Home Blog Page 5939

Sot hapet Panairi i Librit në Prishtinë

0

Po finalizohen përgatitjet për pasditen e së martës, kur me fillim nga ora 18:00, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, do të hapet edicioni i 19-të i Panairit të Librit. Këtë vit do të prezantohen rreth 1100-1200 tituj të rinj, kurse numri i titujve të viteve të fundit shkon deri në rreth 4000, shkruan sot, gazeta Zeri.

Një ditë para hapjes së panairit organizatorët ishin të ngarkuar me çështjet teknike. Besian Zeneli, përfaqësues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” tha se beson se edhe sivjet, përkundër vështirësive, ky panair do të rezultojë i suksesshëm.

“Tash pak kohë para hapjes po merremi më shumë me punët teknike, të cilat duhet t’i përfundojmë në mënyrë që të nisim për së mbari ditën e parë të panairit. Një pjesë e botuesve kanë mbërritur paraditen e së hënës, ndërsa pjesa tjetër do të arrijë më vonë. Ne kemi lajmëruar paraprakisht më herët edhe Doganën e Kosovës dhe të gjitha instancat që të krijojnë lehtësime dhe punët të mbarojnë sa më shpejt. Besoj që gjithçka do të kurorëzohet mirë me hapjen që do të bëhet në ora 18:00”, tha për “Zërin” Zeneli.

Në anën tjetër, si për organizatorët, edhe për botuesit kosovarë, muajt para hapjes së Panairit të Librit në Prishtinë, kanë qenë të ngarkuar me punë për finalizimin e botimeve të reja që do të prezantohen në këtë edicion.

Artin Ahmeti, nga “Artini dhe Toena”, që përfshin gjashtë shtëpi botuese, tregon për “Zërin” se sivjet ata do të prezantojnë rreth 50 tituj të rinj.

“Nga botimet ‘Dudaj’ sivjet veçohet fituesi i çmimit Nobel 2013, Alice Munro – ‘Armik, mik i dashur’. Nga ‘Toena’ libri i fundit i Paulo Coelho – ‘Dorëshkrim i gjetur në Akra’, nga ‘Omsca’ librin ‘Një burrë i quajtur Uve’ i Fredrick Backman. Prej botimeve të Institutit Albanologjik sjellim ‘Shqipja standarde dhe problemet rreth saj’ e Isa Bajçincës’ kurse nga botimet ‘Artini’ librin ‘Përtej syve’ nga Përparim Blakaj”, theksoi Mehmeti.

Në anën tjetër është paralajmëruar se në kuadër të botimeve “Koha” do të prezantohen 120 tituj, 8 prej të cilëve janë të rinj. Ata janë: “1Llogot e Kosovës” – Luan Tashi, “Kufijtë në dëm të shqiptarëve” – Zejnullah Gruda, “Historia e pa rrëfyer e mustaqeve të zotit president” – Virgjil Muçi, “Fillimi i një fundi” – Majlinda Bregasi, “Monument” – Artan Krasniqi, “Mbretëresha e Malësisë Edith Durham” – Marcus Tanner, “Muhamedi, një profet për kohën tonë” – Karen Amstrong dhe “Gorillat që s’i pamë” nga Veton Surroi.

Disa biografi të emrave të njohur bashkëkohorë i sjell në këtë panair shtëpia botuese “Pema”.

“Tituj të veçantë të këtij panairi nga shtëpia botuese ‘Pema’ janë botimet e biografive të emrave të njohur bashkëkohorë, por edhe shkrimtarëve klasikë, si Biografia e Malala Yousafzai, biografia e Elon Musk dhe shënimet autobiografike të George Orwell, janë prurjet e ‘Pemës’, ekskluzivisht për panair. Mandej, autori Malcolm Gladwell, vjen me 3 tituj, ‘Davidi dhe Goliati’ që është botuar ekskluzivisht për panair dhe ‘Pika e kthesës’ e ‘Blink’ qe janë botuar në intervalin kohor prej panairit të kaluar”, tregon botuesi i “Pemës”, Edon Zeneli.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, në prag të jubileut të 20-të do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore. Këtë vit në këtë panair do të kremtohet 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, 100-vjetori i lindjes së Sotir Cacit, 100-vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit, 100-vjetori i lindjes së Heinrich Böll, 100-vjetori i lindjes së Sidney Sheldon, 100-vjetori i lindjes së Robert Loëell, 100-vjetori i lindjes së Huan Rulfo, 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut, 80-vjetori i lindjes së Ali Sutajt dhe 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Panairi do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00.

Si zakonisht, Shoqata e Botuesve të Kosovës do të organizojë edhe darkën solemne të Panairit të Librit, ku do të jepen çmimet sipas vlerësimit të jurisë speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar, si dhe do të shpallen “Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, por edhe “Stenda më e vizituar e panairit”.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga ora 9:00-20:00, kurse hyrja për vizitorë do të jetë falas.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Edicioni i parë i tij është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët janë organizuar çdo herë gjatë muajve maj-qershor.

Mjekë e infermierë amerikanë vizitojnë Suharekën

0

Sipas njoftimit të Zyrës komunale të informimit, grupi prej 23 mjekëve e infermierëve amerikanë në kuadër të qëndrimit njëjavor në Kosovë kanë vizituar Komunën e Suharekës.

Në njoftim theksohet se udhëheqësi i organizatës “Kosovo Hope”, Berat Gegaj, përmes të cilit është realizuar kjo vizitë e mjekëve amerikanë, ka bërë të ditur se ky është viti i dytë me radhë që mjekët nga SHBA-ja e vizitojnë Kosovën dhe Suharekën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por kësaj here, sipas tij, do të nënshkruhet memorandumi për dërgimin e mjekëve kosovarë në Amerikë. Ai ka shtuar se këta punonjës shëndetësorë kanë ardhur për të mbështetur mjekësinë dhe banorët e Suharekës.

Rusia do destabilizimin e Ballkanit

0

“Agjentët dhe diplomatët rusë janë përpjekur prej gati një dekade të përhapin propagandën e Moskës e të shkaktojnë destabilizim në Ballkan, e sidomos në Maqedoni”, shkruan “The Guardian”, duke cituar për këtë pohim të sajin, dokumente sekrete të shërbimit rus të inteligjencës, të cilat kanë rënë në duart e gazetës prestigjioze.
Dokumentet u zbuluan fillimisht nga Organizata Botërore për Raportimin e Korrupsionit (OCCRP), që e ka ndarë më pas informacionin me “The Guardian”.

Gazeta shkuan se këto dosje dokumentojnë faktin që shërbimi sekret rus, në bashkëpunim me serbët, ka punuar në mënyrë aktive për destabilizimin e rajonit, raporton “tch”.

Fokusi shumëvjeçar i tyre ka qenë në mënyrë të veçantë Shkupi, ku sipas transkripteve të botuara nga e përditshmja britanike, prej vitesh po punohet me metoda të ulëta që të krijohet konflikt etnik dhe politik, me qëllimin të vonohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Dokumentet tregojnë se Moska i ka shtuar tentativat për ndikim në shtetet e ish-Jugosllavisë. Qëllimi kryesor i Kremlinit është të ndalohet bashkimi i këtyre vendeve me aleancën atlantiko-veriore dhe të mbahen sa më larg ndikimit të Perëndimit.

Aty tregohen edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët prorusë dhe antiperëndimorë në Maqedoni. Operacionet për rritjen e ndikimit rus nisën në vitin 2008, kur Greqia bllokoi përpjekjet e Shkupit për anëtarësim në NATO, pas mosmarrëveshjeve të emrit.

“Kremlini, – thuhet në njërin prej dokumenteve të zbuluara nga shërbimet maqedonase të inteligjencës, – synon të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me shtetet e Ballkanit dhe kërkon po kështu ta kthejë Maqedoninë në varësinë e tij”.

Dosjet tregojnë edhe sesi funksionon rrjeti i agjenturës. Tri agjentë të shërbimit të jashtëm sekret rus “SVR” janë të vendosur në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni i këtij shërbimi në Beograd. Ambasada e Rusisë në Maqedoni ka në radhët e saj 4 agjentë të “GRU”-së, agjencia ushtarake ruse e inteligjencës. Veprimet e tyre koordinohen nga baza e “GRU”-së në Sofje.

‘Armiku i popullit’ në Teatrin Profesionist të Prizrenit

0

Kryevepra e dramaturgut të njohur botëror Henrik Ibsen ‘Armiku i popullit’, e adaptuar nga dramaturgu amerikan Arthur Miller, do të jetësohet në Teatrin Profesionist të Qytetit të Prizrenit nga regjisori i njohur shqiptar Fatos Berisha, shkruan KultPlus. Kjo shfaqje është në përgatitje e sipër, gjersa përbëhet nga aktorë të Prizrenit dhe aktorë nga Prishtina.

 Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Shpetim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, Alban Çela, Alban Krasniqi, Afrim Muçaj, Zana Duraku, Hajat Toçilla, Alban Morina, Edona Sopaj, Rifat Smani, Fetah Paçarizi dhe Ernest Malazogu. Kostumet e shfaqjes do të realizohen nga Samka Ferri, skenografia nga Petrit Bakalli, ass.regjie Kaltrim Balaj ndërsa përkthimi i tekstit është bërë nga Lekë Berisha.

Shfaqja pritet të dalë në javën e parë të korrikut me premierë ndërsa regjisori Fatos Berisha, së fundmi ka realizuar edhe disa shfaqje të tjera mjaft të suksesshme nëpër teatrot e qyteteve të Kosovës./ KultPlus.com

 

Sting me koncert në Shkup

0

Këngëtari i njohur botëror Sting do të prezantohet me koncert në Shkup, shkruan KultPlus.

Rave Travel dhe Avalon Production organizator te këtij koncerti kane njoftuar për këtë koncert nëpërmjet facebook, dhe sipas kësaj faqeje, koncerti do të mbahet më 15 tetor.

Therandë, molotov në tubimin e Vetëvendosjes (Video)

0

Në fshatin Studenqan të Therandës pati një incident mbrëmjen e kaluar.

Në Vetëvendosje thonë se dikush i sulmoi me lëndë shpërthyese, njofton Klan Kosova.

Policia është duke u marr me rastin ku janë identifikuar dy persona.

 

Luta në Malishevë: Kosova nuk është plaçkë e askujt, por e qytetarëve

0

Me surle e tupana e kanë mirëpritur sot kryetarin Lutfi Haziri dhe kandidatët për deputet të LDK-së, Malisheva e Epërme, Malisheva e Poshtme dhe Capari, në një tubim madhështor, ku salla e shkollës ishte e vogël për t’i zënë të gjithë simpatizantët e partisë së Ibrahim Rugovës.

Kryetari Lutfi Haziri, është emocionuar tejmase me këtë masovitet dhe këtë pritje të jashtëzakonshme të malishevasve.

“Malisheva vec po bëhet më madhështore dhe më solidare. Para juve po ju them se është sevap me i denu ata që i bënë keq Kosovës sepse Kosova nuk është plaçkë e askujt, por është e qytetarëve, baballarëve, mësuesve e mjekëve. Ne duhet t’i kthehemi punës e jetës dhe të mos merremi me mburoja politike e memoriale. Gjilani e Kosova nuk i duron ‘Ali Babat’ me 40…”, tha Haziri.

Kandidatja Lirije Kajtazi, e cila është lindur në Malishevë, i falënderoi ata për këtë mikpritje, duke thënë se “ne jemi të fortë me njerëz si ju dhe bashkë me kolegët e mi do ta marrim rrugën e Kuvendit. Shkronjat e arta të LDK’së duhet ta udhëheqin shtetin”.

“Ata që e ndërprenë këtë punë të mirë tonën, besoj fuqishëm se do ta marrin denimin e merituar të dielën, në ora 19:00. Ju falënderoj shumë për mbështetjen”, ka thënë nga ana e tij, kandidati i LDK-së, Dr.Imet Rrahmani.

Ndërsa, kandidatja Valentina Bunjaku Rexhepi, u shpreh të jetë shumë krenare që është në mesin e malishevasve, duke i falënderuar për këtë përkrahje kaq të madhe. “Lista e LDK nuk ka njerëz që kanë dosje, sikur të tjerët”, tha ajo.

Kandidati tjetër nga radhët e LDK’së në Gjilan, Isa Agushi, theksoi se “ne jemi ushtria Ibrahim Rugovës, e cila u çu në këmbë për ta fituar Kosovën”.

Malishevasve i është drejtuar në fund edhe kandidati i LDK-së nga Novobërda, Bajrush Ymeri dhe ai i koalicionit, Avdil Halimi, të cilët i bënë thirrje të gjithëve që të votojnë kandidatët e Anamoravës.

Lirohet mafiozi i famshëm Totò Riina, kreu i Cosa Nostra-s

0

Totò Riina mund të lirohet nga burgu për “të vdekur me dinjitet”.

Gjykata e Lartë në Itali pranoi për herë të parë kërkesën e palës mbrojtëse të ish kreut të Cosa Nostra-s, tashmë 87 vjeç dhe me disa sëmundje të rënda, për shtyrje të dënimit ose konvertim, për ta kryer në banesë.

Mbrojtja argumentoi se tashmë Riina, i dënuar me burg përjetë, nuk është më i rrezikshëm për shoqërinë për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore, raportojnë mediat italiane.

“E drejta për të vdekur me dinjitet i takon çdo të burgosuri” vlerësoi Gjykata e Lartë, që me pranimin e kërkesës i hap rrugë lirimit nga qelia të një prej mafiozëve më të njohur të historisë botërore. Tashmë, vendimi final për të lënë të lirë ish “kokën” e Cosa Nostra-s i takon Gjykatës së mbikëqyrjes në Bologna.

Kjo e fundit, më 22 mars refuzoi konvertimin e dënimit të ish mafiozit. Në këtë vendim, sipas Gjykatës së Lartë, nuk është marrë parasysh gjendja e përgjithshme e të burgosurit dhe kushtet e tij që sa vijnë e përkeqësohen.

Atyre që sot do ta kremtonin ditëlindjen

0

Prof.dr. Sabahajdin Cena

(Pjesë nga ditari “Kronikë nëpër stuhi” )

5 qershori
Në ditën e sotme të vitit 1952, në Kabash u lind Murat Esat Kabashi, i përjetësuar më 17 mars të vitit 1999 në luftimet e Kabashit, ndërsa më 1957 në Ticë të Skënderajt, Muharrem Rexhë Zeneli, i përjetësuar më 16 maj të vitit 1999. Në Xërxë të Rahovecit, më 1963 u lind luftëtari Hamëz Ali Thaçi, i përjetësuar në Frontin e Koshares më 20 prill të vitit 1999.

Në Rogovë të Hasit, në këtë ditë të vitit 1971 u lind dëshmori Shaban Smajl Morina, rënë më 11 maj të vitit 1999 në Rogovë e në fshatin Mollapolc, më 1972 u lind Skënder Zeqir Morina, i përjetësuar më 13 shtator të vitit 1998 gjatë luftimeve të Njësitit “Rrufeja”. Në Reçak, më 1975 u lind dëshmori Afrim Xhemajl Syla, i përjetësuar më 10 maj të vitit 1999 gjatë luftimeve në vijën Gërkovë-Reçak, e në Prekaz, po në këtë ditë të vitit 1976 u lind dëshmori Murtez Zymer Jashari, i përjetësuar më 6 mars të vitit 1998 në Prekaz.

Në Gërdofc të Besianës, më 1976 u lind dëshmori Faton Vesel Shabani, i përjetësuar më 2 qershor të vitit 1999 gjatë luftimeve te “Bungu i Dyzit”, Në këtë ditë, pra më 5 qershor të vitit 1980, në Skyfteraj u lind dëshmori Mehmet R. Ismaili, i përjetësuar më 15 prill të vitit 1999. Më 1983, në Prekaz u lind edhe dëshmori Avdullah Zenë Jashari, rënë më 5 mars të vitit 1998.

 

fragment në “Kronika…”
5 qershori
“Krisi pushka te mejtepi,
zjarr te Strellci e te Prejlepi.
Kësaj flake, kush i prini?!
– Krejt Drenica e Dukagjini.
Të gjithë shokët e Luanit,
Prej Prejlepi afër Deçanit!”

Në ditën e sotme të vitit 1998, serboçetnikët ndërmarrin Ofensivën III mbi Strellcin e Epërm. Në këto luftime përjetësohet Brahim Demalijaj, i lindur më 25 maj të vitit 1949 në Strellc të Epërm. Po në këtë ditë, edhe Prejlepi sulmohet nga toka e nga ajri. Gjatë këtyre luftimeve përjetësohen: Beqir Qufaj, i lindur më 14 qershor të vitit 1977, Gazmend Lokaj, i lindur më 17 shtator të vitit 1974, Jeton Dabiçaj i lindur më 29 janar të vitit 1968 të gjithë të Prejlepot dhe Gazmend Zenel Berisha i lindur më 1 tetor të vitit 1968 në Pejë. Edhe në vijën e fronit Dashinoc-Lumbardh, jo larg “Urës së Pazharit” ka luftime të përgjakshme. Në këtë betejë përjetësohet luftëtari Jeton Idriz Dedushaj i lindur në Vuthaj të Gucisë më 5 janar të vitit 1975.

Në këtë ditë, por të vitit 1999, përjatësohen: Nijazi Zenuni, i lindur më 29 korrik të vitit 1975 në Mikushë, Kemajl Idrizi, i lindur më 25 prill të vitit 1970 në Lubishtë të Vitisë, e në Pashtrik edhe Lulzim Llugiqi i lindur më 5 janar të vitit 1973 në Miradi të Lypjanit. Por, në Pejë gjatë ndërtimit të kazermës së TMK-së, në ditën e sotme të vitit 2001, humbi jetën luftëtari ilirisë Astrit Istref Berisha, i lindur më 14 janar të vitit 1981 në Ruhot të Pejës.

MBETSHIN EMRAT E TYRE NË FAQET MË
NDRITSHME TË LAVDISË DHE TË HISTORISË!

 

Pas Korishës dhe Zhurit, sonte Lëvizja Vetëvendosje! edhe në “Tusuz”

0

Lëvizja Vetëvendosje!  Qendra në Prizren, në kuadër të fushatës elektorale,  pothuajse në çdo lagje është duke mbajtur  tubime publike me qytetarë të Komunës së Prizrenit duke shpalosur prioritet prej 40 pikash të Lëvizjes Vetëvendosje!

Kështu pas tubimeve të djeshme në Korishë  dhe Zhur, sonte  një tubim i tillë pritet të mbahet  edhe në  lagjen “Tusuz”, i pranishëm  do të jetë edhe kandidati për kryeministër Albin Kurti.

Tubimi  i sontëm pritet të mbahet  në shkollën fillore “Xhevat Berisha” me fillim në orën 21:00.