Home Blog Page 5905

Quni: PAN po spekulon, nuk ka vota të LDK-së

0

Deklaratat e akterëve të koalicionit PAN, se për formimin e Qeverisë së vendit, do të kenë vota nga deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka quajtur spekulime, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Anton Quni.

Quni në emisionin “Fakt Plus” në Tribuna Channel, tha se as ai dhe askush nga kolegët e tij, nuk kanë marrë kontakt nga koalicioni PAN, që të votohet Qeveria e ardhshme.

“Të gjitha deklaratat që janë shfaqur në media duke u thirrur që i kanë siguruar deri në 15 vota të gjitha janë spekulime. Ende askush mu së paku nuk më ka kontaktuar që të votojë koalicionin PAN dhe asnjëri nga kolegët e mi nuk e kanë një përvojë të tillë”, tha Quni në “Fakt Plus”.

Turisti vdes papritur në plazh

0

Ai kishte shkuar në plazh për të pushuar, por ndodhi që ajo të ishte dita e fundit e jetës së tij.

Një ditë më parë, një 63-vjeçar ka humbur ndjenjat në plazhin e Durrësit, e më pas ka humbur jetën pa arritur në spital.

Ngjarja ka ndodhur në plazhin në lagjen nr.13 të qytetit, ku RR.H., me banim në Rrogozhinë, duke ecur në breg të detit dhe më pas ka rënë pa ndjenja, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia.

Personi është nisur për në spital por ka ndërruar jetë rrugës pa mundur që të marrë ndihmën e specializuar spitalore.

Nga veprimet e kryera rezultoi se, vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, njofton policia, ndërsa materialet iu kaluan Prokurorisë së Durrësit.

Eurozona duhet të reformohet ose të vdesë

0

Shkruan: Kenneth Rogoff

Me zgjedhjen e një presidenti centrist, mbështetës të reformave në Francë dhe rizgjedhja gjithnjë e më e mundur e kancelares gjermane, Angela Merkel, shtrohet pyetja, a mund të themi se ka shpresë për projektin e ngecur të valutës së përbashkët në Evropë? Ndoshta, por një dekadë tjetër e rritjes së ngadalshme, e nënvizuar nga ngërçet periodike në lidhje me borxhet, ende duket më e mundshme. Me një veprim të vendosur kah unioni fiskal dhe bankar, gjërat do të mund të ishin shumë më mirë. Por, në mungesë të politikave për forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë, gjasat për një kolaps eventual janë shumë më të mëdha

Zgjedhja e Macron-it është një ngjarje eminente

Është e vërtetë se, në aspektin afatshkurtër, ka më shumë arsye për optimizëm. Gjatë vitit të kaluar, Eurozona ishte duke shijuar një rimëkëmbje të qëndrueshme ciklike, duke i tejkaluar pritjet më shumë se çdo ekonomi tjetër e përparuar. Dhe, mos gaboni: zgjedhja e presidentit Emmanuel Macron është një ngjarje eminente, që i rritë shpresat që Franca do t’i japë energji të re ekonomisë së saj, mjaftueshëm sa për t’u bërë partner i plotë dhe i barabartë i Gjermanisë në qeverisje në Eurozonë. Macron dhe ekipi i tij ekonomik janë plot me ide premtuese dhe ai do ta ketë një shumicë të madhe në Asamblenë kombëtare për t’i implementuar ato ide. Edhe në Spanjë reformat ekonomike janë duke rezultuar me një rritje më të fortë afatgjatë.

Por, gjendja e përgjithshme nuk është e mirë. Greqia mezi është duke shënuar rritje, pasi që përjetoi njërin prej recesioneve më të këqija në histori edhe pse ata që për këtë i fajësojnë masat kursyese të Gjermanisë, nuk i kanë shikuar mirë të dhënat: falë inkurajimit nga ekonomistët majtistë amerikanë, Greqia pati thuajse pakon më të butë të dorëzanisë në historinë moderne. Italia ka pasur një sukses shumë më të madh sesa Greqia, por ky është një kompliment me bisht, të ardhurat reale në fakt janë më të ulëta sesa një dekadë më parë. Për Evropën Jugore si tërësi, valuta e përbashkët është treguar të jetë kafaz i artë, duke imponuar një korrektësi më të madhe fiskale dhe monetare, por duke larguar normën e këmbimit si jastëk absorbues ndaj tronditjeve të papritura. Në fakt, një pjesë e arsyes pse na ka ndihmuar edhe ekonomia britanike, që nga referendumi i vitit të kaluar, ka të bëjë me rënien e madhe të funtit, duke rritur aftësinë konkurruese. Britania e Madhe, natyrisht, ishte përcaktuar që më parë për ta ruajtur valutën e vet.

Tani shihet qartë se euroja nuk ishte i domosdoshëm për të pasur sukses në BE dhe, në vend të kësaj, ai është dëshmuar si një pengesë e madhe, sikur që kishin parashikuar shumë ekonomistë. Eurokratët ka kohë që e kanë krahasuar integrimin evropian me ngasjen e biçikletës: duhet të vazhdosh përpara që të mos rrëzohesh. Nëse është kështu, miratimi tepër i hershëm i valutës së përbashkët mund të krahasohet si një kthesë nëpër çimento ente të lagët.

Është ironike që, deri më tani, arsyeja kryesore pse adoptimi i euros ishte aq i popullarizuar në Evropën Jugore, ishte se gjatë viteve 1980 dhe 1990, njerëzit e rëndomtë donin një stabilitet të çmimeve, të cilin gjermanët e gëzonin me markën e tyre. Por, derisa euroja ishte shoqëruar nga një rënie e gjerë e Eurozonës në inflacion, shumica e vendeve tjera ia dolën që ta ulnin inflacionin edhe pa të. Një rëndësi shumë më të madhe sesa arritja e stabilitetit të çmimeve, kishte paraqitja e bankave moderne të pavarura qendrore, një element që ndihmoi në zvogëlimin dramatik të niveleve të inflacionit në botë. Megjithatë, pak vende, sikur Venezuela, ende kanë rritje treshifrore të çmimeve, por ato tani janë të rralla. Ka shumë të ngjarë që, sikur në vend të bashkimit në euro, Italia dhe Spanja thjesht t’iu kishin dhënë bankave të tyre qendrore më shumë autonomi, edhe ato do ta kishin një inflacion më të vogël tani. Sikur vendet e Evropës Jugore t’i kishin mbajtur valutat e tyre, ato mund të mos kishin sharruar kaq thellë në borxhe dhe do ta kishin mundësinë e pjesshme të shpëtimit me anë të inflacionit.

Besimi i investitorëve

Pyetja që shtrohet tani është si të nxirret BE-ja nga çimentoja e lagët. Edhe pse shumë politikanë evropianë ngurrojnë ta pranojnë, status quoja me gjasë nuk është e qëndrueshme. Duhet të ketë ose një integrim më të madh fiskal, apo një ndarje kaotike. Është naive të mendohet se në të ardhmen euroja nuk do të ballafaqohet me strese tjera të jetës reale gjatë periudhës prej 5-10 vjetësh, në mos më herët. Nëse status-quo del të jetë i paqëndrueshëm, atëherë shtrohet pyetja pse tregjet janë kaq të qeta? Ndoshta kjo ka të bëjë me besimin e investitorëve se janë duke ardhur dorëzanitë e shpejta, edhe pse shumë politikanë gjermanë kanë protestuar kundër kësaj. Blerja e borxheve të vendeve periferike nga ana e Bankës Qendrore Evropiane tanimë paraqet një subvencion implicit dhe diskutimet rreth eurobonove janë duke u intensifikuar pas fitores së Macron-it.

Apo ndoshta investitorët janë duke vlerësuar se Jugu ka sharruar tepër në çimento, që të mund të nxirret. Gjermania do të vazhdojë me shtrydhjen e buxheteve të tyre me qëllim që të sigurohet se do të paguhen bankat. Sido që të jetë, liderët e Eurozonës do të bënim mirë sikur të vepronin tani, sesa të presin momentin tjetër të së vërtetës të valutës së përbashkët. Se sa do të zgjasë optimizmi, mund të vendosin Macron dhe Merkel.

(Kenneth Rogoff është profesor i ekonomisë dhe politikës publike në Universitetin e Harvardit)

Zafir Berisha: I qëndrojmë prapa Ramush Haradinajt

0

Deputeti i NISMA-së për Kosovën, Zafir Berisha ka thënë se i qëndrojnë prapa fjalës që ia kanë dhënë Ramush Haradinajt, se do ta mbështetin për postin e kryeministrit në çdo variant.

“Ramushi e di a i ka numrat, ai është i nominuari qe dy vjet dhe ne qëndrojmë në atë që kemi thënë. Pas certifikimit përgjegjësia e të nominuarit të PAN-it do të jetë realizimi i formimit të qeverisë. Përndryshe ne si NISMA do ta mbështesin Haradinajn për kryeministër, në çdo variant i qëndrojmë prapa”, ka thënë Berisha për lajmi.net.

Berisha ka thënë se nuk mund të jap qëndrim tash nëse në të ardhmen krijohen rrethana të reja për formimin e qeverisë. Por ai ka siguruar se do ta mbështesin Haradinajn çka do që ndodhë.

Prizren: 19 policë të akuzuar për ryshfet, deklarohen të pafajshëm

0

Sasha Nedeljkovic, njëri nga njëzetë policët e akuzuar për ryshfet, nuk pranoi të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë në shqyrtimin fillestar të së enjtes. Ndërkaq, të pafajshëm u deklaruan 19 policët tjerë, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljkovic, avokati Asdren Hoxha, tha se ai nuk i ka pranuar provat mbi të cilat mbështetet aktakuza, e të cilat prova, sipas tij, prokurori ka pasur për obligim t’ia dorëzojë para se të mbahet shqyrtimi fillestar. avokati Hoxha deklaroi se klienti i tij nuk do të deklarohet rreth fajësisë pasi që dispozitat ligjore janë imperative në këtë rast dhe nuk mund të bëhet kompromis, andaj ka kërkuar që çdo afat të caktohet pasi që ai të ketë provat.

Provat i ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Azem Goxhufi, avokati Mexhid Syla. I njëjti deklaroi se nuk e di nëse mbrojtja mund të paraqesë brenda afatit të paraparë kundërshtimin e provave, pasi që varet se kur ato prova do të jepen nga prokurori.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Genc Nixha tha se shumicën e mbrojtësve i ka pajisur me shkresat e lëndës dhe se deri në fund të javës tjetër do t’i furnizojë edhe mbrojtësit tjerë me provat që nuk i kanë.

Nërkaq, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani deklaroi se seancën e ka zhvilluar pasi që kur ka pyetur a ka kushte për të mbajtur të njëjtën, asnjëri nga mbrojtësit nuk ka treguar që ka pengesa të tilla. Mirëpo, në bazë të rrethanave të krijuara, Sejrani e ka konstatuar shqyrtimin fillestar si të papërfunduar, ndërsa vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 14 korrik 2017, në ora 10:00.

Poashtu gjyqtari Sejrani e ka obliguar prokurorin e rastit që deri më 10 korrik 2017, të pajisë të gjithë mbrojtësit me shkresat e lëndës.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon policët, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, se kanë marrë ryshfet si policë trafiku.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë dhe pranojnë ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast, që nga 17 marsi 2017, është tentuar që të mbahet shqyrtimi fillestar por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Në seancën e 17 marsit mbrojtësit nuk kanë qenë të pajisur me shkresat e lëndës, andaj seanca është ndërprerë dhe prokurori ka premtuar se palët do ti furnizojë me shkresat e lëndës.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga seanca e parë e shqyrtimit fillestar në këtë rast penal, prokurori i rastit nuk e ka kryer obligimin e tij ndaj palëve akuzuese.

Neni 244 i Kodit të Procedurës Penale e obligon prokurorin e çështjes që në afat maksimal prej 10 ditësh pas ngritje së aktakuzës, të i sigurojë të akuzuarit apo mbrojtësit të tij, provat në të cilat mbështetet aktakuza./betimiperdrejtesi/ 

Filloi projekti për pastrimin e krojeve publike në Prizren

0

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar së zbatuari projektin për pastrimin e krojeve publike në qytetin e Prizrenit.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha tha se gjatë punimeve të pastrimit të krojeve publike në qytetin e Prizrenit në kuadër të ndërhyrjeve për restaurim dhe konzervim janë konstatuar dëmtime të theksuara në sipërfaqet e krojeve të gurit nga faktorët atmosferik, mbetjet e pluhurit, ngjyra, kriposja, myshqet, këpurdhat si dhe bakterjet të cilat kanë shkaktuar dëmtimin e krojeve.

“Ky projekt i cili po realizohet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren është sa kompleks aq edhe interesant pasi që për herë të parë po veprohet me ndërhyrje profesionale të pastrimit në krojet publike të qytetit të Prizrenit duke aplikuar metodat e pastrimit kimik dhe mekanik të krojeve publike”, tha Hoxha.

“Aktualisht janë duke u zhvilluar punimet për pastimin e kroit të Esma Hanëm-it që gjendet në oborrin e Muzeut Arkeologjik të Prizrenit për të vazhduar me kroin e Haxhi Ramadanit (Qorr Aga) që gjendet afër Muzeut Arkeologjik”.

“Gjatë këtij precesi të punës në rradhë për tu pastruar janë edhe edhe kroi i Bimbashit, Beledijes, kroi pranë xhamisë së Sinan Pashës si dhe 6 Krojet në afërsi të lagjes së Marashit”.

“Projekti ka të bëjë me pastrimin e myshqeve, njollave dhe papastërtive tjera nga sipërfaqja e krojeve që janë shtresuar me vite të tëra”.

“Përkujdesja institucionale ndaj aseteve të trashëgimisë kulturorë në Prizren me aplikim të metodave profesionale mundëson jetëgjatësinë e tyre duke e ruajtur origjinalitetin që kanë”./PrizrenPress.com/

Komuna e Prizrenit me performancë të mirë, MAPL ndan fond

0

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ( MAPL) ka ndarë çmim për performancë të mirë për Komunën e Prizrenit.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi tha se Komuna e Prizrenit është renditur e treta nga MAPL, për sukseset që ka arritur gjatë vitit 2016.

Postimi i plotë dhe a ndërhyrje në Facebook

Komuna e Prizrenit me performancë më të mirë komunale për vitin 2016, e para nga komunat e mëdha, dhe e treta nga renditja në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Sot, MAPL-ja, ka ndarë çmimet për komunat e Republikës së Kosovës, sa i përket performancës së komunave, Komuna jonë ka performancën shumë më të lartë se përformanca e përgjithshme në nivel të Kosovës.
Komuna e Prizrenit, ka shënuar performancë më të lartë në fushat:

Shërbimet publike administrative;
Kulturë, Rini dhe Sport;
Menaxhimin e fatkeqësive;
Menaxhimin e mbeturinave
Mbrojtjen e mjedisit;
Transparencën komunale;
Strehimin për familjet në nevojë.

Për këto arritje të komunës së Prizrenit, MAPL-ja, ka ndarë edhe një fond mbështetës financiar, pasi komuna jonë shënoi një arritje të performancës prej 67.90%, nga 43.37% sa ishte në vitin paraprak.
KG

Ndriçim Ademaj: Një ditë do të lodhemi së ikuri nga kujtimet e luftës

0

Fatmira NIKOLLI

Rrugët vlonin nga njerëzit. Ishte ditë pazari. Ndoshta në liri të gjitha ditët janë ditë pazari. Kolona e veturave ecte ngadalë dhe ne hapëm dritaret që të hynte ajri i pastër. Ndërkohë dy njerëz u kapën fytas me njëri-tjetrin. Babai tha se desh u vranë për një kile gjizë. A ishte kjo liria?”

Në romanin e tij të parë, ardhur pas tri vëllimesh me poezi, Ndriçim Ademaj, ka një qasje edhe ndaj lirisë. Te “Pa heronj, pa bujë”, roman që mban siglën e botimeve “Pegi”, ai pyet nëse ishte kjo liria. Biseda mes nesh, nis pikërisht me këtë pyetje: cila është liria, a ka një të tillë? “Ndoshta, siç thotë Nimi në roman, liria është të mund të hash një hamburger të shijshëm e të nxehtë valë tek sheh shokët e klasës që kanë mundësi ta blejnë. Shpesh e mendoj lirinë si një femër së cilës i rri mirë secili fustan i veshur a i hedhur përtokë”, thotë Ademaj.
Në liri, mbas njëfarë kohe kur mbërriti në lagje, asgjë nuk kishte ndryshuar. Përveç atij. Dhe derës së oborrit. Me ngjyrë të kuqe dhe shkronja të shtrembra shkruhej “UÇK – MOS E PREK”.

Romani “Pa heronj, pa bujë”, është një homazh për Ndriçimin që ndoshta nuk ka qenë kurrë, duke qenë njëherësh një manifest, heroi lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë. Romani i tij, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë; romani i tij shpërfaq botën e dikujt që ka mbi kurriz luftën, dhe jo vetëm atë të vërtetën, por luftën e përditshme për të mbetur individ i pacenuar dhe i qetë mendërisht e shpirtërisht.
“E vetmja peshë që ndjej tani është ajo e kohës së çuar dëm. Peshën e rrudhave të nënës sime dhe çdo dite të kaluar larg saj. Për mediokracinë në shoqëri e sharlatanët e fryrë si tullumbacet e fundvitit, më pyetni mbas tridhjetë vjetësh, nëse do të jem ende këndejpari”, thotë ai.
Si luftë ndaj dhembjes e qoftë edhe vdekjes, ka vetëm një mënyrë- të tallesh, ndaj në këtë libër, ai e ka zënë veten shpesh të tallet me gjëra që e përlotin.

-Në kohën kur u botua “Këngë nga Rruga e Farkëtarëve”, pate thënë se është libri i fundit. Dikush e mori në kuptimin “më i fundit”, dikush si heqje dorë prej letërsisë. Çfarë të shkonte ndër mend atë kohë?
Nuk më pëlqen fort të mbaj sekrete për veten. Ndaj më duhet të them se mbas çdo poezie a libri, ndjej se nuk kam gjë për të thënë dhe se nuk do të kem më kurrë. Unë jap gjithë çka kam, nuk ruaj asgjë për më vonë. Prandaj, secili libër është libri im i fundit.

-Pse një roman pas tri vëllimeve me poezi?

Nuk kisha shkruar asnjë poezi prej pothuajse një viti dhe po jetoja një kohë vetmitare. Nuk më shkonte mendja të shkruaja një roman, sall të bëja pak muhabet me veten sa për ta shtyrë kohën. Kur para syve m’u fanitën personazhet e para, filluan të jetojnë, të marrin frymë, t’i marrin gjërat në dorë. Aty nuk kisha më forcë, e besa as dëshirë për t’i ndalur.
-”Pa heronj, pa bujë”, a është Ndriçimi mes Zvicrës e Kosovës, plot shpresa e prapë shpresëthyer?

“Pa heronj, pa bujë” është cinizmi që nuk e dija as vetë se mund ta kisha karshi ngjarjeve, më të dhimbshmet qofshin ato, e para njerëzve, më të përçudnuarit qofshin ata. “Pa heronj, pa bujë” është një homazh për Ndriçimin që ndoshta nuk kam qenë kurrë.
-”Në këtë roman, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë”- sa e vështirë edhe të mbetesh vetvetja, të mos bësh pjesë në ‘Bankën e Favoreve’, ku udhëheq trafiku i influencës më shumë se meritokracia?
Kur përmendet banka, më bie ndërmend llogaria e zbrazur në fund të muajit. Një mik i imi i urtë më pati thënë para nja dhjetë vitesh: “Mos u shit kurrë, e nëse duhet të shitesh, shitu shtrenjtë”. Nuk e di nëse çmimi nuk ka qenë ende aq i lartë, apo unë nuk i kam ulur ende krahët. Ndoshta unë nuk kam asnjë meritë për atë që bëj. Ndoshta vetëm shkruaj ato gjëra që ka rastisur të kalojnë nga dritarja e dhomës sime e jo nga ajo e një shkrimtari tjetër. Nëse një njeri vetmitar shtrihet shkujdesur me librin në dorë, herë duke buzëqeshur e herë duke u përlotur, në dreq të mallkuar mirënjohjet e çmimet letrare!
-Në shtratin ku ne jemi shtrirë të sëmurë, çfarë na dhemb më shumë, sëmundja jonë, a “era e spitalit”? A mund ta ndajmë sëmundjen tonë nga era e sëmundjeve të spitalit?

Them se na dhemb më shumë koha e çuar dëm kur ishim atje jashtë.

-Kryesisht ngjarje të dhembshme, në libër thjesht i ke nënkuptuar, i ke përmendur si shkarazi. Është çështje stili? Apo të tilla dhembje nuk rrëfehen dot me fjalë?

Mënyra e vetme për t’i mundur dhimbjen, frikën, e bile edhe vdekjen, është të tallemi me to. Në këtë libër e kam zënë veten të tallem me gjëra që më përlotin jo rrallë.

-Fleshback-u i kthimit në fëmijëri, një kohë që nuk është fort e largët për Xhimin dhe që është përshkuar me nota shumë të buta, është trishtim apo kujtim i ëmbël, siç u ndodh të gjithëve kur kujtojnë fëmijërinë?
Nuk pajtoj se fëmijëria e Nimit është përshkruar me nota të buta. Është më shumë një gërryerje në brendinë e personazhit për të nxjerrë gjëra nga të cilat të rriturit kanë turp e përpiqen t’i fshehin gjithë jetën.

-Trauma që ka pësuar Nimi në vegjëli ndihet shumë tek ai (tashmë Xhim); sa përfaqësuese është historia e tij për gjithë fëmijët e Kosovës?
Ende nuk ka ardhur koha kur këto trauma të vërehen te fëmijët e luftës, lindur në fund të viteve ‘80 e në fillim të viteve ‘90. Ne ende jemi në ikje nga këto kujtime. Ne ende jemi duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka ishte veç një ëndërr e keqe. Një ditë do të lodhemi së ikuri e do të duhet të përballemi me kafshën që na ka ndjekur nga mbrapa tash e dy dekada. Ndaj, ngjarja e vërtetë bazohet në rrëfimin e Xhimit, mendoj unë.

-Çfarë është lufta për ty; lufta e madhe me armë, lufta e madhe që të bën të ikësh, lufta e Kosovës, dhe lufta me vete e të tjerë?
Lufta më e madhe, kujtoj, është ajo e të qenit i pavarur dhe të lësh shenjë në jetë. Kjo fillon që nga shuplaka e parë dhënë nga babai e vazhdon deri në fund të jetës. Dikush zgjedh të dorëzohet herët, e të mbijetojë i robëruar, dikush nuk ndalet së luftuari me mish e me shpirt, e dikush tjetër vendos të bëjë paqe me veten e të mos e marrë këtë luftë shumë seriozisht.

-Filozofi kanadez Alain Deneault, ka folur për mediokracinë, duke e cilësuar perverse, njëfarë PR i përbotshëm për atë që nuk është si duket, ambalazhimi i së paqenës, duke e shitur për vlerë. A e ndjeni peshën e mediokracisë?

E vetmja peshë që ndjej tani është ajo e kohës së çuar dëm. Peshën e rrudhave të nënës sime dhe çdo dite të kaluar larg saj. Për mediokracinë në shoqëri e sharlatanët e fryrë si tullumbacet e fundvitit, më pyetni mbas tridhjetë vjetësh, nëse do të jem ende këndejpari.

Porpozohet heqja e Testit të Maturës

0

Testi i maturës në Kosovë, ka nevojë të standardizohet apo edhe të hiqet si formë e vlerësimit dhe matjes së njohurive, vlerësojnë ekspertë të fushës së arsimit. Këtij testi i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të të arsimit të mesëm.

Testit të maturës në Kosovë çdo vit i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë.

Ky test vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar në përputhje, me kurrikulën e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, si test përcakton edhe nivelin e kompetencave të arritura të nxënësve, dhe përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.

Pragu i kalueshmërisë në provimin e maturës shtetërore sipas Ligjit për provimin e maturës shtetërore është 40 për qind.

Megjithatë, ky test i maturës, sipas ekspertit të çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, ka shumë arsye që të mos zbatohet fare derisa të gjendet një formë tjetër e organizimit të provimit shtetëror.
“Mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ky test të hiqet sepse nuk administrohet si duhet, nuk mund të menaxhohet. Rezultatet që fitohen nga ky test nuk janë të besueshme. Zbatimi i këtij testi nuk ka arritur të motivojë nxënësit për një punë më të avancuar. Testi po ashtu është i pa standardizuar, është i pa hulumtuar në aspektin e ekonomisë, vlefshmërisë dhe në shumë aspekte tjera”, thekson Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të prindërve thonë të mos jenë të kënaqur me mënyrën e zbatimit të testit të maturës.

Udhëheqësi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Bajram Beqiri, për Radion Evropa e Lirë se si i tillë nuk do të duhet të merret si bazë për vlerësimin e nxënëseve.
“Ne kemi vlerësuar se testi i maturës po krijon komplikime. Ne nuk jemi të hiqet tërësisht testi i maturës. Mund të jetë si test për tu verifikuar njohuritë e fituara gjatë katër viteve shkollorë, por testi i maturës të mos ketë implikime në regjistrim, të jetë vetëm si orientim, por jo të ndikojë drejtpërdrejt në regjistrimin në fakultet. Ka shumë nxënës të mirë të cilët mund të dështojnë në testin e maturës, derisa ata që janë më të dobët ta kalojnë testin”, thekson Beqiri.

Në këtë vit, pjesa e parë e provimit të maturës në Kosovë është mbajtur, derisa pjesa e dytë, sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Shtetëror të Maturës do të mbahet më 24 qershor.

Ky Komision e kishte vlerësuar si të suksesshëm organizimin dhe administrimin e testit të maturës.

Ata kishin konstatuar se këtë vit tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit në rrjetet sociale kanë qenë dukshëm më të vogla se vitet më parë.

Halim Hyseni, thotë se derisa cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë në nivel shumë të ulët, nuk mund të pretendohet që të ketë rezultate të suksesshme të provimit të maturës.

“Problemi i maturës duhet të shikohet nga edukimi parashkollor kur atje fillon të ngritët cilësia, në arsimin fillor po ashtu, në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë, tek atëherë mund të presim që nxënësit tanë të tregojnë rezultate edhe në testin ndërkombëtar PISA edhe në testin e maturës”, thotë Hyseni.

Cilësia e dobët e arsimit në Kosovë ishte bërë e ditur edhe nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar i njohur me shkurtesën “PISA”. Ky mekanizëm në vitin e kaluar kishte radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Rrihen gratë e PS-së dhe LSI-së

0

Bindjet politike janë kthyer në mollën e sherit mes dy punonjëseve të poliklinikës në Ersekë.

Shefja e financës në këtë poliklinikë, një grua 55-vjeçare, është sulmuar fizikisht nga shefja e personelit dhe shkak është bërë angazhimi i tyre politik në dy forca të ndryshme.

Sipas të dhënave, Kristina Stoja me detyre shefe finance e angazhuar me LSI është sulmuar në ambjentet e poliklinikës nga shefja e personelit, Dorina Tallo 32 vjeç.

Autorja, mbështetëse e PS e ka kërcënuar 55-vjeçaren me largim nga puna nëse ajo nuk votonte PS, ndërsa e ka dhunuar fizikisht duke i shkaktuar shenja në fytyrë dhe i ka thyer syzet optike.
Mësohet se gjithçka ka nisur në zyrën e shefes së financës, ku autorja ka shkuar dhe ka nisur të grindet e t’i bëjë presion të dëmtuarës.

Edhe pse 55-vjeçarja është përpjekur ta shmangë sherrin dhe ka lënë institucionin për të shkuar në bankë, ajo është ndjekur nga 32-vjeçarja dhe nëna e saj.

Sipas kallëzimit të bërë nga Stoja, nënë e bijë e kanë ndjekur gjatë rrugës për në Poliklinikë duke bërtitur me fyerje e sharje dhe sapo ka hyrë tek shkallët Tallo ka nisur ta godasë fizikisht duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë, thyerje të syzeve optike dhe dëmtime të tjera.
Menjëherë 55-vjeçarja ka denoncuar në polici rastin dhe uniformat blu kanë nisur procesimin penal në gjendje të lirë ndaj 32 vjeçares.