Home Blog Page 5892

Shfaqe fuqie në Hong Kong: Ushtria kineze mban një paradë madhështore

0

Presidenti kinez, Xi Jinping mori pjesë sot, në ditën e dytë të vizitës në Hong Kong, në paradën më të rëndësishme ushtarake të organizuar në ish-koloninë britanike që iu kthye 20 vjet më parë Pekinit.

Ky demostrim force ndodhi disa orë pas lirimit të disa militantëve demokratë që ishin arrestuar të mërkurën pasi kishin shprehur kundërshtimin e tyre për një forcim të kontrollit kinez në qytetin e tyre.

Xi Jinping mbërriti dje në Hong Kong, nën masa të larta sigurie, në kuadër të ceremonisë me rastin e 20-vjetorit të kthimit të qytetit të ndarë, ku një pjesë e popullsisë është e bindur se Pekini nuk e plotëson më parimin “Një vend, dy sisteme”.

I veshur me një kostum të zi ala Mao Ce Dun, presidenti kinez mori pjesë sot në mëngjes në një paradë të madhe ushtarake në një bazë ajrore në veri të Hong Kongut.

Artan Abrashi: Votat e anëtarësisë do ta zgjedhin kandidatin për kryetar të Prizrenit

0

Lëvizja ‘Vetëvendosje’, ende nuk ka marrë vendim për kandidatin e Prizrenit.

Kryetari i VV-së në Prizren, Artan Abarshi, thotë se për kandidatin për kryetar të këtij, qyteti do të vendoset në muajt e ardhshëm.

” Nuk kemi caktuar ende ndonjë kandidat. Në muajt e ardhshëm nisin procedurat e brendshme për të interesuarit dhe kandidati për kryetar komuna zgjidhet me votat e anëtarësisë”, tha Abrashi për “Kosova Sot”.

Njëjtë mendon edhe Drita Millaku

“Meqenëse jemi subjekti që kemi një sukses shumë të madh në zgjedhjet e fundit, ne tani jemi në përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të Prizrenit. Deri më tani nuk kemi vendosur ende në emër konkret. Së shpejti do të dalim me kandidatin, për të cilin do të njoftohen edhe mediet, por edhe opinioni i gjerë. Një gjë jam e bindur se fitorja e LVV-së është e pashmangshme”, tha Millaku për “Kosova Sot”.

Ndërkaq, emrat që janë lakuar si kandidatë potencial nga VV-ja për kryetar të Prizrenit janë: Artan Abrashi, Myhtaher Haskuka dhe Kujtim Shala.

Aksident në Prizren, pesë të lënduar

0

Pesë persona janë lënduar në një aksident trafiku në Prizren.

Katër prej tyre pas tretmanit mjekësor janë liruar, ndërsa njëri prej tyre është dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim të vazhdueshëm mjekësor.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur mes dy veturave civile/PrizrenPress.com/

“NGOMFest” paralajmëron pushtimin e Kalasë së Prizrenit me muzikë

0

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës “Ngom Fest”, për të dytin vit me radhë rikthehet në Kalanë e Prizrenit. Ashtu siç është traditë e këtij festivali, nata e parë do të sjellë muzikë hip-hop. Nata e dytë do të karakterizohet me muzikë rok, ndërsa natën e fundit skenat do të elektrizohen me muzikë elektronike. Për tri ditë me radhë bende të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare janë pjesë e festivalit që do të mbahet prej 6 deri më 9 korrik. Bendet performuese do të ndahen në dy skena ajo që quhet “Main stage” dhe tjetra “Sunrise stage”.

Në një komunikatë për media, stafi i “NGOMFest” ka bërë të ditura detajet e edicionit të sivjetmë.

“E veçanta e natës së parë do të jenë hip-hop artistët kosovarë P.I.N.T ,natën e dytë rock bendi nga Suedia, ‘Eldoradio’, do të përkujdeset të sjellë frymë të re rocku, ndërsa natën e tretë techno DJ nga Gjermania dhe Spanja pritet të elektrizojnë qytetin deri në orët e mëngjesit dhe do ta përmbyllin edicionin e shtatë të festivalit”, shkruhet në komunikatë.

Në natën e parë krahas MC Kreshës e Lyrical Son, në skenë do të ngjiten edhe “Malik & DJ Stancho” dhe Semiautomvtic, NS, Kreshnique e DJ Shotts. Këta do të ngjiten në skenën kryesore, ndërsa në “Sunrise stage” po të njëjtën natë do të jenë Dagg dhe Gjeni.

Mbrëmja e dytë, ajo e rockut në skenën kryesore do të sjellë bendet “505”, “Ave Venus”, “The Laser Rats”, “3:56 am”, “Fullstop” e këngëtarin e njohur kosovar Shpat Deda. Ndërsa në skenën tjetër do të ngjiten bendet si “Lilac”, “Nold”, më pas Fatos Çunaku, bendi “MENdar”, Lubrni, Totoni e Leo Lumezi.

Nata përmbyllëse sjell në skenën kryesore DJ si Toma, Younion / Panda, më pas Milton Bradley a.k.a Alien Rain e Tadeo. Përderisa “Sunrise stage” do të mirëpresë Pumio Space dhe Wiggi.

Zafir Berisha, beson se sivjet, do të zgjedhet kryetar i Prizrenit

0

Kryetarit të Nismës në Prizren, Zafir Berishës, i janë rritur shpresat e fitores, për postin e kryetarit të Prizrenit.

Ai, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se besimi i dhënë për herë të tretë që të përfaqësojë Prizrenin, në Parlamentin e Kosovës, është tregues i fitorës së tij për kryetar të Komunës.

“Në bazë të fakteve, dega e “Nismës” në Prizren ma kanë dhënë mandatin e plotë, kurse duke u bazuar edhe në lëvizjet e fundit politike, besoj se tashmë unë do të jem kandidat që do ta sfidoj këtë post për të parin e komunës”, tha Berisha për “Kosova Sot”.

Driton Selmanaj, kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit ?

0

Deputeti i sapozgjedhur, Driton Selmanaj, mund të jetë kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit.

Emri i tij, ka filluar të lakohet pas votave që ka marrë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Burimet e gazetës “Kosova Sot”, bëjnë të ditur se Selmanaj ka filluar të shihet si kandidati i vetëm që mund të rikthejë në pushtet LDK-në në Prizren.

Kryetar i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli ka thënë ndërkaq se pas diskutimeve të hapura për të parin e Prizrenit është vendosur që të kandidohet dr. Hatim Baxhaku.

“Dega e LDK-së me strukturat e saj ka hapur diskutimet e brendshme, ka bërë matjet e nevojshme të opinionit dhe ka ardhur në përfundim që kandidati i preferuar i degës tonë për kryetar komune të jetë dr. Hatim Baxhaku. Ishte deputet në dy mandate, i dëshmuar si profesionist dhe si njeri, andaj mendojmë që me dr. Hatimin Prizreni do të fitohet pa mëdyshje nga LDK-ja”, thotë Avdyli. /PrizrenPress.com/

Ja kush vendosë për kandidatin e PDK-së për kryetar të Prizrenit

0

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren ende nuk është përcaktuar për emrin e kandidatit për kryetar të këtij qyteti.

Zyrtari i këtij subjekti politik në Prizren, Kujtim Gashi tha se kandidati do të përcaktohet nga strukturat e partisë dhe kryetarin Kadri Veseli.

“Në konsulta me strukturat e degës dhe në konsultim me kryetarin Veseli dhe nivelin qendror do të caktojmë kandidatin për kryetar dhe 45 kandidatët për Kuvendin e Komunës, në kohën e duhur”, thotë Kujtim Gashi për Kosova Sot.

Ndërkaq, dy emra janë lakuar brenda PDK-së si kandidatë potencial për kryetar të Prizrenit.

Emrat më të përfolur janë ai i Kryesuesit të Kuvendit, Kujtim Gashi dhe deputetit, Nezir Çoçaj.

Deputetët e përkohshëm

0

Ndonëse kanë marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në Kuvendin e Kosovës disa prej deputetëve të legjislaturës së re pritet të heqin dorë nga posti i deputetit.

Shumë prej tyre do të kandidojnë e do të rikandidojnë në zgjedhjet e 22 tetorit 2017 nëpër komuna, shkruan “Zeri”.

Shpend Ahmeti, Daut Haradinaj, Zafir Berisha e Labinot Tahiri janë vetëm katër prej deputetëve të zgjedhur, të cilët pritet të angazhohen në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Pos këtyre treve, të cilët tashmë kanë zyrtarizuar kandidimin e tyre, pritet që edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve të tjerë ta sfidojnë veten në zgjedhjet lokale.

Emra të përfolur deri më tash janë: Agim Aliu, Zenun Pajaziti, Lumir Abdixhiku, Aida Dërguti e shumë figura të tjera të legjislaturës së ardhshme, të cilët ende nuk kanë zyrtarizuar asgjë në këtë drejtim

Prizren: Ish-gjyqtarja Shemsije Sheholli përsëri nuk paraqitet në gjykatë

0

Edhe një herë tjetër ka dështuar të fillojë rigjykimi kundër të akuzuarës, Shemsije Sheholli, ish-gjyqtare dhe tani avokate në Prishtinë. Edhe në seancën e paraparë të mbahej të enjten, e akuzuara Sheholli nuk u paraqit në gjykatë, përkundër faktit se ndaj të njëjtës ishte lëshuar urdhër për sjellje.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi për “Betimi për Drejtësi” bëri të ditur se e ka shtyrë shqyrtimin për 7 korrik 2017, në ora 10:00.

Ndryshe, me 12 shtator 2013, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsije Shehollit, të cilën e akuzon se në cilësinë e gjyqtares në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare të saj.

Sipas aktakuzës, Sheholli ka aprovuar kërkesën e paditësve, Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën ka vërtetuar se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, pa ftuar në shqyrtimin gjyqësor, palën paditëse.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Sheholli i ka caktuar palës së paditur, përfaqësues të përkohshëm, pa u munduar që të sigurohet se i njëjti nuk  jeton në Kosovë, por se është mjaftuar me deklaratën e paditësve se i padituri, Ustun Sylejman, është shpërngulur në Turqi.

Tutje, Sheholli, akuzohet se nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë në gazetën zyrtare, vendimin mbi caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit Ustun, mbesat dhe nipat e tij, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq dhe Emil Popoviq.

Me 27 maj 2016, e akuzuara Shemsije Sheholli, është shpallur fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohet dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv.

Ndaj këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara dhe prokurori i rastit, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar që të rritet lartësia e dënimit.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, ka bërë ankesë ku ka kërkuar që të prishet aktgjykimi dhe rasti të kthehet në shkallën e parë për rivendosje.

Me 5 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në shkallën e parë, për rivendosje.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së  parë nuk ka arritur që të vërtetojë në tërësi gjendjen faktike, pasi që nuk ka administruar si provë, lëndën kontestuese për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, ku do të vërtetoheshin nëse janë të sakta pretendimet e palës akuzuese apo asaj mbrojtëse.

Lënda penale në këtë rast, në korrik të këtij viti, arrin afatin e vjetërsimit, ndërsa nga janari i këtij viti nuk ka arritur të startojë rigjykimi.

Polemikë me injorantë!

0
Xhemal Ahmeti

Kur shkrova para zgjedhjeve se PDK dhe LDK nuk e meritojnë votën nuk e bëna ngase e dija se do të humbin. Përkundrazi. As që pritsha të humbin kështu. E dëshiroja humbjen e tyre po. Me gjithë zemër. Dhe me ato metodat e mia modeste bëja çmos të arrij sa më shumë njerëz për t’ua shpjeguar këtë. Të njëjtën ua dëshiroja partive në Maqedoni. Por pasi që konkurrencë patën edhe më të këqinjt, nuk doja të humbin më shumë se kaq. Shpresa e vetme se megjithatë do humbin këta, vërtet nuk ishte aspak “shkencore, objektive”, por më shumë parareligjioze: Shpesh i pëshpëritja vetes; nëse vërtet ka një fuqi supranatyrore, e cila është kujdesur që bota të jetë me shumë kultura, raca, popuj ajo i ka shpëtuar që të mbijetojnë edhe shqiptarët me identitetin e tyre edhe pse e meritojnë t’i shkoqësh me dru.

Nëse vërtet – mendoja – ekziston kjo fuqi ajo nuk i le pa i ndëshkuar këto parti shqiptare që për pare, lidhje e tru-shpëlarje lejuan që në Kosovë dhe Maqedoni të futen aq shumë organizata mesjetare, refraktare, qëllimkëqija, radikale, ekstremiste që t’ua bëjnë pikë e pesë shoqëritë dhe mbi 500 të rinj t’ua hedhin si kufoma Sirisë, Irakut e gjithandej. Dëmet që sillte sjellja e këtyre trukorruptuarve parasëgjithash i sinjalizoi pakkush, një grusht njerëzish. Plotë qytete shqiptare sot kur përshkruhen nga të huajt bëhet në mënyrën krahasuese me ato homologet në Pakistan, Afganistan, Turqi. Dakord secili shijen e vetë se a donë të ulet në postaqia e qilima apo në fotelje.

Por jo ky ndryshim, ky ngjasim, kjo përdhosje e arkitekturës, arteve, veshjes, ngrënies, festimit, fjetjes dhe papunës nën hije shtrirë arsyetohet me religjionin, fenë, besimin. Gjithçka e bëjnë për Muhamedin. Dhe kur i pyet se ku e ka shkruar këtë ai të përgjigjen me një shkrim që as dekoduesit e asirishtes e hieroglifave nuk e kuptojnë e lere më njeriu i shkolluar ballkanit. Është kjo rastësi që 99% e apologëve të këtij versioni të jetesës janë analfabetë totalë. Është e rastësishme që 99% e tyre komunikojnë me një gjuhë fekaloperverse sikur ta kishin mësuar fjalorin e dytë të Vuk Karaxhiqit përmendsh. Dhe ja ulërima: mosni se janë popull! Dhe klithja vijnë nga ata që operojnë me këtë turmë. Që ju duhet se masë të shkolluarish nuk u bashkëngjitet dot. Ju duhet për vota. Për revolucione imagjinare – për pushtet ju duhet qafirave, për asgjë tjetër.Janë koketerët e radhës si të parët, të cilëve aq thellë, aq me dëshirë ua dëshiruam humbjen? Po e njejta pako e djallit me fytyrën e Madonës a Rafiqes.

Dhe tash ju miq të mi prisni që unë dhe gjithë ata të tjerë të mos i akuzojmë të fundit se ja e paskan pasë për votë. Talleni me mua. Ma fyeni inteligjencën? E dini pse nuk fituan të parët dhe asnjë parti që fyerjen e kulturës shqiptare e bën shprehi? E dini pse këta që vunë Allahun në flamur as 1% nuk e morën? Jo se nuk ka besimtarë. Porse çdokush që ka kaluar filloren e dinë se gjithë këta janë manipulantë të ndërsyer nga qendra injorante që besojnë ta shkatërrojnë atë që nuk e prishi kush dot me mijëra vjet: kulturën, gjuhën shqipe dhe shumë gjuhë tjera që do t’i ketë falë ajo superfuqia natyrore dhe e cila nuk don që këto të humben.

Kur do ta kuptoni këtë?Kur do të kuptoni se s’ka fuqi që e përmbys një gjuhë e kulturë vetëm se donë dikush ta zgjerojë e shumojë racën e vetë? Kur? Kulturat zhduken ndryshe por jo me dhunë, jo me përdhunim, jo me mohim e më hiç me pare për ca pitalka. Si ka mundësi t’i mohosh e përqeshësh 200 vjet kulturë mbijetese e për liri duke i krahasuar me një pa-sapun mjekërzi? Si? Oj qurë ballkanike kush ta dha këtë të drejtë? Dhe ja…hajde fito votën përsëri. Do të të bëhem guri qe nuk e kalon dot.

No passaran! Sa të ketë shqiptarë mbi këtë tokë që duan edhe shqipen si gjuhë për komunikim ju do humbni! Do humbini të gjithë. Jo se besoni në diçka, porse besimin e tjerëve e konsideroni plaçkë!