Home Blog Page 5940

Parlament i Popullit apo i shfrytëzuesve të tij

0
Rexhep Qosja

Jemi turrur pa menduar sa duhet e si duhet për turret! Jemi vonuar shumë, pamatshëm shumë në histori. Jemi vonuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore e të krijimtarisë shpirtërore.Nuk i kemi përjetuar kur duhet, si duhet dhe sa duhet as Rilindjen e Humanizmin Evropian, as Racionalizmin, as Iluminizmin, as Romantizmin, as Realizmin e as prirjet Moderne. Jemi vonuar të bëjmë shtetin kombëtar dhe jemi vonuar të bëjnë gjuhën e njësuar letrare kombëtare, gjuhën standarde. Jemi vonuar të urbanizohemi dhe jemi vonuar të emancipohemi.Prej feudalizmit oriental kemi kaluar në komunizmin pa e përjetuar kapitalizmin.

Për të gjitha këto vonesa në histori janë paguar dhe po paguhen tagra, kur më të pakta e kur më të shumta.Të vetëdijshëm – disa e të pavetëdijshëm – disa të tjerë se sa shumë jemi vonuar në histori, tani jemi turrur të gjithë: jemi turrur t’i kompensojmë ato vonesa në qoftë se jo në të gjitha së paku në disa fusha të jetës politike e shoqërore dhe të krijimtarisë shpirtërore. Dhe, fryt i këtyre turreve për kompensimin e atyre vonesave janë pak të mira dhe janë shumë të këqija. Për të mirat nuk është e nevojshme të them unë ndonjë fjalë sepse për to, për nevojat e veta, po flasin pa pushuar ditë as natë njerëzit e politikës që jetojnë për politikën dhe prej politikës. Po them dy-tri fjalë për të këqijat që po na sjell ky turr.Punët e bëra turrshëm, me turre e me vrulle, zakonisht bëhen diqysh e më së shpeshti keq.Jemi turrur të futemi në politikë, të kurorëzohemi politikisht i madh e i vogël, axhami e i mplakur jo vetëm me vjet, por edhe me dije, me mend e me përvojë! Për nga përqindja e turrësve në parti e në politikë partiake, u tha, ua shkojmë edhe mongolëve e disa aziatikëve të tjerë. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse politikën po e kuptojmë dhe po e zbatojmë si diletantë provincialë, jo vetëm si mjeshtëri të organizimit e të qeverisjes, por shumë më tepër si mjeshtëri të sundimit e të përfitimit. Sidomos ua shkojmë në punë të përfitimit vetjak. Në vend se në shërbim të të gjithëve, njeriu i politikës është vënë në radhë të parë në shërbim të vetes e të të vetëve.Por jo vetëm kaq. Përmes politikës jemi turrur të shquhemi edhe me dëshmi të shkruara, me diploma, me magjistratura e me doktorata.

Dhe, diplomat, magjistraturat e doktoratat kur e kur, ndonjëri, ndotjetri, janë turrur t’i fitojnë jo duke mësuar, jo duke ndjekur mësime e ligjërata, po duke i blerë, pra duke i paguar. Diploma e blerë, magjistratura e blerë dhe doktorata e blerë janë bërë metaforë e arsimit tonë siç u bë çadra metaforë e kaosit në demokracinë tonë!Turret e zhvatjeveJemi turrur të zhvasim e të plaçkisim sa më shumë! Jemi turrur, shumë jemi turrur, që arsimin, që përkushtimin ndaj arsimit, ta dëshmojmë jo me cilësinë e tij, por me sasinë e tij – me sasinë e numrit të universiteteve. Për këtë arsye për 1 milion e 800 mijë banorët e Kosovës dhe 3 milionë e 800 mijë banorët e Shqipërisë shtetërore kemi hapur dyfish më shumë universitete se Anglia dhe se Gjermania.Dhe gjithë këto universitete janë hapur jo pse në atë numër i duhen vërtet Kosovës dhe Shqipërisë, por pse në to duhet të punojnë, përpos në kabinetet partiake e shtetërore, edhe vetë pushtetarët; pse në to duhet të punësohen gratë e pushtetarëve, bijtë e bijat e pushtetarëve, vëllezërit e pushtetarëve, motrat e pushtetarëve, farefisi dhe miqtë e pushtetarëve dhe ndonjë pedagog i quajtur i pavarur, që atë pavarësi duhet ta mbrojë me nënshtrim ndaj pushtetarëve.Jemi turrur të pasurohemi, të pasurohemi sa më shpejt dhe sa më lehtë. Jemi turrur të pasurohemi duke zhvatur, duke plaçkitur, duke u korrupsionuar, duke vjedhur, duke shfrytëzuar, duke shkelur, duke sakatuar, kur e kur dhe duke vrarë, duke gënjyer dhe duke mashtruar!Nuk është e çuditshme, prandaj, pse shoqëria shqiptare sot është e ndarë, e ndarë në dy anë: në njërën anë janë oligarkët politikë, shumë prej tyre të pasuruar poshtërsisht, kurse në anën tjetër janë viktimat e tyre të shfrytëzuara e të varfëruara!

Në mes tyre, të këtyre që shkëlqejnë me gjithçka e jo vetëm me vetura dhe xhipa të shtrenjtë, dhe të atyre që atë shkëlqim e shikojnë mosdurueshëm apo, madje, urrejtshëm me sytë e varfërisë, gjendet e ashtuquajtura shtresa e mesme: intelektualët, krijues e jokrijues, të cilët me poltronizmin e tyre oriental kërkojnë ndihmën e djallit dhe të birit të tij që t’u futen nën bisht oligarkëve dhe prej tyre të nxjerrin çfarëdoqoftë leverdish për veten dhe të vetët!Turret akuzueseJemi turrur të akuzojmë të madh e të vogël! I dëgjoj shpesh, në mos jo çdo ditë, së paku çdo javë, sidomos çdo festë shtetërore dhe joshtetërore, duke folur zi e më zi për gjyshërit dhe etërit tanë! I dëgjoj duke folur zi e më zi, gojëshqyer a gojëplasur sidomos për gjyshërit dhe etërit e kohës së komunizmit. Ata, gjyshërit dhe etërit e asaj kohe, e quajtur diktaturë komuniste, janë fajtorë, thonë, fajtorë, fajtorë juridikë dhe historikë për shumë e shumëçka, fajtorë për të gjitha pësimet, për të gjitha të këqijat, për të gjitha mosdurimet e mosmarrëveshjet e ndërsjella politike, sociologjike, kulturore, reale e imagjinare në jetën tonë të sotme.Thuajse ata ishin armiq të popullit e të shtetit më shumë se këta sot! Thuajse ata s’mendonin për asnjë të mirë politike, shoqërore, kulturore, kombëtare! Thuajse ata nuk bënë asnjë të mirë as për arsimin, as për shëndetësinë, as për kulturën, as për ekonominë, as për përmirësimin e jetës së popullit të vet. Thuajse ata zhvatën, plaçkitën, vodhën, u diplomuan, u doktoruan e u akademizuan si e sa këta sot.

Dhe, mendoj: pse këta njerëzit e sotëm, këta njerëz të politikës, të letërsisë, të krijimtarisë në përgjithësi aq shpesh e aq keq flasin për gjyshërit dhe etërit e kohës së komunizmit duke i lënë të qetë gjyshërit dhe etërit e feudalizmit e të fashizmit? Dhe, duke i lënë të qetë këta, pushtetarët e sotëm!Pse njëri prej këtyre nxirësve të fytyrës së gjyshërve dhe të etërve të kohës së komunizmit thotë, thotë pa iu skuqur fytyra asnjë centimetër katror e asnjë çast, se ata donin ta urisnin, ta varfëronin popullin vetëm e vetëm që të mund ta sundonin sa më gjatë! Pse as këtij nxirësi, e asnjërit prej nxirësve të tjerë të fytyrës së gjyshërve e të etërve të asaj kohe të shkuar nuk ua qet goja asnjë fjalë të keqe për oligarkët e sotëm politikë?Dhe, i përgjigjem vetvetes: ustallarët e sotëm në politikë dhe në krijimtarinë letrare e shkencore bërtasin kaq të madh kundër gjyshërve e etërve të asaj kohe për disa arsye: e para, sepse ashtu, duke bërtitur aq zëshëm duan të mohojnë shërbimet që jo vetëm me jetën po edhe me veprat e tyre u bënin gjyshërve dhe etërve të kohës së komunizmit; e dyta, sepse ashtu, duke bërtitur aq zëshëm, duan t’u servilizojnë sa më përulshëm sundimtarëve të sotëm, prej zhvatjeve, plaçkitjeve, përvetësimeve, vjedhjeve, shfrytëzimeve, milionave të të cilëve shpresojnë t’u qitet përpara, në sofër, në tepsi a në kusi, ndonjë kockë; e treta, sepse janë mësuar të qërojnë hesape me të vdekur e të lavdërojnë të gjallë!Mendojnë të shkretët se me britma të shpeshta do të lahen e shpërlahen, por harrojnë se përlyhen më shumë.HundëzhagituritJemi turrur të tërhiqemi për hunde!

Të shumëndryshme janë “sortet” e species së quajtur njeri. Janë të vegjël, janë të mesëm, janë të gjatë, janë të pashëm, janë të shëmtuar, janë gojëmbël, janë gojëthartë, janë gojëçartur, janë gojëtul, janë të matur, janë të pamatur, janë krenarë, janë të dinjitetshëm, janë të përkulshëm e të luajtshëm, janë të pastër e janë të përbaltur.Prej të gjitha këtyre “sorteve”, të species së quajtur njeri, më interesantja dhe, ndoshta, më e neveritshmja është “sorta” e quajtur njeri që dëshiron të tërhiqet zvarrë për hunde. Nuk jam as zoolog, as biolog, as mjek, as psikolog që ta di nëse dhemb pak a shumë hunda kur të tërheqim zvarrë përmes saj. Por, e marr me mend se edhe në qoftë se dhemb shumë hunda, ky soj njeriu i duron të gjitha ato dhembje për shkak të leverdive që ia sjell zvarritja. Ai, i zvarrituri, si çdo rrufjan e ka bërë llogarinë: duke qenë i hequr zvarrë për hunde, ai mund të bëhet drejtor, dekan, rektor, deputet, zëvendësministër, ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër, nënkryetar, kryetar.Dhe, pashmangshëm pushtetar shumë i pasur! Dhe, le të bëhet krejt çka dëshiron të bëhet ai që dëshiron të tërhiqet zvarrë për hunde prej të vetëve e prej të huajve mbasi populli, sovrani i shtetit, ka harruar se hundët e atyre që dëshirojnë të tërhiqen zvarrë për hunde dhe arrijnë çka u pa se mund të arrijnë duhet të thyhen një ditë dhe të thyhen sa më herët aq më mirë për jetën e sovranit popull.Pa sistem vlerashJemi turrur të rrënojmë vlerat! Në shoqërinë shqiptare në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë janë rrënuar sistemet e vlerave.

I ka rrënuar politika. I kanë rrënuar ata që flasin për barazimtari e demokraci, por që kanë ndërtuar despoti vetjake e partiake. Kush i ka sytë për t’i parë ato që janë, njëmendësinë, e jo iluzionet e veta do të mund të shohë se: e drejta është shuar prej të padrejtës, e vërteta prej gënjeshtrës, sinqeriteti prej mashtrimit, nderi prej të pandershmes, vlera prej kundërvlerës, besa prej të pabesës, e larta prej të ulëtës, njerzillëku prej të panjerëzishmes, humanizmi prej pamëshirës, barazia prej pabarazisë, solidarësia prej egoizmit, modestia prej mendjemadhësisë, e bukura prej shëmtisë, prej kiçit dhe shundit!Jo vetëm në kabinete po edhe në universitete, jo vetëm në mjekësi po edhe në pedagogji, jo vetë në pasuri po edhe në varfëri sikur janë harruar mësimet etike biblike e kuranore, mësimet aristoteliane dhe kantiane. Sikur është harruar përgjithmonë ajo lutja e shenjtorit të Poatjesë, të vdekur rreth vitit 366, i cili në atë lutjen e tij të njohur kishte thënë: Dhuromë, Zot, kuptim të fjalës, dritë të mendjes, dinjitet të gjuhës dhe saktësi të së vërtetës.Të gjitha të këqijat e sipërthëna, për numrin më të madh të qytetarëve po e bëjnë jetën jo vetëm të padurueshme, por edhe të neveritshme!Masakrimet e historisëJemi turrur të masakrojmë historinë! Jetojmë në kohën në të cilën po masakrohet historia: po masakrohet historia e popullit e po rrëgjohet në histori politike e histori vullnetare dhe po masakrohet historia e letërsisë e po rrëgjohet në histori letërsie krahinore e klanore! Si njëra ashtu edhe tjetra masakrohen prej të pushtuarve nga përkatësitë politike, partiake, fetare, kur e kur dhe krahinore e klanore.Ndodh që ngjarje të vogla apo të parëndësishme të shpallen historikisht të mëdha. Ndodh që persona politikë për jetëshkrimet, veprimet, mosveprimet, mendimet e çmendimet e të cilëve shumëçka ende s’dihet, prej partive të cilave u takojnë a u kanë takuar të shpallen figura të rëndësishme historike. Falsifikuesit e së vërtetës për ta janë aq agresivë saqë i heshtin, i “harrojnë”, i fshehin, i shpallin të paqena jo vetëm veprimet e tyre dëmsjellëse, por edhe dokumentet e nënshkruara prej tyre, që historiografia pashmangshëm do t’i shpallë tradhti kombëtare. Le të thuhet se me falsifikime të këtilla merren posaçërisht mjeshtrit partiakë dhe historianët e partishëm.Ndodh që krijues letrarë apo shkencorë, krijimtaria e të cilëve, me pjesën e saj më të madhe, është zgjatim i ideologjisë dhe i politikës sunduese në Shqipëri dhe në Kosovë të shpallen jo vetëm kryekrijues, por edhe luftëtarë për demokracinë me jetën dhe me veprën e tyre! Falsifikuesit e të vërtetave historike letrare janë aq agresivë saqë i heshtin, i “harrojnë”, i fshehin, i shpallin të paqena shërbimet që idhujt e tyre letrarë kanë bërë e ua bëjnë totalitarizmave të djeshëm e të sotëm me veprat e veprimet e tyre e disa edhe me jetën e tyre.Le të thuhet se me falsifikime të këtilla merren edhe studiues partiakë të letërsisë, por edhe të tjerë që për studimet letrare dinë sa Ziza dhe Kiza!Siç shihet dhe siç dihet, shumica e këtyre falsifikuesve të historisë së letërsisë, vlerësimet sipërore dhe zhvlerësimet të shpeshtën e herëve i bëjnë nën ndikimin e dy-tre beniaminëve letrarë të byrove partiake të djeshme e të sotme.

Masakruesit e historisë, puna e tillë e të cilëve edhe sot në Evropë shënohet me togfjalëshin e Aleksis de Tokëvillit të lavdishëm poshtërsi e intelektualëve të papërgjegjshëm, nuk duan ta dinë një të vërtetë: në qytetërimin të cilit i takojmë ne sot, e ky është qytetërimi perëndimor, të vërtetat për të kaluarën, për ngjarjet dhe njerëzit e saj, i cakton historiografia.Të gjitha mënyrat e tjera, thotë një historian i njohur evropian, për të krijuar vetëdijen dhe bindjet për të shkuarën janë të paligjshme, dhe janë të paligjshme sepse janë joshkencore, sepse janë propagandistike, sepse janë partiake, sepse janë mashtruese.Më herët a më vonë historia dhe historianët do ta thonë të vërtetën për të gjitha dhe për të gjithë. Dhe, pashmangshëm do t’i komprometojnë falsifikuesit e historisë së popullit dhe falsifikuesit e historisë së letërsisë.Pa prijës të denjëJemi turrur të bëjmë prijës, madje të bëjmë prijës edhe nga ata që s’kanë treguar dhe s’tregojnë as mendje as karakter. Sot popujve dhe shteteve, thotë filozofi i njohur Karl Poper, u mungojnë prijësit (liderët) e denjë. Mendimtarë dhe intelektualë më të dëshpëruar se ç’ishte ky filozof i njohur, e shquajnë edhe më tepër dëshpërimin e tyre politik: ata thonë se shumë popuj dhe shtete sot sundohen prej mafive politike dhe financiare!Kemi menduar se zgjedhjet bëjnë përzgjedhjen, prandaj në pushtet vijnë njerëz të mirë dhe të ndershëm! E mësuam dhe e provuam se dhe zgjedhjet mund të kurdisen, të caktohen e të shpërdorohen siç e duan organizuesit e tyre dhe pjesëmarrësit në to. Nuk e kemi ditur se, siç thotë studiuesi i demokracisë amerikane, Aleksis de Tokëvill, në kryeveprën e tij Demokracia amerikane, në procesin e votimeve mund të ngadhënjejnë edhe figurat më banale të kohës! Dëshmi për këtë të vërtetë na kanë sjellë të gjitha zgjedhjet “demokratike” gjatë njëzet e shtatë vjetëve demokraci! Dhe, do të na sjellin edhe këto të sivjetmet në Shqipëri e në Kosovë.Të vërtetat dhe gjuha në fushataJemi turrur të bëjmë fushatë zgjedhore duke folur siç s’duhet dhe duke gënjyer siç s’merret me mend! Në Shqipëri dhe në Kosovë po bëhet fushatë zgjedhore. Në Shqipëri fushata shtrihet në më shumë ditë, kurse në Kosovë në gjithsej njëmbëdhjetë ditë.

Por, meqenëse njëmbëdhjetë ditë u janë dukur shumë pak, politikanët e Kosovës kanë shpikur një risi zgjedhore: kanë shpikur parazgjedhjet, paravotimet për të promovuar paragënjeshtrat dhe paraspekulimet.Dy janë viktimat më të mëdha në fushatën e sivjetme në Shqipëri dhe në Kosovë. Viktima e parë është gjuha. Duhet të dëgjohen gojëtarët e fushatave, kandidatët për prijës, për zëvendës të prijësve e për deputetë dhe do të dëgjojmë e do të shohim se sa vuajtjet po i sillen gjuhës: leksikut të saj, sintaksës së saj, gramatikës së saj, togfjalëshave e frazeologjizmave të saj, pasurisë, natyrshmërisë dhe bukurisë së saj në përgjithësi.Viktima e dytë e fushatës së sivjetme zgjedhore është e vërteta. Duhet t’i dëgjojmë disa nga gojëtarët e fushatave e do të mësojmë, të gëzuar, se sa shumë, se sa shpejtë se sa lehtë ata do t’i kthejnë në parajsë Shqipërinë dhe Kosovën. Por, siç dihet e pritet, pjesa më e madhe e premtimeve të tyre parajsore do të mbeten të pasendërtuara dhe do të mbeten të pasendërtuara ose për shkak se janë shqiptuar si gënjeshtra të qëllimshme, ose për shkak se shqiptuesit e tyre nuk e dinë, nuk kanë ngritje sociologjike dhe politikologjike që do t’u bënte të mundshme të dinë se, si e thonë studiuesit e demokracisë, ekzistojnë përcaktues (determinues) sociopolitikë, kulturologjikë dhe historikë që përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat deputeti, ministri, kryeministri, kryetari.

E të tjera.Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq tregohet e vetëdijshme për këta përcaktues (determinues) sociopolitikë, kulturologjikë dhe historikë, prandaj programi i saj socialdemokrat në masë të madhe është objektiv, i realizueshëm dhe shumë i rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen e Kosovës.AutoritarizmiJemi turrur që qeverisjen ta bëjnë sundim sulltanor! Deshëm s’deshëm, u pajtuam a s’u pajtuam, kundërshtuam a s’kundërshtuam jo vetëm me fjalë po edhe me protesta e demonstrata nuk mund të mos e pranojmë se në Shqipëri dhe në Kosovë, domethënë në jetën kombëtare shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej bazat sociologjike dhe psikologjike për ngadhënjim të autoritarizmit.Për këtë arsye edhe shumë e shumë kohë demokracinë tonë do ta shënojnë këto të këqija: despotizmi, nepotizmi, korrupsioni, populizmi dhe totalitarizmi, i kuptuar jo si trajtë po si sasi e fuqi e pushtetit, mediet e kolonizuara, gjyqësori i kolonizuar, pasiguria politike, shtetërore e jetësore e prodhuar prej dallimeve të mëdha midis të pasurve e të varfërve e të gjitha këto duan të thonë se shtetet tona janë shtete të kapura, të privatizuara prej oligarkisë politike, të shumtën e kohës, si po shihet, të ndërsalduar me një pjesë të oligarkisë ekonomike e financiare.Kuvendi hesht e keqbërësit bëjnë çka duanJemi turrur të bëjmë çka s’duhet të jenë as Kuvendi as shteti! Në qoftë se Kuvendit të një shteti, 47 qytetarë – shkrimtarë, piktorë, studiues shkencorë e intelektualë të tjerë i dërgojnë shkresë për padrejtësitë, keqpërdorimet dhe korrupsionet partiake që kanë ndodhur e po ndodhin në një institucion të lartë siç është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të atij shteti e ai i shpërfill plotësisht (qoftëedhe pa një përgjigje pohuese, mohuese a mospërfillëse nga një komision i tij) si të mos ishin gjallë nënshkruesit e asaj ankese, atëherë ky s’është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve (eksploatuesve) të tij!Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije me të dhëna të shkruara se në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të atij shteti, që ka 24 anëtarë, 12 prej tyre janë pranuar në të duke qenë funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë të djeshëm e të sotëm, në kundërshtim me çdo parim ligjor e demokratik, e ai bëhet i shurdhër për këto të dhëna, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i shfrytëzuesve të tij të paskrupuj intelektualë dhe politikë!Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije se në Akademinë e Shkencave e të Arteve të atij shteti po vazhdojnë të pranohen si anëtarë të saj funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, pa të arritura shkencore e profesionale, siç ka ndodhur në vitet e pas luftës dhe siç ndodhi para sa muajsh në Akademinë tonë, e ai bëhet i shurdhër për këtë të vërtetë, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit, por i oligarkëve të pakoncept për drejtësi, për ligjësi e për demokraci

Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije se disa funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, përpos rrogës si funksionarë, marrin rroga edhe si “pedagogë” në disa universitete, kurse shumë studiues shkencorë me vite presin punë e ai nuk bën asgjë për ndalimin e këtyre shpërdorimeve, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të tij të pandërgjegje e të paskrupuj!Në qoftë se Kuvendit të një shteti i bëhet me dije prej organizatave qytetare dhe medieve se një funksionar i lartë partiak e shtetëror, përpos rrogës së funksionarit merr rrogë edhe për mësimdhënie jo të një po të katër lëndëve në universitet duke marrë 49 mijë euro në vit, kurse intelektualë të shquar me doktorata e vepra shkencore bredhin rrugëve pa punë dhe ai Kuvend nuk bën asgjë për ta ndalur turrin shfrytëzues të këtij arrivistie të shumë arrivistëve të pangopshëm, atëherë ai nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të tij të pandërgjegje elementare profesionale e sociale!Në qoftë se Kuvendi i një shteti e di dhe pajtohet që zyrtarëve të niveleve të ndryshme u lejohet të marrin pagesa për pjesëmarrje edhe në mbledhje të bordeve, këshillave, komisioneve, jurive të ndryshme të mbajtura në kohën e orarit zyrtar atëherë ky nuk është Kuvend i popullit po i eksploatuesve të tij të pandërgjegje e të pa etikë elementare.Në qoftë se ky kuvend mbyll sytë para fakteve se përfaqësues të qeverisë e të ministrive, të institucioneve të ndryshme shtetërore, madje edhe të presidencës, në forma komisionesh, grupesh e ekipesh zëvendësojnë zyrat e sallat e institucioneve shtetërore me vende turistike malore e bregdetare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, përgjatë gjithë vitit, me shpenzime të stërmëdha akomodimi e mëditjesh, të paarsyeshme, të paarsyetueshme e të kundërshtueshme nga çdo logjikë normale, atëherë ky nuk është Kuvend i popullit po i shfrytëzuesve të pashpirt të pasurisëe të jetës së qytetarëve të Kosovës. E të tjera.A do të jenë të këtillë edhe Kuvendet që do të krijojnë zgjedhjet e 11 e 25 qershorit të këtij viti?

Do të shohim, do të shohim.Dobësimi i lidhjeve shpirtëroreJemi turrur të shpërfillim përbashkësinë tonë! Është një e keqe më e madhe se të gjitha të këqijat politike e administrative, që e sundojnë jetën tonë të sotme politike. Në të vërtetë në këtë të keqe të madhe janë përmbledhur, janë bashkuar dëshpërueshëm dhe pikëllueshëm, pasojat e të gjitha atyre të këqijave që i quajmë politike, partiake. Dhe, kjo e keqe e madhe mund të quhet ndërprerja e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve, që duket e nuk duket, që fshihet e tregohet, që mbulohet e zbulohet, që shpjegohet e s’shpjegohet.Dallimet e mëdha, gjithnjë e më të mëdha midis të varfërve dhe të pasurve, të pasurve të pasuruar shpejt e lehtë, në të vërtetë paligjshëm, duke qenë në pozita politike e shtetërore, trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve qoftë prej individëve pushtetarë qoftë prej institucioneve politike e shtetërore, gjasat e pabarabarta për punësim dhe gjasat e pabarabarta për trajtim me kohë e drejt nga gjyqësori, padrejtësitë e shumëllojshme në të gjitha fushat e jetës, nepotizmi i përshtrirë dhe i përthelluar aq sa as në shoqëritë më patriarkale nuk shquhet me aq përmasa, privilegjet që aq lehtë dhe pameritueshëm u dhurohen disave dhe shpërfilljet që aq pamëshirshëm u bëhen disa të tjerëve, shkëlqimet pseudoborgjeze në njërën anë dhe pezmatimet e nxitura prej atyre shkëlqimeve në anën tjetër – të gjitha këto bëjnë që lidhjet shpirtërore midis njerëzve të varfërohem, të tëhollohen, të dobësohen, të këputen.E një popull, e një komb, gjatë historisë, e kanë mbajtur pikërisht ato lidhje të quajtura shpirtërore, të frymëzuara, të ushqyera, të krijuara prej së mirës madhështore që i themi Vlera të përbashkëta, të përmbajtura në Sistemin e vlerave. Por, pikërisht këto vlera të përbashkëta, pikërisht ky Sistem i vlerave është rrënuar e po rrënohen nën trysnitë e shumëllojshme politike e partiake.Pa lidhje shpirtërore midis njerëzve nuk ka Përbashkësi të vërtetë.Këputjet e lidhjeve shpirtërore midis njerëzve e kjo domethënë dobësimet e Përbashkësisë sonë mund të prodhojnë të papritura të ndryshme që kur e kur mund të shprehen tragjikisht.Është koha të mendohet për parandalimin e tyre. Është koha të mendohet për parandalimin e të gjitha atyre që u thanë më lart. /Botuar në DITA/

Vrau fqinjin që tentoi t’i mbyste fëmijët e vet

0

Një njeri nga Oklahoma, që po tentonte t’i mbyste fëmijët e tij binjakë, 3 muajsh, u qëllua dhe vra nga një fqinj të premten.

Zëdhënësja e qytetit të Ada-s, Lisa Bratcher, u tha reporterëve që Leland Foster, 27 vjeçar, nga Poteau, vdiq nga plagët prej të shtënave nga revolet, pasi që një 12 vjeçare e kishte alarmuar një fqinj për ndihmë, shkruan Fox News.

Bratcher tha që fqinji, i identifikuar si Cash Freeman, u tha policëve që shkoi në shtëpi i armatosur me një revole dhe qëlloi Fosterin dy herë, pasi që e pa duke i mbajtur fëmijët e tij nën ujin e vaskeës, përderisa e kërcënonte nënën e fëmijëve me një thikë.

Bratcher tha që fëmijët ishin dërguar në spital në gjendje stabile, dhe se fqinji ishte marrë në pyetje dhe më pas ishte lirtuar nga policia.

Ky është versioni i Policisë për sulmin në tubimin e Vetëvendosjes në Studençan të Therandës

0

Policia e Kosovës ka raportuar se përderisa ishte duke u mbajtur një takim elektoral në Shkollën ” Kongresi i Manastirit”, dyshohet se është hedhur një shishe jashtë objektit e cila dyshohet të ketë qenë e mbushur me (preparate) thartinë.

Njësitet policore lidhur me rastin kane ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore si dhe kane njoftuar prokurorin kompetent. Nuk raportohet për të lënduar e as dëme materiale, rasti është duke u hetuar, thuhet në raportin e policisë

Prizren: Përplaset në një lokal përderisa po drejtonte biçikletën

0

Një mashkull gjersa ishte duke drejtuar biçikletën, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një lokal.

Si pasojë viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit.

Kadare e vlerëson Ramadanin si shkrimtar serioz

0

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, i ka konsideruar të pakuptimta polemikat rreth çmimit “Kadare” që iu nda shkrimtarit kosovar, Musa Ramadani, për romanin e tij “Profeti nga Praga”. Siç raportojnë mediat nga Tirana, Kadare e ka cilësuar Ramadanin si shkrimtar serioz.

Ramadani para një jave u shpall laureat i tretë i Çmimit, por ky vlerësim u shoqërua me reagime e kritika. U kritikua juria me kryetar, shkrimtarin Bashkim Shehu, dhe anëtarë Ledia Dushin, Ylljet Aliçkajn, Mirela Oktrovën dhe Agim Baçin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vetë njëri prej kundërkandidatëve të Ramadanit, Virion Graçi, kishte reaguar duke thënë se librat fitues të çmimit “Kadare” , “kanë dështuar në treg” …

Adil Memaj nga Prizreni, braktisë Vetëvendosjen!

0

Lëvizjes Vetëvendosje i është larguar anëtari Adil Memaj nga Prizreni i cili me profesion është mësues.Lajmin e ka bërë të ditur vetë Memaj përmes një shkrese për media. E me të marrë këtë vendim ai ka kërkuar nga shokë, kolegë e familjarë që të thërrasin në emër e jo “Vetëvendosje”, ashti siç pretendon se e kanë thirrur që nga viti 2005 nga kur është anëtarësuar në këtë subjekt politik.

“Ju lutem që prej këtij momenti mund të më quani vetëm Adil, ose thjesht mësues, pasi që tash e tutje nuk kam asgjë të bëj me Lëvizjen VETËVENDOSJES!. Tash e tutje çdo mendim dhe veprim është totalisht i pavarur, dhe i pa ndikuar nga askush. Pra, nuk kam asnjë pozitë në këtë subjekt, dhe prej sot as anëtar”, ka thënë ai.

Ky është njoftimi i plotë:

“Të dashur dhe shumë të respektuar shokë, miqë, kolegë, familjarë, të gjithë ju që prej vitit 2005 më shumë më keni thirrur me emër Vetëvendosje, se sa Adil.
Ju lutem që prej këtij momenti mund të më quani vetëm Adil, ose thjesht mësues, pasi që tash e tutje nuk kam asgjë të bëj me Lëvizjen VETËVENDOSJES!.

Tash e tutje çdo mendim dhe veprim është totalisht i pavarur, dhe i pa ndikuar nga askush. Pra, nuk kam asnjë pozitë në këtë subjekt, dhe prej sot as anëtar.
Mund të pyesni me të drejtë arsyen e këtij vendimi.Thjesht, shkurt qartë mund të ju them se KARSHI MEJE KANË QENË MOSMIRËNJOHËS.
Me respekt, Adil Memaj
Shpresoj në mirëkuptim!”

Abdullah Hoti në Piranë: Me 11 qershor do të fitojmë

0

Në një tubim madhështor, para një numri të madh të anëtarëve dhe simpatizantëve, Dega e LDK-së në Prizren, mbrëmejn e së dielës, ka vazhduar fushatën në fshatin Piranë.

Veç deputetëve nga Prizreni: Anton Quni, Haxhi Avdyli, Sadije Osaj, Afërdita Morina Biffar dhe Kastriot Jahaj nga Alernativa, në Piranë ishin edhe Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Aletrantiva Abdullah Hoti, i shoqërua nga Kujtim Gashi, ministër në detyrë i Kulturës, Gazmend Muhaxheri kryetar i Pejës dhe shumë kandidatë të tjerë për deputet.

Kandidati për kryeministër Abdullah Hoti u shpreh në Piranë i lumtur me përkrahjen e madhe nga qytetarët.

“ Fitorja e LDK-së është e sigurt. Prej se jam aktivisht duke u marr me aktivitet qe 12 – 13 vite nuk ka pas asnjëherë entuziazëm më të madh për me fitu LDK-ja. Jam I bindur se me 11 qershor kemi me fitu dhe me 12 qershor kemi me fillu me punu. Ka shumë punë për të bërë në këtë vend” tha Hoti.

Ai duke e përmend tubimin në Pejë tha se në Pejë është vulos fitorja e LDK-së ndërsa kërkoi nga kandidatët për deputet nga Prizreni dhe nga strukturat e Degës që të angazhohen për ta përsëritur rezultatin e Pejës të vitit 2013 kur Gazmend Muhaxheri e çrënjosi një keq menaxhim dhe tash këtë mund ta bëjmë në krejt Kosovën,

“Ne presim që Prizreni ka me i ndihmu shumë fitores së LDK-së. Qytetarët e Prizrenit janë të jashtëzakonshëm janë më të qytetëruarit e Kosovës, kanë tolerancë të jashtëzakonshme fetare e kulturore por kësaj radhe qytetarët e Prizrenit nuk duhet me pas fare tolerancë për qeverisjen e deritashme” u shpreh Hoti.

Ai i falënderoi partnerët e koalicionit duke i quajtur vlerë e shtuar, ndërsa duke u lidhur me deklarimet e kundërshtarëve Hoti tha se oponentët mundohen të krijojnë huti se LDK nuk mund të merr vendime të mëdha. “Kur LDK-ja ka marr vendime të mëdha e ka shpallë pavarësinë në fillim të viteve të 90-ta këta as që kanë besu atëherë” tha Hoti.

Në fund të fjalës së tij Hoti tha se LDK-së i mbështetja më e madhe deri tash, dhe kërkoi të përsëritet viti 2000.

“ Duke qenë i kësaj ane du me lënë modestinë anash dhe me kërku mbështetje të madhe nga Prizreni, Rahoveci, Gjakova që ta realizojmë amanetin e presidentit Rugova. Me vendos rend dhe ligj bë Kosovë. Duhet të besoni siç ka besu Gazmend Muhaxheri në Pejë” tha ai.

Kryetari i Degës së LDK-së, kandidat për deputet Haxhi Avdyli shprehu besimin se me 12 qershor do të fitoj LDK . “Me Abdullah Hotin dhe ekipin e tij ku vend ka shpresë. Fitorja është e LDK-së sepse s’ka si të ndodh ndryshe sepse këtë e dëshmon entuziazmi i juaj’ tha Avdyli.

Kandidati për deputet Anton Quni duke e evokuar kujtime nga lufta kur bashkë me një bashkëluftëtarë u gjendën në situatë të vështirë tha se i dolën në ndihmë shokët dhe shpëtuan ndërsa sot tha ai edhe pse jemi vetëm 4 kandidatë për deputet nga Prizreni e gjithë dega e LDK-së është bashkë.

“Së bashku të gjitha këta ushtarë të Ibrahim Rugovës garantojnë fitoren. Kjo është madhështia e LDK-së. Do të ju qëndrojmë afër njëri tjetrit për ta siguruar fitoren” tha ai.

Sadije Osaj Jakupi e entuziazmuar nga të pranishmit tha se në Piranë e pa LDK-në e Ibrahim Rugovës. “Sot kemi një Kosovë ta kapur dhe presim nga ju të rinj ta bëjmë bashkë ndryshimin”. Ajo nga anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së në Piranë kërkoi votën për kandidatët për deputet nga Prizreni.

Afërdita Morina Biffar, shprehu besimin se LDK-ja do të del e para. “Po na bëni të besojmë se LDK do të del fuqishëm e para” tha ajo.

Kastriot Jahaj kanddiat për deputet i partnerit të koalicionit u shpreh se është i nderuar për punën që ka bërë me Abdullah Hotin dhe Kujtim Shalën për programin qeverisës të qeverisë Hoti.

“Ndihem shumë i privilegjuar që në këtë mes veç veteranëve të LDK-së shoh edhe shumë të ri e të reja. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi” tha Jahaj.

Sulm me mjete shpërthyese në tubimin e Vetëvendosjes në Studençan të Therandës

0
Një sulm me mjete shpërthyese ka ndodhur në tubimin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Studençan të Therandës, raporton GazetaBlic.com

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ky subjekt politik, i cili njofton se nuk pati asnjë të lënduar nga ky sulm.

Pasi që s’kanë mundur ta pengojnë tubimin ata janë larguar, e më vonë salla ku mbahej tubimi është sulmuar nga jashtë me një përzierje lëndësh shpërthyese. Fatmirësisht nuk pati asnjë dëmtim njerëzor.

Por sulmi ndaj shkollës është akt qyqar në vetvete, sidomos kur kjo është bërë me synim prishjen e tubimit të Lëvizjes, në të cilin merrnin pjesë kandidatët Donika Kadaj dhe Dugagjin Palushi”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Më poshtë ua pasqyrojmë të plotë njoftimin e këtij subjekti politik:

“Sulm me mjete shpërthyese në tubimin e Lëvizjes

Rritja e madhe e VETËVENDOSJE!-s i ka nxjerrë nga takti koalicionet e territ.

Sot, në mbrëmjen e datës 4 qershor, disa persona janë përpjekur të prishin tubimin e VETËVENDOSJE!-s në fshatin Studençan të Therandës. Pasi që s’kanë mundur ta pengojnë tubimin ata janë larguar, e më vonë salla ku mbahej tubimi është sulmuar nga jashtë me një përzierje lëndësh shpërthyese. Fatmirësisht nuk pati asnjë dëmtim njerëzor.

Por sulmi ndaj shkollës është akt qyqar në vetvete, sidomos kur kjo është bërë me synim prishjen e tubimit të Lëvizjes, në të cilin merrnin pjesë kandidatët Donika Kadaj dhe Dugagjin Palushi.

Nga policia presim zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes.

Ky gjest mjeran tregon parehatinë e ish-pushtetit përballë përparimit të pandalshëm të Lëvizjes.

Ata po i tuten debateve, po i tuten ballafaqimeve politike, e tuta e tyre po shndërrohet në panik.

Por ndryshimi po vjen, drejtësia po vjen, e me fitoren e Lëvizjes krimi do të marrë goditjen më të madhe.

Asgjë nuk e ndal fitoren me zemër!”

Ja kush ishte Avni Rustemi

0

Ai që e bëri Libohovën të njohur gati në të gjithë Evropën, ishte Avni Rustemi, mësonjësi që vrau në mes të Parisit Esad Pashë? Toptanin. Avni Rustemi lindi në Libohovë, më 22 shtator 1895 dhe vdiq në një atentat në Tiranë, më 24 prill 1924. Ai ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar. Themelues dhe drejtues i shoqatës “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit.

Familja në të cilën u rrit Rustemi ishte oxhaku i Libohovës Arsllan-Pashalinjt. Avni Rustemi në vitet 1920 del si figurë shumë aktive dhe revolucionare për kohën. Që kur ka qenë 14 vjeç, Avniu ka kërkuar që të bëhet pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, por nuk është pranuar për shkak të moshës.Më vonë arrin që të shkollohet dhe në moshën 17 vjeçare fillon punën në Tepelenë si mësues. Më vonë Rustemi u zhvendos në Vlorë për të zhvilluar profesionin e tij, pikërisht në fshatrat Tragjas dhe Rradhimë. Por ai nuk do të rrinte i qetë. Në vitin 1920 krijohet një organizatë nga djelmoshat e Vlorës, pjesë e të cilëve ishte edhe

Rustemi, nga kjo organizatë do të dilte edhe urdhri për të vrarë Esad Pashë Toptanin.

Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje, ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit. Pas vrasjes së Estad Pashë Toptanit, Avni Rustemi, doli para gyqir francez, nga ku fitoi lirinë dhe u kthye në Vlorë në 25 dhjetor 1920. Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.

Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit. Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë. Njerëzit e Esad Pashë Toptanit u rikthyen përsëri për të, dhe atë ditë 22 prilli të vitit 1924 në pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, papritur një njeri i armatosur e Avni Rustemi i rrahur nga Policia Franceze pas vrasjes së Esad Pashë Toptanitqëllon dy herë. Rustemi jeton vetëm për dy ditë dhe vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, një nga njerëzit e Esat Pashë Toptanit.
Sot Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”. / KultPlus.com

PDK në Prizren: Kultura pjesë e prioriteteve tona

0

Gjatë ditës së sotme kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj, Nijazi Kryeziu dhe Nait Hasani të shoqëruar nga anëtarë të shtabit zgjedhor, kanë takuar Ansamblin e këngëve dhe valleve “Lidhja e Prizrenit”, me rastin e dhjetë vjetorit të themelimit të këtij ansambli, meçërast u priten nga drejtori Jeton Qafleshi.

Nijazi Kryeziu, kandidat për deputet për Parlamentin e Republkës së Kosovës në legjistraturën e ardhshme nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi se ndihet krenar me sukseset e arritura të këtij ansambli në shumë manifestime vendore dhe ndërkombëtare, meçërast ansambli “Lidhja e Prizrenit” ka reprezentuar në nivelet më të larta kulturën dhe traditën shqiptare. Ai ndër të tjera u garantoi udheqësisë së ansamblit “Lidhja e Prizrenit” se prioritet i legjistraturës së ardhshme do të jetë ngritja e buxhetit për të gjitha shoqëritë kulturoro-artistike, me theks të veçantë për ato të qytetit të Prizrenit.

Nait Hasani, potencoj para udhëheqësve të ansamblit “Lidhja e Prizrenit” se është ndjenjë e vaçantë kur të rinjët dhe të rejat e qytetit tonë marrin pjesë nëpër shumë evenimente ndërkombëtare me karakter kulturor duke e ngitur lartë në piedestal vlerat kulturturore që ka populli shiqptar.

Luljeta Veselaj-Gutaj, tha se mbështetja nuk do të mungoj në asnjë moment për të gjithë ata që me anë të punës së tyre përfaqësojnë kulturën, traditën dhe vlerat tona, e me theks të veçantë të rinjët dhe të rejat e vendit tonë që shprehin talentin e tyre përmes pjesëmarrjes në aktivitetet kultuturore. /PrizrenPress.com/