16 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025
Home Blog Page 6007

Koalicioni pa vota për EULEX-in

0

Koalicioni qeverisës, PDK-LDK-minoritetet, nuk arriti t’i mbajë deputetët në sallë për të vazhduar debatin për dy projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Kështu kur u erdhi rendi këtyre pikave për t’u trajtuar, nuk kishte kuorum për vazhdimin e seancës. Kuvendi do të vendosë sot për këtë çështje

Mungesa e kuorumit në seancën e së enjtes të Parlamentit të Kosovës ka bërë që çështja e vazhdimit të mandatit të EULEX-it të shtyhet për të premten (sot).

Kështu koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i mbajë dje deputetët në sallë për ta trajtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me BE-në për vazhdimin e Mandatit të EULEX-it dhe të Projektligjin për Ndryshimin e Ligjeve të nevojshme për këtë Marrëveshje. Këto projektligje janë futur në rend dite në procedura të përshpejtuara, pasi EULEX-i ka më shumë se dy ditë që i ka përfunduar mandati.

Ndërsa në bazë të marrëveshjes së institucioneve të Kosovës dhe atyre të BE-së, si dhe të Projektligjit për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it, ky mision do të ketë mundësi që të hapë raste të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse çështja e krimeve të luftës mund të kalojë në kompetencë të Gjykatës Speciale./zeri/

Prizreni bëhet me shtatoren e Ukshin Hotit

0

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, nga sot do të bëhet me shtatoren e veprimtarit Ukshin Hoti.

Kështu thuhet në një njoftim për media nga Universiteti i Prizrenit, sipas së cilit, ceremonia e përurimit do të zhvillohet në orën 11:00, në oborrin e këtij universiteti.

Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor të vitit 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ukshin Hoti është arrestuar disa herë nga regjimi serb, por herën e fundit arrestohet në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të aktiviteteve armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet për Republikën e Kosovës dhe më pas dënohet 5 vjet burg.

Më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit të tij nga burgu, Hoti zhduket nga polica serbe pa lenë gjurmë dhe nga ajo datë nuk dihet asgjë për të.

Roja i terminalit doganor ia thyen dhëmbët agjentit, Destan Çoçaj

0

E premtja e 10 qershorit nuk ishte një ditë e zakonshme për Destan  Çoçajn, i cili punon agjent doganor në Terminalin Doganor të Prizrenit. Gjatë orarit të punës ai pretendon se është sulmuar nga roja i terminalit, duke ia lënduar nofullën dhe syrin. Çoçaj ka rrëfyer për Gazetën Express se si ka ndodhur ngjarja. Express për këtë rast ka folur edhe me Policinë e Kosovës, nga thonë se të dy palët janë të dyshuar.

Destan Çoçaj, i cili punon si agjent doganor në Terminal Doganor të Prizrenit, më 10 qershor, rreth orës 15:00 është lënduar aq shumë nga roja Blerim Tahiri.

E, gjithçka filloi kur Çoçaj vendosi t’i dërgonte disa dokumente kur roja filloi ta sulmonte, që ai ende e ka të paqartë se cila ishte arsyeja e sulmit.

“Nuk ishte prej atyre personave që do të sulmonte pasi që asnjëherë nuk kemi pasur raport të keq”, tha ai.

 Çoçaj në rrëfimin për Express ka thënë se kur ka filluar t’i rrjedhë gjaku nga goja ka kërkuar nga shefi i doganës, Shefqet Berisha i cili ishte aty ta thërret policinë.

“Mos i lajmëroni babit, por thirreni policinë”, ka thënë  Çoçaj, pasi që ai së bashku me babanë punojnë në të njëjtin vend.

Por, pas këtyre fjalëve ai nuk mban mend asgjë, pasi që është alivanosur nga sulmi dhe është dërguar në Qendrën Emergjente të Prizrenit.

Çoçaj thotë se nga sulmi i janë thyer disa dhëmbë dhe i është lënduar keq njëri sy – i cili brenda disa dite duhet të operohet urgjentisht pasi që në vitin 1999 kishte pasur një ndërhyrje kirurgjike.

“Unë kisha lëndime të rënda dhe këto mund të vërtetohen nga raporti i mjekut dhe fotografitë menjëherë pas sulmit”, ka thënë ai duke i treguar fotografitë dhe raportin mjekësor.

Policia e cila ishte në spital, kishte kërkuar nga Çoçaj që pas trajtimit mjekësor të shkojë në polici për të dhënë deklaratë, si palë e dëmtuar.

Por, gjërat kishin ndryshuar kur ai vendosi të shkojë në stacionin policor.

Ai thotë se fillimisht hetuesja Shkëndije Kurti e kishte paraqitur si palë të dëmtuar. Por, roja i terminalit Blerim Tahiri rreth orës 18:00 kishte shkuar në spital duke e marrë një raport mjekësor, ku thuhet se ka lëndime në qafë, për të cilën Çoçaj ishte befasuar shumë.

“Ai e kishte marrë një raport mjekësor, dy orë më vonë, që unë u çudita shumë. Aty thuhej që ai kishte marrë lëndime në qafë. Për këtë hetuesja më ka thënë se pas këtij raporti, edhe ti edhe ai, të dy jeni të dyshuar”, ka rrëfyer ai.

Këtë e ka thënë edhe Policia rajonale e Prizrenit. Në përgjigjen elektronike ata kanë thënë se të dy janë të dyshuar.

“ Nga hetimet e deritanishme dhe ne konsultim me Prok.Themelore për momentin që të dy personat konsiderohen të dyshuar (raportet mjekësore te bashkangjitura ne rast, 4835 dhe 4841, hetimet vazhdojnë)”, thuhet në përgjigje.

Çoçaj ka thënë se gjatë intervistimit nuk i janë bërë fotografime nga policia dhe se hetuesja gjatë gjithë kohës kishte hyrë dhe dalë nga salla. Po ashtu, ai ka thënë se brenda sallës ishte edhe një polic i vijës kufitare, që ishte i afërt me rojën, që nuk kishte pasur autorizim të jetë aty.

“Duke e parë se si po shkon e gjithë ngjarja kam kërkuar me ngulm që të merren provat nga kamerat e terminalit. Për këtë hetuesja vendos që pas gjysmë orë të vendos të shkoj në vendin e ngjarjes, por, aty gjaku ishte fshirë”, thotë  Çoçaj.

Incizimet e kamerave, nuk janë marrë as të hënën edhe pse policia atë ditë kishte bërë kërkese për marrjen e tyre. Katër ditë më pas ishin sjellë këto incizime nga vetë Terminali Doganor.

“…pamjet e kamerave janë të turbullta dhe largësia është rreth 60 metra”, ka thënë policia.

Ndërkohë zyrtarët e Terminalit Doganor kanë thënë diçka tjetër. Ata kanë thënë se në pjesën ku ka ndodhur përleshja nuk janë kamerat e pozicionuar dhe se Qoqaj ishte ai që e kishte sulmuar rojën e tyre.

E gjithë kjo ngjarje, Destanin e bën të dyshojë për keqpërdorim dhe manipulimin të provave nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Unë isha ai që isha sulmuar, fillimisht më paraqitën si viktimë, më pas si të dyshuar. Rojën thanë se do ta ndalin në paraburgim, por unë në mëngjesin e të nesërmes e pashë duke shëtitur në Prizren”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Blerim Tahiri, nëpërmjet telefonit, ka mohuar versionin e ngjarjes, të përshkruar nga  Çoçaj. /GazetaExpress/

Halil Matoshi: Komuna e Prizrenit, fajtore për vdekjen e vajzës 3-vjeçare

0

Analisti Halil Matosh, fajëson Komunën e Prizrenit, për vdekjen e vajzës 3 vjecare. Sipas tij, Komuna nuk ka marrë masa edhe pse kanë parë dëmtimin e shtëpive të vjetra.

“Ka vdekë një fëmijë dhe askushnuk jep përgjegjësi”, ka thënë Matoshi në emisionin “Click” në RTV 21,transmeton PrizrenPress.
Matoshi tha se Komuna e Prizrenit, qëllimisht nuk ka ndërhyrë në shtëpitë e vjetra.

“Don me i lanë me u rrënu dhe me mbaru ndërtesa shumëkatëshe”.

Xheneta Gashi, ka vdekur si pasojë e shembjes së shtëpisë së vjetër, afër “Shatërvanit” në Prizren. Ndërkaq,shoqëria civile ka fajësuar komunën dhe Ministrinë e Kulturës dhe atë të Planifikimit Hapësinor për humbjen e vajzës së vogël./PrizrenPress.com/

Të tjera imazhe tronditëse nga kryerja e marrëdhënieve seksuale në Big Brotherin britanik (18+)

0

Është vërtetë e pabesueshme ajo që po ndodh në Big Brother-in britanik.

Çifti Marco Pierre White Jr dhe Laura Carter duket se e kanë tepruar vërtet.

Konkurrentët nuk kanë dashur t’ia dijnë fare për kamerat dhe kanë ndërmarrë një akt të apstër seksual në sy të botës, sikurse dëshmojnë këto foto.

A me u ndi i krenum a i turpnum?!

0

Petrit Musolli

Kombëtarja e Shqipnisë na ka dhurue krejt çka kem pritë me na dhurue! Kem pritë lojëna të mira, sepse e kem ditë që grupi nuk është i lehtë! Kem pritë tifozëri masovike dhe për shembull, që janë për shembull!

Kem pritë me i dëshmue Europës së çfarë futbolli e shpirt sporti u ka munguar deri tash, dhe e dëshmuan! Nuk ka as edhe hamendje ma të vogël për mos me u ndi krenar me futbollistat e tifozat tanë!

Dhe, sikur kish me zgjatë kjo ndjenjë krenarie më gjatë sesa kur na shfaqet ajo fotografi monument e Xhenetës duke luajtur, po ashtu, plot vullnet… pak kohë para vrasjes së saj! Sepse, Xhenetën e kanë vra!

E kanë vra këta politikanë, që mendojnë se shkuarja e tyre në Francë është Haxh! Që besojnë se rrugëtimi për Francë është rrugëtimi i tyre për Haxhin, ku Zoti ka me i pa, e fal!

Para se me marrë rrugën për Francë (me trup a mendje), është dashtë më marrë rrugën për Prizren. Para se me na bombardue me tanë gzimin e tyre për ‘dasmën’ në Francë, me na demonstrue, njëherë, tanë dhimbjen e tyre për tragjedinë në Prizren. Tanë ne që nuk ishim në Prizren, e lamë Xhenetën vetë! Sikur mos me pas qenë kurrë!

Mirë që i mbushëm stadiumet e Francës, por është dashtë me e mbush edhe sheshin e Prizrenit, për Xhenetën! Sepse, Xhenetën e kemi humbur përgjithmonë, dhe nuk kthehet pas katër vjetësh!

Jo vetëm me e mbush sheshin, por me e ‘kall’ Prizrenin. Jo për pushtet, por, për Xhenetën! Dhe, Xheneta na e shpërfaqi të vërtetën (që moti dihet), se ku nuk ka pushtet, nuk ka vullnet! Nuk u panë gjëkundi as ata ‘kolosat’ e shoqnisë civile! Ata që plot krenari i’u bashkoheshin protestave nacionaliste e raciste, e as e morën mundin me rrugëtue deri në Prizren, në demostrimin (ndër të rrallët paslufte) e një vullneti human.

Nuk u ndi e fyer as tanë ajo turmë, me vrasjen e Xhenetës, sikur u ndien të fyer me një ofendim verbal të një ministri serb. Sepse, Xhenetën e kanë vra politikanët shqiptarë! Është më pak e dhimbshme vrasja e saj, sesa tri fjalë goje të një politikani serb!

Për tanë ata që këndojnë zhurmshëm ‘o sa mirë me qenë shiptar’, ta kujtojnë Xhenetën dhe dhimbjen që e treguam për të. Para se me shiku flamurin, ta shikojnë fotografinë e Xhenetës! Para se me i këndue Shqipnisë së madhe, ta vajtojnë vogëlsinë e shpirtit tonë! Tanë neve që nuk morëm mundin me udhëtue deri në Prizren. Tanë neve që nuk e morëm mundin as me vajtue, sepse, Xhenetën, nuk e kishin nxjerrë në breg valët e lumëbardhit, me u ba lajmi i botës.

Organizatorët e protestës me të drejtë arsyetonin se numri nuk përbën argument. Por, numri në këto dy protestime (ato me 100 mijë dhe kjo me 100), na argumentuan paqt si loti të vërtetën e shoqnisë sonë.

Një shoqni që tubon 100 mijë veta kundër një komuniteti, e nuk mund të mbledhë as 100 vetë për mbrojtjen e një komuniteti, siç janë, në këtë rast, fëmijët e familjet e rrezikuem dhe harruem nga udhëheqësit e tyre! Një shoqni që tubon 100 mijë veta me uluru egërsisht, e nuk mundet m’i afru as 100 veta me demonstru njerëzi e dhembshuni!

Përderisa nuk tubojmë 100 mijë veta për Xhenetën, e as 100 për manipulantat politik, krenaria jonë ka me vazhdu me zgjatë veç 90 minuta, njëherë në dy a katër vjet./gazeta blic/

Momentet e fundit të jetës së Xheneta Gashit (VIDEO)

0

Klan Kosova ka arritur t’i sigurojë disa video ekskluzive ku shihet vogëlushja Xheneta Gashi duke buzëqeshur në praninë e vëllait të saj binjak me të cilin luante çdo ditë para shtëpisë së saj, ku edhe gjeti vdekjen.

Për vdekjen e saj qytetarët e Prizrenit mbajtën edhe protestë të mërkurën ku kërkonin përgjegjësi penale për vdekjen e tre vjeçares.

Çdo person që dëshiron t’i ndihmojë nënës së Xhenetës, Lirije Gashit dhe vëllait të saj binjak Dashnimit për t’i siguruar atyre një shtëpi mund të bëjë këtë duke kontribuar në numrin e kësaj xhirollogarie: 150 200 100 373 6579 në Raiffeisen Bank.

http://dai.ly/x4gusgn

Të hënën vendimi për Çoçajn dhe dy mësimdhënësit (video)

0

Të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vendoset për dënimin ose lirimin e Nexhat Çoçajt, Bekim Thaçit e Bedri Çekut.
Çoçaj, drejtor i Arsimit në Prizren dhe dy mësimdhënësit Thaçi e Çeku po gjykohen për keqpërdorim të manifestimit “Java e Remzi Ademajt” për pesë vjet rresht.

Sot në këtë gjykim u dha fjala përfundimtare e prokurorit dhe avokatëve të të akuzuarve.

Prokurori i shtetit Mehdi Sefa kërkoi dënimin e të akuzuarve.

“Kërkojmë nga trupi gjykues që të akuzuarit për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 422 të përshkruara si në dispozitivin 1 deri në 5 të aktakuzës të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, meqë në veprimet e tyre formohen të gjitha elementet e veprës penale në fjalë,” tha prokurori Sefa.

Kallëzimin penal të këtij rasti të bërë nga Lëvizja “Vetëvendosje”, avokati i Nexhat Çoçajt Bashkim Nevzati e quajti halucinacion të “Vetëvendosjes” në të cilin ka rënë edhe eksperti financiar.

Mbrojtja e të akuzuarve në tërësi e kundërshtoi aktakuzën e prokurorisë dhe kërkoi që në mungesë të provave trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues.

“Nuk është vërtetu se në veprimet e të akuzuarit Nexhat Çoçaj, as individualisht e as si bashkëkryes nuk ekziston vepra penale, andaj në këto rrethana propozoj që i njëjti të lirohet nga akuza,” tha Nevzati.

Tre të akuzuarit iu bashkëngjitën fjalëve përfundimtare të mbrojtësve të tyre, me të cilat e kundërshtuan në tërësi aktakuzën e prokurorisë.

Trupi gjykues paralajmëroi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 20.06.2016.

KALLXO.com shkroi më herët në detaje për aktakuzën ndaj Çoçajt dhe dy mësimdhënësv.

Opozita fajëson pushtetin e Prizrenit për tragjedinë e Xhenetës

0

Vdekja e 3 vjeçares, ka mbledhur në një seancë të jashtëzakonshëm kuvendarët e Prizrenit. Seanca është mbajtur me kërkesë të opozitës.
Shefja e GP-së të LDK-së, Mybera Mustafa, ka kritikuar institucionet përgjegjëse për neglizhencë.

“Unë kam të drejt të dal këtu, si e zgjedhur e popullit, dhe të shpreh indinjaten time ndaj qeverisë lokale, për fatkeqësinë që ka ndodhur, duke pasur parasysh se ajo në bazë të ligjit ka përgjegjësi publike të përkujdeset për sigurinë e qytetarëve të saj, aq më tepër që ka qenë e paralajmëruar më parë shumë herë, sidomos nga shoqëria civile”, tha Mustafa.

Kuvendarja e Nisma për Kosovën, Ganimete Babuna – Hoxha, ka shkuar më larg duke kërkuar dorëheqje së paku morale nga kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, për përmasat e tragjedisë që ndodhi javën e kaluar .

Ndërkaq, shefi i GK të të LVV-së, Artan Abrashi, fajin kryesor për rastin në fjalë i’a ka hedhur më së shumti Kbrashi.
Drejtorët e Ekzekutivit Nijazi Kryeziu e Bedri Bytyçi, duke i’u përgjigjur akuzave të shumta, sërish për tragjedinë dhe gjendjen e rënduar në Qendrën Historike të Prizrenit kanë fajësuar Ministrinë e Kulturës.

Xheneta Gashi javën e kaluar humbi jetën nga rrënimi i shtëpisë së vjetër në Prizren./TVPZ/

Vakia e kryetarit që meritoni

0

Isuf Kurtaj

Dy fëmijë trupimët me top ndër sqetulla kalojnë të harlisur para vendit, ku unë, ti, të gjithë ne, secili në mënyrën tonë kontribuam në kryerjen e një krimi. E ngjisin tatëpjetën në rrugën pa trotuar shkujdesur me kokën e kthyer mbrapa derisa humbasin tej në rrugën që gjarpëron majtas, pa arritur të zbulojnë për atë që kanë dëgjuar në shtëpi, lagje, në media.

Po shkojnë t’i bashkohen protestës që po zhvillohet në sheshin e Prizrenit, ku këkohet dorëheqja e kreut të komunës dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës. Një javë më parë në shtëpinë e rrethuar me tuba të kanalizimeve, avllia zuri përfund një fëmijë tre vjeç.

Shtëpia me emrin “muzé” i ka shkaktuar makth të përjetshëm nënës së vajzës, çoroditje lagjes, qytetit dhe secilit prej nesh, të paktën për disa orë. Tek sheh gjendjen e shtëpive dhe apatinë tonë ndaj tyre, të vjen natyrshëm dhe gëzon legjitimitet fjalia: Mallkuar qoftë kushdo që ka kontribuar që ajo familje të jetojë mes atyre “rrënojave”.

Po ç’na duhet shtëpia muzé, kalldrëmi, kalaja, hamami e më the e të thashë, kur nuk kemi as ‘takatin’ dhe as përgjegjësinë e duhur për t’i bërë ato funksionale?! Një gjë është dëshira, dhe një tjetër mundësia, ndërsa një gjë krejt tjetër është kur nuk kemi asnjërën.

Pse u dashka në fund të fundit të jetojmë me ‘to, t’i kemi gjemb në këmbë? Të gjitha këto që thashë më lart janë për t’u gajasur. Për të ulëritur në fakt, kur e mendon se këto mund të jenë të vetmet argumente që mund të përdorë si “armë” mbrojtëse, në këto momente morti, paria e Prizrenit, ne që shtiremi duke bërë ‘të dhembshurin’. Me këtë logjikë, paria, ne të gjithë, që i kemi zgjedhur duhet të sulmojmë këdo që guxon të na thotë se për hir të ndonjë ‘allishverishi’ është shkulur kalldrëmi, duke e zëvendësuar me asfalt, është djegur ndonjë shtëpi muzé për t’u ngritur ndonjë pallat.

Biznes me rokadën e kalldrëmit me asfaltin apo shtëpisë me vlera historike me ndërtesë shumëkatëshe është bërë, por neveria që kemi për këto objekte historike është ku e ku është më e madhe me interesin që kanë përfituar një grup personash. Duhet thënë se ne thjesht nuk i honepsnim dot. Nuk e keni parë se ato kupëza të vogla sa bezdisëse janë për qytetarët? Si të copëtojnë këpucët, thyejnë takat e larta të grave, dërrmojnë makinat… gjithë ato telashe vijnë prej tyre. Veç rrugëve, nuk e keni parë sa si bezdisemi kur kalojmë afër shtëpive muze që kundërmojnë erë. Një pjese i është vënë flaka, ndërsa pjesa tjetër është në pritje… të flakëve, të ndonjë fadrome për ta shembur. Gjëmojnë, gulçojnë do të të thosha, si ajo nëna që ka humbur fëmijën ditë më parë, vetëm se këto ndryshe nga ajo kërkojnë prenë e radhës. Po nuk u rindërtuan ose në rastin më të keq shkatërruar me themel, kam hallë se dy fëmijët, duke tentuar të marrin topin në një nga shtëpitë e lëna në harresë, mund të jenë viktimat e radhës. Largqoftë. Ndërsa ne, krejt ajo që mund të bëjmë, është të shkruajmë nga një dedikim pa muzë si ky që po bëj tani. Dhe vetëm për disa orësh, jeta jote e imja vazhdon në kërkim të një tjetër muze. Të vetmit që gjëmën do ta vuajnë përjetë janë prindërit e presë së ardhshme.Ajo që duhet të bëjmë ne është vetëm që të lutemi të mos jetë ndonjë i afërm i yni, ose ne vetë. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më shumë. Sa duhet të shkojë numri i të sakrifikuarve. Dhe ç’gjëmë duhet të bjerë mbi ne, për të provuar se deri ku shkon mospërfillja e kryetarit të Komunës së Prizrenit për njeriun, për ne që gjallojmë në qytetin që “ai” drejton? Ky ndoshta është dhe misioni i ri që ka për të përmbushur brenda këtij mandati dallkauku që e kemi për kryetar të Komunës së Prizrenit. Ne duke u munduar t’i themi që ekzistojmë, shpesh duke bërë kurban dhe ndonjë prej nesh, ndërsa “ai” duke vazhduar të na trajtojë siç ne në të vërtetë jemi, të vdekur të gjallë.

Prej 10 vitesh kështu na ka trajtuar. Asgjë nuk ka arritur t’ia tërheqë vëmendjen. Nuk kemi bërë dot as dhe një lajm të vetëm për ‘të. Jemi dështakë. Nuk e ka prekur as lindja, as vdekja, as atëherë kur ka pasur gisht vetë në ‘to. Si është e mundur? Nuk ndjen? Sigurisht që ndjen. Ndjen kënaqësi kur sheh që i varfëri, i ligshti, i harruari shtohet. E shfaq këtë duke mos u shfaqur edhe më shumë. Madje deri në tërbim. Moskokëçarja për mëkatet e tij, rënkimet që i ka sjellë jetëve të të tjerëve, problemet shoqërore që ka shkaktuar keqqeverisja e tij është krejt e padëgjuar. Unike.

Të tretin mandat e “gëzon” (jo) i qetë, pasi që kur është votëbesuar më shumë është rropatur dyerve dhe korridoreve të gjykatave se sa në zyrën e tij, që e ka përzemër ta quajë “Shtëpi të Bardhë”. Veç rasteve të vakive “ai” kurrë nuk është parë të dalë në publik e aq më pak të ballafaqohet me median. Madje as në fushata zgjedhore. Nuk bëhet i gjallë as kur të gjallët i vdes me papërgjeshmërinë e tij. Ai është bashkëshort, prind… dhe nuk merr mundimin t’i çojë një selam ngushëllimi të paktën nënës së fëmijës tre vjeçe. Nëse jo si kryetar, të paktën si gjysh që ka disa nipa që janë duke iu rritur, duhet ta bënte. Me gjithë këto paradokse që ka ky kryetar, në zgjedhjet që nuk janë larg, ky, një si ky ose mos dhe ndonjë më i keq do të votohet sërish nga qytetarët e Prizrenit. Ky është kryetari që meritoni.

Autori është gazetar i gazetës ‘Shekulli’ në Tiranë.