenda interesante. Duke filluar nga legjenda për ndërtimin e kësaj ure, sipas të cilës, për të lëshuar ajo shtat është dashur të sakrifikohet një nuse e re e deri te ajo se Drini, në këtë vend, çdo verë e merr së paku një jetë njeriu! Por është edhe një legjendë tjetër për të cilën, deri më tash, pak është shkruar dhe është folur dhe në opinion nuk është aq shumë e njohur.

Image

 

Gjakovarët e kishin Skënderbeun e tyre para një gjysmë shekulli

Në fakt, secili që ka pasur rast të vizitoi Tiranën, para dy, tri apo edhe më shumë dekada, ka dëgjuar refrenin e të rinjve të atëhershëm – “Takohemi te Skënderbeu”, “Më pret te Skënderbeu”… Refren të ngjashëm ka mundur të dëgjohet edhe në Vlorë, dhe gjithnjë bëhej fjalë për takim tek busti i heroit tonë kombë- tar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në shekullin e ri, në këtë të 21-tin, këtë refren ke mundësi ta dëgjosh edhe nga prishtinasit apo nga shkupjanët. Por, rrallë kujt i shkon mendja se gjakovarët, këtë refren kanë pasur mundësi ta përdorin edhe para gati 50 vitesh! Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë anekdotë apo barsoletë. Para 20, 30 apo edhe 40 vitesh, të rinjtë gjakovar që ditët e nxehta të verës i kalonin duke u freskuar në Drinin e Bardh te Ura e Fshejtë, shpesh dëgjoheshin duke thënë “Do të notoi deri te Skënderbeu”, “Kërceva nga shkëmbi i Skënderbeut”, “U takova me filanin tek Skënderbeu”…! Për dikë këto shprehje mund të jenë të pakuptueshme, mirëpo për gjakovarët më të moshuar, por edhe ata më të rinj, nuk është ashtu. Të gjithë e kanë të qartë se bëhet fjalë për shkëmbin në kanionin e bukur të këtij lumi (nja 100 metra mbi Urën e Fshejtë) ku është vizatuar portreti i Skënderbeut. Portreti i tij, nga shumë piktor të njohur e të panjohur, është pikturuar në letër e në pëlhurë, figura e tij është gdhendur në gur e në metal por askush nuk e ka bërë atë që gjakovari Mexhid Yvejsi e bëri para gati 50 vitesh, kur portretin e heroit e punoi në shkëmb të kanjonit. Në vitin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kur po afrohej 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe 60- vjetori i Kongresit të Manastirit, në vitin 1968, Mexhidit, asokohe djalosh 18-vjeçar, i kishte lindur kjo ide interesante. “I fascinuar me trimërinë e heroit që e mësonim nga librat, pyetesha veten pse një bust apo një portret i madh i tij nuk është i ekspozuar askund në Gjakovë? Kah nuk më shkonte mendja. I vetëdijshëm se gjatë 3-4 muajve të verës, Drini i Bardhë tek Ura e Fshejtë, është vendtakimi i mijëra të rinjve, por jo vetëm, më lindi ideja se do të ishte mirë që aty diku të vizatohet portreti i heroit tonë kombëtar”, rrëfen sot Mexhid Yvejsi, studiues i religjioneve dhe autor i disa veprave të botuara.

Image

 

Punë që nuk bëhej vetëm

Rruga nga ideja e deri te realizimi nuk ishte aspak e lehtë, jo vetëm për faktin se bëhej fjalë për një shkëmb, qasja tek i cili ishte mjaft e vështirë por edhe më shumë për atë se tërë kjo duhej të kryhej në fshehtësi sa më të madhe, që, deri sa të kryhet, të mos i bie në sy “sigurimcave” të atëhershëm. Mu për këtë arsye, Mexhidi, fillimisht kishte vendosur që çdo gjë ta kryente vetëm. “Në mëngjesin e hershëm të 8 qershorit (1968), me të gdhirë, pasi kisha marrë me vete pak ngjyrë për vizatim, me biçikletë mora rrugë për te Ura e Fshejt, për realizimin e idesë. Puna nuk më shkoi edhe aq mirë, dhe kështu pas dy orë punë, e kuptova se këtë është e pamundur ta kryej një njeri i vetëm, për shkak të terrenit shumë të papërshtatshëm tek shkëmbi”, rrëfen Mexhidi duke shtuar se i ishte bërë e qartë se ka nevojë për ndihmë për të jetësuar këtë ide interesante. Dhe, në mbrëmjen e asaj dite, ai, idenë e vetë ua kishte rrëfyer shokëve dhe miqve të vetë Muslim Dobrunës, Fatmir Rudit dhe Halit Kumnovës, të gjithë nga lagja “Haxhi Ymer”. Ata e mirëpritën këtë ide dhe i premtuan Mexhidit se do ta ndihmojnë. Kështu “katërshja gjakovare”, në shkëmbit e kanionit të bukur të Drinit të Bardh, e bënë “të pavdekshëm” heroin tonë kombëtar. Dhe, që nga atëherë, ai shkëmb e ka emrin e vet – Shkëmbi i Skënderbeut, pasi portreti i tij vazhdon të qëndroi krenar aty, kuptohet pas disa riparimeve të kohë- paskohshme.

Image

Realiteti i një nate vere

0

 

Shkruan:Ditar Kabashi

Kaherë më ka lënë mbresa titulli i ngjashëm i Shekspirit. Ai e ka me “ëndrrën”, por ja qëndokush ka fatin tërrojë në një vend ku ëndrrat shndërrohen në realitet. Shyqyr, pra!

Thuhet se diku ndodhet një qytet i bukur e i vjetër. Epo mirë, godinat e moçme pakkatesh zëvendësohen dita-ditës me aso të mëdha sa duhet ta shtrembërosh qafën për t’i parë majën, por gjithsesi se nuk e ka humbur tërësisht elementin e lashtë. Mbase falë faktit se nëkrye të qeverisjes së atij qyteti është një historian.
I pari i atij shehri përflitet se ka një jetë të rregullt; punë(lexo: vend pune)-shtëpi dhe anasjelltas. Gojët e liga thonë se ai para se tëbëjë një sy gjumë pi një gotë qumësht të freskët, të pasterizuar gjithsesi, pastaj pastron dhëmbët, më tej vesh pizhamet (me jakë, natyrisht) dhe pasi të ketë lexuar ndonjë faqe, bie të fle.

Deri këtu mund të mos ketë ndonjë veçanti nga qytetet tjera. Por ama ka një dallim esencial: mbrëmjeve të verës në këtë vend qytetarët bëjnë kujdestari gjer në agun ndriçues, ani pse i pari i tyre konsiston të jetë në fazën e tretë a të katërt, që njihen ndryshe si faza të gjumit të thellë.

Duke qenë se vjen nga një jetë akademike, prijësi respekton organizimet kulturore. Sa herë që gjatë ditës kalon nëpër qendër dhe shikon kalanë rrëzë shpatit mbushet përplot energji, të stisur nga krenaria e lavdishme e popullit të tij. Por ç’e do se ajo kala mbrëmjeve nuk shihet (përkundër vënies së ca llambave përreth) por dëgjohet. Si është e mundurqë një kala të dëgjohet, xhanëm?

Po, po. Nejse, dikush dëgjon symbyllas trumbetimin o hordhive të armiqve në të kaluarën shumë të largët dhe qëndresën e pashoqe të asaj kalaje për të mos rënë. Ka të ngjarë që edhe udhëheqësi i kësaj hapësire urbane të ndjejë diç të tillë. Ju thashë se është dashamir i historisë. Por ja që ndonjëri tjetër nuk mund t’i mbyllë sytë nga zhurma e vërtetë që vjen që andej.

E ky “ndonjëri” mund të jetë i tërë qyteti. Porse, nëse kreu dëgjon vetëm vringëllimën e shpatave dhe heshtave shekullore e më pas kënaqet së fjeturi, këtë aftësi nuk duket se e ka shumica e banorëve. Prandaj ata ndjehen të shqetësuar. Gojët e liga, që përsëri dalin në skenë, pretendojnë se atje lart, në kalanë e lënë përgjysmë në restaurim, po mbahet një koncert festival disa netësh, me orar pak më progresist se që qe mësuar qytetari i këtij vendi. Kjo edhe mund të jetë arsyeja e asaj që quhet “zhurmë”. S’do mend se gjithsecili s’ka vesh për muzikë artistike. Rrjedhimisht edhe mund të mos ia dinë vlerën këtij organizimi gjenial.

Ç’është e vërteta, as vetë qytetarët nuk janë të sigurt nëse duhet të presin ndonjë veprim nga ai që ia dhanë besimin që t’ua mundësojë qetësinë publike. Para se të dorëzohet kryetari karshi dukurive të tilla, duket se qytetarët janë dorëzuar nga dorëzimi i tij. Mu për këtë ata vazhdojnë të jenë nomadë në shtretërit e tyre, sa andej e këndej.Po, pra, gjer në lindje të diellit.

“Burrat hekurosin” në Prizren

0

Në Prizren u organizua sot performanca publike “Burrat hekurosin”, ku nëpërmjet kësaj performance FEMaktiv synon t’i sfidon rolet tradicionale gjinore.

Ndarja e punëve të shtëpisë në Kosovë nuk bëhet në mënyrë të barabartë në mes të grave dhe burrave.

Përveç kësaj punët e shtëpisë ende vazhdojnë të përceptohen si obligime që i takojnë vetëm grave.

Andaj nëpërmjet kësaj performance publike FEMaktiv synon ti sfidon rolet gjinore duke e dhënë mesazhin që punët e shtëpisë nuk janë obligime që i takojnë vetëm grave.

Punët e shtëpisë janë obligime që duhen të ndahen në mënyrë të barabartë në mes të grave dhe burrave – pa dallim gjinie.

Arritja e barazisë gjinore në jetën private është e domosdoshme për arritjen e barazisë gjinore në jetën politike dhe publike duke i dhënë fund stereotipeve gjinore

Klasa politike po e mban peng Kosovën, vetëm për interesa personale

0

Musa Sabedini

Klasa politike kosovare, asnjëherë nuk është treguar më e vrazhdë dhe më jo serioze sesa tani, në raport me qytetarin e saj. Për pak ditë pothuajse shumica e politikanëve e kanë gënjyer nga dy e tri herë brenda javës popullin e Kosovës. Dhe çka të presim nga kjo garniturë e shtresë e politikanëve kur para vetës e kanë integrimin evropian, liberalizimin e vizave dhe përkushtimin ndaj shtetit e vlerave civilizuese evropiane. Mos vet për ne e për këtë popull, në duar të kujt kemi mbetur.

Nga kureshtja për të parë egon dhe kredibilitetin e politikanëve tanë, përcolla me vëmendje disa deklarata, qoftë të deputetëve fitues e jo fitues, qoftë të kandidatëve për kryeministër, apo të liderëve partiakë. Brenda javës, disa edhe brenda ditësh, i hanë fjalët e tyre dhe janë të njëjtit që gënjejnë hapur dhe pa fije turpi.

Unë e njoh mirë mentalitetin e politikanëve tanë, por qytetari i rëndomtë dhe i sinqertë e ka të vështirë ta perceptojë këtë diapazon jo serioz dhe gjithsesi mashtrues të politikanëve, që përmes rrjeteve sociale përçojnë tek qytetari apo votuesi opinione e deklarata kontradiktore.

“I kemi votat e mjaftueshme”, “Kurrë me PDK”, “Kurrë me PAN”, ose “Kurrë me LVV”. Janë këto disa nga sloganet e përditshme që has kudo nëpër portale e statuse të deputetëve apo kandidatëve për kryeministër.

Dikur, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e akuzonin aq rëndë Isa Mustafën saqë vërtet ndiheshe keq para ekranit, sepse në pyetje ishte etika e deputetit. Pa fije turpi ata shpreheshin: ”Jo që Isa Mustafa është kriminel, por edhe fëmijët i ka kriminelë”. Tani ka ndryshuar gjendja, nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Tani është rritur egoja për pushtet dhe duhet përbirë çdo gjë që është thënë brenda pak muajsh. Isa Mustafën tani po e kërkojnë të gjithë sepse janë në pyetje interesat për pushtet.

Ku është defekti dhe ku qëndron e keqja në këtë shthurje ekstreme të fjalorit dhe të gjuhës së këtyre politikanëve. Nuk duhet harruar se kjo garniturë e deputetëve dhe këta njerëz që do e formojnë qeverinë, do të jenë njerëzit tanë që nesër do të përballen me tema të rënda, me tema kapitale e aso që kalibri i qeveritarit kosovar merr erë menjëherë qysh në tavolinën e bisedimeve.

Si t`i besohet kësaj shtrese që nesër duhet të flasin e mbrojnë qëndrime për Kosovën evropiane, për liberalizimin e vizave, për ekstremizmin e dhunshëm, për problemet kapitale që ka Kosova në raport me Serbinë dhe me fqinjët e saj, për formimin e FAK-ut etj.

Ne, thjeshtë edhe për një kohë të gjatë do të jemi peng të këtyre politikanëve shkurtpamës, do të jemi peng të këtyre politikanëve që vrasin natën e ditën me gjuhën e tyre manipuluese. Do të jemi peng dhe si brez apo gjeneratë e pas luftës për të mos pasur të drejtë të jemi krah për krah me shtetet e tjera të Evropës.

Koha nuk është në favorin e shqiptarëve dhe koha nuk është në luksin tonë për të bërë manovra politike. Kosova nuk ka asnjë arsye të mbetet peng i këtij grushti politikanësh që vendin e shohin si “para” për të fituar e pasuruar brenda natës. Në fakt, kjo garniturë e politikanëve është pasuruar mjaft më dhe ka fituar në kurriz të qytetarit për shumë vite.

E shohim çdo ditë fytyrën e vërtet të liderëve dhe të partiakëve të tjerë. Gjithçka është e mundshme gjatë javëve dhe asnjëherë nuk do të befasohesha sikur qeveria të formohej në mënyrën më të keqe të mundshme, sepse e mira dhe ajo me vlerë, ka vdekur kaherë në Kosovë.

Tani Kosovës i duhet një unitet institucional, Kosovës i duhet një progres real dhe me synime të qarta për ta krijuar FAK-un, për ta përfunduar njëherë e përgjithmonë problemin e demarkacionit dhe për të rrumbullakuar obligimet që lidhen me liberalizmin e vizave.

Mos e mbani peng Kosovën e as fatin e saj ju liderë grindavec. Në zgjedhjet e përgjithshme morët një ndëshkim serioz, e i cili është paralajmërim edhe për zgjedhjet lokale. Hapni sytë e bëhuni argat të Kosovës evropiane, e cila po pret nga ju që t`i kryeni detyrat e shtëpisë, para se të bëhet vonë për të gjithë ne.

Smajl Latifi përmend 6-të arsye që Haradinaj do t’i ndryshoi raportet me Serbinë

0

Anëtari i AAK-së, Smajl Latifi i ka përmendur gjashtë arsye që sipas tij krijimi i qeverisë nga Ramush Haradinaj do të ndryshoi kontekstin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari, pritet të ketë marrëdhënie shumë më të qarta duke e zbatuar parimin e reciprocitetit, ku Kosova nuk do të trajtohet edhe më tej si një kuazi-shtet dhe hambar ku gjithë të tjerët marrin nga pak prej saj.

Së dyti, Kosova nuk ka përse të bisedojë me Serbinë se si ta bëjë organizimin e vet të brendshëm politik dhe territorial.

Së treti, Kosova s’ka përse të bisedojë me Serbinë as për Veriun e as për serbët që jetojnë në Kosovë, sepse ata do të trajtohen në pajtim të plotë me ligjet tona në fuqi

Së katërti, Kosova do ta bëjë ushtrinë e vet dhe për këtë çështje nuk ka përse të pritet derisa të lejojë fqinji ynë, Serbia.

Së pesti, serbët e Kosovës duhet t’ua bëjnë të qartë përfaqësuesve të vet politik se kjo është Republika e Kosovës dhe ne jemi pjesë e saj.

Së gjashti, me Serbinë mund të bisedohet vetëm si të barabartë, si dy shtete të pavarura që e njohin njëri-tjetrin.

Meqë Kosova ka interes të madh për ridefinimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj, Serbinë, në mënyrë që të mundësohet forcimi i pozitës së Kosovës dhe shqiptarëve në rajonin e trazuar, atëherë deputetët e zgjedhur duhet të mendojnë me kokë të ftohtë e ta votojnë Qeverinë Haradinaj, në mënyrë që të jetësohet më lehtë i vetmi kurs politik i qartë e i drejtë ndaj shtetit të Serbisë”, shkruan Latifi në Facebook.