Home Blog Page 5918

Pacolli mohon se AKR-ja po i afrohet PAN-it

0

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mohuar se është lëkundur në qëndrimet e tij kundër bashkimit eventual në qeverisje me PAN-in.

Përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se bashkë me partnerët LDK, Alternativa e Lëvizja për Drejtësi janë të vendosur në rrugën që ka diktuar vota qytetare më 11 qershor, sipas tij, për ndryshim.

“Të nderuar miq, secili lajm që mund ta lexoni është thjesht spekulim. Qëndrimi i AKR është i qartë dhe nuk lëkundemi nga pozicioni ynë. Bashkë me partnerët e Koalicionit, LDK-në jemi të vendosur në rrugën tonë, konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës për ndryshim”, ka shkruar Pacolli.

 

Burimet flasin për një afrim të mundshëm të AKR-së me PAN-in

0

Burime të Portalit Koha.net, bëjnë me dije se i nominuari për kryeministër nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe të një personaliteti të LDK-së që pritet të jetë deputet, për të formuar Qeverinë.

Portali, të enjten vonë ka kontaktuar me Korab Sejdiun e AKR-së, i cili ka thënë se strukturat e kësaj partie nuk kanë marrë kurrfarë vendimi.

“Strukturat e AKR-së nuk kanë marrë kurrfarë vendimi që t’i bashkohen askujt. Ne jemi në pritje të rezultatit për të parë se ku po pozicionohemi, por mund të them se e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se nuk do të shkojmë në koalicion me PAN-in”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë apo të demantojë ndonjë bisedë a takim eventual në mes të kreut të partisë së tij, Behgjet Pacolli dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Rama: Shqiptarët të votojnë nën flamurin kombëtar

0

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thënë sot në Sarandë se nëse shqiptarët votojnë në 25 qershor nën flamurin kombëtar dhe jo nën flamujt e partive, Shqipëria do të jetë shumë më mirë se sot.

“Ne nuk kemi dalë në këtë rrugë për të treguar përralla, por për të ndarë bindjen tonë se çfarë kemi bërë nuk mjafton. Ne së bashku kemi shumë për të bërë, por kemi bërë të mundur që më në fund, pas çerekshekulli çdo shqiptar i ndershëm të shikoj të hapet porta e drejtësisë. Jemi sot në një moment vendimtar historik për të bërë shtetin e shqiptarëve”, tha Rama.

Emocionuese: Kështu e kujton motra Elvis Pistën (Foto)

0

Sot janë bërë tre vjet nga vrasja e ish-kandidatit për deputet Elvis Pistës.E në këtë trevjetor, me plot dhimbje atë po e kujton motra e tij Beatrisa Pista.

Përmes një shkrimi emocionues, ajo rrëfen dhimbjen dhe mungesën e madhe që po ndjenë për vëllaun e saj të vetëm, shkruan Magazina.al

“Nuk e ke idenë sa shumë më ke munguar gjithë këto vite, por prezenca jote ishte më e madhe se kurrë në zemrën time, duke më dhënë forcën për të përballuar dhimbjen e humbjes së vëllait të vetëm, shtyllës së familjes”, shkroi ajo

Më tutje ajo tregon se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi deri në zbardhjen e plotë të rrethanave se nga kush u vra vëllai i saj.

Kujtojmë se më 15 qershor të 2014, Elvis Pista ishte qëlluar nga një distancë prej 7 metrash me një pistoletë derisa po dilte nga një restorant në Rahovec, ndërkaq hetimet për këtë rast akoma po vazhdojn

Ky është shkrimi i plotë i Beatrisa Pistës

Të gjitha vlerat e mëdha humane gërshetohen te ti. Je i pa përsëritshëm në çdo kohë, në secilin aspekt!

Nuk e ke idenë sa shumë më ke munguar gjithë këto vite, por prezenca jote ishte më e madhe se kurrë në zemrën time, duke më dhënë forcën për të përballuar dhimbjen e humbjes së vëllait të vetëm, shtyllës së familjes.

Nuk jam ndalur në asnjë moment duke kërkuar drejtësi për ty. Nuk do të ndalem asnjëherë.

Nuk jam ndalur së besuari në institucionet e drejtësisë. Nuk do të ndalem asnjëherë.

Në këtë trevjetor prano përqafimet e mia. Ti dhe Roma, GJITHÇKA e imja!

Shpresoj se po të bëj krenar…

Beatrisa

Fatmir Limaj tregon emrat e deputetëve të Nismës

0

Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se tash për tash janë në garë për të zënë nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se tashmë shtatë janë të sigurt, por që në garë janë edhe dy të tjerë, njofton Klan Kosova.

Limaj në “Zona e Debatit” ka thënë emrat e atyre që kanë siguruar mandatin e deputetit.

Pos vetes, Limaj ka thënë se deputetët tjerë do të jenë: Bilall Sherifi, Haxhi Shala, Zafir Berisha, Albulena Balaj, Valdete Bajrami, Milaim Zeka dhe Enver Hoti.

Më tej ai ka pohuar se kandidatët e tyre janë më të votuarit në top tridhjetëshën e koalicionit PAN.

Zeka: Limaj nuk ishte në festën e PAN-it, sepse zgjedhjet nuk i konsideroi fitore”

0

Milaim Zeka, kandidati për deputetë nga radhët e NISMA-s, ka thënë se në këto zgjedhje rritje të elektoratit kanë vetëm NISMA, Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“LDK me gjithë kampin edhe PDK po ashtu janë humbës. PDK maksimum do të ketë 20 – 21 deputetë”.

“Kurse rënia e LDK-së bashkë me AKR është një debakël i jashtëzakonshëm. Elektorati i dënoi ashpër LDK dhe PDK që vazhdimisht janë tallur me elektoratin dhe për të gjitha të zezat fajtor janë këto dy subjekte”.

“Limaj nuk ka thënë që PAN është fitues, por që NISMA ka rritje të elektoratit. Limaj nuk ka qenë në festën e PAN dhe këtë nuk e ka konsideruar si fitore”.

Kështu ka thënë Zeka në Info Magazine të Klan Kosovës.

Përkujtohet Bekim Fehmiu

0

Aktori i mirënjohur nga Kosova Bekim Fehmiu është përkujtuar sot në Prizren në shtatë vjetorin e vdekjes.

Jeta dhe vepra e Bekim Fehmiut u vlerësua lart nga aktivistë të kulturës prizrenase.

Gazetari Fahri Musliu e ka cilësuar Bekim Fehmiun si një Odise për të cilin janë krenar të gjithë shqiptarët.

“Bekimi ishte sinifikim i suksesit i bukurisë i forcës dhe i talentit për çdo shqiptar kudo që jeton. Ishte sinjfikim edhe i krenarisë sepse secili shqiptar mburrej që ishte shqiptar. Bekimi ia ktheu dinjitetin shqiptarit që deri aso kohe ishte mësuar që të tjerët ta trajtonin vetëm për punë të rënda fizike dhe sharrëxhinj“, tha ai.

Musliu u shpreh i zhgënjyer me mënyrën se si është injoruar figura e këtij mjeshtri të madh jo vetëm nga pushteti por edhe nga komuniteti artistik.

“Në shumë shtete të Kosovës rrugët, sheshet dhe institucionet e ndryshme janë emëruar me emra të personave që nuk i njeh as mahalla e vet por jo edhe me emrin e Bekimit. Bekimin e shpalli qytetarë nderi Shkodra edhe pse atje jetoi vetëm 3 vjet, por jo edhe Prizreni ku e kalo rininë”, tha Musliu.

Drejtori artistik i kinemasë së Lumëbardhit, Veton Nurkollari ka folur për nismën “Bekimi i Prizrenit”, dhe tha se kinemaja e qytetit do të merr emrin e Bekim Fehmiut.

“Kjo është fillimi i një iniciative të cilën ne mendojmë ta zhvillojmë, të ftojmë shumë njerëz. Ne si hap i parë do ta nderojmë me një simbolik të vendit ku është hedhur hiri i Bekimit. Ne shpresojmë të ia japim një emër kinemasë në qytet, që kinemaja e qytetit të quhet Bekim Fehmiu”, tha ai.

Nurkollari tha se Bekimi është aktori më i madh i këtij vendi dhe do ta bëjnë edhe qytetin, qytet të filmit dhe të Bekimit.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe vëllai i Bekim Fehmiut, Arsim Fehmiu i cili duke falënderuar ideatorët e këtij tubimi tha se Bekimi meritonte më shumë sepse kishte vlerë të madhe.

“Vlera e tij ka qenë shumë e madhe e vlerësuar prej të tjerëve e jo prej meje. Bekimi është i familjes, i kombit dhe është i Prizrenit se fëmijërinë dhe shkollimin e ka filluar në Prizren e ka përfunduar në Prizren”, është shprehur ai.

Për të nderuar aktorin e madh, Bekim Fehmiu personalitete nga kultura kanë hedhur lule në lumin e Lumëbardhit aty ku u derdh hiri i trupit të vdekur të Bekimit.

Po ashtu në kinemanë e Lumëbardhit do të shfaqet filmi “”Mbledhësit e puplave” në përkujtim të mjeshtrit të madh shqiptar.

Prizren: Të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, nuk e pranojnë fajësinë

0

Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, të enjten, në rigjykimin e tyre, sërish nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të kontrabandimit me mirgrantë dhe krimit  të organizuar.

Ata, pas konsultimit me mbrojtësit e tyre, janë shprehur se e ndiejnë veten të pafajshëm ndaj akuzave që ua ngarkon prokuroria.

Prokurori i çështjes, Elez Blakaj, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se pas administrimit të provave, të cilat do t’i paraqesë gjatë shqyrtimit gjyqësor me padyshim do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen. Blakaj, tutje ka thënë se fajësia e të akuzuarve do të dëshmohet përmes transkripteve të bisedave telefonike në mes të akuzuarve dhe personave tjerë, ku sipas tij, do të shihen marrëveshjet për të bërë kontrabandimin e tyre. Ai, ka thënë se do të vërehet edhe shumat e paguara nga personat e ndryshëm për të realizuar kontrabandimin në shtetet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Admir Sopaj, avokati Bajram Tmava, ka thënë se me të gjitha provat me të cilat organi i akuzës pretendon se do ta dëshmoi fajësinë e klientit të tij, në të vërtetë do të dëshmohet pafajësia e tij. Ai, ka thënë se për këtë çështje palët në procedurë i kanë qëndrimet e tyre, pasi që njëherë ky rast është gjykuar, por se për arsye të thjeshta teknike është prishur nga Gjykata e Apelit.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sylë Krasniqi, avokati Naim Qelaj, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i klienti i tij nuk i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet, por se do të vërtetohet se aktakuza nuk ka mbështetje faktike e as ligjore.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Shaqir Shala, i cili është babai i Nazmi Shalës – për të cilin prokuroria pretendon se është kontrabanduar nga të akuzuarit. Ky dëshmitar ka thënë se nuk e din se si djali i tij Nazmiu ka dalë jashtë vendit, por se vetëm e ka përcjellë deri në Aeroportin Ndërkombëtar  të Prishtinës, “Adem Jashari”. Ai ka mohuar të ketë biseduar me të akuzuarit apo me dikë tjetër, për të dërguar djalin e tij jashtë vendit.

Në mungesë të dëshmitarëve tjerë të propozuar nga organi i akuzës, kryetari i trupit gjykues,  Skender Çoçaj, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 28 gusht 2017, duke filluar nga ora 13:00.

Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në periudhën maj-shtator 2014, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, kanë rekrutuar persona me qëllim që t’i dërgojnë në shtetet e perëndimit. Sipas aktakuzës, këta të akuzuar i kanë dërguar migrantët deri në kufi me Hungarinë, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre nga aty i kanë dërguar me vetura deri në Vjenë të Austrisë, e nga aty janë shpërndarë për në vendet tjera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, migrantët për këto veprime kanë paguar shuma të parave prej rreth 2500 euro për person, ku në fillim është paguar një shumë prej 500 euro, ndërsa kur kanë mbërritur në Vjenë, familjarët në Kosovë kanë paguar pjesën tjetër prej 2000 eurosh.

Gjykata Themelore në Prizren, më 18 maj 2015 ka gjetur fajtorë të akuzuarit Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, për veprën penale të kontrabandimit me migrantë dhe i kishte dënuar secilin me nga 3 vite burgim efektiv dhe 8 mijë euro gjobë. Ndërsa, i ka liruar nga vepra penale e krimit të organizuar.

Por, Gjykata e Apelit e ka prishur një aktgjykim të tillë me arsye se nuk është arritur të dëshmohen veprimet e secilit të akuzuar në raport me personat e kontrabanduar. Sipas Apelit disa prej personave, që Prokuroria pretendon se janë kontrabanduar, kanë udhëtuar në mënyrë legale deri në Suboticë e nga ku krejt persona tjerë i kanë bartur për në Vjenë./betimiperdrejtesi/

Kosova apo Kosovo ?

0

Agim Vinca

“Cikërrime” që vrasin sytë

Natën e fundit të qëndrimit në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, që u mbajt këto ditë në Gjenovë të Italisë, ku unë merrja pjesë si përfaqësues i Kosovës, para se të më vinte radha për të lexuar, m’u afrua aktori që do t’i lexonte vargjet e mia në italisht, ndërkohë që poetët lexonin secili në gjuhën e vet amtare dhe më tha: “Zoti Vinca, në poezinë tuaj përmendet emri Kosovë, por me a në fund: Kosova. Unë mund ta lexoj edhe kështu, por askush nuk do të më kuptojë. Do të mendojnë se është gabim shtypi!”.

Kështu më tha aktori italian nga Gjenova (Andrea Gada), një njeri shumë i përzemërt dhe deklamues i shkëlqyeshëm i poezisë; artist i vërtetë. Fjala është për poezinë “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, në të cilën hasen edhe vargjet: “Në Kosovën tonë të lirë” (herën e parë) dhe “Në Kosovën tonë të lirë e demokratike!” (herën e dytë). Përkthyesja, Blerina Suta, i ka përkthyer këto dy vargje në italisht ashtu siç duhet: “Nella nostra Kosova libera” dhe “Nella nostra Kosova libera e democratica!”. U përpoqa t’ia shpjegoja shpejt e shpejt aktorit italian këtë çështje, duke i thënë se Kosova është trajta shqipe e emrit të vendit dhe se mbi 90 % të njerëzve që jetojnë në të e përdorin këtë trajtë, kurse “Kosovo” është trajta sllave, të cilën e ka imponuar administrata serbe, si në kohën e ekzistimit të Jugosllavisë si shtet, ashtu edhe më vonë. Por, më kot, ai insistonte në të vetën. Me të drejtë, sepse, fundja, edhe në program dhe në bexhin tim shkruante: Agim Vinca (Kosovo).

Ishte data 11 qershor 2017. Atë ditë në Kosovë mbaheshin zgjedhjet parlamentare, të gjashtat me radhë në periudhën e pasluftës, kurse të tretat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kutitë e votimit tashmë ishin mbyllur, sepse po afrohej ora dhjetë e mbrëmjes. Dy-tri orë më parë në hotel më kot kisha ndjekur lajmet e televizionit të famshëm RAI 1 (Rai Uno) dhe të televizioneve të tjera italiane. Asnjë fjalë për atë që ndodhte në vendin tim. As të nesërmen në mëngjes jo! Asnjëri nga televizionet e shumta të Italisë nuk po e thoshte asnjë fjalë të vetme për atë që kishte ndodhur një ditë më parë në shtetin më të ri të Evropës, të cilin Italia si shtet, shteti italian, e njohu ndër të parët. (Për çudi, Italia po, por Vatikani, alias Selia e Shenjtë, që është brenda Italisë, kurse selinë e ka në zemër të Romës, as nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk po e njeh Republikën e Kosovës!). Me pult në dorë kërkoja ta dëgjoja emrin e vendit nga i cili vija dhe të cilin e përfaqësoja në atë takim të rëndësishëm ndërkombëtar letrar, qoftë edhe në trajtën me “o”, por më kot. Askund asnjë fjalë. “Mos qofsh i vogël!” – thashë me vete. Ndoshta edhe e shënova këtë fjali dikund në një nga defterët e mi që mbaj zakonisht me vete kur shkoj në udhëtim. Bota është e madhe dhe ne shqiptarët jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, jemi një pikë e vogël në glob. Jemi të vegjël si popuj dhe si shtete, por e bëjmë veten edhe më të vogël e më të parëndësishëm me sjelljen dhe veprimet tona. Në radhë të parë të politikikës dhe të diplomacisë shqiptare.

Është e vërtetë se atë ditë, pra më 11 qershor, Italia i kishte zgjedhjet e veta lokale për asambletë komunale dhe kryesuesit e tyre dhe se të gjitha mediet vendore informonin gjerësisht për këtë ngjarje të madhe. Është e vërtetë se të njëjtën ditë edhe Franca i kishte zgjedhjet parlamentare dhe mediat italiane informonin, natyrisht, edhe për këtë ngjarje, sikundër edhe për ngjarje të tjera në vend dhe në botë. Por, megjithatë, mendoja unë, ndoshta naivisht, diku në fund të emisioneve të lajmeve apo të rubrikave të gazetave, mund të thuhet ndonjë fjalë edhe për zgjedhjet në Kosovë, ku Italia, sikurse edhe shtetet e tjera që e kanë njohur Kosovën si shtet, ka ambasadën e vet, ashtu siç i ka edhe ushtarët e saj në kuadër të KFOR-it dhe nëpunës të profileve të ndryshme në EULEX etj.

Por, shtrohet pyetja: a janë vetëm të tjerët fajtorë për atë që na ndodh ne? A është fajtore Italia, fjala vjen, shtet me ndikim në Bashkimin Evropian, për heshtjen e mediave italiane lidhur me një ngjarje jo pa rëndësi që ndodh në një vend dhe shtet të vogël të Ballkanit dhe të Evropës, siç është Kosova? Jo. Natyrisht që jo. Kosova, sikurse edhe Shqipëria, ka qeveri, ka ministri të jashtme, ka president e presidencë, ka edhe ambasadën e saj në Romë (Tirana edhe në Vatikan), ka njerëz që paguhen për afirmimin e saj në botë etj. Në fushatën parazgjedhore apo në paraqitjet e tyre të shumta në mediet vendore, para dhe pas zgjedhjeve, politikanët tanë të mbysin me tirada për punën e madhe që bëjnë për popullin dhe shtetin e tyre; për prosperitetin e tij ekonomik, material e shpirtëror dhe për afirmimin e tij në botë. Herë-herë duke i dëgjuar se ç’thonë njeriu mund të fitojë përshtypjen se ne jemi të parët e dynjasë; se Evropa dhe Amerika (Amerika sidomos) vdesin për ne kosovarët dhe se presidenti Klinton dikur, kurse presidentët Bush e Obama më vonë (Trampit s’i dihet!), pyetjen e parë që shqiptojnë në mëngjes, posa hapin sytë, është: “Si e kam Kosovën?!”.
Njerëzit që rezonojnë e flasin kështu, dje dhe sot, disa prej të cilëve nuk janë më në mesin e të gjallëve, nuk e zotërojnë mirë as gjuhën amtare (ministrat tanë, me ndonjë përjashtim, ende thonë: kem në vendi të kemi, jem në vend të jemi dhe ishim në vend se ishim, kurse mënyrën lidhore të foljes e ngatërrojnë me dëftoren: p. sh. koha do të tregon, vend se koha do të tregojë etj.). Atëherë, si mund t’i mbrojnë ata interesat e Kosovës dhe ta afirmojnë atë në botë, në gjuhët e mëdha botërore: në anglisht, në frëngjisht, italisht, spanjisht, rusisht, kinezisht etj.? Çfarë politike e diplomacie mund të bëjnë ata që s’e kanë përvetësuar gjuhën amtare dhe që nuk kanë lexuar asnjë libër për të qenë në jetën e tyre?
Po të isha ministër i jashtëm i Kosovës apo ambasador i saj në Romë, madje edhe pjesë e ministrisë dhe ambasadës përkatëse, do ta ndieja veten keq, shumë keq më 11 qershor!

Rastisi që atë ditë të isha në njërin nga qytetet më të lashta e më të kulturuara të Italisë, në Gjenovë, në ndërtimin e të cilit ka dhënë kontribut të madh edhe familja e lashtë shqiptare Duraci (famiglia Durrazzo), në një manifestim letrar në të cilin merrnin pjesë, pos nga vendi mikpritës, Italia dhe fqinja e saj, Franca, edhe nga Spanja, Algjeria, Maroku, Tunizia, Turqia, Irani, Izraeli (kryesisht nga vendet e Mesdheut), por edhe nga Meksika dhe Nikaragua e largët, krijues që shkruajnë në gjuhë të ndryshme dhe që u takojnë kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme. Nuk më takon mua të flas, natyrisht, për nivelin me të cilin e kam përfaqësuar vendin, por më vjen mirë që dy ditë me radhë, më 10 dhe 11 qershor, emri Kosovë u dëgjua shumë herë në sens pozitiv. Dhe jo vetëm emri Kosovë, por edhe Shqipëri, gjuhë shqipe, letërsi shqipe dhe kulturë shqiptare, u dëgjuan me dhjetëra herë brenda dy ditësh në qytetin e bukur të Gjenovës, madje edhe në sallën madhështore të Pallatit Dukal (Palazzo ducale), ku vargjet e poezisë së një poeti shqiptar jehonin në sallën e mbushur përplot e tepër akustike, në shqip nga zëri i autorit, kurse në italisht nga aktori, që më kërkoi leje për ta shqiptuar emrin Kosovë në trajtën në të cilën ai ka depërtuar dhe vazhdon të depërtojë në botë edhe tani kur Kosova është shtet i pavarur: Kosovo e jo Kosova, siç do të duhej.

Në kthim nga Gjenova në Tiranë, duke pirë kafe me përkthyesen e shquar, zonjën Donika Omari, ia tregoj këtë episod dhe ajo më thotë se kur erdhi presidenti Klinton në Kosovë, në vitin 1999, paskësh pyetur: “Si duhet thënë: Kosovo apo Kosova?”, por askush s’i paskësh dhënë përgjigjen e duhur. Njeriu aq i merituar për çlirimin e Kosovës, që mbante mbi supe barrën e shtetit më të fuqishëm të botës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëherësh edhe të mbarë botës, interesohet për një detaj çfarë është emri i Kosovës dhe kujtohet të pyesë a duhet me “a” a me “o” në fund, po nga shoqëruesit e tij nuk merr përgjigjen e duhur.

Le të kujtojmë me këtë rast se ç’luftë bën Maqedonia njëzet e sa vjet me radhë për ta ruajtur të paprekur emrin e saj; se si i kundërvihet fqinjes së saj shumëfish më të madhe e më të fuqishme, Greqisë, për të mos e prekur emrin Maqedoni, të cilin e ka edhe një krahinë e Greqisë. Ne nuk çajmë kokën për gjëra të tilla. Përpiqemi të jemi çuna sa më të mirë përpara ndërkombëtarëve, për hir të karrierës sonë politike, prej së cilës dëshirojmë të nxjerrim sa më shumë përfitime materiale e të tjera. Tjetër punë pastaj që edhe po qe se duam, nuk dimë ta mbrojmë identitetin tonë etnik e shtetëror dhe t’i afirmojmë vlerat tona shpirtërore, përfshirë dhe ato kulturore e letrare, me të cilat mund të depërtojmë në botë.

Ne vazhdojmë të këndojmë këngë me çifteli për Kosovën, ndonjëherë edhe duke i bastarduar vlerat e vërteta të muzikës sonë folklorike, që është mirëpritur kudo në botë, por nuk interesohemi që bota ta quajë vendin tonë, Republikën e Kosovës, Kosovë-a e jo Kosovo!
Po shtoj me këtë rast se në një ligjëratë për letërsinë shqipe të mbajtur në Paris (në Universitetin Paris 8), në vitin 2002, në fillim fare e pata shpjeguar këtë problem: Kosova/ Kosovo, duke u thënë të pranishmëve se e drejtë është trajta e parë e jo e dyta e imponuar nga administrata serbe dhe duke shtuar se ne shqiptarët jemi tolerantë, prandaj mund të propozojmë edhe “zgjidhjen”: Kosov@, në mënyrë që secili ta lexojë në mënyrën e vet. Interneti atëbotë ende nuk e kishte forcën dhe përhapjen që ka sot dhe batuta qe mirëpritur nga të pranishmit në sallë, të cilët reaguan me buzëqeshje.Qeveria e ardhshme e Kosovës, pavarësisht se nga cilat subjekte do të formohet dhe pavarësisht nga fakti se kush do të jetë në krye të saj, duhet të mendojë edhe për “cikërrime” si ky.

Mytaher Haskuka, kandidati më i votuar në Prizren

0

Kandidati i Lëvizjesë Vetëvendosje! në Prizren, Mytaher Haskuka, në zgjedhjet e 11 qershorit, në këtë qytet ka marrë 5458 vota.

Në këtë numër nuk janë përfshirë votat me kusht dhe ato të diasporës.

Haskuka, deri më tash është kandidati që ka fituar më së shumti vota në Prizren./PrizrenPress.com/