9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Pse nisi përçarja mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

Krisja e parë në marrëdhëniet Hoxha­-Shehu, dy njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, është shënuar më 11 shtator 1981. E ka memorizuar këtë vetë Hoxha në ditarin personal, ku përshkruan një takim të pazakontë me ish­kryeministrin atë pasdite vjeshte, që ka mbetur mister.

“Thirra Mehmetin nga Korça, ­shkruan ai në shënimin e së premtes të 11 shtatorit 1981, ­për ta pyetur për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.”

Me aq sa dëshmon Hoxha në ditar, bën të qartë përmbajtjen e çështjes, ku zbulon për herë të parë gabimin e Shehut që ka lejuar një lidhje problematike të djalit të tij, po rezervohet të artikulojë detajet e ngjarjes, të cilat i ka zbardhur në letër dhe i ka sekretuar në kasafortën personale. Askush deri më sot nuk ka mundur të depërtojë në këtë të fundit për të mësuar sadopak nga misteret e bisedës së shumëpërfolur.

Regjistrimi i saj nga Hoxha, i cili shpjegon se ndodhet në kasafortën e tij, nuk është gjendur asnjëherë. I vetmi fakt që më së shumti paramendohet për takimin e 11 shtatorit ’81 ka të bëjë me bindjen e Shehut nga Hoxha për të prishur fejesën e të birit. Ka sakaq një pohim tjetër, sipas të cilit, takimi sekret i asaj pasditeje vjeshte ka shënjuar fillimin e likuidimit të Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë. Sidoqoftë, qasje të tilla sado bindëse, mbeten në kufijtë e hipotezave.

Ajo që dihet është tatëpjeta e vrullshme e Mehmet Shehut pas bisedës misterioze të premten e zezë të 11 shtatorit 1981. Pështjellimet e papritura në familjen e ish-kryeministrit në fillimin e vjeshtës së atij viti, në një mënyrë apo një tjetër, konturuan dimensionet e një intrige vrastare. Kronologjia e tyre fillon me lajmin e mirë që Shehu merr nga i biri, mbrëmjen e 31 gushtit, lidhur me vendimin për t’u fejuar me një vajzë të njohur në Tiranë. Ish-kryeministri gëzohet që më së fundi i biri, të cilin e kishte pikë të dobët, po bënte zgjedhjen e shumëpritur, por njëherazi tronditet kur mëson biografinë e papërshtatshme të vajzës që ka zgjedhur.

Nusja që do kapërcente portën e vilës kryeministrore vinte nga radhët e volejbollisteve të Dinamos dhe ishte vajza e një profesori të njohur të Universitetit të Tiranës, që flitej se kishte llogari të hapura me regjimin. I njohur edhe zyrtarisht nga Sigurimi i Shtetit me problemet biografike të nuses, Shehu e shpalli fejesën po atë javë, pa pyetur këtë radhë as Hoxhën. Ceremonia e fejesës, por sidomos vizita e çiftit Hoxha që e uroi ndër të parët në shtëpi, i fashiti deri diku dilemat e kryeministrit për profilin politik të nuses së të birit.

Deri këtu, Hoxha nuk di asgjë për atë çfarë stononte në lidhjen e djalit të Shehut. “Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqireten për Nelin që u fejua”, shkruan ai telegrafisht në shënimin e datës 3 shtator 1981. Vetëm pesë ditë më vonë, Hoxha ndërron befas kryekëput mendje për fejesën e porsacelebruar. Njeriu që guxoi t’i tregojë të vërtetën, siç dëshmon Hoxha në dorëshkrimet e tij, është Ramiz Alia, një nga liderët e rëndësishëm të Partisë që deri në atë kohë nuk ishte shquar ndër të tjerët për protagonizëm të lartë.

“Bisedova me shokun Ramiz, shkruan Hoxha në ditar për takimin e datës 8 shtator 1981, ai e dinte fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjeve Turdiu dhe të Pipajve”. Nga ky moment kryeministri dhe familja e tij e shikojnë veten në një duel pa fund. Hoxha që i kishte besuar Shehut drejtimin e qeverisë për 27 vite me radhë, jo vetëm s’mund ta falë për rrëshqitjen në “batakun e armikut të klasës”, por vështron përtej saj. Takimi i 11 shtatorit ’81 është vetëm stacioni i parë i dyluftimit Hoxha­-Shehu.

Ajo çfarë është konsumuar në bisedën e asaj pasditeje të largët midis numrit një dhe dy të regjimit, është zbardhur nga vetë Hoxha dhe është koleksionuar në dosjen konfidenciale. Gazeta “Panorama” ka siguruar dorëshkrimin e rrallë dhe e publikon sot për herë të parë. Ajo që bie në sy në përballjen e dy udhëheqësve, është përpjekja e Hoxhës që të bindë Shehun për të prishur fejesën e të birit. Po si reagon ish­kryeministri për të korrigjuar gabimin dhe sa ndihet ai i penalizuar që ka bërë një martesë të palejueshme nga ana politike dhe pa pyetur Hoxhën?

Studiues e historianë të ndryshëm që janë marrë me këtë çështje pohojnë se katër orët e debatit të 11 shtatorit, kanë bindur Shehun të prishë fejesën, por dorëshkrimet e Hoxhës konfirmojnë tjetër gjë. Vendimi i kryeministrit për t’iu përgjigjur apelit së Hoxhës, është konfirmuar prej tij pas dy takimeve të tjera që kreu i regjimit ka thirrur me ngulm. Ditët në vijim do të zbardhim tekstin e plotë të dialogëve që kanë shkëmbyer Hoxha me Shehun në takimet e datave 12 dhe 13 shtator 1981…/Panorama/

Më Shumë

Gabimi i Noes

Enver Sulaj Sot bie shi mbi çatinë time Dhe mbi qepallat tua të egërsuara nga mërzia e stinës. Diejt e përflakur janë zbehur sot Vranësira ka hijezuar të papriturën...

Gjendet pa shenja jete një person në Krushë të Madhe të Rahovecit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Krushë të Madhe të Rahovecit. Është gjetur një person pa shenja jete në shtëpinë e tij. Lajmin për Arbresh.info...

Lajmet e Fundit