Home Blog Page 5938

Ramushi, Hoti apo Albini?

0

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Në sistemin demokratik zgjedhjet konsiderohen si një lloj satisfaksioni për popullin, që shumica absolute mendojnë se pas shpalljeve të rezultateve jeta do të ndryshojë në të mirën e tyre. Në fakt, kushdo që do të vijë në pushtet, për qytetarët tanë jeta do të vazhdojë si më parë, pa asnjë ndryshim, përveçse disa militantë të papunësuar do të punësohen, disa zyrtarë do t’i ndërrojnë zyrat e disa tjerë do t’i zënë kolltukët e të parëve, disa deputetë nuk do të jenë kurrë më deputetë e disa të tjerë do t’ua zënë vendet e tyre. E jeta e qytetarëve vazhdon si më parë.

Fushatat iluzioniste të partive

Deklaratat shpresëmëdha të kandidatëve për Kuvend të Kosovës e për poste tjera se me ardhjen e tyre në pushtet çdo gjë do të ndryshojë në Kosovë, janë manipulime që do t’i dëgjojmë gjatë kësaj jave, me qëllim të përfitimit të elektoratit. Premtimet e tyre i tejkalojnë suazat e jetës reale, sepse ato janë të parealizueshme, mirëpo opinioni i gjerë ka dëshirë të besojë e të jetojë në iluzione së pakut për pak kohë. Nuk mundet të ketë fillim të ri me personalitete të njëjta, nuk mund të themi ka ardhur koha për ndryshime me shefa të njëjtë, nuk mund të themi në qershor do të jetë pavarësia e dytë, sepse me këtë thënie ne po e gjuajmë dhe injorojmë luftën për liri të shumë gjeneratave dhe pavarësia po filluaka prej qershorit, nuk mund të themi se filani apo fisteku i duhet Kosovës, sepse askush nuk është i pazëvendë- sueshëm, nuk mund t’i vëmë vetes nofka të personazheve të filmave hollivudianë, sepse me këtë botës i tregojmë se jemi popull primitiv, që besojmë në mite dhe votojmë për personazhe të imagjinuara nga skenaristët e njohur botërorë. Nga të gjitha këto premtime një gjë është e sigurt dhe e pakontestueshme- ndryshimi i jetës në të mirë të atyre që do të fitojnë numrin e mjaftueshëm të votave për t’u bërë deputet i ardhshëm. Jeta e deputetëve do të ndryshojë në shumë aspekte, por më qenësore është që nga rroga mesatare do të fitojnë rrogë të mirë, nga statuti i një individi të zakonshëm do të shndërrohet në VIP… Andaj, ne duhet të marrim si gjë normale kur këta çirren duke bërtitur se nga qershori çdo gjë do të ndryshojë, dhe vërtetë mënyra e jetesës së tyre do të pësojë ndryshime të mëdha, nga një veturë e vogël që kanë do të blejnë xhipa, nga drekat dhe darkat në shtëpi të tyre do t’i kalojnë ditët dhe netët në restorante luksoze, kurse ne do të mbesim ata që ishim dhe nga dreka me speca me gjizë do të kalojmë në gjizë me speca.

Pas këtyre zgjedhjeve, a do të jetojmë më mirë?

Dëshirojmë apo nuk dëshirojmë, zgjedhjet demokratike janë një proces që sjellin ndryshime si në rregullimin e sistemit shtetëror, edhe në atë të qytetarit, mirëpo në Kosovë ato ndryshime janë minimale. Ndryshimet që bëhen në sistemin shtetëror janë radikale dhe të dallueshme, sepse aty do kemi deputetë e ministra që standardi i jetës se tyre dallohet nga larg, ku nga një individ me pagë mesatare shndërrohet në milionerë brenda disa muajve, kurse ndryshimet në standardin e jetës sonë janë të padukshme e të paprekshme. Zgjedhjet e reja sjellin kandidatë ambiciozë të rinj, të cilët nga frika e konkurrencës nga pala kundërshtare do të detyrohen të ndikojnë pozitivisht duke shtruar asfalte të panevojshme, të subvencionojnë ndonjë OJQ të familjeve te tyre politike dhe t’u japin tenderë firmave të veta që nuk kanë përfituar nga qeveria e mëparshme. Këto do të jenë investime me të cilat do të krenohen ata që do fitojnë në zgjedhjet e qershorit. Shtrohet pyetja kush do të fitojë postin e kryeministrit? Nëse ua bëjmë këtë pyetje militantëve dhe kryesive të tri koalicioneve secili do përgjigjet në favor të partisë që i takon.

Me çka dallohet Ramush Haradinaj?

Militantët e koalicionit PDK/AAK/NISMA janë shumë të bindur se Ramushi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, duke u arsyetuar se kandidati i tyre i ka dhënë dy vëllezër për çlirimin e vendit si dhe luftimet heroike të Ramushit kundër sunduesit serb. Glorifikimi më qesharak që Kadri Veseli ia bën Ramushit është kur i pyet qytetarët a doni kryeministër të fortë a të dobët. Kadri Veseli shquhet për thurjen dhe shtrirjen e rrjetit të SHIK-ut dhe po ashtu arritjes së tij në krye të PDK-së, mirëpo në pyetjen e tij publike, ai e konfirmon se Kosovës i nevojitet një njeri i fortë që ua fut tutën të gjithëve, e sipas tij, Ramushi është njëri prej tyre. Si ka guxim Kadri Veseli të mendojë se Kosovës i duhet një kryeministër i fortë që ia kanë frikën të gjithë ?! A do ta zgjedhim kryeministrin që të rrihet me deputetë e ministra? A po menduaka Kadri Veseli se në mbledhjet vendimtare të qeverisë së qershorit Ramushi do të ushtrojë forcën fizike për t’i bindur ministrat dhe deputetët të votojnë sipas qejfit te tij ?! Nëse Kosova paska nevojë për një njeri të fortë, atëherë mund ta bëjmë kryeministër një individ nga Gjilani, i cili këto ditë para kamerave televizive dhe në prani të publikut ngriti traktorin dhe katundarët e tij hipur mbi rimorkio që të gjithë bashkë peshonin 1600kg. Ne të gjithë e dimë se Ramushi është trim, i guximshëm, luftëtar e komandant i dalluar, por këto nuk janë veti që duhet t’i ketë një kryeministër. Nëse jemi në kërkim të një kryeministri të fortë fizikisht dhe që i ka të njëjtat tipare si të Ramushit do ta kemi vështirë të bëjmë seleksionimin, sepse për këtë post do të kishte konkurruar vëllai i gruas sime që ishte ndër snajperët më të dalluar në UÇK, do kishte konkurruar një shok imi nga Luzhani, i cili mund të vritet, por kurrë të frikësohet, e shumë të tjerë. Mirëpo, Ramushi dallohet prej luftëtarëve të tjerë se është në krye të një partie politike dhe ka mundësi të jetë pretendent kryesor që për herë të dytë të marrë postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Herën e parë qëndroi vetëm 100 ditë dhe nga fondi i Qeverisë së Kosovës u zhdukën 100 milionë euro pa guxuar askush të kërkonte llogari. Tentativa e dytë e Ramushit për të qenë kryeministër me siguri që do t’i realizohet, por sa do qëndrojë në këtë post do varet nga rrethana të shumta ndërkombëtare, si dhe dallavere të tjera që do të thuren nga PDK-ja, e cila gjithnjë i ka tradhtuar fillimisht shokët e luftës, e pastaj aleatët me të cilët bënin koalicione. Ramush Haradinaj dallohet nga kandidatët e tjerë se ky është vërtet trim dhe njeri i fjalës dhe i besës. Kur Ramushi thotë “Po” duhet të jemi të sigurt se nuk të tradhton dhe e mban fjalën. Pra, Ramushi nuk tradhton, por nuk ka aftësi të nuhat tradhtinë që i vjen nga njerëzit e tij të afërt, të cilët ia rrisin mendjen me lëvdata e më lajka gjithfarësh.

Kush është Avdullah Hoti?

Kundërkandidat potencial për postin e kryeministrit e kemi edhe Avdullah Hotin nga lista LDK/AKR/ALTERNATIVA, për të cilin partia e tij e reklamon si ekonomist me aftësi të jashtëzakonshme. Kjo parti propagandojnë se Kosova ka nevojë për një kryeministër si Avdullah Hoti. Shtrohet pyetja, se a kemi nevojë që kryeministri ynë të ketë eksperiencën e Avdullah Hotit? Mendoj se partia e LDK-së ka bërë një gabim shumë të madh duke e zgjedhur Avdullah Hotin në krye të listës. Në fakt, Kosova nuk ka nevojë për një ekonomist të tipit Avdullah Hoti, sepse kemi ekonomistë me aftësi si të tij. Për të pasur njohur më të zgjeruar për kandidatin e LDKsë, për kryeministër opinioni ynë duhet të kërkojë informacione në Google, sepse ky është njeri i panjohur dhe pa asnjë veti që dallohet nga shumë profesorë të universiteteve tona. Informacionet në internet që mund t’i gjejmë mbi këtë kandidat janë disa faqe që asgjë nuk na ndihmojnë të na ndërrojnë mendjen se ky është njeriu që i duhet Kosovës për kryeministër. Sikur LDK-ja ta kishte propozuar Vjosa Osmanin, ose Donika Gërvallën do të kishte pasur më shumë sukses t’u kundërviheshin kundërkandidatëve të tjerë. Cilado prej këtyre dy femrave do të kishte fituar bindshëm, sepse opinioni ynë nuk ka nevojë të interesohet të gjejë informata mbi kandidatin përmes internetit, sepse këto ishin zëri i partisë për disa vjet me radhë. Partia dhe shefat e cilësdo parti duhet të mësohen t’i respektojnë kritikuesit dhe atyre që ua thonë parasysh të vërtetën qoftë ajo e hidhur, e jo t’i vlerësojnë ata që parasysh të lavdërojnë e pas sysh ta bëjnë varrin.

Albin Kurti me premtime iluzioniste

Kandidati tjetër që nuk ka asnjë shans praktike të fitojë pozitën e kryeministrit është Albin Kurti, i listës VV. Premtimet e VV-së së Albin Kurtit janë absurde, që nuk përputhen më realitetin objektiv jo vetëm për situatën e shtetit të Kosovës, por janë objektiva utopiste që nuk munden të realizohen në asnjë shtet demokratik të botës. Filozofia e VV-së së Albin Kurtit është iluzioniste, përmes së cilës dëshiron t’i përvetësojë rininë e Kosovës me iluzione se kur ta marrin pushtetin ata, do të bëhet më mirë. Albin Kurti po sillet sikur shteti ynë të ishte një superfuqi ekonomike dhe ushtarake, siç është Rusia, apo siç ishte dikur Gjermania e Hitlerit dhe, sipas tij, Kosova duhet ta dirigjojë botën e jo Kosova t’i përshtatet politikës globale botërore. Në këto kushte të globalizmit botëror nuk ka më liri të pakufishme të asnjë shteti për të ndërtuar sistem totalitar, siç mendon Albin Kurti, që kushdo që është kundër VV-së t’i ngrehin zvarrë gazetarët dhe kundërshtarët, siç kishte deklaruar pak ditë më herët Dardan Molliqaj. Koha kur kanë mundur t’i vrasin kundërshtarët dhe gazetarët, si Bardhyl Ajetin dhe të tjerët, ka përfunduar, sepse sot secila familje ka guxim ta kërkojë vrasësin e birit të tyre. Koha kur kanë mundur t’i vrasin gazetarët dhe kundërshtarët politikë në emër të gjyqit të popullit si tradhtarë ka perënduar, siç ka përfunduar ndërtimi i sistemeve totalitare. Albini dhe çdo kush tjetër e di shumë mirë se posti i kryeministrit i takon partisë fituese dhe duhet të jetë i panegociueshëm. Sipas të gjitha parashikimeve, dy listat e partive të tjera janë në një garë me shanse gati të barabarta, dhe cilado që do të dalë fituese do kërkojnë aleancë me VV-në, mirëpo posti i kryeministrit mbetet i paprekshëm për fituesin. Pse pra VV-ja e Albin Kurtit e mashtron popullin, se Albini do të jetë kryeministër në qeverinë e qershorit?! Përgjigjja është e thjeshtë, sepse VV-ja do t’i vërë kushte specifike partisë më të madhe për krijimin e qeverisë, e cila po ashtu nuk ka për të pranuar t’ia falë këtë post, sepse do të zhgënjehet elektorati i tyre e do revoltohen personalitetet brenda partisë.

Cili është më i duhur për Kosovën?

Duke u bazuar në punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve tre pretenduesit për postin e kryeministrit, do të shohim që secili prej tyre ka anët negative dhe pozitive. Duke u bazuar në faktin se shefat partiakë propozimet për këtë post i kanë emëruar jo në bazë demokratike, populli ynë nuk ka tjetër alternativë, përveç këtyre tre kandidatëve, njëri prej të cilëve do të jetë kryeministri ynë i ardhshëm. Nga tre kandidatë Ramushi është më i përshtatshëm për të marrë vendime për demarkacionin, për ‘Zajednicën’ dhe për gjëra të rëndësishme që i duhen Kosovës. Pra, aktualisht Kosova është kthyer në të njëjtën kohë kur duhej vendosur për flamurin, për himnin e Kosovës. Asokohe kishte shumë propozime që të ishte flamuri i punuar nga stafi i Ibrahim Rugovës, të cilin turpërisht e dogjën disa, dhe e pranuan flamurin të cilin e kemi aktualisht, kishte propozime të bëhej himni kombëtar, dhe në fund shefat e luftës e refuzuan himnin e punuar nga Ilir Shaqiri. Asokohe shefat e luftës u bashkuan për ta pranuar një himn që nuk është himn, dhe një flamur që as Azem Vllasi nuk do ta kishte lejuar. Ju kujtohet koha e AzemVllasit kur sistemi i Milosheviqit në marsin e vitit 1989, kërkonte ndryshime në Kushtetutë dhe ndryshim në flamur. Asokohe personalitetet politike u bashkuan dhe e ndryshuan flamurin duke ia vënë yllin në cep, por nuk ia hoqën shqiponjën. Shefat tanë të luftës e të pa luftës Kosovës ia lanë një flamur pa asnjë shenjë kombëtare dhe një himn që i ngjan më shumë një muzike klasike të Mozartit apo Betovenit pa asnjë tingull shqiptar.

(Kosova Sot)

Disa qasje nga historiografia shqiptare mbi Fan Nolin

0

Shkruan: Liridon Agushi

Fan Stilian Noli padyshim është një nga figurat më të shquara dhe më erudite që ka historia e Shqipërisë, i cili si i tillë ka, zgjuar interesimin e shumë studiuesve të historisë, të huaj e shqiptarë, për ta trajtuar në suaza shkencore këtë figurë kombëtare. I lindur më 6 janar 1882 në Ibriktepe të Trakësi, Fan Noli do të bëhej një personalitet i shumanshëm që u shqua në shumë fusha. Noli u shqua si: shkrimtarë, poliglot, orator, politikan, historian dhe teolog. Mes tjerash, ai ishte në diplomat i zoti, një debatues i fort dhe një njohës i shumë gjuhëve të botës si: greqisht, latinisht, turqisht, anglisht, frëngjisht etj. Shikuar në prizmin e historiografisë shqiptare, figura e Fan Nolit mundë të themi, se është një nga figurat më komplekse të historisë së Shqipërisë.

Figura e Nolit si politikan dhe Nolit si patriot, janë si dy anë të një medalje. Një gjë të tillë lë të nënkuptohet vlerësimi i një pjese të madhe të studiuesve. Kështu Sejfi Vllamasi bashkëkohës dhe kundërshtar politik i Nolit shprehej, në : ”Unë përulem me respekt përpara shërbimeve të tij. Por unë nuk kam punë me këtë vigan letrar dhe krijuesin e kishës autoqefale që varrosi ëndrrat greke për grabitjen e Shqipërisë së Jugut. Unë kam punë me Nolin si politikan, i cili në fushën e politikës i ka bërë dëm çështjes”. Në të njëjtin pozicion vlerësimi qëndron edhe një tjetër bashkëkohës i Nolit, Teki Selenica që shkroi veprën “Shqipëria më 1927” gjatë vitit 1928.

 

Teki Selenica në librin në fjalë jep një vlerësim për figurën e Nolit si një historian dhe si një bashkëkohës. Selenica duke qenë “vëzhgues” i ngjarjeve në një formë, potencon gabimin e dështimit të Nolit si politikan, për ta quar deri në fund idenë e reformës agrare. Libri në fjalë fokusohet në statistika të gjendjes ekonomiko-shoqërore, për të argumentuar nevojën për reformat imediate që nuk ndodhën në kohën e qeverisjes së Fan Nolit.

Megjithatë, diçka duhet të kemi parasysh, se konkluzionet, edhe të Selenicës edhe të Vllamasit janë vlerësime që vijnë nga njerëzit që kanë jetuar në kohën e Nolit, sado që janë një vlerë e shtuar në historiografinë shqiptare, sipas mendimit tim ato duhet të trajtohen më profesionalisht. Kujtojmë, që Selenica dhe Vllamasi ishin personalitete, që në një formë ose tjetër, ishin pjesë e politikës shqiptare të kohës. Duke e pasur një pozicion politik të caktuar, ka gjasa që të dëmtohet objektiviteti historikë kur sillen konkluzione të caktuar, sepse vlerësimi si oponent politikë dhe si personalitet i historisë, janë dy gjëra që në një masë të caktuar nuk përkojnë me njëra-tjetrën.
Pak a shumë në të njëjtën linjë janë dhe studiuesit tjerë shqiptarë, të cilët bëjnë vlerësime të ndryshme të figurës së Fan Nolit, kur bije fjala për Nolin si politikan dhe Nolin si patriot.

Përjashtim prej kësaj vije, ndoshta mundë të themi se bënë studiuesi i mirënjohur shqiptar Aleks Buda, i cili shprehte vlerësime maksimale për figurën e Fan Nolit në tërësinë e saj. Aleks Buda i jep me të drejtë merita të jashtëzakonshme Fan Nolit, për procesin shkëputjes së ortodoksisë shqiptare nga Patriarkana, duke siguruar në këtë mënyrë pavarësinë kishtare nga ajo. Sipas Budës ky ishte një hap i madh dhe i domosdoshëm që i doli përballë politikës shkombëtarizuese greke, me qëllim të aneksimit të Shqipërisë Jugore. Ndërsa do ta quante Nolin burrë shteti, politikan e udhëheqës politik, prof. Buda do të shihte në këtë figurë edhe disa mangësi që në konceptin e tij “mund të konsiderohen, si një aspekt që i nënshtrohet më tepër realitetit të kohës. Po ashtu, studiuesi Arshi Pipa e ka parë Nolin si një figurë të rëndësishme të politikës shqiptare por që nuk e çoi misionin e tij politik dhe kombëtarë deri në fund. Sipas mendimit të tij “ të bësh revolucion dhe të qeverisësh një komb janë dy gjëra të ndryshme. Noli ishte mjaft i përshtatshëm për të parën, por jo për të dytën”. Ndërsa akademiku Rexhep Qosja, në librin “Shkrimtarë dhe periudha” ndan mendimin se “ Noli ka dështuar si demokrat dhe ne e kemi humbur demokracinë në kohën kur atë nuk e kanë pasur as popujt e tjerë të Ballkanit”.

Ndërsa ka edhe nga ata që tek cilësit e Nolit shquajnë aftësitë dialoguese dhe diplomatike të tij. Një gjë të tillë e targeton historiani i njohur Paskal Milo, i cili me një kumtesë me titullin ”Fan S. Noli si diplomat” , në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave në Shqipëri, me rastin e 90 vjetorit të qeverisjes së tij, shpreh vlerësim për oratorin dhe shumanshmërinë, në kuptimin pozitiv, e Nolit në këtë fjalim. Por megjithatë duhet theksuar se P. Milos më shumë përshtypje i bënë angazhimi diplomatik i Nolit gjatë vitit 1920, që u kurorëzua me suksesin e anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve.

Ndërsa sa i përket kryeveprës politike të Nolit, “Revolucionit të Qershorit”, historianët përgjithësisht në tekstet e tyre e kanë vlerësuar më herët dhe vlerësojnë tani si të tillë, por ka edhe nga ata që nuk është i pajtimit me këtë përcaktim. Duhet thënë se si term, i shkonte përshtati historiografisë në kohën e komunizmit. Ndryshe nga që ishte e zakonshme në këtë kohë, kohën e komunizmit, historiani Tajar Zavalani, ka një qasje më kritike ndaj revolucionit të qershorit, ai pik së pari nuk është dakord që të quhet revolucion ngjarja në fjalë, ku thotë: “Ky përcaktim nuk është aspak i drejt. Revolucioni ndodhë kur një popull i tërë qohet peshë dhe lufton me armë për të rrëzuar regjimin që është në fuqi, me qëllim që me krijuar një formë të re shoqërore nga pikëpamja e administratës shtetërore, ndarjes së pasurisë, punimit të tokës, të industrisë, të arsimit dhe kulturës. Asnjë nga këto nuk u vërtetua në Shqipëri më 1924 dhe prandaj nuk mundë të bëhet fjalë për revolucion”

Sa i përket anës fetare të Nolit, në periudhën para komunizmit, ajo është vlerësuar lartë si një shembull i një prijësi fetarë që i kontribuon çështjes kombëtare pavarësisht divergjencave religjioze në masën e gjerë. Ndërsa në periudhën e komunizmit, fetarizmi i Nolit konsiderohet si një përcaktim i rrethanave të kohës, se sa një thirrje nga brendia e vetë Nolit. Një gjë të tillë e thotë Aleks Buda në librin e botuar nga Akademia e Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, mbi veprën e Fan Nolit. Mes tjerash, nga ana e Budës thuhet: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe(politikë dhe fetar)”.

Si konkluzion mundë të themi se, Fan S. Noli është pa dyshim një ndër personalitetet më të shquara të historisë kombëtare shqiptare. Si i tillë Fan S. Noli jo pakë tërhoqi vëmendjen e historiografisë shqiptare dhe jo vetëm. E tërë veprimtaria e tij si, publicist demokrat, orator njohës i mirë i fjalës së shkruar e të folur shqipe, politikan me një potencial të fuqishëm, iu kushtua jo vetëm mbrojtjes së interesave kombëtare por ashtu edhe luftës për ndërtimin e demokracisë së shtetin të ri shqiptar, gjë të cilën ja vlerëson historiografia shqiptare.
Pavarësisht ngarkimit të mundshëm ideologjikë që mund të ketë pasur figura e Nolit në një periudhë të caktuar, prapë se prapë mund të themi se, e tërë veprimtaria e tij, i bëri ballë kohës dhe mbeti e dokumentuar edhe në historiografinë e sistemit komunist, por edhe më herët, ashtu si edhe sot si një nga personalitetet më të shënuara të historisë. Në këtë kontekst, historiografia shqiptare konsideron se, Noli është përcaktuar si protagonist kryesor i një ndërmarrje të rëndësishme historike që paralajmëroi falimentimin e një rendi me tipare të forta mesjetare dhe bëri përpjekje për ndërtimin e shtetit demokratik.

Syla: Sallat plot nuk tregojnë sa ka vota një parti

0

Drejtori i Informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, në Zonën Zgjedhore, ka thënë se numri i njerëzve nëpër tubime(të partive të ndryshme), nëpër salla, në qytete të ndryshme, nuk mund të merren si bazë për një projektim të votave që ato mund t’i mbledhin në zgjedhje.

“Sallat plot nuk janë indikator i përkrahjes që mund të ketë një parti politike. Sic nuk janë as pëlqimet në rrjete sociale, e të ngjashme. Vota kërkon angazhim fizik në një ditë të caktuar, në një kohë të caktuar”.

Ai më pas ka komentuar fjalimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, në Podujevë, gjatë së cilit ai bërë një varg premtimesh, pa harruar të përmend kontriubutin që ky qytet ka dhënë në rrugëtimin e vendit drejt lirisë.

Syla është ndalur edhe tek emri që Veseli përdori për Podujevën – Besianë – duke e cilësuar si një vazhdim të tendencës të ‘krahut të luftës’ për ta realizuar këtë ndryshim, në raport me atë ‘të paqes’ që ka dashur ta mbajë të pandryshuar.

Kurti në Prizren: Vetëvendosja në Qeveri nuk do pasurohet nga politika

0

Kandidati për kryeministër vendi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë shpalosjen e programit të tij qeverisës në tubimin e radhës elektoral në kuadër të fushatës zgjedhore.

Albin Kurti para qytetarëve të Prizrenit, ka dhënë premtime se pas 11 qershorit do të ketë politikanë të dëgjueshëm për qytetarët derisa shtoi se qershori, do të jetë muaji i fitores së Vetëvendosjes, përcjellë Klan Kosova.

Tutje Kurti pohoi se me qeverisjen e Vetëvendosjes në mandatin e ardhshëm, asnjë nga politikanët nuk do të pasurohet nga politika.

”Pas 11 qershorit nuk do ketë më qytetarë të dëgjueshëm ndaj politikanëve, por politiaknë të dëgjueshëm ndaj qytetarëve. Qershori është muaji i qershive, qershori do të jetë dhe qershori i fitores së Vetëvendosjes”.

”Jemi në finale dhe po shënohen koshat e fundit në ndeshje. Diferenca po ngushtohet. Të gjithë po zbresin ne po ngritemi. Politikanët e Vetëvendosjes asnjëherë asnjëri nuk do të pasurohet nga politika”.

”Fushtat e dy koalicioneve është fushatë për harresë. Vetëvendosje edhe nuk i harron plagët e popullit por edhe i shëron ato nga e kaluara. Ka politikanë që kanë bërë gabime duhet të pensionohen, e ata që kanë bërë krime duhet të gjykohen”.

”Vetëvendosje është subjekti i progresit. Pas 11 qershorit do ta kemi qeverinë e parë progresive në Kosovën e pasluftës, Republikën e pasluftës. Qeveria e Vetëvendosjes do kujdeset edhe për personat me aftësi të kufizuar. Këta të koalicioneve nuk mund t’i përbushin premimet. Ne mund t’i përmbushin premtimet tona sikurse kemi bërë me Prishtinën. Ne do t’i përmbushim edhe premtimet e tyre, ndonjërin që është i arsyeshëm apo ndonjë që ata e kanë kopjuar tek ne”.

”Ata do të humbin më 11 qershor dhe secilën ditë të lume pas kësaj dite. Më 11 qershor do t’i lodhim koalicionet”.

Kur Anton Quni i rrinte gatitu Ramush Haradinajt (Foto)

0

Anton Quni ishte treguar i ashpër me komandantët e luftës së UÇK-së ditën kur u shpërbë parlamenti. Shumëkush këtë e kishte parë si një reagim të befasishëm nga Quni, pasi që i njëjti kishte pasur rol udhëheqës në UÇK dhe ishte treguar i matur.Këtë reagim të Qunit e kishin parë edhe si “hyrje në hatër” të Isa Mustafës për ta futur në listën e LDK-së për deputet.

Dhe kështu doli, pasi që më Qunit nuk i është “dëgjuar zëri”, shkruan lajmi.net.

Anton Quni ka qenë vartës i Ramush Haradinajt në Zonën Operative të Dukagjinit. Ai dhe Rrustëm Berisha i janë përgjigjur Haradinaj, i cili në zgjedhjet e 11 qershorit është kandidat për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Në një fotografi të papublikuar më parë shihet se si Quni i rri gatitu Haradinajt, bashkë me Rrustem Berishën.

Mungesa e kulturës në fushatë

0

Bardh Frangu

Dihet se kultura është fenomen kompleks dhe term i gjerë, po në këtë rast mund t’i referohemi pranisë së saj në fushatën paraelektorale si pjesë e politikës, përkatësisht politikave që na ofrojnë partitë, të cilat garojnë për të marrë pushtetin.Sigurisht që mungesa e projekteve, ideve dhe në përgjithësi mungesa e politikave për këtë fushë kaq të rëndësishme shoqërore, dëshmon më së mirë edhe për nivelin kulturor të subjekteve politike dhe pjesëmarrësve në të.

Kjo mbase shpërfaqet në formë shqetësuese për të ardhmen e këtij vendi, ndërsa çdo gjë dominohet nga logjika e kapjes së pushtetit e jo nga ajo e bërjes së shtetit. Fushata paraelektorale dominohet nga premtimet në formë mashtrimi e që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me ngritjen e pagave dhe të mirave tjera materiale që drejtpërsëdrejti prekin interesin e votuesit, i cili duhet ta delegojë vullnetin e tij tek ta në formë kontrate besimi.

Për vetë faktin se gënjeshtra ka shtruar pushtet absolut mbi të vërtetën, nënkuptohet se kultura, ruajtja dhe kultivimi i saj është në një derexhe të madhe, sepse vetë kultura identifikohet me të vërtetën, etikën dhe moralin në përgjithësi. Ne tani po e jetojmë një krizë të thellë morale. Brenda kësaj krize janë rrezikuar të gjitha vlerat, pra edhe ato materiale, siç janë objektet e ndryshme të trashëgimisë, etj. Ndërsa kur është në pyetje kultura shpirtërore, sigurisht që e para në mendje na bie gjuha. Mjafton t’i dëgjoni folësit nëpër fushata, debatuesit nëpër medie elektronike, e në veçanti programet e televizioneve tona dhe të shihni sa shpërfillës jemi kundrejt kësaj. Po të kaloni nëpër qendrat e qyteteve tona dhe të shihni emrat e dyqaneve dhe në veçanti të kafiterive, të krijohet bindja se këtu shqipja nuk flitet fare; shumicën absolute të tyre i keni në gjuhën angleze!

Instalimi i logjikës së gënjeshtrës, si forcë e dominimit të pushtetit, ka prodhuar indirekt edhe krijues, përkatësisht mashtrues të prodhimit të kulturës, sikundër që ka prodhuar grupe dhe klane të strukturuara mbi bazë të politikave që përcaktojnë partitë me forcën e pushtetit. Edhe në ish sistemin e njëmendimësisë ka qenë praktikë që nga njerëzit e politikës të mbahet e kapur kultura, por modelet e kohës sonë dalin të jenë më të ashpra dhe më ngulfatëse ndaj kulturës.

Nëse themi se zhvillimet tona kulturore dominohen nga prodhimet tallava, tallava reflekton të jetë edhe politika. Kështu degradimet në kulturë drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në degradimet në politikë. Dhe për sa kohë do të sillemi kështu ndaj kulturës, veç sa do ta rrisim krizën morale që ka mbërthyer këtë vend. Ndërsa çdo gjë është politizuar si ka mundësi që kulturën ta shohim si hapësirë të lirë, kur mund të prodhohen vlera në dobi të përgjithshme, për më tepër në një vend si ky i yni, ku vetëdija për interesin publik jo që nuk është kultivuar, por është rrënuar!?

Për sa kohë politika troket me oferta në barkun tonë e jo në kokat tona, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë hapësirë kënetishte, nga e cila zor se ka për të na nxjerrë kush.

LDK: Thaçi përfshihet në fushatë, në Prizren

0

Lidhja Demokratike e Kosovës, po pretendon se presidenti i vendin Hashim Thaçi është përfshire në fushatën zgjedhore.

Në një komunikatë dërguar mediave, LDK thotë se Thaçi është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryeziut, zyrtar i lartë i PDK-së në këtë komunë.

LDK vlerëson se nuk ka asnjë shpjegim objektin qe e arsyeton parinë e presidentit nëpër aktivitet jozyrtare.

“Kabineti i Presidentit të Kosovës, për të martën, kur është zhvilluar “vizita” e Hashim Thaçit në Prizren, nuk ka njoftuar për asnjë aktivitet zyrtar të tij.

Siç duket, vërejtja publike që iu bë atij nga LDK dhe shoqëria civile e mediat, për denoncim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Thaçi të mos e vazhdojë fushatën e tij në mbështetje të PDK-së nëpër shkolla”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së, drejtuar mediave, transmeton ‘Indeksonline’.

Kjo është komunikata e plotë e LDK-së:

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryziut, zyrtarit të shkarkuar të komunës së Prizrenit, pas publikimit të “Dosjes Pronto” dhe një serie skandalesh të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por të shpërblyer prej pasuesit të Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veselit, me një pozitë këshilltari në kabinetin e tij të stërmadh si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Njazi Kryziu, për më tepër, është një prej drejtuesve të PDK-së në Prizren.

Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilës të martën i ka mbërritur kjo fotografi nga një qytetar i Prizrenit, të kulturës dhe traditës, shpreh shqetësimin se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kundërshtim me mandatin e tij kushtetues, po vazhdon të përfshihet në fushatën parazgjedhore në Kosovë, në përpjekje për t’u dalë në ndihmë bashkëpartiakëve të tij të PDK-së.

LDK konsideron se nuk ka asnjë shpjegim objektiv që e arsyeton praninë e një Presidenti të shtetit nëpër aktivitete jozyrtare, në kohë fushate dhe me eksponentë të njohur të një subjekti politik. Sigurisht PDK-së.

Kabineti i Presidentit të Kosovës, për të martën, kur është zhvilluar “vizita” e Hashim Thaçit në Prizren, nuk ka njoftuar për asnjë aktivitet zyrtar të tij.

Siç duket, vërejtja publike që iu bë atij nga LDK dhe shoqëria civile e mediat, për denoncim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Thaçi të mos e vazhdojë fushatën e tij në mbështetje të PDK-së nëpër shkolla.

Por, ai tashmë, fshehtas, siç dinë të punojë ai dhe bashkëpartiakët e tij, po mundohet ta shpëtojë PDK-në dhe satelitët e saj nga humbja e zgjedhjeve.

LDK kërkon nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë që të ushtrojnë ndikimin e tyre, për të penguar Thaçin që të keqpërdor institucionin e Presidentit për interesa të ngushta politike, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Por, LDK dhe partnerët e saj të koalicionit, të mbështetur nga qytetarët e Kosovës, më 11 qershor do ta qesin në opozitë Koalicionin e Mesnatës.

Kurse Thaçit do t’i duhet të japë përgjegjësi për ndërhyrjet e tij të shumta në punë që nuk i takojnë një Presidenti të shtetit.

Prizren, Prishtinë,

Nis restaurimi i postës së parë në Prizren

0

Realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa – monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa, zbatimi i punimeve në këto ndërtesa po bëhet nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, sipas projekteve dhe planeve teknike të miratuara nga Komisioni për Vlerësimin e Projekteve restauruese – konzervuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Në kuadër të zbatimit të aktiviteteve konservuese – restauruese për vitin 2017, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar me ndërmarrjen e masave të riparimit emergjente në ndërtesat-monumentet arkitekturale të rrezikuara, në zonën historike të Prizrenit dhe objektet tjera që gjendën në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme.

Realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa – monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa, zbatimi i punimeve në këto ndërtesa po bëhet nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, sipas projekteve dhe planeve teknike të miratuara nga Komisioni për Vlerësimin e Projekteve restauruese – konzervuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Ndërtesa e Postës së parë të Prizrenit gjendet në pjesën jugore të Prizrenit, në lagjen e ashtuquajtur “Saraj”. Ndërtesa në fjalë ka vlerë historike si Posta e parë e qytetit e cila është themeluar gjatë shek. XIX. Bazuar në dokumentet e vjetra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë kohës Posta ka shërbyer për dërgimin dhe pranimin e peticioneve, lajmeve dhe konfirmimeve të rëndësishme që ndërlidhen me ngjarjen e rëndësishme historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Duke u bazuar në dokumentet arkivore dhe në hartat e vjetra, rrjeti i parë telegrafik Prizren – Shkup është iniciuar nga Valiu i Shkupit në vitin 1864, dhe është përfunduar ndërtimi i postës së bashku me të gjitha aparaturat deri në vitin 1870.

Programi i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve i cii po implementohet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të aktiviteteve konservuese/restauruese, përfshin ndërmarrjet e masave riparuese emergjente për monumente arkitekturale që janë në gjendje teknike të dëmtuar dhe të rrezikuara.

Ky angazhim institucional do vazhdoj tuje në rikthimin e identitetit kulturor dhe historik të qytetit të Prizrenit./

Aksident i rëndë në Autostradë

0

Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 8:00 në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas një fotografie të dërguar në KALLXO.com nga një qytetar shihet një veturë e rrokullisur.

Qytetari ka raportuar se aksidenti ka ndodhur në zonën e Prizrenit.

Sipas asaj që shihet në foto, vetura është me tabela regjistrimi të Shqipërisë.

Po ashtu, shihet se në vendin e ngjarjes ka dalë Policia dhe automjeti që tërheqë veturat e aksidentuara ose me defekt.

Në 190-vjetorin e lindjes së Kristoforidhit, “Gjahu i malësorëvet” vjen i digjitalizuar

0

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Kostandin Kristoforidhi, fton publikun të njihet me editimin dixhital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht.

Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë. BKSH ka përzgjedhur për lexuesit e saj botimin e vitit 1950, përgatitur nga studiuesi i mirënjohur Ziaudin Kodra.

Ky botim jep mundësinë të kryhet leximi paralel në dy dialektet si dhe të shijohet eleganca gjuhësore dhe mjeshtëria e penës së autorit. Tashmë “Gjahu i malësorëvet” mund të shfletohet online në faqen zyrtare të BKSH (www.bksh.al) dhe të shkarkohet në çdo pajisje elektronike si kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet, kudo dhe kurdo.