18.7 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6090

Pritet ndryshimi i Ligjit për Veteranët

0

Buxheti prej 38 milionë eurove, i ndarë për veteranët për vitin 2017, konsiderohet i pamjaftueshëm për t’i rehatuar ish-guerilët e pensionuar të UÇK-së.

Megjithatë, Qeveria dhe Organizata e Veteranëve janë duke bërë përpjekje për ta arritur një marrëveshje për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Veteranët, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht.

Kështu, në bazë të këtyre ndryshimeve pritet të bëhet një kategorizim i veteranëve, si dhe që t’u mundësohet atyre, të cilët janë të punësuar në sektorin privat, të marrin edhe 50 për qind të pensionit të veteranit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës me pajtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të ndajë një buxhet prej 50 milionë eurosh për kategoritë e dala nga lufta, 38 milionë prej të cilave janë për veteranët.

Sipas tij, kjo shumë nuk është e mjaftueshme nëse merren për bazë kriteret aktuale të ligjit, megjithatë, sipas tij, kjo shumë mund të shkojë deri në 45 milionë.

“Në qoftë se marrim kriteret e tanishme të ligjit, ky buxhet prej 38 milionëve nuk është i mjaftueshëm që t’i përmbushim nevojat e tyre, sepse çdo ditë po rritet numri i tyre. Tani e disa ditë jemi në biseda me udhëheqësin e Organizatës së Veteranëve për të gjetur një zgjidhje. Është kërkesa e FMN-së që ne mund të ndajmë deri në 0,7 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP) për veteranët që në përmasat e sotme ai do të ishte rreth 45 milionë euro. Pastaj ashtu siç rritet GDP-ja rritet shuma absolute”, ka deklaruar Mustafa, shkruan “Zëri”.

Ai më tej ka bërë të ditur që bëjnë përpjekje këtë kriter ta harmonizojnë me Organizatën e Veteranëve në mënyrë që të mundësohet njëlloj kategorizimi.

“Pastaj shpërndarjen e brendshme ta bëjnë sipas vlerësimeve që i kanë, qoftë në aspektin e kohëzgjatjes, pjesëmarrjes së tyre në luftë, qoftë në atë të fazave të ndryshme të pjesëmarrjes dhe të mundësojmë që ata të kenë të drejtë që të marrin 50 për qind të kësaj shume, në qoftë se janë në marrëdhënie pune në sektorin privat, për të mos i privuar nga e drejta e marrëdhënies së punës”, ka shtuar Mustafa

Rruga që mënjanohet nga komuna e Rahovecit

0

Një rrugë në Krushë të Madhe, edhe pse e rëndësishme jo vetëm për fshatin, ka mbetur në terr, derisa rrugë tjera të këtushme ka kohë që janë ndriçuar.

Rruga kryesore në Krushë të Madhe që e bën lidhjen e Magjistrales Prizren-Gjakovë me qendrën e fshatit ende nuk ka ndriçim.

Ndriçimi i rrugëve në fshat ka filluar të bëhet disa vite më parë, por jo në rrugën që lidh qytetet e Prizrenit, Gjakovës dhe Rahovecit.

Haziz Krasniqi, zyrtar për informim nga Komuna e Rahovecit tha për KALLXO.com se ky projekt ka filluar në qytetin e Rahovecit për të vazhduar edhe në fshatrat tjera më të mëdha, por sipas tij, kompania e kontraktuar nga komuna nuk mund të punojë njëkohësisht në të gjitha vendet.

“Projekti ka fillue në qytet edhe duhet të vazhdojë edhe nëpër fshatra tjerë. Dhe kompania nuk mundet me ja fillu përnjiherë në krejt vendet,” tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, problemi nuk qëndron te instalimi i ndriçimit, por te mirëmbajtja e tij.

“Problemi nuk është me ndërtu, me i qit ato shtyllat. Mirëmbajtja kushton për komunën, kushton shumë mirëmbajtja,” shpjegoi Krasniqi.

Ndërsa Selami Hoti, kryetari i fshatit Krushë e Madhe tha se mundësitë buxhetore janë faktorë që kufizojnë shumë gjëra.

“Do të mundohemi që në të ardhmen gjërat do të bëhen njëjtë për të gjithë, duke e kuptu që mundësitë buxhetore janë ato që ndalojnë shumë gjëra, por bile së paku të bëhet ajo më me prioritet, e mbase në atë kohë, e kanë konsideru këtë me prioritet,” tha Hoti për KALLXO.com.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit planifikon që rrugën e rëndësishme jo vetëm për Krushën e Madhe ta ndriçojë në pranverën e vitit që vjen.

Nuk është hera e parë që kjo rrugë është lënë pasdore. Derisa asfaltoheshin rrugët dytësore apo sokaqet në lagjet tjera, “Rruga e Drinit” vazhdonte të kishte gropat të cilat e vështirësonin komunikacionin.

Ky problem është zgjidhur vitin e kalu

Policia në Prizren përmbyll me sukses vitin 2016

0

Me shpalosjen e rezultateve të punës njëvjeçare të punës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren e ka përmbyll vitin 2016.

Në një takim të organizuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, në përmbyllje të vitit 2016, Drejtori Nexhmi Krasniqi, duke iu drejtuar të pranishmëve në mesin e të cilëve ishin edhe kryetari i Komunës së Prizrenit Prof.Dr. Ramadan Muja, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha, Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha dhe mysafirë nga Shqipëria dhe nga KFOR-i, tha se objektivat e përcaktuara në fillim të vitit janë realizuar me sukses.

Duke i shpalosur faktet nga puna njëvjeçare Krasniqi tha se synimet janë arritur përmes objektivave të përcaktuara e që ishin metodologjia e re e policimit në Bashkësi dhe policia e udhëhequr nga Inteligjenca. Trende të suksesshme në Drejtorinë Rajonale në Prizren, sipas tij, janë shënuar në shtimin e aktivitetit policor, ku u veçuan patrullimet e shtuara me automjete, patrullimet në këmbë, pikat e kontrollit, asistimet dhe arrestimet. “Në të gjitha këto aktivitete ka trende pozitive nga 3 deri në 5 përqind” tha Krasniqi.

Drejtori i Policisë Rajonale Nexhmi Krasniqi, tha më tej se në Rajonin e Prizrenit krimi ka rënie për 4 përqind, duke u nisur nga numri i vrasjeve që ka rënë për 57 përqind deri te vjedhjet e rënda që kanë rënie për 16 përqind dhe grabitjet të cilat gjithashtu kanë rënie.

Gjithashtu një sukses i Policisë në Prizren u cilësua edhe bashkëveprimi me Gjykatat, Kuvendet Komunale, KEDS-in dhe AKP-në.

Policia ka asistuar në 1368 raste. “Në bazë të këtij raporti mund ta konkludojmë se objektivat e përcaktuara janë realizuar mbi 80 përqind” tha Krasniqi. Punën e policisë e vlerësuan me nota pozitive edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Prof.Dr. Ramadan Muja, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha dhe kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren Ymer Hoxha. /newskosova.com/

PDK në Suharekë: Komuna harxhoi rreth 100 mijë euro në hartim të planeve rregulluese në kundërshtim me Ligjin

0

Dega e PDK-së në Suharekë , sot mbajti konferencë me gazetarë, të cilën e hapi sekretari i kësaj dege Halil Krasniqi, ku tregoi shkurtimisht për angazhimin e asamblistëve të PDK- së, të Rinisë Demokratike dhe aktiviteteve të tyre të cilat kanë qenë të vazhdushme.

Alush Shala Shef i Grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Suharekës, prezentoi vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, ku kërkohet nga Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedist e Komunës së Suharekës, që të inicojë procedurën për pezullimin e të gjitha Planeve Rregulluese të Hollësishme të miratuara në kundërshtim me ligjin për Planifikim Hapsinor Nr.04/L-175, pra fjala është më saktësisht për Planin Rregullues i Hollësishëm, për lagjen “Kodra”, zonën “Qendra” dhe lagjen “ Rosula”.

“Dëmi i shkaktuar Komunës së Suharekës, në hartimin e planeve rregulluese, në kundërshtim me ligjin Nr.04/L-174 është rreth 100 mijë euro, të gjitha taksa të banorëve lokal, kurse kemi edhe dëmin në mungesë të të cilave, nuk kemi pagesa të taksave në ndërtim të objekteve e që njihet si ndërtim pa leje” –theksoi Shala.

Asambleisti nga kjo parti Jeton Rrakaqi, theksoi se shumë Shoqëri Kulturoro-artistike janë shuar në aktivitete nga mungesa e përkrahjes së Komunës së Suharekës, ndërsa për KF “Ballkani” i cili për momentin është i vetmi klub aktiv, mezi po arrin mbijetesen nga mungesa e mjeteve dhe përkrahjes fnanciare./therandapost.com/

Baruti i lagur i Isës

0

IMER MUSHKOLAJ

Kryeministri është emnak i Isa Boletinit, por nuk është as luftëtar, e as trim. Ai nuk po resht së qëlluari nga koburja e tij. Por pa sukses, sepse barutin e ka të lagur. I ka mbetur të shajë e fyejë kundërshtarë politikë e kritikë. Isa Mustafa është në panik dhe për të gjitha dështimet, fajin po e gjen te opozita dhe shoqëria civile
Anekdota thotë se Isa Boletini kishte shkruar në Londër, në Parlamentin Britanik, me dy kobure. Ai njihej si luftëtar trim e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar.

Një shekull më vonë, një tjetër Isë – aspak luftëtar, e aspak trim, nuk po resht së provuari për të qëlluar nga koburja e tij. Por pa sukses, sepse barutin e ka të lagur.

Në mungesë të argumenteve dhe i gjendur përballë dështimeve në marrjen e vendimeve për çështje të rëndësishme, kryeministri Isa Mustafa e partia e tij nuk po zgjedhin fjalë për të fyer, sharë e akuzuar zyrtarë opozitarë, por edhe pjesëtarë të shoqërisë civile kritikë ndaj qeverisjes së tij.

Ai shpërtheu pas publikimit të një sondazhi të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me të rinj të moshave 17-21 vjeç, që e ka nxjerrë LDK’në partinë e tretë në vend, kurse Mustafën të katërtin ndër liderë. Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret e logjik për rezultatin e sondazhit, ai tha se shoqëria civile në Kosovë ishte e politizuar dhe se dyshonte që qytetarët përkrahin partitë që demonstrojnë dhunë.

Por, Mustafa e LDK shpërthyen sërish vetëm një ditë pasi “Zona Express” shfaqi dokumentarin “Lidhja e terminaleve”, në të cilin vërtetohej pasurimi i djemve të tij pas ardhjes në postin e kryeministrit. Po ashtu, dokumentari faktonte se si shteti ishte vënë në shërbim të familjes së Isa Mustafës dhe të Margarita Kadriu për t’ua dhënë lejet për terminale doganore, duke ndërruar madje edhe rregullativën ligjore.

Pasi Mustafa shkroi në Facebook se deputeti Pal Lekaj po shërbehej me gjuhë rrugaçësh, ashtu si Marko Gjuriq, LDK nëpërmjet një komunikate Lekajn e quajti “injorant komik”, ndërkaq në sulmin e vet e përfshiu edhe Dardan Molliqajn e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilin e cilësoi si “kriminel ordiner”. Tamam gjuhë e një partie “intelektualësh e akademikësh”, çfarë ka dëshirë ta quajë veten LDK.

* * *

Në pamundësi për të çuar përpara procese të rëndësishme të vendit, për të përmbushur premtimet megalomane të fushatës dhe pas publikimit të disa sondazheve që po tregojnë rënien e LDK’së, Isa Mustafa është në panik. Për të gjitha dështimet, ai po e gjen fajin te opozita dhe te shoqëria civile. Për dështimin e liberalzimit të vizave, sipas tij, fajin e ka opozita që nuk po e miraton demarkacionin me Malin e Zi. Por, ai ka mjaftueshëm vota të koalicionit për të kaluar marrëveshjen. Është çështje tjetër që për versionin aktual të demarkacionit, nuk po arrin t’i bind as deputetët e partisë së tij.

Për dështimin në zhvillimin ekonomik e investimet e huaja, Mustafa ka fajësuar sërish opozitën dhe gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend. Por, nuk e ka përmendur nivelin tmerrësisht të lartë të korrupsionit, për të cilin thotë të jetë vetëm një perceptim.

Ndërkaq, për dështimin në parandalimin e ndërtimit të murit ndarës në Mitrovicë, kryeministri nuk ka përtuar që t’i fajësojë kritikët e tij, të cilët i ka quajtur gjela që krekosen. Sipas tij, murin e rrënon ligji.

Por, para se të përmend rend e ligj, Mustafa është mirë të sjell ndërmend bizneset e djemve të tij, që po zgjerohen nën qeverisjen e babës. Është mirë të përmend rregullativën ligjore që iu përshtatet bizneseve të djemve të tij dhe bizneseve të familjeve të deputetëve, që votojnë për t’ia zgjedhur Hashim Thaçin president.

Para se të përmend suksese të arritura nga qeveria e tij, Mustafa është mirë të sjell ndërmend dëmin më të madh qa ia ka bërë vendit – krijimin e mundësisë që PDK e Hashim Thaçi të mbeten në pushtet, përkundër zotimit se kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë.

* * *

Nëse Isa Mustafa do të mbahet mend për diçka gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së tij, atëherë ajo është gjuha e tij kontaminuese dhe diskursi skandaloz publik në raport me opozitën dhe shoqërinë civile. Një gjuhë aspak e denjë për postin që mban, një gjuhë që nuk i bën nder aspak një akademiku. Gjuha e përdorur nga Mustafa është gjuhë fyese e kërcënuese dhe e shpërfaq atë çfarë në të vërtetë është – idhnak e agresiv, njeri që nuk i duron vërejtjet e kritikat dhe që dështimet e veta përpiqet t’ua mvesh të tjerëve.

E nëse LDK është “një fanar që ndriçon Kosovën”, siç ka thënë Mustafa, atëherë le të dëshmojë që si parti që e ka pushtetin, në krye me liderin e saj, është në gjendje të na ndriçojë rrugën drejt së ardhmes: le t’i liberalizojë vizat, ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, ta zhvillojë ekonominë, të hap qindra-mijëra vende pune, të përmirësojë arsim e shëndetësi. Apo, edhe këto premtime janë si ai që nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK’në.

Isa Mustafa nuk është asgjë më shumë se një kryeministër i lodhtë që nuk bën gjë të hajrit për shtetin, por shumëçka për veten dhe familjen e tij. Një kobure me barut të lagur, por që dhez veç kur është puna për përfitime personale. /Gazeta Express/

Kërcënohet gjyqtari në Rahovec

0

Një gjyqtar është kërcënuar në Rahovec. Kërcënuesi është arrestuar nga policia.
“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka kanosur me fjalë viktimën-gjyqtar”, njofton PK.

“Kërcënimi dyshohet sa ka ndodhur për shkak të një kontesti pronësor që kishte pasur prindi i të dyshuarit me një punonjëse në gjykatë”, njofton PK.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/

Gjendet trupi i groposur në Suharekë

0

Policia ka njoftuar se në komunën e Suharekës është gjetur një trup i groposur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve që ka kryer dje lidhur me një rast që ka ndodhur me datë 06.10.2016 rreth orës 13:00 në komunën e Suharekës në ”Oraq” është gjetur një trup i pajetë, i groposur.

”Pas hetimeve lidhur me rastin me 27.12.2016 në vendin e quajtur “Oraq” është gjetur një trup i pajetë, i dekompozuar dhe i groposur”, njofton policia.

Sipas policisë, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin

LDK-ja shpëtim për Prizrenin

0

Petrit Hoxha

Po dëgjojmë shumë shpesh këto ditë se Iksi ose Ypsiloni është zgjidhja për Prizrenin është ndryshimi për Prizrenin, por realisht, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndryshimin në Prizren mund ta bëjë veç një subjekt politik. Ndryshimi në Prizren e ka emrin LDK, dhe të gjithë të tjerët po bëjnë llogari, për të ia bërë qejfin vetes, dhe për të rritur sa të jetë e mundur pazarin e koalicionit.

LDK-ja në Prizren është e madhe, ka organizimin më të mirë në terren dhe ka anëtarësinë më besnike, të cilës përditë i shtohen anëtarë të rinj. Por as LDK-ja nuk do të mund ta bëjë ndryshimin nëse nuk reflekton, nëse pret që keqqeverisja aktuale në Prizren të ik vetvetiu. Dhe nëse Dega e LDK-së në Prizren nuk reflekton, Prizrenin do ta udhëheqin grupete e njëjtë aktuale dhe do ta thellojë të keqen në qytetin tonë. Dëshira për të qenë ndryshimi në Prizren, nuk mjafton. Dega e LDk-së në Prizren është e fragmentuar: Haxhi Avdyli, Hatim Baxhaku, Hanefi Muharremi,Xhavit Ukaj , Haziz Hodaj, Ridvan Hoxha, Anton Quni dhe shumë të tjerë janë emrat që vetëm të bashkuar mund ta bëjnë ndryshimin në Prizren, mund të ia kthejnë dinjitetin qytetit dhe qytetarit të Prizrenit. LDK-ja e Ibrahim Rugovës është e fortë në Prizren.

Ajo është në Has, në Anadrini, në rrafshin e Korishës, në Vërri, është gjithandej Prizrenit, e madhe dhe e strukturuar, por çalon në kokë. LDK-ja është e fortë edhe në Zhur dhe në degët e saj , te cilet dikur e udheheqen Shukri e Dushe Vezaj , Nijazi Ademaj , Sadik Hoxhaj Refki Alushaj , Esheref e Nebi Memaj , Behar Begaj e shum te tjer te cilet ishin motorr te Lidhjes Demokratike te deges se Zhurit .

Haxhi Avdyli, kryetar i ri, i quajtur edhe shpresa për Prizrenin, u mundua sadopak qe ti bashkoj kokar por nuk arriti që ta shëroj një plagë të vjetër të Degës së LDK-së, t’i bashkojë fragmentet e LDK-së dhe ti shndërroj në pasuri të demokracisë , ku një pjesë te fajit e mban edhe Kryeministri Mustafa per gjendjen ne Prizren , por ate do ta tregon koha . Nga Hatim Baxhaku, emër i respektuar në Prizren, Ridvan Hoxha, motori i LDK-së,Xhavit Ukaj e Haziz Hodaj ndëraktivistët më të palodhshëm, Hanefi Muharremi, një njeri i qetë dhe shumë i respektuar në qytet, Anton Quni një deputet me dinjitet, Agim Muçaj e shumë të tjerë nuk arritën që fragmentet që demokracia i njeh si pasuri, të bëjnë bashkë mendimin dhe veprimin në aktivitetin për Degën e LDK-së, më shumë se kaq për Prizrenin, të cilit jo që i duhet, por ka nevojë për ndryshimin, si njeriu për ajrin.

Dega e LDK-së në Prizren e ka anëtarësinë, e ka edhe besimin tek qytetarët e Prizrenit, por jo e fragmentuar. Mesazhi që presin qytetarët e Prizreni nga LDK-ja, është bashkimi i fragmenteve të LDK-së, që si pasuri e demokracisë, të mobilizohen më shumë se për veten për qytetin dhe qytetarin e Prizrenit. Në Degën e LDK-së në Prizren, duhet të ndodh reflektimi, duhet të ndodh bashkimi, duhet të bëhet beteja e fortë me të keqen, dhe vetëm në këtë mënyrë vjen ndryshimi në Prizren. Vetëm po ndodhi kjo qytetari i Prizrenit do të besojë për ndryshimin dhe do të votojë për ndryshimin, dhe do të jetë votë për një qytet të denjë për jetesë. Partia Demokratike e Kosovës, nuk mundet dot nga partitë që përfaqësohen me nga një e me nga dy anëtarë në Kuvendin Komunal, sado të madhe ta kenë dëshirën ato, dhe sado e plagosur të jetë PDK-ja nga keq qeverisja.

Ndryshimin në Prizren mund ta sjell vetëm Dega e LDK-së, dhe vetëm me një mobilizim të gjithë potencialit të ri e të vjetër, me një betim në interesin e qytetarit. Aktivistët e LDK-së me përvojën 27 vjeçare të aktivitetit dhe gjenerata e re, duhet të lënë mënjanë inatet politike dhe të bëhen bashkë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e madhe dhe ka vend për të gjithë edhe si persona, edhe si mendime, edhe si aktivitet. Vetëm duke i bashkuar të gjitha fragmentet: përvojën me mendimin e ri, shpresën me guximin për ta luftuar të keqen.

Këtë LDK e duan qytetarët dhe kjo LDK do të jetë ndryshimi për Prizrenin.. Në të kundërtën do të duhet të pajtohemi që e keqja të behët pjese ë jona dhe të jetojmë me të. Sepse veç LDK-së askush tjetër se bënë dot ndryshimin në Prizren. Për qëllimin e madh duhet të bashkohemi. Mundemi, prandaj tëbashkohemi për ndryshimin e madh që do të ndodh në vitin 2017. Nuk ka rendësi kush do të jetë kandidat i LDK-së për Prizrenin. Duhet të fitojë ekipi i LDK-së u ku si trajner i ri te jet Haxhi Avdylu !

Suharekë: I dehuri rrah gruan, arrestohet

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Suharekë, i cili dyshohet se derisa ishte i dehur ka rrahur gruan e tij.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër K-Shqiptare bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit pas është intervistuar i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Këshillat në gjumë, drejtësia në kolaps

0

As Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës nuk mund të amnistohen për gjendjen e brishtë që po mbretëron tani e një kohë të gjatë në sistemin e drejtësisë, pasi edhe ata janë hisedar për të keq dhe kontribuues për një gjendje të tillë. Faji dhe përgjegjësia për degradimin dhe dështimin e sistemit të drejtësisë, bie edhe mbi Këshillat në fjalë sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, pasi Këshillat e lartcekur, që monitorojnë drejtësinë, nuk i japin askujt llogaridhënie, derisa për rrjedhojë është vështirë se mund të funksionojë monitorimi pa llogaridhënie nga ta.

Ndaj, me të drejtë është shtruar edhe çështja se si e dështuan sistemin e drejtësisë, KGJK-ja e degraduar me ish- kryesuesin Peci dhe tani edhe me anë- tarë, me gjasë, të inkriminuar me pasuri milionëshe, por edhe KPKja, të cilat, si duket, nuk po munden asnjëherë që t’u shmangen lidhjeve të dyshimta të tyre me mafio- politikën dhe mafio- oligarkinë e inkriminuar dhe klanet e tjera të interesit? Profesori i së Drejtës Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se kurdoherë në këtë drejtim duhet kërkuar dhe identifikuar e definuar shkaqet e më pastaj pasojat, derisa, sipas tij, nëse shkaqet do të eliminoheshin apo evitoheshin e zhdukeshin, atëherë edhe pasojat do të binin automatikisht.

Edhe Qeveria e dëmtoi drejtësinë

Sipas Smakës, shkaqet e dobësive në sistemin e drejtësisë ndodhen pikërisht në Qeveri, por edhe në Këshillin Gjyqësor e atë Prokurorial të Kosovës. “Në Qeveri janë shkaqet, pasi ajo nuk e financon sistemin e drejtësisë, nuk jep të holla për plotësimin e vendeve vakante me gjykatës e prokurorë, ndërsa në anën tjetër vetë KGJK-ja dhe KPK-ja kanë treguar dobësi të mëdha, ndër të tjera po e zëmë, nuk kanë përgatitur akte nënligjore në funksion të zbatimit të ligjeve në fuqi, e që kjo është një dyshim i madh, pasi këtë punë kanë mundur dhe është dashur ta bëjnë, por nuk e kanë bërë”, theksoi ai.

“Më pastaj, këshillat në fjalë nuk e kanë praktikuar vlerësimin e performancës, që për çdo muaj të bëhej vlerësimi i cilë- sisë dhe sasisë së punëve të bëra, në mënyrë që më pastaj konform kësaj të vlerësohej puna e gjykatësve e prokurorëve, dhe përkitazi me punën dhe rezultatet e dhëna nga ta, edhe të ndërmerreshin masat e caktuara ndëshkimore apo stimulative, qoftë zvogëlimin apo rritjen e pagave, apo edhe atë të shkarkimit ndaj atyre që nuk japin performancë dhe nuk punojnë. Por, një gjë të tillë nuk e ka realizuar Qeveria dhe as këshillat në fjalë, ngase atyre mbase u përshtatet që të mos funksionojë gjyqësori e prokuroria për shkaqe korruptive dhe këto konsideroj, ndër tjera, janë edhe shkaqet e dështimit dhe degradimit të sistemit të drejtësisë”, tha Smaka.

Llogaridhënia duhet të qartësohet

Analisti Naim Kelmendi thotë se degradimi i sistemit të drejtësisë po ndodh në vazhdimësi, thuaja në të gjitha shkallët e këtij sistemi, por faji dhe përgjegjësia ligjore për këtë degradim sikur targeton drejt e mbi KGJK-në, si dhe mbi KPK-në. Sipas Kelmendit, këta dy Këshilla janë monitorues të sistemit të drejtësisë, por edhe këta dy Këshilla që monitorojnë drejtësinë nuk i japin askujt llogaridhënie, prandaj vështirë se mund të funksionojë monitorimi pa llogaridhënie, derisa, siç tha, as edhe Komisionit parlamentar përkatës për drejtësi, por as prezantimi para atij Komisioni nuk duket se rregullon tërësisht llogaridhënien dhe përgjegjësitë ligjore që u takojnë këtyre dy Këshillave të drejtësisë, ngase as aty, pos që do të mund bëhet ndonjë prezantim si obligim ligjor, tjetër llogaridhënie nuk ka. ” Kështu që, do të ishte i nevojshëm mbase krijimi i një mekanizmi ligjor që do t’u nënshtroheshin këta dy Këshilla, sidomos me llogaridhënie dhe përgjegjësitë ligjore, që u takojnë dhe i obligojnë”, është shprehur ai.

“Ky sistem mban brenda vetes mjaft gjyqtarë e prokurorë të inkriminuar e të lidhur me mafinë politike dhe oligarkinë, por dhe me grupet e interesit, e që kështu veprojnë për interesa të tyre dhe dëmtojnë interesat e qytetarëve, por që dhe kështu e zbresin në zero shkallë integritetin dhe pavarësinë e këtij sistemi, duke e humbur dhe duke e zbehur kështu edhe besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë”, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” analisti, Naim Kelmendi.