Home Blog Page 5942

Magjia Radiohead

0

Radiohead ka shpërndarë këngën “I Promise”, e papublikuar ndonjëherë, e që është e para nga albumi i tyre i ardhshëm “OKNOTOK” – me të cilin do të shënohet 20 vjetori i “OK Computer”.

Ky album, i cili është i ripërpunuar, do të dalë në treg më 23 qershor.

Kënga është shkruar nga Radiohead 21 vjet më parë, teksa bendi po incizonte “OK Computer”, por që asokohe nuk ishte përfshirë në këtë album monumental të vitit 1997.

“I Promise” është një këngë e madhe, një meditim akustik për vetminë dhe tjetërsimin, paranojën dhe dhimbjen.

“Nuk do të ik më, premtoj. Edhe kur të mërzitem, premtoj. Edhe kur të më mbyllësh, premtoj. I them lutjet e mia çdo natë, premtoj ”, këndon Thom Yorke.

Në video-spotin e kësaj kënge të rrallë, që ka për regjisor Michal Marczak, vrojtohen fytyrat e disa njerëzve në një udhëtim melankolik me autobus në orët e vona të mbrëmjes. Në fund, del se asgjë nuk është ashtu siç duket.

Dy këngë të tjera të regjistruara, “Man of War” dhe “Lift”, janë gjithashtu në pritje për t’u publikuar. Sikurse kënga “I Promise”, edhe këto dy këngë, nuk ishin përfshirë në albumin e vitit 1997.

Moderatori i BBC Radio 6, Steve Lamacq, të premten mbrëma, dha premierën e “I Promise”, duke thënë se kishte dëgjuar që anëtarët e Radiohead ishin veçanërisht të lumtur që kanë gjetur vargjet e saj, në një dhomë magazinimi, sepse kishin menduar se e kishin humbur atë përgjatë viteve. / Politiko.net

Zafir Berisha: Koha është e Kosovës, jo Rusisë e as Serbisë

0

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Zafri Berisha nga NISMA, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se tani koha është e Kosovës dhe e qytetarëve të saj, jo Rusisë e Serbisë.

Ai ka kritikuar disa deklarime të kandidatëve për deputet të partive tjera, të cilët sipas tij kanë thënë se ka përfunduar koha e “komandantave” duke aluduar në njerëzit që janë në politikë e që e kanë luftuar Serbin me pushkë në dorë.

Ja postimi i tij i plotë:

Koha është e Kosovës dhe e qytetarëve të saj, jo Rusis e Serbis…

Rastësisht e dëgjova një legen nga Mitrovica /A Bahtiri/ që paska thën me një tubim elektroral / ka përfunduar koha e ,,komandantave,,duke aluduar në njerzit që jan në politikë e që e kan luftuar Serbin me pushkë në dorë! Ky debillë po mendon që ka ardhë koha e miqëve nga Moska të Behxhet Pacollit apo dajallarve të Ilir Dedës nga Beogradi, po e ka shum gabim legeni nga Mitrovica e soji i tij. Koha është e Kosovës dhe e qytetarëve të saj.

Zafa

Gjashtë të vrarë në sulmin terrorist në Urën e Londrës

0

Autoritetet në Britani thanë se gjashtë persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën në dy incidente terroriste që goditën të shtunën mbrëma në Urën e Londrës dhe në një zonë aty pranë.

Sipas policisë, sulmuesit, me një furgon, u futën në mesin e këmbësorëve në Urën e Londrës dhe më pas therën me thika klientët në restorantet pranë.

Tre sulmuesit meshkuj u qëlluan për vdekje nga policia në afërsi tregut Borough, pak minuta pas incidentit, në rreth orës 22 sipas kohës lokale, mbërmjen e 3 qershorit, thanë autoritetet.

Dëshmitarët pohojnë se panë një furgon që goditi turmën e këmbësorëve dhe disa persona u therën me thika.

Policia tha se po i trajton incidentet si veprime terroriste, ndërsa më herët kryeministrja britanike Theresa May, tha se “incidentet e tmerrshme” po trajtohen “si akte të mundshme terroriste”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Twitter, “Çfarëdo që SHBA-ja mund të bëjë për të ndihmuar në Londër dhe në Britaninë e Madhe, do të jemi atje. Ne jemi me ju. Zoti ju bekoftë”.

Britania e Madhe është në shkallë të lartë të alarmit pas incidenteve të fundit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit.

Vetëm pak ditë më parë, një sulmues vetëvrasës vrau 22 persona gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande në Mançester. /rel/

Haradinaj, Hoti e Kurti i shtojnë premtimet

0

Fushata e sivjetme për zgjedhjet parlamentare po karakterizohet edhe me faktin se në ballë të saj, nuk janë disa prej figurave lidere të partive më të mëdha, si Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të dy liderët e partive, deri tani më të mëdha në Kosovë, kanë vënë në ballë të fushatës të nominuarit për kryeministër, duke e ofruar kështu, në rend të parë modelin qeverisës që ata prezantojnë.

Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër të ardhshëm nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka premtuar se do ta nxjerr vendin nga korrupsioni duke fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit.

“Askush s’do ta mund Kosovën asnjëherë. As korrupsioni. Kosova po na thërret që ta mundim korrupsionin, krimin, terrorizmin”, ka deklaruar Haradinaj.

Ramush Haradinaj, i cili në vitin 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, por për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte, nuk arriti të ushtrojë funksionin më gjatë se tre muaj, tani beson se do t’i vazhdoj proceset duke e kthyer Kosovën në një vend të sigurt dhe me institucione të besueshme.

“Kosova po na thërret që ta mundim lakminë joligjore, që ta mundim inatin e dëmshëm mes vete, që të kemi shtet ligjor; që të kemi prokurorë e gjyqtarë, e gjyqe që iu besojmë. Që të kemi polici e ushtri që na bindin se jemi të sigurt. Kosova po na thërret të kemi ekonomi”, ka thënë Haradinaj.

I mbështetur në platformën e qendrës së djathtë, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa ka nxjerrë në ballë të fushatës, jo njërin prej liderëve të partive përbërëse, por një figurë nga fusha e ekonomisë, Abdullah Hotin, nga LDK-ja.

I nominuar për kryeministër, Hoti, ministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, i ka dërguar sinjale edhe Serbisë, për vazhdimin e dialogut, por në një format krejtësisht tjetër.

“Ne kemi plan konkret për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian. Përmes bisedimeve, në format të ri tash me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por të garantuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të vendosim të gjitha temat në tavolinën e bisedimeve. Ne do të vendosim afat të qartë se kur këto bisedime do të përfundojnë”, ka thënë Hoti.

Për dy vite, kryeministri në largim, Isa Mustafa dhe qeveria e tij, ku bën pjesë edhe i kandiduari për kryeministër Abdullah Hoti, nuk arriti që të përmbyllë me ratifikim Marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Por nën qeverisjen e tij, Hoti beson se e ka formulën, e cila në fund do të rezulton me ratifikimin e demarkacionit dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ne garantojmë se gjatë mandatit të ardhshëm do të përmbyllim konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, me demarkacion, me liberalizim të vizave dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës”, ka theksuar Hoti.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, si një subjekt politik që ishte në opozitë, kur flitet për pushtetin qendror, premton një qeveri me më pak ministra e më pak shpenzime dhe qeveri që do ta sillte pushtetin më afër qytetarit.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeministër, Albin Kurti, ish-kryetar i këtij subjekti politik, vazhdon ta mbështes fushatën e tij në ofrimin e një alternative tjetër, krahasuar me koalicionet e partive që ishin në pushtet këto vitet e kaluara.

“Në Kosovë kanë pasur prioritet dëshirat e qeveritarëve dhe jo të drejtat e qytetarëve. Ligj, rregull e drejtësi, në vend të krimit e korrupsionit. Arsim mbi bazat e profesionalizimit dhe për dije e jo me librezë të partisë e për militantë”, ka thënë Kurti.

Nga legjislatura tashmë e shpërndarë, Vetëvendosje mbahet në mend për inicimin e një praktike të paparë parlamentare, me hedhjen e gazit lotsjellës në seancat plenare, si mjet për të penguar vendimmarrjen për çështje, të cilat, ky subjekt politik i kishte cilësuar si interes i Kosovës.

Ndonëse një vend që ende është në rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar, Albin Kurti mendon që Kosova duhet të jetë shtet partner me perëndimin dhe NATO-n dhe nuk mbetet vetëm si shtet që kërkon mbrojtje e ndihmë nga jashtë.

“Themelimi i ushtrisë do të thotë të vendosim ndjenjat tona historike e liridashëse në shërbim të paqes në vend e në botë. Historia e jonë është e mbushur me luftë për liri. Pavarësia plotësohet kur kontribuojmë me ushtri në NATO dhe jo kur i kërkojmë asaj veçse lëmoshën e mbrojtjes”, ka deklaruar Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj. Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse një ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, pritet të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Për formimin e Qeverisë, Kushtetuta parasheh minimumin prej 61 votave në Kuvend.

Analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që koalicionet aktuale para zgjedhore të shthuren pas 11 qershorit, ngase besojnë fare pak se ndonjëri prej subjekteve aktuale do t’i sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. /rel/

“7 Shtatori” mbështetë kandidatët e Vetëvendosjes në Prizren

0

Kandidatët për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, kanë shpalosur prioritetet e tyre para votuesve të lagjes “7 Shtatori”.
Ata, kanë premtuar se do të jenë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Përvec kandidatëve nga Prizreni, Mytaher Haskuka, Drita Millaku, Arbër Rexhaj, Krenare Koqi dhe Kujtim Shala, në këtë tubim kanë marrë pjesë edhe kandidatët për deputetë nga Prishtina: Glauk Konjufca dhe Driton Tali./PrizrenPress.com/

Mali i Zi u ndalon hyrjen 149 rusëve dhe ukrainasve

0

Mediat kanë raportuar dje se Mali i Zi ua ka ndaluar hyrjen në këtë vend 149 rusëve dhe ukrainasve, në përgjigje të ndalesës aktuale të Moskës ndaj shtetasve të Malit të Zi, që udhëtojnë në Rusi. Këta persona, që janë vendosur në listën e zezë të Malit të Zi, janë selektuar për shkak të rolit të tyre në aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014.

Sipas raporteve, në listën e personave të padëshiruar përfshihen, zëvendëskryeministri rus, Dmitry Rogozin, shefi i shërbimeve të inteligjencës, Nikolai Patrushev, presidenti i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, e të tjerë.

Në vitin 2014, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të imponuara për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë.

Ky faktor ishte dhënë si shpjegim kur autoritetet e Rusisë, më 28 maj, nuk e lejuan hyrjen e ligjvënësit malazez, Miodrag Vukoviç, në Rusi.

Pas këtij incidenti, zyrtarët e Malit të Zi thanë se Rusia e kishte një listë sekrete të afro 50 liderëve të Malit të Zi, të cilëve nuk u lejohej hyrja në Rusi, përfshirë kryeministrin, Dusko Markoviç, kryetarin e Kuvendit, Ivan Brajoviç, dhe liderin e partisë udhëheqëse në qeveri, Millo Gjukanoviç.

Suspendohet komandanti i Policisë në Dragash, shpëtoi nga arresti një person

0

Komandanti i Stacionit të Policisë në Dragash, Shaqir Uka, është suspenduar nga detyra ndërsa zëvendëskomandanti i po këtij stacioni të policisë, Elami Seferi është arrestuar mbrëmë nga Inspektoriati Policor i Kosovës.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, Uka në koordinim me Seferin kanë penguar arrestimin e një personi të kërkuar, i cili ishte i dënuar për aksidentimin e një zyrtari policor me veturë.

“Arsya e suspendimit nga pozita e Drejtorit të PK-së Shaqir Uka dhe arrestimit të zëvendëskomandantit Elami Seferi, është se ata e kanë ndaluar policinë e stacionit që ta arrestojnë një të kërkuar që ka qenë i dënuar nga gjykata. Ky i kërkuari e ka shkelur me veturë më herët edhe një polic si dhe është kapur me narkotikë”, thonë këto burime brenda PK-së.

Dëshmitari: Ish-prokurori i Prizrenit, Hamitaga mi kërkoi 5 mijë euro

0

Në gjykimin e ish-prokurorit Bajram Hamitaga për shpërdorim detyre dëshmoi Sadri Paçarizi.
Sadri Paçarizi, babai i Granit Paçarizit, të dëmtuarit të gjykimit ku ish-prokurori nga Prizreni Bajram Hamitaga po akuzohet për keqpërdorim të detyrës tha se i ishin kërkuar 5 mijë euro për rastin e djalit të tij.

I pyetur nga prokurori Arben Ismajli se a e di arsyen e prezencës së tij dëshmitari Sadri Paçarizi tha se ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren i kishte kërkuar 5 mijë euro në takimin që kishte ndodhur në restorantin “Piknik”.

“Bajram Hamitaga më ka thënë ‘djalin e kam të sëmurë, kam dashtë me ardhur me t’i kërku 5 mijë euro e di se nuk më kishe kthy”, dëshmoi Paçarizi.

Dëshmitari tha se ky takim kishte zgjatur rreth 10 minuta ndërsa nuk i kishte kthyer përgjigje pozitive apo negative.

Dëshmitari lidhur me ish-prokurorin Hamitaga tregoi edhe një episod tjetër.

“Unë nuk mund të jem i përpiktë për ditën kur edhe e ka sjellë një kositëse për ta riparuar por mendoj se kjo ka ndodhur dy ose tri seanca para fundit lidhur me çështjen e djalit tim”, tha Paçarizi.
Ndonëse tha se punëtorinë e tij e kishte vetëm për nevoja personale, dëshmitari tha se pranoi ta riparojë kositësen e atëherë prokurorit vetëm për çështjen e djalit të tij.

“Kam pranu që ta bëj riparimin e kositëses sepse sipas meje kam pas hall për shkak të djalit tim”, tha Paçarizi.

Dëshmitari tha se riparimi mund të kishte vlerë prej 20 – 25 euro.

Sipas dëshmitarit, ish-prokurori Hamitaga edhe njëherë ia kishte dërguar për riparim kositësen, ndërsa ky shërbim kishte vlerë 15-20 euro.

Riparimi i kositëses nuk ishte i vetmi favor që sipas dëshmitarit, ish-prokurori Hamitaga i kërkoi familjes Paçarizi.

“Bajrami ma ka kërkuar dhe një çadër të diellit dhe atë personalisht mua duke më thënë se po më pëlqen një çadër për kopsht e unë i kisha të vendosur para restorantit 4-5 të tilla”, tha dëshmitari Paçarizi.

Çadra e cila sipas dëshmitarit kishte vlerë jo më shumë se 50 euro, nuk kishte qëndruar gjatë te prokurori Hamitaga.

“Kjo çadër pas dy ditësh është kthyer nga Luan Delili i cili më tha se Bajrami ka thanë që faleminderit por çadra qenka e vjetër dhe nuk i ka pëlqyer”, tha dëshmitari.

E gjithë dëshmia e Sadri Paçarizit u kundërshtua si nga avokati i ish-prokurorit, Hamitaga por edhe nga vetë ky i fundit.

“Deklarata e dëshmitarit është tendencioze dhe hakmarrëse ndaj meje meqenëse unë dëshmitarin e kam njohur qysh para 12 vitesh”, tha Hamitaga.

Ish-Prokurori Hamitaga tha se vërtet që kishte riparuar kositësen te Sadri Paçarizi dhe i kishte ofruar para një punëtori të dëshmitarit, por ai i kishte thënë se nuk ka nevojë të paguaj.

Lidhur me çadrën ish-prokurori Hamitaga tha se nuk ishte funksionale dhe se ishte jashtë përdorimit.

Hamitaga më tej tha se në kohën kur ka ndodhur rregullimi i kositëses së barit, ai kishte ushtruar profesionin e avokatit.

Pasi dëgjuan dëshminë e dëshmitarit Sadri Paçarizi, mbrojtja e Hamitagës propozoi që Prokuroi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ish-kryeprokuror i Prizrenit të ftohet në cilësinë e dëshmitarit për të sqaruar disa fakte lidhur me aktakuzën e ish-prokurori Hamitaga ndaj Granit Paçarizit.

Bajram Hamitaga ishte prokuror i rastit ku Granit Paçarizi akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe pastaj edhe në rastin ku akuzohej për vrasje në tentativë.

Pas shpërthimit të këtij skandali për të cilin ekskluzivisht raportoi “Drejtësia në Kosovë”, rasti i Granit Paçarizit po gjykohet në Gjykatën e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ndaj Hamitagës u ngrit në shtator të vitit të kaluar, disa muaj pas hulumtimit të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” për të. /KALLXO.com/

Lulzim Kabashi kërkon votën në lagjen “2 Korriku” në Prizren

0

Kandidati për deputet i AAK-së nga Prizreni, Lulzim Kabashi,ka mbajtur një tubim me qytetarët e lagjes “2 Korriku”.

Ai, para të pranishmëve në këtë tubim elektoral, ka thënë se “përfaqësimi i qytetarëve tanë në mënyrë sa më të drejtë është e vetmja rrugë që sjellë perspektivë dhe zhvillim ekonomik në të gjitha sferat e jetës, dhe se një gjë të tillë është edhe ofertë e partisë së tij”.

Kabashi, ka thënë më tej se qyteti i Prizrenit ka nevojë për një zë të fuqishëm në Parlamentin e Republikës së Kosovës, i cili përfaqëson direkt interesat e tyre , dhe jo duke bërë pazare ose marrëveshje politike që janë në dëm të vendit.

Lulzim Kabashi, nga ky tubim i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhjet e 11 qershorit, dhe me votën e tyre të mbështesin kandidatët e AAK-së dhe të nomrinuarin për kryeministër , Ramush Haradinaj, i cili sipas tij është personaliteti më i duhur që i nevojitet Kosovës…/TV Prizreni/

Shpend Ahmeti: Prishtina ka asfaltuar rrugë dy herë më shumë se sa Prizreni

0

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, punën e tij, në Prishtinë, e ka “matur” me atë të kryetarit të Prizrenit,Ramadan Muja.

Ai tha se Prishtina ka asfaltuar rrugë dy herë më shumë se sa Prizreni.

“Prishtina dhe Prizreni përafërsisht e kanë buxhetin e njëjtë, por Komuna e Prishtinës ka asfaltuar dy herë më shumë rrugë se sa Komuna e Prizrenit”, tha Ahmeti, gjatë një tubumi zgjedhor në Prizren.

Ai, ka treguar se për shkak të punës që është bërë në Prishtinë, kanë rritur respektin ndaj tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje!

“Mbrëmë, derisa po kthehesha nga një tubim në këmbë, i vetëm, këmbësorët më ndalonin në rrugë dhe më uronin, ndërsa shoferët e makinave më përshëndesnin duke u rënë burive. Kurrë nuk jam ndier më krenar që jam pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!” – tha mes tjerash Shpend Ahmeti në fjalën e tij drejtuar banorëve të lagjes “Ortakoll”.

Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe kandidatët për deputetë: Dardan Sejdiu,Mytaher Haskuka, Drita Millaku, Arbër Rexhaj, Krenare Koqi dhe Kujtim Shala./PrizrenPress.com/