23.8 C
Prizren
E enjte, 19 Qershor, 2025
Home Blog Page 6012

“Guva e Mrizit” në Vërri, dëshmon civilizimin e hershëm ilir

0

Kjo verë në Prizren, në mesin e shumë pikave turistike, ofron edhe monumentin e Ilirisë së lashtë, siç njihet si Guva e Murademit në Vërri.

Historiani Samir Hoxha mendon se ajo pikë turistike është tejet e rëndësishme për ata që vijnë në këtë qytet, për të treguar lashtësinë e këtij qyteti, duke shtuar se vend më të mirë në këtë rajon nuk gjendet. Tanimë Guva e Murademit, apo “Guva e Mrizit”,siç i quajnë anasit e Vërrinit vendin më të bukur të kësaj ane, banorët e fshatit Kobaj mendojnë se i përket Kobajt. Në Muradem janë evidentuar vendbanime të hershme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shkodran Kryeziu, koordinator i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, shprehet për “Kosova Sot” se është e qartë se “Guvat e Mrizit” të Murademit janë një monument i lashtë Ilir.

“Aty ishte edhe faltorja që nga Iliria, andaj ne do të ndërtojnë rrugën deri atje. Kurse “Mrizin” do të mbrojmë me rrethoja si monument të mbrojtur historik”, u shpreh Kryeziu.

Ai vend i bukur dhe i lashtë është ruajtur me një fanatizëm si “Mrizi i Moçëm”, tregojnë edhe banorët vendës. Fshati Muradem, pos bukurive të rralla natyrore, u bë i njohur edhe për pikturat shkëmbore te “Guva e Mrizit”.

“Akademi” për vizatime

Kryeziu shprehet se ato mbishkrime dhe piktura janë zbuluar para një dekadë dhe e vetmja gjë që është bërë për të mbrojtur ato është se janë vënë nën mbrojtjen e shtetit, por fatkeqësia është se ato tashmë janë dëmtuar nga një dorë ose e paditur ose e porositur. Dihet fakti se të rralla ishin fshatrat, sidomos të Dukagjinit, që nuk kishin mrizet e tyre ku aty mrizonin bagëtitë që mos të dërgonin gjatë pikës së vapës në shtëpi, por mrizet ishin kryesisht vende me hije dhe ujë të shumtë për bagëtitë.

“Drejtoria e Turizmit tashmë e ka marrë vendimin që t’i mbrojë këto piktura shkëmbore të parahistorisë, e tashmë ne do të ndërtojmë për atë vend edhe rrugën ku janë ndarë 20 mijë euro. Këtë për faktin që atë pjesë të bëjmë të kapshme dhe të vizituar për shumë vizitorë që duan të shohin ato bukuri dhe atë lashtësi”, tregon Shkodran Kryeziu.

“Guva e Mrizit” mbetet aset në kuadër të listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës dhe domosdo se ato tashmë kanë edhe vlerë të veçantë. Dikur pleqtë thoshin se këtu ishte një shkollë për vizatime si punë akademie. Nga të gjitha trojet shqiptare këtu u shkolloheshin njerëzit që të vizatojnë. Kështu kam dëgjuar nga pleqtë e këtij fshati.

“Guva e Mrizit” kthen banorët në civilizim të hershëm

Kryetari i fshatit, Muradem Refki Ademaj, tregon se ky fshat gjenezën e këtij emri e ka marrë nga i pari i këtij fshati, Murati, dhe vëllai tjetër, Ademi, dhe nga këta dy vëllezër ka ardhur toponimi i këtij fshati Muradem. Ai flet me admirim për “Guvën e Mrizit”.

“Atje jemi rritur, por nuk e kemi dituar gjithë faktin e lashtësisë. Tash kjo po na rikthen herët në civilizim. Kemi pasur kaq shumë histori këtu dhe nuk e kemi ditur”, shprehet Ademaj.

Fshati ka një bukuri të rrallë dhe gjatë pranverës, të gjitha shtëpitë e këtij fshati në të ardhmen mund të bëhen strehë apo bujtina për turistë. Janë bukuritë magjike të Murademit, i cili qëndron mbi ujërat e Bushtricës mbi burimet e Drinit të Bardhë, që burojnë nga bjeshkët.

Ademaj thotë se këto bukuri dhe këto objekte të lashtësisë i japin një status të veçantë këtij fshati. Arat me lule erëmira, oborret e bukura dhe ujërat që përshkojnë fshatin përmes, e që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë dhe fruta të tjera, i japin fshatit turistik një pamje të rrallë dhe shpeshherë të duket sikur je në përrallat e bukura. Por, Murademi i bukur ka edhe hallet e tij.

Refki Ademaj thotë se punësimi në këtë fshat është i pashpresë.

“Kemi vetëm një të punësuar në punë shteti, kurse janë jo më pak se 30 për qind e burrave të këtij fshati që punojnë jashtë Kosovës. Po të mos ishte kurbeti mos pyet hallin”.

Mungesë e shkollës është një shqetësim për të gjithë. Fshati aktualisht ka 70 shtëpi dhe banorët duan sa më parë ndërtimin e shkollës. Ata shpresojnë se ndoshta “Guva e Mrizit” do të sjellë rrugën, por edhe shkollën. Profesori Sylejman Randobrava thotë se kur kanë pasur mysafirë në fshat i kanë dërguar te “Guvat e Mrizit”.

“Hajde dalim kah mrizi i moçëm se është vend i mirë për të parë”, ka pohuar ai të kenë thënë banorët e këtij vendi.

“Nëse Komuna atje ndërton një rrugë, unë mendoj se do të mbetet si pikë turistike për të gjithë ata që duan ta vizitojnë këtë fshat”, thotë Randobrava.

Profesori i historisë, Mejdi Rrahmanaj, shprehet se ‘Guva e Mrizit” është ditur nga shumë studiues se është monument i lashtësisë, por ka qenë interes i ish-pushtetit që këtë ta fshehë e të krijojë mjegull mbi këtë fakt. /Kosova Sot/

Haxhi Avdyli, Nexhat Çoçajt: Mos gabo me dhënë dorëheqje!

0

Kryetari i LDK-së, në Prizren Haxhi Avdyli ka reaguar pas dënimit të Nexhat Çoçajt nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren, për shkak të keqpërdorimit të fondeve për ditët e dëshmorëve.

Në një shënim në Facebook, Avdyli ka ironizuar me Çoçajn duke kërkuar nga ai që të mos jap dorëheqje në asnjë mënyrë, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë:

Derisa Ferit Agani , vetëm me fillimin e hetimit për shpërdorim detyre, jep dorëheqje, në Prizren duhet të që drejtorët të dërgohen në burg, për tu larguar nga pozita. E thënë me ironi sarkastike : Mos gaboni me dhënë dorëheqje . Sepse ju jeni patriota , dhe nese vidhni , për Prizrenin Evropian po e bëni .

Pse të mos punoni edhe nga burgu , të udhëheqni me arsimin Prizrenas. Këtë model të Pdk-së të udhëheqjes nga burgu e kemi në Skenderaj. Sami Lushtaku kur mundet të gjitha punët e komunës ti kryej nga burgu, çka ka Nexhati që smundet. Ka vite që edhe komuna e Prizrenit udhëheqet nga kryetari i dënuar me vendim gjykate.

Gjykatat ua kanë marrë inati qe spo ju lënë me vjedh , sepse votat i keni marrë të beni çka të doni me paratë e taksapaguesve. Ndoshta do vij edhe momenti kur edhe mbledhjet e qeverisë komunale , do duhet ti mbani në ndonjë ambient burgu.
Çdo gjë pres nga ju , vetëm dorèheqje spres.

E pyes veten pse duhet kaq shumë këta njerëz i frigohen aktit moral të dorëheqjes, dhe pèrgjigja është që ata që do kishin frikë e moral edhe nuk do kishin fytyrë që në emër të dëshmorëve të përvetësonin paranë publike. Uji edhe në shkretirë gjendet ndonjëherë por jo edhe morali te disa njer?z që mjelin popullin në emër të votës së tyre.

Vetëvendosje zotohet për luftimin e krimit në Prizren

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, nuk do të ndalet në denoncimin e krimit dhe korrupsionit. Ky premtim i këtij subjekti politik, ka ardhur pas dënimit me burg të drejtorit të Arsimit, Nexhat Cocaj.

“Lufta jonë ndaj krimit në Prizren nuk do të ndalet”, thuhet në komunikatën e VV-së në Prizren.

“Deponimi i kallëzimit penal nga Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren me 8 gusht të vitit 2012 ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit për keqpërdorim të mjeteve financiare kushtuar ‘Javës së Remzi Ademajt’, tashmë ka marr formën e dënimit me burg efektiv për zyrtarët e përfshirë në rast”.

“Gjithashtu, lajmi i fundit për ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Inspektoratit pas denoncimit të asamblesitëve tanë në Kuvendin Komunal të Prizrenit për uzurpimin të paligjshëm të pronës publike dhe keqpërdorimin e detyrës dhe autoritetin zyrtar paraqet lajm të mirë dhe veprim të duhur të organeve të drejtësisë me qëllim të konsolidimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të pushtetarëve brenda institucioneve të vendit”.

“Pas rasteve të fundit konsiderojmë se qeverisja e PDK-se në Prizren nuk ka legjitimitet të vazhdojë mandatit qoftë edhe për një ditë”.

“Dorëheqja e Kryetarit të Komunës dhe estabilishmentit të tij janë e vetmja rrugë për ta nxjerr Komunën e Prizrenit nga gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet”.

“Kurse ne si Lëvizje Vetëvendosje! zotohemi se edhe në të ardhmen do të jemi të pakompromistë përballë krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqqeverisjes në të gjitha nivelet e pushtetit dhe se përpjekjet tona për drejtësi dhe zhvillim nuk do të ndalen asnjëherë deri në bërjen e plotë të shtetit! “/PrizrenPress.com/

A ishte Michael Jackson pedofil?

0

Pak ditë nga përvjetori i shtatë i vdekjes së Michael Jaclson, rikthehen akuzat ndaj tij për abuzim me fëmijët.

Amerikania “Radar” shkruan se posedon disa dokumente, të cilat tregojnë se në vitin 2013, gjatë një kontrolli në shtëpinë e këngëtarit në Neverland Ranch, është gjetur material pedopornografik.

Dokumentet e reja

Revista e cilëson si “shtëpia e horrorit” banesën ku ka jetuar Jackson. Ajo shkruan se dokumentet ka arritur t’i sigurojë përmes Departamentit të Sherifit të Santa Barbara’s. Flitet për dokumente të papublikuara më parë dhe që tregojnë perversitetin e këngëtarit.

Sipas këtyre dokumenteve, në shtëpinë e Jackson janë gjetur foto dhe video, ku shfaqeshin burra, gra dhe fëmijë në pozicione të papërshtatshme dhe ilaçe që përdoren për trajtimin e varësisë nga seksi.

“Dokumentet tregojnë anën e errët të këngëtarit”, i ka thënë revistës një hetues.

Akuzat ndaj Michael Jackson për abuzim me fëmijët nuk janë të reja. Ato e kanë shoqëruar disa herë gjatë karrierës së tij. Por, pavarësisht denoncimeve të bëra, shumë vite më parë gjykata e shpalli të pafajshëm. Por, zhurma mediatike lidhur me këto akuza e shoqëroi sa ishte gjallë.

Zbulohet një ditar i Havelit

0

Një ditar i panjohur i ish-presidentit çek, Vaclav Havel, i cili përshkruan qëndrimin e tij pesëmuajsh në burg në vitin 1977, është gjetur në Republikën Çeke, bën të ditur gazeta Lidove Noviny.

Ditari është gjetur nga nipi i shkrimtarit Zdenek Urbanek, mik i Havelit.

“Fillimisht kam menduar se është ditari i gjyshit tim, sepse ata kishin dorëshkrim të ngjashëm”, ka thënë David Dusek, i cili ka gjetur ditarin derisa ka pastruar banesën.

Ditari i Havelit përmban reflektime mbi kohën sa ka qenë në burg dhe ide për drama.

Ditari do të publikohet si libër në muajin tetor, për të përkuar me ditëlindjen e 80-të Havelit.

Havel, dramaturg dhe aktivist politik, ka vdekur në vitin 2011.

Ai është burgosur nga regjimi socialist, pasi ka bashkëhartuar dhe nënshkruar Kartën 77, një peticion që i bënte thirrje Çekosllovakisë së atëhershme të liberalizonte dhe të respektonte të drejtat civile.

Pas rënies së komunizmit në Evropën qendrore dhe lindore në vitin 1989, Havel është zgjedhur presidenti i parë i Çekosllovakisë

Dështimi i ratifikimit të Demarkacionit dhe plani i Kadri Veselit!

0

Faik KRASNIQI

Kufiri i Kosovës me Malin e Zi, gjithmonë ka qenë tek Çakorri ose tek Kulla e Zhlepit. Kështu ka qenë gjithmonë. Konsideroj që shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës e kanë ditur që me këtë marrëveshje Kosova humb territor, por kanë qenë të ndikuar nga partitë e tyre, prandaj edhe kanë heshtur deri më tash. Madje, disa prej deputetëve kanë dalë me ose pavetëdije haptas në mbështetje të kësaj vije kufitare të punuar nga Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, të udhëhequr nga Murat Meha, në vend se të kërkonin llogari nga ai, kur ekspertët tanë alarmonin që Kosova me këtë marrëveshje do të humbasë territore. Prandaj, kjo vijë kufitare nuk guxon të ratifikohet në Kuvend kështu siç është punuar nga ky komision, por të krijohet një Komision i ri dhe ky gabim që kishte për tendencë ta tkurrë Kosovën prej mbi 8 mijë hektarë tokë, të përmirësohet e pastaj të dërgohet për ratifikim në Kuvend. Në të kundërtën, çështja e Demarkacionit të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Por, kjo nuk guxon të ngelet me kaq. Liderët e këtij koalicioni dhe përgjegjësit e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, si dhe Komisioni i Kuvendit, duhet të japin llogari për këtë idiotësi dhe tradhti kombëtare që kanë bërë. Dikush duhet të futet në burg për këtë gjë, sepse përveçqë është vepër penale, mbi të gjitha është tradhti e lartë kombëtare.

Plani i Kadri Veselit!

Kadri Veseli ka ambicie të mëdha në politikë. Jorastësisht nuk erdhi fillimisht drejt e në postin e zëvendëskryetarit të PDK-së, post ky që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në asnjë parti, pastaj të kryetarit të Kuvendit dhe jo më shumë se një muaj zyrtarisht edhe kryetar i PDK-së, edhe pse ai ka qenë gjithmonë kryetar nën hije i saj. Tash ai ka në dorë dy armë shumë të fuqishme, për ta prishur koalicionin me LDK-në dhe Kosovën ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Demarkacionin me Malin e Zi, dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Që pa dyshim se humbësja më e madhe do të jetë LDK-ja kurdo që të mbahen zgjedhjet, sepse elektorati i saj kurrë nuk do t’ia falë tradhtinë që ua bëri, kur për hir të interesave të ngushta të Isa Mustafës dhe klanit të tij, shkuan në prehrin e PDK-së dhe SHIK-ut. Besoj që do të jetë mësim i mirë ky për LDK-në, po jo vetëm për të, por për të gjitha partitë që lakmojnë pushtetin dhe bëjnë koalicion edhe me ata që deri dje i kritikuan për çdo të keqe që i ka ndodhur Kosovës, që nga krimet ekonomike e deri tek vrasjet me motive politike. S’mund të thuash që je i mirë, derisa qeveris me të këqijtë, që do të thotë se s’ke asnjë dallim me ta.

Kadri Veseli pritet të shkarkojë tre drejtorë të Ramadan Mujës

0

Qeveria e Ramadan Mujës pritet të riformatizohet. Fati i disa drejtorëve ka mbetur në duart e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Tre drejtorë të Ekzekutivit, janë në listën e Veselit, për shkarkim.

Burimet e ’PrizrenPress’-it bëjnë të ditur se kryetari i Komunës, Ramadan Muja është në pritje të vendimit nga Veseli.

Dy drejtorë do të shkarkohen për shkak humbjes së jetës së vajzës 3 vjeçare, ndërkaq drejtori i tretë që pritet të shkarkohet është Nexhat Çoçaj.

Sipas të njëtit burim, Muja ka qenë i pafuqishëm në shkarkimin e drejtorëve, pasi që zgjedhja e tyre ishte bërë nga Kryesia Qendrore e PDK-së në Prishtinë.

“Emrat kanë ardhur direkt nga Prishtina, sepse dega sic e dini nuk ka pas arritur konsensus për të zgjedhur drejtorët”, tregon burimi për “PrizrenPress”.

Se në përzgjedhjen e drejtorëve për qeverisjen në Prizren ka ndikuar edhe Qendra në Prishtinë, në një prononcim të mëhershëm për “PrizrenPress”, nuk e pat mohuar as Sekretari i Degës së PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu.

Sipas tij, përzgjedhja e drejtorëve komunal është bërë pas propozimeve të kryesive të degëve nga Prizreni, Zhuri dhe Hasi, ku për secilën drejtori ka pasur nga tre e më shumë kandidatë.

“I gjithë procesi është përcjell me debat në strukturat e degëve ne organet vendimmarrëse. Ka pasur edhe konsultime e bashkëshqyrtim me qendrën e partisë”, pat thënë Kryeziu.

Kryeziu e kishte arsyetuar konsultimin me qendrën në Prishtinë.

“Natyrisht konsultimet me strukturat qendrore të partisë e ka bërë të domosdoshëm jo vetëm përzgjedhja e drejtorëve nga radhët e PDK por nga detyrimet prej partnerëve te koalicionit. Pas emërimit të drejtorëve qeveria lokale e ka mbështetjen e plotë te strukturave të partisë në nivele dege”, pat thënë Kryeziu për ‘PrizrenPress’.

Por, sipas tij, vendimi final i emërimit ka qenë në kompetencat e kryetarit të komunës Ramadan Muja.
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, gjatë vizitave të shpeshta në Prizren,ka diskutuar edhe reformatizimin e ‘Qeverisë Muja’. /PrizrenPress.com/

Prizreni bëhet me Qendër të “Evropës”

0

Në Prizren sot është bërë inaugurimi solemn i Qendrës ‘Evropa’, me çka u bë edhe dorëzimi ceremonial i kontratave të qiramarrësve në këtë qendër.

Në një konferencë për media, shefi i operacioneve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, është shprehur se ky kompleks ofron kushte të mira jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe kulturor për rajonin e Prizrenit. Se a është i kënaqshëm me funksionalizimin e kësaj qendre, Stok tha se ka hapësirë të mjaftueshme për veprimtari të ndryshme, por ai ka thënë se është nevoja edhe për disa investime të vogla në Komunën e Prizrenit.

“Jam i kënaqshëm qendra Evropa është e gatshme për biznese, për kulturë, për promovimin e tyre në këtë rajon. Do të dëshiroja që edhe këto biznese edhe kulturat të bashkëpunojnë, sepse mund të sjellin edhe përfitime në komunën tonë të Prizrenit. Ka edhe disa gjëra tjera të vogla që kanë mbetur, por ne bashkë me komunat jemi duke bashkëpunuar që t’i realizojmë edhe këto sa më shpejtë, p.sh furnizimi me ujë. Mendoj që stafi po e bënë, jo mirë, po më shumë se mirë punën e tyre. Sidoqoftë kanë nevojë për disa përmirësime. Po ashtu përveç ujit është esenciale edhe nxehja gjatë dimrit dhe ngrohja gjatë dimrit për vizitorët që vijnë”, tha Stock.

Ndërsa, drejtori komunal për Urbanizëm, Nijazi Kryeziu, tha se është i kënaqur me përurimin e kësaj qendre të vetme të këtij lloji në Kosovë, ku partnere e Bashkësisë Evropiane në funksionalizimin e qendrës Evropa është edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit.

“Kemi pas vështirësi jo gjatë implementimit të këtij ndërtimit të këtij kompleks,i por pas finalizimit të ndërtimit në mënyrën e menaxhimit, pra se si do të menaxhohet d he nga kush do të menaxhohet… Jemi në rrugë të mirë, natyrisht do të kemi takime javën e ardhshme dhe javë tjera me Bashkimin Evropian. Dhe, po, janë obligime të komunës që duhet të rregullojmë ujin, ngrohjen gjatë dimrit, ajrin gjatë verës dhe megjithatë ka qenë një koncept i tillë i ofruar si bashkë projekt, dhe komunat e Kosovës kanë nevojë të mësohen me këtë mënyrë të menaxhimit Qendra”, tha Kryeziu

Me këtë rast Christof Stock dhe pjesëmarrësit tjerë vizituan hapësirat e kompleksit Evropa.

Parajsa pa shenjtorë!

0

Shkruan: Avdi Ibrahimi

Dijetarët e njerëzit e mire, njerëzit e arsimuar e të pregaditur profesionalisht e që kanë vlera njerëzore e atdhetare, njerëzit që nuk janë të korruptuar, njerëzit që nuk kanë abuzuar me pushtetin, njerëzit që nuk janë pasuruar në kurriz të popullit me anë të ryshfeteve, njerëzit që nuk janë pasuruar duke shitur pasurit tona kombëtare, pra të gjithë ata njerëz të ditur e autoritativ janë te obliguar nga vetë Zoti të udhëzojnë e t’i prijnë popllit në rrugë të drejtë, të këshillojnë bashkëkombasit për punë e sjellje të dinjitetshme dhe ta pengojnë të keqën nga batakçiu i padinjitetshëm dhe nga ai njeri që është pasuruar me anë të vjedhjes dhe grabitjes së pasurisë së popullit, zakonisht pozita e pamerituar shoqërore dhe pasuria me punë jo të ndershme të këta njerëz luajnë rol negative, ngase me punet e tyre të pista ata zhvishen nga virtyte të larta njerëzore dhe bëhen mendjemdhenjë e mizor.

Fitimi i ndyrë i parave të pista me marrjen e ryshfeteve e kamatave, si dhe tregtimi i drogës dhe i qenieve njerëzore, është ligësi, është mizori. -Kohëve të fundit kemi pare e po dëgjojmë kritika e mallkime të përditshme mbi kontrabandimin e veteraneve të rrejshëm të UÇK-së, ku i bëhet një shtrembërim i pafalshëm historisë tone më të re që do të ketë pasoja afatgjate kombëtare sepse pasardhesit tane do të mësojnë histori të rrejshme rreth luftës çlirimtare dhe luftëtarëve veteran të paqenë të UÇK-së, po dje u denua nga drejtësia e vonuar një Drejtor i Arsimit në Prizren, ai kishte keqpërdorur paratë për manifestimet tradicionale kushtuar heroit të UÇK-së komandant Remzi Ademaj, e sa ka të tillë që kanë abuzuar e po abuzojnë në emër të UÇK-së?! Të gjitha këto të liga e të këqija janë poshtërsi e madhe e atyre njerëzve injorant që veprojnë në këtë drejtim.

Ndaj të marrim dituri të ndalim injorancën, sepse injoranca është vepër që i shërben Djallit.

Fuqia e të pasurit dhe ruajtja e t’i fizike me anë të parasë nuk është gjithçka siç mendojnë disa njerëz të servilosur e injorant, sikurse edhe fitorja me anë te intrigave e pazareve politike për interesa personale nuk varet gjithnji nga numri i të votuarit kur dihet paraprakisht se njerëzit votohen më shumë me anë të shanatazhit e mashtrimit duke kontrabanduar votën unë ty, e ti mua, po edhe të shumtën e rasteve blihet vota, se për ndryshe djajt s’do të fitonin kurrë mbi njerëzit e dinjitetshëm Sado e vështirë që të jetë jeta, dhe sado që Djalli të të mashtroj me anë të shantazhit, me anë të gënjeshtrës, sado që ai fut tek i servilosuri i tij dyshime për ta mbajtur pengë të gjorin që t’i sherbej apetiteve të tij lakmitare, sado që ai mbjell frikë, urrejtje apo jotolerancë ndaj atyre njerëzve që ai Djalli nuk ka mundur t’i përvetësoj për qëllimet e veta, ndaj hap sytë o njeri dhe mblidh mend, mos u bën rob i Djallit.

Por mbështetu tek vetvetja, te e vërteta, te e drejta që nganjiherë vonon por nuk harron ta ndëshkoj Djallin Pra mbështetu vetëm te ndihma e Perëndisë që ka krijuar njerëz të ndershëm të ditur e të mire, është ajo mbështetje e vetme që ngrit moralin e lartë kundër së keqës për të ralizuar fitorën e së vërtetës e të së drejtës njerëzore.

Shqiptarët assesi nuk guxojnë të bien pre e shantazheve e intrigave dhe mashtrimeve të përfituesve ordinerë që për përfitimet e tyre personale, të përqahen në çështje të fesë, e as të dofarë liderësh partiak, të cilët nuk mbajnë drejtësinë si në çështjet materiale e fizike ashtu edhe në jetën shpirtërore ndaj kombit e Atdheut. Nga sa po shofim për çdo ditë, të varfërve nuk u është përmirësuar jeta fare, përkundrazi ata ndihën më të shtypur dhe gjendja e tyre po përkeqësohet edhe më shumë nga këta matrapaz politik që kanë kapur shtetin.

Kam përshtypjen time se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar fare mire se më nuk mund të shantazhohen e mashtrohen nga lider të rrejshëm, ngase ata kurrë nuk ua dojnë të mirën e as që kanë punuar ndonjëherë për t’ju përmirësuar jetën njerëzve të varfër. Ngase ata lideruc të damkosur janë lakmitar të pangopshëm të pasurisë.

Me gjakun e derdhur të dëshmorëve në luftën për liri dhe falë ndihmës së NATO-s, gjegjësisht Amerikës mike, armiku ynë serbomalazez humbi luftën e u thye keqas. Por më të përfunduar lufta, disa prej luftëtarëve u vërsulën pas presë së luftës duke e dërguar kështu vendin në anarki.
Kjo kënaqësi e të mirave material ka dëmtuar rëndë interesin e popullit dhe Atdheut, janë pak gjësende në krahasim me ato të mira që do duhej të punohej për të mirën e përgjithshme popullore dhe për interesat tona kombëtare, të mira këto që janë të përjetshme, prandaj nuk duhet mashtruar pas kënaqësive të përkohëshme, atdheu i mbarshqiptarëve le të jetë një Parajsë pa shenjtorë të rrejshëm!

Lufta për liri nuk është humbje, sepse ata që u vranë janë dëshmor, kurse ne që shpëtuam, duhet të mbetemi konsekuent për të luftuar për drejtësi dhe barazi njerëzore. Në të kundërtën shlirshëm mund të thuhet vetëm një njeri që është i paditur e mizor shpif gënjeshtra ndaj diturisë e së së vërtetës.
21 Qershor 2016

Ramadan Muja pa vendim për Nexhat Çoçajn

0

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, nuk ka marrë vendim ndaj drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj.

Zëdhënësi i Komunës Ymer Berisha tha se ende nuk janë të informuar zyrtarisht për dënimin e Çoçajt, nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Për dënimin jemi informuar nga mediat. Zyrtarisht ende nuk kemi marrë asnjë vendim nga gjykata”, tha Berisha,transmeton TVPZ.

Drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj sot nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e drejtorëve të Ekzekutivit.

Ai dhe dy të akuzuarit tjerë, dje janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren në akuzat për keqpërdorim.

Çoçaj është dënuar me tre vjet burg efektiv, i akuzuari tjetër Bekim Thaçi me 14 muaj ndërsa i akuzuari i tretë me gjashtë muaj burg.

Çoçaj që akuzohet se keqpërdori paratë e dedikuara për manifestimin tradicional kushtuar dëshmorit të UÇK-së Rmezi Ademaj, nga viti 2008 deri në vitin 2012./PrizrenPress.com/