Home Blog Page 5906

Arkivi zbulon: Dorëshkrimet e De Radës blihen 3 milionë lireta

0

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dje një procesverbal të vitit 1952, ku merret në dorëzim arkivi i Jeronim De Radës; çmimet, fletët nga dorëshkrimi i veprës “Këngët e Milosaos”. Materialet i kanë kushtuar qeverisë shqiptare 3 milionë lireta

Një “urdhën-ngarkimi”, me numër protokolli 18, drejtuar nga Instituti i Shkencave, seksioni i historisë, na njofton për një listë “materialesh” që në llogaritje të fundit shkon mbi 3 milionë lireta. Bëhet fjalë për arkivën e Jeronim De Radës e publikuar dje për herë të parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit. Është dokument origjinal ku shënohet se blerja është kryer në vitin 1952 dhe përmban këto materiale të shënuara në dokument: vepra materiale letrare të De Radës, valixhe, arkë, bileta, transportimi me tren Cosenza- Romë, hamallëke, dhe nënshkrimi i fundit, të ndryshme. Si duket pjesa më e madhe i përket veprës në dorëshkrim të poetit, dhe çmimi prej 3 milionë lireta është paguar nga qeveria shqiptare në ’52. Sipas njoftimit të Arkivit, ky fond që ruhet me emrin “Jeronim De Rada”, është i disponueshëm për t’u shërbyer në sallën e studimit të AQSH.

Në fotografitë e publikuar janë: procesverbali i marrjes në dorëzim të arkivit të Jeronim De Radës, ku përmenden edhe kostot e blerjes dhe të transportit, dhe fletë nga dorëshkrimi i veprës “Këngët e Milosaos”. Jeronim De Reda u lind në vitin 1814 në Maki të Kalabrisë, mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitri Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX.

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprën Lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore europiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri i Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, ftesë për të hetuar Qeverinë e Ramadan Mujës

0

Nisma në Prizren, nuk është habitur me të gjatuarat Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prizrenit.

Sipas këtij subjekti politik, Auditori i Përgjithshëm, ka vërtetuar shkeljet që Nisma për Kosovë, vazhdimisht ngritur gjatë këtyre viteve.

“Abuzimet me pasurinë publike në Prizren, të cilat NISMA në vazhdimësi i ka ngritur si shqetësim, të njëjtat i vërteton edhe Auditori i Përgjithshëm”, thuhet në komunikatën e Nismës në Prizren.

“Qeveria në ikje e të dënuarit për krim dhe korrupsion Ramadan Muja në Prizren, vazhdon të keqpërdore paranë publike dhe keqemenaxhoj pasurinë komunale, për të cilën shumë çartë flet edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për të gjeturat gjatë vitit 2016-të në komunën e Prizrenit”.

“Auditori i Përgjithshëm që në fillim konstaton moszbatimin e rekomandimeve me prioritet të lartë që ka gjetur në vitin paraprak, me ç’rast Ramadan Mujën dhe zyrtarët e tjerë ekzekutiv i nxjerrë para përgjegjësisë me të cilët duhet të merret prokuroria e shtetit, sepse mospërfillja e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, bartë në vete keqëpërdorime të shumta të taksapaguesve të Prizrenit”.
Auditori i Përgjithshëm ndër të tjera thotë se Komuna e Prizrenit, nuk posedon një plan strategjik gjithëpërfshirës me objektiva afatgjate ku përshkruhet qartë vizioni dhe misioni, i cili prezanton orientimin dhe synimet e Komunës në një periudhë afatmesme të zhvillimit. Po ashtu, nuk ka të hartuar strategji kundër korrupsionit”.

“Se i dënuari Ramadan Muja është i papërgjegjshëm, kjo tregohet po ashtu nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm”.

“Mungesa e raportimeve të rregullta tek Kryetari i Komunës, redukton aftësinë e menaxhmentit për të drejtuar në mënyrë efektive aktivitetet e komunës, për të reaguar ndaj sfidave financiare në kohën e duhur dhe për të zbatuar kontrollin efektiv të buxhetit”
“Nisma në kontinuitet ka shpreh shqetësimet e veta lidhur me keqëpërdorimet dhe keqëmanaxhimet me pronat publike, ku e tëra kjo qon deri në abuzim të skajshëm, për të cilen poashtu Auditori i Përgjithshëm nxjerrë në pah”.

Auditori i Përgjithshëm vlerëson se Komuna e Prizrenit nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme nr. 03/L-204 dhe udhëzimin administrativ në fuqi. Nga gjithsej 48,645 prona, komuna gjatë vitit 2016 ka arrit të verifikoj vetëm 1477 prona. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së zyrtarëve anketues në terren për verifikim të pronave”./PrizrenPress.com /

Babë e bir përleshën fizikisht në Prizren

0

Babë e birë janë përleshur fizikisht në Prizren.

Ata kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/

Aktori i njohur Mirsad Abazi në festivale ndërkombëtare

0

Aktori i mirnjohur Mirsad Abazi pati një sukses të jashtëzakonshëm në New York me filmin “A Long Way Home” me regji të Ibër Dearit. Filmi “A Long Way Home” triumfoi në New York dhe fitoi çmimin “Regjia më e mirë” te festivali që u zhvillua në Maj “New York Albanian Film Week”, ku Mirsadi ishte pjesë e natës së Tapetit të Kuq dhe Award Gala.

Aktori i talentuar Mirsad Abazi ka lindur në Kumanovë 1979. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Sllupçan – “FAIK KONICA”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “GOCE DELCEV” – Kumanovë. Aktrimin e kreu në vitin 2005 në Universitetin shtetëror të Tetovës artet e bukura. I punësuar si aktor në Teatrit profesional të Kumanovës.

Mirsad Abazi është një aktor shumë i mirë që të bën për vete me interpretimin e roleve, dhe ka luajtur shumë bukur. Ai ka luajtur gjithmonë karaktere të vështira dhe filma të fortë emocional. Rolet që i janë besuar atij shumë pak aktorë mund t’i luajnë me aq arritje dhe përkushtim. Në rolin “A long way home” interpretimi i tij të le pa fjalë, duke konsideruar kushtet e dimrit dhe rrethant e vështira të xhirimit.

Filmi “A Long Way Home” është produksion i RedonPictures me producent, Afrim Asani, edituar nga Redon Asani, sound nga Engjëll Mamuti, me skenar nga Ibër Deari, dhe në rolet kryesore luajnë: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Musa Isufi dhe Ardian Kadriu. Filmi po udhëton në festivale ndërkombëtare.

Njihet për rolet e tij mbresëlënëse në filmat fitues “A Long way home,” “My City Screams,” “Between Paradise and Hell” ku ka luajtur rolin e protagonistit. Momentalisht po luan te shfaqja teatrale në Kumanovë “Një shtrat plot me të huaj” me skenar nga Dave Freeman dhe me regji nga Esat Brajshori.

Intervista me aktorin e talentuar Mirsad Abazi
Intervistoi: Ermira Babamusta

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Mirsad Abazi: Unë para se të bëhesha aktor gjithmonë kam pasur një dashuri për aktorët, filmin dhe teatrin. Ndoshta edhe çdo aktorë në fillimet e tij ndjehet kështu. Luaja në shfaqje, recitoja në shkolla, etj. Kur erdhi koha për të shkuar në fakultet, këtu në Maqedoni ishte shumë e vështirë dhe kushtet jo të mira. Prinëdrit e mi këmbëngulnin që të shkoj me një fakultet tjetër që do ketë të ardhura për mua. Pasi që aktrimi ishte në profesion që shumicën e rasteve ishte rrëzik se do të mbetesh i pa punë.

Prindërit e mi më bindën dhe më regjistruan në fakultetin e Juridikut. Por unë e pash që për mua fakultet të tjera ishin sikur të futesha në ferr. Unë e doja aktrimin dhe skenën. Kështu pas 1 muaj në fakultetin e juridikut me vendoshmërinë time dhe pa lejen e prindërve të mi, unë u largova dhe shkova të regjistrohem ne shkollën e aktirmit. Arrita me shumë suksese, dhe me shumë kënaqësi. Sot jam i lumtur që kam përfunduar aktrimin. Jam i punsuar, kam një jetë normale dhe ndihem shumë i kënaqur.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë?

Mirsad Abazi: Pasi u ktheva nga USA, tani vetëm sa kam filluar me një shfaqje teatri në Kumanovë: “Një shtrat plot me të huaj” nga autori Dave Freeman dhe në regji të Esat Brajshori.

Pasi të përfundojmë këtë shfaqe kam në plan të eci në disa festival për ta prezantuar filmin “A LONG WAY HOME”. Dhe përgatitje për një film tjetër i metrazhit të gjatë, por akoma po pres përgjigje të saktë se kur fillojmë me xhirime. Gjithashtu edhe me një TV SERI në Shqipëri. Viti është i gjatë ndoshta do ketë edhe sende të tjera, ne jemi aktorë dhe jemi të hapur për shumë projekte.

Cila ishte eksperienca juaj në New York?

Mirsad Abazi: Në New York do ta veçoja si njërën nga eksperiencet e mia më të veçanta deri më sot. Atje isha për të prezentuar filmin tim A LONG WAY HOME. Në festivalin e filmit ALBANIAN FILM WEEK të MRIKA KRASNIQIT. Festivali na dhuroi shumë ngrohtësi të artistëve, professionalizëm dhe përjetime të bukura. Unë jam kënaqur dhe kam bërë shumë kontakte me shumë artiste të tjerë që do na lidhin për në të ardhmën. E falenderoj Mrika Krasinqin dhe ekipin e saj për punën e palodhshme për festivalin që kanë organizuar atje dhe na mundësojnë neve artistëve shqiptarë që të vijmë të prezantojmë punët tona…

Cilët ishin përshtypjet e tua nga festivali dhe nga vetë New Yorku?

Mirsad Abazi: Shumëçka, nuk di nga tia nis. Të flasësh për festivalin Albanian film Week është një histori në vete. Përveç pritjes fantastike dhe organizimit të mirë. Ishin mundësitë për kontakte me njerëz të tjerë. Artistë të huaj e jo vetëm shqipëtar. Pastaj ne dolëm triumfues nga ai festival dhe u kthyem në Maqedoni me shumë krenari… New Yorku si vend duhet të vizitohet nga çdo person, e në veçanti nga artistët…Është inspirues dhe të bën të mendosh pak më ndryshe. Vizituam shumë vende atje, dhe u inspirova për shumë gjëra të bukura.

Çfarë ju inspiroi ju që të bëheni aktor?

Mirsad Abazi: Nevoja apo dëshira për ti argëtuar njerëzit, ose për ti bërë të qajnë e të mendojnë. Më kujtohet koha që kur isha fëmijë dhe shikoja një film në TV, të them të drejtën as nuk e mbaj emrin e filmit, por e rëndësishme është që akoma i ndjej emocionet e asaj kohe. Emocionin që më pat dhënë ai film më bëri mua që të dal jashtë në oborr, ti marr shokët e mi dhe unë vet u mundohesha tia jap emocionet që vetëm i kisha përjetuar në film. Kisha dëshirë të shprehi diçka që ti bind ato që të qeshin ose të qajnë. Dhe sigurisht që dalgadal pata filluar ta kuptoj se përmes aktrimit njeriu mundet të shpresh shumë gjera… Filmat, muzika, leximi, dhe gjithe gjerat e bukura më kanë inspiruar që të bëhem aktorë.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjizorin?

Mirsad Abazi: Shumë positive. Unë i besoj regjisorit, dhe çdo herë mundohemi bashkarisht të arrim atë që ai e kërkon, të jemi sa më afër Vizionit të tij që e ka brenda kokës. Edhe pse dallon shumë puna me një regjisorë që punoj në teatër nga ai që punon në Film. Por prap se prap Aktori duhet ti besoj regjisorit të mirë. Regjisori është aty për të na drejtuar dhe për të na mundësuar që të arrim të bëjmë rolin ashtu si duhet.

Si përgatitesh për një rol?

Mirsad Abazi: Mendoj se shumicen e roleve gati e kam krijuar procedurë e njejtë, apo metodat e ngjashme… Çdo herë kur e marr tekstin për në Teatër apo një skenarë për në Film, gjëja e parë që më intereson është Karakteri/Personazhi që duhet ta luaj unë. Kush ësht ai? Çfarë bën ai? Kush janë personazhet e tjerë? Raportet e tyre, konfliktet, dëshirat, vuajtjet, etj, etj. Bëj shumë hulumtime dhe shume analiza. Mbyllem në dhomën time për një kohë të gjatë, pastaj filloj bëj test kamera me vetveten, i xhiroj disa momente dhe i analizoj. Bisedoj me disa njerëz që i besoj shumë dhe pastaj dalgadalë vjen koha kur duhet për tu ngjitur në skenë dhe ta shfaqur atë që e kam përgatitur.

Më shumë e pëlqeni vetën në film apo në teatër?

Mirsad Abazi: Unë e dua filmin më shumë, por më mirë ndjehem në Teater. Filmi është i bukur dhe përmes filmit e arrin më shpejt për tu bërë i njohur tek njerzit. Është një proçes interesant. Por filmi për dallim nga teatri të kufizon më shumë. Në film sado që ti luan mirë apo sa do që ke skena të rëndësishme, prap se prapë ti si aktore i filmit, je rob i vizionit të regjisorit, kamerës, montazhit, etj. Dmth në produktin final mundesh me pa vetën më pak se sa ke qenë në xhirime të filmit…

Kurse në teater nga fillimi e deri në fund je ti Aktori, LIVE me publikun. E ndjenë energjin aty Brenda në sallë. Është diqka e veçantë që vetëm ne aktorët e përjetojmë. Skena është e jona.

Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?

Mirsad Abazi: Secili film për mua ka qenë i bukur, por me eksperienca të veçanta. Dy filma që i mbaj thell në zemër dhe që ndihem shume krenar që i kam bërë janë MY CITY SCREAMS – një personazh i veçant për mua dhe për publikun. Dhe fimi i ri A LONG WAY HOME – ku ka qenë një dramë e imja si personazh që lidhet ngusht me dramën familjare. Ky i fundit ka qenë më emocional…

Do flas më shumë për filmin e ri që kam bërë dhe aty isha në rolin kryesore ose më mirë të them “one man movie” – ku i gjithë filmi gjatë shumë skenave jam i vetëm dhe është një barrë më e madhe. Dmth filmi A LONG WAY HOME. Në filma të tjerë që kam pasur role kryesore apo më mirë me thënë protagonist i filmit sepse vështirë eshtë ti ndaj peshën e rolit në film, dmth jane MY CITY SCREAMS, BETWEEN PARADISE AND HELL … në filma të tjerë apo seriale më shumë jam në role dytësore.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Mirsad Abazi: Realisht do kisha pasur dëshirë të jem pjesë i gjitha zhanreve të filmave, duke filluar nga drama, komedi, aksion, fantasy, horror, triler. Por pasi tek ne filmi nuk është një industri dhe nuk prodhohen gjitha zhanret e filmit që i përmenda më lart. Mendoj që vetën më së shumti e gjej në zhanre të filmit dramë/krim/triler. . . Më japin më shumë kënaqësi mua si aktorë dhe e shoh se shumë më lehtë publiku lidhet me këto karaktere nga ana ime.

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Mirsad Abazi: Arti ka ndikim të madh në kulturën shpirtërore të individid, shoqërisë dhe kombit. Ka rol shumë të rëndësishëm revolucionar për zgjerimin e horizontit të njeriut, kulturën, edukatën e jetës njerëzore. Shoqëria përmes artit edukohet më shumë dhe i lufton veset e tyre të këqija. E kemi artin për të mos vdekur kurrë.

Çfarë talene të tjera keni?

Mirsad Abazi: Do qëndroj te fusha e filmit. Përveç aktrimit e kam sprovuar veten edhe si producent edhe si menaxher dhe e kam parë që jam shumë i mirë në organizimin e filmit, sa i përkete këtyre profesioneve. Dmth më shumë dëshirë dhe besim mundem të marr përsipër menaxhimin e një filmi.

Këshilla juaj për dike që dëshiron të ndjeki këtë karrierë?

Mirsad Abazi: Karriera në art apo professioni aktorë nuk përfundon asnjëherë, dhe është e vështirë të jepet një këshillë. Mendoj që aktori duhet parasegjithash të jetë një intelektual, njeri që lexon shumë, që shikona filma shumë, që përcjell shume shfaqje ne teatro, muzikë, etj. Dhe të jetë i lidhur me njerëzit, i dashur dhe puntorë. Pasi që në aktrim ne mundohemi si të bëhemi personazhi, dhe për tu bë personazhi na duhet një bagazh i madh i njohurive, dhe biografive të njerëzve. Është punë e vështirë, të duhet shumë dashuri për të mbijetuar në këtë profession.

Çfarë është një aktrim i mirë për ty, një rol shumë i mirë?

Mirsad Abazi: Një aktor apo aktrim i mire për mua është nëse aktori që luan rolin më bind që ai është personazhi. Nëse Unë si shikues e harroj aktorin dhe e shikoj personazhin ky është aktirmi i mirë. Të më bind, të duket i vërtetë dhe të duket interesant.

Top 5 aktorët apo filmat më favorit për ju?

Mirsad Abazi: Janë shumë, por unë do mundohem ti ndaj 5 aktorët që vazhdimisht I shikoj dhe inspirohem nga ata… 1. Marlon Brando ( On the WaterFront, The GodFather, Apocalypse Now) 2.Robert De Niro ( Taxi Driver, Ragign Bull , Goodfellas etj) 3.Daniel Day Lewis ( Në të gjithe filmat) 4.Christian Bale ( Fighter, American Psycho, Mechanic) 5. TOM HARDY ( Revenant, Mad Max, Bronson, Locke)

Ju faleminderit shumë për intervistën. Në fund dua ta falenderoj personin më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm që qëndron me mua, nuk thuhet kot se pas një burri të sukseshem qëndron një grua e fortë. Pra unë e falenderoj gruan time Mirjeten e cila më përkrah vazhdimisht në këtë profesioni duke më ndihmuar deri në fund, dhe duke qëndruar me mua pa marrë parasysh rrethanave që ne aktorët i kalojmë. Falenderoj familjen time, kolegët e mi në aktrim dhe regjisorin Ibër Deari që kemi filluar bashkarisht punën e filmit dhe shpresoj që do vazhdojmë edhe shumë gjatë.

Trump do të vendosë panele diellore në murin e Meksikës

0

Nga një barrierë ndarëse dhe bllokuese, Presidenti amerikan Donald Trump synon ta shndërrojë murin e propozuar me Meksikën në një objekt teknologjik, pasi i tha mbështetësve të tij në Ajoua se mbi të mund të vendosen panele diellore.

Sipas Trump, panelet diellore do të siguronin energji të lirë dhe një mënyrë për të ndihmuar me kostot e murit, në mënyrë që edhe Meksika të paguajë më pak. Trump shtoi se shndërrimi i murit në një gjenerator elektriciteti ishte ideja e tij.

Muri me Meksikën ishte një prej premtimeve elektorale të Trump, si edhe pagesa e tij nga Meksika, diçka për të cilën fqinji latin i Amerikës nuk humbet rast për të thënë se nuk do të paguajë as edhe një cent.
“Po mendojmë diçka unike. Bëhet fjalë për kufirin jugor ku është nxehtë dhe ka shumë diell. Po mendojmë të ndërtojmë një mur diellor që të prodhojë energji dhe të paguajë veten. Në këtë mënyrë, edhe Meksika do të paguajë shumë më pak pará dhe kjo është diçka e mirë”, tha Presidenti.

Trump i tha mbështetësve të entuziazmuar në Cedar Rapids se kjo ide s’ishte dëgjuar më parë, por mediat amerikane nuk janë dakord. Sipas tyre, një prej më shumë se 200 kompanive që kanë paraqitur projekte për murin, kishte propozuar panelet diellore, diçka e diskutuar që më herët nga një grup akademikësh. Trump raportohet që në prill diskutoi për këtë me liderët republikanë të Kongresit.

23 ditë pushim për festën e Fitër Bajramit në Arabi

0

Me udhëzimin e mbretit Selman, pushimi për Bajramin e Ramazanit në Arabinë Saudite rritet në 23 ditë.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Arabisë Saudite, SPA, njofton se pushimi për Bajramin e Ramazanit, i cili filloi më 16 qershor, me udhëzimin e mbretit Selman bin Abdulaziz do të përfundojë më 9 korrik.

Dita e punës pas pushimit 23 ditor të Bajramit për shërbyesit civilë dhe personelin i cili vepron në institucionet ushtarake do të fillojë më 9 korrik, ditën e diel.
Ministria e Punës së pari kishte shpallur se pushimi për festën e Bajramit do të jetë 11 ditë, kurse më parë ishte shtyrë për pesë ditë dhe ishte zgjatur në 16 ditë.

Qytetarët e Arabisë Saudite, kanë pushime të gjata në Bajramin e Ramazanit dhe të Kurbanit, kurse përveç këtyre dy festave ata pushojnë vetëm në ditën kombëtare të tyre më 23 shtator.

Qeveri gjithëpërfshirëse për t’i shmangur zgjedhjet

0

Pas rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve, ku asnjëra palë nuk arriti t’i sigurojë numrat për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës, konstituimi i institucioneve nuk do të jetë aspak i lehtë.

Kështu konsiderojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, të cilët thonë se vendi mund të dalë nga kriza institucionale vetëm nëse formohet një qeveri e përgjithshme (ku do të përfshiheshin të gjitha subjektet politike), e cila do të arrinte t’i përfundonte disa çështje të mëdha, siç janë Asociacioni, Demarkacioni, ushtria etj.

Në të kundërtën, sipas tyre, mund të ketë zgjedhje të serishme, shkruan tutje “Zëri”.

Mirëpo përfaqësuesit e dy taborëve më të mëdhenj politik, koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) e lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se nuk ka nevojë për qeveri teknike, pasi zgjedhjet e 11 qershorit tashmë e kanë përcaktuar fituesin.

Përderisa përfaqësuesit e PAN-it mbeten prapa asaj se i nominuari i tyre Ramush Haradinaj duhet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ata të “Vetëvendosjes” konsiderojnë se qytetarët tashmë kanë vendosur për frymën e ndryshimit

Haxhi Avdyli zbulon kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit

0

“Nuk jam unë kandidat për kryetar të Prizrenit, por Hatim Baxhaku, edhe pse u largue nga lista per deputet, shumë analiza e nxjerrin fitues n’Prizren”.Keshtu ka thane ekskluzivisht në emisionin Rrokum Roll në TV Rrokum, Haxhi Avdyli, kryetar i deges se LDK’s ne Prizren.

“Njeriu i duhun per me ia rikthye Prizrenin LDK’s asht Hatim Baxhaku”, ka thane Avdyli.

Simbas tij, Baxhakut i beson qytetari i Prizrenit, sepse asht njeri i deshmuem, prandaj, ai shton se, “jemi te sigurte se me kandidimin e tij, LDK ka me fitue ne Prizren”.

Gjetje të reja arkeologjike në Vlashnje të Prizrenit

0

Në një pjesë të lokacionit të paraparë për ndërtimin Impiantit të ujërave të zeza, janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike me karakter shpëtimi. Gërmimet po bëhen në lokacionin e zbuluar qysh në vitin 2002 i cili sipas arkeologut, Shafi Gashi, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, i përket periudhës klasike romake.

Ai tha se përcaktimi i shtrirjes së vendbanimit të parcelës nuk e pengon ndërtimin e impiantit, dhe se gjithçka po zhvillohet në koordinim me organet kompetente të këtij projekti.

Arkeologu Gashi, bëri të ditur se gjatë gërmimeve janë zbuluar struktura të shumta arkitekturore, objekte banimi por të dëmtuara, një shtresë e themeleve të godinave në gjendje më të mirë, si dhe material i luajtshëm në numër të konsiderueshëm si: qeramikë, enë dhe fibula të ndryshme, dy monedha argjendi, të cilat janë përcaktuese të pikës arkeologjike, e cila sipas tij i takon periudhës klasike romake.

E këto gërmime nuk po i pengojnë punimet në ndërtimin e impiantit. Zyrtari i KRU “Hidroregjioni jugor”, Lulzim Paqarizi, tha se përveç një vonesë të caktuar kohore nuk është krijuar asnjë pengesë tjetër për të realizimin e projektit të rëndësishëm për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Prizrenit.

Gërmimet në këtë lokacion pritet të përfundojnë brenda dy javësh. ndërsa gërmime të ngjashme mund të ndërmerren edhe në pjesë të tjera përreth këtij lokaliteti./Gazetaere.com/

/

Çohu Bajram Curri e trego: E kujt asht Kosova, e jotja a e Dushanit

0

Çështja e Kosovës, sidomos në vitin 1944, ishte një çështje e nxehtë, e cila nuk duhej trazuar.

Në një varg dokumentesh të luftës, në letërkëmbime mes krerëve komunistë përmendet shpesh se çështja e Kosovës nuk duhej diskutuar, nuk duhej ushqyer, por duhej lënë në hije, duke rritur karshi saj çështjen e vëllazërisë me pupujt sllavë.

Madje vetë Tito në dy tre letra dërguar krerëve komunistë shqiptar shton se çështja e kosovës duhej lënë për pas luftës.

Historia e dëshmoi se e gjitha ishte e programuar dhe se Kosova do të përfshihej në Federatën jugosllave duke e lënë të ndarë nga trugu mëmë e nën robëri për gjysëm shekulli.

Por gjatë viteve të luftës Balli Kombëtar e kishte çëshjten e Kosovës ndër prioritetet e tij. Madje edhe dështimi i mbledhjes së Mukjes besohet të ketë shkak pikërisht çështjen e Kosovës.

Dy dokumentet që sjellim sot nxjerrë nga fondi i oraganizatës Balli Kombëtar janë dy thirrje publike ku trajtohet pikërisht çështja e Kosovës dhe raporti i komunistëve me të. Në dokumente bëhet thirrje për ti dhënë fund politikës së dëmshme të komunsitëve lidhur me këtë çështje. Më poshtë i sjellim të plota të dy dokumentet e shkurtit 1944.

Ad.Pe.

Dokumenti i parë

Shqipnija e Shqiptarvet

Vdekje trathtarvet

O Bajram, Bajrak i gjallë!…

Kosova, toka e jonë, Kosova dheu i premtuem asht vendi-idé qi do të bashkonte luftëtarët e Shqipënisë.

Kosova asht vendi i ynë ku do nguliseshin sýt, qëllimet, përpjekjet, shpresat t’ona…

Kosova, toka e jonë, Kosova, dheu i mohuen, asht molla e grindjes mes nasjonalistash e komunistash, mes Shqiptarësh e Sërbësh.

Ajo tokë e bukur, ajo tokë e pasun, ajo tokë e robënueme ka nevojë për zemrat t’ona.

Mjaft sy të huaj janë përqendrue në té.

Mjaft shekuj rrobnije janë mundue me i a shlye ngjyrat kuq e zi.

Mjaft Shqiptarë i janë varrosë kësaj toke ndër shpella të gurta a ke dheu i huej!

Nji robni e madhem e tmerëshme u përplas për brigje t’ona të lakmueme.

Nji luftë e egër, e pamëshirëshme u ndezë ndër zemrat t’ona, ndër qytete, fshate e male t’ona.

Gjaku nuk na lodhi. Robnia na u duk ma e lehtë: Shqipënija e jonë e vjetër u bashkue në burgun e robnisë me Kosovën e paharrueme me nji Shqipëni tjetër të vjetër, me nji Shqipëni tjetër të mjerë:

“Ku jeni bij të kësaj toke mijvjeçare!” – thërritën luftarët e pa mposhtun.

Mija vjetësh i përgjegjën kushtrimit tronditës.

Zjarri qi shpërtheu nga zemrat dogji robninë herë me trimninë e Aranitit, herë me heroizmin e Oso Kukës.

Kurrkush nuk dyshoi se gjaku i shqiptarit po derdhej për Shqipëni.

E vetëm për Shqipëni!

Po Kosova!

Bijt e sajë na duelën para me pranga të reja aty kah vjeti 1941.

Ishin prangat e përbashkëta. Prangat qi na i stolisi Italjani dinak.

“Ku jeni!”, thirrën kosovarët e gjorë.

“Ata qi thonë se na kanë lirue po na burgosin, po na rrafin, po na çarmatosin, po na përbuzin, po na mbysin…

“E për ma tepër po çojnë kundra nesh robnuesat serb e malazezë, me mëní të vjetër, me mëní të vjetër, me mëní të ré!…”

Prej këndej na përgjegjëm: “Mos t’u lëshojë zemra, o burra të mjerë, lufta e jonë asht lufta e juej, lufta për ju. Robninë e lirinë do ta kemi të përbashkët. Kështu urdhnon Shqipënia!”

Po kështu nuk u përgjegjën të gjith.

Atje në Mukaj Kosova duel nëpër gojë të kuqe si nyja gordjane.

Atje në Labinot para Dushanit me sy të përgjakun, Kosova u thirr “Balli Kombëtar”.

E Balli u përçmue, u përqesh, u përgjak.

Nëpër fshatet e djeguna, nëpër kasollet e mjera, mbi varret e dëshmorëve të ri, Kosovë don me thanë gërmadha, Kosovë do me thanë mjerim, Kosovë don me thanë gjak, vëllavrasje, hakmarrje e çmendun!…

Prej Azije na harrin ndër veshët t’onë të shurdhuem zâni rus qi kërkon tokën e vet në tokë poloneze, në tokën estone, letone, lituane, fndlandeze, e ndoshta edhe mâ përtej.

E nuk pret mbarimin e luftës, nuk pret vullnetin e popujve: e merr, e rrëmben!

Prej Jugosllavie na arrin zâni i nji Titos qi prokllamon konfederasjonin Jugoasllav e Kosovën nuk e përmend fare. Me gjith këtë Shqipëtarët nuk duhet të bërtasin: “Kosova asht e jona, Kosova nuk asht tok e huej…”

Pse luftarët me “hyll në ball” luftarët e gnjyem u thonë vllazënve (!) sllavë: “Kosova asht tokë e juej!”…

E vllazënve shqiptarë u venë pushkën, e tokës fatmjerë i venë zjarrin…

Shqipëtarët e Ballit e Shqipëtarët tjerë qi kanë ngulë mendjen e zemrën ke Dheu i trathëtuem, ke Kosova e braktisun vihen për mur si Mihajloviçat qi kërkojnë me epsh imperjal tokë, tokë, tokë të huej!

Luftëtarët e Lirisëm luftëtarët flamur-gjakosun bajnë nji pelerinazhë fetar ke Shpella e Ndritëshme e Dragobisë e pyesin me vaj në buzë, me zemër të ndrydhun:

“Çou, Bajram Curri! Foli zemrave si dikur!…

Foli, se lufta e Kosovës ka fillue!…

Çou e rrëfeji djalërisë së përgjakun, djalërisë së humbun:

E kujt asht Kosova?…

“E jotja a e Dushanit?!…”

Fruer 1944

BALLI KOMBËTAR

Dokumenti i dytë

SHQIPËRIA E SHQIPTARËVET

VDEKJE TRADHËTARËVET

RROFTË KOSOVA

SHKAKU I KËTIJ GJAKU …

Kur Balli Kombëtar caktoj si pikë kryesore të lëvizjes kombëtare “Shqiprinë ethnike”, kurrkujt nuk i shkoi ndër mënd se atë ditë kishte filluar lufta e Kosovës.

Kjo ludtë kishte filluar ndër pëshpëritjet e disa shqiptarëve që në çdo rast çuditeshin si ne kishim kuximin të kërkojmë KOSOVË, DIBËR, ÇAMËRI.

Kjo luftë kishte filluar ndër llafet e agjentëvet të pandërgjegjëshëm që pyetnin me çudi: PSE NUK KËRKOJMË LIRINË E SHQIPËRISË SË VJETËR POR SHTYHEMI DERI NË KOSOVA, DERI NË DIBRA E MË PËRTEJ?! …

Nuk na shkonte ndër mënd se ata që flitnin kështu ishin të kuq dhe, për të qënë i kuq duhet më parë të tregohesh antikosovar, antidibran…

Duhet t’u bëjmë qefin vëllezërvet sllavë, dhe t’u a nxijmë jetën vllezërvet të gjuhës:

TË KËRKOSH KOSOVËN ËSHTË IMPERIALIZMË!

TË MBASH KOSOVËN NË ROBRI ËSHTË NACIONALÇLIRIMTARIZËM!!!…

Kosova që kërkojmëm Kosova që e duamë është toka e jonë.

Toka që përmbledh në gji të vet afër 90% shqiptarë.

Toka që për Shqipërinë është jetë, për Jugosllavinë është lluks mesjetar!

Ay që ka shëtitur këtë tokë të bukur e ka lënë një pjesë të zemrës në Kosovë.

Fshatrat e Kosovës dëshmojnë me gjuhën shqipe, me zakonet e ruajtura me zili me afshet e robrisë, se piramidet e një kufiri të padrejtë nuk mjaftojnë për të ndar vëllain nga vëllaj.

Më 1913 Shqiprisë ju prenë krahët.

Më 1920 një Shqipëri e coptuar, pa dritën e lirisë.

Ne deshmë të flasim të kërkojmë, të ngulëm këmbë…

Por diplomacija europjane na u kërcënua në humbjen e Gjirokastrës dhe të disa viseve të tjera.

U shtrënguam që të mos ngremë zërin, të pranojmë si dhuratë edhe këtë copë tokë të vogël, edhe këtë copë tokë të varfër.

Sot, sot që i falmë alltarit të dëshmorëvet aq dëshmorë, aq sakrifica kemi të drejtë të ngulëm këmbë, kemi të drejtë të ngremë zërin deri në Jenipazar e të bërtasim.

KOSOVA ËSHTË SHQIPËRI!

Më 1920 fituam lirinë por jo unitetin e kombit.

Sot kërkojmë me tokat që na u grabitnë e vëllezër të robruar të formojmë Shqipërinë e unjisuarë; Shqipërinë e Shqiptarvet:

OSE SOT OSE KURRË!

Në Mukaj (Gusht 1943) nasjonal çlirimtarja komuniste i foli Ballit.

“TË KËRKOSH KOSOVËN ËSHTË MEGALLOMANI!”. “TË KËRKOSH KOSOVËN D.M.TH. T’I KUNDËRSHTOSH KARTËS S’ATLLANTIKUT!!”.

“TË KËRKOSH KOSOVËN DO TË THOTË TË U PRISHËSH QEJFIN SLLAVËVE”. “T’A LËMË QË VETË SHOKËT E BALLKANIT TË NA JAPIN ÇFARË NA PËRKET”.

Balli Kombëtar prandaj kishte një sëmundje të pashëruarshme që Doktorët e kuq e quajtën “Kosovë”.

Kërkimi i Kosovës fyente kartën aleate që kërkon plebishit ndër viset e dyshimta, a po tronditëte dëshirat e fqinjËve që grabitjen duan t’a thërresin “e drejtë” dhe robërinë “liri”?

Por shokët e Ballkanit janë zemër mirë, nuk durojnë më robërinë e të tjerëvet, iku koha e imperjalizmit, e Mihailoviçit…

Në Firencë, një kryetar komunistësh malëzezë, i thotë me inat në burgun fashist, një intelektuali shqiptar: “Akoma nuk e keni hequr mëndjen ju shqiptarët nga Kosova?!…

Me rasën e kapitullumit t’Italis trupa partizane pushtuan Ulqinë, i cili u mprojt trimërisht nga një grusht Shqiptarë; Ditën e dorëzimit u ngrit mbi shtizë flamuri … i Jugosllavisë Kombëtare, dhe u unj, u përbuz, u shkel dhe u gris Flamuri i Ynë!…

Po kjo gjë ndodhi edhe në Plavë, në Guci, në Dibër…

Po këtë punë bënë partizanët grekë edhe në Delvinë e gjetkë…

Të gjitha këto gjëra i dinin krerët e komunizmit. E dinin për më tepër se Balli Kombëtar kishte marrë në krahë flamurin e irredentizmit.

Prandaj Ballin Kombëtar e shanë, prandaj e gjuajtën, prandaj filluan luftën e deshën të vrasën.

PSE KOSOVA? PSE SHQIPRIJA NUK FALET AS NUK SHITET, NUK MPOSHTET AS NUK VRITET!

Shkurt 1944

BALLI KOMBËTAR

(Marrë nga Shqiptarja.com)

Image