14.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6037

Në Landovicë konfiskohet një kallashnikov

0

Hetues policorë të Stacionit Policor “Veriu” në Prizren, duke u mbështetur në informacione inteligjente, sot e kanë bastisur një shtëpi në fshatin Landovicë, njofton kumtesa e PK-sw.

Me këtë rast është sekuestruar një armë automatike të llojit kallashnikov.

I dyshuari është intervistuar në polici dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është liruar ndërsa kallëzimi penal do t’i kalojë prokurorisë sipas procedurës së rregullt.

Arrestohet zyrtari i lartë i Qeverisë, kërkonte para për zgjidhjen e një rasti në gjykatë

0

Një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës është arrestuar pasditen e djeshme nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar para për zgjidhjen e një lënde në gjykatë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i arrestuari është Zahir Bajrami i cili mban pozitën e drejtorit të financave në qeverinë e Kosovës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për arsyet e arrestimit duke sugjeruar gazetarin që t’i referohet raportit 24 orësh të policisë.

Avokatja Adelina Isufi ka konfirmuar se mbrëmë ka marrë pjesë në intervistimin e Bajramit në Polici po nuk ka dhënë detaje.

Ajo ka thënë se ka qenë sipas detyrës zyrtare ndërsa klientin e saj sipas autorizimit vazhdon ta mbrojë një avokat tjetër.

Në raport flitet edhe për një të arrestuar tjetër.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi që të njëjtit në bashkëpunim ia kanë marrë viktimës një shume të konsiderueshme parash me qëllim të heqjes së një dënimi të shqiptuar nga një gjykatë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

I kontaktuar nga portali, Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Fitim Krasniqi, ka thënë se drejtori i financave nuk ka dalë sot në punë në qeveri ndërsa ende nuk kanë ndonjë njoftim nga ndonjë institucion për mundësinë e arrestimit të tij.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit e djeshëm është zyrtar në drejtorinë e financave në qeverinë e Kosovës.

As Beka as policia nuk kanë dhënë detaje për shumën e parave të kërkuara dhe lëndën gjyqësore për të cilën janë kërkuar paratë./Kallxo.com/

Kapet me armë në Prizren, dërgohet në mbajtje

0

Është arrestuar një person i dyshuar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, shkruan PrizrenPress.

Rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në rrugën “Mbreti Longar” në Prizren.

I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prizren. /PrizrenPress.com/

Dy vëllezër rrahen mes veti në Suharekë, konfiskohen edhe armë

0

Dje rreth orës 15:48 minuta, Policia e Suharekës është informuar për një përleshje që kishte ndodhur në Reçan të Suharekës me ç ‘rast dy vëllezër ishin rrahur në mes vete duke përdorë mjete të forta si: dru dhe një shati. Po ashtu dyshohet të jetë përdorë edhe një pistoletë e kalibrit të vogël e cila është sekuestruar së bashku me një pushkë gjahu, shkruan PrizrenPress.

Vëllezërit e dyshuar kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë ndihmën e parë në Shtëpinë e Shëndetit në Suharekë e më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren për trajtim.

Lidhur me rastin, prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për ndalimin e të dyshuarve nën masën e arrestit policor.

Ndërkaq, gjatë orëve të mbrëmjes, Policia e Prizrenit e ka arrestuar një qytetar pas një informate që bënte të ditur se i dyshuari kishte ekspozuar një armë zjarri. Arma e zjarrit është sekuestruar ndërsa i dyshuari ndalet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Arrestohet shqiptari në Vërmicë, hyri ilegalisht në Kosovë

0

Policia e Kosovës në raportin e saj ka njoftuar se ka arrestuar një person në Vërmicë i cili dyshohet se para tri ditësh ka hyr ilegalisht në Kosovë, shkruan PrizrenPress.

“Me 09.02.2017 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë, pasi që i njëjti dyshohet se me datën e cekur kishte kaluar kufirin në mënyrë të kundërligjshme edhe pse kishte ndalesë hyrje. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë. /PrizrenPress.com/

Policia gjobitë 1128 qytetarë brenda ditës

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 25 aksidente trafiku, prej të cilave 9 kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 16 të tjera me dëme materiale.

Policia ka bërë të ditur se ndaj të gjithë pjesëmarrësve qw kanw thyer rregullat në trafik ka shqiptuar gjithsej 1128 gjoba kundërvajtëse.

Kompletimi i Speciales shton drithërimat në Kosovë

0

Tani që ka nisur edhe kompletimi final i Odave të Gjykatës Speciale, me emërimet e stafit të gjykatësve, njohësit e fushës së drejtë- sisë dhe analistët politikë presin edhe ndonjë “tërmet” në skenën politike të Kosovës, me zbardhjen e aktakuzave të para dhe arrestimeve që mund të ndodhin. Zhvillimet dramatike në vend, me fillimin e punës së kësaj Gjykate, janë të pritshme sipas analistit të së drejtës Blerim Burjani.

“Po, është e mundshme dhe pritet një stuhi e furishme që të ndodhë shume shpejt, dhe madje tash thuhet që kjo të ndodhë gjatë muajit mars. Në këtë muaj pritet se do të ndodhin edhe ngritjet e aktakuzave të shumta, prandaj kuptohet se do të ketë ndikim të madh në politikën vendore, në veçanti për individë të shumtë të të dy taborëve politikë, pozitë dhe opozitë”, theksoi ai.

” PDK-ja pritet të ketë probleme më të mëdha, kjo do të shtyjë këtë subjekt të reformohet politikisht brenda strukturave politike, ngase ky subjekt deri më tash i ka rezistuar sistemit gjyqësor dhe shpeshherë thuhet se ky subjekt është anarkik dhe kontrollues i buxhetit dhe i posteve publike”, u shpreh Burjani. Sipas tij, mund të priten ndryshime të dukshme në skenën politike vendore, por e keqja është se ende s’ka një alternativë të re intelektuale që do të dilte për të bërë ndryshime. “Po duket sikur inteligjenca është shumë e heshtur, përderisa kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, është anarkike dhe përfituese nga buxheti i qytetarëve”, potencoi Burjani

Kokat mund të lihen në fund

Analisti Hidajet Ahmeti konsideron se themelimi i Gjykatës Speciale është një fyerje e luftës së drejtë të UÇK-së. Ai dyshon që paraprakisht është përgatitur edhe terreni që kjo Gjykatë të merret fillimisht me figura që kanë më pak ndikim në opinion dhe kështu koka politike e vendit të blejë kohë, duke sakrifikuar të vegjlit. “Emërimet e reja në Gjykatën Speciale janë një mesazh i qartë se shumë shpejt do të fillojë funksionalizimi i kësaj Gjykate. Gjykoj se me funksionalizimin e Gjykatës Speciale do të këtë një tronditje në skenën politike kosovare, por besoj se ngritja e akuzave do të fillojë nga bishti, duke filluar me njerëzit që kanë më pak ndikim në skenën politike kosovare . Edhe nëse në sirtarët e kësaj Gjykate janë dosjet e njerëzve me ndikim në skenën politike kosovare, Gjykata Speciale nuk do ta ketë guximin që të fillojë nga ata, pasi mund të ngrihen tensionet në opinionin publik, që potencialisht mund të shkaktojnë destabilitet brenda shtetësisë së brishtë të Kosovës. Kokat e dyshimta të krimit, për të cilat ka filluar Gjykata Speciale, do të mbeten për në fund, me qëllimin që të ruhet stabiliteti institucional e politik brenda Republikës së Kosovës”, u shpreh ai. Sipas tij, dihet botërisht se akuzat e eurodeputetit Dick Marty drejtonin gishtin te presidenti i tanishëm Hashim Thaçi .

“Të “vërtetat” e pathëna asnjëherë nuk tronditën opinionin publik kosovar. Kjo ishte baza që ka filluar hetimi për këto krime të supozuara, duke e sjellë Kosovën në një gjendje sikleti për ta pranuar një Gjykatë ndërkombëtare për të gjykuar krimet e supozuara të UÇK-së. Nuk ka dyshim se skena politike kosovare do të pësojë ndryshime radikale, ku do të këtë lëvizje elektorale’, tha analisti Hidajet Ahmeti.

Edhe sivjet s’ka viza

0

Qytetarët e Kosovës as gjatë këtij viti nuk mund të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Pasi që autoritetet e Kosovës nuk i kanë përmbushur kërkesat që dalin nga udhërrëfyesi për vizat. Kushti që ua mundëson qytetarëve liberalizimin nëpër vendet e Bashkimit Evropian është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Madje ratifikimi, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji në mënyrë që qytetarët të pajisen me viza. Por, ky mesazh i Mustafës nuk iu ka bërë përshtypje partive opozitare të cilat mbeten të njëjtat karshi Demarkacionit, shkruan “Zëri”.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë gjasat për lëvizje të lirë në zonën Schengen ekzistojnë vetëm nëse Demarkacioni kalon në kuvend këtë muaj.

“Ne kemi gjasa për liberalizim nëse Demarkacioni kalon këtë muaj në Kuvend”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.

Sipas tij, ende ekziston shpresa për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi brenda muajit shkurt.

“Shpresa vdes e fundit”, është shprehur Gecaj. /Zëri/

Serbët tonë

0

IMER MUSHKOLAJ

Serbët kosovarë nuk duhet parë si aleatë të Beogradit, në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë një dialog të brendshëm me ta dhe të mos i jep mundësinë Beogradit që t’i manipulojë dhe të marrë vendime në emër të tyre. Shqiptarët si shumicë kanë përgjegjësi për ta, siç duhet ata të kenë përgjegjësi për shtetin në të cilin jetojnë

Serbët e veriut të vendit, të cilët duan të marrin patentshoferë të Republikës së Kosovës, nuk e kanë këtë mundësi. Qeveria e Kosovës nuk ka hapur asnjë zyrë në veri, në të cilën qytetarët që jetojnë në atë pjesë mund t’i kryejnë këto shërbime.

Ky është vetëm një shembull i thjeshtë, por mjaft domethënës, për të treguar se sa institucionet kosovare janë të përkushtuara për integrimin e vërtetë të serbëve që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë dhe që e pranojnë Kosovën shtet. Në mungesë të një zyre të tillë, serbëve të veriut iu mbetet si zgjidhje të pajisen me dokumente të Serbisë, të cilat pastaj nuk njihen nga Prishtina.

Këtë shqetësim dhe të tjera si ky i ka paraqitur para pak ditësh në Prishtinë një aktiviste e shoqërisë civile nga veriu i vendit, teksa ka folur për integrimin e serbëve në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ata nuk mund të jetojnë gjatë gjithë kohës të varur dhe peng i Beogradit, andaj duhet bërë sa më shumë përpjekje që të ndihen si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, me kujdesin dhe përgjegjësinë e shtetit të ri.

* * *

Gjatë gjithë javëve të fundit, kur politika dhe mediat krijuan një psikozë lufte në Kosovë, kjo nuk ndikoi tek serbët e veriut. Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar situata të paqena dhe ndjenjë pasigurie, këto nuk janë reflektuar në jetën e përditshme të serbëve, e as në marrëdhëniet e tyre me popullatën shumicë, shqiptarët.

Serbët kosovarë e përjetojnë ndryshe qasjen e politikës kosovare, e ndryshe disponimin e shqiptarëve. Andaj edhe integrimi i tyre duhet të zhvillohet në dy rrafshe: atë politik dhe atë shoqëror.

Integrimi politik, juridik, institucional është në interesin e tyre, në përfitimin e të drejtës për t’u trajtuar të barabartë me të gjithë të tjerët. Ky integrim do të forcohej edhe më shumë po që se Beogradi do t’i ndalte përfundimisht pagat për ta dhe të gjithë të punësuarit në arsim, shëndetësi etj. të paguheshin nga Prishtina. Në këtë mënyrë do të rritej përgjegjësia e instiucioneve kosovare karshi tyre, sikurse edhe përgjegjësia e tyre karshi institucioneve.

Qeveria e Kosovës ka dështuar që me serbët të vendos një dialog të brendshëm, të domosdoshëm, në mënyrë që t’i zgjidhë problemet. Në vend të kësaj, Prishtina ia ka mundësuar Beogradit që të bisedojë e të marrë vendime në emër të tyre. Kjo është e rrezikshme.

Serbët kosovarë janë qytetarë të shtetit të Kosovës dhe iu takon institucioneve përkatëse të kujdesen për ta. Shqiptarët janë shumicë dhe iu takon të përkujdesen për pakicat, në këtë rast edhe për serbët. Serbët nuk duhet parë si aleatë të Beogradit në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Ata duhet parë si qytetarë të këtij vendi të cilët, me angazhim të sinqertë të institucioneve, mund të kthehen në qytetarët lojalë.

* * *

Problemi më i madh i institucioneve në raport me serbët kosovarë është ndërtimi i besimit. Për shkak të gjithë asaj çfarë ka ndodhur, serbët kanë pak besim në gjithçka që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. Andaj duhet të punohet shumë në këtë aspekt, në mënyrë që ata të binden se Kosova është shtet edhe i tyre. Kjo mund të arrihet me angazhimin më të madh të të gjithëve, me qasje konstruktive e gjithëpërfshirëse, e jo me qasje përjashtuese.

Serbët tashmë janë pjesë e institucioneve, edhe e atyre të sigurisë. Në këtë mënyrë ata po japin kontributin e vet, kontribut ky që do të rritet viteve në vazhdim. Por, më e rëndësishmja është që ata të mos shihen si armiq të shtetit të Kosovës, por si shtetbërës. Të shihen si njerëz që kanë zgjedhur të jetojnë në Kosovë – nëse jo bashkë me shqiptarët dhe të tjerët, së paku pranë shqiptarëve dhe të tjerëve.

Çështjet e brendshme diskutabile dhe problemet me serbët, institucionet e Kosovës duhet t’i zgjidhin në bashkëpunim dhe në marrëveshje me ta. Për to duhet të vendoset në Prishtinë. Nuk ka kurrfarë arsye që për të tilla çështje të diskutohet me Beogradin, aq më pak në Bruksel.

Natyrisht, Beogradi e ka të drejtës që të interesohet dhe t’i ndihmojë serbët kosovarë, por kurrsesi t’i kthejë në “mish për top” për interesa të veta.

Prishtina ka interes që serbët të ndihen qytetarë të barabartë të këtij vendi. Shqiptarët e kanë një interes të tillë. Kjo është e mundshme – vetëm duhet më shumë angazhim e sinqeritet. Më shumë seriozitet. Serbët janë tonët, të Kosovës, jo të Serbisë./Gazeta Express/

Rahoveci së shpejti me Qendër të Dializës

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe Munib Durguti, drejtor i DShMS-së, gjatë ditës janë takuar me drejtorin e qendrës së dializës në QKUK dhe udhëheqës i dializës në nivel të Kosovës, Ibrahim Rrudhani. Qëllimi i takimit ishte për të parë më afër se deri ku kanë arritur përgatitjet, ku do të vendosen aparatet të cilët shërbejnë për funksionimin e qendrës së analizës.

Në takim ishin edhe drejtori i spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, dhe Agron Sadiku drejtor i kompanisë “MEDITECH”.Ibrahim Rrudhani, drejtor i qendrës së dializës në QKUK dhe  udhëheqës i dializës në nivel të Kosovës, u shpreh se është bërë punë e mirë në përgatitjen e dokumentacionit dhe vendit ku do të vendoset qendra e dializë dhe kjo do të jetë në të mirë të gjithë pacientëve të cilët janë në dializë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se ky është një projekt që nuk duhet të hezitohet që të përkrahet dhe sigurisht që hapja e qendrës së dializës do të jetë në të mirë të pacientëve të dializës, të cilët janë në Komunën e Rahovecit, pasi që siç e dimë pacientët tanë shërbimet e dializës i kryejnë në spitalin e Prizrenit.Kurse, Agron Sadiku, drejtor i kompanisë “MEDITECH”, konfirmoj se ne si kompani jemi të gatshëm që të bëjmë furnizimin e qendrës së dializës në Rahovec , me pajisjet te nevojshme të cilat duhet që kjo qendër të funksionalizohet.

E, Munib Durguti, i njoftoj të gjithë të pranishmit në takim se investimet në infrastrukturë ku do të vendosën aparatet e dializës janë drejt fundit dhe objekti do të jetë i gatshëm shumë shpejt. Ai u shpreh se një pjesë e stafit është trajnuar dhe janë certifikuar, vlera e përgjithshme e investimeve infrastrukturore është 126 mijë eurove.